Dashnor Kaloçi
Memorie.al sjellë dëshminë e Isa Boletinit, nipit të heroit: “Hakmarrja e regjimit komunist ndaj familjes sonë filloi që në vitin 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto, vranë me atentat djalin e Isës dhe babanë tim Adem Boletinin. Si rezultat i politikës të ndjekur nga Beogradi dhe Tirana komuniste, që pas vrasjes së gjyshit në 1913, nga familja jonë u vranë apo ekzekutuan 15 vetë dhe dhjetë të tjerë kaluan vite të tëra në burgje dhe internime”
Hakmarrja e sllavo-komunistëve ndaj familjes së njohur të Isa Boletinit, filloi që në nëntorin e vitit 1943, kur komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto, vranë me atentat babanë tim nënkolonel Adem Boletinin, djalin e tretë të Isës, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Vjenë.
Pas kësaj si në Mitrovicë, ku jetonte pjesa më e madhe e Boletinëve, ashtu edhe në Shqipëri, familja jonë u gjend nën një persekucion të egër dhe barbar nga regjimet komuniste të Titos dhe të Enver Hoxhës. Nga ky represion që u ndoq ndaj djemve, nipave dhe mbesave të Isa Boletinit, numri i të vrarëve dhe të ekzekutuarave nga familja jonë arriti në 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën për vite në burgjet e tmerrshme të Serbisë dhe Shqipërisë. Regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj familjes së Boletinëve, ndoqi po atë politikë të cilën kishte ndjekur për shumë vjet, regjimi komunist i Titos dhe si rezultat i kësaj vetëm në vitin 1962-in, Isa Boletinit, iu akordua titulli i lartë i Heroit të Popullit. Edhe pas kësaj, familja jonë vetëm një herë pati ftesë zyrtare për të shkuar në Vlorë, në përvjetorët e ditës së ngritjes së Flamurit dhe në vitin 1981, kur u inaugurua monumenti i gjyshit tim, Isa Boletinit në Shkodër, familjen tonë nuk e thirrën, duke na thanë se na kishin harruar”. Dëshmon për Memorie.al, Isa Boletini, (nipi i Isa Boletinit) ish-mësues i Edukimit Fizik, Mjeshtër Sporti dhe arbitër ndërkombëtar i volejbollit.
Gjenocidi mbi Boletinët
“Vrasja e babait tim nënkolonel Adem Boletinit, u krye në 23 nëntor të vitit 1943, nga komunistët shkodranë të udhëhequr nga Vasil Shanto. Ajo vrasje u nxit dhe u urdhërua nga komunistët serbë, që në atë kohë drejtonin dhe Partinë Komuniste në Shqipëri, si shenjë hakmarrje ndaj gjyshit tim Isa Boletinit, i cili luftoi për vite me radhë ndaj serbo-malazezëve. Në atë kohë vrasja e Ademit, u prit me indinjatë të madhe nga gjithë populli i Shkodrës, që e dënoi atë akt barbar, sepse Adem Boletini, shërbente si ushtarak dhe nuk ishte përzier në politikë. Ndonëse unë nuk kam qenë më shumë se nëntë vjeç, e mbaj mënd shumë mirë varrimin madhështor, që i bëri populli i Shkodrës, babait tim Ademit, ku edhe rinia Antifashiste e qytetit, u detyrua dhe solli kurorën e saj. Që nga ajo kohë, për të mbuluar atë krim dhe indinjatën e popullit të Shkodrës, komunistë hapën fjalë se gjoja Adem Boletini, ishte vrarë pa dashje dhe shënjestra e atentatit kishte qenë major Ndrec Prenga, Qark- komandanti i Xhandarmërisë së Shkodrës. Po kjo gjë u hodh poshtë po prej tyre, nga dy traktet që ata hodhën menjëherë pas asaj vrasje. Nga ato dy trakte, më kujtohet vetëm i pari që ne mundëm ta gjenim, ku për vrasjen e babait flitej vetëm në dy rreshtat e fundit. Aty thuhej: “Adem Boletini nuk ishte i dënuar me vdekje nga PKSH, por qëndrimi i tij, me major Ndrec Prengën, ishte i pajustifikueshëm”, dëshmon Isa Boletini i ri.
Kalvari i Boletinëve në Shqipëri
Qëndrimi që mbajti regjimi komunist i Tiranës, pas vitit 1944 ndaj familjes së djalit të Adem Boletinit, tregoi më së miri se vrasja e Adem Boletinit, kishte qenë e paramenduar prej tyre dhe jo gabimisht, ashtu si u përpoqën ta paraqesin ata. Isa Boletinit kujton: “Sikur të mos mjaftonte ekzekutimi i babait tonë Ademit, regjimi komunist që erdhi në pushtet në 1944, i nxitur nga politika zyrtare e Beogradit, vazhdoi hakmarrjen ndaj familjes së Isa Boletinit. Në vitin 1947 u arrestua nëna ime Adile Bekteshi, e cila vuajti pesë vite në burgjet e skëterrës komuniste, ku nga kushtet e këqija mori dhe disa sëmundje, të cilat nuk iu ndanë deri sa vdiq. Burgosja e nënës sime nga komunistët, erdhi si pasojë edhe e faktit se motra e saj ishte bashkëshortja e Jup Kazazit, njërit prej antikomunistëve më të njohur i cili në 1947, organizoi dhe revoltën e armatosur, që kishte si synim përmbysjen e regjimit komunist. Pas dënimit të nënës sonë, gjykata dha vendimin edhe për sekuestrimin e pasurisë, ndonëse ne nuk kishim as një lloj pasurie dhe në Shkodër banonim tek shtëpia e dajës, mjekut të njohur Dr. Selaudin Bekteshit. Deri nga fillimi i viteve 60-të, për ne si familje u nxorën tre vendime që të largoheshim nga Tirana. Herën e tretë ne qëndruam të fshehur, për një muaj dhe u desh ndërhyrja e dajës sonë Dr. Bekteshit, që të kthehej urdhri që ishte dhënë për dëbimin tonë nga Tirana. Edhe pas kësaj, qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ka qenë elastik në varësi të konjukturave politike. Kishte shumë raste që mua më largonin nga Arsimi dhe më dërgonin të punoja si punëtor. Po kështu dhe vëllai Enisi, i cili mezi mundi të diplomohej si mjek (nën kujdesin e dajës Dr. Bekteshit) pasi dy vite shkollë i bëri natën, ndonëse ishte mjek i njohur, tre herë e kanë pushuar nga puna dhe e dërgonin në morg. Qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjes sonë ndryshoi vetëm pas vendosjes së monumentit madhështor të Isa Boletinit, në qytetin e Shkodrës në vitin 1981, ku në inaugurimin e tij, familjen tonë nuk e thirrën duke na thënë se kishin harruar. Po kështu gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist, deri në vitin 1990, familja jonë u thirr vetëm një herë të merrte pjesë në përvjetorët e Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, kurse pas viteve 90-të, ne nuk na kanë ftuar asnjëherë”, e përfundon rrëfimin e tij Isa Boletini, duke shtuar se vlerësimin që Isa Boletinit nuk ia bëri siç duhet regjimi komunist në Shqipëri, ia bënë në Kosovë, ku me iniciativën e vetë Presidentit Rugova, janë mbajtur disa sesione shkencore dhe janë botuar me dhjetëra studime rreth figurës së tij.
Të vrarë nga Serbët
Halil Boletini 1833
Mujë Boletini 1892
Ahmet Boletini 1894
Isa Boletini 1916
Halil Boletini 1916
Seid Boletini 1916
Jonuz Boletini 1916
Halit Boletini 1916
Musa Boletini 1944
Skënder Boletini 1944
Asllan Boletini 1945
Faik Boletini 1947
Isuf Boletini 1947
Rasim Dajçi (nip) 1945
Hysni Rudi (nip) 1945
Të burgosur në Jugosllavi
Mujë Boletini 3 vjet
Kapllan Boletini 20 vjet
Ali Boletini arrtisur nga burgu
Tafil Boletini burgosur në 1945
Ikbale Boletini burgosur në 1945
Kumrie Boletini burgosur në 1945
Të vrarë dhe të burgosur në Shqipëri
Adem Boletini vrarë në 1943
Tafil Boletini burgosur në 1945
Adile Boletini burgosur në 1947
Ismet Boletini burgosur në Spaç
Enver Dajçi (nip) burgosur në Spaç
Familja e madhe e Isa Boletinit nga Mitrovica e Kosovës
Origjina e hershme e familjes së Boletinëve, prej nga rrjedh i famshmi Isa Boletini, është nga fshati Isniq i Mitrovicës. Në atë fshat që përpara periudhës së Skënderbeut, thuhet të ketë banuar i pari i tyre që quhej Lekë, i cili ka pasur tre djem: Nika, Cana dhe Preka. Nga këta tre vëllezër që jetuan në fshatin Isniq, rrodhën dhe u krijuan tre lagje, që morën emrat: Niklekaj, Canalekaj dhe Preklekaj, të cila u shtuan dhe arritën deri në 500 shtëpi. Si shumë familje të mëdha patriarkale të asaj periudhe edhe familja e Lekës e ata që erdhën pas tij, deri në pesë breza, të detyruar nga presionet e pushtimet osmane dhe për t‘ju shpëtuar pagimit të taksave dhe detyrimeve ndaj Turqisë, iu vunë fëmijëve të tyre, emra të ndryshëm si Mujë, Demë, Hajdar dhe Myrsel. Kështu nga familja Hajdarit dhe vëllait tij Halitit, rrodhi dhe u krijua lagjia Zhazhë, kurse nga familja e vëllait tjetër Ahmetit, rrodhi dhe u krijua lagjia Muslije. Nga familja e Adem Myrselit, rrodhi shtëpia e Ahmet dhe Isa Boletinit. Më pas duke u shtuar numri i tyre, rreth 180 shtëpi u shpërngulën nga fshati Isniq dhe u vendosën rreth e rreth Istogut, ku formuan katundet Tomoe, Muzhevinë, Prekallë, Rudicë,
Zabllac, Trubuhovcë, Boletin e Zharcë. Po kështu në atë kohë nga Isniqi, janë shpërngulur edhe më shumë se 50-60 shtëpi të tjera, të cilat u vendosën nëpër fshatra dhe qytete të ndryshme të Kosovës. Sipas një studimi të Prof. Skënder Luarasit, thuhet se të parët e kësaj familje të detyruar nga depërtimet e pushtuesve osmanë, kanë zbritur nga viset veriore ku banonin në atë kohë dhe janë vendosur në fshatin Boletin, aty rreth vitit 1529, ku morën dhe mbiemrin Boletini. Ky fshat i cili është dhe vendlindja e Isa Boletinit, ndodhet jo shumë larg qytetit të Mitrovicës (në veri të saj) i cili duket si një qytezë e vogël e vendosur mbi faqen e një shkëmbi të madh, përbri një shpati që vendasit e quajnë Sokolaj. Në vitin 1750, kullat e Boletinëve u dogjën për herë të parë nga taborret e ushtrisë turke, kur këta marshuan në drejtim të asaj krahine për të kapur Hajdarin e Demë Mujë Nikës dhe vëllezërve të tij Halilit e Ahmetit. Duke qenë si fisi i Boletinëve, nuk u pajtua asnjëherë me politikën e Portës së Lartë të Stambollit dhe ishte gjithmonë në gjendje lufte me ta, kullat e tyre në fshatin Boletin u dogjën përsëri në vitet 1830-1832 kur ushtria turke erdhi për të kapur Adem Boletinin. Po kështu në vitin 1892, ajo kullë u dogj përsëri nga turqit në luftërat që ata bënë kundër Ahmet Boletinit. Historia e familjes Boletini vazhdon me Isa Boletinin (u lind në fshatin Boletin në 15 janar 1864) i cili vazhdoi luftërat kundër turqve dhe si rezultat i saj, zjarri mbi kullat e Boletinëve, u vu përsëri nga Hafëz Pasha, i cili i dogji ato në vitin 1895. Pas kësaj kullat e Boletinëve u dogjën edhe dy herë radhazi nga xhonturqit në vitet 1908 dhe 1914, në luftërat që ata bënë kundër Isa Adem Boletinit. Isa Boletini, pati nëntë djem dhe pesë vajza, të cilat quheshin: Halil, Zahid, Mujë, Adem, Musë, Bajazit, Asllan, Faik, Kapllan, Azize, Havize, Shehdije, Ajete dhe Feride. Isa Boletini, pasi u bë një nga prijësit kryesorë të shqiptarëve të Kosovës, në luftërat e tyre kundër pushtimit osman, një nga ngjarjet më të njohura të jetës së tij, është pjesëmarrja në ngritjen e Flamurit në Vlorë, në nëntorin e 1912-ës, ku Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Isa Boletini, u vra nga forcat serbo-malazeze, të Gjeneralit Vukoviq, teksa ishte duke kaluar në urën e Ribinicës, në qytetin e Podgoricës. Bashkë me Isa Boletinin, atë ditë u vranë dhe shtatë pjesëtarë nga familja e tij, duke filluar nga djali i tij i madh Halili (24 vjeç), djali tjetër Zahidi (18 vjeç), që në atë kohë ishte student në Vjenë, dy nipat Jonuzi (26 vjeç) dhe Halili (24 vjeç) si dhe tre kushërinjtë e tyre të quajtur Hajdar Selim Radisheva, Misin Niman Bala dhe Idriz Bislimi. Pas vrasjes së Isa Boletinit, në vitin 1916, që përkon edhe me largimin e ushtrisë osmane nga Shqipëria, familja e madhe e Boletinëve, që jetonin në fshatin me të njëjtën emër në afërsi të Mitrovicës, u mor me administrimin e pronave të tyre. Përveç këtyre pronave, të cilat konsistonin në toka bujqësore, blegtori me mijra kokë dele dhe kullota që shtriheshin në të gjithë fshatin Boletin, familja Boletini,ka qenë e njohur dhe për prodhimin e gurëve të Mademit për mullinjtë e blojës, të cilat shiteshin deri në Hungari. Në vitin 1944, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist të Titos, familja Boletini iu nënshtrua një persekucioni të egër dhe barbar, duke bërë që djemtë, nipat dhe mbesat e Isa Boletinit të ndiqeshin, pushkatoheshin dhe burgoseshin. Po e njëjta gjë ndodhi dhe me pjesën tjetër të familjes së Isa Boletinit, që ndodhej në Shqipëri, ku që në vitin 1943 u vra me atentat djali i Isës, nënkolonel Adem Boletini dhe më pas disa nga nipat e kësaj familje, vuajtën nëpër burgje dhe internime. Si rezultat i kësaj politike që u ndoq nga regjimet e Beogradit dhe Tiranës, në harkun kohorë të 80 vjetëve, nga familja e Isa Boletinit, janë vrarë apo ekzekutuar 15 vetë dhe dhjetë të tjerë vuajtën me vite të tëra, në burgje dhe internime. Regjimi komunist i Tiranës duke ndjekur dhe mbajtur ndaj familjes Boletini, të njëjtin qëndrim si ai i Beogradit, nuk ia dha Isa Boletinit, vendin që i takonte në Historinë e Shqipërisë. Si rezultat i këtij qëndrimi, deri në vitin 1962 ai mbante vetëm urdhrin “Skënderbeu” dhe në atë vit, në kuadrin e 50-Vjetorit të Pavarësisë, iu akordua titulli i lartë “Hero i Popullit”. Pas kësaj rreth 20 vite më vonë në vitin 1981, atij iu ngrit një monument madhështor në qytetin e Shkodrës dhe në inagurimin e tij nuk u thërritën dy nipat e Isa Boletinit, Enisi dhe Isai që jetonin në Tiranë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016