Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, të cilat i përkasin periudhës kohore, të viteve 1965 – ’69, ku bëhet fjalë për fushatën që kishte filluar për ndalimin e besimeve fetare dhe prishjen e objekteve, të ndryshme të kultit, pas direktivave të dhëna nga ana e udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe që po zbatohej nga ana e organeve partiake e shtetërore të rretheve të ndryshme, siç ishte ai i Shkodrës, ku spikaste për zellin e tepruar dhe kërcënimin me masa administrative, sekretari i parë i Komitetit të Partisë, Sul Baholli, ndaj të cilit pati shumë reagime dhe ankesa, duke i bërë letra anonime Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhës.
Ndonëse regjimi komunist i Enver Hoxhës e kishte filluar goditjen ndaj institucioneve fetare dhe klerikëve të ndryshëm të tre besimeve, që me ardhjen e tij në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, kur filloi dhe ekzekutimet apo burgosjen e internimet në masë, të qindra e qindra klerikëve, ndalimin e fesë dhe prishjen e objekteve të ndryshme të kultit e filloi vetëm aty nga viti 1965-’66-të. Ndaj vendimit që kishte marrë udhëheqja e lartë të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxha në atë kohë, për ndalimin e fesë dhe prishjen e të gjitha institucioneve fetare e objekteve të ndryshme të kultit, gjë e cila fillimisht u kamuflua, duke iu atribuuar si një iniciative dhe kërkese të disa organizatave të rinisë shkollore të gjimnazeve të Tiranës e Durrësit, (Shkolla e mesme “Naim Frashëri”, Durrës), pati mjaft kundërshtime dhe reagime të ashpra, si nga besimtarët ashtu dhe nga klerikët e lartë të tre besimeve fetare, që ushtronin veprimtarinë e tyre religjioze në vendin tonë. Por reagimet e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm u acaruan akoma dhe më shumë, kur direktiva e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, për prishjen e objekteve të kultit, po bëhej realitet, nga drejtues të lartë të partisë e pushtetit në rrethe të ndryshme të vendit, të cilët filluan sulmet ndaj kishave e xhamive, duke ndërsyer fillimisht ndaj tyre nxënësit e shkollave, repartet ushtarake dhe aktivistët fanatikë të organizatave të rinisë. Në atë kohë kur sapo kishte filluar sulmi ndaj besimeve fetare dhe prishja e objekteve të ndryshme të kultit, disa nga klerikët e lartë dhe besimtarë të shumtë, kujtonin se ajo ishte vërtet një iniciativë e organizatave të rinisë shkollore, apo veprimtari e pa përgjegjshme e organeve partiake dhe shtetërore të rretheve. Dhe, për ta parandaluar atë që po ndodhte, ata filluan t’i dërgonin letra të ndryshme Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhës, herë duke dalë hapur me emra dhe herë anonime, ku denonconin veprimet që kishin ndërmarrë, ndaj objekteve fetare drejtuesit e partisë dhe të pushtetit në rrethe, duke shpresuar se udhëheqësi kryesor do të ndërhynte me autoritetin e tij absolut dhe do ta ndalonte atë gjë. Një pjesë e madhe e këtyre letrave që i’u dërguan në atë kohë Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhës, gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë dhe disa prej tyre, Memorie.al po i boton.
Letra anonime nga Shkodra për Enver Hoxhën kundër Sul Bahollit
Në një nga letrat e dërguara në adresë të Enver Hoxhës nga një besimtar me banim në qytetin e Shkodrës, (e cila është pa emër) dhe ku ai ngre shumë ankesa në drejtim të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, shkruhet:
“Partia si organizatore dhe inspiruese e të gjitha fitoreve të popullit tonë, ka dhënë prova vetëmohimi në çdo drejtim.
Unë në këtë letër e kam fjalën, për disa masa të pavend që po merren nga Komiteti i Partisë.
Gjatë luftës N.ÇL. armiku dhe në radhë të parë Kleri, kanë pas zhvillue një luftë dhe propagandë shumë të madhe kundër Partisë sonë, duke thanë se komunistët nuk besonin Zotin, prishin kisha e xhamia etj.
Mirëpo në atë kohë, kjo tezë e tyre asht kundërshtua me të madhe, për ma tepër janë marrë edhe masa kundrejt atyre komunistëve që janë shfaqë si ateistë. Çka ngjet sot?
Po me keqardhje sot po vërtetohen fjalët e Klerit, sepse në fakt në qytetin tonë, janë prishë kisha dhe xhamia dhe disa janë kthyer në depo shtetërore dhe ajo që e ka irrituar më tepër popullin e Shkodrës, asht udhëheqja e Komitetit të Partisë të qytetit tonë me në krye Sul Bahollin, i cili e ka shum të zhvillue kultin dhe çka thotë Sula do të bahet, ose të ndryshe të morri djalli.
Ai ka arrit pikën kulminante për mendimin tim, në çështjet fetare, ai sot kërkon të dalë si reformator i ri kundrejt fesë, duke përdor disa forma dhe metoda të papërshtatshme, që me bindje të plotë ju si udhëheqës Partie nuk ia keni dhanë një udhëzim të tillë.
Ja se çka bë ky personalitet i shquar: ka urdhëru të bahen formular të veçant që të plotësohen nga sekretarët e Partisë në qendrat e punës në këto pika:
- Kush mban ikona nëpër shtëpi dhe a do t’i mbani a do t’i hiqni.
- Në rast se do të vdes ndonji nga pjesëtarët e familjes do t’i varrosni me prift ose me hoxhë.
- Kush nga punonjësit ose pjesëtarët e familjes festoi festat fetare si bajram, kërshëndella e tjerë.
- Kush agjinon ramazanin dhe a do t’i bani me i prish nanat dhe baballarët agjnimin.
- Ka urdhërue drejtorat e shkollave që të pyesin fëmijët deri në klasën e 9, nëse janë të bamë synet dhe a do të bahen.
- Ka detyrue nëpunësit e aparatit shtetit me shku nëpër lagje dhe shpi në shtëpi, me i pyet a keni agjinue dhe na pije nji gotë ujë.
- Ka pas caktua Muhamet Lahin që asht ken Kryetar Gjykatës me shkue te dera e xhamis dhe me marr emnat e atyre njerëzve që shkojn në xhami.
- Ka ndalue ramjen e kambanave, jo vetëm për festat fetare, por edhe për ramjen e sahatit, që asht injoranca ma e madhe.
(AQSH F 14 / A. / Viti 1965 D. 1014 f.2)
……………………………………………………………………………………………………………………………………
Letra anonime për Enverin nga fshati Gur i Zi i Shkodrës
Një tjetër letër anonime i është dërguar Enver Hoxhës nga një banor i fshatit Guri i Zi i Shkodrës, i cili ngre disa ankesa dhe aty shkruhet:
I nderuari shoku Enver Hoxha
Tiranë
Ju uroj shëndet dhe jet ty dhe tan Partisë. Unë jam i vjetër dhe nuk kam shkollë, unë jam besimtar katolik. Ushtria na ka prish kishën e Katundit Renc, Guri i Zi, Gajtan. Kjo punë na ka prek randë, se qeveria e jonë nuk asht aq në nevojë, sa me na zan kishën, ne jemi gati ta mbrojmë atdheun, por dona edhe fen, se kush ka fen ka atdheun, prandaj kjo pun asht bë e pa ngjashme për ne. Edhe nji tjetër, për ditë diela na urdhnonin me dal në punë në Kooperativë. Nuk kena kurr pushim. Për Pashkët dhe për Këshnella mos me dal në pun, të ndalojnë bukën e robëve.
Ju lutem dërgo një njeri e na shikjo gjendjen ton pak
Me nderime dhe respekt Qeveris
Guri i Zi Shkodër
(A>Q>SH> F. 14 Ap. V. 1965 D. 1014 fl.29)
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………….
Letra e Komitetit të Partisë së Shkodrës, për Komitetin Qendror
Letrat anonime me shumë ankesa nda organeve shtetërore dhe partiake të rrethit të Shkodrës të dërguar në adresë të Komitetit Qendror të PPSH-së duken se nuk kanë rënë “në vesh të shurdhër”, pasi aparati i Komitetit Qendror ka njoftuar Komitetin e Partisë së rrethit të Shkodrës, lidhur me ato shqetësime që kanë ngritur banorë të atij rrethi. Dhe Komiteti i Partisë së Shkodrës i ka kthyer një përgjigje, ku shkruhet:
PARTIA E PUNES E SHQIPERISE Shkodër më 20.4.1965
KOMITETI I PARTISË SE RRETHIT
Nr. A 2/1
L a n d a: Mbi një letër anonime
KOMITETIT QENDROR TE P.P. SHQIPERISE
“Degës së Përgjithshme”
T I R A N E
Gjegje shkresës tuaj Nr. 33/1 Dt. 21.I/1965
Përsa kërkoni në të sipërmen, ju njoftojmë se për nevoja urgjente të Ushtrisë dhe me aprovim edhe të Ipeshkëvit katolik, është autorizuar Ushtria, të futet në qelën e Gurit të Zi. Por komanda ushtarake, duke marrë parasysh nevojat e mëdha që ka patur, edhe nga ana tjetër kisha me qelën, janë nën një çati, kështu që lëvizja e civilëve aty afër nuk lejohet, e ka zënë edhe kishën.
Neve kemi porositur komandën ushtarake që të marrë masa për ta liruar sa më parë kishën, megjithëse nga ana e tyre kjo paraqet vështirësi. Nga ana tjetër ky problem është shtruar edhe me popullin, që kisha do të mbahet edhe disa kohë sa të krijohen kushte për lirimin e saj.
Për çështjen e daljes në punë për ditët e diela dhe të festave fetare, kjo është kërkuar vullnetarisht nga kooperativistët duke marrë parasysh nevojat e punës në kooperativë dhe nuk është e vërtetë se janë marrë masa administrative për këtë çështje.
Autorin e letrës nuk kemi mundur ta gjejmë.
KOMITETIN E PARTISE RRETHIT
Sekretari i II-të
……………Çelo
(A.Q.SH. F.14/ Ap. Str. V 1965 D. 1014, fq 32)
Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016