Pjesa e tridhjetekatër
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de-klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
28 shtator 1954
Konkluzione mbi objektivat e projektet e Shqipërisë
Ndër objektivat e ndjekur aktualisht është ruajtja e shpresës së çlirimit me anë të Komitetit të liderëve shqiptarë në emigracion, i cili është besnik ndaj popullit të skllavëruar shqiptar dhe ka mbështetjen e vendeve të botës së lirë. Disa prej objektivave në direktivat kombëtare janë neglizhuar, veçanërisht ato në lidhje me ngacmimet ndaj regjimit dhe inkurajimit të rezistencës pasive, e cila nuk sjell dënim apo reprezalje.
Në lidhje me objektivat e forcimit të aseteve tona në vend dhe përgatitja e terrenit për rezistencën ndaj sovjetikëve, u pranua se progresi ishte i ngadaltë për arsye të mangësive në agjentë të kualifikuar. Dega mendon se është e dëshirueshme krijohen asetet e brendshme me ngadalë dhe në mënyrë të sigurt.
Roli i Komitetit Kombëtar për “Shqipërinë e Lirë”
Pranohet se operacioni ka krijuar në mendjen e shqiptarëve idenë se Komiteti Kombëtar i “Shqipërisë së Lirë” është i vetmi grup liderësh në emigracion besnik dhe me mbështetjen e Fuqive të Mëdha. Mes mangësive përmendim mungesën e programeve për nxitjen e rezistencës pasive dhe të ngacmimeve ndaj regjimit. Ka pasur një masë suksesi në programet e dezertimeve, teksa një numër refugjatësh të ardhur kohët e fundit në Greqi ishin në dijeni të tyre.
Një shpjegim për mangësitë e operacionit është mungesa e inteligjencës mbi kushte brenda Shqipërisë. Një vëmendje e konsiderueshme po i kushtohet mangësive, veçanërisht në lidhje me nxitjen e dezertimeve selektive, që tashmë janë objektiv i propagandës intensive nga Athina. Nxitja e rezistencës pasive ka hasur probleme në lidhje me arritjen e rezultateve pa shkaktuar pasoja mbi elementët anti-komunistë.
Hedhja e fletëpalosjeve
Për reduktimin e mangësive në të ardhmen pritet që dega të hetojë mundësinë e lëshimit të dokumenteve false që i japin gjetësit privilegje të veçanta, si për shembull; racione ushqimi, pushime në kampet bregdetare, etj. Dega do t’i kushtojë rëndësi mundësive të ngacmimeve me anë të hapjes kohët e fundit të kanaleve të postës në Shqipëri nga vendet e Evropës Lindore.
Do të shqyrtohet aspekte të tjera të fushatës me postë, për ta bërë sa më efektive si një instrument ngacmimi. Dega dhe stafi do të rishikojnë instruksionet e fushatës së ngacmimeve për të zgjedhur më të përshtatshmet për Shqipërinë, dhe në të njëjtën kohë do të inkurajohet njohja më e mirë e mundësive të rezistencës pasive, me pasoja sa më të vogla.
Furnizimet ushqimore
Do të vazhdojë përpjekja për të siguruar furnizime ushqimore që të shpërndahen në emër të komitetit si brenda Shqipërisë ashtu dhe për refugjatët shqiptarë në nevojë jashtë saj. Pas ter viteve transmetimi në kuadër të operacionit OBTEST, kemi vetëm disa prova të shpërndara për dëgjimin e mesazheve në Shqipëri dhe është rënë dakord se projekti duhet të vazhdojë pa afat.
Arsyet për këtë janë fakti se zhurmuesit kohët e fundit janë reduktuar në forcë dhe nga fakti se refugjatët nga zona të ndryshme të Shqipërisë i njihnin programet. Përveç kësaj, kostoja e projektit është e vogël dhe pajisjet janë tashmë të instaluara.
Stafi i tyre përdoret në të njëjtën kohë dhe për programin e lëshimit të broshurave, dhe ndalimi i tij do të tregonte për një rënie të interesit nga Perëndimi si për autoritetet dhe për popullin shqiptar. Gjithashtu besohet se operacioni ka pasur sukses në formimin e reputacionit të Komitetit në Shqipëri.
Në lidhje me programin e teksteve nga ajri, u pranua se ai ishte arsyeja e suksesit tonë në krijimin e reputacionit të Komitetit të emigracionit në Shqipëri. Mes problemeve të diskutuara ishin vështirësitë në krijimin e rrugëve të tjera të dërgimit, disa vështirësi me mjetet e printimit të teksteve dhe raportimet se broshurat nuk janë lëshuar në zona shumë të populluara, por asnjë prej këtyre problemeve nuk është i pakalueshëm.
Mangësitë e agjentëve të terrenit për të plotësuar numrin e agjentëve vendas gjithashtu u përmendën. Lëshimi i mallrave ishte pritur kryesisht negativisht, pasi në intervistat me disa refugjatë ishte përshkruar njëfarë zemërimi ndaj Komitetit për dhënien e mallrave për komunistët. Kjo bie në kundërshtim me llogaritjet tona, se zemërimi do të drejtohej te komunistët që konfiskonin mallrat nga popullata.
Por meqenëse asnjë reagim nuk është vërejtur që prej rinisjes së tyre vitin e kaluar, u mendua të bëhej vlerësimi i iniciativës kur të mbaroheshin paketat e mallrave në Athinë. Në lidhje me këtë do të mundohemi të marrin raporte të përmuajshme nga terreni.
Konkluzionet
Në konkluzion, dega pranoi se sipas rekomandimeve të terrenit, të përgatitej programi vjetor për 1955. Ndër rekomandimet e marra ishin vazhdimi i përpjekjeve për zhvillimin e inteligjencës brenda Shqipërisë, funksioni i së cilës është furnizimi me informacion i programit mbështetës nga jashtë. Do të studiohet mundësia e lëshimit nga ajri të dokumenteve të falsifikuara me qëllim ngacmimin e regjimit, e cila do të mbështetet me fushatën e postës së rreme kërcënuese.
Fushata e nxitjes së dezertimeve do të vazhdojë, e shoqëruar me sugjerime të reja për mënyra të nxitjes së rezistencës pasive në popullatë. Gjithashtu do të vazhdojnë transmetimet klandestine radio, të shoqëruara me fushatën mbështetëse të broshurave të propagandës.
Nëntor 1948
Ushtria, armatimet
Ushtria shqiptare përbëhet nga skuadra, kompani, batalione dhe regjimente. Skuadrat kanë 8-10 pushkatarë, 6 njerëz për mortajat me diametër 82 mm, 6 ushtarë mitralozi “Max” që peshon rreth 65 kg., me një forcë totale prej rreth 20-22 njerëz.
Kompanitë përbëhen nga rreth 60 pushkatarë, 36 njerëz te mortajat dhe gjashtë mitraloza “Max”. Një batalion përbëhet nga tre kompani pushkatarësh, një kompani mortajash, një kompani mitralozash, një skuadër anti-tank dhe një skuadër transporti. Regjimenti përbëhet nga tre batalione dhe zakonisht ka dhe rreth 100 njerëz të tjerë që operojnë mortajat me diametër 105 e 107 milimetra, si dhe artilerinë e rëndë.
Armatimet e vjetra të ushtrisë shqiptare kishin origjinë të ndryshme, italiane, greke, britanike ose gjermane. Por së fundmi ato janë zëvendësuar me armë të prodhimit rus. Armatimi i ri është kompletuar tashmë në garnizonet e rrethit të Elbasanit, të cilët kanë marrë dhe mortaja e artileri të prodhimit sovjetik. Pushkët e ushtrisë ndryshken shpejt dhe duhet të pastrohen çdo pesë ditë me vaj, prej oksidimit.
Sipas rregullit një ushtar duhet të pastrojë pushkën e tij dy herë në ditë. Ushtria ka njësi radio në çdo mazë batalioni, ndërsa komunikimet mes grupeve më të vogla kryhen me korrier. Ushtria nuk ka një stil të vetëm uniforme. Shumica kanë uniforma jugosllave të cilësisë së dobët, ndërsa oficerët kanë uniforma të mira dhe të një tipi. Edhe këpucët e prodhimit jugosllav janë të vjetruara dhe të riparuara.
Racioni i ushqimit për ushtarët është 700 gramë bukë dhe 20 gram mish në ditë. Buka është një përzierje gruri, misri, elbi dhe pluhur patateje, ndërsa racioni i mishit u vendos pas kolektivizimit të blegtorisë në 11 maj 1948. Para prishjes së marrëdhënieve mes Titos dhe Hoxhës, racioni ishte 1000 gramë bukë në ditë. Ushtarët janë gjithnjë e më të pakënaqur, pasi oficerët hanë shumë më mirë.
Rreth 10 për qind e personelit ushtarak janë komunistë, kryesisht oficerët. Ka dhe oficerë të rangut të ulët që nuk janë anëtarë të partisë komuniste. Në zonat kufitare nuk lejohet përzierja e ushtarëve me banorët lokalë. Ushtria nuk ka automjetet e saj por përdor mjetet e shtetëzuara nga qytetarët privatë, që janë të pakta dhe të vjetruara.
Divizioni ushtarak i Korçës përbëhet nga tre regjimente këmbësorie dhe një artilerie. Ai drejtohet nga komandanti Nezir Met’hasani, komisari Eleftherios Kasnetsis, i cili është gjithashtu ndërlidhës i qeverisë së Shqipërisë me guerrilasit komunistë grekë. E gjithë forca e divizionit të Korçës është përqendruar në zonën kufitare nga Leskoviku deri në liqenin e Prespës. Kjo erdhi pas sulmeve të ushtrisë greke kundër guerrilasve komunistë që strehohen dhe ndihmohen nga Shqipëria.
Një regjiment i këmbësorisë është vendosur në sektorin Sinitsa-Erseka, me bazë në fshatin Flioki. Divizioni drejtohet nga kolonel Muharrem Prodani. Në të gjithë kufirin me Greqinë po ngrihen fortifikime ushtarake, kryesisht hendeqe të mbuluara me trungje peme. Në vendet ku ky aktivitet mund të shihet nga rojet greke të kufirit, puna kryhet gjatë natës, ndërsa në vendet ku nuk duket, puna kryhet gjatë ditës. Fortifikime po ngrihen gjithashtu në kalimin Tsakoni.
Këtu puna po kryhet në formë “vullnetare” nga banorët vorio-epiriotë të Korçës. Qendra e punës së fortifikimeve në Tsakoni është fshati Zemblak. Depot e municioneve janë vendosur në pika të ndryshme në periferi të Korçës, si kisha e Agios Athanasios, kisha e Agios Petros në Dardhë, apo në spitalin ushtarak të Korçës. Spitali është ndërtuar nga italianët dhe është përdorur prej tyre gjatë luftës./ Memorie.al














