Memorie.al publikon dëshmitë e babait të kantautorit të famshëm, Kastriot Gjini, apo siç është njohur ndryshe si “Luço Batisti” shqiptar, që u nda nga jeta në moshë fare të re, më 2 mars të vitit 1979, i cili është shprehur: “Filozofi kinez, Konfuci thotë: Në qoftë se ndonjë djalë që kompozon këngë, ikën para kohe nga kjo botë, për atë nuk ia vlen që të derdhësh lot, sepse, pas një minute, në varrimin e tij, qindra djem dhe vajza do të këndojnë këngët e tij’. Dhe vërtet, kur ne hidhnim dhe mbi arkivolin e Otit, Radio-Tirana dha program me këngët e tij”. Si dhe kujtimet e miqëve, shokëve dhe kolegëve të tij artistë, që e kanë njohur nga afër dhe kanë bashkëpunuar me të, (disa prej të cilëve tashmë janë ndarë nga kjo jetë), si: maestro Zhani Ciko, kompozitorët e ndierë, Aleksandër Lalo e Alfons Balliçi, kantautori, Luan Zhegu, kompozitori dhe instrumentisti, Osman Mula, këngëtarët Zija Saraçi e Naim Kërçuku, kantautori i ndierë Francesk Radi, pianistja e ndierë Lili Tafaj, si dhe këngëtarët Ema Qazimi, Kozma Dushi e Liljana Kondakçi.
“Çdo prind pasi humbet gjënë më të shtrenjtë që është fëmija, mbështjell kokën me jorgan dhe sjell ndër mënd të gjitha rastet që ka pasur mundësi dhe nuk i ka shfrytëzuar për të shpëtuar jetën e fëmijës. Një gjë të tillë bëmë ne për Kastriotin. Ato janë shumë por unë do të kujtoj disa raste që më kanë lënë mbresa dhe nuk do ti harroj sa të jetë jeta”. Kështu shprehet në kujtimet e tij, Shaqo Gjini, babai i njërit prej kollosëve të muzikës së lehtë shqiptare, kompozitorit të famshëm Kastriot Gjini, i cili u nda nga jeta në 2 mars 1979. Për Kastriot Gjini apo siç është kosnideruar si “Luço Batisti” i Shqipërisë, përveç disa kujtimeve të dhëna ekskluzivisht për Memorie.al nga babai i tij, po botojë në këtë shkrim edhe kujtimet e disa prej miqve dhe kolegëve të tij artistë që e kanë njohur nga afër dhe kanë bashkëpunuar me të, (disa prej të cilëve tashmë janë ndarë nga kjo jetë), si: maestro Zhani Ciko, kompozitorët e ndierë, Aleksandër Lalo e Alfons Balliçi, kantautori, Luan Zhegu, kompozitori dhe instrumentisti, Osman Mula, këngëtari Zija Saraçi, këngëtari Naim Kërçuku, kantautori, Francesk Radi, pianistja, Lili Tafaj, dhë këngëtarët Ema Qazimi, Kozma Dushi e Liljana Kondakçi.
Kujtimet e babait, Shaqo Gjinit
“Për Otin, nuk kam ndërmënd që të shkruaj shumë pasi e kam shumë të vështirë që me pak fjalë të shkruaj gjithshka që ruaj për këtë fëmijë të paimagjinueshëm. Por më vështirë e kam që të përfytyroj vuajtjet e Otit dhe ato ndjenja që rrinin të strukura në thellësinë e shpirtit të tij. Ato më mundonin dhe më shqetësonin çdo ditë dhe çdo orë. Më çorodiste karakteri i jashtëzakonshëm njerëzor i këtij njeriu, dhe në të ndihej diçka e pazakontë që se shpreh dot as me fjalë aq ëmbël aq ndjeshëm që sa smund t’ia largoje sytë që lëshonte mbi mua hijen e vet të përkëdhelur…… Mirëpo fati nuk na eci, dhe në vitin 1956 Kastrioti, u sëmur nga fruthi që e la me një difekt në zemër. Sinjalin na e dha Dr. Tepelena, por ne nuk ia vumë veshin. E nisëm për ta operuar në Itali në 25 shkurt të vitit 1979 dhe ne menduam se zumë qiellin me dorë, pa shkuar ndër mënd për asnjë sekondë, se mund të vinte ndonjë e keqe. Por ja për fatin e tij të keq dhe tonin nëj ditë para operacionit, Kastrioti u fik. Filozofi kinez, Konfuci thotë: ‘Në qoftë se ndonjë djalë që kompozon këngë, ikën para kohe nga kjo botë, për atë nuk ia vlen që të derdhësh lot, sepse, pas një minute, në varrimin e tij, qindra djem dhe vajza do të këndojnë këngët e tij’. Dhe vërtet, kur ne hidhnim dhe mbi arkivolin e Otit, Radio-Tirana dha program me këngët e tij. Mirëpo vdekja që parapriu fundin e historisë së jetës së tij, ishte tepër e herët që ai të vdiste. Çdo prind pasi humbet gjënë më të shtrenjtë që është fëmija, mbështjell kokën me jorgan dhe sjell ndër mënd të gjitha rastet që ka pasur mundësi dhe nuk i ka shfrytëzuar për të shpëtuar jetën e fëmijës. Një gjë të tillë bëmë ne për Kastriotin. Ato janë shumë por unë do të kujtoj disa raste që më kanë lënë mbresa dhe nuk do t’i harroj sa të jetë jeta”.
Zhani Ciko
“Kastrioti ishte një kompozitor me horizont intelektual të gjërë që jo vetëm asimilonte ide të ndryshme por edhe eksperimentonte forma të ndryshme muzikore në muzikën e tij…… Muzika e Kastriot Gjinit tregonte se ai nuk mund të qëndronte në kafazin e ngushtë të metrikës konservatore e të formave të vjetra. Ai është padyshim i veçantë, në muzikë me plot kuptimin e fjalës. Ai ishte i gjallë dhe i lirë. Ai shtrinte hapin drejt muzikës botërore. Kastrioti ishte absolutisht i veçantë në muzikën e tij të viteve ’70-të, pasi zbuloi intonacionet e ritmeve krejt të reja për atë kohë. Ai ishte përpara kohës…… humbja e tij ishte një humbje e madhe për muzikën shqiptare”.
Aleksandër Lalo
“Kastrioti doli pesë vjet më pas nga unë dhe të them të drejtën, kur dëgjova për herë të parë këngët e tij, ndjeva një “kundërshtar”, sepse ai hyri me potencë të plotë në muzikën shqiptare. Kastrioti ishte një njeri jugor. Planet harmonike i kishte tepër të veçanta dhe kalonte nga minori në minor, pra bënte paralele të tilla që s’i kishte bërë njeri. Kastrioti ishte dhe një artist që këndonte. Unë do ta krahasoja me Batistin e Italisë, që vazhdimisht eksperimentonte. Njeriu që eksperimenton, është dhe i guximshëm, që merr me vete dhe rrezikun. Dhe ai eksperimentoi me shumë sukses. Këngët e Kastriotit dallohen nga ato të kompozitorëve të tjerë dhe nga fakti, që ai kishte krijuar një vijë melodike nga të tjerët. Ai nuk influencohej apo imitonte të tjerët…… përkundrazi të tjerët vijuan që ta imitojnë. Ata që e kanë njohur, kanë pasur fatin që ta shohin edhe në kompozime apo në orkestrime e inçizime të ndryshme, e quanin edhe si geni i folkut të jugut, si një talent i rrallë dhe se ne së bashku me Shqipërinë kemi humbur një talent të madh”.
Alfons Balliçi
“Kastriot Gjini është kompozitor i papërsëritshëm. Atë mund ta përsërisë vetëm Kastriot Gjini”.
Osman Mula
“E takova për herë të parë në korridoret e Radio Tiranës. Më përgëzonte se kasha filluar që të merresha me muzikë. Kastrioti në atë kohë ishte afirmuar si kompozitor, dhe emri i tij ishte bërë shumë i dëgjuar, si për rininë ashtu edhe për mua. Ai ishte kompozitori më i dashur. Këngët e tij ishin mahnitëse, dhe jo vetëm ato, por dhe ai si personazh. Figura e Kastriot Gjinit merr përmasa gjigande, veçanërisht kur krahasohet me ato përfaqësues të artit prapanik dhe kosnervator. Aftësitë e tij gjeniale, dhe njohja e thellë e kulturës muzikore botërore, e ndihmuan atë në artin e tij. Figura e tij u lartësua akoma dhe më tepër, sepse ai kompozoi një muzikë të re, duke u larguar nga skllavëria e kallëpeve të vjetruara artistike. Të mos harrojmë që Kastrioti çau në një kohë kur çensura bënte kërdinë, por ai është padyshim kompozitori më i madh shqiptar i viteve ’70-të. Ky është vlerësimi që i bëjmë këtij kompozitori të paarritshëm”.
Luan Zhegu
“Këngët e Kastriotit ishin të veçanta sepse ato dalloheshin për freskinë e tyre dhe për hovin rinor. Ai prekte në ndjenja të gjithë dëgjuesit dhe adhuruesit e tij në mbarë vëndin. Meloditë e këngëve të tij ishin aq të veçanta, saqë njerëzit thonin që këto janë këngët e Kastriot Gjinit. Unë në disa këngë kam ndjekur stilin melodik të Gjinit dhe padyshim që më kanë dalë shumë të bukura. Figura e tij që ndriti muzikën e lehtë shqiptare, do të shërbente si një frymëzim për të gjithë ne. Por fatkeqësia ishte, se këngët e tij nuk jetonin gjatë. Megjithëse ato mirëpriteshin nga rinia, ato dallohehsin dhe nga pushtetarët sapo dilnin në dritë…… Unë kam ndër mënd që të bëjë disa gjëra për të, se i meriton…… Dhe kjo është shumë pak për Kastriot Gjinin”.
Zija Saraçi
“Më ftoi të pinim kafe. Gjatë bisedës i thashë se kisha krijuar strofën e një kënge, por kisha ngecur tek refreni. Dëgjoje strofën – i thashë. Dhe fillova ta këndoja. Kur e mbarova i’a përsërita, se si mund ta vazhdoja këtë strofë kënge. Ai qeshi, ashtu bukur e miqësisht, siç qeshte ai, dhe më tha: Mirë atëhere vazhdojmë bashkë. Dhe me fantazinë e tij, menjëherë i dha një refren të bukur asaj kënge, që unë kisha ditë pa e zgjidhur. Unë e regjistrova në magnetofonin tim atë këngë të mbaruar nga Oti. Mbas tre-katër ditësh, i’a përsërita në radio dhe ai qeshi me të madhe. U ulëm në piano dhe e strukturuam përfundimisht. Kështu nga ai kompozitor i madh dhe i paharruar, unë kam në repertorin tim, një këngë të përbashkët, të cilën për fat të keq, nuk mund ta këndoj, sepse provova atë disfatë që për shumë vite më largoi nga pasioni i jetës sime. Në një moment të caktuar, atë do ta këndoj. Tek Oti kishte vetëm virtyte të mira. Ato ishin mbledhur tek ai, sikur të ishin cilësi më të mira të 10 njerëzve së bashku… Kur ulje me orkestruesit e këngës së tij, ai u jepte si “llokum”, gati të gjithë harmoninë dhe linjat e instrumenteve që do të formonin orkestracionin. Për mua, me ikjen e Kastriotit, Shqipërisë i iku një udhërfyes i muzikës moderne. Në kompleksitetin e tij, ai ishte një Luço Batisti i Shqipërisë. Edhe ai i dha një drejtim tjetër muzikës italiane… Oti i mahniste kompozitorët profesionist… Ai u thoshte se ata duhej të përdornin resurset popullore”.
Naim Kërçuku
“Me këngën e kompozuar nga Kastrioti ‘Sa mimoza ka kjo rruga jonë’, e këndova në festivalin e Durrësit dhe fitova çmimin e parë. Ishte kjo kënga e Kastriotit që më bëri të gëzohem pa masë… Ai kishte talent të lindur. Një ditë shkuam të vizitonim aksionistët në hekurudhën Durrës-Rrogozhinë. Qëndruam tek një urë që sapo ishte ndërtuar, aty ishte një vajzë e një djalë që po shkruanin inicialet e emrave të tyre. Oti i pyeti: Pse i shkruani me iniciale? Vajza u përgjigj: sepse nuk e kemi shpallur akoma fejesën. ‘Atëhere, ju të trashëgoheni, kurse mua e Naimit, na frymëzuat të bëjmë një këngë dhe titullin do i’a vëmë “Inicialet”, këngë të cilën e këndova në anketën e Radio Tiranës dhe fitoi. Që nga ajo ditë u lidha ngushtë me Otin dhe familjen e tij të mrekullueshme dhe nuk u ndava deri sa ai u fik…Kanë kaluar vite dhe unë e kujtoj dhe nuk do ta harroj kurrë Otin me familjen e tij, si mikun më të mirë të të gjitha kohërave”.
Françesk Radi
“Për herë të parë i shkova në shtëpi, që e kishim afër. Më priti me përzemërsi dhe shpejt më krijoi një ambjent të ngrohtë, sikur ishim shokë të vjetër…’Ndjek me vëmendje krijimet e tua,-tha dhe më pëlqejnë. Je njeri me koncepte modern. T’i këndon këngë në një mënyrë të veçantë, që i pëlqejnë rinisë. Edhe unë mundohem të bëj këngë me motive, të veçanta, por nuk di nëse do t’ia arrij qëllimit, se edhe kufizimet janë të dukshme. Kjo na pengon, mua dhe ty, e shumë të tjerë. Sidoqoftë le ta provojmë veten dhe në këto kushte. Mallkova veten, sepse nuk kisha krijuar mundësi ta njihja më parë. Sa herë që ai bënte këngë dhe unë po ashtu, i’a tregonim njëri tjetrit dhe i bënim sygjerime përkatëse. Kur kompozova këngën “Biçikleta” dhe ai “Fqinjën” dhe të dyja konkuruan në një anketë, ai më tha: Ore rrufjan, ti me “Biçikletën” tënde, po ndjek “Fqinjën” time?! Dhe spikeria, kur transmetonte këngët e lançonte: “dhe tani do dëgjoni, se si “Biçikleta” e Françesk Radit, ndjek “Fqinjën” e Kastriot Gjinit…Kisha kompozuar këngën “Adresa” dhe shkova e i’a tregova. ‘E ke shumë të bukur, shumë rinore’, më tha. I kërkova mendim se kujt t’i thoja për të më bënte tekstin. Pasi u mendua pak, më tha: ‘Në qoftë se pranon, t’ia bëj unë’? Dhe e bëri. Fantazia e tij mori krah dhe teksti trupëzoi këngën tonë. Është një nga këngët e mia më të dashura që më ngacmon thellë në shpirt dhe kujtime…Kastrioti muzikën e kishte poezinë e shpirtit, fjalët i kishte poezi të mendjes. Ai ndjente thellë dhe shihte larg. Ai u shua si perëndimi i diellit, duke lënë pas afshin dhe zjarrin e shpirtit, veprën e tij…”
Lili Tafai
“E veçanta e Kastriotit, ishte se ai e gëzonte jetën, duke marrë më të mirën. Atë e derdhte në këngët e tij magjepsese. Ai çmonte muzikën klasike. Unë ia vlersoja mençurinë dhe konsultohesha shpesh me të, duke i thënë: Ti ke prirjetë mëdha edhe për muzikën klasike’. Ai më thoshte: ‘Është herët. Mos u nxito e kam në plan dhe së shpejti do të shihemi edhe në atë fushë’. Më habiste me vërejtjet që më bënte, tamam si një profesionist i përsosur. Dhe tani që po shkruaja, më del para syve portreti i tij ëngjëllor, talenti i tij i paarritshëm, njeriu i veçantë, që nuk e takova më në jetën time. Edhe një mijë vjet po të jetoja, atë fytyrë ëngjëllore nuk do ta harroj kurrë”.
Ema Qazimi
“Nuk do të gjej fjalë që të përshkruaj portretin e Kastriot Gjinit. Ai i ngjante atij njeriu të bukur e të veçantë, që nxirrte nga goja vetëm fjalë, mjalti. Ta kishte ënda të bisedoje me të. Ai kishte një shpirt të dlirë si loti dhe të shkëlqyer si yjet. Një ditë e ndalova tek porta e Radios dhe i thashë: E more Oti, pse nuk ma ke dhënë edhe mua një këngë edhe unë di të këndoj? U kthye, më përqafoi dhe më tha: ‘Eee ti Ema, kërkon këngë të rënda, unë nuk ua kam marrë dorën atyre këngëve (me këtë donte të thoshte, se nuk më pëlqejnë), por nuk e shprehu… Megjithëatë, do të të jap një këngë, që të të përshtatet natyrës tënde. Më pëlqen jo vetëm zëri jot i bukur, por edhe se i ngjan Emës, personazhit të famshëm të Floberit. Kënga titullohet ”Udha e këngës time”… Unë do të thoja se tek Oti, shikoje vetëm mirësi, zemërgjerësi, dashur për muzkën, shokët etj. Kur e kujtoj, pika e lotit më shkon. Ai do të mbetet i pavdekshëm përmes veprës së tij”.
Kozma Dushi
“Sa herë që dëgjoj këngët e tij, sa herë që lexoj shkrimet për Kastriot Gjinin, më del përpara portreti ëngjëllor, dhe shumë i dashur i tij. Këndova në marsin e vitit 2001 këngën “Kabina tre” në Durrës, dhe më bëri përshtypje, që më kthyen me duartrokitje tre herë në sallë, ndërsa në refren filluan të këndonin me mua të gjithë në sallë. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm, që më ka dhënë vetëm kënga e Kastriot Gjinit. Oti, ishte një prodhimtar i paimagjinueshëm, për kompozim këngësh. Këngëtarët zinin rradhë për të marrë nga Kastrioti këngë”.
Liliana Kondakçi
“I këndoja me shumë passion se më nderonin këngët e Kastriotit, Oti të mësonte gjëra të veçanta, ishte një shkollë më vete bashkpunimi me Kastriotin. Ai të mësonte edhe se si duhej kënduar kënga. Ai këndonte edhe vetë. Kënga “Shtegtimi”, që u’a kushtonte njerëzve të familjes së mamasë, ishte një melodi që më ka mbetur në shpirt dhe që e këndoj edhe sot. Kam marrë shumë falenderime kur këndoja këngët e Kastriotit. Këngët e tij na kanë nderuar ndaj do të vazhdoj t’i këndoj. Ky është edhe respekti dhe dashuria që këmi për të, për emrin dhe veprën e tij”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016