Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të inxhinierit Maks Uçi, i diplomuar jashtë për Gjeologji-Miniera, i cili në vitin 1972 filloi punë në guroren e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, ku u bë problem për sjelljet dhe qëndrimet e tij, që binin ndesh me “vijën e Partisë” dhe për atë gjë u bë një mbledhje për “ta demaskuar” para kolektivit të punës, ku morën pjesë edhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Krujës. Dëshmia e rrallë e Sejfulla Tetës nga Fushë-Kruja, për “mbledhjen demaskuese” ku ai u kërcënua me arrestim nga Sekretari i Parë i rrethit, pasi mbrojti inxhinierin rebel, që ishte vazhdimisht në krah të punëtorëve, gjë e cila solli dënimin e tij, duke e transferuar në guroren e qytetit të Laçit, ku ai humbi jetën në rrethana misterioze natën e vitit të ri 1980, pikërisht atë ditë që kishte marrë transferimin për në Tiranë. Si vendosi Sejfulla Teta me shokun e tij, Pirro Priftin për të hedhur dinamitin në ambasadën jugosllave në Tiranë më 23 prill të vitit 1981 dhe si e kryen atë veprim pa u kuptuar nga policia dhe Sigurimi i Shtetit?! Arrestimi më pas i Pirro Priftit dhe shokëve të tij nga Fush-Kruja, pas tentativës për t’u arratisur nga rrethi i Kukësit dhe i vetë Sejfullait, i cili u akuzua se: “së bashku me një grup intelektualësh me origjinë nga Kosova, si Shefqet, Estref dhe Selim Kelmendi, si dhe Namik Luci, kishin bërë planin për të vrarë me atentat, udhëheqësin kryesor të Partisë, Enver Hoxhën, gjatë vizitës që ai do bënte në Muzeun e Skënderbeut në Krujë”?!
Zoti Sejfulla, gjatë kohës që Pirro Prifti dhe të tjerët ishin në hetuesi, kishit frikë se do arrestoheshit edhe ju?
Pas arrestimit të Pirro Priftit, me të cilin në 23 prill të vitit 1981 kisha hedhur bombat në ambasadën jugosllave në Tiranë, unë përfundimisht vendosa që të arratisesha nga Shqipëria, pasi e prisja me ditë arrestimin tim.
Si e kishe bërë planin për t’u arratisur dhe me kë do ikje?
Unë kisha vendosur që të arratisesha i vetëm nga Luniku i Librazhdit, pasi kur isha ushtar në Elbasan, kisha qenë shpesh herë andej për stërvitje dhe e njihja vendin shumë mirë”.
Kur iu arrestuan dhe si e kujtoni atë ditë që ju vunë prangat?
Në mëngjesin e 29 shtatorit të vitit 1982, unë isha pushim dhe teksa isha duke u përgatitur për t’u arratisur, në shtëpinë time më erdhi autovetura e drejtorit të Fabrikës së Çimentos. Personi që më trokiti në derë, më njoftoi se më kërkonin për të rregulluar një ekskavator dhe unë duhet të shkoja urgjent atje me makinën që më priste jashtë shtëpisë, pasi nuk kisha më shumë se pesë minuta punë. Në fillim mendova që të shkoja atje dhe sa të riparoja defektin, të nisesha për në Librazhd.
Para ndjetë se do të arrestoheshit?
Unë kuptova diçka dhe u thashë atyre që më kërkuan, të ecnin përpara, se po dilja në këmbë pas tyre. Nga që nuhata diçka, fsheha në rroba një revolver që e mbaja gjithnjë me vete. Sapo dola tek rruga nacionale ku ndodhet lapidari i Shote Galicës, tek këmbët e mija ndaluan dy makina. Njëri nga personat që dolën prej tyre, ishte dhe shefi i Krimeve të rrethit të Krujës, i cili m’u hodh në qafë duke më thënë: “Ke kujtuar se jeta është aventurë”. Të tjerët nuk ndërhynë me forcë, por më vunë hekurat dhe më futën menjëherë në makinë.
Ku ju çuan?
Më nisën menjëherë për në Degën e Brendshme të Krujës, ku zv / kryehetuesi i rrethit dhe sekretari i partisë, Nexhat Selimi, më tha: “Të kemi arrestuar pasi ti ke dashur që të vrasësh me atentat, udhëheqësin kryesorë të partisë dhe të popullit”. Unë e pyeta: Kë, se ata janë të 12 udhëheqës kryesorë’? Ai m’u përgjigj gjithë inat: “Udhëheqësin kryesor të Partisë e të popullit po të them”. Krejt i habitur për ato që po më thoshte, në mënyrë instiktive unë e pyeta përsëri: ‘Kë, Enver Hoxhën’? Akoma pa mbaruar mirë fjalën, në kulmin e nervave, Nexhat Selimi më tha: “Mos ia përmend emrin, more ndyrësirë”, dhe ngriti shkopin e gomës të më qëllonte. Unë nuk durova dhe i thashë: ‘Njeri i ndyrë je ti, me gjithë atë…’. Nga ai moment, e deri sa jam përmendur pas disa orësh, unë nuk mbaj mënd gjë, pasi kam qenë pa ndjenja nga rrahjet që më bënë me shkopinj gome.
Kur u përmendët, ju komunikuan akt-akuzën?
Po, Nexhat Selimi më tha: “Ti së bashku me një grup tjetër që ne i kemi të arrestuar, keni dashur të vrisni udhëheqësit kryesor të Partisë dhe përveç kësaj, ti ke vënë dinamit në ambasadën jugosllave, por këto nuk na duhen tani. Ne e kemi hallin tek atentati, që keni dashur t’i bëni udhëheqësit kryesor të Partisë, kur ai do të vinte për të vizituar Muzeun e Skënderbeut në Krujë. Ti ke pasur në plan që t’i hidhje granatat gjatë mitingut, kur ai të takohej me popullin dhe në rast se nuk do ta realizoje dot ti atë gjë, atëherë do të dilte Selim Kelmendi, në Krastë të Krujës dhe me pistoletë, do të kryente atentatin. Si variant rezervë për të kryer këtë akt kriminal, nëse nuk do ta arrinit dot ju, do të ishin Namik Luci në Laç, Shefqet Kelmendi në Lezhë dhe Estref Kelmendi në Shkodër. Ne i dimë të tëra, prandaj mos u mundoni që të fshihni gjë”. Kur mbaroi fjalën ai, unë i thashë: ‘Po kur i dini pse më pyesni mua’?!. Ai kërkonte që unë ta pranoja atë akuzë dhe më torturonte vazhdimisht deri sa më binin të fikët. Ushqimet që më sillte familja i’a jepnin të tjerëve dhe u thonin njerëzve të mi se unë nuk kisha nevojë për ushqime.
Sa kohë vazhduan torturat ndaj jush?
Për tre muaj me radhë, torturat ndaj meje nuk pushuan. Hetuesinë ma bënin vetëm natën dhe pasi m’i lidhte duart me pranga pas kurrizit, Nexhat Selimi m’i shkelte prangat më këmbë dhe nga pesha e trupit të tij, më theu këtë dorën e majtë, që e kam sakat edhe sot e kësaj dite. Torturat ndaj meje, pushuan vetëm me urdhrin e Ministrit të Brendshëm, Hekuran Isait, kur ai erdhi për të më takuar në qelitë e Krujës.
Kur erdhi Hekuran Isai dhe si e kujtoni takimin me të?
Ka qenë data 1 janar e vitit të ri 1983, kur në qelitë e Krujës, më erdhi një person i cili fillimisht më pyeti në se e njihja. Kur unë i thashë se: njihja vetëm ekskavatorin e përrallat e mija dhe asgjë tjetër, ai hoqi kapelën dhe tha se ishte Ministri i Brendshëm, Hekuran Isai. Atëherë unë i thashë se e mora për ndonjë nga Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë. Pas prezantimit ai më tha: “Unë vij direkt me porosi të udhëheqësit kryesorë të Partisë dhe ke dorë të lirë të na tregosh, se kush të ka shtyrë ty që të vrasësh udhëheqësin tonë. Na trego se do të kesh favore dhe do të ndihmojmë, se ke një tufë kalamaj në shtëpi”. Pas fjalëve të tij, unë u përgjigja duke i thënë: Bombën në ambasadën jugosllave e kam hedhur nga urrejtja, por me Enver Hoxhën nuk kam pasur punë. Ai vazhdoi përsëri duke thënë: “Lëre bombën në ambasadën jugosllave, se ato nuk na duhen gjë. Bombën e kemi mbyllur, atë gjë e ka dhënë dhe gazeta, e po të duash ta tregojmë gazetën “Zëri i Popullit”, por na thuaj kush të ka shtyrë të vrisje udhëheqësin. Unë nuk pranoja në asnjë mënyrë që ta kisha bërë plane për vrasjen e Enver Hoxhës, pasi edhe pse nuk e doja pushtetin, ajo gjë as që më kishte shkuar kurrë ndërmend. Po kështu një nga arsyet që nuk e pranoja atë akuzë, ishte se për atë gjë të priste plumbi i sigurt dhe nuk të shpëtonte dot as zoti në qiell.
Sa orë qëndroi ministri Hekuran Isai me ju në qeli dhe kush e shoqëronte?
Hekurani qëndroi shtatë orë në qelinë time, duke më bërë pyetje nga më të ndryshmet. Përveç oficerit të tij, aty në korridor atë e priste edhe S. D., i Policisë së Krujës, i cili sot banon në Fushë-Krujë.
Ju bënë ballafaqim me Pirro Priftin dhe katër personat me origjinë nga Kosova që ishin arrestuar para jush?
Ballafaqimin ma bënë pas shtatë muajsh, duke m’i sjellë një nga një të pestë në qelinë time, por me gojë të lidhur që të mos i bënim shenja njeri-tjetrit. Nexhati i tha atyre: e njihni këtë dhe kur ata luajtën kokën, Nexhati më tha: “Kaq deshëm ne, a i pe provat që kemi?” Pas atyre ata më sollën përsëri vetëm Pirro Priftin dhe e pyetën a më njihte mua. Herën e dytë, Pirro tha se ne të dy, kishim hedhur bombat në ambasadë dhe se kishim folur kundër shtetit. Unë i’u përgjigja: Në qoftë se ke hedhur bombat dhe ke folur kundër shtetit, jep hesap për vete, se unë nuk di gjë. Gjatë periudhës së hetuesisë, në qeli më futën edhe një provokator të quajtur Agron Çarçani, i cili m’u prezantua me emër tjetër. Ai më provokonte duke më thënë se: kishim dashur të hidhnim në erë Urën e Gjolës, atë të Milotit e të tjera si këto. Unë nuk i haja ato dhe pas dy javësh, gjeta një tullë në banjo dhe e godita në kokë për ta vrarë. Pas kësaj, erdhi Nexhat Selimi dhe atë e çoi urgjent në Spitalin e Burgut në Tiranë, kurse mua në birucat e Koçi Xoxes tek Rajoni Nr. 3. Me sa mësova më vonë në kampe, ai njeri negativ, ishte kushëri i afërt i Adil Çarçanit dhe një hajdut ordiner që gjithë jeta i kishte kaluar burgjeve
Kur ju çuan në Tiranë, kush ua bëri hetuesinë ?
Edhe aty në birucat e Koci Xoxes në Tiranë, përsëri hetues kisha Nexhat Selimin dhe Gavrosh Andonin. Gavroshi sillej shumë mirë me mua dhe nuk më preku asnjëherë me dorë, ndërsa Nexhat Selimi, filloi përsëri avazin e vjetër duke më torturuar barbarisht. Nexhati vinte vazhdimisht i vetëm në qeli në orën tre të natës dhe niste nga dajaku. Si rezultat i torturave që më bëheshin, unë bëra disa greva urie, njëra prej së cilave zgjati 21 ditë, deri sa m’u tha gjaku fare. Ndërsa isha duke u mjekuar në Spitalin e Burgut, Nexhat Selimi dërgoi policët të më merrnin, por doktoresha, Meri Gjinushi, nuk i lejoi ata duke u thënë: “Nuk ka ç’më duhet mua se është armik, unë bëj detyrën si mjeke. Ta shëroj njëherë unë, pastaj ju po të doni, hajeni të gjallë”. Pas këmbënguljes së saj, ata u larguan dhe ajo më shëroi duke më hedhur nëntë shishe me gjak. Mua më shtruan tre herë në spital, pasi nga grevat e urisë më ra mishi i dhëmbëve në tokë.
Pas Hekuran Isait, nga funksionarët e lartë, ju erdhi njeri tjetër në qeli?
Kur isha në qelitë e Tiranës, më erdhi zv /Prokurori i Përgjithshëm dhe unë i’u ankova atij për Nexhat Selimin, duke i thënë se po më rripte të gjallë.
Gjatë kohës që ishte në hetuesi, lejonin që t’u vinte familja në takim?
Jo vetëm që nuk i lejonin, por për më shumë se dy vjet, familja ime nuk dinte asgjë se ku isha unë. Dy herë në Fushë-Krujë ishte hapur fjala se unë kisha vdekur.
Sa kohë qëndruat në hetuesi?
Kam qëndruar për 27 muaj me radhë, duke më bërë tortura nga më të tmerrshmet. Në nëntor të vitit 1984, në qeli më erdhi hetuesi Gavrosh Andoni dhe më solli një tufë të madhe letrash, prej 83 faqesh të shtypura në makinë shkrimi, duke më porositur që t’i lexoja, pasi ishte akt-akuza ime. Unë i ngatërrova ato, pasi nuk ishin të lidhura dhe ai më tha: “Oh ç’na bërë” dhe u ul këmbëkryq me mua në qeli, duke i rregulluar ato. Kur u largua ai më tha: “Rri pa merak se ty nuk do të pushkatojnë, pasi nuk ke vrarë njeri”.
Kur dolët në gjyq, kush ishte me ju në bankën e të akuzuarit?
Pas 27 muajsh hetuesie të tmerrshme në qelitë e Krujës dhe atyre të Tiranës, më 24 nëntor të vitit 1984, ne na nxorën në gjyq, i cili u zhvillua në Gjykatën e Tiranës, me prokuror Loni Moskon dhe kryetare gjyqi, Tamara Malajn nga Tropoja. Gjyqi ndaj nesh vazhdoi për tetë ditë me radhë, paradite e pasdite dhe në bankën e të akuzuarit, përveç meje, ishte dhe Selim Kelmendi, Estref Kelmendi, Shefqet Kelmendi, Namik Luca dhe Pirro Prifti. Akuza që na u bë të gjithëve ne, ishte: “Grup agjenturor, që kishim vepruar për përmbysje me dhunë të pushtetit popullor dhe atentati ndaj udhëheqësit kryesorë të Partisë”, pasi si në hetuesi ashtu dhe gjatë gjyqit, ishte si rregull që nuk përmendej emri i Enver Hoxhës. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura dhe aty ishin të ftuar pothuaj të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e rretheve, si dhe një numër i madh ushtarakësh nga Ministria e Brendshme që kishin mbushur pothuaj të gjithë sallën. Salla e gjyqit ishte e ndriçuar me disa prozhektorë të mëdhenj, pasi që nga seanca e parë dhe deri tek ajo e fundit, u filmuan me dy kamera të televizionit shqiptar dhe kasetat e tyre, siç mësuam më vonë, i’u dërguan Enver Hoxhë për t’i parë. Gjatë pushimit të drekës ndërmjet dy seancave, ne na merrnin secilin në një makinë më vete dhe na dërgonin në qelitë e Koci Xoxes, duke na shoqëruar me makina të shumta policie, para e prapa. Ajo bëhej për bujë e për të lënë të kuptohej se ne ishim një grup shumë i rrezikshëm, ashtu sikurse kishte hapur fjalë Sigurimi i Shtetit në popull.
Ju e pranuat akuzën që u bëhej?
Asnjë nga ne nuk e pranoi akuzën dhe të gjithë i denoncuam torturat që na ishin bërë gjatë hetuesisë, duke thënë se proces-verbalet hetimore ishin firmosur nga ne, si rezultat i torturave çnjerëzore që na ishin bërë. Në gjyq unë pranova vetëm hedhjen e bombës në Mamurras, e në ambasadën jugosllave, kurse Pirro Prifti kishte kaluar në depresion të thellë nga torturat dhe elektro-shoku, ai nuk e kontrollonte dot veten kur fliste. Duke parë situatën e vështirë, Shefqet Kelmendi, u çua e tha se ai ishte fajtori për gjithçka që kishte ndodhur, duke shtuar se ne ishim të pafajshëm dhe ai na kishte marrë në qafë. Ai i mori mbi vete të gjitha fajet, për të na lehtësuar ne, kur në fakt unë nuk e kisha njohur kurrë atë njeri. Gjatë gjyqit, aty sollën si dëshmitar edhe Sefedin Pulën, që ishte arrestuar me një grup tjetër, i cili na mbrojti duke thënë se e kishin sjellë kot aty, pasi ai nuk njihte asnjeri nga ne.
Në përfundim të gjyqit, çfarë vendimesh u dhanë?
Sipas kërkesës së pretencës së prokurorit, trupi gjykues dha katër dënime me vdekje: për mua, Selim Kelmendin, Pirro Priftin dhe Shefqet Kelmendin, ndërsa për të tjerët nga 25 vjet burg. Por pasi Shefqeti i mori mbi vete të gjitha fajet, për të na lehtësuar ne të tjerëve, gjykata la vetëm atë me vdekje, ndërsa ne të tjerave na dha nga 25 vjet burg. Vetëm Sefedin Pula u dënua me 14 vjet, duke u akuzuar se na kishte dhënë dinamitin për atentatet që do bënim. Por pas një muaji, ndërsa ne ndodheshim në kaushin e Tiranës, në pritje për të na shpërndarë nëpër kampe, morëm vesh se edhe Shefqet Kelmendit i’u fal jeta me dekret të Kuvendit Popullor.
Në fjalën tuaj të fundit çfarë kërkuat?
Asnjeri nga ne nuk kërkoi mëshirë, por vetëm drejtësi.
Gjatë seancave të gjyqit, u lejuan të merrnin pjesë familjet tuaja?
Jo vetëm që nuk u lejuan, por familjet tona as që dinin gjë për fatin tonë. Pas dënimit tim, familjen time, (bashkëshorten e pesë fëmijët) e internuan në Malecaj të Lezhës, aty ku ishin familjet e Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit. Për katër vjet me radhë që ata qëndruan aty, jetuan në kushte jetese tepër çnjerëzore, duke kërkuar fushave për ndonjë kokërr patate, pasi nuk kishin bukë për të ngrënë. Po kështu ata nuk kishin as rroba për të veshur, vetëm kush t’ju falte ndonjë leckë.
Ku e vuajtët dënimin?
Unë në Qafë-Bari dhe Burrel, por desha të them, se pas dhënies së vendimit, ne na dërguan të gjithëve në kampin e Qafë-Barit, duke na lënë bashkë, në një galeri të gjithëve. Kjo bëhej me qëllim, që ne të hynim në ngatërresa dhe të vrisnim njëri-tjetrin, por pasi e panë që ne shkonim shumë mirë dhe nuk patëm asnjë konflikt, na shpërndanë. Gjatë vuajtjes së dënimit, në burg vdiqën, Sefedin Pula me Selim Kelmendin. Sefedini vdiq aksidentalisht në Qafë-Bari, duke e zënë vagoni, teksa po ndihmonte disa shokë të tij. Të gjithëve i’u erdhi keq për të, pasi ai ishte një njeri shumë i mirë. Kurse Selim Kelmendi, mësuesi i gjuhë-letërsisë i gjimnazit të Fushë-Krujës, vdiq në burgun e Burrelit, pak ditë pasi ishte kthyer nga spitali i burgut në Tiranë. Vdekja e tij mbeti misterioze dhe e dyshimtë, pasi ai në atë kohë i kishte bërë një letër Ramiz Alisë, ku thuhej se nuk i kishte lënë gjë pa thënë.
Kur u liruat nga burgu dhe si e kujtoni ditët e para të lirisë?
Unë jam liruar nga burgu në 26 shkurt të vitit 1991 nga Burreli, me të fundit të burgosur politikë, që dolën nga burgjet e komunizmit. Kur shkova në shtëpi, vajza e vogël që e kisha lënë gjashtë muajshe, i thoshte gruas: “O mami, po ky burri pse nuk ikën nga shtëpia, çfarë do ky këtu”?!
Pas viteve ’90, jeni takuar me ndonjë nga ata persona që ju akuzuan?
Me thënë të drejtën, hetuesin Nexhat Selimi e kam kërkuar deri në Greqi, por nuk e kam gjetur. Me të tjerët nuk kam pas punë, se ata kanë bërë vetëm detyrën./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016