Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Sami Binerit me origjinë nga fshati Fushë-Bardhë i Gjirokastrës, familja e të cilit gjatë periudhës së Luftës u angazhua e gjitha me Lëvizjen Antifashiste, ku vetë Samiu me pseudonimin e Luftës “Gjirokastra”, arriti deri komandant Batalioni në Brigadën e XII-të Sulmuese dhe në Kongresin e Përmetit, u gradua oficer me gradën e kapitenit, pasi kishte marrë pjesë në luftimet që kishin zhvilluar forcat partizane deri në Vishegrad, ku ai ishte plagosur dy herë. Si filloi goditja ndaj Samiut pas vitit 1944, kur kushëriri i tij i parë, Kapiten Rrapo Bineri, ish-Shef i Shtatmadhorisë së forcave të Legalitetit, u largua nga Shqipëria së bashku me Abaz Kupin dhe eksponentë të tjerë nacionalistë. Si u arrestua dhe u burgos tetë herë Samiu, nga viti 1946 deri në 1973, me akuza të ndryshme të karakterit politik dhe zhdukja misterioze e tij pas dënimit të fundit që edhe pse ishte akuzuar për “bixhoz”, u morr nga Sanatoriumi i Tiranës dhe u dërgua në burgun e Burrelit, ku dhe humbën gjurmët e tij. Dëshmia e së bijës, Moza Bineri, për vuajtjet e gjatë të gjyshes së saj, që kërkonte të birin nëpër burgjet e regjimit komunist dhe fjalët që i tha asaj ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, kur i doli para makinës së tij.
Sami Bineri, komandant partizan
Sami Bineri u lind në shkurtin e vitit 1925 në fshatin Fushë-Bardhë të Gjirokastrës, prej nga është dhe origjina e asaj familje të njohur në atë krahinë. Familja e Samiut, përbëhej nga babai i tij, Lulo Bineri, nëna Safoja, tre vëllezërit Selimi, Dalani, Hiqmeti dhe motra Merushja. Gjatë viteve të Luftës e gjithë familja Bineri u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste dhe shtëpia e tyre si në fshatin Fushë-Bardhë, ashtu dhe në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, ku ata u vendosën më pas, u bë një nga bazat më të fuqishme ku strehoheshin ilegalë dhe partizanë. Samiu së bashku me vëllanë e tjetër Selimin, dolën partizanë që me krijimin e çetave të para në Qarkun e Gjirokastrës. Samiu si fillim u inkuadrua në Çetën “Plakë” të Vlorës, ku u bë një nga partizanët më me emër dhe për meritat që tregoi në luftimet e zhvilluara, ai u caktua Komandant i Batalionit të Tretë, në Brigadën e 12 Sulmuese. Po kështu ai mori pjesë si delegat në Kongresin e Përmetit në 24-majin e vitit 1944, ku u titullua oficer dhe i’u dha grada e kapitenit. Gjatë viteve të Luftës, Sami Bineri me pseudonimin “Gjirokastra”, mori pjesë në shumë beteja, u plagos dy herë. Lidhur aktivitetin e Sami Binerit gjatë periudhës së Luftës, kanë dhënë dëshmitë e tyre edhe ish-ushtarakët-kuadro e veteranët të Luftës, si: Xhemal Shehu, Luto Haxhiu e Ymer Veshi, të cilët midis të tjerash tregojnë: “Samiu ka qenë pjesëmarrës aktiv i Luftës Nacionalçlirimtare, partizan trim e i vendosur i orëve të para dhe për meritat e veçanta që ai tregoi gjatë Luftës, u rrit në përgjegjësi duke u caktuar deri në funksionin e Komandantit të Batalionit të Tretë në Brigadën e 12-të Sulmuese”. Për aktivitetin e Sami Binerit gjatë viteve të Luftës, kanë dhënë kujtimet e tyre edhe veteranët Cane Rama dhe Kristaq Haxhimihali, të cilët midis të tjerash kanë shkruar: “Në sulmin e parë mbi kazermat e Drashovicës, u hodhën mbi telat me gjemba djemtë luanë: Halim Xhelo, Kastriot Muço, Sami Bineri (“Gjirokastra”) Asllan Gjika, Fadil Dauti, Mahmut Myftiu, Hasan Kushta etj”. (Revista “Mbrojtja” Nr 12. Viti 2000, fq. 82) Kurse gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë, familja Bineri humbi pa asnjë gjurmë në burgun e Kaçanikut, njërin nga djemtë e saj, Dalanin, vëllai i Samiut.
Fillimi i goditjes ndaj Samiut në 1946-ën
Ndonëse Sami Bineri kishte qenë një nga partizanët e njohur dhe kuadrot e Luftës, ai u godit nga regjimi komunist, që në vitin 1946 dhe arsyeja kryesore e goditjes së tij, ishte biografia e rrethit të tij familjar, pasi një nga kushërinjtë e parë të Samiut, i quajtur Rrapo Bineri, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Romë dhe kishte shërbyer si oficer i Monarkisë së Zogut, ishte arratisur nga Shqipëria në nëntorin e vitit 1944, pasi kishte marrë pjesë si Shef-Shtabi i forcave të Legalitetit, në periudhën e Luftës. Kjo gjë ishte më se e “mjaftueshme” për regjimin komunist, që Sami Binerit, jo vetëm t’ i mohoheshin të gjitha meritat e Luftës, por dhe të çmobilizohej e të dënohej me burg. Lidhur me këtë, e bija e tij, Moza Bineri tregon: “Që nga viti 1947 e deri në vitin 1973, babai im Sami Bineri është dënuar tetë herë me vendime gjykatash, duke hyrë e dalë nëpër burgje. Arsyeja e vërtetë e goditjes së tij ishte ana biografike e rrethit tonë familjar, ndërsa në akuzat e montuara që i bëheshin, shkruheshin gjëra nga më të çuditshmet, si: “largim pa leje nga shkolla”, “abuzim me pasurinë socialiste”, “agjitacion e propaganda”, “luajtje bixhozi” etj. Të gjitha këto akuza që i bëheshin babait tone, kishin si synim të vetëm degradimin e tij, sepse pasi e arrestonin, e mbanin në hetuesi, e nxirrnin në gjyq ku ai merrte pafajësinë dhe përsëri e arrestonin dhe e dënonin me burg”.
Dënohet 8-vjet burg në 1965-ën
Që nga viti 1946 kur Sami Bineri u dënua për herë të parë me burg, ai u dënua edhe shtatë herë të tjera, duke hyrë e dalë nëpër burgje, deri sa në vitin 1973, hyri dhe nuk doli më i gjallë. Lidhur me dënimet e Samiut, i vëllai i tij, Selim Bineri, tregonte: “Që kur u godit në 1946-ën për problemet e biografisë të rrethit tonë familjar, Samiu filloi pakënaqësitë ndaj regjimit komunist dhe sa ishte gjallë nuk e deshi më atë regjim. Si rezultat i bindjeve të tij, në vitin 1951, ai u dënua me tre vjet burg nën akuzën e “agjitacionit e propagandës”. Edhe pasi doli nga burgu, ai fliste fare hapur me shumë nga shokët e tij të Luftës dhe në shenjë urrejtje për regjimin komunist, Samiu bëri dhe martesën e tij me Luluka Qeskën, vajzën e Bektash Beut të Sarandës, kur dihej shumë mirë nga të gjithë se ai ishte i shpallur si “armik i pushtetit popullor”. Shumë nga shokët e Luftës të Samiut, donin ta ndihmonin atë, por ai nuk pranonte dhe i’u fliste atyre hapur kundër regjimit komunist dhe udhëheqjes së lartë të PPSH-së. Një nga ata shokë të Luftës që e ka dashur shumë Samiun, ka qenë edhe zv / ministri i Brendshëm, gjeneral-major, Halim Xhelo, i cili vinte shpesh për ta takuar dhe i thoshte: Sami gjej një punë ku të dush dhe më thuaj të të ndihmoj. Por Samiu nuk pranonte kurrsesi dhe i thoshte: Halim, unë nuk pranoj asnjë punë nga këta”.
Zhdukja pa gjurmë në 1974-ën
Po ndërsa Sami Bineri ishte dënuar me tre vjet burg për “luajtje bixhozi” dhe vuante dënimin në burgun e Tiranës, (Reparti 313), ai u dërgua për kurim në Sanatoriumin e Tiranës, ku dhe humbën përfundimisht gjurmët e tij. Lidhur me këtë vajza e tij, Moza Bineri tregon: “Ndërsa babai vuante dënimin me burg dhe ishte i shtruar në Sanatoriumin e Tiranës, atë shkuan dhe e morën nga aty dhe e dërguan në burgun e Burrelit. Transferimin e tij në atë burg, familja jonë e mësoi nga Drejtori i Sanatoriumit, i cili i dëshmoi nënos sonë Safos, se të birin e saj, Samiun, e kishin dërguar në Burgun e Burrelit. Në atë kohë që e morën nga Sanatoriumi dhe e dërguan në burgun e Burrelit, ne u habitëm sepse në atë burg, vuanin dënimin të burgosurit politik, ndërsa babai ishte dënuar për bixhoz. Nisur nga kjo gjë, gjyshja jonë Safua, më mori mua për dore dhe shkuam afër vilës së Kadri Hazbiut, tek “Rruga e Elbasanit” dhe i dolëm atij para makinës, ndërsa ishte duke dalë nga shtëpia. Kadriu doli nga makina dhe na takoi, e kur nënoja i tha se: ‘ku e kam djalin Samiun’, ai i’u përgjigj: ‘Nëno, mblidh fëmijët, se ti je trimëreshë, lëre punën e Samiut’. Pas kësaj, ne shkuam dhe takuam zv / ministrin e Brendshëm Feçor Shehu, i cili na tha se: përgjigjen për Sami Binerin, do ta merrnim nga Kuvendi Popullor. Edhe pas përgjigjes së Feçor Shehut, ne vazhdonim të kërkonim rreth fatit të babait dhe shkuam në Drejtorinë e Brendshme të Tiranës, ku na thanë se: për Sami Binerin duhet të shkonim në burgun e Burrelit. Kur shkuam në Burrel, unë prita tek dera e burgut, kurse gjyshen e thirrën tek oficeri i rojës, ku i komunikuan se: ‘Samiu ishte pushkatuar’ dhe i dhanë rrobat e tij. Gjyshja doli menjëherë dhe kur erdhi tek mua, që prisja jashtë, nuk më tregoi se ai ishte pushkatuar, por më tha se: nuk do e takonim dot babanë, pasi e kishin shpënë në një burg tjetër. Ne vazhduam të kërkonim përsëri por asnjëherë nuk morëm asnjë përgjigje zyrtare rreth të vërtetës, se pse ishte pushkatuar babai ynë. Pas ekzekutimit të babait, familja jonë i’u nënshtrua persekucionit dhe ne fëmijët e tij u privuam nga shumë të drejta që na takonin. Po kështu, ajo që më vrau më shumë mua shpirtërisht, ishte vendimi që morën në atë kohë Kadri Hazbiu me Ali Vukatanën, të cilët e detyruan burrin tim oficer, i cili më divorcoi mua në moshën 17-vjeçare, kur isha dhe shtatzënë”.
Misteri i zhdukjes së Sami Binerit
Siç del dhe nga dëshmitë e vajzës së Sami Binerit dhe nga dokumentet arkivore, që ajo disponon të nxjerra nga arkivat pas viteve ‘90-të, Sami Bineri, është marrë nga Sanatoriumi i Tiranës ku vuante dënimin për “bixhoz” dhe është çuar në burgun e Burrelit, ku dhe është ekzekutuar. Në vendimin e dënimit të Sami Binerit thuhet: “Me vendim nr. 124 dt. 14.4.1973, të Gjykatës së Rrethit Tiranë, Sami Bineri është deklaruar fajtor për krimin e luajtjes së bixhozit dhe mbajtje lokali për bixhoz dhe në bazë të nenit 285 / II e 285 / I të K. P. e 48 të K. P. është dënuar me tre vjet heqje lirie. Ndërsa Samiu ka qenë duke vuajtur këtë dënim në spitalin e burgut, (Sanatoriumi i Tiranës), ai është dërguar në burgun e Burrelit, ku në vendimin e ekzekutimit të tij thuhet: “Me vendim nr. 11. Dt. 2.3.1974 të Gjykatës së rrethit Mat, Sami Bineri është deklaruar fajtor për krimin e vjedhjes së pasurisë socialiste dhe në bazë të nenit 80 / 1 të K.P. është dënuar me vdekje”. Këto dy vendime janë tepër kontradiktore me njëri tjetrin, sepse ndërsa Samiu ka qenë duke vuajtur dënimin me burg për bixhoz, është ri arrestuar dhe është dënuar me vdekje për krimin e “vjedhjes së pasurisë socialiste”. Dënimi i Sami Binerit me vdekje, lë shkas për shumë dyshime, të cilat kanë të bëjnë me dëshmitë e Avdul Hakan Banushit, (me origjinë nga Golemi i Gjirokatrës) i cili pasi ishte arratisur nga Shqipëria në vitet ’50-të dhe kishte qëndruar në SHBA-ës, duke u vënë në shërbim të CIA-s, u arrestua në shtatë prillin e vitit 1975, në afërsi të klonit në zonën kufitare të Hanit të Hotit, teksa tentonte të hynte ilegalisht, me një mision sekret në Shqipëri. (Arrestimi i Banushit u bë pas një gracke të ngritur nga ministri i Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, me anë të disa njerëzve të Sigurimit të Shtetit, që i solli nga SHBA-ës). Nga disa dokumente arkivore si dhe nga dëshmitë e Avdul Banushit të publikuara, ai kishte deponuar gjatë procesit hetimor, se “gjatë vitit 1974-’75, kur kishte hyrë disa herë ilegalisht në Shqipëri, madje duke ardhur deri në Tiranë me mision sekret, për të vrarë Enver Hoxhën, bashkë me grupin e tij, ishin strehuar tek shtëpia e Sami Binerit në një apartament tek pallatet e “Shallvareve” në qendër të Tiranës”. E pyetur rreth kësaj, Moza Bineri tregon: “Unë nuk mund të them ndonjë gjë të saktë rreth kësaj, sepse në atë kohë kam qenë e vogël, por di se në shtëpinë tonë vinin disa njerëz për të cilët, nënoja Safoja, na thoshte se ishin miq nga fshati. Ndërsa, vëllai i Samiut, Selim Bineri tregon: “Unë në atë kohë kam punuar shofer dhe largohesha me ditë të tëra nga shtëpia jonë tek “Shallvaret”, sepse bëja rrugë të gjata. Por mbaj mënd se Avdul Banushi ka ardhur në atë kohë në shtëpinë tonë i maskuar me një kasketë në kokë dhe pasi ka biseduar me nënën tonë Safon, është larguar pa hyrë brenda. Them se Avdul Banushin dhe grupin e tij në atë kohë, tek ne duhet t’ i ketë strehuar nëna jonë Safoja”. Siç del edhe nga këto dëshmi, zhdukja pa asnjë gjurmë Sami Binerit në vitin 1974, hedh hije dyshimi se: ai është ekzekutuar për arsye se Sigurimi i Shtetit, ka pasur të dhëna e dyshonte se në shtëpinë e tij ishin strehuar agjentë, që vinin nga jashtë. Por lidhur me këto, një nga ish-kuadrot e lartë të Sigurimit të Shtetit, (që preferon të mbetet anonim), dëshmon se ngjarja me Avdul Banushin ka qenë e kurdisur nga segmente të veçanta të Sigurimit të Shtetit të asaj kohe, për të fituar lavdi dhe për t’u dukur para udhëheqjes së Ministrisë së Brendshme dhe Enver Hoxhës, sikur ata “i’a kishin shpëtuar jetën udhëheqësit kryesor të Partisë, duke zbuluar dhe neutralizuar agjentin e CIA-s, Avdul Banushin, që kishte hyrë ilegalisht në Shqipëri, me mision për të vrarë me atentat Enver Hoxhën, gjatë paradës së madhe të 28 nëntorit me rastin e 30 vjetorit të çlirimit, kur ai do dilte në tribunën e udhëheqjes, e cila brenda natës u spostua nga sheshi para Hotel “Dajti”, për tek kryeministria”. Dhe viktimë e këtyre makinacioneve që inskenonte asokohe Sigurimi i Shtetit, ka mbetur edhe Sami Bineri, të cilin e kanë ekzekutuar si “strehues të agjenturës së huaj”, për të humbur gjurmët./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016