Nga Ilir Ikonomi
Memorie.al / Njeriu në këmbë në foton e parë, është presidenti amerikan Woodrow Wilson, për të cilin historianët bien dakord se e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi në vitet 1919 – ‘20. Është, si të thuash, Skënderbeu amerikan i shqiptarëve. Kështu shkruan në profilin e tij në FB, gazetari Ilir Ikonomi, duke publikuar edhe letrën që profesori dhe studiuesi i njohur shqiptar Kostë Çekrezi, i shkruante nipit të presidentit amerikan Wilson. Presidenti ka dalë në Uashington në vitin 1915 me dhëndrrin, Francis B. Sayre Sr. dhe nipin e porsalindur. Në kohën kur u bë kjo foto, as presidenti Wilson dhe as dhëndrri i tij, nuk e kishin menduar se do të kishin të bënin ndonjëherë me vendin e largët të quajtur Shqipëri.
Kur Sayre studioi më vonë në Universitetin e Harvardit, qëlloi të kishte shok klase Kostë Çekrezin (1892-1959) nga Ziçishti i Korçës. Çekrezi kishte qenë editor i gazetës “Dielli” në Boston, para se të shkonte në Harvard.
Më vonë u emërua profesor në Uashington, u kthye në Shqipëri për të punuar si gazetar dhe u bë kundërshtar i Mbretit Zog. Në vitin 1935 u arratis nga Shqipëria, si pjesëmarrës i një rebelimi kundër Mbretit dhe përfundoi në Francë.
Për t’u kthyer përsëri në Amerikë i duhej vizë, prandaj në janar 1936 i shkroi letër ish-mikut të Harvardit, Francis B. Sayre, i cili tani punonte si Ndihmës Sekretar i Departamentit të Shtetit. Në atë kohë, Presidentit Wilson nuk jetonte më.
Letrën e Çekrezit e hasa në arkivin amerikan dhe më tërhoqi vemendjen kjo pjesë ku ai i kujton ish shokut të klasës se si ishin njohur në Harvard në vitin 1918:
“Në atë kohë, ju patët mirësinë të shfaqnit interesim për çështjet shqiptare në një shkallë të tillë, saqë me vullnetin tuaj morët përsipër të flisnit me Presidentin e ndjerë Willson dhe, më besoni, ndërhyrja juaj ishte mjaft e dobishme”.
Nuk dihet se sa mund të ketë ndikuar miqësia e Çekrezit me shokun e tij të Harvardit që Wilsoni të njihej me çështjen shqiptare në vitin 1918, kur Lufta e Parë Botërore ishte në mbarim e sipër.
Por, në atë kohë, shqiptarët e Amerikës bënin përpjekje që fjala e tyre të binte në vesh të presidentit amerikan, me shpresën se ai do ta ndihmonte Shqipërinë të ruante kufijtë e saj në negociatat e paqes, të cilat pritej të fillonin në Paris në vitin 1919./ Memorie.al












