Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ngjarjes së shumë-përfolur të 21 gushtit të vitit 1944, kur pesë djem të rinj, Ndoc Dedë Marku, Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Hydajet Lezha dhe Ahmet Haxhia, pjesëtarë të çetës partizane “Pukë-Mirditë”, teksa ishin duke shkuar për në rrethin e Mirditës, me mision nga Qarkori Komunist i Shkodrës, për të përhapur idetë komuniste dhe për të rekrutuar djem të rinj të asaj krahine për në radhët partizane, mbetën të rrethuar nga xhandarët e Komunës së Kalivaçit. Dëshmia e Mark Dodanit, ish-oficer i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme me gradën nënkolonel në organet e Sigurimit të Shtetit dhe bashkëluftëtar i tyre në çetën “Pukë-Mirditë”, lidhur me atë ngjarje të bujshme ku mbetën të vrarë “5 Heronjtë e Vigut”, që nga shtëpia ku ata kaluan natën dhe u morën në besë prej tyre, si u rrethuan ata nga xhandarët e Pjetër Llesh Gjegjanit dhe kush ishte njeriu që dyshohet se i spiunoi ata, përse “Pjetër Mustakuqi”, nuk pranonte që të hiqte pritën edhe pasi aty shkoi paria e pleqësisë së Vigut, si e argumentonte ai Kanunin se pesë të rrethuarit nuk mund të merreshin në besë, vrasja e tyre dhe marrja e trupave të pajetë nga familjet, e deri tek hakmarrja e regjimit komunist në vitin 1948 ndaj të akuzuarve si përgjegjës për atë ngjarje, duke vrarë 20 pjesëtarë të “bandës së Pjetër Mustakuqit”?!
Lidhur me këtë ngjarje dhe fakte nga jeta e tyre, na njeh intervista e marrë para disa vitesh nënkolonelit në pension, Mark Dodanit, njërit prej ish partizanëve të Çetës “Pukë-Mirditë” dhe më pas oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Zoti Mark, çfarë lidhje keni ju me “5 Heronjtë e Vigut” dhe në ç`rrethana i keni njohur ata?
Nga fillimi i vitit 1943, pasi u ktheva nga Korça ku isha student në Liceun e atij qyteti dhe i organizuar në Lëvizjen Antifashiste. Si i ri komunist i strehuar në shtëpinë e Vangjo Vangjelit, që ishte bazë e qarkorit të Korçës, unë u lidha me çetën partizane “Pukë-Mirditë”. Ajo ishte në momentet e riorganizimit të saj, në fshatin Laç-Susaç të Vaut të Dejës. Në periudhën 1943 -’44, unë kam njohur së pari Ahmet Haxhinë dhe Naim Gjylbegun.
Ku dhe si i keni njohur ata?
Njohja ime me këta të dy, erdhi pasi i deleguari i Qarkorit Komunist të Shkodrës, Nuri Llazani dhe Bardhok Biba (“Hero i Popullit”), që ishin në Çetën “Pukë Mirditë”. Në periudha të ndryshme gjatë asaj kohe më dërgonin me detyra në Shkodër, tek shtëpitë e tyre në lagjen “Zdrale”, tek nënë Gjylafja (e Naim Gjylbegut) dhe nënë Laja (e Ahmet Haxhisë). Kur kam shkuar për herë të parë, meqenëse unë nuk i dija bazat, Nuriu me Bardhok Bibën, më rekomanduan që të takoja një shok të quajtur Fadil Hoxha, me pseudonimin “Sedita”, (pas Luftës një nga udhëheqësit kryesor partiak të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë). Fadili do të më shoqëronte për tek shtëpitë e nënë Gjylafes e Lajes. Tek ato dy shtëpi unë takoja shpesh Osmanin e Nazen (vëllai i Ahmetit dhe motra e Naimit) si dhe Arif Gjylin, Haki Llazanin, Xhavit Gjylbegun (“Picirrukun”) Filip Vaso Pejën, etj. Kurse Ndoc Dedë Markun, e kam njohur nëpërmjet Preng Gjin Lleshit, nga Rrasi i Butë i Kashnjetit, që ishte burri i tezes sime. Dy të tjerët Ndoc Mazin dhe Hydajet Lezhën, nuk i kam njohur personalisht.
Cili ishte qëllimi i vajtjes së atyre pesë komunistëve në zonën e Mirditës?
Me porosi të Qarkorit të Partisë së Shkodrës, ku bënin pjesë Sadik Bekteshi, (sekretar politik) Arif Gjyli, (sekretar organizativ) Qazim Kapisyzi, Qamil Gavoçi, Seit Bushati, Tuk Jakova, (i deleguar i Komitetit Qendror të PKSH-së), Nuri Llazani etj., u vendos që Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhija dhe Ndoc Deda, të shkonin me një mision në zonën e Mirditës. Porositë që i’u dhanë atyre nga Qarkori ishin: Do të ndihmonin Çetën partizane Pukë-Mirditë, që ajo të shtonte radhët e saj me partizanë të rinj. Synohej që të bëhej batalion. Do të merrnin takime me familjet më në zë të Mirditës e Pukës, duke ju bërë atyre propagandë që të tërhiqnin në radhët partizane edhe mercenarët që bashkëpunonin me nazistët gjermanë. Qëllimi kryesor i tyre ishte përgatitja e terrenit, që kur të kalonin andej formacionet e rregullta partizane dhe brigadat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të mos kishte reaksion dhe të evitohej me çdo kusht vëllavrasja. Këto ishin detyrat kryesore që kishte grupi, sepse veç e veç, ata kishin dhe detyra të tjera, që jua kishte ngarkuar Qarkori Komunist i Shkodrës, sidomos Ndoc Mazi dhe Naim Gjylbegu, që kishin peshën kryesore në atë njësit. Këto detyra i kishte dhe si qëllim strategjik Çeta “Pukë-Mirditë”.
Nga ç’drejtim janë nisur ata për të shkuar në krahinën e Mirditës dhe çfarë itinerari kanë përshkuar?
Nga shtëpia e Sheuqet Begut (babait të Sitkiut që ishte partizan në batalionin “Perlat Rexhepi”), që ishte bazë e Qarkorit të Partisë së Shkodrës, ata strehoheshin zakonisht, Ndoc Deda, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi dhe Ahmet Haxhija. Në datën 19 gusht, kanë shkuar në qytetin e Lezhës, ku kanë marrë pjesë në një aktiv të rinisë komuniste të atij qyteti. Aty gjithë kohën janë shoqëruar nga Hydajet Lezha e Refik Resuli, në mbrëmje janë strehuar në shtëpinë e tyre, që ishin baza të Luftës. Në mëngjesin e 20 gushtit ata të katërt kanë marrë me vete edhe Hydajet Lezhën dhe janë nisur për në drejtim të Mirditës, duke kaluar në Grykën e Manatisë dhe më pas drejt malit të Velës. Në mbrëmjen e 20 gushtit ata kanë mbërritur në fshatin Rras i Butë i Kashnjetit dhe aty kanë diskutuar me njeri tjetrin se ku do e kalonin natën.
Si vendosën, ku e kaluan natën?
Ndoc Dedë Marku, ju ka propozuar shokëve të tij, që ata të shkonin për të bujtur në shtëpinë e Preng Gjin Lleshit, Ndoci e kishte probatin (vëlla gjaku, byrazer). Gruaja e të zotit të shtëpisë Gjin Lleshit, quhej Margjela Gjoka dhe ishte tezja ime (motra e nënës). Ata të pestë, kanë shkuar në atë shtëpi dhe aty kanë gjetur vetëm gratë, dy kunatat, Margjelën me Mrikën, si dhe fëmijët e vegjël, Frrokun me Ndrecën, etj., pasi burrat e asaj shtëpie, Gjini me djalin, Prengën, e nipin Pjetrin, kanë qenë të fshehur në mal, për shkak të një hasmërie. Pasi kanë ngrënë darkë dhe kanë fjet atë natë aty, të nesërmen në mëngjes, të pesë shokët e njësitit, kanë diskutuar me njeri tjetrin dhe Ndoc Dedë Marku, që ishte nga Kurbini e njohës i mirë i Kanunit e zakoneve të vendit. Ai i kërkoi Margjelës dhe Mrikës një shoqërues, për t’ i përcjellë. Meqenëse në atë shtëpi nuk kishte burra për t’ i shoqëruar dhe fëmijët ishin ende të vegjël, Mrika me Margjelën, u thanë se po t’i pyeste njeri rrugës, do t’i thonin se ishin miqtë në bukë, të Gjin Lleshit të Rrasit. Po ashtu ato u thanë, se në bazë të zakonit, kur një shtëpi nuk kishte burra, për të përcjell miqtë, ata duhet të lidhnin një shami nga të grave të familjes, në majë të një degë peme të thyer në oborri i tyre, ose në grykë të pushkës. Kjo ishte dhe shenja, që tregonte se ata ishin miq të një shtëpie, që nuk kishte burra për t’ i përcjellë.
A e zbatuan ata porosi që u dhanë gratë e asaj shtëpie në bazë të Kanunit?
Nuk dihet me saktësi nëse ata e kanë lidhur ndonjë shami në grykë të pushkës, por në mëngjesin e 22 gushtit, ata janë larguar nga shtëpia e Gjin Lleshit, që ndodhej në fshatin Rras, për të shkuar në pikën e takimit ku i priste Çeta “Pukë-Mirditë”, vend të cilin duhet ta dinte vetëm Ndoc Dedë Marku. Ky vend quhet Buzhalë dhe ndodhet në mes Mnelës e Korthpulës dhe ballë për ballë Vigut. Duke ecur atë mëngjes të 22 gushtit, diku midis fshatrave, Rras dhe Vig, në drejtim të lumit Voma, bri Buzabardhit, i njohur si vend me emrin Stanaveve, një person i quajtur Dod Marka Gjoka, nga fshati Rras, u takua me pesë shokët e njësitit. Ky takim me këtë njëri, nuk dihet në ishte i rastësishëm, apo ai u është afruar atyre me ndonjë qëllim të caktuar.
Për çfarë qëllimi?
Po mundet që lëvizja e tyre, si njësit partizan dhe të armatosur siç ishin ata, automatikë dhe bomba, të ishte parë nga ndonjë njeri dhe Dod Marka Gjoka, u është afruar atyre me qëllim të caktuar, për të mësuar se kush ishin dhe për çfarë qëllimi kishin shkuar në ato anë, ku ndikimi i bajraktarëve të Mirditës ishte shumë i fortë si antikomunistë. Për koincidencë apo e organizuar, ky person i quajtur Dod Marka Gjoka, që i shoqëroi ata, ishte një mercenar i forcave qeveritare, nën komandën e Pjetër Llesh Gjegjanit, i cili ishte Kryetari i Komunës së Kalivaçit të Mirditës.
Çfarë kanë biseduar ata të pestë me Dod Marka Gjokën dhe deri ku i ka shoqëruar ai?
Nuk dihet me saktësi, se çfarë bisedash ka bërë Dod Marka Gjoka me njësitin, por rrugës, ai si duket e ka mësuar se ata ishin partizanë. Duke ecur, njësit arriti në vendin e quajtur Buzabardh, që ndodhet ngjitur me lumin Voma. Në këtë vend, ata janë ndaluar për të pushuar dhe thuhet se aty, Doda, u ka ofruar atyre ndihmë për t’ i shoqëruar, por ata nuk kanë pranuar. Ndoshta ata kanë dyshuar tek ai, nga bisedat që kanë bërë rrugës. Në atë vend, Doda, është larguar prej tyre dhe ka shkuar tek posta e Milicisë së Komunës së Kalivaçit, vetë ose mund të ketë dërguar ndonjë njeri tjetër, që e ka gjetur rrugës dhe brenda një kohe shumë të shkurtër, forcat mercenare të Komunës së Kalivaçit, të kryesuara nga Kryetari Pjetër Lleshi, kanë rrethuar vendin. Mbas rrethimit të parë, duke kaluar koha, rrethimi forcohej akoma më tepër nga njerëzit e Pjetër Lleshit, deri sa u bë një rrethim i plotë i gjithë vendit, ku ndodhej njësit i pesë partizanëve. Mbasi u krye rrethimi i plotë, thuhet se Pjetër Lleshi, me anë të disa njerëzve të tij, u dërgoi fjalë që ata të pestë të dorëzonin armët dhe vetëm pas kësaj, ishin të lirë të largoheshin.
Si ju përgjigjën ata fjalës që u dërgoi Pjetër Llesh Gjegjani?
Fjalës së Pjetër Lleshit, të pesë komunistët ju përgjigjën duke i thënë se: “ata ishin në besë të shtëpisë së Preng Gjin Lleshit dhe në bukë të tij”. Ndërkaq, nga dikush që ishte me njerëzit e Pjetër Lleshit, apo vetë Pjetri, u tha se ata ndodheshin në rrugë të madhe dhe sipas Kanunit, në rrugë të madhe pa përcjellës, nuk merrej njeri në besë. Pas fjalëve të Pjetër Lleshit, ata nuk mund të ishin në besën e askujt, të pesë komunistët përsëritën fjalët, se ata ndodheshin në besë të shtëpisë së Gjin Lleshit të Rrasit, që u kishte dhënë buk si dhe të vigasve në Vig.
Cili ishte reagimi i Pjetër Lleshit, pas përgjigjes së pesë komunistëve se ata ishin në besë të shtëpisë së Gjin Lleshit?
Pasi ata ngulnin këmbë, se ishin në besë të Gjin Lleshit, Kryetari i Komunës së Kalivaçit, Pjetër Lleshi, që kishte organizuar dhe rrethimin, për të mos u kompromentuar me Kanunin, dërgoi fjalë dhe thirri aty krerët e pleqësisë së fshatit Vig. Nga krerët kryesorë të fshatit Vig, që erdhën aty, ishte Preng Marka Gjini, i cili nguli këmbë duke i thënë Pjetër Lleshit, se: ata të pestë që mbaheshin të rrethuar, duhet të liheshin të lirë të kalonin, pasi ishin në besën e një mirditori, që ju kishte dhënë bukë dhe sipas zakonit, në asnjë mënyrë nuk duhej të përlyhej besa dhe nderi i Mirditës.
Çfarë bëri Pjetër Lleshi pas kësaj?
Pas fjalëve të Preng Marka Gjinit, Pjetër Lleshi, përsëri ngulte këmbë në të tijën dhe kapej pas faktit, se vendi ku ndodheshin ata të pestë, Buzabardhi, në breg të lumit të Vomës, ishte rrugë e madhe dhe në bazë të Kanunit, aty askush nuk kishte të drejtë të merrte në besë njeri.
Si u zgjidh kjo gjë?
Debati ndërmjet krerëve të pleqësisë së Vigut dhe Pjetër Lleshit, zgjati shumë, deri kur ata i vunë kusht Pjetër Lleshit, që të zbatohej Kanuni, ku një pjesëtar i shtëpisë së Gjin Lleshit, vetë Gjini, i zoti i shtëpisë, apo djali i tij, Prenga, ose kushëriri, Pjetri, të vinte aty dhe të deklaronte, duke vërtetuar, se ata të pesë persona, që mbaheshin të rrethuar, ishin miqtë e tij që i kishin ngrënë bukën. Pleqësia e Vigut i vuri kusht Pjetër Lleshit, se pa ardhur një njeri nga shtëpia e Gjin Lleshit, ata të pestë nuk duhet të prekeshin.
Pranoi Pjetër Lleshi, kushtin që i vuri pleqësia e Vigut?
Pjetër Lleshi e pranoi kushtin e pleqësisë së Vigut, sepse ai nuk mund të vepronte jashtë ligjeve e zakoneve të Kanunit dhe njoftoi se ishte në pritje të ardhjes së përfaqësuesit të shtëpisë së Gjin Lleshit, për, të vërtetuar se ata ishin në besë të tyre. Pas kësaj përfaqësia e pleqësisë së Vigut, dërgoi personin e posaçëm, tek shtëpia ku strehohej Gjin Lleshi, për t’ i kërkuar atij të vinte aty. Pasi ju dërgua fjalë Gjin Lleshit, ai u konsultua me djemtë e tij që ishin të strehuar dhe ata në një shtëpi tjetër, për shkak të hasmërisë që kishin dhe ata autorizuan babanë e tyre Gjinin, që të shkonte në vendngjarje, për të sqaruar situatën ku ndodheshin 5 personat, që kishin ngrënë bukën e shtëpisë së tyre. Mirëpo vajtja e Gjin Lleshit në vendngjarje në Buzabardh, nuk mund të realizohej lehtë, sepse ai ishte në hasmëri dhe hasmi i tij ishte në pritë, me njerëzit e Pjetër Lleshit.
Vajti Gjin Lleshi në vendngjarje?
Problemi i hasmërisë së Gjinit, vërtet ishte një pengesë e madhe, por ai u zgjidh, sepse pleqësia e Vigut, i kërkoi besë hasmit të Gjinit, që ishte në pritë dhe ai u dha besën që Gjini mund të vinte aty, pa asnjë problem. Pasi kishin kaluar disa orë, Gjin Lleshi, erdhi në vendngjarje, në një kohë që debatet në mes pesë partizanëve të njësitit, pleqësisë së Vigut dhe njerëzve të Pjetër Lleshit, vazhdonin ende për zgjidhjen e situatës. Sapo Gjin Lleshi erdhi, ai u takua me Pjetër Lleshin e njerëzit e tij dhe ju deklaroi hapur se: ata pesë djem që mbaheshin të rrethuar, ishin miq në bukës të tij dhe njeri prej tyre, Ndoc Dedë Marku, ishte mik i shtëpisë. Për këtë arsye, ai u tha se ata të pestë, në asnjë mënyrë nuk mund të prekeshin nga asnjeri, se përndryshe ata do të binin në gjak me shtëpinë e tij.
Ç’ndodhi pas fjalëve që u thanë, u ra dakord që të hiqej prita?
Me fjalët e Gjin Lleshit, u pajtua dhe e gjithë pleqësia e Vigut, duke thënë se pesë të rrethuarit ishin në besë të tij dhe nuk duhet të prekeshin. Ndërsa Pjetër Lleshi, ngulte këmbë akoma e më egërsisht, në faktin që ishte kapur që në fillim, se ata të pestë ishin në rrugë të madhe dhe Gjin Lleshi nuk kishte pse t’u dilte zot.
Pas këmbënguljes së Pjetër Lleshit, u tërhoq Gjini nga marrja në besë që ju bëri pesë partizanëve që kishin qenë në shtëpinë e tij?
Jo kurrsesi, Gjini jo vetëm që nuk u tërhoq, por ai duke u ndihmuar dhe nga krerët e pleqësisë së Vigut, që i dolën në mbrojtje, u kap në Kanun në bazë të zakoneve, duke ju kundërvënë ashpër Pjetër Lleshit. Gjini mbahej në fjalën e tij, duke thënë se ishte pikërisht Kanuni, ai që e përcaktonte se: miku që dilte prej shtëpisë, duhej të përcillej deri sa t’i dorëzohej një miku tjetër në besë dhe kurrsesi, ai nuk mund të lihej në rrugë të madhe.
Pas presionit të Pjetrit si veproi Gjin Lleshi?
Gjini nuk lëvizi nga fjala e tij dhe ndërsa ishte duke u larguar për në kullën e ngujimit, i siguruar në besë të vigasve, ai përsëriti edhe njëherë fjalët e tij të fundit, duke thënë se: ata pesë djem që ishin të rrethuar aty, ishin në besë të tij dhe kush i prekte, do të binte në gjak me të dhe gjithë fisin e tij.
Përse u largua Gjini nga vendngjarja dhe nuk qëndroi aty, që të mbronte këta miq?
Gjini u thirr aty vetëm për të deklaruar se ata të pestë, që ishin rrethuar ishin miqtë e tij dhe ai nuk mund të rrinte më tepër në atë vend, pasi për aq kohë hasmi i tij që ndodhej me njerëzit e pritës, ju dha besë pleqësisë së Vigut. Mjaftonte që ai i morri në besë miqtë që kishin bujtur në shtëpinë e tij.
Si rrodhën ngjarjet pas largimit të Gjin Lleshit?
Pas largimit të Gjinit, pleqësia e Vigut diskutoi se si mund të zgjidhej ai problem. Aty ridiskutoheshe, nëse duhet të merreshin në besë të Vigut ata të pestë apo jo. Pleqësia e Vigut, u nda në dy pjesë, pjesa më e madhe e tyre ishin të mendimit, se ata duhej të merreshin në besë nga Vigu, sepse ata ngeleshin miq të Vigut. Mirëpo kjo gjë kundërshtohej gjithnjë e më shumë nga Pjetër Lleshi, që vazhdonte të thoshte, se ata ishin në rrugë të madhe. Aty në ato diskutime, pati dhe zëra se qeveria kishte ligjet e veta dhe nuk vepronte me Kanun, prandaj ata duhet të tërhiqeshin nga vendimi për t’i marrë në besë ata të pestë.
Si u vendos pas këtyre dy mendimeve që diskutohej në pleqësinë e Vigut?
Meqenëse problemi ishte i ndërlikuar dhe nuk po gjente zgjidhje, në bazë të zakoneve të vendit që ishin të sanksionuara qartë në Kanun, për zgjidhjen e atij problemi, duhej pyetur shtëpia e parë e asaj krahine, që në rastin konkret ishte dera princërore e Gjonmarkajve, Kapidanit të Mirditës. Vetëm ajo kishte kopetenca të plota për t’i dhënë zgjidhje atij problemi.
U pyetën Gjonmarkajt?
Për vetë kushtet dhe diskutimet e gjata që po bëheshin, nuk e di nëse atyre i’u ka premtuar koha që të pyetej dera e Gjonmarkajve. Në atë vend që ishte rrugë kalimi, ishin afruar dhe disa fshatarë, që ju kishte rënë rastësisht udha andej. Ndër ata mirditorë që kaluan aty, midis tyre kishte dhe burra që ishin të përkushtuar ndaj besës dhe kanunit.
Ndërhynë për zgjidhjen e problemit këta rrugëtarë?
Disa prej atyre fshatarëve, pasi e panë se çfarë po ndodhte aty, përfituan e kaluan pritën dhe u futën në mes të rrethimit. Shkuan dhe u takuan me pesë komunistët e rrethuar. Ata ju sugjeruan pesë partizanëve, që ata të kalonin disa hapa në drejtim të një vendi, që quhej Kroi Lugjat, me pretekstin për të pirë ujë dhe pasi shkonin aty, të lëviznin vetëm disa hapa më tej dhe të hynin në pyllin e Stanaverës, e të dilnin në kufi të Mnelës.
Përse duheshin bërë këto lëvizje?
Sepse po të dilnin vetëm një hap aty në tokën e Mnelës, në emër të mnelasve, ata do t’ i merrnin ata në besë dhe nuk mund t’i prekte më njeri. Këta persona që ju sugjeruan pesë komunistëve këtë, ishin nga fisi i Bibajve, e disa fise të tjera të Mnelës dhe ishin të gjithë të armatosur. Unë disa prej tyre i kam njohur dhe kam biseduar personalisht me ta, si Frrok Llesh Gjini, Ndue Lazër Markagjegja etj.
E zbatuan pesë komunistët e rrethuar këtë sugjerim?
Të pesë partizanët e rrethuar, ju thanë mnelasve, se ata kishin besim të plotë, se mirditorët nuk do t’i vrisnin dhe nuk do t’i pritnin në besë. Pas kësaj mnelasit, ju thanë përsëri atyre se sido që të shkonte puna, ata do t’i prisnin në vendin ku ju thanë. Në këtë koha ora po shkonte rreth 13.00 dhe bënte një vapë e madhe si rrallë ndonjëherë. Nga kjo gjë ata të pestë po digjeshin nga etja për ujë. Në këtë kohë një xhandar nga ata të pritës së Pjetër Lleshit, duke u përvjedhur njerëzve të pritës, u fut brenda zonës së rrethimit dhe shkoi e u takua me pesë partizanët e njësitit. Dy nga ata të pestë, kanë ecur bashkë me xhandarin, deri tek vendi ku ndodhej Kroi Lugjat, që ishte një vend i fshehur dhe i mbuluar me gjethnajë të Stanaveres. Në këtë moment pasi kanë pirë ujë, xhandari ju ka thënë dy partizanëve të njësitit, që ata të iknin kodrës nëpër pyll, në drejtim të kufirit të Mnelës. Xhandari i’u sugjeroi gjithashtu, që ata të fillonin të qëllonin në drejtim të tij dhe ai do bënte sikur po i qëllonte ata, me qëllim që të krijohej ideja se ata po luftonin ndërmjet tyre. Emri i atij xhandarit nuk më kujtohet, por dihet mirë se ai ishte mirditor. Për atë njeri për herë të parë më ka folur shoku i ngushtë i “5 Heronjve të Vigut”, Frano Jakova, i cili në atë kohë ndodhej në Çetën “Pukë-Mirditë” në pritje të atyre pesë shokëve komunistë që ndodheshin të rrethuar nga forcat mercenare të Pjetër Lleshit.
Vepruan ata dy pjesëtarët e njësitit sipas sugjerimit që u dha xhandari?
Jo, nuk vepruan ashtu siç ju tha xhandari. Ata ju përgjigjën, se nuk mund të vepronin ashtu, pasi nuk mund të ndaheshin nga tre shokët e tjerë. Pas kësaj, dy shokët e njësitit u kthyen përsëri mbrapsht dhe u bashkuan me tre shokët e tjerë, që ishin duke i pritur./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016