• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Wednesday, September 23, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

DISA MENDIME TË FILOZOFIT, PROF. ISUF LUZAJ

“Një krijim interesant, antipod i ‘Epopeja e Ballit Kombëtar’ të Musarajt, mund të konsiderohet poema ‘Përqafimi i dy kundërshtarëve’ e Hekuran Zhitit…”/ Studimi i panjohur i Prof. Agim Vinca
“Fatkeqësi e Shqipërisë që ka rënë në duart e bashtos së Gjirokastrës, një përbindësh, kumarxhi, që ne ja dimë të gjitha, pasi në Francë…”/ Zbulohet letra e vëllait të Musine Kokalarit, nëntor 1944
“Nënës i shkoi jeta skëterrë, pa ngrënë, pa mbathur, punët më të vështira, duroi edhe torturat e xhelatit, Petrit Hakani, veç kurrë nuk i’u dorëzua…”/ Dëshmia rrëqethëse nga Çikago e, ish-të internuarit
Fotografi me pamje nga Vlora
“Profesori Isuf Luzaj, më thoshte: Rrapo Meto Vranishti, Rrapo Çelo Sevasteri, dhe Qazim Luzi nga Kanina, janë tre filozofët natyral të Labërisë, pasi ata…”/ Dëshmia e ish-të persekutuarit politik
Fotografi me pamje nga Vlora
“Nga 1945-sa deri në ’53-in, në Shkodër u arrestuan 60 liceistë dhe 4 prej tyre u pushkatuan, si krerë të organizatave antikomuniste “Përpjekja Shqiptare” dhe grupimi “Social-demokrat”/ Dëshmia e ish-nxënësit…

Nga Uran Butka              

Memorie.al / Sapo panë dritën e botimit katër veprat filozofike të filozofit të shquar shqiptar, Prof. Isuf Luaj. Isuf Luzaj lindi në Kaninë, u rrit dhe u formua në një familje atdhetare e të kulturuar edhe në mjedisin patriotik të qytetit të Vlorës, ku mori mësimet e para dhe ndjesinë e së bukurës, më pas në gjimnazin shtetëror të Shkodrës, ku forcoi prirjet letrare, mandej studimet në universitetin e Sorbonës në Francë, ku u diplomua Doktor dhe Profesor i letërsisë e filozofisë me rezultate të shkëlqyera.  Prof. Isuf Luzaj është një fenomen shmëdimensional, ku ndërthurret mësonjësi i shkollave te mesme, luftëtari nacionalist e demokrat, antifashisti i orëve të para, antikomunisti dhe veprimtari i bashkimit kombëtar, delegati i ‘Ballit Kombëtar’ në Kuvendin e Mukjes për një Shqipëri të lirë demokratike dhe etnike, i burgosur dhe i internuar në Ventotene nga fashizmi, i syrgjynosur dhe  anatemuar nga diktatura komuniste, ku “Lumenjtë rrjedhin të kuq, siç shkruan ai, refugjati politik i endur nëpër botë, filozofi, historiani, sociologu, pedagogu, kritiku, anrtopologu, poeti, rrëfimtari, polemisti, me një prodhimtari të jashtëzakonshme krijuese, gati të panjohur e të pabotuar.

Bashkëthemelues i partisë socialdemokrate me Musine Kokalarin, Skënder Muçon dhe Selman Rizën, si një rrugë e mesme demokratike e liberale, me program liritë politike dhe shtetin e së drejtës. Mëtues i shkollës së filozofisë ekzistencialiste vepruese tek veprat filozofike, ngjizur me frymën Luziane të rindërtimit të fuqive shpirtërore, njohës e interpretues i filozofëve të mëdhenj të antikitetit, Rilindjes e të kohëve moderne deri te Niçe, Sartri, Kamy, Bergson etj., por që mbeti kurdoherë vetvetja si filozof. Veprat shkencore, letrare, eseistike, memuaristike, por edhe kontributi i shquar akademik në universitetet e Argjentinës dhe të SHBA-ës, e bënë të njohur e të nderuar  në botë. Shkrimtari i madh Borges i shkruan: “Lexova ditarët e tu dhe jam i gëzuar që një poet i huaj ka arritur lartësi akademike. Ju kini lindur poet”.

Vlerësimi i Fan Nolit në Boston ishte i ndjerë: “I dashur lab, do të vish këtu  si delegat i filozofisë nga universiteti i Buones Aires, kishën e Shëngjergjit e ke si shtëpinë tënde dhe të pres përzemërsisht”. Presidenti i SHBA Regan i dorëzoi dekoratën “Profesor i merituar i Amerikës”. Vetëm vitet e fundit, edhe  Shqipëria demokratike  e dekretoi me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”, ndërsa Instituti i Studimeve Historike që unë drejtoj, ka përgatitur botimin e veprës së plotë të Isuf Luzajt në 10 vëllime. I mërguar nga atdheu, Isuf Luzaj e ruajti në shpirt dhe në vepra dashurinë e përpjekjen për mëmëdheun dhe i ktheu sytë i malluar edhe në çastet e fundit para 25 vjetësh:

Gjithashtu mund të lexoni

“Tashti që po të shkruaj kam vuajtë shumë, tre ditë pa bukë e ujë, 20 ditë në çimento, pa shtrojë e mbulojë dhe…”/ Zbulohet letra e ish-deputetit të Shkodrës, Riza Dani, para pushkatimit

“Në pranverën e 1929-ës, Gabriel Meksi na mbledh ne nxënësit ortodoksë të Gjimnazit, që të organizojmë një kor të vogël për të psalur shqip…”/ Kujtimet e Jakov Milaj, për “shkjetë” e Shkodrës

“Në Kaninë të më bëni varr.

 E dua Shushicën pranë

 kodrat, ullinjtë e kalanë.

 Karshi të kem det

 Triport, Karaborun e Sazanë,

 Gjallë nuk më lanë t’i shoh,

 I vdekur, ndoshta nxjerr mallë”.

Vlerësimi më madh për Isuf Luzajt është botimi special i katër veprave filozofike të tij nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skendo” dhe shtypur nën kujdesin e botuesit të mirënjohur Bujar Hudhri, botime që do të pasohen me veprat letrare, historike dhe memuaristike në gjashtë vëllime të tjerë, një pasuri e madhe shkencore e kulturore e munguar e kulturës shqiptare. Po botojmë për lexuesit disa nga mendimet filozofike të Prof. Isuf Luzaj.

ISUF LUZAJ: Thënie filozofike

“Vendlindja, Kanina “fatbardhë, me kështjellën për qielli/ kokën nëpër re, këmbët buzë detit”. “Sa jemi shqiptarë, kemi gjithë një farë, kemi gjithë një besë, s’kemi kurrë të ndarë” ‘Tre shokë dhe miq të pandarë kam pasur besnikë gjatë gjithë jetës sime, që kur mësova të arsyetoj deri sot, që është fillimi i mbarimit: vetminë, mërzinë dhe kureshtjen për të njohur. Kjo më pruri qindra miq të vyer, librat, që i nxjerr nga raftet, bisedoj me ata pa më kundërshtuar kurrë dhe i vë prapë në rafte, duke i puthur si falënderim mirënjohjeje. Vetmisë dhe mërzisë u kam vënë përballë miqtë e mi të dashur dhe me ndihmën e këtyre, i kam fituar të gjitha betejat e jetës. Kur e shihja që e kisha fituar luftën, merrja penën, ngjyrën dhe letrën për të treguar përfundimet e konsekuencave në shtigje stinësh që nga Balsha i Parë tek Ismail Qemali’

“Burgosur prej gjindarmëvet të Zogut gjatë regjimit zogist, admiruar prej magjistratëve të Zogut gjatë pushtimit italian; burgosur prej policisë italiane gjatë okupacionit; admiruar prej magjistratëve të Italisë gjatë emigrimit; dënuar prej komunistëve gjatë luftës vëllavrasëse; admiruar prej tyre në kohët e pas luftës. Karakteri im shumë i sinqertë s’ka mundur të ledhatojë kurrkënd për të bërë kompromis me ndërgjegjen”.

“Sot në ora 12.30 të mesditës vapori vogël na zbarkoi në Ventotene. Ngjitëm rrugën zikzake prej 387 shkallësh, lidhur duar për duar 67 veta, nga shumë lloje rojesh të Sigurimit fashist. Kërkonin të afroheshin shqipot e burgosur qysh më parë, për të na thënë këshilla e përshëndetje. Dallohej ndër ta koka tullace e Llazar Fundos, mustaqet e gjembta të Faslli Frashërit, goja e madhe e Selman Rizës, trupi i bëshëm i Safet Butkës,  sytë e ndritur të Abaz Ermenjit, e bastuni i trashë i Leonidha Naçit. Një zë i egër shkodran bërtiti: “Mos nderoni tue çue  dorën (alla-fashiste), mor djem! Ishte Dan Hasani, trim, i ndershëm e bujar shkodran”

“Kush dëshiron madhërinë e popullit të tij, duhet të mësojë që udha e mirë është gjithmonë udha më e zorshme, ajo që zemrat e frikshme e konsiderojnë të rrezikshme. Nuk meritojnë të quhen të lirë ata që përulin dinjitetin e tyre. Me temperamente bualli formohen kope bagëtish të afta për të shërbyer, por kurrë për të dashuruar. Nga dashuria dalin miq të lirisë, nga urrejtja dalin armiq të lirisë”

“Përpara, në shërbim të së vërtetës, pastaj në shërbim të Shqipërisë. Në shërbim të Shqipërisë me anë të së vërtetës, të guximit, të therorisë. Vetëm e vërteta korrigjon kur fyen, ndreq kur dhëmb, forcon kur vret, rindërton kur zhduk e krijon komb e shoqëri të shëndoshë shpirtërisht e fizikisht”

“Ka qenë natyra ime të jetoj i vetmuar edhe kur kam qenë në mes të shoqërisë. Dëshiroj të jetoj i vetmuar. Fjala Zot, merr kuptim kur jam i vetmuar. Nuk besoj që Feja të jetë një temë për intelektin, as për shoqërinë në biseda e vanitete. Besoj vetëm kur nuk besoj mbi Fenë.  Kam nevojë për vetmi, aq sa kam nevojë për ushqim. Vetmija është koha që më jep më shumë shpërblime shpirti, porse këtë vetmi nuk e zgjedh dot unë, ajo më zgjedh mua. Për mua, me qenë i vetmuar do të thotë, me qenë i bashkuar me të gjithë botën”.

“Dëmi më i madh që i bëri kombit tonë komunizmi është demoralizimi – degjenerimi – pluhurizimi – çoroditja – helmimi që i bëri popullit shqiptar në tru – në nerva – në të gjitha shtresat e ndërgjegjësores Frojdiane, deri në genin, që i dhanë për pjellje një serie brezash shqiptare me të gjitha vlerat morale të vdekura”

“Ashtu si komunizmi që nga një UTOPI, krijoi një situatë teorike fallse, nuk do të mundë t’u rezistojë fuqive shpirtërore të forta dhe kërkonjës të lirisë, ashtu do bjere dhe në praktikë siç po bie në teori. Rrëzimi i tyre është dënimi i krimbit të kancerit që kishte farën brenda”.

“Për krijimin pozitiv të një strukture iderash në një zbulim shkencor ose artistik është e nevojshme liria e plotë nga trashëgimia shekullore e asaj fushe mendimi që kërkojnë t’i zbërthejmë ekuacionin. Poeti që krijon një botë imagjinare duhet të jetë i shkëputur nga çdo shkrim i vjetër i asaj natyre, kështu muziku, si dhe filozofi, kimisti, matematiku e të tjerë. Udha e lirisë ka qenë dhe është deri sot e vetmja udhë që na shpie ku duam të vemi na, prandaj nuk ka tjetër udhë.

Këtu krijohet problemi nëse udha e lirisë së mendimit tonë është me të vërtetë udha e lirisë së mendimit logjik. A është liria jonë vërtetë e lirë nga faktorët tjerë të ndërgjegjes dhe të jetës, që të jetë e aftë të veprojë lirisht, apo është një iluzion i ynë kur mendojmë se jemi të lirë, ndërsa jemi robër nënë një mijë faktorë influenconjës, atavizmi, realë, vendi, klime, kulture, tradite etj.”

“Kur mendja ime ngjitet në një ide, unë veproj si një pjesë e UNI-t tim, jo si një tërësi. Kur unë kontrolloj të gjitha percepcionet, faktet, arsyet dhe rezultatet, shkaqet dhe efektet e tyre, atëherë veproj si një tërësi”

“Liria është oksigjeni i shpirtit. E çmojmë vetëm kur na mungon. Një njeri, ose një shoqëri, që nuk ndien nevojën e lirisë, nuk meriton dhuratën e jetës. Liria fillon në shpirtin tonë që kur dalim nga uji dhe fillojmë të marrim frymë, edhe mbaron kur s’marrim më frymë. Asnjë njeri nuk është i lirë, po nuk qe i zoti i aksioneve të tij. Kauza e lirisë identifikohet me fatet e njerëzimit”.

“Njeriu duhet jo vetëm të jetë, të ekzistojë, porse më shumë duhet të veprojë”

“Kriza e ekzistencës evropiane ka vetëm dy zgjidhje: ose rënien e Europës, që është bërë e huaj me kuptimin e saj racional të jetës, rënien në urrejtjen shpirtërore dhe barbari, ose rilindjen e Europës duke u nisur nga fryma e filozofisë, në sajë të një heroizmi të arsyes që e kapërcen përfundimisht natyralizmin. Rreziku më i madh për Europën është lodhja. Le të luftojmë si “europianë të mirë” kundër këtij rreziku të rreziqeve, me këtë trimëri që nuk trembet as nga pafundësia e luftës dhe ne do të shikojmë atëherë që të dalë nga zjarri i madh i nihilizmit, nga zjarri rrokullisës i dëshpërimit që dyshon në vokacionin e Oksidentit drejt njerëzimit, nga hiri i lodhjes së madhe, Feniksin e ringjallur të një jetë të re të brendshme dhe të një ere të re shpirtërore, garanci për një të ardhme të madhe dhe të gjatë për njerëzimin: sepse vetëm shpirti është i pavdekshëm”.

“Kur kontrolloj aktivitetin tim pluridimensional: luftë e përpjekje në rini, luftë e përpjekje me fjalë e burrëri, luftë e përpjekje me shkrime në pleqëri, më del arsye padije në gjyq e ndërgjegje e akuzuar nga mendimi. Kjo provon që në disa shtigje stinësh veprova sipas mendjes dhe jo sipas logjikës dhe kurrë sipas oportunitetit ose llogarisë së probabilitetit të fitimit. Atëherë mundohem të ndryshoj busullën e anijes, në detin pa plazhe, duke u drejtuar pas lindjes së diellit dhe pas yjeve për të arritur punëtor i mendimit dhe i ndjenjës bashkë, në limanin e heshtjes. Po me të gjitha gabimet të bëra në rini, jam i kënaqur, sepse qeshë i sigurtë dhe veprova në mirëbesim të të tjerëve; edhe po këta më dhanë deziluzion”

“Kur mendja ime ngjitet në një ide, unë veproj si një pjesë e UNIT tim, jo si një tërësi. Kur unë kontrolloj të gjitha percepcionet, faktet, arsyet dhe rezultatet, shkaqet dhe efektet e tyre, atëherë veproj si një TËRËSI”

“Fitorja e njeriut mbi veten e tij është triumfi më fisnik”.

“Largohu të gjithë vaniteteve dhe lufto për të vërtetën pa u përkulur para asnjë fuqie”.

“Cilësia e udhëheqësit është të mos u vërë veshin zhurmave, kritikave false, mburrjeve, spiunllëqeve, dyshimeve dhe interesave”.

“Arkitektët e mëdhenj të studimeve universale të sistemeve të tyre që nga Aristoteli, Thomai i Acquinos, Agostini afrikan deri tek Barth, Dostojevski dhe katolikët frëngj e italianë të shekullit tonë, me një anë dhe të LEIBNITZIT, SPINOZËS, SOOREN, HEIDEGGER, SARTRE e të tjerë nga ana tjetër në kundërshtimet e tyre rrënjësore m’u dukën të pa sigurtë në tezat e tyre. I pari që më ra nga statuti që i paçë ndërtuar qe Bergsoni, ish mjeshtri im në Sorbonë. I fundit që më deziluzionoi qe SARTRE, i kërkoj ndjesë për miqësinë që më dha. Vuajta shumë shpirtërisht për kontradiktat e tyre dhe për konfliktet që po zmadhoheshin në mendjen time për arsye se më dukej shumë pretendim të rrëzoja disa pjesë të theorivet të tyre dhe sepse e ndjeja veten fajtor t’u mësoja sinqerisht n’atë e ato që besoja unë atyre mijërave shpirtrave të rinj, të cilët prisnin nga unë të vërtetën, kurse unë nuk isha në akord me mendjen time dhe me yjet e mendimit, në se me të vërtetë po mësoja të VËRTETËN”.

“Nuk kam kujdes se ç’bëj me duart e mija, ose me fjalët e mija, porse më intereson shumë ç’bëj me ndjenjat e mija. Dua të jetoj që përbrenda së jashtmi dhe jo që prej së jashtmi përbrenda”.

“Politikani i vërtetë jeton i vobektë, vdes i vobektë duke lënë në emrin e tij të gjithë thesaret e Historisë. Të tillë ishin: Ismail Qemali, Qazim Koculi, Mit’hat Frashëri, Fuad Dibra, Lef Nosi, At Anton Harapi, Ali Klisura, Peshkop Noli, Faik Konica e të tjerë”

“Me dhembje duhet të bindem që fati i shkrimeve të mi, nuk varet nga asnjë tjetër faktor veçse nga udha që do zgjedhë populli shqiptar për udhëtimin e shekullit XXI. Na frymorët e zakonshëm, mundohemi të arsyetojmë nga e PARËSHMIA e sotme tek e PA-PARËSHMJA e nesërme. Këtu qëndron fuqia e inteligjencës në mes të njeriut të sotëm që përdor fuqitë e intelektit dhe të njeriut të kohëve të kaluara që përdorte fuqitë e muskulit, deri tek njeriu i kohëve t’ardhura që do të përdorë më shumë fuqitë elektro-magnetike të LLOGARIVET”

“Shtetistët komunistë, përpara falimentit politik, ekonomik, shoqëror, shkencor, artistik, përpara frikës së popullit të deziluzionuar e të zhgënjyer, transformohen në tiranë (satrapë, kasapë, gjakësor, cinikë) dhe, për të shpëtuar lëkurën e tyre dhe të klikës, krijojnë policinë sekrete, e cila bëhet aparati mbishtetëror; shteti rrëgjohet në një aparat burokratik, qeveria rrëgjohet në një zyrë ekzekutive  nën tmerrin e Tiranit, ky nën tmerrin e vetes së tij, që jep si pasojë eliminimin fizik të çdo njeriu mendonjës, qoftë ky edhe shoku i tij. Roli i policisë sekrete është zhdukja e vlerave mendore dhe morale, e mendimit të lirë”

“Fatkeqësia që më dënoi të jetoj një gjysëm shekulli në mërgime, pa mundur t’i shërbej popullit tim, as në gjuhë as në mendim, ma dogji shpirtin deri në torturim të përditshëm. Nga ana tjetër, mërgimi ma ndezi më shumë mallin për atdhe dhe më ethëzoi më shumë për një hakmarrje kundra ironisë së fatit qorr dhe më nxiti të shkruaj këtë studim që ju lë testament brezave të shekullit njëzet e një. Dashtë Zoti që ata të shohin qartë kristal të vërtetën, ta asimilojnë duke pastruar shpirtin nga ferrat dhe drizat e atavizmit dhe duke e pasuruar me mendimin e qytetërimit të kohës së tyre.

“Herakliti e Ksenofoni i matin fuqitë e tyre në bazë të problemit të IDENTITETIT. Diogjeni i Apolonisë tha që vetëm se pse ATOMET qenë bërë prej një lënde, vetëm për këtë arsye ata mund të bashkohen e të veprojnë së bashku”

“Krenaria është një princip vaniteti.  Meqë e kam parë qartë gjatë një gjysëm shekulli në miq dhe armiq, strukturën e saj, guxoj të kundërshtoj SPINOZËN i cili nuk e pa dot në praktikë problemin e ngatërruar. Kjo është një gjendje mendore e lindur dhe e zhvilluar si reaksion kundra realitetit dhe nevojshmërisë. Ajo është aq dobësi mendimi, saqë e dëmton njerinë, sepse është e kundërta e karakterit. Sa më e zhvilluar është krenaria, aq më të mëdhenj janë gabimet e saj.

Ajo kryen në njeriun që e mëson këtë të admirojë veten e tija duke i vënë një mur dasie me shoqërinë njerëzore, kështu e quan veten mbi-njeri, nuk do të mësojë, as të qortojë gabimet e tyre, as të dëgjojë çmendojnë të tjerët. Kur zhvillohet shumë transformohet në sëmundje truri që po pati në duar të saj fuqi, ngrihet në diktatorin që është kanceri i politikës. Krenaria fillon me autosugjestion duke kaluar në faza të një procesi absoluti dezheneronjës i trurit deri sa përfundon në një OBSESION INDECENT dhe KRIMINAL. Shembuj janë: jeta e diktatorëve të çdo ngjyre”.

“Shumë herë natyra e moralit tënë cenohet kur interferon në atë vesi i vullnetit. Është bërë zakon të mendohet që virtyti është një fuqi përpjekjeje dhe për këtë disa njerëz e kanë ndjerë veten krenarë për ndërmarrjet që kanë kryer. Mendoj që virtyti është i lindur në esencën tonë të konceptuarit dhe ajo që na mbetet në dorë neve, është të jemi të fortë me vullnet e besë në ideal, ta ruajmë atë nga tentacionet e tmerrshëm të jetës materialiste. U japën vlerë të madhe Qezarit dhe Napoleonit, kurse atë pakë të mirë që bënë, qe cickërra e lumtur në esencën e genit, e tërë gloria tjetër, nuk është veçse një seri aventurash”.

“Opinioni popullor është gënjeshtra në duar të ambiciozëve të verbuar. Është shprehja me e kotë e njeriut, është fatkeqësia e atyre që e perdorin, edhe e atyre për të cilët e përdorin finokët. I mendshmi e shporr popullaritetin, që ka shumë katonj e asnjë dritare, që shkakton dëm dhe kurrë përfitim për shoqërinë njerëzore. I mendshmi nuk ka nevojë që aluvione zoologjike të mbushin piacat e qyteteve duke i brohoritur emrin. Popullariteti duhet të vijë prapa tij e jo ai pas popullaritetit të aluvioneve zoologjike që çirren duke shqiptuar emrin e demagogut: Piaca Venecia në Romë, nën këmbët e Musolinit; Piaca e Reishtagut ne Berlin, nën këmbët e Hitlerit; Piaca e Pallatıt Perandorak në Tokio, nën këmbët e Hiro Hitos; Piaca e Kuqe në Moskë nën këmbët e Stalinit; Piaca e Pekinit, nën këmbët e Mao Ce Dunit: Piaca e Popullit në Havanë…”!

“Kështu i ndodh shoqërisë njerëzore, n’udhëtimin e saj në errësirë dhe në boshësi. Për kohën tonë dhe për trashëgimet që na la në kataklizmat botërore, është e nevojshme të sqarojmë rolin që lozën, nga një anë MATERIALIZMI HISTORIK dhe nga ana tjetër doktrinat FREUDIANE. Po të analizojmë rolin e tyre, do të arrijmë në konkluzion që as njëra, as tjetra, nuk ishin në lartësinë e filozofisë, pa le të METAFIZIKËS. Që të dyja dualën të gabuara, prandaj ai gabim, u bë gabim i njerëzimit që shkakëtoi tragjedinë e popujvet”.

“Diktaturat kanë ngulur në shpirtin e shqiptarit një stivë dogmash, që, sa më shumë kalben, aq më shumë dëmtojnë, sepse krijojnë në mentalitetin tonë fara, mikrobe, bacile e viruse që sëmurin shpirtin tonë”.

“Cilësia e udhëheqësit është të mos u vërë veshin zhurmavet, kritikavet fallse, mburrjevet, spiunllëqevet, dyshimevet dhe interesavet”.

“Është i lirë ai popull që arrin ťua transmetojë ndjenjën e lirisë brezave të ardhshëm. Çdo tjetër e vetëquajtur liri, që nuk përmbush konditat e misionit të një qytetërimi, është liri false që, kur ngopet me abuzime, digjet”.

PERSONALITETET PËR ISUF LUZAJ:

Puna e Isuf Luzajt u vlerësua me titullin e lartë “Profesor i Amerikës”, akorduar nga Presidenti Regan i pranishëm në ceremoni, tek Luzaj shprehet: “I lutem Zotit të mos jetë e vërtetë kjo që mendoj unë. Se unë mendoj që kam mësuar më shumë unë nga ju, se ju nga mua”.

I nderuar Profesor,

“I admiruari im Borges më dërgoi “Lumenjtë” dhe fjalë të mira për ju. Edhe pse nuk jam dakord me fenë dhe me politikën tuaj, ne mund te jemi miq, si poetë. Poezitë dhe novelat tuaja shprehin fuqishëm vullnet, dashuri për atdheun dhe mallin e të mërguarit. Edhe pse nuk keni gjuhën tonë, këto do të jenë një zbulim për poetët latino-amerikanë”.

Me simpati poetike                                                                                           

                                   Pablo Neruda

Profesor Isuf Luzi  

Buen Aires

“I dashur shqiptar, lexova ditaret dhe jam i gëzuar që shoh se një poet i huaj ka arritur këtë lartësi akademike.

Gjithmonë kam folur për ecurinë tuaj intelektuale, por nuk do të më pëlqente që rutina akademike t’ju largonte nga spontaniteti i imagjinatës poetike. Kujtoni gjithmonë ç’ju kam thënë: Ju keni lindur poet dhe jeni bërë mësues i jetës. Kjo është një shenjë e mirë që tregon tiparet e demokracisë sonë, e cila priret drejt zbulimit të vlerave morale. Një përqafim nga miku juaj dhe i atdheut tuaj”.

Jorge Luis Borges

I dashur lab,

“Lexova në gazetë që do vish këtu si delegat i Universitetit të Buenos Airesit në konvencionin botëror të filozofisë. Shën Gjergjin e ke si shtëpinë t’ënde. Këtu do të vinë për të të mirëseardhur shumë shqipo të mërgatës t’ënde”.

                            Të pres vëllezërish                                                                                                                          

                              Fan Noli

“Njoha Isuf Luzin, profesor të letërsisë dhe Selman Rizën, gjuhëtar i zoti. Që të gjithë ishin të shqetësuar për fatin e luftës, aq më tepër se në rrethin e Vlorës, ku kishin çetat e tyre …Me këta njerëz e shtrova prapë mbi një koalicion demokratik. Duke u mbështetur te Dekalogu, thashë që të formohej Partia Social-Demokrate. E pranuan dhe pas shumë debatesh më tepër unë me Isuf Luzin përpiluam programin e Partisë dhe moralisht njohëm Skënder Muçon si udhëheqës që të miresh më tej”.

                               Musine Kokalari    

I dashuri shok –

“Në qoftë se jemi kuptuar mirë në bisedimet tona me rastin e burgut të përbashkët në lëvizjen e Fierit; në qoftë se unë të kam njohur e ti më ke njohur; në qofsh ashtu siç të kam çmuar unë, ti një ditë do të kesh nderin të zësh vendin e parë në lëvizjen antifashiste. Gjesti yt na ka mbushur me admiracion të gjithë ne që të njohim shpirtërisht. Ji i sigurt që je i vazhduem prej gjithë rinisë shqiptare e cila për së shpejti do të vihet në veprim nën direktivat e prijsve të saj…”./ Memorie.al

                             Mustafa Gjinishi

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Kush urdhëroi për hapjen e ambasadave, pse iu dha pasaporta për jashtë vëllait të Sadik Premtes, pse në RTSH doli fytyra e të arratisurit Gjergj Leka dhe...”?! / Raporti sekret për Ramiz Alinë, shtator ‘90

Artikuj të ngjashëm

“Gjergj Kokoshi, kishte besim tek misionet anglo-amerikane në Shqipëri dhe influenca e tyre mbi qeverinë e Enver Hoxhës, për t’i bërë presion, për shtyrjen e zgjedhjeve…”/ Libri i studiueses dhe historianes së njohur
Personazh

“Tashti që po të shkruaj kam vuajtë shumë, tre ditë pa bukë e ujë, 20 ditë në çimento, pa shtrojë e mbulojë dhe…”/ Zbulohet letra e ish-deputetit të Shkodrës, Riza Dani, para pushkatimit

September 21, 2026
“Në pranverën e 1929-ës, Gabriel Meksi na mbledh ne nxënësit ortodoksë të Gjimnazit, që të organizojmë një kor të vogël për të psalur shqip…”/ Kujtimet e Jakov Milaj, për “shkjetë” e Shkodrës
Personazh

“Në pranverën e 1929-ës, Gabriel Meksi na mbledh ne nxënësit ortodoksë të Gjimnazit, që të organizojmë një kor të vogël për të psalur shqip…”/ Kujtimet e Jakov Milaj, për “shkjetë” e Shkodrës

September 19, 2026
ARRESTIMI I FRANC NOPÇËS NË PUKË DHE TALLJA E TIJ ME KAJMEKAMIN
Personazh

ARRESTIMI I FRANC NOPÇËS NË PUKË DHE TALLJA E TIJ ME KAJMEKAMIN

September 18, 2026
“Pjerin Kçira, ish-hetues i pushkatuem për shpërndarje traktesh kundra pushtetit, tha në gjyq: ‘armët në Kishë i ka fut Sigurimi…”/ Dëshmia e Padër Leon Kabashit
Personazh

Në mars 1945, Enver Hoxha thërriti Delegatin Apostolik Nigris, duke i kërkuar qe të shkojë në Romë dhe t’i paraqesë Papës Pio XII, dëshirën e…”/ Historia e panjohur e ish-ambasadorit të Vatikanit

September 11, 2026
“Kur Skënder Sallaku, si sekretar partie i Estradës dhe Luan Zhegu, si zëvendës i tij, e pyetën regjizorin Leka Bungon, se ç’mendim kishte për Enver Hoxhën, ai iu tha…”/ Historia e bujshme në ‘89-ën
Personazh

“Një shkrimtar i shkoi Xhelil Gjonit në zyrën e tij në Komitetin Qendror dhe i kërkoi që të jepte dorëheqjen, pasi…”/ Dëshmia e rrallë e shkrimtarit të njohur Zija Çela

September 11, 2026
“Në zyrën e tij në Komitetin Qendror Xhelil Gjoni më komunikoi se nga Ministria e Brendshme, ishte dhënë urdhri për arrestimin tim, i firmosur nga drejtori i Drejtorisë…”/ Dëshmia e rrallë e shkrimtarit Zija Çela
Personazh

“Në zyrën e tij në Komitetin Qendror Xhelil Gjoni më komunikoi se nga Ministria e Brendshme, ishte dhënë urdhri për arrestimin tim, i firmosur nga drejtori i Drejtorisë…”/ Dëshmia e rrallë e shkrimtarit Zija Çela

September 18, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme