Nga Skifter Këlliçi, Boston
Pjesa e parë
Memorie.al / Një ditë në fillim të marsit të vitit 1950, kur së bashku me Luanin, vëllain tim binjak, kishim mbushur 12 vjeç dhe shokë të tjerë të mëhallës sonë në Tiranë, mësuam nga gazeta ‘Sporti Popullor’ se ishte krijuar një skuadër e re futbolli me emrin ’Dinamo’. Me një emër të tillë kishim lexuar po në këtë gazetë se kishte skuadra në Bashkimin Sovjetik, (‘Dinamo’ e Moskës e Kievit, e Tbilisit), madje edhe edhe në Jugosllavi’, ‘Dinamo’ e Zagrebit. Dhe ja, me sa duket, nën shembullin e tyre, edhe në Shqipëri po krijohej një skuadër me të njëjtin emër, ‘Dinamo’; jo vetëm kaq, por që do të luante drejt e në kategorinë e parë, krahas ‘Partizanit’, ‘Tiranës’, Shkodrës’, ‘Durrësit’, ’Kavajës’, dhe skuadrave të tjera.
Mësuam gjithashtu se ushtarakë shqiptarë që kishin studiuar ne Bashkimin Sovjetik dhe kishin parë ndeshje të skuadrave të mësipërme me emrin ‘Dinamo’, të cilat u përkisnin ministrive të Brendshme të republikave sovjetike, me të drejtë kishin ngritur pyetjen; se përse edhe në Shqipëri Ministria e Punëve të Brendshme te mos kishte një skuadër të tillë. Mirëpo shokë më të mëdhenj se ne, na thanë se Mehmet Shehu, ministër i Brendshëm i asaj periudhe, ashtu si Enver Hoxha dhe Hysni Kapo, më ‘kapot’ deri atëherë në Shqipëri, nuk ishin ‘tifozë sporti’…! Por më vonë ata na shpjeguan se Kadri Hazbiu, shefi i i Sigurimit të Ministrinë së Brendshme dhe pastaj zëvendësministër i saj, kishte arritur ta bindte Mehmet Shehun, që edhe Ministria e Brendshme të kishte skuadrën e vet të futbollit.
(Uroj që në këto vite gazetarë të pasionuar sportivë të kenë gjetur në Arkivin e Shtetit dokumentin përkatës, në mos e kanë gjetur, të nënshkruar nga një prej eprorëve të kësaj ministrie, që dëshmon datën e krijimit të klubit Sportiv ‘Dinamo’). E çuditshme se si kjo skuadër me 10 korrik të vitit 1950, pra brenda pak muajsh nga krijimi i saj, ashtu si ‘Partizani’, themeluar në fund të vitit 1946, nën shembullin e ‘Partizanit’ të Beogradit në Jugosllavi, bëhej menjëherë kampion i Shqipërisë një vit më vonë, edhe ‘Dinamo’, pra, arriti të shpallej kampione e Shqipërisë, madje brenda vitit të krijimit, duke lënë pas ‘Partizanin’. tri herë kampion, (1947-‘48-‘49), dhe ‘Vllazninë’ e Shkodrës’.
Dhe ja se si: Trajner i ‘Dinamos’ u caktua Zihni Gjinali, ish-futbollist i ‘Partizanit’, qe kishte mbaruar gjimnazin e Tiranës, zotëronte shumë mirë italishten dhe kishte ruajtur edhe libra për teknikën dhe taktikën e futbollit në këtë gjuhe. Fill pas tij në ekipin e ‘Dinamos’ u rreshtuan: Qemal Vogli, portier i ‘Kavajës’, Taq Murati, mbrojtës i djathtë i ‘Durrësit’, Besim Boriçi, qendërmbrojtës i ‘Tiranës’, Koçi Sherko, mbrojtës i majtë i ‘Korçës’, Bule Vathi, gjysmëmbrojtës i djathtë i ‘Tiranës’, Bahri Kavaja, gjysmëmbrojtës i majtë i ‘Partizanit’, Qamil Teliti, sulmues i djathtë i ‘Kavajës, vetë Zihni Gjinali, gjysmësulmues i djathtë i ‘Partizanit’, Skënder Jareci, qendërsulmuesi i’ Durrësit’, Sabri Peqini, gjysmësulmues i majtë i ‘Shijakut”, Pal Mirashi, sulmues i majtë i ‘Tiranës’ dhe të të tjerë.
Të bën përshtypje fakti se si drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe Petrit Dume, u treguan kaq ‘zemërgjerë’ dhe i dhuruan “Dinamos’ së Kadri Hazbiut, zëvendësministër, (që një vit më pas, më 1951 do të bëhej ministër i Brendshëm), dhe Mehmet Shehu, kryeministër, ndonëse vazhdonte të mos ndiqte asnjë ndeshje futbolli, u dhuruan pra atyre futbollistë që kishin qenë të ‘Partizanit’, qoftë edhe me dëshirën e tyre, ishin bashkuar me ‘Dinamon’, ndoshta pa bërë mirë hesapet se kjo ‘Dinamo’ do të ishte përjetësisht shemra e saj. Dhe, për të dominuar edhe në futbollin shqiptar, si$ ndodhi, këto skuadra u vunë përballë njëra-tjetrës në ndeshjen përmbyllëse të kampionatit, të zhvilluar më 10 korrik të vitit 1950 në ‘Qemal Stafa’, në një ditë zhuritëse.
Këto skudra kishin grumbulluar pikë të barabarta, secila nga 28 të tilla dhe golaverazh 58-4 për ‘Dinamon dhe 75-8 për ‘Partizanin’, rezultat që në rast barazimi, favorizonte ‘Dinamon’. Ndonëse i vogël, (12 vjeç), e mbaj mend shumë mirë atë ndeshje. Së pari shënoi Boriçi për ‘Partizanin’. Pas disa minutave barazoi ‘Dinamo’ me anë të trajner-futbollistit të saj, Zihni Gjinali. Në minutat e para të pjesës së dytë Parapani i ‘Partizanit’ shënoi golin e dytë. Dukej se jo skuadër do të bëhej kampione për të katërtën herë. Por një dalje e nxituar e portierit Bonati që nuk arriti ta grushtonte topin, i dha mundësi Vathit të ‘Dinamos’ të shënonte golin e barazimit dhe titullin kampion, të siguruar, sipas rregullores nga pjesëtimi më i mirë i golave të shënuar me golat e pësuar.
ARRATISJA E BULEVATHIT DHE BAHRI KAVAJËS
Në fund të shtatorit dhe fillim të tetorit të vitit 1950, skuadra jonë përfaqësuese bëri një turne ndërkombëtar në Rumani, Çekosllovaki dhe Hungari. Ajo i humbi të trija ndeshjet: 0-3 me Çekosllovakët, 0-6 me rumunët dhe 0-12 me hungarezët. Në këto rezultate ndikoi deri-diku edhe arratisja futbollistëve të saj, Bule Vathit dhe Bahri Kavaja. Ndërsa anija me të cilën po udhëtonin, po kalonte nëpër ngushticën e Dardaneleve në Turqi, ata u hodhën në det dhe duke notuar, arritën në portin e Stambollit, ku kërkuan strehim politik. Rezultatet e mësipërme nuk pasqyronin kurrsesi nivelin e përfaqësueses sonë, e cila më 1 maj të vitit 1950, kishte barazuar në Tiranë me Poloninë, (0-0) dhe më 4 qershor të po atij viti, kishte mundur po në Tiranë Bullgarinë, (2-1). Dhe papritur brenda fundit të shtatorit dhe fillimit të tetorit të po atij viti, pësonte humbje kaq të thella! Të kthehemi te arratisja e Vathit dhe Kavajës.
“Isha në kuvertë së bashku me futbollistë të tjerë dhe po shijonim bukuritë e Stambollit, – më thoshte në një bisedë pas vitit 1991 Sabri Peqini, ish-futbollist, – kur ata si fshehurazi me një guxim të habitshëm, u hodhën në këmbë dhe jo me kokë nga anija dhe nisën të notonin drejt portit. Sado që u bëmë thirrje të ktheheshin, duket se ata nuk na e vunë veshin, deri sa na u zhdukën sysh. Ne mbetëm të shtangur dhe shumë të tronditur”.
Në pranverë të vitit 1998, pra pas 48 vjetëve, Bule Vathi u kthye në Shqipëri dhe pata rast ta takoja në shtëpinë e madhe të Vathëve, diku pranë Ministrisë se Jashtme. Më rrëfeu se të dy nuk kishte mundur të depërtonin me suksesin që kishte pritur në ndonjë ekip futbolli në Perëndim dhe kështu ai ishte vendosur në Amerikë, pa harruar Shqipërinë, ku më së fundi po kthehej pas rënies së komunizmit.
Me sa u mor vesh atëherë, Bahri Kavaja kishte përfunduar në Zelandën e Re, por nuk u mësua më shumë për të…! Vendin e Vathit dhe Kavajës në radhët e ‘Dinamos’ për sezonin e vitit 1951, (atëherë kampionati zhvillohej brenda një sezoni, pranverë -verë), e zunë Xhevdet Shaqiri i ‘Partizanit’, (pas shërbimit ushtarak) dhe Muhamet Vila nga ‘Kavaja’. Në mbrojtje u bënë këto zëvendësime: Në vend të Taq Muratit, mbrojtës i djathtë, nisi të luante Leonidha Dashi i ‘Elbasanit’; Besim Boriçi u zhvendos mbrojtës i majtë, në vend të Koçi Sherkos dhe roli i qendërmbrojtësit iu besua Qemal Cungut i ‘Lezhës’; kurse në sulm vendin e Qamil Telitit, e zuri Hamdi Bakalli i ‘Vllaznisë.’ Ndërkohë, si sulmues i majtë, në vend të Pal Mirashit, (të larguar për arsye politike), nisi të luante Skënder Begeja, diplomuar për drejtësi në Sofje, ku ishte aktivizuar me një skuadër të kryeqytetit bullgar.
MASAKRA E SHKURTIT TË VITIT 1951 DHE LOJTARËT E ‘DINAMOS’
Futbollistët e ‘Dinamos’ që ditën e krijimit të saj u akomoduan në Hoteli ‘Vollga’, (pas Hotel ‘Dajtit’ hoteli më i miri në Tiranën e viteve 50-të të shekullit të kaluar, që ndodhej pas Bashkisë së sotme). Sabri Peqini, me të cilin kam pasur rastin të bisedoj disa herë pas vitit 1991, më rrëfente se si trajtimi ushqimor i futbollistëve, veç fjetjes së rehatshme në hotel, ishte jashtëzakonisht i mirë. Të njëjtin trajtim kishin dhe futbollistët e ‘Partizanit’ me ndryshimin se bujtnin në një konvikt në fund të “Rrugës së Elbasanit”.
“Kur çdo mëngjes hanim dy vezë të skuqura në gjalpë, reçel, djathë, ëmbëlsira, pinim qumësht, pa përmendur drekat dhe darkat e bollshme, ku nuk mungonte kurrë mishi i viçit dhe bukë pa hesap, kujtoja qytetarët e ngratë që mezi ngopeshin me ushqimet e triskave mujore të cilat mbaroheshin për tri javë dhe në javën e fundit ta detyroheshin që ushqimet t’i blinin në tregun e zi me çmime shumë të larta. Edhe ne fëmijët e ndjenim këtë mangësi të tmerrshme, po të marrim parasysh se triskat e tona dhe të të moshuarve pensionistë, të quajtura ‘ordinere’, përmbanin 400 gram bukë misri, se bukën e grurit e shihnim rallë në tryezat tona. ‘Na vinte kaq keq për familjarët tanë, – vazhdonte Sabri Peqini, – dhe nuk dinim si t’i ndihmonim…! Disi më mirë, por shumë larg trajtimit tonë ushqimor, ishte gjendja e sportistëve në përgjithësi, sepse ata ishin të pajisur me triska të quajtura ‘të rënda’. Nuk po zgjatem pastaj me trysninë e diktaturës, që shtohej gjithnjë dhe më shumë”.
Një herë tjetër Sabri Peqini më bëri pyetjen: “E ke njohur Sabiha Kasimatin”? I kujtova se e kisha njohur rastësisht një pasdite të vitit 1950, kur kisha shkuar në Bibliotekën Kombëtare. Në sallën e poshtme nuk kishte vende dhe po qëndroja në korridor, pa ditur ç’të bëja, kur m’u afrua Haki Stërmilli, drejtori i Bibliotekës, i cili kishte shkruar romanin e famshëm ‘Sikur të isha djalë’, që e kisha lexuar edhe unë. ‘Shko lart se ka karrige bosh, – më tha ai. Mirëpo atje ishte një sallë e madhe ku studionin njerëz të ditur, dhe me vinte turp të ulesha midis tyre. Dhe ja, nga ana tjetër e mesores, ku më vonë mora vesh se ishte Instituti i Shkencave, pashë një grua me fytyrë të këndshme, që më vonë mora vesh se quhej Sabiha Kasimati, e cila, duke parë ngurrimin tim, më vuri dorën në shpatull dhe duke buzëqeshur, më tha: “Mos ki turp dhe futu brenda”. Dhe unë ashtu bëra.
“Një mëngjes nga fundi i shkurtit të vitit 1951, – vazhdoi Sabri Peqini, – ne futbollistët na njoftuan të mblidheshim në një sallë të Ministrisë së Brendshme, sepse Kadri Hazbiu, që ishte zëvendësministër dhe si tifoz futbolli, na mbulonte, do të na jepte një njoftim me shumë rëndësi. Në atë mbledhje, ku kishte dhe punonjës të sektorve të tjerë të Ministrisë së Brendshme, ai na njoftoi se; Partia vigjilente kishte zbuluar një grup armiqësor që kishte lidhje me hedhjen e një bombe në Ambasadën Sovjetike në ‘Rrugën e Durrësit’. Shumë nga ky grup ishin dënuar me vdekje dhe ishin pushkatuar. Kadri Hazbiu i nxirë në fytyrë, nxori një letër nga çanta që mbante me vete dhe nisi të lexonte emrat e të pushkatuarve.
Ne, futbollistët nuk njihnim asnjë nga ata të mjerë. Por kur ai lexoi emrin Sabiha Kasimati, mbetëm të ngrirë. Asnjeri nga ne nuk e kishte njohur nga afër. Por kur rrinim në një fushë përballë hotel ‘Vollgës’, kishim parë jo shpesh një grua plot nur që kalonte në këmbësoren anës asaj fushe. Kishim dëgjuar se ajo ishte e ditur dhe punonte në Institutin e Shkencave, jo larg hotelit tonë. Pasi mbarimit të kësaj mbledhjeje, ndonëse me frikë, folëm me zë të ulët me njeri-tjetrin dhe shprehëm habinë se si një grua aq e fisme, të bënte pjesë në një grup që kishte hedhur një bombë në ambasadën sovjetike. Por më nuk e zumë me gojë. Kishim frikë dhe nga vetja jonë”.
NJË ECURI E MAHNITSHME E “DINAMOS”
Dinamo’ ishte padyshim skuadra më e mirë në Shqipëri gjysmën e parë të viteve 50-të të shekullit te kaluar, jo vetëm se kishte thuajse lojtarët më të shquar në Shqipëri, por edhe sepse, falë trajnerit të saj Zihni Gjinali, zbatoi për herë të parë në futbollin shqiptar me nivel të lartë, ‘katrorin magjik’ në sistemit WM, (tre mbrojtës, dy gjysmëmbrojtës, dy gjysmësulmues dhe tre sulmues), fillimet e te cilit u panë te përfaqësuesja jonë, fituese e turneut të futbollit në Lojërat Ballkanike të vitit 1946, të zhvilluara në Tiranë, të përbërë nga dy gjysmë-sulmuesit – Gjinal, Peqini dhe dy gjysmëmbrojtësit – Shaqiri, Vila ‘Dinamo’, u shpall kampione e Shqipërisë në vitet 1950, ‘51, ‘52, ‘53, ‘55 dhe ’56, duke ia lënë në vitin 1954 vendin e parë ‘Partizanit,’ të drejtuar nga trajneri Myslim Alla, që e mbylli atë kampionat me vetëm një barazim me ‘Dinamon’ 1-1.
Kjo skuadër përbëhej nga sulmuesit Loro Boriçi, Refik Resmja, Simon Deda, mesfushorët Roza Haxhiu, Gani Merja, mbrojtësit Besim Fagu, Fatbardh Deliallisi dhe portieri Sulejman Maliqati etj., në marsin e vitit 1953, me rezultatin 3-1. E mbaj mend atë ndeshje, vërtet të rrallë dhe sidomos një gol te rrallë të Boriçit të shënuar në portën e golit që ma ka përshkruar vetë Qemal Vogli, në këtë mënyrë: “Loroja u ndodh në vijën e zonës së rreptësisë, përballë meje me topin që i erdhi nga e majta. E ndali me gjoks, pastaj lehtë e kaloi djathtas. Atëherë kujtova se do të gjuante me këmbën e djathë dhe lëviza i përkulur nga ajo anë. Befas ai, duke iu shmangur Rrelit, që po e ndiqte, e kaloi topin nga e majta e tij dhe pa e lënë të binte për tokë gjuajti furishëm. Unë pata kohë vetëm ta shoqëroja topin me sy, që u përplas në rrjetë”.
Si të dëshmonte se ‘fronin’ e kampionateve të futbollit e kishte lënë përkohësisht, ‘Dinamo’, gjithnjë me trajner Zihni Gjinalin, u ngjit përsëri në këtë post të lakmueshëm, duke fituar radhazi dy kampionate, atë të vitit 1955 dhe 1956; por në kampionatin e “markës” ‘55, ashtu si në kampionatin e vitit 1950, duke luftuar kaq ashpërsisht deri në javën e fundit, të dyja skuadrat, ‘Partizani’ dhe ‘Dinamo’ u ndodhën me pikë të barabarta, secila nga 55. Kështu, edhe këtë radhë u mor parasysh…golavarazhi, i cili ishte përsëri më i mirë për ‘Dinamon’, 74-9, pra me koeficient 8.2, kundrejt golavarazhit të ‘Partizanit, 96-15, dhe koeficient 6.4. Në këtë mënyrë, ‘Dinamo’, ku u shquan Vogli, Dashi, Reli, Vila, Shaqiri, Bakalli, Gjinali, Jareci, Peqini, Begeja, për të gjashtën herë u bë kampione e Shqipërisë.
Në kampionatin e vitit 1956, nuk qe nevoja të përdorej ‘matematika’, sepse ‘Dinamo’ me një sprint të fuqishëm në javët e fundit, u shkëput përpara dhe e përfundoi atë me 29 pikë, ndaj 23 pikëve të ‘Partizanit’. Në këtë kjo skuadër, midis të tjerëve pati në radhët e saj , Voglin, Rrelin, Vilën, Shaqirin, Bakallin, Gjinalin, Jarecin, Peqinin, Begejën, të cilëve iu shtuan edhe Beliu, Verria, Sheshi, Tallushi, Gjyli, Gjoci dhe të tjerë.
ME CILËN SKUADËR ISHA TIFOZ?
Me të drejtë nga lexuesit e këtyre kujtimeve, natyrshëm mund të më drejtohet pyetja: “Po ju, gazetar, publicist, shkrimtar dhe komentator sportiv i RTSH-se prej 40 vjetësh, (1959-1999), që ndonëse keni emigruar prej 27 vjetësh në Amerikë, me cilën skuadër keni qenë dhe jeni tifoz”?’ Siç dihet, në vitet 1945 dhe 1946, kampionatet e futbollit të pasçlirimit i fitoi ‘Vllaznia’ e Shkodrës, në dyluftim me ‘Tiranën’, që më pas do të quhej ’17 Nëntori’. Meqë me ’Vllazninë’ shkëlqente Loro Boriçi dhe nënën unë e kisha shkodrane, sido që martuar me burrë ‘safi’ tiranas, çunak 7-vjeçar, u bëra tifoz i ‘Vllaznisë’. Nuk e harroj takimin e kthimit midis këtyre dy skuadrave në verën e vitit 1946, kur ato, të ndodhura në grupin e parë, u ndeshën midis tyre.
Atëherë stadiumi, që nga koha e luftës për çlirimin e Tiranës kishte mbetur ende i papërfunduar, pa pistë vrapimesh dhe kërcimesh, fushë ende pa gjelbërim, punime të cilat do të kryheshin më vonë para fillimit të Lojërave Ballkanike në fillim të tetorit të atij viti. Në atë ndeshje ‘Vllaznia’ e Loro Boriçit mundi 5-1 ‘17 Nëntorin’ në Tiranë , (takimin e parë në Shkodër e kishte fituar 1-0) dhe fitoi për herë të dytë titullin kampion. Këtë ndeshje e kam parë dhe unë me tim vëlla binjak, Luanin, së bashku me nënën tonë shkodrane, dhe aty u mahnitëm nga mjeshtria e rrallë e Boriçit. Kur në vitin 1947, Boriçi u thirr të bënte shërbimin ushtarak dhe nisi te luante me ‘Partizanin’, për hir të tij u bëra tifoz i kësaj skuadre. Edhe kur në vitin 1950, me krijimin e ‘Dinamos’, siç dihet, nisi dyluftimi i gjatë, i ashpër edhe aq interesant midis këtyre dy skuadrave. Por së bashku me të dhe shokë të tjerë, nisëm të admironim portierin Vogli të ’Dinamos’.
Jo vetëm kaq, por në vitin 1954, tashmë 15-vjeçarë me vëllain që po bëhej lojtar i shquar në tenis dhe pingpong, veprimtari që zhvilloheshin ne Parkun Sportiv ‘Rinia’, (pas fushës së “Shallvares”), patëm rastin të njiheshim nga afër edhe me Qemal Voglin dhe Loro Boriçin, sepse te dy merrnin pjesë në kampionatet vendore dhe kombëtare të pingpongut, të dy si në futboll dhe në këtë lojë kundër njeri-tjetrit. Dhe kështu vëllai dhe unë u njohëm me ta, por me shumë me Voglin, sepse ai ndiqte dhe ndeshjet e tenisit, ku im vëlla, ashtu si në pingpong, zinte vendet e para.
Vogli, i cili në fushë me fytyrën e zeshkët, flokët e zinj, të shpupuritur, sytë po të zinj, fanellën dhe të mbathurat e zeza, kishte pamje disi të rëndë, doli se ishte njeri shumë i thjeshtë, që na bëri ta donim dhe adhuronim si në fushë. Në fillim të vitit 1950, kur ‘Dinamo’ e porsakrijuar, me qendërsulmues Skënder Jarecin, startonte krahas ‘Partizanit’ për titullin kampion, në fushën e “Shallvares” në Tiranë, (e cila një vit më vonë do të prishej, për t’u ndërtuar blloqe pallatesh), një çun më pak se dhjetëvjeçar me zhonglimet e tij me topin, habiste tifozët, që vinin për të parë të dielave paradite ndeshje midis skuadrave të ndërmarrjeve të Tiranës. Ishte Namiku, vëllai i vogël i Skënderit. Vite më pas nisi të luante mesfushor me “Dinamon’.
Më ka rastisur të komentoj në Radio-Tirana ndeshjeje të “Dinamos’, ku luante dhe Namik Jareci. Kurrë nuk më tha ndonjëherë që të flisja mirë për gjatë komentimit tim radiofonik, edhe kur kjo nuk ndodhte. As Skënderi, jo vetëm kur luante, por edhe kur u bë trajner i ‘Dinamos në vitet 1966-‘73…! Pastaj Namiku nuk u nda nga fushat e stadiumeve, por këtë radhë në rolin e gjyqtarit. Dhe u bë ndër ‘bilbilat’ më të mirë në historinë e futbollit tonë, madje edhe gjyqtar ndërkombëtar. Traditën e tij e vazhdoi më pas i biri, Sokoli, dhe ai po me aq sukses sa babai. / Memoroe.al
Vijon numrin e ardhshëm















