Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument të panjohur arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili mban datën 27 gusht 1968, ku Drejtori i Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, me anë të një raport-informacioni, njofton Xhafer Spahiun, sekretarin e Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me komentet e ndryshme që bëheshin në disa rrethe të vendit pas ngjarjes së ndodhur, më 21 gusht të atij viti, kur Bashkimi Sovjetik dhe disa shtete të tjera anëtare të Traktatit të Varshavës, si Gjermania Lindore, Hungaria, Polonia dhe Bullgaria, ndërmorën agresionin ushtarak duke pushtuar Çekosllovakinë. Çfarë thuhet në atë raport-informacion të hartuar nga Sigurimi i Shtetit, lidhur me komentet që bënte “elementi armik” pas ngjarjeve të Çekosllovakisë, si dhe ato që flisnin dhe diskutonin disa prej ambasadorëve e diplomatëve të përfaqësive të huaja të akredituara në Tiranë, si ambasadori turk Veyseli, sekretari i ambasadës turke, Tanush Bleda, funksionarët e ambasadës italiane, Giuzeppe Dams dhe Natalina Surdo, i ngarkuari me punë i ambasadës kubane, Gilberto dhe atasheu Eduart Avejes, atasheu i ambasadës franceze, Emil Guninard, gruaja e sekretarit të dytë të ambasadës së RAB-it, Faruk Muhamet, sekretarja e përfaqësisë tregtare polake, Danuta Valter, i ngarkuari me punë i Legatës Jugosllave, Ljubomir Hrnjak, shoferi i përfaqësisë tregtare çeke, Vasllav Moçka, shoferi i ambasadës rumune, Marchel Vezure, sekretari i ambasadës rumune, George Miku dhe bashkëshortja e tij, etj., të cilët ishin nën përgjim nga “Shtëpia me gjethe” në qendër të Tiranës?!
Raport i Drejtorit të Sigurimit të Shtetit për Xhaferr Spahiun
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPËR SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TE BRENDSHME, Ekzemplar Nr.2
DREJTORIA E PARE Tiranë, më 27/8/1968
Nr.1558 Prot.
Lënda: Komente armiqësore mbi invazionin e trupave të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki
SEKRETARIT TE KOMITETIT QENDROR TE PP SE SHQIPERISE
SHOKUT XHAFER SPAHIU
TIRANE
- Nga elementë të ndryshëm kontingjent, flitet se BS dhe forca të tjera të Traktatit të Varshavës, pasi morën Çekinë, do të sulmojnë dhe vende të tjera, si Rumaninë, Jugosllavinë dhe vendin tonë. Kjo është një taktikë si ajo e Hitlerit, që i mori një nga një vendet e Evropës. Sulmi kundër Çekisë nuk është i mirë, por dhe këta tanët që janë kundër revizionizmit, tani grekët po i përsërisin kërkesat e tyre për Vorio-Epirin dhe sigurisht që do të përsërisin rastin për të na sulmuar.
Sovjetikët në këtë rast u diskredituan fare, sepse nuk shkoi fjala e tyre. Pasi i vunë çekët në gjumë në mbledhjen e vendeve revizioniste, i sulmuan befasisht ata, por kjo gjë tregoi se sot, po nuk veprove ashtu siç duan shtetet e mëdha, vendos forca e armëve. Në këtë rast Bashkimi Sovjetik e humbi prestigjin, pasi ai nuk është mbrojtësi i popujve, por skllavëruesi.
Sovjetikët në këtë rast treguan shpirtin shovinist rus të pushtimit. Ky shpirt ka qenë dhe e kanë ndjerë popujt e tjerë të federuar, por që të arrinin deri këtu nuk mendohej.
Gjakftohtësia çeke mund të jetë rruga më me fitim për ta, sepse kështu nuk do t’u jepet rast…, por në këtë rast do të ishte mirë që rusët të merrnin një mësim, çekët të kishin dërguar të paktën një raketë në drejtim të Moskës.
Disa persona që nuk janë kontingjente armike, por të paqartë politikisht, kanë shprehur disa mendime armiqësore. Një punëtor nga Lezha ka thënë: “Nuk është vetëm udhëheqja çeke që i bën ato ndryshime atje, por neve na duket se populli paska qenë i ethshëm për atë punë, sepse i ka interesuar. Të siguroj unë se nesër, vetëm një shenjë të jepet këtu kundër socializmit, i gjithë populli është gati, sidomos fshatarësia që ka vuajtur shumë dhe që mendon të marrë bagëtinë që i takon. Ky nuk është vetëm qëndrim i yni, por edhe i disa familjeve të komunistëve. Por kjo ditë do të vijë, ashtu siç erdhi në Bashkimin Sovjetik mbas 50 vjetësh”.
Nga disa punëtorë në Tiranë ka shprehje të tilla: “Socializmin nuk e do njeri. Futja e fuqive të Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki nuk është invadim, por në marrëveshje me udhëheqësit çekë. Thuaj sa të duash që jemi të fortë, ashtu si ka qenë do të jetë, peshku i madh e ha të voglin, pra ai që ka armatime dhe forca, dominon; çekët janë të vendosur për rrugën e tyre, sovjetikët po u bëjnë thirrje për të zgjedhur një qeveri tjetër, por ata s’po binden. Sovjetikët e pushtuan Çekinë, por dhe këtu te ne nuk do të shkojnë gjatë, ndonjë ditë do të ngrysemi me këta dhe do të gdhihemi me të tjerë, pasi për vendin tonë vetëm dy orë punë i’u duhet atyre”.
- Komentet e disa funksionarëve të përfaqësive të huaja
- Ambasadori turk Veyseli ka thënë: “Mbaroi edhe Çekosllovakia dhe për këtë gjë fajet i kanë vetë çekët. Ata u nxituan në planet e tyre reformiste, me veprimet e tyre prekën rëndë prestigjin e Bashkimit Sovjetik. Dubçeku e priti Titon sikur të ishte perëndi, po kështu edh Çausheskun. Qëndrimi dhe veprimet e Dubçekut patjetër që do të sillnin kundërmasa nga ana e sovjetikëve. Çekosllovakët kujtuan se do të ndihmoheshin nga Perëndimi.
Çfarë deziluzioni! Amerika nuk rrezikon veten për Çekosllovakinë. Sot fjalën e kanë të mëdhenjtë dhe për pikëpamjet e të vegjëlve nuk pyet njeri. Secili duhet të mbështetet në forcat e veta dhe të mos presë ndonjë gjë të madhe nga të tjerët”.
Edhe sekretari i ambasadës turke, Tanush Bleda, ka komentuar: “Shtypi shqiptar e ka cilësuar mjaft mirë veprimin e rusëve karshi Çekosllovakisë agresion, veprim fashist. Bota dhe Evropa aktualisht ndikohen nga fuqi të mëdha, secila prej tyre ruan zonat e veta të influencës”.
- Funksionari i ambasadës italiane, Giuzeppe Dams, ka thënë: “Sovjetikët e sulmuan Çekosllovakinë në befasi, këtu qëndron dhe poshtërsia e tyre. Sovjetikët janë si ai qeni që do të lëpihet dhe pastaj të kafshon, duan që vendet socialiste të bëjnë siç thonë ata. Çekosllovakia mbaroi, por rëndësi ka dhe shqetësimi për Rumaninë. Çaushesku po flet kundër sovjetikëve dhe këtë ata nuk e harrojnë. Rumunët janë të përgatitur që në rast sulmi nga ana e sovjetikëve do të luftojnë.
Ngjarjet në Çekosllovaki vërtetojnë plotësisht drejtësinë e shqiptarëve dhe fjalët e Enverit për udhëheqjen sovjetike. Qëndrimi i udhëheqjes shqiptare për çështjen çeke është i drejtë”.
Funksionari tjetër i ambasadës italiane, Natalina Surdo, ka thënë: “Sovjetikët së bashku me satelitët e tyre sulmuan Çekosllovakinë, ky është një akt i poshtër. Çekosllovakia u sulmua sepse Dubçeku po shkëputej nga ata dhe po afrohej me vendet e Perëndimit. Ky sulm është një masë për të penguar vendet e tjera për të mos u shkëputur nga BS, sepse fatin e Çekosllovakisë do ta ndiqnin edhe të tjerët”.
I Ngarkuari me Punë i ambasadës kubane, Gilberto, ka thënë: “Çekët po u rezistojnë okupatorëve sovjetikë me protesta dhe demonstrata, sovjetikët u demaskuan keq në Çeki si fashistë dhe bota e kuptoi se këta dhe amerikanët i kanë ndarë zonat e influencës së tyre në botë, por popujt nuk bëhen plaçkë tregu nga më të fortët. Deklarata e partisë dhe qeverisë shqiptare më pëlqeu jashtëzakonisht dhe jam plotësisht dakord me vlerësimin që i bëhet revizionizmit sovjetik si invadues dhe fashist. Pretendimet e revizionistëve sovjetikë se shkuan në Çeki për të shpëtuar rendin socialist, i hodhi poshtë e gjithë bota dhe sidomos vetë Çekosllovakia. Doli sheshit demagogjia e tyre, tani atyre nuk u besojnë jo vetëm shtetet kapitaliste, por edhe ato revizioniste”.
Edhe atasheu kubanez, Eduart Avejes ka komentuar: “Më pëlqen shumë qëndrimi i partisë dhe i qeverisë shqiptare ndaj ngjarjeve në Çekosllovaki. Me të drejtë sovjetikët u cilësuan agresorë fashistë, u vërtetua qëndrimi i drejtë i shqiptarëve ndaj udhëheqjes revizioniste sovjetike. Edhe ne kubanezët kujtojmë ngjarjet e Karaibeve dhe nuk i besojmë revizionizmit sovjetik. Disa diplomatë të shteteve revizioniste të mërzisin me argumentet që paraqesin për të justifikuar ndërhyrjen sovjetike dhe të aleatëve të tyre në Çekosllovaki. Ne kubanezët themi se kështu nuk çlirohet Çekosllovakia, atë e çliron vetëm pushka”.
Atasheu i ambasadës franceze, Emil Guninard ka thënë: “Çekosllovakia mori fund, Bashkimi Sovjetik e okupoi atë në mënyrë çnjerëzore. Pse të ndërhyhet në punët e brendshme të shteteve të tjera? Deklarata e partisë dhe e qeverisë shqiptare, është e drejtë, e qartë, parimore dhe e fortë”.
Gruaja e sekretarit të dytë të ambasadës së RAB-it, Faruk Muhamet, ka thënë: “Rumunët, megjithëse janë anëtarë të Paktit të Varshavës, nuk i’u besojnë sovjetikëve. Ushtria e tyre është vënë në gatishmëri. Jugosllavët nuk kanë frikë nga ndonjë agresion nga vendet anëtare të Paktit të Varshavës”.
Sekretarja e përfaqësisë tregtare polake, Danuta Valter, ka thënë: “Kam frikë se mos sulmohet dhe Polonia nga ana e sovjetikëve. Këta janë të këqij dhe nuk u beson njeri”.
I Ngarkuari me Punë i Legatës Jugosllave, Ljubomir Hrnjak, ka thënë: “Sovjetikët u treguan të poshtër ndaj nesh, na goditën me thikë pas shpine. Revizionistët që janë këtu, gjermanët, polakët, hungarezët, janë maskarenj. I lumtë partisë dhe qeverisë shqiptare që ka mbajtur prej kohësh këtë qëndrim ndaj revizionistëve sovjetikë”.
Edhe shoferi i përfaqësisë tregtare çeke, Vasllav Moçka, ka komentuar: “Sovjetikët në Çeki po veprojnë si fashistë. I lumtë partisë dhe qeverisë shqiptare që ka mbajtur qëndrim të prerë karshi të pabesëve. Deklarata na gëzoi shumë”.
Shoferi i ambasadës rumune, Marchel Vezure ka thënë: “Sovjetikët sulmuan Çekosllovakinë, por një gjë të tillë nuk do ta bëjnë dot në drejtim të Rumanisë, sepse Çaushesku përcaktoi qëndrimin në fjalimin e mbajtur në Bukuresht. Te ne është shpallur gatishmëri e përgjithshme, populli është i armatosur dhe jemi gati që t’i përgjigjemi agresionit me armë”.
Sekretari i ambasadës rumune, George Miku, ka thënë: “Deklarata e partisë dhe e qeverisë shqiptare është deklaratë e drejtë dhe e fortë; sulmi i sovjetikëve ndaj Çekisë është i pabesë, në këtë akt s’ka asgjë komuniste. Kosigini nuk ka qenë dakord me pushtimin e Çekosllovakisë. Kur rronte Stalini, nuk ndodhnin gjëra të tilla, atëherë Bashkimi Sovjetik ishte mbrojtësi i vendeve socialiste. Nuk e kuptoj, përse Vietnami që është viktimë e një agresioni përkrah agresorët sovjetikë?!”
Gruaja e sekretarit të ambasadës rumune, George Miku, ka thënë: “Tani në Rumani është rrëmujë, prandaj nuk do t’i dërgoj fëmijët. Ne jemi shumë të trembur se rusët do të sulmojnë edhe Rumaninë. Forca sovjetike dhe bullgare janë vendosur në afërsi të kufirit rumun, rusët kërkojnë Moldavinë, bullgarët një pjesë të Dobruzhës, hungarezët Transilvaninë, por Rumania do të luftojë, toka e saj do të vaditet me gjak”./Memorie.al
ZV / MINISTRI I PUNEVE TE BRENDSHME
(Feço Shehu)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016