Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes Libohova, me origjinë nga qyteza me të njëjtën emër në Jug të Shqipërisë dhe me banim në Lushnje, që nga periudha e Monarkisë së Zogut, e cila pas vitit 1944, u nda “më dysh” nga regjimi komunist i Enver Hoxhës i porsaardhur në pushtet. Dëshmia e Gëzim Libohovës, ish-partizan i Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Shehut dhe pas Luftës si regjisor i Estradës Profesioniste të rrethit të Lushnjes, për familjen e tij, ku dy vëllezërit e tij, Skënderi me Aqifin, që ishin vrarë në Luftë u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” dhe u nderuan si të tillë, i ati i tyre, Tekiu, me djalin e madh, Rexhaiun, u dënuan me burg politik, duke u etiketuar si “armiq të popullit”.
Kush ishte Rexhai Libohova
Kush ishte Rexhai Libohova, ku ishte shkolluar ai dhe cila ishte e kaluara e tij gjatë viteve të Monarkisë? Lidhur me këtë, i vëllai i tij Gëzimi dëshmonte: “Rexhaiu që ishte dhe vëllai ynë i madh, u lind më 27 maj të vitit 1912, në qytetin e Lushnjes dhe duke qenë djali i madh i familjes, ai u rrit nën kujdesin e gjyshes sonë, Nysietit, e cila i qëndronte gjithnjë pranë. Gjatë ditëve që zhvillonte punimet Kongresi i Lushnjes, në janarin e vitit 1920, disa nga delegatët e asaj mbledhje të famshme, që ishin miqtë e babait tonë, e morën Rexhaiun, brenda shtëpisë ku zhvillohej Kongresi dhe nga ajo kohë ne ruajmë një fotografi që ata bënë me të. Në vitin 1922, kur senatori francez, Justin Godart, bëri një vizitë në Shkollën Femërore të qytetit të Lushnjes, Rexhaiu i vogël i doli para duke i uruar mirëseardhjen pa e porositur njeri. Miku francez, u çudit nga ai xhest dhe më pas i’u lut gjyshit tone, Halid Efendiut, që ta merrte Rexhaiun e ta shkollonte nën kujdesin e tij në Francë. Gjyshi në fillim i’a dha pëlqimin, por më pas, duke parë shqetësimin e gjyshes sonë, të nesërmen i tha Godartit, se nuk mund t’ia jepte djalin me vete, pasi e kishte të vështirë, që ta shkëpuste nga gjyshja. Pasi Rexhaiu mbaroi shkollën, babai ynë, Tekiu, vendosi që ta dërgonte për të studiuar në Itali. Kështu në vitin 1928-të, ai u regjistrua në Kolegjin Internacional “Monte Maria” të Romës (shkollë tre-vjeçare), të cilën ai e mbaroi në vitin 1930-të. Pas kësaj, Rexhaiu u kthye në Shqipëri dhe babai e dërgoi në qytetin e Vlorës, që të vazhdonte përsëri mësimet në Shkollën Tregtare, të cilën ai e mbaroi në vitin 1933. Pas kësaj, me insistimin e disa të afërmve të familjes sonë, babai e dërgoi Rexhaiun në Selanik të Greqisë, ku ai studioi në Institutin Tregtar Italian të atij qyteti, u diplomua për Raxhioneri (Financë). Pasi u kthye në Shqipëri, ai fitoi një konkurs dhe iu dha e drejta për të punuar si sekretar-konsulent financiar, në Dhomën e Tregtisë të qytetit të Elbasanit. Në këtë qytet, Rexhaiu u njoh dhe u martua me vajzën e Shefqet Daiut (Ikbalen), i cili kishte shërbyer si sekretar i Ismail Qemalit dhe në vitin 1912-të, kishte nënshkruar me dorën e tij aktin e Shpalljes së Pavarësisë në gjuhën osmane. Ndonëse Rexhaiu punonte në Dhomën e Tregtisë së atij qyteti, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ai ndiqte më vëmendje zhvillimet politike në vend. Për këtë ai nxitej edhe nga xhaxhai ynë, Dr. Mustafa Libohova, i cili ishte tepër i njohur në rrethet politike të asaj kohe, pasi në vitin 1923, kishte vënë kandidaturën për deputet, me grupin e opozitës që kryesohej nga Fan Noli. Gjatë atyre viteve, Rexhaiu, pjesën më të madhe të kohës e kalonte duke u marrë me aktivitetin e tij profesional,në Dhomën e Tregtisë dhe në shtëpi, duke lexuar libra të ndryshëm nga biblioteka jonë e pasur, të cilën ai e kishte krijuar vetë”.
Arrestimi i Rexhaiut nga italianët
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Rexhaiu ishte një nga ata, që pas 7 prillit të vitit 1939 e kundërshtoi hapur agresionin dhe doktrinën fashiste, e si rezultat i kësaj, ai u fut në listat e atyre personave, që italianët vendosën t’i internonin në Itali. Pas internimit në Itali, në vitin 1940-të, atë e dërguan për të vazhduar Shkollën e Plotësimit të Oficerëve në qytetin e Spoletos. Duke qenë se Rexhaiu nuk kishte asnjë dëshirë që të dilte oficer, komanda e shkollës e përjashtoi nga radhët e saj me motivacionin; “për paaftësi”. Pas kësaj, Rexhaiu u kthye në Shqipëri dhe u vendos përsëri në qytetin e Elbasanit, ku e priste bashkëshortja e tij, Ikbalia. Në atë kohë në Elbasan, vazhdonte shkollën “Normale” dhe vëllai tjetër yni, Skënderi dhe ata ishin aq shumë të lidhur me njëri-tjetrin, saqë nuk bënin asnjë veprim, pa rënë të dy në një mëndje. Që nga fillimi i vitit 1941, Rexhaiu u lidh ngushtë me rrethet antifashiste që vepronin në Elbasan dhe si rezultat i kësaj, në 7 nëntor të vitit 1941, ai u arrestua nga italianët dhe u dërgua në burgun e Tiranës. Gjykata e Lartë Ushtarake e dënoi me tre vjet burg, për aktivitetin e tij antifashist (aktakuza me Nr. 4337 / 3435 R.S.) dhe pasi u mbajt në burgun e Tiranës deri në majin e vitit 1942, u transferua për në burgun e Elbasanit. Në atë burg Rexhaiu qëndroi deri në muajin nëntor të vitit 1942, kur u lirua me rastin e një amnistie për nder të Ditës së Flamurit. Gjatë kohës që Rexhaiu vuante dënimin në burgun e Elbasanit, në prillin e vitit 1942, atij i lindi vajza Elisabeta dhe e ëma Ikbalja, ia çoi për ta parë, prapa hekurave të burgut. Aty nga dhjetori i vitit 1942, në shtëpinë e Rexhaiut në Elbasan, e cila ishte fare ngjitur me atë të Tomorr Sinanit, shkoi Enver Hoxha dhe u takua me të. Pasi i uroi daljen nga burgu, Enveri i bëri thirrje Rexhaiut,që ai të rreshtohej në radhët e Frontit Nacionalçlirimtar dhe i rekomandoi që të shkonte në qytetin e Lushnjes, ku ishte dhe familja e prindërve tanë. Rexhaiu pranoi me kënaqësi që të radhitej, në anën e Frontit, por ai nuk pranoi të vinte në Lushnje, duke i thënë Enverit, se atje rrezikohej, pasi i kishte të tre vëllezërit të lidhur me Luftën. Ndonëse Enveri nuk e kundërshtoi dhe pas kësaj, ata u ndanë miqësisht, ai qëndrim skeptik do t’i kushtonte rëndë Rexhaiut”, kujtonte Gëzim Libohova për vëllanë e tij Rexhaiun.
Dënimi me burg politik i Tekiut dhe Rexhaiut
Ndonëse aty nga fundi i vitit 1944, dy djemtë e familjes Libohova, Gëzimi me Skënderin ishin partizanë dhe vëllai tjetër Aqifi ishte vrarë në Luftë, babai i tyre, Tekiu, me djalin e madh Rexhaiun, u arrestuan nga komunistët. Gëzim Libohova tregonte: “Babai ynë Tekiu u arrestua nga komunistët, si njeri i “dyshimtë” që në datën 5 nëntor të vitit 1944 (me urdhër Nr. 431) të firmosur nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe pasi u mbajt për disa kohë i arrestuar, u mësua se ishte babai i tre partizanëve e u lirua. Po kështu disa muaj më pas, në fillimin e vitit 1945-së, u arrestua dhe Rexhaiu, i cili kishte dhënë një kontribut të madh në Luftë, jo më pak se ne tre vëllezërit e tjerë. Ai u nxor para Gjyqit Special për “Kriminelët e Luftës”, duke u akuzuar se kishte qenë shkaktari kryesor për zbulimin e Këshillit Nacionalçlirimtar të Elbasanit dhe arrestimin e Tomorr Sinanit. Ndonëse të dy ato akuza absurde u rrëzuan e u hodhën poshtë, nga vetë nëna e Tomorr Sinanit dhe arsimtari i nderuar Hysen Dylgjeri, Rexhaiu, u dënua me pesë vjet burg, të cilat i vuajti në kampin e Maliqit dhe Vloçishtit. Ai u lirua në majin e vitit 1949-së dhe kur u kthye në shtëpi, e gjeti babanë të vrarë moralisht dhe shpirtërisht, nga qëndrimi që kishin mbajtur komunistët ndaj familjes sonë, që kishim dhënë gjakun e dy vëllezërve në Luftë. Në vitet që pasuan, regjimi komunist ra në “hall” me familjen tonë dhe nuk dinte si të na cilësonin: “Familje të deklasuarish”, apo “Familje dëshmorësh”?! Por sidoqoftë, “zgjidhja” u gjet dhe për çdo 5 maj, që ishte “Dita e Dëshmorëve”, autoritetet e larta të rrethit të Lushnjes, vinin për vizitë vetëm tek shtëpia ime, meqenëse kisha qenë partizan, për të nderuar kujtimin e Aqifit e Skënderit, kurse tek Rexhaiu, që banonte vetëm pak hapa më larg, nuk shkeli njeri asnjëherë”, përfundonte rrëfimin e tij, Gëzim Libohova, vëllai i dy Dëshmorëve të Atdheut dhe njëkohësisht djali dhe vëllai i dy “armiqve të popullit”.
Familja e Teki Libohovës, miku i senatorit francez, Justin Godard
Origjina e familjes së Teki Libohovës, apo siç njihet ndryshe me mbiemrin Ismailati, është nga qyteza jugore e Libohovës, së Gjirokastrës, prej së cilës ata kanë trashëguar dhe mbiemrin e tyre. Babai i Tekiut dhe njëkohësisht gjyshi i pesë vëllezërve Libohova, quhej Halit, ndërsa nëna e tij Nysieti, ishte nga fisi i njohur Kumbaro, po nga Libohova. Halit Libohova, kishte mbaruar studimet e larta dhe ishte diplomuar për Jurisprudencë në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, Stamboll. Pas mbarimit të studimeve, Halit Zenel Efendiu, siç e thërrisnin atë në shenjë respekti, u kthye në Shqipëri në vitin 1853 dhe u emërua Kadi (gjykatës) në Prefekturën e Berati, ku ai punoi për disa vjet me radhë. Bashkëshortja e Tekiut, quhej Hedije dhe ishte e bija e Elmaz Mustafarajt nga Kanina e Vlorës, një prej familjeve më të dëgjuara në atë krahinë, e njohur për kontributin dhe pjesëmarrjen e saj në luftërat që çuan në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, në 28 nëntorin e 1912-ës. Teki Bej Libohova, ishte një ndër miqtë më të ngushtë të politikanit dhe mikut të Shqipërisë, senatorit francez, Justin Godard, si dhe i patriotit të madh Aqif Pashë Elbasanit. Aq miqësi të ngushtë kishte Teki Libohova me Aqif Pashën, saqë djalit të tij të dytë, në shenjë respekti, ai i vuri emrin e tij, duke e quajtur Aqif. Aty rreth vitit 1903, për arsye ekonomike, familja Libohova (Ismailati), u shpërngul nga qyteza e Libohovës dhe u vendos në qytetin e vogël të Lushnjes në zemër të Myzeqesë dhe fushave të saj pjellore. Teki Libohova me bashkëshorten e tij Hedie Mustafaraj, patën tetë fëmijë dhe i pari i tyre ishte Rexhaiu, i cili u lind në vitin 1912. Pas tij vinin: Aqifi, (1914) Merzija, (1916) Skënderi, (1920) Fatbardha, (1926) Gëzimi, (1928) Fatosi (1930) dhe Liljana, (1934). Gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë, në vitet 1939-‘44, e gjithë familja e Teki Libohovës u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste dhe tre nga djemtë e saj: Aqifi, Skënderi dhe Fatosi, u inkuadruan në radhët e brigadave partizane, ndërsa vetë Tekiu dhe djali i tij i madh Rexhaiu, ndonëse nuk dolën partizanë, dhanë një kontribut të madh në atë luftë. Ndërsa pas vitit 1944, Aqifi me Skënderin që ishin vrarë në Luftë u shpallën “Dëshmorë të Atdheut” dhe eshtrat e tyre u vendosën në Varrezat e Dëshmorëve, babai i tyre, Tekiu, me djalin e madh Rexhaiun, u arrestuan dhe u dënuan me burg politik, duke u etiketuar si “armiq të popullit”.
Skënderi u vra në Vishegrad të Bosnjës, ndërsa Aqifi, në Skrapar
Aqif Libohova, që ishte dhe djali i dytë i familjes, pasi mbaroi gjimnazin në fillimin e viteve ‘30-të, u aktivizua si lojtar dhe trajner me ekipin e futbollit “Kongresi i Lushnjes”. Gjatë viteve të Luftës, ai mori pjesë aktive me njësitet guerile të qytetit të Lushnjes dhe për aktivitetin e tij antifashist, u arrestua nga italianët së bashku me vëllanë e madh Rexhaiun. Aqifi u mbajt në burgun e Tiranës, deri në prillin e vitit 1942 dhe më pas u lirua për mungesë provash. Më pas ai doli partizan me grupin e Myzeqesë dhe u vra, duke luftuar kundra gjermanëve në malin e Ostrovicës të rrethit të Skraparit. Skënderi, që ishte dhe i treti nga pesë vëllezërit e familjes Libohova, pasi mbaroi shkollën fillore në qytetin e lindjes në Lushnje, i vazhdoi më tej mësimet në “Normale”-n e Elbasanit, ku dhe u lidh ngushtë lëvizjen komuniste-antifashiste. Që në majin e vitit 1942, ai mori pjesë aktive në njësitin gueril të qytetit të Lushnjes dhe si rezultat i kësaj, autoritetet italiane e cilësuan atë, si një person me rrezikshmëri të lartë dhe nxitës të turbullirave. Pas kësaj për Skënderin u nxor, një urdhër nga Ministria e Arsimit ku ai u përjashtua nga Shkolla Tregtare e Vlorës (ku kishte shkuar pas mbarimit të “Normale”-s së Elbasanit) dhe nga të gjitha shkollat e Shqipërisë. Nisur nga kjo, ai u largua nga qyteti i Lushnjes dhe në dhjetorin e vitit 1942, u radhit, në të parën çetë partizane të Myzeqesë. Më 26 janar të vitit 1943, Skënderi mori pjesë dhe ishte organizatori kryesor i demonstratës së madhe antifashiste, që u bë në qytetin e Lushnjes, ku ai mbajti një fjalim para gjithë popullit, që ishte grumbulluar në atë protestë dhe si rezultat i asaj, ai u shpall person në kërkim, nga autoritetet italiane. Në prillin e vitit 1943, Skënderi i caktua me detyrën e Komisarit të Batalionit partizan të Myzeqesë, ku u dallua si organizator dhe drejtues i aftë, në luftimet që zhvilloi ai formacion partizan. Pak muaj më vonë, ai u dërgua me detyra drejtuese në Grupin partizan të krahinës së Shpiragut të Beratit dhe në marsin e vitit 1944, ai u caktua me detyrën e Komisarit të Batalionit të Parë në Brigadën e Shtatë, partizane që u formua në fshatin Vlushë të Skraparit, me komandant, Gjin Markun. Skënderi mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi Brigada e Shtatë, si në: Gëziq e Shpal të Mirditës dhe deri jashtë kufijve shtetërorë, Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, duke përshkuar të gjithë itinerarin e saj, ndonëse i plagosur shtatë herë në trup. Skënder Libohova u vra më 16 dhjetor të vitit 1944, ndërsa ishte duke luftuar trup me trup, kundra forcave gjermane në Kalanë e Medunit në Mal të Zi. Si Skënderi ashtu dhe Aqifi u propozuan disa herë që t’ju jepej titulli i lartë “Hero i Popullit”, por ajo gjë nuk u bë e mundur kurrë, për arsye se babai i tyre Tekiu dhe vëllai i madh, Rexhaiu, ishin dënuar si armiq të popullit. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016