Nga Sheradin Berisha
Pjesa e dytë
Memorie.al / Qyteti i Prizrenit shtrihet në pjesën jugore të Rafshit të Dukagjinit, (e në jugperëndim të Kosovës). Tërësia territoriale e Komunës ka një sipërfaqe prej 640 km2 dhe paraqet 5.94 % territorit të Kosovës të ndarë në 76 vendbanime. Sipas regjistrimeve lokale rezulton se Komuna e Prizrenit në vitin 2002 kishte 220.776 banorë, nga të cilët në Prizren jetojnë rreth 110.000 banorë. Në periudhën janar 1998 – 12 qershor 1999, në territorin e kësaj komune janë vrarë 325 banorë civilë (257 meshkuj dhe 68 femra), 125 banorë janë të pagjetur (121 meshkuj dhe 4 femra), ndërsa në altarin e lirisë kanë rënë 143 dëshmorë. Masakrat më të tmerrshme janë kryer në Krushë të Vogël (113), në Landovicë (23), në Lugishtë të Hasit (34), në Korishë (77) dhe në lagjen Tusus të Prizrenit (27)….!
Aty ku përfundon Rruga “Ramiz Sadiku” ndodhet shtëpia e familjes Abdylmexhidi, të cilës më 26 maj 1999, forcat kriminale serbe ia vranë e masakruan barbarisht gjashtë meshkuj të familjes. Dëshmitarja Jehona (Sami) Abdylmexhiti-Thaçi, (e lindur më 04. 12.1980), atë ditë të tmerrshme e përshkruan si më poshtë:
“Më 26.05.1999, ka qenë ditë e mërkurë, isha në shtëpinë time në Prizren, Rruga ‘Rugova’, nr.6, Lagja ‘Tusus’, bashkë me familjen, axhallarët dhe disa kushërinj, gjithsej ishim 15 vetë. Në mëngjes herët rreth orës 8.30 ka filluar djegia e shtëpive në këtë lagje nga ana e forcave policore-ushtarake serbe. Rreth orës 11.00, flaka i është afruar shtëpisë sonë. Ishim në panik dhe nuk dinim kah të shkonim, si të vepronim. Në një moment gjashtë meshkujt tanë janë nisur kah rruga kryesore (ish- Rruga ‘Dedinja’). Mirëpo ata ndalohen nga policia dhe ushtria serbe dhe i kthejnë përsëri në shtëpi.
I kanë mbështet për muri të shtëpisë sonë, i kontrolluan dhe ju kërkuan të holla. Babën tim – Samiun e kanë futur brenda në shtëpi dhe në prezencë të nënës sime, Fejzijes, i kanë kërkuar të holla. Me këtë rast e kanë kërcënuar nënën: ‘nëse nuk jep para, do ta vrasim burrin’. Nëna nga frika u ka dhënë 2000 DEM. Axhën tim Rafetin, e kanë goditur me tytë automatiku dhe kanë kërkuar edhe nga ai të holla. E di që ju ka dhanë edhe dinar të Serbisë, por policët dhe ushtarët i kanë hedhur ato, ndërsa i kanë marrë markat.
Krejt këtë situatë të rëndë dhe rrëqethëse e kanë parë katër fëmijët e axhës, tri gra, gjyshi – Vaiti dhe gjyshja ime – Zymyle. Gjatë gjithë kohës na thonin; ku është UҪK-ja? Ku e keni Amerikën, do t’ju vrasim të gjithëve, e provokime të tjera. Pasi i kanë marrë parat nga nëna, babain e kanë nxjerrë jashtë dhe e kanë mbështetur për muri bashkë me axhën – Rafetin, dy vëllezërit (Shefikun e Beharin), kushëririn (Hyrmetin), djalin e dajës (Mirsadin), ndërsa nga shtëpia e Mirsadit, e cila është ngjitë me tonën, e kanë sjellë, burrin e tezes (Hesatin) dhe djalin e tezes (Bejanin), të cilët po ashtu i kanë mbështetur për muri, gjithsej tetë vetë.
Ndërkohë kanë bastisur brenda në shtëpi, por nuk kanë gjetur armë. Pastaj neve gratë dhe fëmijët na kanë thënë të dalim jashtë. Jemi nisur kah rruga kryesore. Pas 3 – 4 minutash, kemi dëgjuar krisma armësh – në rafale. Nuk kemi guxuar të kthehemi. Në rrugë kishte shumë forca. Pasdite, gjyshja Zymyle, (nëna e babës tim), ka hy në shtëpi në kohën kur po digjej shtëpia, dhe ka parë gjurmë të gjakut dhe dokumente e gjësende tjera personale të shpërndara në tokë, por, nuk ka hasur në ndonjë kufomë. Na mbante shpresa se ndoshta ishin gjallë. Pas dy ditësh, babai i Bejanit (Xhevati) ka shkuar në polici dhe e ka kërkuar djalin, por i kanë thënë: “shko te zoti kërkojeni,…ik më shpejt se edhe ty do të vrasim”.
Të premten më 28.05.1999, Xhevat Xhimshiti ka shkuar në morg dhe ka identifikuar: Bejanin dhe Hesatin, ndërsa po atë ditë nëna ime, Fejzia dhe halla Servete, në morgun e spitalit kanë identifikuar: babën tim – Samiun, axhën tim – Rafetin, vëllezërit: Shefikun e Beharin, kushëririn – Hyrmetin dhe djalin e dajës – Mirsadin. Po atë ditë janë varrosur në varrezat e Prizrenit”, – përfundon dëshminë Jehona (Sami) Abdylmexhiti-Thaçi.
Hulumtuesi i “Human Rights Watch” ka intervistuar dy dëshmitarë që kishin marrë trupat e të vrarëve – nga morgu i spitalit të Prizrenit, në ditët e më pasme. Dëshmitari M. B. (65 vjeç) ka thënë se; “ai dhe ca pak miq të tij, kishin marrë nga morgu atë ditë të premte nja dy duzina trupash, duke përfshirë këtu edhe një grua tridhjetë e katër vjeçare të djegur krejt; ajo kishte pasë banuar në të njëjtën rrugë me të”.
Atij i kujtohet, kur: “Doktori i morgut” – ju ka thënë se; duhej të vendosnim: ose t’i merrnim e t’i varrosnim, përndryshe ata do t’i fusnin të gjithë në një varr të përbashkët. Unë mbarta një pjesë të trupave me karrocë”. Një dëshmitar tjetër 65 vjeçar, F.D., i ka thënë hulumtuesit të “Human Rights Watch”, se ka shkuar disa ditë me radhë në morg, duke marrë për çdo herë nga dy a tre kufoma. Ai ka marrë pjesë edhe në funeralin e një pjese të të vdekurve, një ditë të dielë, në varrezat pranë xhamisë së vendit.
Banorët e lagjes që kishin përjetuar këtë masakër të tmerrshme, mbajnë mend se; forcat serbe nga Tususi janë larguar në orët e pasdites (të 26 majit), pa rënë terri i natës. Dhe, derisa po largoheshin trupat serbe, në Tusus ka arritur një kamion për të mbledhur kufomat e meshkujve të ekzekutuar, të cilat i kanë dërguar në morgun e spitalit të Prizrenit. Dëshmitarët i kanë thënë hulumtuesit të “Human Rights Watch” se; Grupi i njerëzve të kamionit përbëhej nga një shofer shqiptar, katër punonjës civilë serbë dhe katër romë, që ishin marrë si hamej për të ngarkuar kufomat. “Kamioni ishte plot e përplot me kufoma”, – ka thënë një dëshmitar.
“Ai ishte i hapur nga mbrapa, kështu që shiheshin kollaj. Romët shkonin shtëpi më shtëpi, për të kërkuar kufomat. Ata i merrnin dhe i hidhnin në kamion, sikur të ishin thasë”! Një dëshmitare tjetër, ka deklaruar, se kish parë një numër të madh kufomash të mbështjella me çarçafë të bardhë, në pjesën e prapme të kamionit, njëri nga punonjësit civilë mbante në dorë një kamera dhe me të xhironte të vrarët”.
KUSH U EKZEKUTUA MË 26 MAJ 1999 NË LAGJEN “TUSUS” TË PRIZRENIT?
Nga dëshmitë e mbledhura në këtë lagje, mësohet se më 26 maj, nëpër shtëpi dhe nëpër rrugët e “Tususit” u ekzekutuan mizorisht 25 civilë shqiptar, të paarmatosur:
- Rafet Abdylmexhiti 1947,
- Sami Abdylmexhiti 1951,
- Shefik Abdylmexhiti 1978,
- Behar Abdylmexhiti 1982,
- Mirsat Osmani 1975,
- Hyrmet Sylejmani 1964,
- Hesat Xhemshiti 1937,
- Bejan Xhemshiti 1975,
- Bislim Qengaj 1921,
- Selvinaze Qengaj 1923,
- Salih Elshani 1936,
- Ymer Thaqi 1945,
- Avdi Berisha 1921,
- Refki Berisha 1961,
- Hajrim Arifi 1977,
- Sani Bajrami 1968,
- Neki Gashi 1935,
- Selim Berisha 1932,
- Feim Berisha 1927,
- Xhemajli Poniku 1933,
- Halil Poniku 1937,
- Fazile Maqkaj 1968,
- Rexhep Maqkaj 1923,
- Nijazi Muja 1959, dhe
- Fadil Ramadani.
SI U EKZEKUTUAN ENES E FATMIR MUHARREMI, NË LAGJEN “BILBIDERE” TË PRIZRENIT?
Në një lagje tjetër të Prizrenit, në Lagjen “Bilbidere”, dhjetë ditë më herët, para se të ndodhte maskra e Tususit, saktësisht më 16 maj 1999, forcat paramilitare serbe kanë vrarë në shtëpinë e tyre: Enes dhe Fatmir Muharremin. Për ekzekutimin e Enesit dhe të Fatmirit, “Human Rights Watch” ka intervistuar anëtarë të familjes. Dëshmitarët kanë thënë se, aty nga fund-prilli, pothuaj të gjithë banorët e lagjes u larguan për në Shqipëri, ndërkohë që aty mbeti familja e tyre dhe gjashtë familje të tjera.
Tri javë kaluan pa kurrfarë incidenti, derisa një të dielë, më 16 maj, ia behu një grup policësh serbë, që zunë të kontrollonin në shtëpi për armë. Jo shumë kohë pasi ishin larguar policët, mbërriti një grup i madh paraushtarakësh. E. Muharremi, një grua 26 vjeçare, i kallëzoi “Human Rights Watch” rreth asaj çka kish ngjarë: Njerëzit e Arkanit, afro njëqind vetë, erdhën rreth orës 9 të mëngjesit. I kujtohet mirë, se; “në krye mbanin shami ngjyrë qielli dhe kishin veshur jelekë special, që i mbanin të pa kopsitur; kësisoj mund të shihje gjokset e tyre. Në qafë mbanin gjerdanë me kryqe dhe emblema të tjera. Pjesa më e madhe kishin rruar kokat; disa mbanin mjekra. Midis tyre ishte dhe një rus me mjekër; ai s’fliste as edhe një fjalë serbisht…! Fytyrën dhe pjesën e nën syve e kishin lyer me bojë. Kishin veshur uniforma kamuflazhi në ngjyrë të gjelbër, si të ushtrisë, teksa një grup i vogël i kishin ngjyrë blu të errët…! Ata nuk erdhën në shtëpinë tonë, por ishin shpërndarë gjithandej nëpër lagje. Na kishte hyrë frika në palcë.”
- Muharremi, mban mend se, paraushtarakët morën dy kunetërit e saj, Elez e Enes Muharremin, si dhe djalin e Enesit, Fatmir Muharremin. S’kish kaluar shumë nga koha kur ata i kishin marrë dhe anëtarët e familjes që kishin mbetur në shtëpi, dëgjuan breshëritë e armëve automatike. A. Muharremi, e ëma e dy vëllezërve, vijoi të shpjegonte: “Dëgjova krismat e armëve. ‘Kam frikë se i vranë’, i thashë djalit tjetër … ishin breshëri të tëra zjarri nga një pushkë automatike”. Pasi paraushtarakët u larguan nga lagja, njerëzit e familjes i gjetën trupat e dy burrave në banjën e një shtëpie aty pranë.
Vëllai i mbijetuar i Enesit, i ka thënë “Human Rights Watch”: “Dëgjova ulërimën e grave që kishin gjetur trupat, kështu që ia dhashë vrapit në drejtim të tyre. Një fqinj më tha; “mos hyr brenda, s’ke për të qenë në gjendje ta durosh dot atë pamje”, ndaj dhe unë s’hyra. U nisa për në rajonin e policisë për të lajmëruar, por rrugës hasa tre prej tyre. Ata erdhën me mua te shtëpia ku gjendeshin trupat dhe ne hymë së bashku në banjë. Aty pamë kufomat, ishin plandosur në dysheme. Kudo të zinte syri gjak. Enesin e kishin qëlluar dy herë, në gjoks dhe në krah; Fatmirin e kishin qëlluar në gjoks dhe në këmbë. Policët nuk i morën trupat për t’i çuar në morg”.
Pas luftës Enesi dhe Fatmiri së bashku me 25 martirët e “Tususit”, prehen të qetë në varrezat e përbashkëta, në fund të “Lagjes së Trimave” (ish –“Tusus”). “Amaneti ynë: “Punoni, duani dhe ndihmoni njëri tjetrin, çmojeni këtë liri që ua solli gjaku ynë dhe i mijëra të tjerëve, nëse nuk doni që t´u përsëritet historia…! …Kosovë e larë me gjak ndër shekuj e mote, gjaku ynë hallall të qoftë, lamtumirë Prizren historik, gjaku ynë t´u bëftë dritë…”, – kështu thuhet në mbishkrimin e përmendores së ngritur në lagjen “Tusus” (tani “Lagjja e Trimave”) në Prizren, ku janë të skalitur emrat e 27 shqiptarëve të vrarë e të masakruar barbarisht, më 16 e 26 maj 1999, nga forcat kriminale serbe.
PSE ASKUSH S’I NDJEK KRIMINELËT?!
Pas përfundimit të luftës, kur popullata e shpërngulur kthehet në Kosovë, ka gjetur dokumente ushtarake e madje edhe fotografi (shumë fotografi të kriminelëve serb, janë gjetur edhe në lagjen “Tusus” të Prizrenit e në rrethinë), në të cilat shihen qartë militarët e paramilitarët serbë në aksione, duke buzëqeshur mistershëm me armë në dorë përpara shtëpive që i kishte kapluar zjarri, shihen ata duke plaçkitur pasurinë e shqiptarëve.
Edhe pse emrat e kriminelëve që kryen mijëra masakra, janë identifikuar nga njerëzit që mbijetuan krimin, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e EULEX’it, as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, por as institucionet tjera ndërkombëtare, dhe ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo Shoqëria Civile), nuk kanë treguar as më të voglin interesim, për t´i ndjekur e arrestuar këta kriminelë.
Ndërkohë që EULEX’i po i ndjek e arreston luftëtarët e lirisë, të cilët me armë në dorë e mbrojtën popullatën nga shfarosja! Kur kihen parasysh të gjitha këto fakte dhe mijëra të tjera si këto, natyrshëm bëhet përgjegjës, i gjithë lidershipi politikë e institucional i Kosovës, për mos ngritjen e një padie penale kundër shtetit serb, për gjenocidin dhe etnocidin e kryer në Kosovë. Më 26 maj 1999 njësitë kriminale serbe pasi i plaçkitën, dogjën e shkrumbuan 245 shtëpi të Lagjes “Tusus”! (Shikoni disa fotot të bëra nga veprimtarja Bajrame Tafallari)/ Memorie.al
















