Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Kur nuk kishte kaluar as një javë nga data 2 korrik e vitit 1990, ku me mijëra shtetas shqiptarë kapërcyen kangjellat e muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe u futën brenda ambienteve të tyre me qëllim për t’u larguar nga Shqipëria, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye sekretarin e parë Ramiz Alia, mbajti plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, i cili zhvilloi punimet në datat 6 dhe 7 korrik. Pas këtij plenumi, Komiteti Qendror i PPSh-së, u dërgoi një Letër të hapur të gjithë komiteteve të partisë së rretheve dhe organizatave bazë të të gjitha institucioneve dhe dikastereve të ndryshme, ku si pikë kryesore ishte situata e vështirë në të cilën ndodhej vendi pas ngjarjes së ambasadave, si dhe ajo në kufijtë shtetërore me Greqinë dhe Jugosllavinë, ku kishin filluar arratisjet e shtesave të ndryshëm, gjë e cila e konsiderohej si mjaft alarmante.
Kjo Letër e hapur, pasi analizua dhe u punua në të gjitha organizatat bazë dhe komitetet e partisë së rretheve, të cilat sipas orientimeve të ardhura nga grupi i instruktorëve pranë Komitetit Qendror, informonte çdo javë udhëheqjen e lartë të PPSh-së, me gjithçka ndodhte në rrethet e tyre, duke filluar nga gjendje ekonomike dhe realizimet e planeve, e deri të situata politike, ku kryesisht vendin kryesor e zinin ato të problemeve fetare, fletushkat e parullat e hedhura kundër qeverisë dhe regjimit komunist, e deri te arratisjet nga vendi.
Në raport -informacionet e hartuara nga komitetet e partisë së rretheve, që i dërgoheshin Komitetit Qendror, (vazhduan deri kur u mbajt Plenumi i 12 në nëntor), në krye të faqes së parë kanë shënimet: Shokut Ramiz, shokut Foto, shokut Abdyl Backa, etj., të cilët në pjesën më të madhe të tyre kanë vënë dhe shënimet përkatëse. Lidhur me këtë etj., na njohin dokumentet në fjalë që janë nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë (me faksimilet përkatëse) në disa numra, nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME RAPORT-INFORMACIONIN E KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT TË SHKODRËS, DËRGUAR RAMIZ ALISË MË 14 NËNTOR 1990
Shokut Ramiz
Shokut Foto
Shokut Abdyl Backa
R A P O R T
MBI DISA PROBLEME E DETYRA QË DALIN NGA PUNIMI I LETRËS SË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË.
14.11.1990
Letra e Komitetit Qendror të Partisë, e cila u punua dhe u diskutua në të gjitha organizatat bazë dhe masat, shërbeu për të sqaruar e kuptuar më thellë vendimet e plenumeve të kohëve të fundit të Komitetit Qendror të Partisë. Siç na e ka bërë vazhdimisht të qartë Partia e që ritheksohet me forcë në Letrën e Komitetit Qendror të Partisë, situata në botë e rreth nesh është e pleksur me probleme të mprehta politike. Armiqtë e brendshëm e të jashtëm, po veprojnë intensivisht, po përdorin të tëra mjetet e format kundër vendit tonë, me synimin që të përmbysin pushtetin popullor, socializmin e të na grabisin lirinë e pavarësinë që e kemi fituar me gjak e sakrifica. Edhe në rrethin tonë po ndeshemi me shfaqje të kësaj veprimtarie. Sipas një skenari të parapërgatitur armiq të u përpoqën të krijojnë trazira që në janar të këtij viti. Por u ndodhën përballë vigjilencës së komunistëve e masave dhe dështuan në përpjekjet e tyre.
Megjithatë, ata në asnjë çast nuk i kanë ulur përpjekjet e tentativat duke përgatitur skenarë të tjerë, më të rafinuara, duke nxitur arratisjet, strehimin në ambasadа, hedhjen e fletushkave, parullave me përmbajtje armiqësore e tjerë. Për të përballuar këto situata, në frymën e plenumeve të kohëve të fundit të Komitetit Qendror dhe fjalimeve programatike të shokut Ramiz Alia, organet e organizatat e Partisë nga rrethi në bazë kanë zhvilluar një punë të dendur politike edukative, për sqarimin e kuptimit e situatave dhe vendimeve që ka marrë Partia në kuadrin e demokratizimit të mëtejshëm të tërë jetës së vendit. Mos sqarimi në kohë, me cilësi e argumente bindës, krijon konfuzion në mendime, pasivitet, lëkundje e hutim në interpretimin e ngjarjeve dhe në probleme të tilla të rëndësishme, siç është kuptimi dhe zbatimi i luftës së klasave, parimi i mbështetjes në forcat e veta në ndërtimin e socializmit, për qëndrimin ndaj fesë, pronës private e tjerë. Në Bajzë, disa komunistë shkojnë për urim tek një njeri i sapodalë nga burgu, për motive politike.
Në disa organizata Partie si në lagjen “Vasil Shanto”, në Kamicë, Dajç e tjerë, u desh të vinte Letra e Komitetit Qendror që të mbahej qëndrim ndaj komunistëve, fëmijët, vëllezërit e motrat e të cilëve janë arratisur, apo futur nëpër ambasadа. Edhe më keq është rasti i prokurorisë, që dhe pas Letrës mbajtën qëndrim sentimental e oportunist ndaj një punonjësi të tyre, fëmija i të cilit arratiset nëpërmjet ambasadave. Armiku i jashtëm dhe i brendshëm, përpiqet me të gjitha format t’u kundërvihet vendimeve të Partisë, masave që ajo po merr për demokratizimin e mëtejshëm të jetës së vendit. Në Obot, ka këmbëngulje për të marrë toka në trojet e mëparshme e, jo në afërsi të shtëpive të fshatit, të ndërtuara pas tërmetit të vitit 1979. Këtu roli i byrosë e i organizatës bazë të Partisë me sekretar Valentin Gocaj dhe i anëtarit të plenumit, Daut Alia, nuk kanë qenë në lartësinë e duhur. Ata nuk e njohin gjendjen, nuk shtrohen gju më gju me popullin, e për rrjedhojë nuk kanë arritur të gjejnë organizatorët e nxitësit e kësaj situate.
Paqartësi e mefshtësi të tilla ka patur edhe në Vig, Bajzë, Postrribë e tjerë. Mungesa të durimit për të sqaruar punëtorët si dhe zvarritje në zgjidhjen e problemeve kemi patur dhe në ndërmarrje të qytetit, si në Konserva, Kombinatin e Drurit, Zunkthë-Kashtë e tjerë.
Tashmë është e qartë se kohë për të pritur s’ka. Sa të diktojë dikush nga lart, ngjarja, fenomeni, të ikën nga duart, armiku fiton terren e këtë në asnjë mënyrë, s’duhet ta lejojmë. Demokratizimi i jetës së vendit është një proces i pandalshëm e i pakthyeshëm. Gjatë zbatimit të tij jemi ndeshur e do të ndeshemi me probleme e vështirësi nga më të ndryshme, që lidhen me faktorë kompleksë, të brendshëm e ndërkombëtar. Shtrohet çështja: A duhet të tërhiqemi e të kthehemi ku ishim, apo situatave të reja t’u përgjigjemi me mendim e veprim të ri? Sigurisht që është e qartë se kthim prapa nuk do të ketë, ndryshe pajtohemi me situata të kamufluara, me zjarrin e mbuluar me hi, që në çdo kohë është minë me sahat në themelet e shëndosha të socializmit. Ndaj do të veprojmë e ecim me mëndje të qartë e besim të patundur në vijën e Partisë, në rrugën që kemi nisur për zbatimin e vendimeve të plenumeve të kohëve të fundit të Komitetit Qendror të Partisë.
Kjo shtron detyrën për secilin që të kuptohet pa mëdyshje thelbi i vendimeve që ka marrë Partia, se kështu mund të marrim frytet që dëshirojmë. Alternativë tjetër nuk ka. Objekti i rëndësishëm i punës së Partisë, në kushtet aktuale, për vetë specifikën e rrethit tonë, është puna për parandalimin e arratisjeve. Gjatë këtij viti janë arratisur 146 vetë, 147 veta hynë dhe u larguan nëpërmjet ambasadave, ndërsa 304 veta janë kapur ose këshilluar për tentativë arratisje. Në zonën e Vermoshit e të Bajzës këto vitet e fundit, ka patur mjaft kalime kufiri, si nga banorët e fshatrave, ashtu dhe nga thellësia. Për këto janë bërë edhe analiza e kritika për ulje të vigjilencës, por siç duket ato kanë qenë formale e të përcipta. Anëtari i Plenumit të Komitetit të Partisë së Rrethit, Luigj Pepa në Vermosh, si dhe shokët Ndue Gjeka e Fran Alia në Bajzë, ngarkohen me përgjegjësi të rëndë, sepse duke mos u shkëputur nga metoda e vjetra të punës, nuk e njohin gjendjen moralo – politike të zonës, problemet e shqetësimet që ka atje.
Ata nuk kanë punuar për të ngritur opinionin e shëndoshë të komunistëve e të popullit. Si pasojë vetëm gjatë këtij viti në Kelmend janë arratisur 49 vetë, kurse në Bajzë 22. A mund të justifikohen shokët Fahri Hoxhllaku e Marash Bunjaj, që vetëm nga fshati Nikç, brenda një nate u arratisen 20 vetë? Partia e shoku Ramiz Alia na mësojnë se kufiri ruhet në kufi, po edhe në thellësi. Këtë porosi nuk po e kuptojnë si duhet disa byro e organizata Partie në ndërmarrje, lagje e institucione të qytetit, nga ku kemi patur mjaft arratisje e strehime në ambasadа të huaja. Kështu në Uzinën e Telave ku punojnë e drejtojnë shokët e plenumit Hashim Mokshi e Violeta Sylja, ka mungesë të theksuar vigjilence, ndaj nga kjo ndërmarrje ka arratisje e futje familjarisht në ambasadë. Po ashtu në N.P. Metalike, në Kombinatin e Drurit, në lagjen “Tre heronjtë”, “Tom Kola” e tjerë, doemos ta shohin punën e tyre me sy kritik për të nxjerrë mësime e për të parandaluar akte të tilla. Me të drejtë lind pyetja: Pse ndodhin këto? Në radhë të parë ata e kanë burimin tek puna e dobët ideopolitike me njerëzit, e cila bëhet shpesh globale, jo e argumentuar dhe e diferencuar sipas zonave, shtresave të popullsisë e problemeve.
Ajo nuk ka krijuar bindje tek njerëzit, se arratisja është tradhti ndaj atdheut, ai që e kryen këtë akt nuk është as i ndershëm, as patriot. E theksojmë këtë pasi ka interpretime të cektë, ka përpjekje për të minimizuar rrezikshmërinë shoqërore të arratisjes, duke u nisur nga ndryshimi që iu bë ligjit përkatës. Këtu ka ndryshuar vetëm cilësimi juridik, por aspak qëndrimi klasor ndaj këtij veprimi që kurdoherë quhet armiqësor, tradhti ndaj atdheut. Nuk duhen ngatërruar e identifikuar ligjet me normat shoqërore, se ka plot vepra të pahijshme që ligjet nuk i dënojnë, por opinioni shoqëror, Partia i dënojnë rreptë. Prandaj, byrotë dhe organizatat bazë të Partisë, të bëjnë një punë të dendur për edukimin patriotik revolucionar të masave, veçanërisht të rinisë. Me forma të larmishme e tërheqëse, të vihen më në lëvizje, sidomos organizatat e masave, institucionet kulturore, shkollat, shtypi, radioja e intelektualët.
Ato të popullarizojnë më mirë traditat e popullit tonë, të kultivojnë në masat dashurinë për atdheun. Organet e drejtësisë të zbërthejnë më mirë me masat përmbajtjen politike të ndryshimeve që u bënë në legjislacion e në mënyrë të veçantë për kalimin e paligjshëm të kufirit. Puna politike ka efektivitet kur shoqërohet e mbështetet me masa organizative të forta. Kjo është e lidhur me rritjen e vigjilencës, me kuptimin dhe zbatimin e rregullave të ruajtjes së kufirit. Në këtë fushë kemi tradita dhe përvojë, të cilën duhet ta mbajmë vazhdimisht lart e t’i kundërvihemi më me forcë disa koncepteve e mendimeve të gabuara, që kanë dalë lidhur me zbatimin e rregullave të regjimit të kufirit. Meqë çdo shtetas mund të pajiset me pasaportë për të dalë jashtë shtetit, në disa fshatra si në Gashaj, Kalldrun, Dajç e tjerë, kanë dalë disa mendime të gabuara, si pse të jetë kloni, ai të rrijë gjatë gjithë ditës i hapur, për pajisjen me leje kufitare e tjerë. Këto kanë ndikuar në uljen e vigjilencës dhe në organizimin e kryerjen e shërbimit nga ana e njësiteve.
Konceptet e gabuara thyhen edhe me njohjen e vazhdueshme të rregullave të regjimit të kufirit, me forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të popullit me organet e kufirit. Gjatë diskutimit të Letrës kanë dalë paqartësi dhe lidhur me qëndrimin ndaj vizitorëve e sidomos ndaj atyre që janë arratisur vite më parë. Në disa organizata bazë e kolektiva, si në Reç, Vrakë, Gruemirë, në Degën e Doganës, Vukël, në lagjet e qytetit e tjerë, janë bërë pyetje e vërejtje të tilla: Përse lejohet që fëmijët e të arratisurve të vijnë si vizitorë në vendin tonë? Pse u lejohet të arratisurve të bien pako? Hyrja e dollarit ka ndikuar për uljen e pjesëmarrjen në punë e tjerë. Sigurisht pyetje të tilla duhen sqaruar pa vonesë, në vazhdimësi e me argumente bindës. Kryesore është që të kuptohet se çdo dukuri ka dinamikën e vet, çdo etapë e zhvillimit tonë sjellë me vete probleme të reja. Janë të kritikueshme qëndrimet sektare për ardhjen si vizitorë të 4-5 të arratisurve që kanë ikur para 30 vjetësh dhe jo vetëm që nuk kanë ndonjë veprimtari armiqësore, por gjatë kësaj periudhe kanë shfaqur pendim, janë pozicionuar pro vendit tonë.
E njëjta gjë duhet thënë dhe për të afërmit e tyre, që kërkojnë të shkojnë si vizitorë jashtë shtetit. Megjithatë për të tilla raste, mund e duhet të diskutohet e të merret më parë mendimi dhe në kolektivat përkatëse në ndërmarrje, fshat ose lagje. Në çdo kohë të jemi dhe vigjilentë dhe të pozicionohemi drejtë. Koha nuk pranon që me masa administrative, me urdhër, fjala vjen, duke ndaluar hyrjen e dollarit ose mbyllur dyqanin e blerjes me valutë, të zgjidhim disa probleme shqetësuese të qarkullimit të valutës. E rëndësishme është që të demaskojmë ashpër në fshat e në lagje ata njerëz që janë shndërruar në lypsarë, duke humbur dinjitetin dhe karakterin e shqiptarit. Nga ana tjetër të ngremë opinionin dhe të mos e inkurajojmë por përkundrazi të luftojmë rreptë tregun e zi të dollarit. Janë të kritikueshme si indiferentizmi ashtu dhe inkurajimi, duke u bërë blerës të dollarit. Sigurisht këtu dhe organet e pushtetit e ato të Degës së Punëve të Brendshme, duhet të veprojnë më me vendosmëri për parandalimin e një veprimtarie të tillë, për zbatimin e ligjeve.
Letra e Komitetit Qendror të Partisë na tërheqë vëmendjen për një luftë më të vendosur kundër përhapjes së thashethemeve, shpifjeve e parullave armiqësore, nga të cilat qarkullojnë dhe në rrethin tonë. Ato nuk vijnë vetëm nga paqartësitë, apo thjeshtë për zakon të disa llafazanëve që bredhin kafe më kafe, brenda dhe jashtë orarit të punës. Problemin ta shohim më gjerë. Armiku i klasës fabrikon, shpifë e trillon thashetheme me qëllime të caktuara. Ai i përdorë ata si armë për të mbjellë pasiguri, konfuzion, mos besim në masat që po merr Partia. Prandaj, byrotë dhe organizatat e Partisë, organet e pushtetit e të ekonomisë, organizatat e masave t’i vlerësojnë politikisht ato. Thashethemet bëhen të pavlefshme kur bëhen sqarime të shpejta e të shpeshta, me argumente bindës dhe konkretisht për problemin që del. Kjo kërkon që të mos pritet vetëm nga lart, por çdo gjë të sqarohet aty ku lind. Gjithashtu të luftojmë me zjarr çdo qëndrim indiferent, duke ngritur në këmbë opinionin shoqëror e duke mbajtur gjallë gjithnjë një atmosferë mbytëse ndaj thashethemeve.
Këtu një rol të rëndësishëm duhet të luajnë organizatat e masave. Ato të zbulojnë burimet e thashethemeve, të bëjnë diskutime të gjalla dhe t’i vënë me shpatulla pas murit, ata që i krijojnë e i përhapin ato. Në këtë luftë rëndësi ka që të sigurohet një informacion i plotë dhe i shpejtë në të gjitha hallkat. Letra e Komitetit Qendror të Partisë kërkon që veprimtarinë armiqësore ta zbulojmë e ta godasim në kohë, me të tëra format. Për këtë duhet të reflektojmë të gjithë, por në mënyrë të veçantë Dega e Punëve të Brendshme. Ajo, si organ i specializuar, që drejtohet nga anëtari i Byrosë së Komitetit të Partisë së Rrethit, shoku Çapajev Taçi, mbanë përgjegjësi të rëndë, sepse punonjësit e këtij organi u gjetën të papërgatitur për të përballuar këtë presion të armikut dhe u treguan të paaftë në zbulimin e goditjen e organizatorëve të veprimtarisë armiqësore. Ndonëse janë bërë analiza për ngjarjet që kanë ndodhur, është bërë autokritikë e janë marrë zotime për të ndryshuar gjendjen, të metat, dobësitë e ngjarjet e përsëritura, tregojnë për formalizëm e liberalizëm.
Për këto janë bërë vërejtje e kritika edhe gjatë diskutimit të Letrës së Komitetit Qendror të Partisë në organizatat bazë e në kolektiva. Ata, me sa duket, nuk nxorën mësimet e duhura as nga kritika direkte që u bëhet në Letrën e Komitetit Qendror të Partisë. Këtë e vërteton dhe ngjarja tepër e rëndë e rrëmbimit të anijes luftarake me gjithë një motoskaf dhe arratisja me to e 16 vetave. Kjo erdhi si rezultat i mungesës së gatishmërisë e kontrollit, thyerjeve të rënda të disiplinës dhe rregulloreve. Anija u la me një të tretën e efektivit. Edhe ata që mbetën në anije e u rrëmbyen nga elementët armiq, u treguan frikacakë e nuk u përleshën. Sektori i Sigurimit u tregua i paaftë dhe i mungoi vigjilenca për zbulimin në kohë të këtij grupi, siç ka dhe ndonjë qëndrim liberal ndaj kontingjentit armik për ta mbajtur nën kontroll. Pra përgjegjësia shtrihet që nga kuadrot dhe efektivi i anijes, ato të kufirit e të Sigurimit e deri në Komitetin e Partisë. Tërë ky proces i madh transformimesh dhe presioni që ushtron armiku i jashtëm dhe i brendshëm ndaj nesh, kërkon që propaganda e Partisë të jetë tepër e fuqishme, të edukojë, të sqarojë, të bindë e të mobilizojë njerëzit në kapërcimin e çdo vështirësie.
Ajo të bëhet e larmishme, tërheqëse dhe të lërë gjurmë tek njerëzit, jo me fushata, por në vazhdimësi duke iu përgjigjur situatave. Rol të veçantë të lozë kundër-propaganda, e cila duhet të intensifikohet, me argumente bindës e t’i përgjigjet më në kohë problemeve që dalin. Sektori i edukimit i Komitetit të Partisë së Rrethit me shokun Gjorgj Grabova, të përsosë metodën e punës duke vënë në lëvizje më mirë se deri tani të gjitha hallkat dhe mjetet e propagandës, të vërë në lëvizje institucionet dhe potencialin intelektual të rrethit. Fryma e Letrës kërkon pozicionim të drejtë e aktiv në kuptimin e zbatimin e masave që ka marrë Partia për demokratizimin e jetës së vendit. Ka komunistë që e duan Partinë, popullin, atdheun me gjithë shpirt, por që nga paqartësitë e niveli i ulët i tyre, shprehin dyshime se mos po ndryshon vija e Partisë me ndryshimet që u bënë në legjislacionin si për arratisjen, agjitacionin e propagandën, dhënien e pasaportave e tjerë, mos kështu po zbehet lufta e klasave. Ka prej atyre që thonë: ç’i duam mbledhjet e hapura se kështu u bëmë njëlloj, apo, mirë ishim, dhënia e bagëtive dhe e tokës, hapja e dyqaneve private po na çojnë drejt privatizimit të ekonomisë.
Në këto mendime pasqyrohet qartë ajo sikur tek ne çdo gjë ishte në rregull dhe vendimet që morëm e ndryshimet që bëmë i krijuam këto situata. Puna e Partisë këtë kategori njerëzish duhet ta sqarojë konkretisht e me argumente bindës se nuk është e vërtetë që çdo gjë e kemi patur në rregull, por situatën nuk e kemi njohur realisht. Nuk njohëm situatën ndaj dhe nuk e ditëm në kohë se elementë vagabondë e të shthurur, aspironin që të arratiseshin përmes ambasadave, apo të synonin për të grabitur anijen e tjerë. Më mirë se ne ata i njihte armiku, që në momentin e nevojshëm për të nxiti për veprime të tilla të poshtra. Pra e keqja nuk do kërkuar tek vendimet por tek paaftësia e mangësitë tona për të dominuar në çdo kohë situatat, tek raportimet jo rrallë fiktive e euforike në organizatat bazë të Partisë. Nuk është e vërtetë se ishim mirë me furnizimin e popullit, me perime e prodhime blegtorale. Praktika vërtetoi se tufëzimi ishte një hap i shpejtuar dhe nuk e justifikoi qëllimin e mirë të Partisë. Por është në vijën e Partisë, në nderin e në rritjen e autoritetit të saj, që t’i korrigjojë gjërat. Në se diku armiku shfrytëzoi vendimet që u morën për të krijuar konfuzion e çoroditje, kjo është mungesë vigjilence e qartësie.
Qëndrim tjetër duhet të mbajë Partia ndaj një kategori njerëzish liberalë, armiq që përpiqen të çorodisin masat tona me parulla armiqësore si “më mirë një të arratisur se dy dëshmorë”, “erdhi dita jonë”, që shpifin e trillojnë për njerëz të ndershëm e akuzojnë udhëheqjen e Partisë për ngjarja që gjoja do të ndodhin e tjerë. Ato nuk janë gjë tjetër, veçse dëshira të armikut, të serbit që e kemi komshi e që kërkojnë me të gjitha mënyrat destabilizimin e situatës sonë të brendshme, shkatërrimin e pushtetit popullor. Kësaj kategorie që maskohet me parulla pseudo-demokratike duhet t’i kundërvihemi me “dru fshatçe” e “kolektivçe”, që të mos krijojnë asnjë të çarë në radhët tona. Me kujdes të veçantë të përsoset puna e Partisë me rininë. Ajo të mbajë mirë parasysh faktin se të rinjtë nuk e dinë nga jemi nisur dhe stadin e tanishëm e konsiderojnë trashëgimi të prindërve. Ndryshimet dhe arritjet e vendeve të Evropës nuk i konceptojnë drejtë dhe kërkojnë që edhe tek ne ato të arrihen brenda një ditë.
Kjo shtron detyrën e një angazhimi tepër serioz të byrove e të organizatave bazë të Partisë në punën me rininë, veçanërisht në punën e diferencuar duke mbajtur parasysh edhe interesat e nivelin e saj në rritje. Më shumë të bëhet e të kërkohet për gjallërimin e veprimtarive politike, ideologjike, kulturore, shkencore e sportive me rininë, për tërheqjen e saj në procesin revolucionar të dinamizmit të jetës së vendit, për krijimin e kushteve për çlodhje të kulturuar e argëtim e tjerë. Probleme shqetësuese janë krijuar në transportimin e lëndës dhe druve të zjarrit. Për këtë shoku Agim Malevi, si anëtar plenumi dhe shokët Naim Dini e Ndoc Marku, janë zotuar edhe para plenumit të mëparshëm, por gjendja nuk ka ndryshuar, përkundrazi deficitet janë thelluar. Mangësitë në këtë drejtim, na çojnë në probleme të mprehta politike, duke i dhënë dorë propagandës së armikut, prandaj medoemos brenda muajit nëntor të realizohen objektivat e vëna. Plotësimi i planit është ligj, çdo mosrealizim i tij është i papranueshëm dhe me pasoja.
Sa e ndjejnë përgjegjësinë shokët Tren Xhabija, Fahri Grizhja, Savo Kondi, Xhavit Bajraktari, Ferit Halluni, Fetah Laçej e tjerë, të cilët nuk i kanë realizuar detyrat e 8-mujorit apo, shokët e Byrosë së Komitetit të Partisë së rrethit Zef Rahmolla në Koplik, ku është krijuar një defiçit prej 8.650 kv. në prodhimin e grurit, Dedë Lunaj në NB Bushat, ku janë dorëzuar në shtet 1.820 kv. qumësht më pak se plani. Shokët Hajredin Lluka, Haki Milla, Idriz Behri, Nikolin Çurçia, Sandër Poja, të mbajnë më shumë përgjegjësi për ndërmarrjet e sektorëve të tyre, të bëjnë analiza e studime të thelluara dhe të forcojnë kontrollin për realizimin e planit në të gjithë treguesit. Përgjegjësi i seksionit të tregtisë, Zef Fistani, e drejtori i Degës së Frigoriferit Mit’hat Meti, nuk duhet të lejojnë veprime që hapin shteg për spekulime, por të forcojnë organizimin e kontrollin për zbatimin e vendimeve.
Shoku Nebil Vadahi me aparatin e ndërmarrjes, të jetë më korrekt ndaj autokritikave që bëjnë e zotimeve që marrin. Ka plot shembuj që vërtetojnë se ndodhemi përpara kundërveprimeve të elementëve armiq. Flasin për këtë parullat që qarkullojnë vesh më vesh se në këtë apo atë ditë “hapen ambasadat”, si fazë e dytë e vërshimit të njerëzve të pakënaqur, “kur të vijë grupi i Tregut të Përbashkët, do të bëhen demonstrata të mëdha”, “një avion i madh do të vijë afër kufirit tonë në Jugosllavi e, do të marrë ata që kalojnë kufirin, për t’i dërguar në Amerikë”, “se në Ulqin por ndërtohen pallate për vrakaçorët që do të arratisen në Jugosllavi”, se “grupe të armatosura nga Durrësi, Kavaja, Tirana e Shkodra, me këto apo ato lloj mjetesh, do të arratisen në Jugosllavi” e tjerë, por që në fakt asgjë s’ka ndodhur. Shihet qartë se armiku vepron, na taton pulsin, kërkon të bëjmë lojën e të na mbajë në tension. Byrotë e organizatat bazë të Partisë, duhet të ndalen më fort, të ngrenë në këmbë tërë komunistët, veprimtarët e organizatat e masave, sidomos klasën punëtore për t’i dalë zot pronës së përbashkët.
Vetëm kështu u pritet rruga e paralizohen hajdutët e çdo keqbërës. Ata të rrisin kërkesën e llogarisë e të nxjerrin edhe përgjegjësinë e administratave që nuk ushtrojnë kontroll e, i shmangen ballafaqimit me këto probleme. Ndaj shokët Esheref Gruda e Prek Kalaj në Koplik, Surri Rraxhimi e Paulin Radovani në fabrikën e Duhan-Cigareve, Agim Dani e Ali Zjarri në Vaj – Pije, mangësitë e anomalitë e shfaqura i ngarkojnë me përgjegjësi të rëndë. Vjedhja është një ves që në traditën e popullit tonë, është dënuar e përbuzur. Kurrë ajo nuk është përligjë, as në kushtet më të rënda të varfërisë së mëparshme. Aq më tepër është e dënueshme sot. Ndaj luftën kundër vjedhjeve ta marrin në dorë e të ngrihen në këmbë të gjitha kolektivat punonjëse, në ndërmarrje, në kooperativa bujqësore, lagje e fshatra. Vjedhësve t’u krijohet një opinion mbytës, vetë masat “fshatçe” apo “kolektivçe”, të mbërthejnë ata që vjedhin, por të jenë sy-zgjuar për të parandaluar çdo përvetësim të pronës së përbashkët./ Memorie.al
PLENUMI I KOMITETIT PARTISË SHKODËR
Vijon numrin e ardhshëm






















