Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e katërt
Memorie.al / Edhe pse propagandohej me të madhe se; “ndryshe nga vendet kapitaliste, në Shqipërinë Socialiste shërbimi shëndetësor ishte falas për të gjithë shtetasit:, gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, ai linte shumë për të dëshiruar. Madje në shumë aspekte, siç ishin aparaturat dhe pajisja e spitaleve e objekteve të tjera shëndetësore me ilaçe e medikamente të ndryshme bashkëkohore, ka qenë një problem që mbeti i pazgjidhur deri në shembjen e atij regjimi. Por një nga plagët më të mëdha të shëndetësisë së para viteve ‘90-të, thuhet se ka qenë ai i numrit të lartë të vdekjeve të fëmijëve të moshës nga 0 deri 1 vjeç, apo siç njihej ndryshe me termin e mjekësisë; “mortaliteti tek foshnjat”.
Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente arkivore të Ministrisë së Shëndetësisë së asaj kohe, ku ndodhet korrespodenca e saj me disa nga institucionet dhe organet më të larta partiake e shtetërore të asaj kohe, në të cilat bëhet e ditur se vetëm gjatë vitit 1971, në të gjitha rrethet e vendit, nga 72.771 lindje, u shënuan 7027 vdekje në fëmijët e moshës 0 deri në 1 vjeç.
Por ajo që tronditi Tiranën dhe alarmoi udhëheqjen e lartë partiake dhe shtetërore të asaj kohe, ishte vdekja e 27 foshnjave në Maternitetin e Tiranës (sot Materniteti “Nana Mbretëreshë) vetëm gjatë disa ditëve në fundin e shtatorit dhe fillimin e tetorit 1972, gjë e cila detyroi organet përkatëse të asaj kohe që ta mbyllnin fare Maternitetin e Tiranës. Po pse ndodhi një numër aq i lartë vdekjes në atë maternitet në atë kohë dhe cilat ishin arsyet që u mor vendimi për mbylljen e asaj Shtëpie Lindje? Çfarë thuhet në raport-informacionet e ministrit të Shëndetësisë së asaj kohe, Dr, Llambi Ziçishti, dërguar instancave më të larta të shtetit dhe cili ishte reagimi e përgjigjja e udhëheqjes së lartë të asaj kohe, duke filluar nga kryeministri Mehmet Shehu, sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo, sekretari i parë i Komiteti të Partisë së Tiranës dhe anëtari i Byrosë Politike, Manush Myftiu, etj.?
Dokumentet e mëposhtme arkivore, që publikohen për herë të parë, sjellin një pasqyrë të detajuar mbi gjendjen alarmante të mortalitetit infantil në Shqipërinë e vitit 1971, si dhe përpjekjet e aparatit shtetëror për të vënë nën kontroll këtë fenomen tragjik. Përmes relacionit të Zv/Ministrit të Shëndetësisë, Dr. Kleo Miho, si dhe raporteve zyrtare të nënshkruara nga Dr. Bukurije Maçi pranë Drejtorisë së Nënës dhe Fëmijës, zbardhet tabloja e vërtetë e shërbimit mjekësor në rrethe dhe fshatra gjatë regjimit komunist.
Këto shkresa zyrtare të fillim-vitit 1972, nxjerrin në dritë jo vetëm shifrat e larta të vdekshmërisë së foshnjave, ku sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes si bronkopneumonia zinin deri në 60% të rasteve, por edhe prapambetjen e thellë infra-strukturore në zonat rurale. Dokumentet zbulojnë dështimin e planit për ndërtimin e shtëpive të lindjes e konsultoreve, mungesën e lejeve të lindjes dhe kontrolleve mjekësore për fëmijët 0-3 vjeç, si dhe kushtet skandaloze të ushqimit në çerdhet e fshatit, ku mungonin edhe artikujt më bazikë si buka e grurit dhe qumështi. Përmes një autokritike administrative, raportet godasin gjithashtu burokracinë e seksioneve lokale të shëndetësisë dhe pasqyrimin sipërfaqësor apo me formularë fiktive të të dhënave demografike nga rrethet. Lidhur me këtë etj., na njohin dokumentet në fjalë, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
RAPORT-INFORMACIONI I DREJTORESHËS SË DREJTORISË “NËNA DHE FËMIJA, NË MINISTRINË E SHËNDETËSISË, DR. BUKURIE MAÇI DËRGUAR PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR, LIDHUR ME NUMRIN E LARTË TË VDEKJEVE TË FËMIJËVE GJATË VITIT 1972
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË Tiranë më 10.1.1973
MINISTRIA E SHËNDETËSISË
Drejtoria e Nënës dhe Fëmijës
Nr. 472 Prot.
PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLORE
Sektorit të Këshillave Popullore
T I R A N Ë
Bashkëngjitur ju dërgojmë një pasqyre provizore të mortalitetit infantil për vitin 1972 dhe krahasuese me tre vitet e mëparshme. Siç shihet ka një ulje nga vitet 1970 dhe ‘71, ulje e cila vërehet në të gjitha rrethet. Po të marrim parasysh epideminë e madhe të gripit në muajt nëntor – dhjetor, si dhe virozën epidemike të muajve qershor-shtator të këtij viti (vitit 1972) e cila preku kryesisht fëmijët e vegjël, kjo ulje është relativisht e ndjeshme dhe i afrohet vitit 1969, që ka qenë viti më i qetë.
Masat që janë marrë në drejtim të mbrojtjes së shëndetit të nënës dhe fëmijës kanë ndikuar mjaft dhe me siguri, pa epidemitë e lart-përmendura, mortaliteti infantil do ishte nën nivelin e vitit 1969. Kjo na forcon bindjen që me forcimin e masave të gjithanshme mjekësore e shoqërore, dhe me një interesim më të madh të gjithë organeve, organizatave dhe tërë shoqërisë, në të ardhmen mortaliteti infantil do të zbresë progresivisht.
Gjatë vitit 1972 është treguar një interes më i madh për shëndetin e fëmijës dhe të nënës. Në këtë drejtim kanë ndihmuar dhe marrja në dorë e problemit nga vete organet e Partisë dhe Pushtetit në bazë, analizat periodike që i janë bërë këtij problemi në rrethe deri në këshillat popullore të rrethit, kontrolli e ndihma nga lart si dhe dy analizat që ju bënë kësaj çështje në kryesinë e Këshillit të Ministrave.
Gjatë vitit 1972 mortaliteti më i lartë është shënuar në rrethet e Dibrës, Kukësit, Shkodrës dhe Pukës sikurse shihet në tabelë. Më i larti është në Dibër dhe përqindja e uljes në këtë rreth është gati e pa ndjeshme. Një rol të mirë në këtë drejtim ka luajtur shtimi i kuadrove dhe institucioneve shëndetësore në fshat, e në mënyrë të veçante vendosja e infermiere-mamisë në çdo fshat.
Por lidhur me sigurimin e vendit të punës së mamisë, konsultores e sidomos hapjes së shtëpisë së lindjes në fshat, duhet theksuar se shumica e rretheve janë akoma shumë mbrapa, gjë e cila pengon punën e kuadrove shëndetësore dhe ndihmën e grave shtatzëna e fëmijëve.
Të gjitha rrethet nuk kanë plotësuar as 50% të shtëpive të lindjes në fshat e shumicën e konsultoreve e kanë në një dhomë me ambulancën e mjekimit. Sidoqoftë duhet të pranojmë se ka një kthesë dhe po të insistohet më tejë masat e nevojshme , me siguri në të ardhmen mortaliteti infantil do pësojë një ulje edhe më të ndjeshme.
PËR DREJTORINË
Dr. Bukurije Maçi
RAPORT-INFORMACIONI I MINISTRIT TË SHËNDETËSISË, PROF. DR. LLAMBI ZIÇISHTI, DËRGUAR KOMITETEVE EKZEKUTIVE TË RRETHEVE, LIDHUR ME SITUATËN E RËNDË NË MATERNITETIN E TIRANËS E SPITALET E KUKËSIT, PUKËS DHE ELBASANIT, SI DHE MASAT E MARRA E DËNIMET E DHËNA PËR MJEKËT PËRGJEGJËS
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E SHËNDETËSISË
“K A B I N E T I”
Tiranë, më 13.4.1973
Nr. 434 Prot.
KOMITETIT EKZEKUTIV TË K.P. TË RRETHIT
K r y e s i s ë
DREJTORISË _________________
Me gjithë vëmendjen që është tërhequr vazhdimisht organeve dhe institucioneve shëndetësore lidhur me gabimet dhe fajet nga pakujdesia në shërbim, ekzistojnë akoma raste të tilla, të cilat kanë rrezikuar jetën e pacientëve ose kanë shkaktuar vdekjen e tyre.
Kjo tregon se me personelin mjekësor nuk bëhet një punë e mjaftueshme edukative dhe tekniko-profesionale, se nuk u është kushtuar vëmendja e duhur materialeve të Partisë dhe udhëzimeve të dikasterit lidhur me përgjegjësin dhe korrektësinë në shërbim.
Organet drejtuese të shëndetësisë në rreth dhe ato të institucioneve qendrore nuk bëjnë sa duhet një luftë të ashpër kundër shfaqjeve të mefshtësisë, të punës shkel e shko e pa përgjegjësi; nuk kanë marrë kudo masat e nevojshme për forcimin e kontrollit dhe përsosjen e organizimit në të gjitha hallkat e shërbimit. Këtu e kanë burimin edhe ngjarjet e shëmtuara që kanë ndodhur kohët e fundit në disa institucione të vendit tonë.
Në Shtëpinë e Lindjes në Tiranë, si pasojë e masave të dobëta për parandalimin e infeksionit nosokomial tek të porsalindurit dhe e pajtimit me kushte të pa pranueshme për një institucion të kësaj natyre, disa muaj më parë shpërtheu një infeksion epidemik me coli pathogen, i cili shkaktoi vdekjen e më se 25 fëmijëve. Kjo është një nga ngjarjet më tronditëse në lëmin e shërbimit mjekësor.
Në spitalin e Elbasanit, mbas aktit që i shkaktoi vdekjen pacientit të ndjeshëm ndaj penicilinës të cilit nga pakujdesia iu injektua gabimisht një medikament i tillë, përsëri në repartin e kirurgjisë, gjatë një ndërhyrjeje kirurgjikale një me pacient apendicit të përforcuar ju la një garzë në abdomen, e cila ju gjet pas ndërhyrjes së dytë në vijim të së cilës i sëmuri vdiq. Ky akt pakujdesie nga ana e kirurgut Elez Elezi u pasua nga një akt tjetër i shëmtuar, i cili cenon rëndë moralin dhe etikën mjekësore.
Mjekët e pranishëm në ndërhyrjen e dytë vendosën ta mbanin të fshehtë këtë veprim, nuk e dokumentuan aspak në kartelën personale të pacientit dhe nuk informuan organet drejtuese. Kanë përgjegjësi të rëndë për këtë akt jo vetëm mjeku Elez Elezi, anëtar i fajit po edhe mjekët Kol Papajani Shef i repartit të kirurgjisë, kirurgu Perikli Sheti dhe radiologu Engjëll Kongoli etj., të cilët u munduan ta mbulojnë fajin.
Në rrethin e Shkodrës infermieri i zonës së Dajçit gënjen organet e shëndetësisë, lidhur me vaksinimet kundër difterisë, të cilat i raportoj si të kryera. Si pasojë pati një rritje të theksuar të rasteve me këtë sëmundje. E njëjta gjë u vërtetua edhe në rrethin Kukësit me infermierin Muharem Parllaku. Në këtë rreth pati edhe pasivitet – vdekje nga difteria.
Në rrethin e Pukës, në spitalin e Gjegjanit nga pa kujdesia infermieres Marie Mëhilli, në vend të solucionit piramidon, ju dha fëmijës të sëmurë një lugë perhydroli që si mbas ekspertizës mjeko-ligjore ishte shkaktari i vdekjes së pacientit të vogël. Kolegjumi i Ministrisë, i analizoj këto faje të rënda dhe vendosi që për personat e poshtëshënuar të merren masat e mëposhtme:
- Në Shtëpinë e Lindjes në Tiranë, mjeku Ilir Gjylbegu shkarkohet nga funksionet e drejtorit të institucionit, mjekut Apostol Lira, Zv. Drejtor i këtij institucioni i jepet vërejtje me paralajmërim, mjekja Marie Sina, përgjegjëse e repartit të fëmijëve shkarkohet nga detyra dhe largohet nga Shtëpia e Lindjes.
- Në Spitalin e Elbasanit, shefi i repartit të kirurgjisë Kol Papajani, shkarkohet nga përgjegjësia dhe dërgohet me punë në rreth; mjekut Perikli Sheti, i jepet vërejtje me paralajmërim. Mjeku Elez Elezi, është arrestuar nga organet e prokurorisë.
- Infermierët Abaz Lala i rrethit të Shkodrës, Muharrem Parllaku i rrethit të Kukësit dhe Marie Mëhilli i rrethit të Pukës, ju dhanë organeve gjyqësore.
Ministria e Shëndetësisë u tërheq edhe një herë vëmendjen me organeve të shëndetësisë që të forcojnë punën e tyre në drejtim të edukimit ideologjik dhe profesional të punonjësve, për luftimin pa mëshirë të të gjitha shfaqjeve të mefshësisë në qëndrimin ndaj detyrës dhe karshi të sëmurëve.
Punonjësit e shëndetësisë duhet të bëhen shembull korrektësie dhe devotshmërisë në punë. Kolektivat e institucioneve duhet të mbajnë qëndrim të ashpër karshi gjithë kuadrove që me punën e tyre të dobët dhe të pa kujdesshme dëmtojnë sado pak shëndetin e njeriut.
Fjalimi i fundit i Shokut Enver duhet të studiohet vazhdimisht dhe me kujdes. Nëpërmjet tij duhet të rishikohen edhe një herë të gjitha të metat subjektive që pengojnë mbarëvajtjen e punës në sektorin e shëndetësisë.
Masat e marra kohët e fundit nga Ministria e Shëndetësisë të bëhen shembull në mënyrë që çdo punonjës i shëndetësisë të ketë të qartë që me gjithë sukseset e mëdha të arritura në sektorin e mjekësisë, çdo akt pa kujdesi në punë, çdo qëndrim i huaj për moralin dhe etikën socialiste duhet të marrë dënimin e merituar.
Kjo letër t’u punohet me të gjithë punonjësit e shëndetësisë në rreth./ Memorie.al
M I N I S T R I
Prof. Llambi Ziçishti















