Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al/publikon historinë e panjohur të Jetullah Gashit me origjinë nga katundi Mramor i Prishtinës, i cili në vitin 1964, kur ishte gjimnazist, vendosi që të arratisej dhe kaloi kufirin shtetëror në zonën e fshatit Zogaj të rrethit të Tropojës, pasi e mbajtën disa ditë duke e marrë në pyetje në Degën e Punëve të Brendshme të qytetit “Bajram Curri”, e sollën në qytezën e Shijakut, duke e sistemuar në një bazë të Sigurimit të Shtetit, e cila quhej “Qendra e filtrimit e emigrantëve kosovarë”, që arratiseshin nga Jugosllavia dhe vinin në Shqipëri Për disa muaj ai i’u nënshtrua hetuesisë intensive nga ana e oficerëve të Sigurimit të Shtetit që vinin nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe që mbulonin “emigracionin kosovar”.
Dërgimi i tij në rrethin e Korçës ku mbaroi shkollën e mesme në qytezën e Maliqit dhe më pas në Tiranë Ai ndoqi studimet e larta universitare në fakultetin e Mjekësisë, të cilat ai i përfundoi në vitin 1971 dhe u emërua në Elbasan, si mjek pranë spitalit të atij qyteti. Arrestimi i tij në vitin 1977, pas disa kohësh përgjimi dhe ndjekje nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, “si agjent i UDB-së”. Pas disa muajsh tortura ç’njerëzore, u dënua me 25 vite burg politik, të cilat i vuajti në kampet e Spaçit, Qafë-Barit, Burrelit etj., nga ku u lirua në fillimin e vitit 1991, me shembjen e regjimit komunist.
“Ishte data 30 gusht e vitit 1964, kur unë pasi preva biletën e trenit nga Prishtina për në Shkup (ku punoja me babën), gjatë gjithë rrugës, vetëm mendoja se si do të arrija në Shqipëri, gjë që kishte kaq ditë që e bluaja në kokë. Unë në atë kohë nuk kisha asnjë lloj informacioni për kufirin shtetëror, Jugosllavi – Shqipëri dhe nisur nga ky fakt, vajta në stacionin e autobusit në Shkup, ku preva biletën për në Gjakovë dhe aty mbërrita në orët e vona të natës. Zbrita nga autobusi dhe nuk dija nga të shkoja, pasi s’kisha qenë asnjë herë në Gjakovë. Duke bërë gjithë përpjekjet për të shmangur kontaktet me njerëz, mora rrugën që kishte më pak qarkullim. Në fund të kësaj rruge, pashë një furrë buke, bleva disa simite dhe vazhdova të njëjtën drejtim rruge në errësirën e natës. Në krahun e djathtë të rrugës, pashë një gardh, të cilin e kalova dhe hyra brenda në kopsht. Vendosa të flija aty. Afër rrethimit, gjeta një vend të sigurt që më mbronte, pasi herë pas here kishte të lehura qensh. I lodhur më kishte zënë gjumi. U zgjova në mëngjes, pasi shikova rreth e qark vendin, u ngrita kapërceva gardhin e dola përsëri në rrugë. Kushëriri im Kadriu, më kishte thënë që kufiri për në Shqipëri, kalon nga majat e disa kodrave të ç’veshura”. Kështu e kujton 75 vjeçari Jetullah Gashi nga Kosova, momentin e arratisjes nga Jugosllavia në Shqipëri. Pasi u diplomua në fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe shërbeu disa vite si mjek në spitalin e qytetit të Elbasanit, në prillin e vitit 1977, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, duke u akuzuar si “agjent i UDB-së” dhe u dënua me 25 vjet burg. Torturat gjatë hetuesisë dhe dënimi me 25 vite burg. U liruar me të dënuarit e fundit që dolën nga “ferri komunist”, largimi për në Zvicër tek të afërmit e tij, kthimi në Shqipëri dhe largimi përfundimisht për në Kosovë, ku jeton dhe sot me familjen e tij. Lidhur me këto dhe ngjarje e fakte të tjera nga jeta e tij e dhimbshme, mjeku Jetullah Gashi, dëshmon ekskluzivisht për Memorie.al.
Zoti Jetullah, më pas ju dërguan në burgun e Burrelit, ku përsëri ju caktuan si mjek?
Po në burgun e Burrelit ku vuajta dënimin duke punuar si mjek, deri në vitin 1988, ku më pas më transferuan në burgun e Qafë – Barit.
Po në burgun e Qafë – Barit, si mjek ju caktuan?
Po edhe aty si mjek më caktuan, (pasi ai regjim në kampe dhe burgje nuk mbante mjekë të lirë me rrogë), dhe aty kam qëndruar deri në fillim të muajit shkurt të vitit 1990, periudhë kjo kur të burgosurit ndërprenë punën dhe nuk ju bindën më komandës për të punuar. Në atë kohë, pra nga fundi i vitit 1990, të gjithë të burgosurit politikë ku bëja pjesë dhe unë, i transferuan pjesë pjesë në burgun e Burrelit, ku më datën 6 shkurt 1991, u liruam të gjithë me dekret, nga vendimi që kishte marrë Kuvendi Popullor, pas demonstratave masive dhe protestave të shumta të opozitës së asaj kohe, ne më krye Partinë Demokratike.
Gjatë kohës që ishit në burg, kishit korrespondencë me familjen?
Gjatë gjithë kohës së vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgjet, kisha korrespondencë me letra me familjen, por letrat ishin shumë formale, ku unë mundohesha vetëm të pyesja për shëndetin e tyre dhe asgjë tjetër. Ndërsa për pjesën time, pra për atë çka vuaja dhe përjetoja duke vuajtur dënimin, e thjeshtoja sa më shumë, duke mos treguar asgjë, por u shkruaja duke u thënë, se jam mjek dhe jam shumë mirë me shëndet. E dija shumë mirë që këto letra kontrolloheshin, ndaj shkruaja shumë shkurt.
Kujtoni ndonjë nga peripecitë që keni kaluar në burg?
Patjetër po dhe ka pasur shumë, por në kujtesën time, trishtim të madh, (gati gati dhe frikë) më sjell edhe sot që bisedojmë, periudha e hetuesisë në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të Elbasanit, ku tre hetues, mostra po e them me me plot kuptimin e fjalës, më torturonin në mënyrën më çnjerëzore. Kjo ka qenë shumë shumë e vështirë dhe sa të jem gjallë, nuk mund t’i harroj çfarë më kanë bërë ata, sa edhe në gjumë më dalin! Një ndër ngjarjet më të vështira që kujtoj, ishte edhe ajo e Selim Kelmendit, bashkëpatriotit tim nga Kosova.
Para se të na tregoni këtë, a mund të na thoni diçka (për lexuesit që s’e njohin) që kush ishte Selim Kelmendi dhe në ç’rrethana kishte ardhur ai në Shqipëri, e pse gjendej në burg?
Selim Kelmendi, së bashku me një shokun e tij, në vitin 1956, në kulmin e represionit të UDB-së në Kosovë, (gjatë aksionit të mbledhjes së armëve), arratisen dhe vijnë në Shqipëri, ku autoritetet zyrtare i vendosin në qytetin e Lezhës. Pas shumë punësh që bëri aty ku e caktonin, në një moshë jo të re, ai nisi studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë, në degën e Gjuhë – Letërsi, pranë Universitetit të Tiranës, të cilin e mbaroj shkëlqyer dhe më pas emërohet si mësues në Fushë Krujë. Selim Kelmendi, ishte një person i dashur, jo vetëm me nxënësit e tij, por edhe me prindërit e tyre. Pasi u transferova nga Spaçi për në Burrel, pata rastin ta njoh atë në burg. Si mjek që isha, më takoi ta mjekoja nga tronditjet që ai kishte pësuar gjatë hetuesisë, pasi edhe atë e kishin torturuar në mënyrë çnjerëzore në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, e me sa kujtoj, një nga hetuesit e tij, ka qenë N. S., një xhelat, si ata që më kanë torturuar mua në Elbasan. Selimi, vuante nga një sërë sëmundjesh të zemrës e tensionit dhe vazhdimisht e mbante mendjen tek dënimi që i kishte dhënë gjykata, pa bërë asnjë faj, ndaj popullit dhe atdheut. Një herë më tha: “Jetullah, si është e mundur që: kur unë prisja të dekorohesha në sektorin e Arsimit, në qytetin ku jetoja, nga ana tjetër, Sigurimi i Shtetit, po më përgatiste arrestimin tim”?! Atëherë dhe unë i shpjegova rastin tim, gati të njëjtë me të, ku gjatë hetuesisë, më kishin bërë lloj lloj akuzash e torturash që t’i pranoja ato monstruozitete! “Edhe mua më kanë dënuar 25 vite’ i thashë, ‘prandaj largoje mendjen nga këto gjëra, s eky ishte ‘fati’ ynë”! Unë shpeshherë i thoja Selimit, që ne: ‘duhet të durojmë dhe të jetojmë deri në fund’. Deri sa ishte në burg Selim Kelmendi, nuk reshti së shkruajturi instancave shtetërore, që nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, e deri Ramiz Alisë. Ai ishte një nga ata burra të Rugovës, që nuk i duronte dot padrejtësitë. Atij i vinte rregullisht për vizitë gruaja, e cila nuk kishte reshtur së kërkuari drejtësi për bashkëshortin e saj. Selimi më thoshte që ajo kur vinte, debatonte shpesh me oficerët dhe policët që kryenin shërbimin. Britmat e saj dëgjoheshin deri tek qelitë e burgut. Ajo ishte shkodrane dhe nuk u pajtua asnjëherë me dënimin e tij. Por Selimi, nuk mundi dot të përballonte padrejtësitë që i bëheshin asaj.
Si e kujtoni vdekjen e Selim Kelmendit në burgun e Burrelit?
Fatkeqësisht Selimi do të vdiste i dëshpëruar në Burgun e Burrelit. Në atë kohë në njërën nga ato qeli, ku ndodhej Selimi, ishte dhe Adem Allçi. Atë natë që vdiq Selimi, oficer roje i dhomës së dusheve, ka qenë një polic me emrin, Agim. Ai u tregua shumë i sjellshëm dhe më tha që nëse do të kisha nevojë për ndonjë gjë, isha i lirë. Atë natë, Agimi vjen e më merr dhe më çon tek qelia e Adem Allçit, ku shoh atë dhe dy të tjerë që po mundoheshin për të qetësuar Selimin, i cili shfaqte vështirësi në frymëmarrje. I largova ata të tre dhe pasi konstatova dhimbjet e zemrës së tij, i bëra një qetësues. Më pas, roja hapi derën dhe unë shkova tek sporteli i dezhurnit, për t’i thënë, që i burgosuri Selim Kelmendi, sapo kaloi një infarkt zemre. Më pas unë u ktheva dhe po prisja përgjigjen që do të më jepte eprori i tij, pra oficeri i rojës. Ndërkaq minutat kalonin dhe ai sikur po e merrte veten. Gjendja e tij u stabilizua dhe unë porosita shokët e qelisë që në asnjë mënyrë të mos e lëviznin nga vendi. I garantova ata që nesër do të shkoja tek kardiologu dhe do të bëja çmos që t’i bënin EKG. Pasi u përshëndeta me ta, dola dhe shkova tek dhoma e mjekut, ku do të vizitoja të burgosurit e tjerë. Kur sapo kishin kaluar pesë minuta, roja hapi derën dhe më tha të shpejtoja, sepse Selimi nuk ishte mirë. Shkova me vrap tek qelia dhe e gjeta atë të mbështetur në mur me dy jastëk që i kishin vendosur shokët.
Çfarë kishte ndodhur me Selimin?!
Atë pyetje u bëra shokëve të qelisë: ‘Ç’ndodhi’ u thashë? Ata të gjithë shtangën dhe i kishin drejtuar sytë nga unë. Më pas dëgjova zërin e Ademit, i cili më tha: “Selimi më kërkoi një cigare dhe sa zgjati duart për ta marrë cigaren, befas u shemb përtokë”. Pra infarkti i dytë qe fatal për Selim Kelmendin, të cilit i mori dhe jetën.
Kishte mundësi shpëtimi, pra, po të kishte më shumë përkujdesje nga ana mjekësore?
Në kushte normale, nëse ai do të kishte pasur përkujdesjen e stafit mjekësor të burgut, pas infarktit të parë, Kelmendi, do të kishte mbijetuar. Por komanda e burgut dha urdhër që pas orës 21.00, asnjë i burgosur nuk duhet të nxirrej jashtë qelive të tyre, madje as për nevoja personale. Ato duhet të kryheshin në kushte primitive brenda qelisë. Unë e them me bindje që: shkaktarët e vërtetë të vdekjes së Selim Kelmendit, ishte Komanda e Burgut të Burrelit, dhe jo shokët e tij. Atë e transportuan në një dhomë që ishte ngjitur me atë të oficerit të rojës dhe të nesërmen nga ora 9.00, erdhi nga Burreli, mjeku ligjor së bashku me ndihmësin e tij. Ata erdhën dhe më morën mua, për të shkuar tek ambienti ku dergjej trupi pajetë i Selimit. Ndihmësi i mjekut ligjor, përgatiti mjetet prerëse dhe mjeku ligjor, pasi nxori zemrën dhe e vendosi në tavolinën e improvizuar, filloi të bënte konstatimet. Në ato konstatime që dolën, rezultuan dhe bindjet e mia, që infarkti miokardiak, i ishte shkaktuar nga çrregullimi i enëve të gjakut, si pasojë e tensionit. Kjo diagnozë pikërisht i kushtoi jetën Selim Kelmendit.
Gjatë periudhës së gjatë të vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, a ke pasur provokime?
Kujtoj që në një periudhë dy – tre mujore, kam pasur shumë provokime, nga bashkëpunëtorët e komandës, me të cilët punoja në galeritë e Spaçit, ku kuptova që diçka po përgatitej ndaj meje dhe mundohesha t’u shmangesha sa më shumë atyre. Në kohën që punoja si mjek, arrita ti njihja disa nga këta tipat, të cilët kur vinin për t’u vizituar, në rast se kishin probleme shëndetësore, unë i trajtoja njëlloj si të tjerët. Unë kam mjekuar e vizituar me qindra e mijra të dënuar e të burgosur dhe kjo në sajë të lëvizjeve e shumta nga burgu i Spaçit, në burgun e Burrelit, nga burgu i Burrelit, prap në burgun e Spaçit, nga burgu i Spaçit në burgun e Qafë Barit, e nga burgu i Qafë Barit në burgun e Spaçit, e kështu unë njoha shumë bashkëvuajtës, kjo edhe saj profesionit tim.
Cilët ishit disa nga bashkëvuajtësit tuaj që i kujton me respekt edhe sot?
Një pjesë të konsiderueshme të tyre i kujtoj, si: Sandër Sokoli, Rexhep Koçi, Nuredin Skrapari, Xhaferr Agaraj, Shefqet Kaçaniku, Ymer Llugani, Namik Luci, Shefqet Kelmendi, Petrit Bazelli, shokun tim më të ngushtë të gjimnazit, Qani Sadiku, Avni Aliko, Sytki Hoxha, Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Vladimir Balluku, Skënder Shatku, Spartak Spahiu, Spartak Ngjela e Fatos Lubonja, (që i kishin të dy prindërit në burgun e Burrelit, Kiço Ngjelën e Todi Lubonjën), Kurt Kola, Kapllan Resuli, Selim Kelmendi, Adem Allçi, Dhori Gërnjoti, Mark Gjini, Hazbi Lamçe, Nesti Nase, Muhamet Prodani, Fadil Paçrami, Rrahman Përllaku, Sadik Bekteshi, Gjergj Titani, Mihallaq Ziçishti, e dy djemtë e Mehmet Shehut, që ishin në burgun e Burrelit, Skënder e Bashkim Shehun, e me qindra e mijra të tjerë, që e kam të pamundur me i kujtue emrat e mbiemrat e tyre.
Si e kujtoni ngjarjen në burgun e Spaçit, kur komanda, ju tha të mos jepnit shumë raporte mjekësore për regjim shtrati të dënuarve?
Meqenëse në galeritë e Spaçit punohej nga të burgosurit me tre turne, nga Komanda apo edhe nga zyra e Organikës së të dënuarve, (që ishte vegël në duart e Komandës), në një mënyrë apo një tjetër, më bënin presion, që unë mos të mos jepja raporte mjekësore pushimi, pas së cilës ata nuk duhej të dilnin në punë. Si profesionist që isha, çdo i sëmurë që më paraqitej, pasi e vizitoja dhe isha i bindur për sëmundjen që kishte, i jepja mjekimin e pushimin (raportin), por sipas klasifikimit të sëmundjes. Të sëmurëve, patjetër që i takonte tre ditë pushimi dhe mjekim. Një nga ngjarjet që e rikujtoj edhe sot, ka qenë njëherë në Spaç, kur gjatë tre ditëve ra shumë shi me rrëmbim, saqë edhe uji që ne përdornim në përditshmëri për të pirë, herë pas here, ishte me ngjyrë ndryshku. Mbas dy ditësh, të dënuarit filluan të shtoheshin në dhomën time të mjekut, me simptoma, si: dhimbje barku, të vjella, temperaturë të lartë, humbje të vetëdijes, etj.
Ç’ndodhi pas kësaj, si vepruat?
Gjendja ishte shumë e rëndë e tepër alarmante dhe në këtë kuadër, unë po i jepja mundësi mjekimi e pushimi të dënuarave për të tre turnet që ishin me punë në galeri. Unë së bashku me ndihmës mjekun, Isuf Hoxha, (i cili pavarësisht nga personaliteti i tij), ishte në punë pa pushim së bashku me mua dhe u qëndronim afër të dënuarve që na vinin për vizita dhe mjekime. Të gjithë këta të dënuar, rrinin në radhë duke pritur për t’u vizituar edhe pse ishin me temperaturë të lartë dhe në gjendje shumë të rëndë shëndetësor. Ndërkohë, Komanda kishte problem, se nuk po prodhoheshin tonelatat e duhura të bakrit e piritit nga miniera dhe për ta nuk përbënte fare problem, gjendja shëndetësorë e të dënuarve që ishte e rënduar, pasi ata, pra Komanda, na shikonin e trajtonin si skllevër. Kështu, nisur nga ky fakt, Komanda i grumbulloi të sëmurët e shumtë në tarracën ku bëhej apeli dhe në këtë kohë, më lajmërojnë edhe mua, se duhet të paraqitesh aty me kërkesë të Komandës. Sapo më njoftuan, ika ashtu siç isha me bluzën e bardhë e me stetoskop në xhep. Ndërkohë, duke zbritur shkallët, i pashë të gjithë përfaqësuesit e Komandës, që ishin bërë si bisha të tërbuara! E kuptova se për ata ‘bisha’ s’kishte as pak rëndësi jeta e këtyre të dënuarve, vetëm e vetëm, që me çdo kusht, ata duhet të punonin për nxjerrjen e bakrit nga galeritë e Spaçit. Duke shkuar drejt tyre, po më vinin ndër mënd, se sa herë më kishin marrë si mjek i kampit, për ata të dënuar që i nxirrnin nga galeria e Spaçit, pasi s’kishin mundur të realizonin normën dhe policia, afër barakës, i rrihte për vdekje, pasi u lidhte duart me tel, në një shtyllë në dalje të galerisë, që policia e përdorte si vend për torturat ndaj të dënuarve. Duke ju afruar Komandantit, ai gjithë inat më tha: “Pse i keni lënë të gjithë pushim këta”?!
Si u përgjigjët ju?
“Shoku Komandant’ i’u përgjigja unë: ‘mbi 95% e të dënuarve janë me temperaturë 40 gradë, nuk mund t’i nxirrja në punë, se do të rrezikohej jeta e tyre”. Në atë moment, ndërhyri Komisari dhe Operativi i Sigurimit, të cilët filluan të më pyesnin për secilin prej të dënuarve. Në një moment, kur unë po i përgjigjesha për gjithë pyetjet, j’u drejtova komisarit: “Shoku Komisar, a nuk e shikoni edhe ju vetë se gjendja e të sëmurëve është e rëndë dhe ata mezi po qëndrojnë në këmbë, po mbështeten te njëri tjetri për të mos u rrëzuar”?!
Po ai si t’u përgjigj?
Ai në kulmin e nervave, më tha: “Mbylle gojën i dënuar, mos na trego ti neve”!. ‘Jo zoti Komisar, unë pavarësisht se jam një ndër ta, jam mjek, e detyra kryesore imja dhe ‘betimi i Hipokratit’ nuk më lejojnë të veproj ndryshe, por vetëm për t’i shërbyer njerëzve’. “Do ta shikojmë, do ta shikojmë”, tha Operativi i Sigurimit, duke përdredhur buzët dhe m’u drejtua duke më thënë: “Keni shumë fjalë ju i dënuar”! Atëherë unë hoqa bluzën e bardhë nga trupi dhe ja zgjata një polici, e ju thashë: “Që nesër jam gati të shkoj të punoj në galeritë e Spaçit, bashkë me të gjithë bashkëvuajtësit e mi”.
Dhe më pas ju filluat punë në galeri?
Po, patjetër, fillova punë në galeri, njësoj si bashkëvuajtësit e tjerë duke punuar në nxjerrjen e mineralit të bakrit me vagon. Në këtë kohë që u futa në minierë, kujtoj se në një bisedë me brigadierin, Zef Nishin, e pyeta një ditë se nga e kishte marrë mbiemrin, Nishi, e ai më tha: “Nuk e di doktor, por jemi disa familje në Mirditë me mbiemrin, Nishi”. ‘Ju e keni prejardhjen nga Nishi i Jugosllavisë së sotme’, i thashë Zefit. Zefi kishte ndërhyrë të zyra e Organikës, e më kishte vendosur në grupin e Rexhep Koçit, si ndihmës i tij, duke ikur nga procesi që po punoja deri në atë ditë që ishte shumë i vështirë.
Rexhepi, kishte kohë që vuante dënimin?
Rexhep Koçi ishte nga Tropoja dhe kur e kishin arrestuar e dënuar, ai kishte lënë bashkëshorten me një djalë të vogël. Djali që quhej Perlat dhe tashmë ishte rritur, vinte së bashku me mamanë e tij në takim, që nga Tropoja. Rexhepi, kishte 18 vite që vuante dënimin me burg, por vuante nga veshkat dhe nga njëherë, nuk shikonte mirë nga sytë. Rexhepi punonte shumë, vetëm për të fituar 4-5 ditë, që t’i zbritej nga dënimi dhe ai duhet të realizonte normën e ta tejkalonte atë në 130%, që t’i fitonte këto ditë zbritje. Në një nga ditët e zakonshme të burgut, pashë Sandër Sokolin, të cilin e njihja, se ai ishte nga Elbasani.
Kishit njohje me Sandër Sokolin?
Në Elbasan e njihja vetëm si fytyrë, pasi e kisha parë vazhdimisht dhe i kishim shtëpitë përballë njëri tjetrit. Sandri, ishte i martuar kishte dy vajza. Sandër Sokoli në profesion ishte pilot dhe kishte punuar në Aviacionin Ushtarak, por gjatë karrierës së tij si pilot, kishte shfaqur probleme me shikimin dhe e kishin liruar nga ajo detyrë, duke e emëruar drejtor i Uzinës në Mjekës të Elbasanit. Sandri, ishte nip i Sadik Bekteshit, e pas arrestimit të tij, kishin arrestuar edhe Sandrin, me lloj lloj akuzash të sajuara dhe e kishin dënuar e sjellë për të vuajtur dënimin në burgun e Spaçit, duke lënë dy vajzat dhe bashkëshorten. Rexhepi, Sandri dhe unë, kemi ngrënë çdo gjë së bashku dhe duke ndarë eksperiencat e hidhura të periudhës së hetuesisë, si dhe padrejtësive që na ishin bërë. Nuk e kujtoj saktë në fund të vitit 1981 apo në fillim të vitit 1982, në Spaç kishte ardhur i dënuari, Lirim Pëllumbi, ish-funksionar i lartë i Sigurimit të Shtetit, që kishte ndikuar drejt për drejt në dënimin tim. Lajmin e morra nga disa bashkëvuajtës, që edhe ata kishin qenë viktima të tij.
U përballët me Lirim Pëllumbin në Spaç?
Jo, nuk m’u dha mundësia asnjëherë, pasi Komanda e sistemoi atë në kapanonin e të dënuarve ordiner, që ishte zona e dytë. Kjo zonë nuk komunikonte me zonën e parë që ishim ne, të dënuarit politik. Këto dy zona ishin të ndara me shufra hekuri të salduara, që të dënuarit politik, të mos komunikonin me të dënuarit ordiner. Edhe Lirim Pëllumbi, ishte i dënuar si “tradhtar dhe armik i Popullit e i Partisë”, e ai punonte në galeritë e Spaçit, me të burgosur ordiner.
Po pas daljes suaj nga burgu, a patët rast të takoheshit me Lirim Pëllumbin?
Kur jam liruar nga burgu, më kanë thënë disa bashkëvuajtës, se Lirim Pëllumbi, ka ndërruar jetë, por unë nuk jam interesuar se ku, në burg apo kur ka dalë nga burgu. Kisha neveri për këtë njeri, për shkak të dramës që më shkaktoi mua e shumë të tjerëve si unë./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016