Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e nëntë
Memorie.al /Edhe pse ishte udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste për 40 vite me radhë, duke e qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij nga 1945-sa, deri kur vdiq në 11 prillin e ’85-ës, por edhe pas vdekjes së tij e, deri në shembjen e regjimit komunist në fillimin e vitit 1991, nuk u botua kurrë një biografi zyrtare e plotë për Enver Hoxhën, ndonëse vetë ai la të shkruar një seri veprash me rreth 80 vëllime. Madje as pas viteve ’90-të e deri më sot, nuk është botuar ende një biografi për ish-diktatorin komunist Enver Hoxha, e cila të jetë e bazuar mbi dokumente arkivore që të hedhin dritë mbi origjinën e hershme të familjes, me pemën gjenealogjike të saj, si dhe një jetëshkrim të tij, nga dita që lindi e, deri kur vdiq…! Kjo me sa duket, edhe për faktin se gjatë gjithë jetës së tij, ka pasur shumë dritë hije, madje shumë njolla të errtë, të cilat bënë që ai vetë të mos jepte kurrë miratimin për botimin e një biografie të tij në një libër të veçantë, edhe pse ato biografi kanë ekzistuar në të vërtetë. Madje tre të tilla dhe me autorë të ndryshëm, të cilat gjenden edhe sot në fondin personal të Enver Hoxhës, në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.
Biografia e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u bë publike në vitin 1946, në kuadrin e “popullarizimit” të figurës së tij, si “udhëheqësi kryesor dhe sekretar i parë i Partisë Komuniste të Shqipërisë, komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare me gradën gjeneral-kolonel, kryetar i kryesisë së Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryeministër i qeverisë shqiptare, ministër i Mbrojtjes Popullore dhe ministër i Punëve të Jashtme”. Siç shihet dhe në faksimilet përkatëse bashkangjitur këtij shkrimi, kjo biografi e cila është një libërth i vogël me 58 faqe, botuar në Shtypshkronjën “Rinia” (ish-shtypshkronja “Gutenberg”) në fletën e parë (pas kopertinës ngjyrë vishnje të errët dhe fotos së Enver Hoxhës me uniformën ushtarake të gjeneralit e medaljet në gjoks), ka të shkruar me gërma kapitale: “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”. Ajo biografi e parë zyrtare e Enver Hoxhës, u përgatit për botim nga punonjësit sektorit të Agjit-Propit (Agjitacion e Propagandës) pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, por në të vërtetë hartuesi dhe autori i saj, ishte kapiteni i parë, Ndreçi Plasari, emri i të cilit nuk figuron në librin në fjalë, por gjendet i shkruar me shkrimin e tij në fletën e parë të materialit të daktilografuar që u dërgua për shtyp.
Libri, apo më saktë broshura “ENVER HOXHA, NJË BIOGRAFI E SHKURTËR”, fillon me një përshkrim të qytetit të Gjirokastrës ku lindi Enveri më 16 tetor 1908 dhe vazhdon me disa paragrafë mbi historinë e familjes Hoxha, (gjë e cila zë vetëm dy faqet e para), ndërsa e gjithë pjesa tjetër i kushtohet rolit të tij (Enverit) gjatë periudhës së “Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare” me disa nga ngjarjet kryesore të saj, (themelimi i PKSH-së, Konferenca e Pezës, Mbledhja e Labinotit dhe krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare më 10 korrik 1943, Marrëveshja e Mukjes, Kongresi i Përmetit etj.), duke përfunduar me 11 janar 1946, me ngjarjen e shpalljes së Republikës. As sot nuk dihet me saktësi, se përse ajo broshurë me biografinë e parë zyrtare të Enver Hoxhës (ku mungon pothuajse fare një jetëshkrim i tij për periudhën e Monarkisë së Zogut), e cila e gloriofikon figurën dhe rolin e tij, (apo familjes Hoxha), që nga periudha e fëmijërisë, e deri në atë kohë që u botua, u hoq menjëherë nga qarkullimi, (thuhet pas dy-tre muajsh) dhe nuk u përdor kurrë më as për referenca, në libra, albume, apo dhe vepra të tjera kushtuar figurës së tij.
Sepse që nga ajo kohë e më pas, Enver Hoxha filloi eliminimin e bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, (anëtarë të Byrosë Politike, ministra, deputetë, etj.), duke i burgosur, internuar apo ekzekutuar dhe libri në fjalë më biografinë e tij, nuk mund të qarkullonte më me emrat e “armiqve të popullit”. Biografia e dytë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1950 (15.VI.1950) dhe ajo ka për autor Misto Treskën, njeri i afërt dhe shumë i besuar i Enver Hoxhës, që nga periudha e Liceut francez të Korçës dhe Grupit Komunist të atij qyteti ku ai ishte anëtar, i cili gjatë periudhës së Luftës ishte komisar politik i Batalionit partizan “Reshit Çollaku” dhe pas vitit 1944, u gradua major, duke u caktuar si prokuror dhe anëtar i trupit gjykues në Gjyqin Special të vitit 1945, i cili dënoi me vdekje ish-kryeministrin Maliq Bushati dhe anëtarët e Regjencës, Lef Nosi e Patër Anton Harapi..
Ashtu si dhe biografia e shkruar nga Ndreçi Plasari në vitin 1946, edhe ajo e Misto Treskës, e cila ka 238 faqe me shkrim dore dhe të njëjtin titull (“Enver Hoxha, një biografi e shkurtër”), e glorifikon jashtë mase figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, në të gjitha periudhat kohore që trajtohen aty. Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që ajo biografi e shkruar prej Misto Treskës për Enver Hoxhën, jo vetëm që nuk u botua kurrë, por as nuk u daktilografua me makinë shkrimi, si biografia e vitit 1946 e Ndreç Plasarit, apo dhe tjetra që u shkrua më pas. Po kështu, nuk dihet me saktësi nëse ky “shërbim” që i bëri Misto Treska udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës (me të cilin kishte njohje edhe nga periudha e studimeve në Francë), ndikoi në karrierën e tij të mëvonshme, ku ai shërbeu si jurist, përkthyes, autor librash, diplomat, ambasador i Shqipërisë në Francë, Belgjikë etj., si dhe kryetar i Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, ku dhe doli në pension në vitin 1981.
Po kështu e njëjta gjë edhe për profesor Ndreçi Plasarin, historian dhe studiues i cili gjatë regjimit komunist mbajti poste të rëndësishme akademike e politike, duke qenë për një kohë të gjatë edhe nëndrejtor i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, i drejtuar nga Nexhmije Hoxha. Në ato detyra, profesor Plasari shërbeu deri në vitin 1982, kur u godit nga Partia, i akuzuar si “njeri i Mehmet Shehut, që ishte dërguar prej tij deri në arkivat britanike për të fryrë kultin e tij (Mehmetit) dhe kishte fshehur dokumentet që vërtetonin se Mehmet Shehu kishte qenë agjent i Inteligjent Servisit”! Biografia e tretë për Enver Hoxhën, u shkrua në vitin 1969 dhe ajo ka për autor Aqif Selfon, shok i ngushtë i fëmijërisë dhe rinisë me Enverin dhe fqinj i tij në qytetin e Gjirokastrës e, më pas në Liceun francez të Korçës, ku studiuan së bashku dhe Selfo shërbeu për disa kohë edhe si kujdestar konvikti pranë atij liceu. Në faqen e parë të asaj biografie, shkruhet; “Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj dhe një jetëshkrim i shokut Enver Hoxha, për periudhën 1908-1930 dhe 1931-1939, 6.1.1969, nga Aqif Selfo”.
Ajo biografi, apo më saktë një jetëshkrim, siç e ka titulluar vetë autori i saj, (ka 124 faqe me shkrim dore, ndërsa të daktilografuara 82 faqe), ashtu si dhe ato të Ndreçi Plasarit dhe Misto Treskës, nga fillimi në fund, e glorifikon figurën dhe rolin e Enver Hoxhës, madje me shtrembërime dhe falsifikime të ngjarjeve dhe fakteve historike. (Si p.sh., në fq. 46 të kujtimeve të tij, Aqif Selfo midis të tjerash shkruan se: “Enveri u nis për në Belgjikë, u vendos në Bruksel dhe filloi detyrën e sekretarit të Konsullatës. Ai qëndroi këtu pjesërisht në vitin 1934, tërë vitin 1935 dhe pjesërisht në vitin 1936. Krahas detyrës së sekretarit të Konsullatës shqiptare në Bruksel, Enveri vazhdoi edhe studimet në fakultetin juridik dhe dha provimet e vitit të dytë”. Ndërsa në një dokument tjetër arkivor që ndodhet po në fondin e personal të Enver Hoxhës, diplomati shqiptar Nos Qosja që shërbente në ambasadën tonë në Paris, midis të tjerash shkruan: “Gjatë vizitës time në Belgjikë me shokun Harrilla Kola, ne shkuam në Universitetin e Brukselit (Fakulteti i Drejtësisë) dhe pyetëm e konstatuam: Shoku Enver është regjistruar në Fakultetin e Drejtësisë për vitin akademik 1934-1935. Në arkivin e atij fakulteti, ekziston kartela me këto të dhëna;
HOXHA Enver
Viti akademik 1934-1935
Datëlindja; 3 tetor 1908 (Gjirokastër)
Numri i regjistrit; 2821
Adresa e tij; “Legation d’Albania 155 Rue de la Loi, Bruksel”.
Kartela është e bardhë, nuk figuron që të ketë dhënë ndonjë provim”.
Paris, 22 shkurt 1969 Nos Qosja
Nga sa thuhet edhe tek dokumenti arkivor në fjalë, (i cili kondicion me periudhën kur është shkruar dhe biografia e Enverit nga Aqif Selfo), rezulton se Enver Hoxha nuk ka dhënë asnjë provim në Fakultetin e Drejtësisë së Brukselit, gjë e cila hedh poshtë atë që shkruan Aqif Selfo, se “Enveri dha provimet e vitit të dytë”! Ndoshta kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore, që ato “Kujtime” nuk u botuan kurrë si libër, pasi në periudhën që u shkruan, jetonin ende shumë nga shokët dhe bashkëmoshatarët e Enverit dhe Selfos, (në burgjet politike apo të lire), si nga periudha e fëmijërisë së tyre në qytetin e Gjirokastrës, ajo e Liceut të Korçës, apo dhe studimeve në Francë. Por edhe pse ato “Kujtime” nuk e panë kurrë dritën e botimit, me shumë gjasa i shërbyen autorit të tyre Aqif Selfo, si një mburojë për një jetë të qetë (ai punoi si mësues në Tiranë në gjimnazin “Qemal Stafa”, deri sa doli në pension), ndryshe nga dy kushërinjtë e tij, Riza dhe Syrja Selfo, të cilët Enveri i arrestoi dhe i pushkatoi, edhe pse ata e gjithë familja Selfo, e kishin ndihmuar me të holla, gjatë periudhës së Luftës, 1939-1944.
Mbi bazën e këtyre tre biografive, në vitin 1978, u botua një libër apo më saktë një tip broshurë me titull: “Enver Hoxha, udhëheqës i dashur i popullit shqiptar”- (Material për biseda, me rastin e 70 vjetorit të lindjes), ku në faqen e parë pas kopertinës, shkruhet: “Përgatitur nga sektori i edukimit marksist-leninist, pranë K.Q. të PPSH. – Në ndihmë të agjitatorëve dhe të propagandistëve”. Libri në fjalë është botuar nga Shtëpia Botuese “8-Nëntori” në Shtypshkronjën “Mihal Duri” në Tiranë. Fakti që këto tre biografitë e Enver Hoxhës ndodhen në fondin e tij personal, madje dhe me ndërhyrje e korrigjime nga persona të tjerë, në mos janë bërë me porosinë e tij, me shumë gjasa janë shkruar me miratimin e Enverit. Gjithsesi këto mbeten në kuadrin e hipotezave ku ka vend për të investiguar më gjatë, por në këtë shkrim po publikojmë fillimisht biografinë e Enver Hoxhës, e cila është shkruar nga Aqif Selfo, e cila publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse në disa numra, nga Memorie.al.
DOKUMENTI ARKIVOR I NXJERRË NGA FONDI PERSONAL I ENVER HOXHËS QË NDODHET NË ARKIVIN QENDROR TË SHTETIT, ME KUJTIMET E SHKRUARA NGA AQIF SELFO, MBI ORIGJINËN E FAMILJES HOXHA DHE NJË JETËSHKRIM TË ENVER HOXHËS
Kujtime nga jeta e familjes Hoxha, origjina e saj, dhe jetëshkrimi i shokut Enver Hoxha për periudhën 1908–1930 dhe 1931 – 1939
Nga Aqif Selfo
6.1.1969
Për inaugurimin e rindërtimit të varrit të këtij veterani, më 26 korrik 1936, u organizua një ceremoni ku muarrën pjesë një shumicë e madhe nga populli, si dhe një numër i madh të rinjsh gjirokastritë me Enverin në krye. Në këtë ceremoni ndërmjet atyre që mbajtën fjalime, ishte edhe djaloshi njëzetetetë vjeçar, Enver Hoxha. Fjalimi i Enverit mbajtur, me këtë rast, në inaugurimin e rindërtimit të varrit të Bajo Topullit më 26 korrik 1936 – marrë nga gazeta “Demokratia” Nr.505, e shtunë 1 gusht 1936 – është: “Pardje të premten u mbushën plot gjashtë vjet që kur ti o Bajo na u ndave nga gjiri i shoqërisë shqiptare. Me gjithë atë, na duket sikur ka qenë dje, aq i gjallë është kujtimi i yt në zemrat e pa njolla të djalërisë që të njohu dhe të çmoj nga veprat e larta e patriotike që i kushtove kësaj toke të shumë vuajtur.
Djalëria shqiptare besnike në principet t’uaja, gjunjëzohet para këtij qivuri modest dhe me admirim çuditet se si ju o veteranë aq të pakët, keni lënë vepra aq të shumta për zgjimin e ndjenjës kombëtare, për lirinë e kombit mbarë dhe kur? Në një kohë kur ndiqeshit pa pushim prej kuçedrës aziatike që na shtyp e na shtrydhi 500 vjet me radhë. Djalëria që po mëkëmbet dhe që nesër a pasnesër do të ketë fatin të qeverisë tokën arbërore, që ju dëshmorët e lirisë e keni lyer me gjak, do të marrë shembullin e vet ne ju dhe në rrethin e vogël të patriotëve që dita-ditës vini duke u pakësuar. Landën për punimin tonë vetëm në veprat dhe në jetën t’uaj do ta gjejmë, veprat e juaja do të na mbushin zemrat tona plot nder e energji, se ju kini punuar vetëm për ideal, ju kini qenë larg nga interesat dhe ambiciet personale, për ju gjëja më e shenjtë ishte Atdheu.
Ne që e gjetëm këtë Shqipëri të lirë, këtë Shqipëri që na i përgatitet ju, me gjakun e zemrës, nuk mund të ndjehemi krenarë po qe se nuk do t’i sjellim një përmirësim Shoqërisë Shqiptare që ju deshët aq fort. Ju bëtë sa mundët, po ne gjatë këtyre 25 vjetëve s’kemi bërë aq sa duhet, por djalëria që po mëkëmbet ju zotohet, mbi këtë varr që është faltorja më e shenjtë e çdo shqiptari, se nuk do t’i mungojë as vullneti dhe as kuraja kur ka për të ardhur puna që të përgatitim një Shqipëri më të lumtur, një Shqipëri më të begatshme. Ne të rinjtë nuk do të kemi për ideal kolltukun, por mbarëvajtjen e Atdheut, bashkimin e vërtetë të kombit, një bashkim që do ta ketë burimin në zemrat e vërteta shqiptare.
Ty o Bajo dhe ty Çerçiz dhe ju gjithë dëshmorët e Atdheut që dergjeni brenda dhe jashtë Shqipërisë, ju që luftuat rreptësisht fuqitë imperialiste dhe kolonialiste të Turqisë, ju punëtorët e lirisë, jeni për ne simboli i trimërisë dhe i abnegacioni për të mirën e Kombit dhe si shenjë besnikërie dhe admirimi të pafundshme që ne ushqejmë për ju, kam nderin të ve mbi varrin e juaj një kurorë që ja u kushton djalëria, ajo djalëri ku ju kishit varur gjithë shpresën, ajo djalëri që për të qenë e ndejshme për ju, është gati të sakrifikojë gjithë gjakun e zemrës, për mbarëvajtjen dhe përparimin e Atdheut”.
Fjalimi i Enverit, mbajtur në varrin e Bajo Topullit, bëri përshtypje të madhe në të gjithë ata që kishin ndodhur në këtë ceremoni. Ishte për herë të parë që një fjalim i tillë, me një përmbajtje kaq përparimtare, mbahej në Shqipëri të qeverisur nga metodat dhe principet anadollake e skllavëruese të regjimit të Zogut. Fjalimi ishte një demaskim i hapët kundër regjimit të Zogut kur, duke iu drejtuar Bajo Topullit, dëshmorëve dhe patriotëve të tjerë, thotë: “se ju kini punuar vetëm për ideal, ju kini qenë larg nga interesat dhe ambiciet personale, për ju gjëja më e shtrenjtë ishte Atdheu”. Këto fjalë të fjalimit ishin të huaja për regjimin e Zogut. Se ideali i këtij regjimi ishte vetëm pasurimi në kurriz të popullit, shtypja dhe varfërimi i vazhdueshëm dhe mizor dhe shitja e vendit tek të huajt për begatinë dhe mirëqenien e kësaj klike.
Fjalimi ishte njëkohësisht një kushtrim dhe një program pune, kur në fjalimin e tij Enveri thekson…”por djalëria që po mëkëmbet, ju zotohet mbi këtë varr që është faltorja më e shenjtë e çdo shqiptari, se nuk do t’i mungojë as vullneti dhe as kurajua kur ka për të ardhur puna që të përgatitim një Shqipëri më të lumtur, një Shqipëri më të begatshme. Ne të rinjtë nuk do të kemi për ideal kolltukun por mbarëvajtjen e Atdheut, bashkimin e vërtetë të kombit, një bashkim që do ta ketë burimin në zemrat e vërteta shqiptare”. Fjalimin Enveri e përfundoi:…”kam nderin të vë mbi varin tuaj një kurorë që ja u kushton djalëria, ajo djalëri ku ju kishit varur gjithë shpresat, ajo djalëri që për të qenë e dejshme për ju, është gati të sakrifikojë gjithë gjakun e zemrës për mbarëvajtjen dhe përparimin e Atdheut”.
Në këtë fjalim Enveri tregoi se jo vetëm që ishte një i ri shumë përparimtar, por edhe gojëtar i talentuar. Ata që e dëgjuan, me veshët e tyre këtë fjalim, çuditen si për guximin, ashtu edhe për tonin oratorik të tij. Një nga ata, që muarrën pjesë në këtë ceremoni, ishte edhe Ibrahim Lelo, që kish ardhur përkohësisht në Shqipëri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ibrahim Lelo, pasi qëndroi për disa dhjetëra vjet në mërgim, ka tre-katër vjet që është kthyer përfundimisht në Shqipëri.
Ai, rreth ceremonisë së zhvilluar në varrin e Bajo Topullit, thotë: “Pas mbarimit të ceremonisë, si të gjithë të tjerët, edhe unë u largova dhe mora rrugën për në shtëpi. Rrugës takohem me Enverin, meqenëse që të dy banonim në të njëjtën lagje, në ‘Hazmurat’. Rrugës, në bisedë e sipër dhe duke patur parasysh fjalimet e tjera të mbajtura në këtë ceremoni, i tham; ‘ç’janë këtë dallkaukë’, Enveri aty për aty m’u përgjigj, tekstualisht: ‘do të vijë koha, që do t’i paguajnë’”.
Po në verën e vitit 1936, Enveri, duke qenë në Gjirokastër, pati rastin të njihet edhe me militantin Ali Kelmendi. Ali Kelmendi, si shumë të tjerë pjesëmarrës në revolucionin demokratike-borgjez të qershorit 1924, pas kthimit në dhjetor të 1924, të fuqive kundër-revolucionare të Zogut, u detyrua të merrte rrugën e mërgimit jashtë shtetit. Ai shkoi në Bashkimin Sovjetik, ku studioi marksizëm-leninizmin. Këtu ai qëndroi, për disa vjet, deri më 1930.
Po në vitin 1930, Aliu kthehet në Shqipëri. Në Shqipëri Aliu punoi në kushte shumë të vështira, me të gjitha fuqitë e tij për të përhapur idetë komuniste. Në fillim të vitit 1932 del përsëri jashtë shtetit dhe kthehet brenda po atij viti në Shqipëri. Në këtë kohë ai bën një punë të madhe në shumë qytete të Shqipërisë, veçanërisht në me Grupin Komunist të Korçës. Por aktiviteti i tij bie në sy të autoriteteve të vendit, për këtë arsye internohet në qytete të ndryshëm dhe më në fund në Korçë, ku qëndroi më se dy vjet. Aliu megjithëse ishte i internuar, me kontaktet e tij që kishte me anëtarët e Grupit të Korçës, dha një kontribut të madh në ngritjen e ndërgjegjes komuniste të anëtarëve të grupit.
Ali Kelmendi, në fund të vitit 1935, pasi u lirua, me kusht nga internimi, shkoi në Tiranë, por këtu ai u arrestua dhe u nxuar jashtë Tiranës. Ai u kthye përsëri në Korçë, prej këndej, me vendim të qendrës së Korçës, shkoi jashtë shtetit, në Greqi dhe në Turqi. Qëllimi i këtij udhëtimi, në këto dy shtete, ishte që të binte në kontakt, në Greqi, me Partinë Komuniste Greke dhe në Turqi, me Kominternin. Po si në Greqi ashtu edhe në Turqi, Aliu nuk mundi të vinte në kontakt as me Partinë Komuniste Greke, as me Kominternin, prandaj u kthye përsëri në Shqipëri.
Ali Kelmendi duhet të jetë kthyer në Shqipëri në fund të qershorit, ose në ditët e para të korrikut të vitit 1936. Autoritetet e Korçës, sipas një shkrese dërguar Ministrisë së Punëve të Brendshme, lajmërojnë se Ali Kelmendi është marrë nën vërejtje më 6 korrik 1936 dhe se është përcjellë, i shoqëruar, për Gjirokastër më 16 korrik 1936. Përcjellja e Ali Kelmendit, për në Gjirokastër, ishte bërë në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, sipas të cilit Aliu internohej, për një vit, në Gjirokastër si propagandist i rrezikshëm në dëm të interesave të shtetit.
Ali Kelmendi, duhet të ketë mbërritur në Gjirokastër aty nga 25 korriku. Skënder Topulli, rreth ardhjes së Aliut në Gjirokastër, thotë: “Një mëngjes, që sapo kisha dalë nga shtëpia, një shofer, që vinte nga Korça, më dorëzoi një letër, të cilën ja kish besuar një shok në Korçë, për të ma dhënë. Në këtë letër më njoftonin ardhjen e Ali Kelmendit si të internuar në Gjirokastër dhe më luteshin që t’i njoftoja ardhjen e tij, me që dyshonim se mos e vrisnin në rrugë.
Kaluan dit dhe Aliu nuk po dukej në Gjirokastër. Kur një mëngjes, aty nga ora 10, një grumbull studentë, në mes të cilëve edhe sh. Enver, rinim duke bërë muhabet në kafene ‘Royal’, shoh se zbret shkallët e hotelit një burrë i regjur, kokë jashtë dhe pa xhaketë’ ai ishte ‘Maloku’ (Ali Kelmendi). Alinë e kisha njohur në Korçë, para se të shkoja në Francë, në vitin 1931, kur ai ishte internuar për herë të parë në Korçë. Ngrihem dhe e kap nga krahu, u përshëndeta me të dhe vazhduam rrugën tatëpjetë që të çonte në kafenenë e Xhemaliut”.
Skënderi pasi tregon bisedën që pati me Alinë, për vonesën e ardhjes në Gjirokastër, për shëndetin e tij, për udhëtimin në Turqi e të tjera, vazhdon: “Mandej Aliu më pyeti për të gjithë ata shokë që ishin në kafe. Unë iu përgjigja se janë të gjithë të mirë, pjesërisht janë studentë të kthyer nga jashtë dhe pjesërisht janë arsimtarë e studentë të brendshëm. Ndërmjet tyre, i shtova Aliut, është dhe shoku Enver, një djalë xhevahir dhe i pregatitur mirë me ide dhe koncepte përparimtare, ai gëzon simpatinë dhe autoritet në të gjithë ata që pe atje, tani që je midis nesh do t’i njohësh të gjithë dhe kështu u ndamë.
Në mbas dite takohem përsëri me Alinë në kafenenë e Serjanit, në sheshin e ‘Çerçizit’, ku kishim zakon të takoheshim në mbrëmje me shokët. Në këtë kohë vjen edhe sh. Enver dhe disa nga shokët e tjerë. Ky qe takimi i parë i shokut Enver me Alinë. Aty filloi një bisedë interesante, por me që u grumbulluan shumë shokë dhe policët e spiunët vinin rreth nesh, u ngritëm dhe bëmë një shëtitje deri në një nga bregoret e qytetit. Atje Aliu më foli mbi situatën ndërkombëtare, mbi regjimin e urryer të Zogut dhe na foli për me grupin e rinisë së Korçës dhe se si duhet punuar me elementin e mirë”.
Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Gjirokastër, Ali Kelmendi pati shumë takime me të rinjtë, me intelektualët dhe me punëtorët, por të gjitha këto bëheshin, sidomos takimet e Aliut me punëtorët, në mënyrë shumë të fshehtë, që të mos binin në sy. Megjithëkëtë ai ndiqesh këmba këmbës nga policët, xhandarët dhe detektivët. Kështu që autoritetet e Gjirokastrës, kishin frikë nga qëndrimi i Aliut në Gjirokastër. Për këtë arsye prefektura e Gjirokastrës, në një shkresë rezervate që i dërgon Ministrisë së Punëve të Brendshme, me propozimin që Ali Kelmendi të dërgohet si i internuar në Porto Palermo.
Rreth kësaj çështje Skënder Topulli thotë: “Nuk u mbushën dy muaj, kur një mëngjes, që ishim duke biseduar me sh. Enver në kafe ‘Royel’, na vjen ‘Maloku’ ashtu i qetë, si e kishte natyrën dhe na thotë se; sot më njoftuan një urdhër të Tiranës, ku thuhet se Ali Kelmendi, po qe se dëshiron të qëndrojë në Shqipëri, duhet t’i drejtohet burgut të kalasë, ose ndryshe të nxirret jashtë shtetit – dhe shtoi se – fundja dhe në burg nuk është keq, se atje ka boll milet dhe duhet punuar me ta’.
Unë i thashë se ti nuk duhet të hysh në burg, me që shëndeti nuk ta lejon, por ti duhet të dalësh jashtë shtetit dhe më vonë vjen përsëri; gjithashtu ndërhyn dhe sh. Enver dhe i thotë: ashtu Ali, mirë të thotë Skënderi, ti nuk duhet të hysh në burg, se atje nuk të premton shëndeti, por ti duhet të dalësh jashtë shtetit, të stabilizosh shëndetin dhe kthehesh përsëri. A thoni? ja priti Aliu, po i themi që të dy. Kështu u vendos që Aliu të ikte jashtë shtetit dhe të kthehej përsëri, pasi të përmirësohej nga shëndeti”.
Kurse revista “Agitatori” N.5 tetor 1947, në artikullin “Enver Hoxha – biografi e shkurtër” – shkruan, rreth takimit të Enverit me Ali Kelmendin: “Ishte parë në Gjirokastër, në kohën e vakancave, kur ay ishte kthyer nga Franca. Ishin ditët e fundit që Aliu do të jetonte në Shqipëri, pse pas një kohe të gjatë internimi në kështjellën e Gjirokastrës, kishte marrë urdhër ekspulsimi jashtë Shqipërisë, nga organet qeveritare të Zogut. Enveri mban mend tekstualisht porosinë e fundit që i dha Aliu, kur po ndaheshin: Me gjithë shtypjen dhe terrorin e Zogut, ne duhet të organizojmë luftën kundër regjimit’”.
Ali Kelmendi ashtu veproi. Pasi u pajis me dokumentet përkatëse shkoi jashtë shtetit, në Francë. Ikja e Aliut nga Shqipëria, duhet të ketë qenë në ditët e para të shtatorit 1936. Këtë e vërteton shkresa sekrete e prefekturës së Gjirokastrës datë 10 shtator 1936, drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, si përgjigje urdhrit sekret datë 3 gusht 1936. Në këtë shkresë thuhet: “Kemi nderin me ju parashtrua se Ali Sulejman Kelmendi, me anën e Vlorës iku përjashta shtetit”.
Rreth takimit të Enverit me Ali Kelmendin në Gjirokastër dhe mendimi i Aliut për Enverin, në librin “Ali Kelmendi”, botim i Institutit të Historisë së Partisë pranë Komitetit Qendror të PPSH-së- Tiranë më 1960, në faqen 13, thuhet: “Këtu Aliu pati edhe disa takime me shokun Enver Hoxha, tek i cili shihte një marksist-leninist të vendosur dhe të pjekur. Ai vetë u ka deklaruar shokëve në emigracion se kishte mbetur shumë i kënaqur nga takimet me shokun Enver Hoxha”.
Ali Kelmendi edhe duke qenë në emigracion, krahas punës së madhe që kishte, nuk i ndërprenë marrëdhëniet me shokët. Ai me anë të letrave, brenda mundësive që kishte, jepte herë pas here, informata të vlefshme mbi disa çështje që interesonin së tepërmi lëvizjen komuniste në Shqipëri. Rreth kësaj çështjeje Skënder Topulli thotë: “Aty nga viti 1938, Ali Kelmendi më dërgoi një letër të gjatë, ku na sinjalizonte devijimin e Zoi Fundos dhe na njoftonte që së shpejti pregatitesh për t’u kthyer në Korçë dhe se duhet të kishim kujdes, që të mos lejohej të vinte në kontakt me shokët e grupit, këtë letër ja kam dhënë shokut Enver.
Shkuan pak kohë dhe shohim që Zoi u kthye në Korçë. Me që grupi i Korçës ish në korrent mbi devijimin e tij, Zoin e shihje të shoqërohej me trockistin Dhimitër Fallo dhe Faslli Frashëri (reaksionar nga familje bejlerësh të Korçës). Nga sa mbaj mënd unë sh. Enver, në bazë të letrës, bëri çmos që Zoit t’i çirresh maska dhe të njihesh si deviator”.
Po në këtë periudhë janë nxjerrë edhe eshtrat e Çerçiz Topullit dhe Muço Qullit, të vrarë pabesisht nga malazest më 1915 në Shkodër. Për marrjen e eshtrave të Çerçizit u formua një komision. Në këtë komision bënin pjesë, përveç disa nga autoritetet e qytetit, edhe i vëllai i Çerçizit Jonuz Topulli si dhe Enveri, i cili ndodhej në Tiranë, ku bëri pjesë në këtë komision, si përfaqësues i rinisë Gjirokastrite. Më 14 shtator 1936, eshtrat e të dy dëshmorëve u nxuarën nga vendi ku ishin varrosur në kohën e vrasjes së tyre, dhe u vendosën në arkivole. Arkivolet me eshtrat e Çerçiz Topullit dhe të Muço Qullit u shpunë në Bashkinë e Shkodrës ku u bë ceremonia e rastit.
Nga ballkoni i bashkisë së qytetit u mbajtën fjalime në emër të bashkisë dhe në emër të delegacioneve që kishin shkuar nga Gjirokastra dhe nga Leskoviku për të marrë eshtrat e dëshmorëve. Fjalimin në emër të delegacioneve e mbajti Enveri. Gazeta “Arbënia”, viti II Nr.366 datë 17 shtator 1936, në korrespondencën e vet – Luftëtarët e Rilindjes, me titull “Shkodra gjunjëzohet para eshtrave të dy dëshmorëve” – ndërmjet të tjerave shkruan: “Duhet shënue se kur ka mbarue fjalimin Ernest Koliqi, në ballkon të Bashkisë, djaloshi gjirokastrit Z. Enver Hoxha, në emër të delegacioneve, falënderoj me fjalë të thekshme autoritetet, parsi e popull, për nderime që po i bëjnë eshtrave të dëshmorëve e atyre si delegatë, tue marrë prej Shkodre një kujtim që kurr s’ka për t’u harrue”.
Rreth përshtypjes që bëri fjalimi i Enverit, në këtë ceremoni, Skënder Topulli thotë: “Më në fund përshëndeti arkivolin me eshtrat e Çerçizit dhe Patër Andon Arapi, në emër të popullit të Shkodrës. Para se të nisej komisioni nga Shkodra, Patër Andoni, i thotë Jonuzit për shokun Enver, se; ‘Gjirokastra do të ketë një orator të shkëlqyer’”, këtë përshtypje i la priftit fjalimi që mbajti sh. Enver në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës, me rastin e tërheqjes së eshtrave të Çerçizit nga Shkodra.
Më 15 shtator eshtrat e të dy dëshmorëve, pasi kaluan nga Berati, të pritur e të përcjellë me respekt prej një shumice të madhe populli e nxënës shkollash, arritën në Këlcyrë. Këtu eshtrat e Muço Qullit u nisën për në Leskovik dhe ato të Çerçizit për në Gjirokastër. Mbërritja e eshtrave të Çerçizit në Gjirokastër u prit me madhështi. Arkivoli i tij u vendos përpara monumentit të ngritur për nder të tij në sheshin që mban po emrin e tij dhe pas fjalimeve të rastit, arkivoli u vendos në një nga sallat e Bashkisë, pas një kohe, arkivoli, me eshtrat e Çerçizit u vendos në krah të vëllait të tij, Bajo Topullit, në bregun e Pllakës./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm





















