Pjesa e tridhjetetre
Memorie.al / CIA ka treguar rolin e madh që Bashkimi Sovjetik ka pasur në Shqipërinë komuniste. Në disa dokumente “Tepër sekrete” por prej vitesh të de klasifikuara tregohet se BRSS-ja ndërtoi disa baza të rëndësishme ushtarake sidomos në Jug të vendit. Aty tregohen me detaje nëndetëset që kishte Moska në ishullin e Sazanit dhe Gjirin e Vlorës, dhe po ashtu bazat ajrore, si ajo e Rinasit, e Kuçovës, etj. Më pas jepet një panoramë e zhvillimeve politike, ku përmendet shkarkimi i ministrit të Mbrojtjes Beqir Ballukut në verën e vitit 1974, nga të gjitha funksionet në ushtri e parti. Po kështu një vend të veçantë në dokumentet që CIA ka de-klasifikuar, janë edhe ato ku flitet për emigrantët politikë shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë të inkuadruar në Komitetin e Prizrenit e kryesuar fillimisht prej Apostol Tanefit dhe nën presionet e UDB-së, që i rekruton me masa shtrënguese., siç është kthimi në Shqipëri, etj.
Rezistenca në kohë lufte
Shumë shqiptarë janë të bindur se vetëm një tjetër luftë mes Perëndimit e Lindjes mund të sjellë çlirimin e tyre, çka do të shkaktonte dhe rritje të potencialit të rezistencës në vend. Në rast të tillë si fshatarët dhe punëtorët do të shtojnë tentativat e tyre të sabotimit ndaj regjimit komunist, nëse zvogëlohet rreziku ndaj vetes. Për më tepër, ndihma e aktivitetit anti-komunist nga Jugosllavia, Greqia e Italia, izolimi nga pjesa tjetër e Bllokut Sovjetik dhe nevoja e regjimit për të përdorur burimet në sigurimin e kufijve, do ta bënin më të thjeshtë që rezistenca e brendshme të organizohej.
Megjithëse nuk do të kishte shumë gjasa të ndodhnin kryengritje masive menjëherë pas shpërthimit të luftës, elementët e rezistencës së brendshme mund të organizohen për t’u kthyer në një forcë serioze. Gjithsesi kjo do të varej dhe nga suksesi i ofensivës së Perëndimit apo nga aftësitë e grupeve të emigracionit për të dhënë ndihmën dhe udhëheqjen e duhur. Vetëm nëse BRSS-ja do të përforconte me shpejtësi Shqipërinë me njësi ushtarake atëherë do ndalohej organizmi i guerilasve në veri dhe në jug. Në zhvillimet do të ndikonte dhe tendenca e dezertimit të ushtarëve shqiptarë.
Shkurt 1976
Atmosferë shtetrrethimi në Shqipëri
Gjatë javëve të fundit situata në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm, sa që diplomatët e Tiranës thonë se vendi i ngjan një kampi të madh përqendrimi. Spastrimet masive të muajve të fundit dhe ashpërsimi i propagandës shtetërore kanë shtuar në maksimum kontrollin ideologjik dhe ksenofobinë në vend. Qytetarët e zakonshëm tashmë kanë frikë dhe të shkëmbejnë një përshëndetje me të huajt. Përveç kësaj shqiptarët po ndërtojnë strehime të shumta dhe bunkerë rreth kryeqytetit, kësaj here pa u përpjekur të fshehin aktivitetet.
Autoritetet i kanë kërkuar gjithashtu ambasadave të ndërtojnë strehime në ambientet e tyre. Ambasadori francez ka thënë se Shqipëria është në mesin e një fushate të shfrenuar të ndërtimit të një zinxhiri bunkerësh në brigjet e Adriatikut. Këto përgatitje të shfrenuara kanë formën e liderit të partisë Enver Hoxha dhe kanë si qëllim të sigurojnë mbijetesën e politikave të tij pas vdekjes.
Muajt e fundit ka pasur zhurma të përsëritura mes vëzhguesve diplomatikë se Hoxha dhe numri 2 i tij Shehu janë në shëndet të dobët. Madje disa diplomat thonë se udhëheqësi 67 vjeçar nuk do të jetë për shumë gjatë. Spastrimi i radhëve të partisë e administratës mund të jetë hapi i parë i kalimit të pushtetit. Procesi thuhet se ka nisur rreth një vit e gjysmë më parë dhe mes verës 1974 dhe pranverës 1975 janë larguar kuadrot kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes, arsyet për të cilat nuk ka informacion dhe as shpjegim zyrtar nga Tirana. Më pas u shkarkuan dhe tre drejtuesit kryesorë ekonomikë, dy prej të cilëve kanë qenë anëtarë të vjetër të Byrosë Politike.
Tashmë duket qartë se të gjithë zyrtarët janë kapur nga vala e parë e spastrimeve kundër “burokracisë” së tepërt. Pjesën më të madhe të goditjes e pësuan stafi i ministrive, qeverisja lokale dhe institucione të tjera si mediat shtetërore. Një tjetër aspekt kritik i spastrimeve është zbatimi i “rotacionit” si një mjet i rëndësishëm për shërimin e burokracisë, por sigurisht që efektimi tyre kryesor është krijimi sensit të përhershëm të mungesës së stabilitetit të burokracisë, për të bërë sa më të vështirë lindjen e mundshme të çdo lloj opozicioni. Mungesa e besimit ndaj administratës, përçmimi ndaj çdo distancimi nga shoqëria një-klasore e jo-profesionistëve në rotacion dhe doktrina mizore e vetëmjaftueshmërisë, janë të gjitha shumë të shtrenjta për Hoxhën.
Megjithëse shkarkimet tregojnë se në ushtri, ekonomi e kulturë ekziston disidenca, provat e forta sugjerojnë se të ardhurit duhet të jenë nga radhët e partisë dhe personalisht besnikë ndaj Hoxhës. Hapat e mëtejshëm në forcimin e kontrollit të brendshëm dhe i krijimit të atmosferës së rrezikut të pushtimit të huaj, duket se kanë si objektiv kryesor Moskën. Është e qartë se Tirana ka një frikë paranojake nga Bashkimi Sovjetik, e cila është rritur shumë pas vitit 1974, kur komunistët pro-sovjetikë u zbuluan në Jugosllavinë fqinje. Tirana vazhdon të refuzojë ofertat sovjetike për riafrim, edhe pse është e sigurt se Moska ka vullnetin për të ofruar ndihmë ndaj Shqipërisë me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve.
BRSS-ja ka disa arsye për të dëshiruar rivendosjen e influencës së tij në Shqipëri, siç janë avantazhet strategjike të porteve të Adriatikut që i janë mohuar që prej vitit 1960, apo edhe pse e vogël, goditja e kënaqësisë ndaj Pekinit,i cili ka shfrytëzuar armiqësinë e Tiranës me BRSS-në për avantazhet e veta. Moska gjithashtu do të fitonte një tjetër pikë presioni ndaj Beogradit të cilët mund të përdorë ndaj Jugosllavisë së epokës post-Tito. Është e paqartë sesa do të ndryshojnë politikat apo doktrina shqiptare në periudhën pas Hoxhës. Indiferenca aktuale e Kinës ndaj problemeve shqiptare, ka përforcuar qëndrimin e tyre izolacionist, por udhëheqja e re shqiptare nuk pritet të bëjë një kthesë të menjëhershme të fytyrës duke pranuar tutelën e Jugosllavisë, apo të Bashkimit Sovjetik.
Është më tepër e mundur që të ketë një riafrim me vendet e tjera komuniste të Evropës, çka do të ndryshonte konturet politike në Ballkan, duke shqetësuar Beogradin dhe Bukureshtin. Kjo do të thoshte se Pakti i Varshavës do të kishte një tjetër dalje në Adriatik. Ndërkohë, në mes të trazirave që ka krijuar, Hoxha duket i vendosur në projektimin e një imazhi të ri uniteti brenda partisë. Në mesin e janarit e gjithë hierarkia komuniste u paraqit në ambasadën kineze për të ofruar ngushëllimet e vdekjes së Çu En Lai dhe përsëri në shkurt radhët e plota të partisë ishin në sesionin parlamentar të buxhetit dhe planit shtetëror.
CIA: Hoxha mori mjekë të huaj kur u sëmur rëndë, pas vdekjes, Alia nisi spastrimet, ja si filloi hapjen e vendit
Një mjek në Tiranë, raporton se gjatë paradës së 1 Majit, lideri Enver Hoxha dukej shumë i plakur brenda një viti. Për herë të parë gjatë asaj parade ishin vendosur kolltukë të rehatshëm në platformën e autoriteteve. Duket qartë se kjo ishte bërë për të evituar dhimbje apo lodhje nga lideri Hoxha. Parada zgjati rreth dy orë dhe Hoxha qëndroi ulur thuajse gjatë gjithë kohës. Të njëjtën gjë bënë dhe anëtarët e tjerë të Byrosë Politike. Vërehej se Hoxha kishte humbur shumë peshë dhe dukej e zbehtë në fytyrë. Edhe duart raportohej se i lëvizte me vështirësi. Një tjetër faktor për gjendjen e tij shëndetësore, është dhe anulimi i udhëtimeve të tij periodike në qytetet e Shqipërisë.
Mars 1985
Përmbledhje e gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës
Raport për selinë qendrore mbi gjendjen e liderit të Shqipërisë Enver Hoxha. Një mik i agjentit tonë, Prof. Zorzoli, udhëtoi në Shqipëri me rastin e një seminari mjekësor. Ai është specialist në sëmundjet e mushkërive dhe me këtë rast ekzaminoi dhe Enver Hoxhën. Sipas Zorzolit, Hoxha kishte probleme me diabetin dhe me qarkullimin e gjakut. Në vitin 1976, Albert Zurani kishte vizituar Shqipërinë me një grup biznesmenësh nga Gjermania Perëndimore dhe ishte takuar me Dr. Nikoll Shurbanin, të cilin e kishte mik pasi kishin qenë bashkë në shkollë të mesme në Shkodër nga viti 1934 deri në 1938.
Dr. Shurbani është specialist i zemrës dhe mjek personal i Enver Hoxhës. Shurbani i tha Zhuranit se Hoxha ka pasur probleme me zemrën në 1976 dhe mjekohet e kontrollohet rregullisht. Ai thotë se Zhurbani e ka urdhëruar Hoxhën të evitojë stresin dhe të kalojë dimrin në bregdet në Himarë. Dr. Nikoll Shurbani është diplomuar në universitetin e Bolonjës në 1943 dhe ka kryer tre vjet stazh në Moskë në fund të viteve 1940-të.
Gjendja në vitin 1983
Në këtë vit një mjek francez udhëtoi drejt Shqipërisë, por nuk ka më shumë informacione. Raportimi u bë nga Dr. Angelo Sferazza, gjatë një bisede me agjentin tonë në Romë më 1984. Viti 1985: Burimi ynë kishte shansin të fliste me Liljana Prendushin më 11 mars, ditën që që sapo kishte ardhur nga Shqipëria. Në bisedë u përmend edhe shëndeti i Hoxhës dhe Prendushi tha se ai raportohej të ishte sëmurë dhe askush nuk e kishte parë prej katër muajsh.
Të tjera informacione mbi shëndetin e Hoxhës erdhën nga zonjusha Silvia Zorzoli, mikeshë e ambasadorit shqiptar në Romë, dhe gjithashtu mike e Seladin Bekteshit, doktorit shqiptar që ka udhëtuar në Itali, Francë e Zvicër dhe merret me blerjen e mjekimeve jashtë shtetit.
Mars 1986
Shqipëria një vit pa Hoxhën
Ramiz Alia vazhdon të konsolidojë pushtetin e tij, një vit pasi pasoi Hoxhën në krye të vendit më të prapambetur e më të izoluar të Evropës, por përballet me probleme serioze ekonomike që me shumë gjasa do të shkaktojnë tensione brenda udhëheqjes. Alia po kultivon me energji imazhin e tij si pasuesi i zgjedhur i diktatorit, dhe deri tani nuk ka bërë asnjë veprim për të ndryshuar themelet staliniste të sistemit të pararendësit Hoxha. Por gjithsesi Alia po lëviz gradualisht për të vënë njerëz të tij në krye të institucioneve.
Ai zëvendësoi kreun e planifikimit verën e shkuar dhe thuajse në të njëjtën kohë vendosi një aleat të tij në Sekretariatin e partisë…! Në janar ai raportohet se shkarkoi ministrin e sigurisë Hekuran Isai, edhe pse ky i fundit është paraqitur në publik së fundmi dhe ka ruajtur postin në Byronë Politike. Disa zyrtarë të tjerë pritet të lëvizin, një prej të cilëve ministri i Drejtësisë Prokop Murra, i cili është ende në krye të forcave të armatosura por pararendësit e tij që janë spastruar të gjithë. Pozita e Alisë ashtu si dhe influenca e liderëve të tjerë, do të bëhen së shpejti të qarta në kongresin e partisë që pritet në 3 deri në 8 qershor.
Ekonomia
Alia po ruan qëndrimin e Hoxhës në lidhje me vetëmjaftueshmërinë e vendit pas prishjeve të njëpasnjëshme me Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Rritja ekonomike është ndaluar pas prishjes me Pekinin në 1978 dhe thatësira e vitit të fundit ka shuar shpresat e ndonjë rikuperimi ekonomik. Gjithashtu çmimet botërore për prodhimet shqiptare do të mbeten të ulëta, të paktën për disa vite në vijim.
Alia tashmë duket se do të preferojë shtrëngimin në vend të gjetjes së një tjetër padroni ekonomik për vendin apo të heqjes dorë nga kushtetuta e Hoxhës që ndalon huat e huaja. Por sipas shtypit perëndimor, klasa punëtore shqiptare po përballet me vështirësi të shumta dhe debati mbi strategjinë ekonomike pritet të mbahet së shpejti.
Shtimi i kontakteve
Alia ka përshkallëzuar përpjekjet e Hoxhës për shtimin e kontakteve ekonomike të vendit në Perëndim, veçanërisht ato për teknologjinë moderne. Tirana në vitin 1970 kishte marrëdhënie diplomatike me vetëm 27 vende, ndërsa tani ka lidhje me më shumë se 100 vende, duke përfshirë dhe shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore. Solidariteti socialist bën të detyrueshme dhe lidhjet me regjime komuniste të botës së tretë si Kuba e Vietnami, por dëshira e rritjes së tregtisë bën të nevojshme lidhjet e rëndësishme perëndimore.
Marrëdhëniet me Italinë ishin në një fazë të mirë deri para incidentit të gjashtë shqiptarëve që kërkuan azil politik në ambasadën italiane në Tiranë, ku ata janë futur prej dhjetorit. Shqipëria po kërkon me ngulm të gjejë një zgjidhje për problemin. Në mars Tirana e Bon i Gjermanisë Perëndimore kryen raundin e katërt të bisedimeve, me gjithë disa çështje të pazgjidhura. Dy vendet mund të hapin lidhje diplomatike prej vitit që vjen. Marrëdhëniet me Greqinë fqinje gjithashtu janë përmirësuar, edhe pse ngadalë. Sipas një raportimi të fundit, në maj Athina pritet të njoftojë pezullimin e gjendjes formale të luftës mes vendeve, që ekziston që prej Luftës së Dytë Botërore.
Alia po ndjek gjithashtu linjën e Hoxhës për forcimin e lidhjeve tregtare me Kinën dhe vendet aziatike, të cilat pranojnë më shumë mallrat dhe prodhimet inferiore shqiptare. Në fillim të dhjetorit Shqipëria nënshkroi traktatin e parë pesë-vjeçar me Kinën që prej viteve 1970-të, ndërsa Alia po përpiqet të sigurojë rritjen e kontakteve si Lindore dhe Perëndimore, por gjithmonë duke u siguruar që ato të mos prekin politikën dhe institucionet e izoluara të vendit. Frika e vjetër e Tiranës ndaj qëllimeve jugosllave vazhdon të jetë një preokupim i autoriteteve komuniste.
Ankesat dhe sulmet e Shqipërisë për trajtimin e minoritetit shqiptar në Jugosllavi prej rreth 2 milionësh, bëjnë që marrëdhëniet të mbeten përherë të tensionuara. Gjithsesi dy palët këtë vit pritet të hapin hekurudhën e parë mes vendeve. Alia ka vazhduar retorikën armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, si një parim bazë i politikës së jashtme. Moska ka shtuar përpjekjet për të rifituar influencën në Shqipëri me anë të sinjaleve për asistencë ekonomike dhe mënyra të tjera joshjeje të udhëheqjes.
Por Tirana ka refuzuar hapjet e saj dhe mundësia e ringjalljes së lidhjeve duket e vogël. Kombet perëndimore janë të ndjeshme ndaj kërcënimit sovjetik prandaj po mbajnë lidhje korrekte me Alian duke marrë në konsideratë kërkesat e tij për bashkëpunim dhe duke minimizuar kritikat. Por ato do të vazhdojnë të kundërshtojnë vetë-izolimin e Tiranës dhe regjimin militant komunist që shtyp të drejtat e njeriut./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














