• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Monday, October 12, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Historiografia shqiptare, nuk e ka pasqyruar me objektivitet shkencor qëndresën e popullsisë së Nikaj-Mërturit, kundër ekspeditës ushtarake të…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur

“Historiografia shqiptare, nuk e ka pasqyruar me objektivitet shkencor qëndresën e popullsisë së Nikaj-Mërturit, kundër ekspeditës ushtarake të…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur
“Historiografia shqiptare, nuk e ka pasqyruar me objektivitet shkencor qëndresën e popullsisë së Nikaj-Mërturit, kundër ekspeditës ushtarake të…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur
“Historiografia shqiptare, nuk e ka pasqyruar me objektivitet shkencor qëndresën e popullsisë së Nikaj-Mërturit, kundër ekspeditës ushtarake të…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur
“Historiografia shqiptare, nuk e ka pasqyruar me objektivitet shkencor qëndresën e popullsisë së Nikaj-Mërturit, kundër ekspeditës ushtarake të…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur
“Drejtori i Përgjithshëm i Arsimit, Luigj Gurakuqi, me emërimin e At Nikollë Kolaj, mësues, ligjëroi zyrtarisht hapjen e shkollës në…”/ Historia e panjohur e shkollës së parë shqipe në Nikaj-Mërtur
“Historiografia shqiptare, nuk e ka pasqyruar me objektivitet shkencor qëndresën e popullsisë së Nikaj-Mërturit, kundër ekspeditës ushtarake të…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur

Nga ANTON PAPLEKA

Pjesa e parë

Memorie.al / Botimet zyrtare të derisotme tregojnë se historiografia shqiptare, nuk e ka pasqyruar me objektivitet shkencor qëndresën e popullsisë së Nikaj-Mërturit, kundër ekspeditës ushtarake të komanduar nga gjenerali Shefqet Turgut Pasha në vitin 1910. Në tekstin “Historia e Shqipërisë”, për shkollat e mesme, Tiranë, 1973, për këtë ngjarje shkruhet në mënyrë të përgjithshme dhe të përciptë: “Pasi ra kryengritja e Kosovës, korparmata turke, nën komandën e Shefqet Turgut Pashës, kaloi në korrik në vilajetin e Shkodrës për të kryer edhe këtu çarmatimin e popullsisë dhe rekrutimin e ushtarëve”.

Për fat të keq, kjo mungesë objektiviteti ka vazhduar edhe pas vendosjes së sistemit demokratik. Në tekstin “Historia e popullit shqiptar”, për shkollat e mesme, Tiranë 1994, aty ku flitet për kryengritjen e vitit 1910, shkruhet: “Pas rënies së kryengritjes në Kosovë, qeveria xhonturke, që synonte të godiste gjithë Lëvizjen Kombëtare, urdhëroi trupat e veta të vazhdonin operacionin në krahinat e tjera. Gjatë këtij marshimi në Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme, kudo u shpall shtetrrethimi, u bënë ndjekje e arrestime, u ngritën gjyqe ushtarake, u mbyllën klubet dhe gazetat shqipe” .

Gjithashtu mund të lexoni

Zbulohen dokumentet “tepër sekrete” të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së: Si akordoi Ramiz Alia dhe Foto Çami rreth 5 milionë dollar, në vitet 1986-1991…?! Emrat që përfituan dhe ata që firmosën

“Artikulli i ‘Zëri i Popullit’ i shkruar nga Fiqirete Shehu, bashkëshorte e ministrit të Mbrojtjes Mehmet Shehu, ku thuhet se Beqir Balluku është nxitur nga Bashkimi Sovjetik…”/ Dokumentet sekrete të CIA-s

Të nxitur nga qëndrimi nënvleftësues i historiografisë zyrtare, edhe instanca apo individë të tjerë janë përpjekur ta nënçmojnë ose ta shpërfillin fare faktin historik se ushtria otomane e ndërpreu marshimin e saj drejt Shkodrës, përmes maleve të Dukagjinit, dhe u detyrua të ndryshonte itinerarin e saj.

Jam i prirë të mendoj se ata që kanë mbajtur qëndrime të tilla ose nuk i kanë njohur sa duhet faktet dhe dokumentet që lidhen me këtë periudhë, ose janë nisur nga motive të urrejtjes krahinore dhe fetare, për të lënë në hije qëndresën e krahinës së Nikaj-Mërturit, së cilës historia i dha mundësinë të shpaloste vlerat e saj të mëdha shpirtërore e luftarake.

Synimet e ekspeditës ushtarake të Shefqet Turgut Pashës nuk kufizoheshin thjesht me nënshtrimin, me çarmatosjen e popullsisë dhe me mbledhjen e nizamëve (rekrutëve).

Në librin e tij “Udhëtime nëpër Ballkan”, albanologu Franc Nopça, i cili është takuar me gjeneralin osmanlli, shkruan: “Siç ma theksoi qartë ai, programi i tij ishte që Shqipërinë e Veriut ta kthente në një shkretëtirë dhe pastaj këtë shkretëtirë ta popullonte me emigrantë myslimanë të ardhur nga Bosnja. Këtë specifikë, emigrantë boshnjakë dhe jo nga Anadolli, ma theksoi në mënyrë të veçantë” .

Ambicia e këtij oficeri madhor të Perandorisë Osmane për të nënshtruar shqiptarët del në pah edhe në këngët popullore që flasin për këtë periudhë: “Të shtatë krajlat bajnë pleqni:/- Na duel dore kjo Shqipni,/Na duel dore Shqipnia krejt./Dërgut Pasha ni fjalë po e flet:/- Në ma dhaç mue për tri vjet,/Kur ta ap, ta ap tërbjet./Po i marr t’dhetë, po i marr xhelep/Dal sylahin jau mbledh krejt,/I marr nizamin ka’ tri vjet”.

Megjithëse ushtria që komandonte Shefqet Turgut Pasha kishte mbi dyzet mijë veta dhe ishte e pajisur me armët më moderne që prodhonin fabrikat e Evropës në atë kohë, shqiptarët nuk ngurruan t’i dilnin përpara për t’i prerë rrugën këtij përbindëshi apokaliptik që do të shkelte trojet e tyre.

Luftime të përgjakshme u zhvilluan sidomos në Grykën e Kaçanikut: “Hipi n’post ni sulltan i ri,/ E çoi asqerin në Shqipni, Me gri burra e me gri fmi./N’ Kaçanik kur desht me hi,/ Kaçanikut raftu pika,/ Nuk e lshoi pa u therë me thika!/ U ther me thika shtatë sahat,/ U mbyt kali m’ not në gjak”

Pasi mposhti qëndresën e luftëtarëve kosovarë, ushtria e Shefqet Turgut Pashës e vazhdoi marshimin drejt Shqipërisë së Veriut. Për të siguruar një shkallë sa më të lartë manovrimi, ai i ndau trupat e tij në dy pjesë: njërën prej tyre e nisi në drejtim të Qafës së Morinës, kurse tjetrën në drejtim të Bytyçit. Të parët që i dolën përpara kolonës ushtarake që kaloi nëpër Qafën e Morinës qenë luftëtarët e Gashit, të udhëhequr nga Halil Brahimi.

Ushtria otomane u prit me luftë edhe në Krasniqe. Për të kaluar me sa më pak dëme nëpër këtë krahinë, gjenerali osmanlli përdori të gjitha mjetet për të bërë për vetë prijësin e saj, Shaban Binakun, i cili pas shpalljes së Hyrjetit kishte shkelur me këmbë fotografinë e sulltan Hamitit, duke thënë se aty e mbrapa vetë ai do të ishte mbreti i atij vendi.

Të bindur se pas kalimit nëpër Gash e Krasniqe ushtria otomane do të marshonte drejt krahinës së tyre, banorët e Nikaj-Mërturit u mblodhën në kuvend dhe vendosën të zinin pritat në shtegun kryesor që të çonte në viset e tyre, në Qafën e Kolçit. Ata nuk e përfillën numrin e madh të ushtarëve të Turgut Pashës, duke u nisur nga parimi se malësorët numërimin nuk e përdorin për njerëzit, po për bagëtinë.

Një kronist, bashkëkohës i këtyre ngjarjeve, shkruan: “Në Qafë të Kolçit qëndruan trimnisht burrat e Nikajt e të Mërturit, por mjetet që kishin, ishin të mangta, armët që përdoreshin të vjetra e aq pak në numër, sa me ia tutë synin aspak nji ushtrisë së madhe e rreptë, si ishte ajo e turkut, së cilës as nuk i mungonte kurrgjë, por i dilte e i tepronte çdo mjet luftimi edhe ma i riu si mauzerë, topa e mitraloza”.

Për t’i ligështuar dhe për t’i poshtëruar malësorët e armatosur me pushkë të vjetruara, Shefqet Turgut Pasha dha urdhër që topat të mbusheshin me gjyle shpërthyese që lëshonin një flakë verbuese. Këto gjyle të panjohura më parë patën një ndikim të madh psikologjik e luftarak. Pluhuri dhe ciflat e gurëve, i pengonin malësorët jo vetëm të merrnin në shenjë, por edhe t’i futnin fishekët në foletë e pushkëve.

Në ato luftime, ku ishte e vështirë të dalloje luftëtarin e zakonshëm nga prijësi me përvojë, u shquan Sokol Basha, bajraktari i Nikajt; Shytan Brahimi, krye nga Nikajt; Gjelosh Rama i Currajve të Epër, Dedë Trimi, krye nga Merturi; Tunxh Miftari, Sadik Gjergji, shtëpi e parë në Palç dhe Prelë Tuli, Trimi i Salcës…!

Epërsia ushtarake e armikut i detyroi luftëtarët e Nikaj-Mërturit të tërhiqeshin nga Qafa e Kolçit. Ushtria otomane e kaloi këtë grykë të përgjakur që binte erë barut dhe vërshoi në thellësi të krahinës. Komanda ushtarake u vendos te Gurra e Hasan Gashit, një pikë strategjike, ku shihej si në pëllëmbë të dorës tërë lugina. E komanduar nga një kapiten, pararoja e ushtrisë kapërceu Lumin e Madh, Lumin e Vogël dhe mbërriti në Gjonpepaj, te kisha e Nikajt.

Kjo kishë shpëtoi pa u përdhosur vetëm falë ndërhyrjes së një oficeri osmanlli që ishte me origjinë shqiptare: “Këtu i do dijtë begut të Kosovës (Ali Begut, A.P.) në qoftë se meshtari pështoi (shpëtoi, A.P.) pa u burgosë e kisha pa u dhunue. Shqiptari çdo fejet të jetë, asht shqiptar dhe gjakun s’e harron as vëllan s’e poshtnon para të huejit”.

Malësorët që kishin armë ishin shpërndarë nëpër male. Ata qëllonin herë pas here kundër çadrave të ushtrisë pushtuese. Komanda ushtarake thirri bajraktarin Sokol Basha bashkë me krerët e Nikajt, të cilët i urdhëroi të dorëzonin armët, të regjistronin pjesëtarët e familjes, gjënë e gjallë dhe pasurinë, të çonin ushtarë meshkujt nga pesëmbëdhjetë deri në gjashtëdhjetë vjeç, pa marrë parasysh nevojat familjare a ndonjë mungesë shëndetësore.

Taksa për dhen e për dhi do të ishte nga pesë grosh për kokë, kurse për derrat do të ishte nga dhjetë grosh për kokë. Po të mos plotësoheshin këto kërkesa, oficerët osmanlinj kërcënuan se do të pushkatonin krerët dhe do të arrestonin malësorët e thjeshtë.

Të gjendur para këtyre kërcënimeve, krerët e Nikaj-Mërturit u detyruan t’i pranonin kërkesat e komandës së ushtrisë otomane, ashtu siç kishin bërë fqinjët e tyre në Gash e në Krasniqe. Të vetmit që nuk pranuan të takoheshin me të dërguarit e Shefqet Turgut Pashës, qenë krerët dhe banorët e katundeve Palç, Salcë e Brisë, të cilat shtriheshin në perëndim të krahinës, në kufi me Dukagjinin.

Kur oficerët e ushtrisë otomane u çuan fjalë tri katundeve të panënshtruara të dorëzonin armët, përndryshe shtëpive të tyre do t’u vihej flaka brenda njëzet e katër orëve, krerët dhe banorët e tyre iu përgjigjën kështu: “Në qoftë se Stambolla i don armët, të vijë vetë e t’i marrë. Salca s’mban as s’ka mbajtë kurrë armë për të dorzue, por për të luftue me to. Prandaj këtu në vend e jo njeti kemi për t’ja dhanë Pashës këto hekuraça të lyeme me mish thiut”.

Për të ndëshkuar katundet e pabindura, ushtria otomane u grumbullua në Tëtherme të Nikajt, në livadhet ku veronte bagëtia. Ushtarët e huaj plaçkitnin bagëti, bulmet dhe dëmtonin të mbjellat. Cilido që i kundërshtonte, arrestohej dhe rrihej me daulle.

Duke dëgjuar për paudhësitë që bënin osmanët në katundet e nënshtruara, Prelë Tuli i nxiti banorët e tri katundeve të pa çarmatosura të mos i binin në dorë Shefqet Turgut Pashës dhe të qëndronin deri në të mbramin fishek. Për rolin e Trimit të Salcës si organizator i qëndresës, Pal Duka–Gjini shkruan: “Fjala zjarm e burrit të maleve, syni gacë i tij dhe zemra çelik, përpjekjet me pari e hipnotizimi i vegjëlisë ku Prela kishte vu uzdajën (shpresën, A. P.), elektrizuan Salcën e Merturin. Vendosën të desin të tanë sa ishin”.

Vendosmërinë e malësorëve për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tyre e ka përjetësuar një kronikan besnik, siç është kënga popullore e krijuar në atë kohë: “Kodra e Palçit duket zi,/ Kanë zanë pritat njiqind shpi,/ Ai Prelë Tuli na u ka pri, ushtrisë para i kanë dalë,/ Turgut Pashës po i çojnë fjalë:/ Kësaj gryke asht zor me dalë,/ Kthe ushtrinë kur t’marrsh xhevapin,/ Se armt e krahit s’mund t’i japim,/ Për pa dekë na me gajret,/ Na i la baba amanet!”

I vetëdijshëm për rrezikun që paraqiste qëndresa para ushtrisë së madhe të Shefqet Turgut Pashës, – këtë qëndresë e kanë krahasuar me heroizmin e treqind spartanëve të kryesuar nga mbreti Leonidha në Grykën e Termopileve, – prijësi i malësorëve, Prelë Tuli, u përpoq të siguronte ndihmën e banorëve që jetonin përtej krahinës së Nikaj-Mërturit: “Aj Prelë Tuli çohet n’kambë/- Kush ma çon fjalën n’Toplanë,/ Me m’shpëtue roptë e gjanë,/ Gjanë e roptë me m’i shpëtue,/ Se Turguti m’ka rrethue…”. Përveç Toplanës, Prelë Tuli kërkoi ndihmë nga fiset e mëdha të Dukagjinit.

Të drejtuar nga Prelë Tuli, Man Avdia dhe Deli Tahiri, luftëtarët e katundeve Palç, Salcë e Brisë zunë pozicionet te Guri Murg, një shkëmb i thepisur, të cilin e përdorën si fortifikatë natyrore. Për shtatë ditë me radhë, ata i zmbrapsën sulmet e osmanëve, duke vrarë shumë prej tyre: “Guri Murg, nji gur i bardhë,/ Po i shkojnë gjylet radhë e radhë,/ Por s’e la Pashën me dalë,/ Për pa u kthye ai kah ka ardhë!”

Në këto luftime nuk spikati vetëm zotësia e Prelë Tulit si takticien ushtarak, por edhe trimëria e tij personale, duke vrarë një bimbash (major) të ushtrisë otomane. Në fjalët që i vë në gojë bardi popullor, del në pah urrejtja e thellë e malësorëve ndaj perandorisë aziatike që i kishte ndarë nga Evropa dhe i kishte lënë në prapambetje të thellë: “Ai Prelë Tuli hallakati:/ -Ndal, manov, se t’erdh sahati!/ Bylykbashit mirë ia kapi./ Krisi pushka, gjimoi mali,/Nëpër shpat po bie nizami…”.

Kur u mbaruan fishekët që kishin, luftëtarët e Palçit, të Salcës e të Brisës u detyruan të lëshonin pozicionet te Guri Murg dhe të tërhiqeshin në thellësi, duke ngritur një vijë të re zjarri në disa shkëmbinj të pakalueshëm, në afërsi të Brisës.

Për të shfryrë dufin e tyre dhe për t’u hakmarrë për humbjet që kishin pësuar, osmanlinjtë i shkatërruan shtëpitë e Palçit e të Salcës, duke i hedhur në erë me dinamit. Veç kësaj, ata prenë me sëpatë pemët, misrin e gjelbër e shkelën dhe e kullotën me kuaj. Kishën e Palçit e përdorën si kazermë. Përdhosjes së tyre nuk i shpëtuan as petkat dhe enët e shenjta të shërbimit fetar.

Për t’i detyruar malësorët e panënshtruar që të largoheshin nga shkëmbinjtë e thepisur ku qëndronin me armë në dorë, oficerët osmanlinj dhanë urdhër të bombardoheshin shtëpitë e katundit të Brisës, luginat dhe majat e maleve nga ana e Dukagjinit: “Po vajton kjo Maja e Thatë,/ janë vra burrat, janë vra gratë,/Tri katunde kanë marrë flakë!”

Në vend që të llahtariseshin nga këto bombardime, Prelë Tuli dhe bashkëluftëtarët e tij i mbështillnin gjylet me guna të lagura për të mos shpërthyer dhe për t’ua marrë barutin që u duhej për luftë. Ata e vazhduan qëndresën me vendosmëri, të mbështetur nga dy aleatë të fuqishëm: nga Drini që rridhte në krah të djathtë të pozicioneve të tyre dhe nga dy mijë luftëtarët të fiseve të Dukagjinit që ua mbronin shpinën dhe krahun e majtë. Memorie.al

                                                  Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

Kalendari 24 Gusht 2026

Next Post

“Në një intervistë për gazetën ‘Iliria; të Nju Yorkut në 1966, Aristidh Kolia mendon, se pjesa më e madhe e popullsisë greke, ka prejardhjen nga Shqipëria...”/ Refleksionet e historianit të njohur nga Vlora

Artikuj të ngjashëm

Zbulohen dokumentet “tepër sekrete” të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së: Si akordoi Ramiz Alia dhe Foto Çami rreth 5 milionë dollar, në vitet 1986-1991…?! Emrat që përfituan dhe ata që firmosën
Dossier

Zbulohen dokumentet “tepër sekrete” të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së: Si akordoi Ramiz Alia dhe Foto Çami rreth 5 milionë dollar, në vitet 1986-1991…?! Emrat që përfituan dhe ata që firmosën

October 12, 2026
“E dëgjove, Qemal, – iu kthye Fehmiu babait, – Enver kasapin dhe ata që i bëjnë fresk, komunistët e zhgënjyer, e kanë vënë përpara me kritika, por…”/ Kujtimet e shkrimtarit të njohur, për antikomunistin e thekur tiranas
Dossier

“Artikulli i ‘Zëri i Popullit’ i shkruar nga Fiqirete Shehu, bashkëshorte e ministrit të Mbrojtjes Mehmet Shehu, ku thuhet se Beqir Balluku është nxitur nga Bashkimi Sovjetik…”/ Dokumentet sekrete të CIA-s

October 12, 2026
“Në masakrën e Prekazit të Skenderajt, më 5 – 7 mars 1998, u vranë 59 shqiptarë, nga të cilët 55 nga lagjja e Jasharajve…”. Dëshmia e publicistit të njohur për masakrat serbe në Kosovë, 1998-‘99
Dossier

Kush e projektoi planin e operacionit “Patkoi” dhe sa forca militare dhe paramilitare serbe morën pjesë në realizimin e asaj masakre shfarosëse ndaj shqiptarëve?

October 12, 2026
“As kryeministri Shehu dhe as mediat shqiptare nuk ofruan shpjegime për largimin e Ballukut, por raportimet nga Tirana sugjeronin, se ishte larguar me motivacionin si…”/ Dokumentet sekrete të CIA-s
Dossier

“As kryeministri Shehu dhe as mediat shqiptare nuk ofruan shpjegime për largimin e Ballukut, por raportimet nga Tirana sugjeronin, se ishte larguar me motivacionin si…”/ Dokumentet sekrete të CIA-s

October 12, 2026
“Në një bisedë me Zhoa Amazonas, i fola edhe për problemet e naftës në vendin tonë dhe kompanitë e huaja që janë ofruar, por ai…”/ Zbulohet dokumenti me fjalën e Ramiz Alisë në Byro, 6 qershor ‘89
Dossier

“Pas intervistave në mediat e huaja për Enver Hoxhën, S. Lazri kishte thënë: ky njeri e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë, më shumë se sa i gjithë…”/ Dëshmia e rrallë e shkrimtarit dhe gazetarit të njohur!

October 9, 2026
“Te Hotel ‘Adriatik’-u, krenaria e ‘Albturist’, uji vjen me cisternë, plazhi publik s’ka çadra, por çarçafë të lidhur në katër shkopinj dhe rroba banje të qepura vetë me…”!/ Libri i suedezit, në ’68-ën
Dossier

“Agjenti ynë i ri në Durrës duhet të shfrytëzohet më shumë, duke siguruar se shpërblimi financiar do të paguhet te familja e tij, kurse agjenti në Bari…”/ Zbulohen dokumentet sekrete të CIA-s

October 11, 2026
Next Post
“Në një intervistë për gazetën ‘Iliria; të Nju Yorkut në 1966, Aristidh Kolia mendon, se pjesa më e madhe e popullsisë greke, ka prejardhjen nga Shqipëria…”/ Refleksionet e historianit të njohur nga Vlora

“Në një intervistë për gazetën ‘Iliria; të Nju Yorkut në 1966, Aristidh Kolia mendon, se pjesa më e madhe e popullsisë greke, ka prejardhjen nga Shqipëria...”/ Refleksionet e historianit të njohur nga Vlora

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme