• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, November 15, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Sport

“Miku im, Qemal Vogli, legjenda e portës kuqezi, më tregonte se nuk ishte aspak e vërtetë ajo që thuhej për kthimin e tij në Shqipëri, pas arratisjes nga Berlini Lindor, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e Skifter Këlliçit

“Në hetuesi më takuan me gruan time polake dhe duke qarë, ajo më tha: ‘E shikon atë njeri atje’, dhe vështroi nga Ferhat Matohiti, ai…”/ Dëshmia tragjike e vëllait të aktorit dhe regjisorit të famshëm
Dëshmia e rrallë e Skifter Këlliçit: “Çfarë më tha Ramiz Alia për odisenë e filmit ‘Pas gjurmëve’ dhe arsyen e urdhrit të tij më 1986, që unë të mos jepja më ‘Rubrikën Sportive’ në RTSH”?
qemal-vogli-ismet-bellova-dhe-mario-kempes- 1
“Miku im, Qemal Vogli, legjenda e portës kuqezi, më tregonte se nuk ishte aspak e vërtetë ajo që thuhej për kthimin e tij në Shqipëri, pas arratisjes nga Berlini Lindor, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e Skifter Këlliçit
“Miku im, Qemal Vogli, legjenda e portës kuqezi, më tregonte se nuk ishte aspak e vërtetë ajo që thuhej për kthimin e tij në Shqipëri, pas arratisjes nga Berlini Lindor, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e Skifter Këlliçit
Ekipi i Qemal Voglit 1
“Anton Mazreku nuk ishte vetëm një komentator i futbollit, por ai spikati në krijimtari poetike, shënime letrare, në përkthime artistike veprash poetike…”/ Ana e panjohur e mjeshtrit të mikrofonit sportiv
Dëshmia e Voglit, portierit kuq e zi që u arratis në ’56-ën dhe luajti me “Munchen 1860” / Nga joshja e një femre, ëndrra italiane, te kthimi e dënimi me 17 vjet burg…

Nga Skifter Këlliçi, Boston

Pjesa e dytë

Memorie.al / Një ditë në fillim të marsit të vitit 1950, kur së bashku me Luanin, vëllain tim binjak, kishim mbushur 12 vjeç dhe shokë të tjerë të mëhallës sonë në Tiranë, mësuam nga gazeta ‘Sporti Popullor’ se ishte krijuar një skuadër e re futbolli  me emrin ’Dinamo’. Me një emër të tillë kishim lexuar po në këtë gazetë se kishte skuadra në Bashkimin Sovjetik, (‘Dinamo’ e Moskës e Kievit, e Tbilisit), madje edhe edhe në Jugosllavi’, ‘Dinamo’ e  Zagrebit. Dhe ja, me sa duket, nën shembullin e tyre, edhe në Shqipëri po krijohej një skuadër me të njëjtin emër, ‘Dinamo’; jo vetëm kaq, por që do  të luante drejt e në kategorinë e parë, krahas ‘Partizanit’, ‘Tiranës’, Shkodrës’, ‘Durrësit’, ’Kavajës’,  dhe skuadrave të tjera.

                                                   Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Sabri Peqini më tregonte se; Kadri Hazbiu i nxirë në fytyrë, nxori një letër nga çanta dhe lexoi emrat e të pushkatuarve, por ne, futbollistët s’njihnim asnjë, përveç Sabiha Kasimatit…”/ Dëshmia e rrallë e Skifter Këlliçit

“Më 26 shkurt 1963, në ndeshjen ‘Korabi’– ‘Apolonia’, sportdashësit dibranë u bënë dëshmitarë të një ngjarjeje që në futboll nuk përsëritet më kurrë…”/ Historia e rrallë dhe unike në futbollin shqiptar

Pra, ne ishim bërë të njohur midis vëllezërve Jareci. Por, e përsëris, kjo njohje nuk ndikonte në mikrofonat e stadiumeve kur komentoja ndeshje edhe të ‘Dinamos’. Aty isha tifoz e vetvetes dhe gjatë komentimeve përpiqesha të isha sa më i paanshëm, sido që kishte raste që më ‘akuzonin’ se isha tifoz i kësaj ose asaj skuadre. Me Skënder Jarecin më lidh dhe një ngjarje që mund ta quajmë sa humoristike, aq edhe sensacionale. Ishte qershori i vitit 1951. Megjithëse kohë provimesh, unë dhe binjaku im, Luani të dy 13-vjeçarë, vendosëm të shkonim në stadium, ku ‘Dinamo’ do  të luante kundër ‘Punës’ së Tiranës. Rezultati edhe në pjesën e dytë ishte i bardhë, 0-0.

Dhe ja në një kundërsulm Skënder Jareci rrëshqiti si ngjalë midis mbrojtësve tiranas, iu shmang edhe portierit Bonati dhe me portën e zbrazur shënoi të vetmin gol deri ato çaste. Deri këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur. Mirëpo bash në atë çast, pamë se si gjyqtari anësor Izet Çani, flaku tutje flamurin, u sul në fushë përqafoi Skënder Jarecin dhe pastaj u kthye si pa të keq rishtas në rolin e tij si vijërojtës. Vite më vonë, Izet Çani, që ishte i instruktor i kulturës fizike në reparte te Ministrisë së Brendshme, po ta bënte këtë veprim, si ndihmësgjyqtar, tifoz i verbër, duhej të hante një ndëshkim të rreptë nga Komisioni Disiplinor i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtues të Klubit Sportiv ‘Dinamo’. Por në fakt Izet Çanit nuk i ndodhi asgjë…?!

Një të diel qershori të vitit 1976, pra 25 vjet më vonë, binjaku im, Luani, martohej dhe ftonte për vizitë Skënder Jarecin së bashku me Alfred Bonatin. Dhe habitërisht, të dy erdhën në të njëjtën kohë. Kur ua kujtova atyre dhe të ftuarve të tjerë këtë ngjarje nga më sensacionalet, besoj, edhe në futbollin e huaj, plasi gazi midis të ftuarve. Ta pret mendja që u shkrinë në gaz edhe të dy protagonistët, Skënder Jareci dhe Afred Bonati.

Siç dihet, ’Dinamo’ fitoi kampionatin e sezonit 1966-‘67. Por kjo ndodhi me vendim të FSHF-së, të diktuar nga ‘Kupola e  kuqe’, pasi ‘17 Nëntori’ dhe ‘Partizani’ u përjashtuan nga kampionati, pas zënkave në fushë dhe në zhveshtore të lojtarëve të të dyja skuadrave.

Vendim absurd dhe arrogant, që nuk ka ndodhur kurrë, jo vetëm në historinë e futbollit tonë, por as në historinë e futbollit botëror. Duhej të përjashtoheshin disa nga lojtarët që shkaktuan zënkat, por kurrsesi skuadrat. Mirëpo problemi ishte se me këtë vendim byroistët, shumica e të cilëve, duke përjashtuar Kadri Hazbiun, anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Brendshëm, (siç e kam shpjeguar dhe më e lart, ishte i dhënë pas ‘Dinamos’), bënin ‘tifo’ për ‘Partizanin’ dhe kishin ‘halë në sy’ ‘17 Nëntorin’ me tifozët e tij, që jo rrallë i jepnin zemër skuadrës së tyre me thirrjet; ‘Forca, çuna, suluni të kuqve!’.

Kështu, pas këtyre grindjeve midis futbollistëve të këtyre skuadrave, u gjet ’sebepi’, që të merrej vendimi i mësipërm, kurrsesi nga FSHF-ja. Në këtë mënyrë, kampionatin e sezonit 1966-‘67 e fitoi ‘Dinamo’ e cila në renditje deri atëherë ndodhej në vendin e tretë, pa asnjë mundësi që të bëhej kampione. “Ne nuk e meritonim kurrsesi këtë titull, – më pati thënë vite më pas Skënder Jareci, trajner i ‘Dinamos’. – Ishte kjo arsyeja që pasi na u dorëzua kupa në Stadiumin ‘Qemal Stafa’, unë i porosita futbollistët, që të mos bënin rrotullimin tradicional rreth pistës së fushës, për t’u përshëndetur me sportdashësit tanë. Kampion ishte dhe mbetet ‘17 Nëntori’”.

ARRATISJA DHE KTHIM I QEMAL VOGLIT

Në verë të vitit 1956, ndodhi një ngjarje shumë tronditëse: Gjatë një turneu të ‘Dinamos’ së Tiranës në Republikën Demokratike Gjermane, ai befas u arratis nga Berlini Lindor në atë Perëndimor dhe lehtësisht, sepse në atë kohë nuk ishte ngritur ende muri i tmerrshëm famëkeq që do të ndante tragjikisht të dy Berlinët. Por kohë më pas dëgjuam se Qemal Vogli, ishte kapur nga agjentë të Sigurimit Gjermano-Lindor, (STAS-i), të cilët e kishin kthyer në Shqipëri. Nuk ishte aspak  kështu. Pas rënies se komunizmit, ai më ka rrëfyer se ai, i penduar për këtë shkarje, kishte menduar të rikthehej në Shqipëri. – “Më shfaqej thuajse çdo natë nëna, që më lutej me lot të kthehesha në Shqipëri, sepse po vdiste nga malli për mua”, -më tha një ditë.

Në Mynih, ku u vendos, kishte nisur të stërvitej me skuadrën njohur ‘Mynih 1860’. Pas disa muajsh qëndrimi në këtë qytet, në një gjendje të rëndë shpirtërore vendosi të kthehej në Shqipëri.

Me një shumë të mirë parash, udhëtoi fshehurazi nga Mynihu në Frajburg, qytet në jug të Gjermanisë Perëndimore, pastaj më këmbë, po fshehurazi, kaloi kufirin dhe arriti në qytetin austriak Salsburg. Synimi tij ishte që gjithnjë fshehurazi të arrinte në kufirin midis Austrisë dhe Italisë dhe pastaj në Romë, ku do të dorëzohej në ambasadën tonë. Iluzione naive të humbura! Sipas dëshmive të tij të datës 9 tetor të vitit 1956 në procesin hetimor, mbajtur në Drejtorinë e Sigurimit të Tiranës, Qemal Vogli, ndër të tjera, pohon se pas shumë peripecive, ishte kapur pa dokumente në Salsburg nga xhandarë austriakë dhe kishte fjetur një natë në godinën e xhandarmerisë.

Të nesërmen, më 14 tetor të vitit 1956, kishte parë në një gazetë austriake se në Vjenë përfaqësuesja e Hungarisë do te ndeshej me atë të Austrisë. ‘Kështu, pasi arrita të largohesha tinës nga godina e xhandarmërisë, – rrëfen Qemal Vogli në hetuesi, – arrita me tren ne Vjenë. Aty pyeta një shofer taksie se ku bujtnin futbollistët hungareze. Ai m’u përgjigj se duhej të shkoja në hotelin ‘Park’. Atje takova Bukovin, trajnerin e Hungarisë si dhe Pushkashin e madh, të cilët më njohën, se kisha qenë portier në ndeshjen e kombëtares sonë në Budapest në vitin 1950. U takova dhe me një punonjës të ambasadës hungareze në Vjenë, i cili më bëri një dokument fals dhe kështu arrita ne Budapest.

Që aty më dërguan në ambasadën tonë, ku u dorëzova. Të nesërmen, siç e dini, më nisën me avion në Tiranë, ku më prisnin punonjës të Ministrisë së Brendshme, që më arrestuan. Kështu ka qenë; të tëra të tjerat janë përralla, që u përhapën atëherë në Tiranë, – vazhdon Qemal Vogli, – se paskan qenë agjente hungarezo-gjermano-lindorë ata që më kishin futur në rrjetën e tyre dhe më kishin sjellë nga Hungaria, në Shqipëri. Po të doja, kisha qëndruar në Mynih, kisha luajtur me skuadrën që përmenda më sipër dhe çdo gjë kishte marrë fund, por unë u ktheva në  Shqipëri, me dëshirën dhe vullnetin tim”, – përfundon ai në hetuesi.

Për tradhti të lartë ndaj atdheut, sepse figuronte si ushtarak në organikën e Ministrisë së Brendshme, në nëntor të vitit 1956, Qemal Vogli u dënua me 15 vjet heqje lirie. “Aty nga fundi i vitit 1959, – më kujtoi disa javë pasi kishte kryer dënimin, – kur po punoja se bashku me të dënuar të tjerë në një kantier ndërtimi, më bëri përshtypje se nga altoparlanti nga ku vinte transmetimi i një ndeshjeje futbolli, krahas zërit të Ismet Bellovës nga stadiumi ‘Dinamo’, i porsandërtuar, dëgjohej, dhe një zë tjetër. Më thanë se ai zë ishte yti. U mallëngjeva dhe të kujtova ty dhe vëllain tënd, Luanin, me të cilin kisha luajtur shpesh pingpong në Parkun Sportiv ‘Rinia’”.

Me gjithë dëshirën e tij dhe të sportdashësve, diktatura komuniste nuk e lejoi të merrte pjesë në veprimtari sportive kombëtare, madje as dhe ne veprimtari te skuadrave të qendrave të punës së Tiranës, në njërën prej të cilave edhe punonte. Jam takuar shpesh me Voglin para dhe sidomos pas rënies diktaturës komuniste të cilën gjithmonë e kishte gjithmonë urryer, ndonëse luante në skuadrën e futbollit të  Ministrisë së Brendshme. Në vitin 1993, kam marrë pjesë se bashku me të, komentatorin e njohur sportiv, Ismet Bellova dhe figura të tjera te njohura sportive, si; Simon Deda, ish-futbollist i njohur i ‘Partizanit’, Skënder Dedja, specialist i futbollit, në një emision të përjavshëm sportiv popullor në Radio-Tirana, të gazetarit Pirro Ruvina.

Një herë i përmenda Voglit takimin ‘Partizani’-‘Dinamo’, (1-1) në pranverë të vitit 1953, dhe golin e shënuar në portën e tij nga Loro Boriçi. Ja si ma ka rrëfyer këtë gol dramatiko-komik; “Haxhi Arbana, gjysmësulmues i ‘Parizanit’, ndërhyri nja dy herë, rëndë për mendimin tim, kur ia rrëmbeva topin nga koka dhe gjyqtari për çudinë time, deri atëherë nuk e e kishte ndëshkuar për këto faulle! Kur e përsëriti atë edhe një herë tjetër, që mua m’u duk përsëri rëndë, e rrëmbeva topin, e vura në tokë dhe dhe iu drejtova gjyqtarit me fjalët: ‘Përse nuk jep faull për ne?. Asnjë nga shokët e mi të skuadrës dhe të ‘Partizanit’ nuk ndërhyri, sepse menduan se gjyqtari do të jepte faull për ne.

Vetëm atëherë pashë që Loro Boriçi bëri një zig-zag midis lojtarëve dhe mezi arriti ta godiste topin me majën e këmbës, që përfundoi në rrjetë. ‘Ama, gol të bukur bëre!?’, – i fola me ironi Boriçit. Për habinë time, gjyqtari bëri shenjë që topi të vendosej në qendër të fushës. – Gol?!. – iu ktheva atij me inat. Por ai përsëri bëri shenjë me dorë nga qendra e fushës. Kështu ‘Partizani’, që, ç’ishte e vërteta po luante më mirë se ne, barazoi. Faji ishte imi. Përderisa gjyqtari nuk kishte vërshëllyer, loja vazhdonte dhe Boriçi me zgjuarsi kishte shënuar gol të rregullt. Ndoshta një nga golat me të habitshëm në botë”.

Në mars te vitit 1999, së bashku me familjen u vendosa përfundimisht në Amerikë, pa harruar edhe sot, Qemal Voglin, këtë figurë  të madhe të madhe sportive, i cili, për arsyet që rrëfeva, pa mbushur ende 27, vjeç u nda nga futbolli dhe për të cilin Jashini, portieri sovjetik me famë botërore, kur e kishte parë gjatë ndeshjes ‘Dinamo’ e Moskës – Përfaqësuesja e Tiranës, zhvilluar në Moskë në verën e vitit 1954, ku luante edhe ai vetë, duke e përqafuar me admirim, ishte shprehur për të me fjalët: “Tëi – velikij vratar’, në shqip: ‘Ti je portier i madh’”.

A ndikoi mungesa e Qemal Voglit në skuadrën dhe veçanërisht në mbrojtjen e ‘Dinamos’? Sigurisht. Anglezët në raste të tilla përdorin sentencën: “Gabimi lojtarit është gabim, por gabimi i portierit është faj”. Nuk dua kurrsesi të fajësoj portierin e ri  Beliu, që zuri vendin e Voglit në kampionatet e viteve 1957, 1958 dhe 1959. Nëse Maliqati në kampionatin e vitit 1957, ku morën pjesë 7 skuadra, pësoi 7 gola, (golavarazhi 28-7), Beliu pësoi 8 gola me golavarazhin 33-8. Por në kampionatin e vitit 1958, ‘Dinamo, duke shënuar 28 gola, pësoi 18, zuri dhe vendin e 4- pas ‘Partizanit’, ‘Besës’, që u rendit në vendin e dytë dhe ’17 Nëntorit’ në vendin e tretë. Sigurisht që në këtë mes  mëkati nuk ishte i vetëm Beliut, por edhe  i mbrojtjes së ‘Dinamos’.

Edhe në kampionatin e vitit 1959, në të cilin ‘Dinamo’ ‘përmirësoi notën’, duke u renditur pas ‘17 Nëntorit’ në vendin e tretë, ajo  shënoi vetëm 16 gola dhe pësoi 14, golavarazh më i dobët se i ’17 Nëntorit’, që zuri vendin e dytë, (golavarazhi 20-11), në një kohë që ‘Partizani’ kampion, kishte golavarazhin 27-6, gjithnjë me Maliqatin legjendar në portë. Si pasojë, në vitin 1960, në horizontin e ‘Dinamos’ u shfaqën dy ndërrime me rëndësi. Vendin e Beliut në portë e zuri Mile Qoshja dhe të trajnerit Zihni Gjinali, pas 10 vjetësh, (gjatë të cilave kjo skuadër u laureua 6 herë kampione), Zyber Konçi. Dhe ishte ky i fundi që e rikthente atë në piedestalin e kampiones. Madje dy  javë para se të ulej sipari i kampionatit, ndonëse në takimin e fundit me ‘Partizanin’, ‘Dinamo’ e përbërë nga Qoshja, Halluni, Verria, Duma, Jareci, Bushati, Tallushi, Lubonja, Duro, etj. ‘Dinamo’ humbi 1-3.,

DISA ARRITJE TË MËDHA TË ‘DINAMOS’ DHE TË ‘PARTIZANIT’ NË ARENËN NDËRKOMBËTARE

Pasi fitoi kampionatin e vitit 1956 me 6 pikë më shumë se ‘Partizani’, ‘Dinamo’ e tregoi ecurinë e saj të vrullshme në një turne ndërkombëtar në Çekosllovaki dhe Republikën Demokratike Gjermane. Ajo u ndesh së pari më 6 gusht në Pragë me përfaqësuesen e kryeqytetit çekosllovak. Disa minuta para mbarimit të ndeshjes rezultati ishte i barabartë, 2-2. Pikërisht në këto çaste Lubonja shënoi golin e fitores. Katër ditë më vonë në Kladno, ‘Dinamo’ u vu përballë skuadrës së njohur ‘Banjik’ të Ostravës. Në një fushë që ishte…75 metra e gjerë, tanët nuk arritën të ambientoheshin, në një kohë që vendasit dinin të shfrytëzonin hapësirat e krijuara në mbrojtjen tonë. Deri në minutën e 23-të të pjesës së dytë, ata udhëhiqnin  3-1; kështu që kjo ndeshje quhej e humbur.

Mirëpo pas golit të parë të Resmes, pasoi goli i dytë i Merjes. Pesë minuta para mbarimi të ndeshjes, goditje dënimi për skuadrën tonë. Barrikadë çekësh të të lartë mbi 1.80 m. Vetëm diku në një cep shihet horizonti i portës. Dhe aty e vë ‘shënjestrën’ Resmja. Dhe barazon 3-3, ndërsa shikuesit mbeten të mahnitur. E njëjta dukuri ndodh dhe në Brieske të Republikës Demokratike Gjermane, ku ‘Dinamo’ ndeshet me skuadrën vendase  ‘Aktivist’. Resmja shënon përsëri një gol të magjishëm. “Kemi rënë në dashuri me golin shqiptar”,- pohonte e përjavshmja  gjermane, ‘Fusbal Vohe’. Pastaj në Berlin në ndeshjen me ‘Dinamon’ vendase, shënon përsëri Resmja. Barazojnë gjermanët, por ndërkohë shënojnë Merja dhe Deda. Tanët fitojnë 3-1. Pastaj vjen arratisja e beftë e Qemal Voglit, të cilën e përshkruam më lart.

Kurse “Partizani” në vitin 1958 arriti një nga kulmet e futbollit shqiptar. Kjo ndodhi në turneun e futbolli të Ushtrive të Vendeve Socialiste, që u zhvillua në Lajpcig, ku morën pjesë skuadrat më të forta të tyre. ‘Partizani’ mundi së pari skuadrën  vietnameze ‘Pai’, 5-1, pastaj mposhti ‘CSCA’-në e Bukureshtit 1-0, ‘Duklën’ e Pragës, skuadër e njohur në Evropë, ku bënin pjesë futbollistë të mëdhenj si; Novak, Pluskal, Masopust, Urbanji, Dvorzhak, që do të bënin pjesë edhe në kombëtaren çekosllovake, nënkampione e botës më 1962. Goli i vetëm i shënuar nga Resmja në portën e ‘Duklës’, la pa mend shikuesit gjermanë. Pastaj ‘Partizani’ mundi ‘Forverstin’ e Berlinit 2-1 dhe vetëm në ndeshjen finale u mposht nga CDNA-ja e Sofies, (1-0)). Portieri Maliqati u mbiquajt “macja e zezë”.

Më 10 korrik të vitit 1959 në stadiumin ‘Dinamo’ vazhdonte seria e takimeve ‘dypalëshe’ midis skuadra shqiptare me skuadrat gjermano-lindore. ‘Partizani’ priste në stadiumin ‘Diinamo’  ‘Forverstin’ e Berlinit dhe ndahej në paqe me të, (1-1). Ky takim pasohej me takime të tjera ‘kokë më kokë’ me skuadrat gjermano-lindore, sepse në fillim të vitit 1960, ‘Partizani’ bëri një vizitë triumfuese në Gjermaninë Lindore, ku fitoi 4-1 kundër ‘Forvestit’ të Kotbusit, 4-2 kundër ‘Noje’ të  Brandenburgut dhe barazoi në Berlin 0-0 me ’Forvestin’, skuadër, ku pjesa me madhe e futbollistëve, (Jashke, Krempe, Unger, Rise, Majer, Vogt), bënin pjesë në ekipin kombëtar gjermano-lindor.  “Sikur shqiptarët të mos ziheshin disa herë në pozicion jashtë loje, rezultati do të kishte qenë ndryshe”, pohonte një gazetë e  Berlinit Lindor për atë ndeshje. Gjatë viteve 1957, ’58, ’59, ‘Partizani’ kampion arriti 29 fitore, 13 barazime dhe vetëm 3 humbje, madje në kampionatin e vitit 1959, ashtu si në atë të vitit 1954, nuk  pësoi asnjë humbje, rezultat me të vërtetë i jashtëzakonshëm!

DHE DY NDESHJET DRAMATIKE ‘PARTIZANI’-‘DINAMO’ TË VITIT 1961

Që nga gushti i vitit 1959, 21-vjeçar, kisha filluar të punoja gazetar në Radio Tirana. Por po atë vit u bëra edhe komentator sportiv. Kjo ndodhi pas një prove të miratuar jo vetëm nga drejtuesit e këtij institucioni, por edhe nga Anton Mazreku, i pari komentator sportiv radiofonik në Shqipëri, që më përgëzoi, pikërisht ai që e kisha adhuruar që i vogël dhe që kisha ëndërruar të bëhesha si ai. Mirëpo vetëm më 1960 m’u dha rasti të komentoja ndeshjet e këtij kampionati midis ‘Dinamos’ dhe  ‘Partizanit’, për të cilat shkrova pak më sipër, ku ‘Dinamo’  dëshmoi se po dilte ga “gjumi letargjik” i  dy viteve më parë dhe pas katër vitesh “agjërimi”, u bë përsëri kampione.

Rifillonte kështu rivaliteti tradicional midis tyre, rivalitet që, siç do të përshkruaj më poshtë, arriti “pikën e vlimit” në kampionatin e vitit 1961. Në ditën e fundit ‘Partizani’ ishte një pikë para ‘Dinamos’, por do të ndeshej  me ‘17 Nëntorin’. Dhe i duhej pa tjetër fitorja.E kam komentuar këtë ndeshje  së bashku me Ismet Bellovën dhe bashkë me të kam kaluar emocione vërtet të rralla. Shënon së pari Jashari, por shpejt barazon Rada. Në minutat e fundit të pjesës së parë është Panoja që e shpie përpara skuadrën e tij.

(Dy  dy vjet më parë ai kishte luajtur me ‘17 Nëntorin’, por kur erdhi dita të kryente shërbimin ushtarak, krerët e…Ushtrisë Popullore, e dërguan në radhët e Marinës Ushtarak-Detare, ku ky shërbim zgjaste…3 vjet). Por të vazhdojmë me ndeshjen: Pas golit Panos, Ishka, pikërisht atëherë kur tifozët e ‘Partizanit’ të  kapërthyer nga deliri madhështisë, përqafohen, barazon për ‘17 Nëntorin’, 2-2. Si ‘Dinamo’, ashtu dhe ‘Partizani,’ kanë nga 30 pikë. Pra, ashtu si më 1950, ‘55, ‘57, kur këto skuadra e përfunduan kampionatin me pikë të barabarta.

Por përsëri nuk u mor parasysh golavarazhi, (46-13 për ‘Partizanin’ dhe 41-12 për ‘Dinamon’). Kështu pra arrijmë në ndeshjen finale, që mund ta quajmë super suplementare. Javët e fundit të kampionatit të vitit 1961 kishin filluar të zhvilloheshin në stadiumin ‘Dinamo’, sepse në ‘Qemal Stafa’ nisën punimet për drenazhimin e fushës, që ishte bërë për herë të parë dhe të vetme më 1946, para Lojërave Ballkanike, fushë që kur binte shi, kthehej jo rrallë në baltovinë. Kështu edhe kjo ndeshje do të zhvillohej në stadiumin ‘Dinamo’, (sot ‘Selman Stërmasi’), shumë i vogël për kërkesat e sportdashësve të të dyja skuadrave. / Memorie.al

                                                               Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Pasi kryetari i Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, ministri i Jashtëm i Rumanisë, i bëri presion Mehdi Frashërit, ky i dërgoi telegram urgjent Zogut...”/ Rrëfimi ndryshe i Xh. Staraveckës, për Kryengritjen e Fierit

Next Post

“Asnjë e drejtë nuk u njihet shqiptarëve në Jugosllavi, u mbyll televizioni shqiptar, u anulua shtypi, por edhe deputetët shqiptarë...”/ Biseda e Ramiz Alisë me kryeministrin e Finlandës, shtator 1990

Artikuj të ngjashëm

“Sabri Peqini më tregonte se; Kadri Hazbiu i nxirë në fytyrë, nxori një letër nga çanta dhe lexoi emrat e të pushkatuarve, por ne, futbollistët s’njihnim asnjë, përveç Sabiha Kasimatit…”/ Dëshmia e rrallë e Skifter Këlliçit
Sport

“Sabri Peqini më tregonte se; Kadri Hazbiu i nxirë në fytyrë, nxori një letër nga çanta dhe lexoi emrat e të pushkatuarve, por ne, futbollistët s’njihnim asnjë, përveç Sabiha Kasimatit…”/ Dëshmia e rrallë e Skifter Këlliçit

November 13, 2026
“Më 26 shkurt 1963, në ndeshjen ‘Korabi’– ‘Apolonia’, sportdashësit dibranë u bënë dëshmitarë të një ngjarjeje që në futboll nuk përsëritet më kurrë…”/ Historia e rrallë dhe unike në futbollin shqiptar
Sport

“Më 26 shkurt 1963, në ndeshjen ‘Korabi’– ‘Apolonia’, sportdashësit dibranë u bënë dëshmitarë të një ngjarjeje që në futboll nuk përsëritet më kurrë…”/ Historia e rrallë dhe unike në futbollin shqiptar

October 4, 2026
“Për ndeshjen me ‘Ajaksin’ bëra një palë doreza me peliçeri, i vesha me plastiket e raketave të ping-pongut, por kur më pa portieri holandez…”/ Dëshmia e rrallë e ish-“gardianit” të portës së “17 Nëntorit”
Sport

“Për ndeshjen me ‘Ajaksin’ bëra një palë doreza me peliçeri, i vesha me plastiket e raketave të ping-pongut, por kur më pa portieri holandez…”/ Dëshmia e rrallë e ish-“gardianit” të portës së “17 Nëntorit”

September 24, 2026
“Ajo finale s’ishte vetëm një duel mes Fischerit dhe Spasskyt, por momenti kur një njeri i vetëm sfidoi një sistem të tërë dhe u bë skena ku Lufta e Ftohtë…”/ Ana e panjohur e ndeshjes së shekullit, 11 korrik ‘72
Sport

“Ajo finale s’ishte vetëm një duel mes Fischerit dhe Spasskyt, por momenti kur një njeri i vetëm sfidoi një sistem të tërë dhe u bë skena ku Lufta e Ftohtë…”/ Ana e panjohur e ndeshjes së shekullit, 11 korrik ‘72

July 13, 2026
“Çobani nga Vajza e Vlorës, i dënuar 25 vjet për atentat ndaj Hrushovit, recitonte vargjet e Homerit, Dantes, tragjeditë e Shekspirit, Faustin e Gëtes, Shilerin, etj.,…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të dënuarit politik, për “enciklopedinë” e burgjeve
Sport

“Skuadra ruse ‘Admiraltejec’ e stërvitur prej trajnerit Nikolaj Ljukshinov, i cili në periudhën 1956-1958 kishte punuar në Shqipëri, me ‘Partizanin’ dhe …”/ Historia e panjohur e ndeshjeve me sovjetikët

June 7, 2026
“Kur Bashkimi Sovjetik fitoi kupën e Europianit në 1960-ën në futboll, në Tiranë gazetat shkruanin me gërma të mëdha…”/ Historia e panjohur e përplasjeve të mëdha në kampionatet evropiane
Sport

“Kur Bashkimi Sovjetik fitoi kupën e Europianit në 1960-ën në futboll, në Tiranë gazetat shkruanin me gërma të mëdha…”/ Historia e panjohur e përplasjeve të mëdha në kampionatet evropiane

June 7, 2026
Next Post
“Asnjë e drejtë nuk u njihet shqiptarëve në Jugosllavi, u mbyll televizioni shqiptar, u anulua shtypi, por edhe deputetët shqiptarë…”/ Biseda e Ramiz Alisë me kryeministrin e Finlandës, shtator 1990

“Asnjë e drejtë nuk u njihet shqiptarëve në Jugosllavi, u mbyll televizioni shqiptar, u anulua shtypi, por edhe deputetët shqiptarë...”/ Biseda e Ramiz Alisë me kryeministrin e Finlandës, shtator 1990

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme