Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e katërt
Memorie.al / Kur nuk kishin kaluar veçse dhjetë ditë nga mbajtja e zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit dhe dy forcat kryesore politike, Partia e Punës dhe Partia Demokratike, së bashku me aletatët e tyre, të dala nga ato zgjedhje, ishin në prag të hapjes së Kuvendit të parë Popullor pluralist, Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, me në krye sekretarin e përgjithshëm të saj, Ramiz Alia, (njëkohësisht mbante edhe postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë), më datën 11 prill 1991, zhvilloi një mbledhje të gjatë, ku përveç ngjarjeve tragjike të 2 prillit në qytetin e Shkodrës, që ishte dhe pika e parë e rendit të ditës, diskutoi edhe për problematikat që po shfaqeshin me çeljen e seancës së parë të Parlamentit të parë pluralist, gjë e cila ishte një ngjarje tejet e veçantë, pasi ajo gjë ndodhte për herë të parë pas 45 vitesh të sundimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia.
Siç do të shohim dhe nga proces-verbali në fjalë mbi zhvillimin e kësaj mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, aty janë marrë në shqyrtim dhe janë diskutuar disa nga problemet më radikale të dramës politike që po kalonte Shqipëria në pranverën e vitit 1991, ku zbulohen qartë edhe prapaskenat e pushtetit komunist në fuqi me në krye Ramiz Alinë, që ishte në grahmat e fundit dhe po përballej me rënien e tij të pashmangshme, por me ngjarje të përgjakshme, siç ishin ato të 2 prillit në qytetin e Shkodrës, si dhe me sfidat e panjohura të pluralizmit politik.
Sa më sipër, ky dokument arkivor hedh dritë dhe ndriçon tre çështje kyçe që po trazonin kupolën drejtuese të vendit në ato ditë kritike: ku pjesa më interesante është ajo që lidhet me “arkitekturën” politike që po projektonte PPSH-ja, për Kuvendin e Ri, ku kishte 54 agronomë e 35 mjekë. Diskutimet për ndarjen e komisioneve parlamentare, studimi i përvojës bullgare, propozimi i figurave të reja si Kastriot Islami në krye të parlamentit, si dhe përgatitjet për përballjen me opozitën e re (Partinë Demokratike), zbulojnë qartë të gjitha përpjekjet dhe demarshet që po bënte PPSH-ja ende në fuqi, e cila po përpiqej të ruante kontrollin e pushtetit përmes procedurave kushtetuese dhe diplomacisë parlamentare.
Dokumenti në fjalë publikohet i plotë duke ruajtur të gjithë dinamikën e fjalimeve, terminologjinë e kohës dhe ndërhyrjet e anëtarëve të Byrosë Politike, duke filluar nga kreu i saj, Ramiz Alia, e me rradhë Xhelil Gjoni, Adil Çarçani, Hekuran Isai, Spiro Dede, Abdyl Backa, e të tjerë.
Po kështu me mjaft interes janë edhe diskutimet e krerëve më të lartë të PPSH-së, jo vetëm ndaj emrave të forcës së tyre politike që ata po përzgjidhnin në krye të qeverisë, institucioneve kushtetuese apo grupit dhe komisioneve parlamentare, si; Fatos Nano, Ylli Bufi, Leontjev Çuçi, Haxhi Lleshi, Llambi Gegprifti, Shane Korbeci, Ismail Lleshi, Niko Gjyzari, Petro Dode, Fehmi Avdiu, Çun Jonuzi, Engjëll Kolaneci, Ajli Alushani, Kleanthi Koçi, Pëllumb Kapo, Bujar Kolaneci, Fatmir Minguli, Lush Përpali, Tahir Elezi, Lefter Xhuveli, Bilbil Jaupi, Agron Dibra, Hajredin Tahiri, Isuf Dautllari, Muharrem Mezini, Pavllo Bojaxhiu, Kostandin Hoxha, Sotir Kokeri, Fatmir Zaloshnja, etj., por edhe me opozitën e kryesuar nga Partia Demokratike, ku ata flasin e diskutojnë me emra konkret, si p.sh. Aleksandër Meksi, Genc Ruli, Emin Mysliu, Dhimitër Anagnosti, Petraq Kolevica etj.
Për më shumë rreth kësaj etj., na njeh dokumenti në fjalë i nxjerrë së fundmi nga Arkivi Qendror i Shtetit Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), që publikohet për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al, i cili në një farë mënyre tregon qartë të gjitha prapaskenat e tranzicionit shqiptar të asaj periudhe kohe, që padyshim përbëjnë disa nga ngjarjet më të rëndësishmet e Shqipërisë, që nga krijimi i shtetit, në 28 nëntorin e vitit 1912.
PROCES-VERBAL I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE I MBAJTUR NË MBLEDHJEN E BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË
Më 11 prill 1991
Rendi i ditës:
- Mbi ngjarjet e Shkodrës më 2 prill 1991
- Mbi qëndrimin ndaj kërkesave të sindikatave dhe organizatave e shoqatave që krijohen.
- Problemet që dalin për hapjen e Kuvendit të ri pluralist.
(Rendi i ditës nuk ishte shpërndarë më parë)
Mungojnë shokët: Pali Miska, Vangjel Çërava, Xhemal Dymylja.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
SHOKU SPIRO DEDE: Për zëvendëskryetar të Kuvendit ne u kemi bërë një rekomandim atyre të Partisë Demokratike, që e pritën shumë mirë. Unë u thashë që neve do të na bëhej shumë qejfi që të ishte nënkryetar i Kryesisë së Kuvendit, të themi, Aleksandër Meksi. U erdhi shumë mirë për këtë.
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Një nga njerëzit më të mirë që kanë ata.
SHOKU RAMIZ ALIA: Pse, ku i njeh ti, Llambi?
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Më ka lidhur puna me ta.
SHOKU RAMIZ ALIA: Lë t’i bëjnë si të duan ata, ne kemi hallin tonë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Kot them një mendim. Po sikur ata të mos marrin pjesë në mbledhjen e Kuvendit Popullor, si i bëhet?
SHOKU RAMIZ ALIA: Të shohim, të gjykojmë, po ne kemi shumicën absolute, do vazhdojmë Kuvendin me dy të tretat, do vazhdojmë të gjitha procedurat, do lëmë vendet bosh për ata. Do zgjedhim kryetarin e Kuvendit dhe një nënkryetar, se vendin e nënkryetarit tjetër do ta lëmë bosh, për Partinë Demokratike.
Do zgjedhim Komisionin e Mandateve të propozuar nga shtatë veta, tre vende mbeten bosh, dy për Partinë Demokratike dhe një për OMONIA-n, në qoftë se nuk vijnë as ata, por ne duhet të përpiqemi që të vijë OMONIA. Me një fjalë ne do të ndjekim të gjitha procedurat dhe do t’i lëmë vendet e tyre bosh. Do zbatojmë procedurat, do vazhdojmë rendin e ditës, sikur mungojnë për arsye shëndetësore.
SHOKU SPIRO DEDE: Nuk bëhet krizë kushtetuese?
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, nuk bëhet hiç fare, derisa ke dy të tretat e deputetëve. Krizë kushtetuese bëhet, kur nuk ka mundësi të aprovosh gjë (nuk ke dy të tretat), kurse kështu po të dojë merr pjesë, po të dojë le të mos marrë pjesë. Kurse kur të aprovohet Kushtetuta, dy të tretat e Kuvendit duhet të jenë prezent.
SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, unë e thashë “sikur”.
SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe unë po të them “sikur” të mos vijnë, ne do të veprojmë kështu, do vazhdojmë Kuvendin, duke thënë që deputetët e Partisë Demokratike nuk u paraqitën në Kuvend.
Ditën e dielë (para se të fillojë Kuvendi, që u mblodh më 15 prill 1991), duhet të vijnë këtu deputetët tanë. Në këtë mbledhje do të zgjidhet byroja e partisë e deputetëve, do t’u thuhet cila është procedura.
Aty do t’u themi që grupi ynë parlamentar do të propozojë këtë dhe këtë, se ditën e shtunë (më 13 prill 1991), do t’ja themi dhe Partisë Demokratike.
SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk do t’u japim vendin e ndonjë kryetari komisioni atyre të Demokratikes? Do të thonë që i keni marrë të gjithë vendet e kryetarëve të komisioneve ju të Partisë së Punës.
SHOKU RAMIZ ALIA: Duhen pyetur juristët për këtë.
SHOKU HEKURAN ISAI: 30 për qind të deputetëve i kanë ata, atëherë dhe 30 për qind të kryetarëve të komisioneve duhet t’i kenë po ata.
SHOKU SPIRO DEDE: Drejt është.
SHOKU RAMIZ ALIA: Prit, mos u nxito, se nuk është drejt. Se ç’ka një term për këtë çështje, do pyetur Kleanthi Koçi.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Në qoftë se lejohet, ashtu të bëhet.
SHOKU SPIRO DEDE: Janë 11 komisione, tre mund t’i kenë kryetarët e PD, 1 të OMONIA-s dhe 7 të PPSH-ja.
SHOKU RAMIZ ALIA: T’i japësh dhe OMONIA-s? Duhet menduar, po mund të vihet një nënkryetar nga ata, megjithatë ta mendojmë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Po atyre nuk do t’u japim vendin e kryetarit të komisionit të Jashtëm apo të Rendit. (Ato, jo, thotë dhe shoku Ramiz).
SHOKU SPIRO DEDE: Mundet t’u jepej vendi i kryetarit të Komisionit të Arsimit, Industrisë, Ndërtimit. Për shembull, Genc Ruli.
SHOKU RAMIZ ALIA: Atë e dinë vetë ata se cilin do të emërojnë. Ju, mos merrni përsipër të tjerët! Është e çuditshme ç’qejf keni?! Rëndësi ka a do t’i japësh apo jo këto vende.
Sqarojeni me Kleanthin dhe me juristët e tjerë si duhet të jetë kjo, Xhelil, pastaj duhet përcaktuar cilat komisione do t’u lësh. Atje ku do të jetë kryetari i tyre, do të jetë nënkryetari ynë, në qoftë se kanë nënkryetar.
SHOKU NIKO GJYZARI: Deri tani kanë qenë në krye të komisioneve: kryetari, nënkryetari dhe sekretari.
SHOKU XHELIL GJONI: Ky Kuvend do të zgjedhë dhe presidentin.
SHOKU RAMIZ ALIA: Mbas të jetë aprovuar Kushtetuta.
SHOKU HEKURAN ISAI: Kur do të aprovohet Kushtetuta?
SHOKU RAMIZ ALIA: Mbas nja dy muajsh!
SHOKU FATMIR ZALOSHNJA: Me deputetët tanë duhet punuar Kushtetuta, se do t’i ngrenë çështjet në Kuvend ata pastaj dhe do të duket sikur janë ata në opozitë.
(Shoku Xhelil Gjoni që do të takohen ditën e dielë me deputetët, do të përgatitet shoku Kleanthi Koçi për pyetjet që mund të ketë. Gjithë të dielën e kanë në dispozicion).
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk bëhet dot për një ditë kjo punë, do nen për nen argumente, se për çdo nen do të ketë vërejtje. (Shoku Xhelil shpjegon se ka punë të tjera për zgjedhjet në rrethet, statutin e Partisë etj.)
Kur të fillojë diskutimi i Kushtetutës, do të nevojitet që deputetët të mblidhen në mënyrë paraprake, se ajo nuk do të fillojë të diskutohet as të martën dhe jo më ditën e hënë.
SHOKU HEKURAN ISAI: Në këtë mbledhje të Kuvendit do të aprovohet.
SHOKU RAMIZ ALIA: Në këtë mbledhje, po varet se sa do të zgjasë kjo punë, varet nga qëndrimi që do të mbajnë ata. Në qoftë se ata mbajnë qëndrim obstruksionist, atëherë diskutimi i Kushtetutës mund të zgjasë dhe dy muaj, sepse do të qëndrojnë për çdo llaf; “pse është thënë që pushteti buron nga populli dhe i përket popullit”?
“Kjo është një formulë komuniste”. Sa të duash do të ketë kështu. Duhen argumentuar të gjitha. (Specialistët le të qëndrojnë aty afër për t’i sqaruar gjërat, thotë shoku Xhelil).
SHOKU SPIRO DEDE: Siç kemi dëgjuar, zakonisht (Kushtetuta) paraqitet dhe me një shpjegues nga komisioni që e paraqit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Unë vetëm një shkresë do t’i bëj Kuvendit Popullor; “Kam nderin t’ju paraqes projektin e Kushtetutës, që ka përpunuar komisioni, të cilin e kryesoj unë në bazë të vendimit të Kuvendit Popullor”.
SHOKU HEKURAN ISAI: Kushtetuta ka pika të kuptueshme, por ka dhe pika të pakuptueshme për nivelin e deputetëve tanë, ka dhe pika që ne i kemi marrë afërsisht ose motamo me botën. Këto duhet të shpjegohen.
SHOKU RAMIZ ALIA: Propozime mund të ketë të ndryshme, mundet të thotë që këshillin popullor ta quajmë bashki, mundet të propozojë që të quhet parlament. Këto do të përballohen në mbledhje të Kuvendit.
Ka gjë tjetër? (Nuk ka).
(Shoku Ramiz bisedon me shokun Spiro, rreth propozimit të këtij të fundit për t’i bërë ftesë për të ardhur në Shqipëri Betino Kraksit)./ Memorie.al
Zbardhi materialin: K. Çupa
Datë: 20.9.1991
Kontrolloi: Elma Sherifi
Daktilografoi: L. Xhagolli



















