Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur e familjes Kasneci, nga fshati Kir i Pultit të Dukagjinit e cila u persekutua në mënyrën më barbare, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës e dëshmuar nga 75 vjeçari, Mëhill Kasneci: “Pas arratisjes së axhës, Ndue në 1948-ën, forcat e Sigurimit na morën natën nëpër dëborën dhe kur u kthyem pas tre ditësh në shtëpinë e boshatisur, motra e vogël, Lezja, vdiq nga uria dhe të ftohtit, pasi fshatarët kishin frikë me na sjellë bukë dhe tesha”
Familja Kasneci nga Kiri
Origjina e familjes Kasneci është nga fshati Kir i krahinës së Pultit të Dukagjinit dhe shtëpia e tyre ka qenë mjaft e dëgjuar, në të gjithë atë trevë të Veriut të Shqipërisë, prej të parit të tyre, Mëhill Gjon Palit, i cili ka qenë një figurë mjaft e njohur për luftërat që ka bërë kundër forcave serbo-malazeze. Një prej atyre betejave të famshme ku pati marrë pjesë Mëhill Gjon Pali, ka qenë ajo që njihet në histori, si: Lufta e Gurit të Kuq, ku mbetën të vrarë mjaft ushtarë serbë. Lidhur me këtë dhe qëndrimin e familjes gjatë periudhës së Monarkisë dhe pushtimit nazi-fashist të vendit, Mëhill Kasneci, tregon: “Që nga krijimi i shtetit shqiptar në vitin 1912, e më pas gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, familja jonë, Kasneci, nuk u përzier asnjëherë me punët e politikës, por shikoi hallin e saj për të përballuar varfërinë e tejskajshme që e kishte pllakosur atë. Në vitin 1943, zyra e rekrutimit e nënprefekturës së Dukagjinit, e thirri nën armë babën tonë, Nik Kasnecin, të cilin e mobilizoi në frontin e luftës me Greqinë, në kufijtë jug-lindorë të vendit. Gjatë asaj lufte, Nika, u dallua për kryerjen me korrektese të detyrave ushtarake që iu ngarkuan dhe pas përfundimit të saj, ai u dekorua nga Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Por përveç babës, Nikës, që mori pjesë në radhët e ushtrisë, gjatë periudhës së Luftës, e gjithë familja jonë nuk u përzje në punët e politikës, duke mos u bashkuar as me forcat partizane dhe as me forcat nacionaliste të Ballit dhe Legalitetit. Por këtë rregull, e prishi axha jonë, Ndue Kasneci, i cili aty nga fundi i vitit 1944 dhe fillimi i vitit 1945, iku në Bjeshkët e Shoshit dhe u bashkua me forcat e major Gjergj Vatës, ish-Qark komandantit të Shkodrës, që ishte arratisur në male dhe luftonte kundër forcave komuniste, së bashku me një grup të vogël njerëzish, ku ndër më besnikët kishte dy kapitenët, Mark Mala dhe Pal Thani. Pasi qëndroi disa kohë në male së bashku me ta, axha Ndue, u kthye përsëri në shtëpi dhe kjo gjë shënoi edhe përplasjen e parë të familjes sonë, me regjimin komunist të Enver Hoxhës”.
Arratisja e Ndue Kasnecit
Në vitin 1946, njërin nga vëllezërit Kasneci, Markun, e thirrën për t’u paraqitur pranë zyrës së rekrutimit të Qarkut të Shkodrës, për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Por në vend të tij, aty u paraqit i vëllai i tij, Nduja, të cilin e mobilizuan menjëherë dhe fillimisht e caktuan, në një nga repartet e Garnizonit të Shkodrës. Pasi e mbajtën disa kohë në një nga repart ushtarake të qytetit të Shkodrës, axhën Ndue e transferuan në Jugë të Shqipërisë, duke e caktuar në Korpusin e Përmetit. Gjatë asaj periudhe që Nduja qëndroi në atë repart ushtarak të Përmetit, ai filloi të fliste hapur me shokët e tij, duke shprehur pakënaqësi, ndaj regjimit komunist dhe forcave partizane, të cilat kur kishin kaluar në zonën tonë, kishin bërë krime të shumta duke ekzekutuar njerëz të pafajshëm. Si rezultat i kësaj, axha Ndue u arrestua nga njerëzit e Sigurimit, duke u akuzuar për agjitacion e propagandë. Pas kësaj Nduen, e mbajtën për gati dy vite nëpër qelitë e errëta të Kalasë së Gjirokastrës, ku ai u torturua në mënyrën më ç’njerëzore, saqë kur shkonte baba jonë, Nika, për më e pa, ata nuk ja kallzojshin, duke i nxjerrë lloj-lloj justifikimesh. Pas dy viteve, Nduen e liruan, ai përfitoi nga amnistia e gjerë që dha qeveria asokohe për të dënuarit politik që u konsideruan si viktima të Koci Xoxes. Pasi u lirue dhe erdhi në shtëpinë tonë në fshatin Kir të Pultit, axha Ndue, nuk qëndroi më shumë se dy tre javë, pasi në shkurtin e vitit 1948, së bashku me një grup të madh dukagjinasish, ai iku e kaloi kufirin shtetëror dhe kaloi në Jugosllavi. Në atë grup me të cilin u arratis axha Ndue, bënin pjesë dhe Gjeto Marku i Pecajt, i cili njihej si familje bajraktarësh, Vuksan Vata, si dhe Age Voci, vajza e bajraktarit të Kirit, që familja jonë e kishte komshi. I gjithë ai grup ku bënte pjesë dhe Nduja, e kaloi kufirin shtetëror në vendin e quajtur Maja e Qafë-Pejë-Theth dhe ikja e tyre, sikurse u tha atëhere bëri bujë të madhe, deri në qarqet më të larta në Tiranë”, kujton Mëhill Kasneci lidhur me arratisjen e axhës së tij, Ndue Kasnecit.
Reprezaljet e Sigurimit tek Kasnecët
Jehona e madhe që bëri arratisja e grupit të dukagjinasve, i dha shkak organeve të Sigurimit të Shtetit për të kryer reprezalje të shumta në atë krahinë të thellë të Veriut të Shqipërisë. Lidhur me këtë, Mëhill Kasneci kujton: “Pa kaluar as dy-tre ditë nga arratisja e axhës Ndue, forca të shumta të Sigurimit mësynë zonën e Dukagjinit, duke bërë reprezalje nëpër të gjitha familjet e atij grupi, që u arratis edhe axha jonë. Një pjesë e atyre forcave të Sigurimit, erdhën edhe në fshatin tonë në Kir, ku pasi na bastisën të gjithë shtëpinë, u sollën në mënyrën ma të ashpër me ne, që na gjetën aty dhe nanën tonë, Dranen, e cila kishte në gji motrën tonë të vogël, Katrinën, (kishte vetëm tre ditë që kishte lindur), e tërhoqën zvarrë për krahësh nëpër dëborën që kishte ngrirë. Pasi bënë një kontroll të imët nëpër të gjitha skutat e shtëpisë, ata i morën të gjitha plaçkat që kishim dhe e lanë shtëpinë vetëm me katër muret. Pas kësaj ata arrestuan babën tonë Nikën, së bashku me vëllanë e tij, Markun dhe të dy i morën me vete për t’i dërguar më pas në Degën e Brendshme të Shkodrës. Ndërsa ata të dy i nisën për në Shkodër, unë me nanën, Dranen, Katrinën e vogël tre ditëshe dhe motrën tjetër, (Lezen) që nuk ishte më shumë se dy vjeçe, na morën me vete forcat e Sigurimit, duke ecur nëpër dëborë dhe na ndaluan në fshatin Xhan të Pultit. Aty na mbajtën për disa ditë të izoluara në një shtëpi dhe më pas na lejuan që të ktheheshim përsëri në shtëpinë tonë në Kir, e cila dukej sikur i kishte rënë flaka. Pasi u kthyem në shtëpinë tonë e cila kishte mbetur vetëm me katër muret, nga që nuk na kishin lënë asnjë shtroje dhe mbuloje, unë me nanën dhe dy motrat e vogla, u detyruam të flinim në tokë, duke u futur në pluhurin e ngrohtë të dhive diku në një cep të shtëpisë. Dy tre ditë më pas, motra jonë e vogël dy vjeçe, Lezja, vdiq nga të ftohtit dhe uria, pasi nga frika e njerëzve të Sigurimit, fshatarët e tjerë nuk vinin dot në shtëpinë tonë, për të na marrë me fjetë në shtëpitë e tyre, apo për të na dhanë ndonjë gjë për të ngrënë, Nisur nga ajo gjendje mjaft e vështirë ku u ndodhëm ne, dajat e mi nga fshati Gimaj i Shalës, erdhën dhe më morën mua, ndërsa nana me motrën e vogël, Katrinën, qëndruan aty në shtëpi”, kujton Mëhilli.
Arratisja e Nik Kasnecit
Babanë e Mëhill Kasnecit, Nikën, së bashku me vëllanë e tij, Markun, pas arratisjes së vëllait të tyre, Ndues, i morën nga Dega e Brendshme të Shkodrës dhe i internuan në kampin e Kalasë së Porto-Palermos. Pasi qëndroi për tre vite në atë kamp, Nik Kasnecin, e liruan prej andej dhe u kthye në shtëpinë e tij, në fshatin Kir, ku ndodhej bashkëshortja e tij, Drania, së bashku me vajzën e vogël, Katrinën. Por edhe pas lirimit nga internimi, njerëzit e Sigurimit nuk e lanë Nikën, që të çmallej me familjen e tij. Lidhur me këtë, i biri i tij, Mëhill Kasneci dëshmon: “Pas lirimit nga kampi i Porto-Palermos, baba, Nika, erdhi në shtëpinë tonë në Kir, por aty nuk qëndroi më shumë se një muaj e gjysëm, sepse iku dhe u arratis nga Shqipëria e doli në Jugosllavi. Pak ditë para se të arratisej, Operativi i Sigurimit i zonës sonë, Kapiten Hasan Haxhija, i kërkoi Nikës, që “të punonte për shtetin”. Por baba iu përgjigj atij duke i thënë: “Unë dhe familja jeme nuk kam punue kurrë për asnjë qeveri, as për Zogun dhe as për njeri tjetër. Prandaj në rast se më keni liruar për këtë punë, më çoni përsëri atje ku isha”, dhe ia vuri duart përpara kapitenit të Sigurimit, duke i lënë të kuptonte se ai më mirë pranonte prangat, se bashkëpunimin me ta. Pas kësaj bisede, Kapiten Hasan Haxhija, i la babës të nënkuptonte se ai nuk kishte rrugë tjetër, veçse të arratisej nga Shqipëria. Kështu, duke e parë gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej, baba vendosi që të arratisej edhe ai nga Shqipëria. Por kjo u realizua vetëm në korrikun e vitit 1951, kur axha Mark, që ishte i arratisur në Jugosllavi, kaloi kufirin dhe veti i shtati erdhi në fshatin tonë dhe e mori babën me vete e doli përsëri në Jugosllavi. Bashkë me axhën Ndue, në grupin e tij që erdhi fshehtazi në shtëpinë tonë në Kasnec, bënin pjesë edhe Kol Sokoli nga fshati Gimaj i Shalës, Mëhill Zefi nga Micaj, Gjon Marashi nga Gimaj, Vuksan Vata, Lulash Gjoni i Xhanit dhe një tropojan që nuk ia mbaj mënd emrin. Kur erdhën me marrë babën, ata ishin të veshur si ushtarë të ndjekjes dhe qëndruan për një kohë të gjatë në një vend të fshehtë, diku afër shtëpisë sonë. Aty në atë vend, baba u bashkua me ta dhe menjëherë i gjithë grupi u çua e iku për në drejtim të vendit të quajtur, Kodra e Kujes në Plan dhe pasi ecën për tre javë duke udhëtuar vetëm natën, kufirin e kaluan në Maja-Pejë të Thethit”, kujton Mëhill Kasneci, lidhur me arratisjen e babës së tij, Nikës, në korrikun e vitit 1951.
Vrasja e Ndue Kasnecit në Dragobi
Pas arratisjes së Nik Kasnecit, në shenjë hakmarrje, të vëllait të tij, Markut, që ndodhej i internuar në Tepelenë që nga viti 1948, ia shtuan edhe për tetë vite të tjera kohën e internimit. Ndërsa Nik Kasneci pasi fitoi statusin e azilantit politik dhe qëndroi për disa kohë nëpër shtete të ndryshme të Europës Perëndimore, më në fund iu dha e drejta për të shkuar në SHBA. Ndërsa Nika, ndodhej ende nëpër kampet e emigrantëve politikë, më 16 gusht të vitit 1952, i vëllai i tij, Nduja, së bashku me tre katër vetë të tjerë, kaloi kufirin shtetëror dhe duke tentuar të futej në Grykën e Dragobisë, mbeti i rrethuar nga forcat e Sigurimit. Bashkë me Nduen, në grupin që kishte ardhur me mision të fshehtë për të parë situatën në vend, para zbarkimit të grupeve parashutiste, bënin pjesë dhe Ndue Noshi nga Mërturi, si dhe një tjetër nga Komuna e Komanit. Ata të tre luftuan për gjithë natën deri sa mbetën të vrarë nga plumbat u ushtarëve të Forcave të Ndjekjes, që kishin rrethuar gjithë vendin. Më pas trupat e tyre pa jetë i morën dhe i lanë për tre ditë me radhë përpara Degës së Brendshme të Tropojës, deri sa më pas i groposën në një vend të panjohur, që nuk është gjetur edhe sot e kësaj dite. Ndërsa axha Ndue, mbeti i vrarë dhe pa varr, e axha tjetër, Marku mbeti internimeve. Me babën tonë Nikën, që ndodhej në emigracion politik në SHBA, ne nuk mundëm të kontaktonim deri në vitin 1991, kur ai u kthye përgjithmonë në Shqipëri”, e përfundon Mëhill Kasneci, historinë tragjike të familjes së tij e cila për më shumë se 40-vite, vuajti nga lufta e tmerrshme e klasave, duke u persekutuar në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016