Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e shtatë
Memorie.al/Plot 36 vite më parë, në javën e fundit të shtatorit 1990, kreu i Shqipërisë komuniste të asaj kohe, Ramiz Alia, i cili mbante funksionet e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së e gjithashtu të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, në krye të një delegacioni të madh, u nis për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. Pjesëmarrja e Ramiz Alisë në sesionin e 45 të OKB-së, pati një jehonë të madhe asokohe, jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenën ndërkombëtare, pasi ishte hera e parë që një nga udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, merrte pjesë në punimet e Asamblesë së OKB-së, gjë e cila nuk kishte ndodhur që nga viti 1961, kur Tirana zyrtare u përfaqësua në atë forum të lartë të politikës dhe diplomacisë botërore, me kryeministrin e asaj kohe Mehmet Shehu.
Edhe pse kanë kaluar 36 vite nga ajo kohe, ende dhe sot vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, pasi me përjashtim të ndonjë dëshmie të pjesëtarëve të atij delegacioni (kujtimet e Reiz Mailes, apo Lisen Bashkurtit), si dhe fare pak dokumenteve arkivore të publikuara në shtyp, asgjë tjetër nuk dihet rreth vizitës së kreut të shtetit shqiptar të asaj kohe, Ramiz Alia, në sesionin e 45 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, i cili i zhvilloi punimet për rreth tre javë rresht, deri në mesin e muajit tetor 1990.
Si p.sh.; Kur filloi përgatitja dhe përpilimi i protokollit përkatës për pjesëmarrjen e delegacionit shqiptar në atë forum të lartë të politikë botërore, kush ishin pjesëtarët e tjerë të delegacionit që shoqëruan Ramiz Alinë në atë udhëtim të gjatë përtej Atlantikut dhe çfarë funksionesh mbanin ata; prej sa personash përbëhej stafi ndihmës që shoqëroi delegacionin shqiptar dhe cilët ishin ata?! Kur filloi përgatitja dhe çfarë përmbante programi i vizitave dhe takimeve të Ramiz Alisë gjatë gjithë periudhës që ata do të qëndronin në SHBA-ës? A u realizua i gjithë ai program sipas protokollit përkatës dhe cilët ishin krerët e delegacioneve të huaja që takoi Ramiz Alia gjatë gjithë ditëve të qëndrimit në SHBA-ës e, çfarë bisedoi ai me ta? Kush ishin shqiptarët e “mërgatës së vjetër”, me të cilët u takua kreu i Shqipërisë komuniste gjatë asaj vizite, çfarë u bisedua në ato takime dhe a pati incidente me “mërgatën reaksionare shqiptare”, të arratisur nga Shqipëria pas vitit 1945? Kush e organizoi pritjen që dha Ramiz Alia për bashkatdhetarët në Boston, cilët ishin disa nga eksponentët e mërgatës shqiptare që asistuan aty dhe si shkoi ai takim?
Cili ishte itinerari i udhëtimit të delegacionit shqiptar nga Tirana drejt SHBA-ës, përse u ndanë ata në disa grupe dhe arsyet e qëndrimit një natë në Zvicër? Përse ishte pjesë e delegacionit shqiptar, edhe Arben Alia, i biri i kreut të shtetit, Ramiz Alia dhe si u “justifikua” pjesëmarrja e tij në përbërje të delegacionit në fjalë? Sa dhe cilat ishin dhuratat që mori me vete delegacioni shqiptar me në krye Ramiz Alinë dhe kujt iu dhuruan ato në Zvicër e SHBA-ës? Përse u caktua Hotel “Plaza” (hoteli në pronësi të presidentit të sotëm të SHBA-ës, Donald Trump), për akomodimin e Ramiz Alisë dhe disa pjesëtarëve të tjerë të atij delegacioni? Sa kushtoi nga ana financiare e gjithë ajo vizitë, përse u shtuan fonde të tjera gjatë periudhës që delegacioni ndodhej në SHBA-ës dhe si u justifikuan ato shpenzime?
Përse stafi i diplomatëve shqiptarë që shërbenin në Misionin e OKB-së, u kujdesën që t’i jepnin Ramiz Alisë dhe një planimetri të saktë të sallës ku do mbahej sesioni i 45 i OKB-së, duke i përcaktuar edhe vendin ku do ulej përfaqësuesi kryesor i delegacionit të Republikës Federative të Jugosllavisë?! Kush ishin dy truprojat (mjeku dhe shoferi) që shoqëruan Ramiz Alinë gjatë gjithë asaj vizite dhe si u bë e mundur që ata të udhëtonin në avion me armatim dhe municion me vete? Cilët ishin pjesëtarët e grupit të xhirimit të Radio-Televizionit Shqiptar që shoqëruan delegacionin dhe çfarë detyrash iu dhanë atyre? Lidhur me këto etj., na njohin dokumentet arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E TAKIMIT TË KREUT TË SHTETIT SHQIPTAR, RAMIZ ALIA, ME MINISTRIN E JASHTËM TË BASHKIMIT SOVJETIK, EDUARD SHEVARNAZE, NJU JORK 1990
ËSHTË NË TË MIRËN E POPULLIT SHQIPTAR E TË POPULLIT SOVJETIK
QË MARRËDHËNIET MIDIS DY VENDEVE TË FORCOHEN
Më 27.9.1990, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, shoku Ramiz Alia, u takua në hotel “Plaza” në Nju Jork me Ministrin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Eduard Shevarnaze.
Midis shokut Ramiz Alia dhe Eduard Shevarnazes u zhvillua kjo bisedë:
Shoku Ramiz Alia: Gëzohem shumë që takohem me ju. U bë shumë mirë që marrëdhëniet tona u rregulluan.
Eduard Shevarnaze: Jam shumë i gëzuar që më jepet rasti të takohem me ju. Ky takim ka një kuptim të veçantë. Ju transmetoj përshëndetjet e nxehta nga ana e shokut Gorbaçov dhe dua t’ju siguroj se tek populli sovjetik ka ndjenja miqësore për popullin shqiptar. Ajo që ndodhi midis nesh është e hidhur. Nuk duhet të kishte ndodhur, por unë i përkas një brezi më të ri. Me shumë kënaqësi ju ftoj të vini në Bashkimin Sovjetik, të bisedojmë konkretisht për marrëdhëniet tona.
Shoku Ramiz Alia: Jam shumë i gëzuar që takohem me ju. Gjithashtu jam dakord me ju për mendimet që shprehët. Kaloi një kohë mjaft anormale midis të dy vendeve tona. Tashmë është e rëndësishme që të mos kujtojmë se si u shkaktuan ngjarjet midis dy vendeve tona. Unë kam lexuar deklaratën e shokut Shevarnaze në kohën e vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe e kemi vlerësuar atë të drejtë. Prandaj me kaq do ta mbyll këtë pikë.
Është me rëndësi të madhe të shkojmë përpara. Normalizimi i marrëdhënieve tona diplomatike koincidon me zhvillimet e reja të marrëdhënieve në Evropë dhe në botë. Pa dyshim, në këto rrethana, Bashkimi Sovjetik dhe Shqipëria nuk ka përse të mbeten larg njeri-tjetrit, përkundrazi, duhet gjetur të tëra mundësitë që midis dy vendeve tona marrëdhëniet të zhvillohen sa më mirë që të jetë e mundur.
Jam plotësisht dakord me mendimin e shokut Shevarnaze që në popullin sovjetik dhe në popullin shqiptar, pavarësisht nga ngjarjet që kanë ndodhur, është ruajtur miqësia dhe dashuria për njeri-tjetrin. Por, duhet të jemi realistë që disa njolla edhe kanë mbetur. Detyra jonë është t’i zhdukim ato. Nuk duhet ndenjur duarkryq, por të veprojmë me mentalitet të ri, duke iu përshtatur kushteve të reja. Duhen pasur parasysh mësimet e historisë, sepse edhe shumë gjëra të mira ka pasur midis dy vendeve tona.
Nga kjo pikëpamje ne mendojmë se ka mundësi të gjejmë rrugë për zhvillim të marrëdhënieve politike midis dy vendeve tona, të marrëdhënieve ekonomike, kulturore, etj. Unë nuk kam ndonjë program konkret, nuk është as rasti për një bisedë të tillë konkrete. Mendoj se sot është e mjaftueshme njohja jonë, por do të ishte mirë të jemi dakord për t’u dhënë shtytje përpara marrëdhënieve midis nesh.
Shoku Ramiz Alia (vazhdim): Nga ana jonë jemi të disponuar të bashkëpunojmë me njeri-tjetrin, jemi të interesuar që marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik të përmirësohen e të zgjerohen. Nuk dua të tregohem egoist, por Shqipëria është një vend i vogël, prandaj kuptohet që ne jemi më shumë të interesuar të kemi marrëdhënie të mira me Bashkimin Sovjetik. Me këtë rast dëshiroj t’ju siguroj se asnjë e keqe nuk ju ka ardhur dhe kurrë nuk do t’ju vijë nga Shqipëria, përkundrazi, të mira do ju vijnë. Këto rrugë urojmë që t’i hapim.
Eduard Shevarnaze: Të gjitha këto sa më thatë do t’ia transmetoj shokut Gorbaçov. Jam plotësisht dakord me mendimet tuaja. Nga ajo që ndodhi kemi nxjerrë mësime. Është turp. Nuk duhet të ndodhte. Pasojat e rënda i dimë. Ne harruam të vërtetën, se si duhet të rregulloheshin marrëdhëniet. Ishin kohëra shumë të vështira, megjithatë ne gëzohemi që tani gjërat po vihen në vend dhe marrëdhëniet po normalizohen. Ka një bazë të mirë për zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona.
Kohët kanë ndryshuar. Evropa nuk është më ajo që ishte. Ajo po ndryshon. Çdo shtet, i madh apo i vogël, ka vlerën e tij. Në një bisedë me Bejkerin ra fjala edhe për Shqipërinë. Edhe ajo do të futet në familjen evropiane. Mund të vonohet një muaj ose një vit, kjo nuk ka rëndësi, por ajo do të futet. Marrëdhëniet me Shqipërinë do t’i zhvillojmë. Gorbaçovi është i qartë që marrëdhëniet midis dy vendeve tona duhet të ecin.
Shoku Ramiz Alia: Unë mendoj se ka mundësi të zhvillohen mirë dhe më tej marrëdhëniet. Por punë do të duhet shumë. Për këtë vullneti i mirë ekziston. Përsa i përket atmosferës së përgjithshme në Evropë, nuk do të bëj analiza. Nuk ka dyshim se për vende si Shqipëria, situata nuk është e thjeshtë. Këtu kam parasysh presionet që bëhen. Unë ju flas hapur, nuk mbaj rezerva. Presionet janë të shumta, në kuptimin që Shqipëria të bëjë ndryshime, për të drejtat e njeriut, të ketë këtë apo atë lloj sistemi shoqëror, etj.
Bile, do të thosha, presionet shkojnë deri atje sa vendosen edhe bllokada. Kuptohet jo si kundër Irakut se ato duken, atje shkojnë ushtri, anije, etj. Në Shqipëri këto nuk vijnë, por arrin puna që nga ana e Italisë, e RFGJ-së dhe e Francës të bllokohen të gjitha marrëdhëniet. Pra, janë bllokuar marrëdhëniet politike, ekonomike gati si me Irakun, vetëm me një ndryshim, që kur takohemi me italianët dhe francezët, buzëqeshin, dhe të dyja palët ngrenë supet sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Deri para pak kohe thuhej që Shqipëria duhet të bëjë deklaratë për në KSBE. Ne e bëmë këtë deklaratë, ndërsa tani thonë që Shqipëria duhet të bëjë edhe gjëra të tjera. Unë do të dëshiroja të lexoja një dokument se çfarë kushtesh ka për t’u pranuar në KSBE. Një dokument i tillë nuk ekziston. Dhe ai nuk mund të ekzistojë, se do të ishte një absurditet.
Edhe kur dikush do të pranohet në parti (Parti Komuniste), ka një statut të cilit i duhet përmbajtur, por anëtari që pranohet nuk i plotëson të gjitha kushtet. Ai premton se duke qenë anëtar partie do të bëhet një komunist i mirë. Megjithatë, statuti i një partie është një dokument më rigoroz, sesa një proces zhvillimi të vendeve që ju i cilësuat “stravo…”.
Shoku Ramiz Alia (vazhdim 2): Ne nuk do të biem në pozita të tilla të presioneve. E dimë mirë se çfarë duhet të bëjmë. Ne nuk kërkojmë atë që nuk na takon, por do të bëjmë atë që është me interes. Zoti Bejker mund të vendosë ta shtyjë një ose dy vjet pjesëmarrjen tonë të plotë në KSBE. Por neve nuk na prish punë. Shqipëria ka mbi tremijë vjet që ekziston dhe aty ku është dhe do të ekzistojë edhe në të ardhmen. Thashë se momenti nuk është i thjeshtë. Të marrim, p.sh. Ballkanin. Zëvendëskryeministri grek bën deklaratë zyrtare se tani me bashkimin e Gjermanisë krijohen kushte për të ndryshuar kufijtë, prandaj mundet që Korçën dhe Gjirokastrën ta marrë greku, megjithëse Greqia është pjesëtare e procesit të Helsinkit.
Kosova është një tragjedi me konsekuenca tepër të rrezikshme. Aty banojnë tre milion shqiptarë, të cilët në këtë Evropë që nuk është më në stadin e projekteve, por ka filluar të ngrejë katet e apartamenteve, po vriten e po burgosen. Televizioni në gjuhën shqipe u mbyll, shtypi në gjuhën shqipe u mbyll, qeveria shqiptare u shpërnda, parlamenti shqiptar në Kosovë u shpërnda dhe u arrestua.
Ju jeni malësor si ne dhe e dini mirë se ç’ndodh kur thika shkon në kockë, prandaj them se situata është e rrezikshme. Unë jam shqiptar dhe e di karakterin e popullit shqiptar në Kosovë. Jugosllavia është gjithashtu pjesëtare e procesit të Helsinkit. Pra ka dy kute për vlerësimin e ngjarjeve: një për Shqipërinë dhe një për të tjerët.
Eduard Shevarnaze: Evropa është në proces. Po bëhen hapa përpara drejt krijimit të një Evrope të re. Rëndësi ka që luftë të mos ketë. Rregullat e reja në Evropë nuk është e lehtë të zbatohen. Unë besoj në paqen në Evropë. Edhe Shqipëria do të përfshihet në KSBE. Futja në KSBE dhe në tërë proceset evropiane duket më e lehtë se sa për Bashkimin Sovjetik që kalon vështirësi. Elementi themelor që ngrihet në KSBE është respektimi i zgjedhjeve të lira.
Shoku Ramiz Alia: Përsa u përket marrëdhënieve midis dy vendeve tona, jam dakord që diplomatët tanë, ambasadorët, të merren më konkretisht me këtë punë. Sigurisht që ka një vështirësi teknike për ambasadën sovjetike në Tiranë. Shoku Reis po më thotë se kanë ardhur specialistët sovjetikë për të gjetur një ndërtesë për ambasadën, dhe se tanët do të venë së shpejti në Moskë. Por, mendoj se edhe pa gjetur ndërtesë, nuk ka përse kjo çështje të zgjasë shumë. Për shembull, edhe në aspektin politik nuk ka përse na pengojë mungesa e ndërtesës së ambasadës. Midis dy vendeve tona të ketë takime dhe konsultime më të shpeshta.
Eduard Shevarnaze: Le të ecin marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Për këtë gjë duhen konkretizuar gjërat. Me kënaqësi ftoj ministrin e Jashtëm të vizitojë Bashkimin Sovjetik. Pastaj edhe unë do të vij në Shqipëri. Të krijohet një komision i përbashkët dhe të ecin marrëdhëniet tona përpara.
Shoku Ramiz Alia: Nga ana ime dëshiroj të përshëndes shokun Gorbaçov dhe gjithë shokët e udhëheqjes sovjetike. Nuk ka dyshim se do të vijë puna edhe për shkëmbimin e vizitave për të cilat ju folët. Në parim jam plotësisht dakord. Ministri i Punëve të Jashtme e ka më të lehtë. Ne kemi një fjalë që edhe shoku Shevarnaze do ta vizitojë Shqipërinë, jo tani shpejt, sigurisht. E di se keni shumë punë sepse shoh që avioni fluturon shpesh, bile edhe afër Shqipërisë.
Prandaj, nuk them që kjo vizitë të realizohet shpejt, por ta keni në kalendar, sepse gjë e mirë do të jetë. Një gjë duhet të kemi parasysh. Populli shqiptar dhe popujt sovjetikë, kanë simpati për njeri-tjetrin. Duhet dhënë besim kësaj miqësie. Kjo është e nevojshme. Kaloi gjithë kjo kohë dhe, për të qenë realistë, disa njolla, siç e thashë, kanë mbetur. Ne mund të mos jemi dakord për disa gjëra, por prapë vazhdon komunikimi, biseda. Ndërsa njeriu i thjeshtë nga ana e tij, po nuk qe dakord, i thyhet besimi. Do të më falni se u futa në psikologji.
Pra, pse është në duart tona ne duhet të bëjmë që të fitohet besimi. Shqipëria ka qenë mikja më e mirë e Bashkimit Sovjetik. Populli shqiptar ka qenë populli që e ka dashur më shumë se askush tjetër Bashkimin Sovjetik. Këtë nuk e them se jam shqiptar, por sepse është një realitet. Për ne ka qenë e dhimbshme ajo që ka ndodhur. Prandaj them se duhet krijuar besimi. Në qoftë se më lejoni, dua t’ju bëj një këshillë të vogël fare: kur të japë TASS-i lajme për Kosovën, të jetë i kujdesshëm, të mos i shajë shqiptarët. Kaq ishte, nuk dua gjë tjetër.
Shoku Ramiz Alia (vazhdim): Shumë epitete përdoren për shqiptarët në Kosovë, si separatistë, nacionalistë, irredentistë, që janë epitete serbe. Unë nuk mund të ndërhyj në marrëdhëniet sovjeto-jugosllave. Kjo është puna juaj, por ndaj shqiptarëve në Jugosllavi duhet pasur kujdes, se ndikon edhe në Shqipëri.
Eduard Shevarnaze: Mos i vini re shumë shtypit. Mendimi i ndonjë korrespondenti nuk është mendimi i udhëheqjes së Bashkimit Sovjetik. Ata të shtypit kanë filluar të shkruajnë lloj-lloj gjërash, e ndonjëherë mbrapsht.
Shoku Ramiz Alia: Është në të mirën e popullit tonë dhe atij sovjetik, dhe besoj se të gjitha premisat janë, që marrëdhëniet tona të forcohen. Besoj se edhe takimi i sotëm ishte i dobishëm. Është mirë kur flasim hapur, midis shokësh. Një nga të këqijat ka qenë se në të kaluarën nuk u fol hapur. Fjalë të tjera thoshte mendja dhe tjetër gjë nxirrte goja.
Eduard Shevarnaze: Shumë faleminderit, ishte një kënaqësi që u takuam se bashku, shoku Ramiz. Ju faleminderit! / Memorie.al
(Marrë me stenograme)
Vijon numrin e ardhshëm




















