• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Saturday, June 27, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Todi Lubonja ishte takuar me Enverin, i cili e kishte përgëzuar për trasmetimet sportive ndërkombëtare të TVSH-së, por kur e kishte pyetur për Olimpiadën e Mynihut, ai…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit të njohur sportiv

“Në vitet ’70-të, fillova të prodhoj në seri ‘Kanoçet’, ku ‘ishullarët’ filluan të shikonin lajme, filma, spektakle, etj., por ato, i kërkonin edhe komisarët, spiunët e..,”/ Dëshmia e rrallë e publicistit të njohur
“Shpresoj që romani im ‘Shtatori Fatkeq’ të ketë një vlerë të ngjashme simbolike me ‘Gjeneralin…’ e Kadaresë…”/ Botohet në Itali libri i Skifter Këlliçit, kushtuar ngjarjes së 11 shtatorit 2001 për Kullat Binjake
“Edhe pse ne përgatitëm dhomën e tij në Pallatin e Sportit, Enveri s’erdhi asnjë ditë, por vetëm në mbyllje dhe po atë mbrëmje, kur shkova te vila e Kadri Hazbiut, ai më tha…”/ Dëshmia e rrallë e Agron Aranitasit
Relacioni sekret për Enverin:  Në mbledhjen e RTSH-së u tha se: Todi Lubonja ua futi kontrabandë Festivalin e 11-të, Partisë, popullit dhe punonjësve të Radio-Televizionit…
“Enver Hoxha ka gabuar, sepse duke e dëgjuar Nako Spiron, mundet të mësonte edhe disa gjëra që mund të mos i dinte, por prapë, edhe avokat i Enverit do të bëhem, sepse…”/ Refleksionet e Ramiz Alisë
Pengmarrja e atletëve izraelit nga terroristët palestinez që tronditi Olimpiadën e Mynihut në 1972-in, dhe sportistët shqiptarë një kat më poshtë…
“Kur Enver Hoxha, i vrenjtur i’u drejtua Nexhmijes: Ç’janë këto veshje, këto bizhuteri, ç’janë këto këngë…?!, ajo i’u përgjigj…”/ Refleksionet e shkrimtarit të njohur, për festivalin e 11-të, në ’72-in
“Todi Lubonja ishte takuar me Enverin, i cili e kishte përgëzuar për trasmetimet sportive ndërkombëtare të TVSH-së, por kur e kishte pyetur për Olimpiadën e Mynihut, ai…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit të njohur sportiv

Nga Skifter Këlliçi*

Memorie.al / Në qershor të vitit 1970, plot 56 vite më parë, zhvillohej në Meksikë Botërori radhës në futboll. Gumëzhinte RAI dhe TV Beogradi me  transmetimin e ndeshjeve të këtij botërori, kurse Qendra Eksperimentale Televizive në Tiranë, ende në shpërgenj, (kishte lindur më 30 prill të vitit 1960)  “u servirte” teleshikuesve të gjorë lajme të thata dhe  filma kryesisht shqiptarë dhe sidomos kinezë. Pyeta një nga drejtuesit teknikë, nëse mund të futeshin të paktën  kanalet e RAI-t në ekranin e televizionit tonë  modest, sepse, për të ndjekur këto veprimtari  sportive ndërkombëtare, tifozët kudo në Shqipëri ngrinin  antena gjithfarësh. (Një shok nga Korça më tregonte atëherë se një pasdite dimri, kur në Romë po zhvillohej një ndeshje ndërkombëtare futbolli, ishte ngjitur në çatinë e shtëpisë së tij,  dhe kishte nisur të lëvizte antenën gjithandej, duke pritur që shokët në dhomën ku qe vendosur televizori, t’i  thonin se ku duhej ta vendoste atë.

Mirëpo i tharë së ftohti e kishte flakur atë me inat tutje në degën e një peme në oborr. “Të lumtë, aty vendose antenën”, – kishte dëgjuar zëra të shokëve). Për të qeshur dhe për të qarë.

“Me një të shtypur të një butoni, e kthejmë kanalet e RAI-t në ekranin tonë”, – m’u përgjigj drejtuesi teknik. Atëherë vazhdova me pyetjen tjetër, nëse ai, si komunist i vjetër, a mund t’i bënte Thanas Nanos, drejtor i atëhershëm i Radio Tiranës, propozimin që ndeshjet e atij botërori të transmetoheshin nga TVSH-ja, me komentimin tim. Iu duk shumë i përshtatshëm ky propozim dhe ia përcolli që atë ditë drejtor Thanasit. Mirëpo, që si pedant dhe tutës, ai e hodhi atë poshtë.

Gjithashtu mund të lexoni

“Edhe pse një vend i harruar, Shqipëria ka një tokë, ku natyra dhe arti janë bashkuar për të prodhuar një kopsht të begatë, ku e ardhmja…”/ Kujtimet e panjohura të gjeneralit amerikan në fillimet e shekullit të kaluar

“Hitleri i dërgoi një Mercedes-Benz sportive, Musolini katër vazo bronzi, që i përkisnin Napoleonit, një statujë dragoi erdhi nga Mbreti Vittorio Emanuele…”/ Historia e panjohur e dasmës së Mbretit Zog në ‘38-ën

Një mëngjes janari të vitit 1972, në ngrehinën e RTVSH-së  erdhi papritur Manush Myftiu, anëtar i Byrosë Politke dhe zv. kryeministër, i cili në një mbledhje të organizuar, nuk si se përse shpejt e shpejt, me ton të ftohtë na njoftoi se me vendim të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së  drejtor i këtij institucionin në vend të Thanas Nanos, që kishte punuar mirë, por edhe kishte pasur të meta me prirjet e tij konservatore, dogmatike dhe pedante, drejtor i përgjithshëm i tij, emërohej Todi Lubonja. Ishte periudha kur Enver Hoxha, kishte “liruar disi burgjitë e diktaturës” do të bënte më vonë edhe një bisedë të gjatë me Agim Meron, sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë, në të cilën do ta porosiste në veçanti që të merreshin masa që rinisë t’i jepej mundësia në mënyrë që, krahas studimeve dhe punës, të zbavitej edhe më shumë me programe kulturoro-artistike, mbrëmje, shfaqje artistike dhe  sportive.

Dhe për këtë arsye ishte marrë vendimi i zëvendësimit në krye të RTSH-së të një burokrati me kulturë të kufizuar si Thana Nano, me Todi Lubonjën, që në këtë drejtim kishte horizont të gjerë. Me të marrë vesh se unë isha në gjendje të bëja komente të takimeve ndërkombëtare, duke përkthyer me kufje në veshë  telekometatorët italianë dhe duke komentuar edhe vetë, Todi  Lubonja vendosi që ndeshja Itali-Belgjikë, për mënjanueset e Euro ’72-shit, që fillonte në orën 17.00 të datës 26 prill të vitit 1972 dhe transmetohej nga RAI, dhe  ndeshja tjetër, Angli-Republika Federale Gjermane, që fillonte në orën 20.45 të po asaj dite dhe transmetohej nga TV Beogradi, të transmetoheshin edhe nga TVSH-ja. Me këtë rast zëri i komentatorve te huaj duhej të zëvendësohej me zhurmë nga mjediset stadiumesh.

Të nesërmen lexuesit e gazetave habiteshin kur shihnin se në programet e televizionit tonë të asaj dite, ishin programuar dy ndeshje ndërkombëtare. Por se ç’ishin, nuk u shkonte ndërmend.

Kuptohet se pavarësisht se kisha qenë unë “dora vetë” që kisha bërë këtë propozim, kur tashmë këtë Todi Lubonja ia kishte bërë Ramiz Alisë, sekretar i Komitetit Qendror të Parisë për çështje ideologjike, që e kishte miratuar pa ngurrim, unë fillimthi u befasova. Por nuk e pata problem komentimin e ndeshjes së parë nga telekronisti i njohur italian, Nando Martelini, sepse italishten sportive e njihja mirë. Problem pata ndeshjen e dytë. Nga rusishtja kuptoja shumë pak (prej serbishtes), por meqë zëri i komentatorit jugosllav si dhe i Martelinit mbulohej nga një zhurmë stadiumesh nga studioja jonë, me ndihmën e shënimeve  dhe kureshtive për futbollin, të marra nga shtypi sovjetik dhe ato që dija, “e hodha lumin”.

Përshtypjet qenë sa të befasishme, aq edhe entuziaste, madje euforike, sepse në shumë zona të Shqipërisë RAI nuk shihej dhe komentimi i një ndeshjeje në gjuhën shqipe ishte për teleshikuesit shqiptarë risi e këndshme. Veç këtyre, pas transmetimit të ndeshjes së parë, pati nga ata që pandehën se unë kisha shkuar në Milano, ku zhvillohej ndeshja e parë, por, kur dëgjuan zërin tim në ndeshjen e dytë që pa pas dy orësh  zhvillohej në Londër, u bindën që komentoja nga TVSH-ja. Në ditë  korriku të vitit 1972, i pata kujtuar Todi Lubonjës se veç ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit, TVSH-ja mund të transmetonte edhe pamje nga Lojërat Olimpike, që  do të zhvilloheshin nga 26 gusht deri 11 shtator të atij viti në Mynih të Republikës Federale Gjermane. Atij i pëlqeu ky mendim. Dhe ja një mëngjes, aty fillimi i gushtit, më thirri me ngut në zyrën e tij.

Ç’kishte ndodhur? Siç më shpjegoi, një ditë më parë në mesoret e Komitetit Qendror, ai ishte takuar me Enver Hoxhën, i cili e kishte përgëzuar edhe për transmetimet e veprimtarive sportive ndërkombëtare të TVSH-së. Dhe kur Lubonja kishte shtuar se mund të transmetohej edhe Olimpiada e Mynihut, Enver Hoxha menjëherë e kishte miratuar këtë propozim. Ndaj Lubonja më tha që të nisja të përgatitesha për këtë ngjarje kaq të madhe në botën e sportit. Të them të drejtën, nuk prisja që ne të transmetonim të tëra llojet e garave të kësaj olimpiade, sepse TVSH-ja, ndryshe  nga RAI, (që kishte tre kanale), transmetonte programet e saj vetëm në një kanal. Prandaj duhej bërë dhe përzgjedhja e atyre llojeve të sporteve që njiheshin nga teleshikuesit tanë. Por urdhri nga lart ishte që Olimpiada të transmetohej e tëra. (Këtu mendoj se u teprua…)

Natyrisht, që në orën 18.00 dhe 20.00, si zakonisht do të jepeshin lajmet, në orën 18.30-19.00, emisioni i fëmijëve dhe pastaj tërë hapësirat e programit ditor do të mbuloheshin nga transmetimi i olimpiadës, duke shtuar edhe tërë programin e garave të saj, që fillonin që në orët e para të mesditës. Ishte fjala për të paktën 10 orë e, në disa raste edhe më shumë komentime në ditë, që kuptohet se nuk mund t’i a bëja vetëm. Ndaj bisedova më shokë që dinin italisht, madje më mirë se unë. Por ata me keqardhje nuk pranuan, sepse nuk ishin fare të dhënë pas sportit dhe, si pasojë, nuk njihnin terminologjinë sportive.

Pranuan vetëm gazetarët e njohur Napolon Roshi dhe Pirro Naçe si dhe specialistët e lojërave me dorë, Feti Borova dhe Kreshnik Tartari. Por edhe ata sipas mundësive të tyre.

Por përpara fillimit të transmetimit të kësaj olimpiade, u morën këto masa: Gjatë ceremonisë së hapjes së saj, në ekran nuk duhej te shfaqeshin pamje të ekipeve të Bashkimit Sovjetik dhe të SHBA-së. Ato do të zëvendësoheshin me një pllakat, ku të ishte e shkruar: “Lojërat e 19-ta Olimpike të Mynihut”. Gjithashtu, në rast se sportistë të  këtyre dy vendeve do të fitonin medaljet e arta, dhe si rrjedhim do të ekzekutoheshin edhe himnet kombëtare përkatëse, pamjet e tyre gjithashtu duhej  të hiqeshin dhe të zëvendësoheshin po me këtë pllakat. Sot të vjen qeshësh për këto marrëzira të asaj kohe.  Me Borovën komentuam edhe ndeshjen finale SHBA- Bashkimi Sovjetik në basketboll për meshkuj, që nisi në orën 12.00 dhe vazhdoi deri në orën 02.00 të mëngjesit, deri atëherë ndeshja më dramatike në historinë  basketbollit!..

Dhe kjo, sepse sovjetikët kërkuan pushim, kur kishin mbetur vetëm tre sekonda lojë dhe amerikanët udhëhiqnin me vetëm një pikë. Nuk e kuptoja se ç’mund të bënin ata për 3 sekonda…?! Por  ja që nga vija fundore, me një flurudhë shumë të lartë, një Bjellov (Sergej) ia kaloi topin një Bjellovi tjetër, (Aleksandër) drejt e në tabelën kundërshtare, që e mbërtheu dhe një lëvizje mashtruese kërceu dhe e futi atë në kosh. Kështu për herë herë të parë Bashkimi Sovjetik fitoi medaljet e arta në basketboll për meshkuj.

Isha përgatitur shumë për këto lojëra. Kisha lexuar plot artikuj, me të dhëna e kureshti nga shtypi sportiv sovjetik, që, ndonëse me vonesë, vinte ende në Shqipëri, kisha lexuar librin “Enciklopedia olimpike”, po në rusisht, ku përfshiheshin rezultatet e gjashtë sportistëve më të mirë në të gjitha llojet e garave të olimpiadave, që nga olimpiada e parë, më 1896, në Athinë. Por, me gjithë shpjegimet e komentatorve italianë, që dëgjoja nga kufjet, kishte sporte që nuk i njihja aspak.

Ndaj bëja dhe gabime, por edhe ndonjë gafë, si kjo e mëposhtmja…! Rastisi një mbrëmje që një nga teknikët në pultin e transmetimit, më shfaqi në ekran një garë me kuaj, dhe për djall, me koment nga kanali jugosllav, pra në serbo-kroatishte, sepse në atë kohë kanalet e RAI-t nuk ishin lidhur me Olimpiadën.…! Në ekran shoh një kalorës të veshur birinxhi, me kilota të bardha, çizme lustrafin, xhaketë e kapele republike, të tëra të zeza, hipur mbi një  kalë bardhosh, që nën tingujt e një melodie dhe me hap të vogël dhe ritmik ushtarak, bredhiste kryepërpjetë  në një fushë  katërkëndëshe, mbuluar me rërë.

Mbi ekran lexoj fjalën dressage,(dresazh), term sportiv në frëngjishte dhe anglishte, e cila në italishte përkthehet addestramento, pra, stërvitje. E, meqë kali, siç dukej i komanduar nga kalorësi, vazhdon të bëjë prore ushtarakisht ata hapa, siç bëjnë ushtarët në stërvitje rreshtore, së pari drejt e pastaj në një krah anash e pastaj përsëri drejt, por pa komandat: “Para marsh!”, “Majtas” ose “Djathtas kthehu!”…..them  me mendje se ky kalorës po bën…stërvitje, dhe për çudi me… muzikë, që pastaj të fillojë me kalë garën me  kapërcim pengesash, të cilat  kisha parë vetëm nëpër filma…!

Mirëpo mbeta i habitur, kur pashë se ky “marshim” me hapa të shkurtër të kalit, të grahur nga kalorësi mbi të, vazhdoi disi gjatë!..Nuk mjaftoi kjo, por befas u dëgjuan duartrokitje dhe pastaj kalorësi zbriti nga kali, doli nga fusha dhe u prit me brohoritje nga shikues të shumtë në tribunat rreth fushës së rërtë…! Sido që prej rusishtes, siç e kam thënë, kuptoja ca “thërrime” edhe nga serbo-kroatishtja, në këtë rast asnjë fjalë e komentatorit sllav nuk m’u ngul në tru. Kësisoj, e mbylla komentim tim duke shpjeguar se kalorësi tashmë kishte mbaruar stërvitjen, pra nxemjen, ose atë që quhej “dressage”, që pastaj  me kalin e tij bardhosh të fillonte garën e vrapimit me pengesa…! Për fat të mirë, pas pak  në ekran u dukën pamje të garave  të atletikës, tashmë të transmetuara nga RAI, pra  në italishte, dhe unë u çlirova nga kjo  sëkëlldi që po më merrte frymën.

Mirëpo të nesërmen e ndjeva veten edhe më të sëkëlldisur, madje edhe të turpëruar, kur një shok që e thante në italishten dhe që njihte dhe sportet kalorësiake, më ftilloi se kisha dërdëllitur  broçkulla të mëdha, kur ato lëvizje të kalorësit mbi kalë i kisha quajtur stërvitje para garës me… pengesa…! Dhe kjo, siç më shpjegoi ai, se ky kalorës me komandat që i kishte dhënë  kalit me frerët që shtrëngonte në duar dhe nën tingujt e asaj melodie, pjesë e programit, kishte mbaruar garën të quajtur “dresazh”, dhe jo stërvitje, a nxemje…! Kështu kali, i nxitur edhe nga melodia, kishte përshkuar figura gjeometrike, me shkronja nga A, C, E, B deri te F, K…që kisha parë në ekran, por pa i kuptuar.

Dhe se së fundi, shtoi ai, se kalorësi që e kishte përfunduar  bukur mirë atë garë dhe kishte fituar madje edhe medaljen e artë, ishte… grua gjermane, e quajtur Liselot Linsenhof, e para kalorëse femër, që pas Lojërave Olimpike të Meksikës, më 1968, fitonte për herë të dytë edhe në Olimpiadën e Mynihut, një medalje të tillë në një garë ku bënin pjesë dhe meshkuj. S’kishte më të madhe lajthitje!..Sapo shkova në zyrë, hapa menjëherë “Enciklopedinë Olimpike” në rusisht që, veç rastit të nëmur të kësaj gare gjatë atyre ditëve, kurrë nuk e kisha ndarë nga vetja, dhe lexova se të tëra ato që më kishte ftilluar ai shoku, ishin të vërteta.

Por, fatmirësisht ai qe i vetmi që ma bëri këtë vërejtje. Dhe kjo, sepse ky lloj sporti, pra, dressage, nuk njihej nga sportdashësit tanë, ose njihej fare pak nga njerëz si miku im…!

Sidoqoftë, më 29 gusht, pata kënaqësinë t’u përcjell  teleshikuesve tanë një njoftim shumë të gëzuar: sportisti ynë, Ymer Pampuri gjatë garave të peshëngritjes, theu rekordin olimpik dhe u shpall kampion i botës në stilin e forcës, (127,7 kg). Edhe sot ai është mbajtës i këtij rekordi, sepse pas kësaj olimpiade ky stil u hoq nga garat zyrtare. Me t’u kthyer në atdhe, e ftova Pampurin në “Rubrikën sportive”, ku ai rrëfeu bukur mirë çaste të kësaj garë emocionuese që për fat të keq, nuk u transmetua nga RAI.

Ndërkohë, Radio – Tirana nisi të transmetonte edhe këngë të Festivalit Evropian, (Euro Song), programet artistike të TVSH-së u pasuruan me filma televizivë, të cilët  u blenë edhe nga vende të Lindjes. Jo vetëm kaq, por me porosi të Mehmet Shehut, që mbahej si dogmatik i sertë, televizorët të cilët prodhoheshin nga UEM-i, tregtoheshin tashmë bashkë me aparaturën që lejonte të shihej kanali i dytë i RAI-t dhe programet e kanaleve jugosllave, ku transmetoheshin edhe filma perëndimorë, sidomos, amerikanë.

U lejua madje që Festivali i San Remos i vitit 1972 të shihej në televizorë të vendosur në qendra pune dhe prodhimi.

Vijmë kështu në Festivalin e 11-të Këngës në RTSH…! Atë nuk e pëlqeu Enver Hoxha. Jo vetëm kaq, por,  nisur nga ai, nisi  një sulm ballor kundër shfaqjeve borgjezo-revizioniste në kulturë dhe art, që kulmoi në Plenumin e 4-t të Komitetit Qendror, në të cilin  u dënuan si armiq Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami  dhe më pas edhe krijues  të talentuar, shkrimtarë, artistë, muzikantë.

E pësuan disi edhe transmetimet e veprimtarive ndërkombëtare nga TVSH-ja. Një të mërkurë në mbrëmje të fillim marsit të vitit 1973 zhvillohej në Mynih ndeshja e parë çerekfinale e Kupës së Evropës, “Bajern” i Mynihut – “Ajaks” i Amsterdamit. Por, po atë pasdite në Elbasan, “Labinoti” vendas ndeshej për Kupën   Ballkanike me një skuadër bullgare. Hyra në zyrën e Todi Lubonjës. Po bisedonte me dikë në telefon për një intervistë me rastin e 8  Marsit. Kuptova se baskë-biseduese ishte…Vito Kapo. Zëri i Todit tingëllonte i trishtë. I shpjegova se si duhej të vepronim, të transmetonim në mbrëmje të regjistruar ndeshjen e  Elbasanit, apo të “Bajernin” kundër “Ajaksit”. “Këtë të fundit,- më shpjegoi,- sepse vështirë se ndokush  do të ndjekë ndeshjen në Elbasan, të cilën e transmetojmë nesër.

Kishte të drejtë. Por dy javë më pas, në mbledhjen e organizatës së Partisë së Komitetit Qendror, Enver Hoxha sulmoi hapur Fadil Paçramin dhe më pas Todi Lubonjën, duke e cilësuar këtë të fundit “deviator të djathtë që “ka përkrahur pikëpamje të theksuara liberale dhe oportuniste, shije estetike moderniste, që u orvat t’i jepte Radio- Televizionit një drejtim thjesht informativ e kulturoro-njohës…që është në kundërshtim me orientimet e Komitetit Qendror të Partisë…”! (Enver Hoxha, Vepra e zgjedhur, faqe 9, viti 1986). Në një mbledhje të redaktorëve në Radio-Televizion u përmend edhe ndeshja e mësipërme në Elbasan, duke e cilësuar si “gabim politik” të Todi Lubonjës, sepse ishte ajo ndeshje “kombëtare” që duhej transmetuar nga TVSH-ja dhe jo ndeshja “Bajern”- “Ajaks”, midis  skuadrash “borgjeze”.

Më vonë u kritikova edhe unë për prirjen time për “komente edhe me të dhëna historiko-sportive dhe figura letrare”. Në një ndeshje midis “Barcelonës” dhe “Ajaksit” për Kupën e Evropës në shkurt të vitit 1974, u kritikova këtë radhë drejtpërdrejt edhe nga Kadri Hazbiu, ministër i Brendshëm, sepse kisha vënë në dukje se në stadiumin “Kamp Nou” të Barcelonës, kishin zbritur rreth 30 mijë tifozë holandezë, për të mbështetur skuadrën e tyre, kuriozitet që e kisha dëgjuar nga goja telekomentatorit italian që komentonte atë ndeshje. Kritika, sipas ministrit të Brendshëm, lidhej me faktin se unë tërthor vija në dukje nivelin e lartë ekonomik të holandezëve, që kanë shumë para, edhe për të ndjekur skuadrat e tyre në vende të huaja.

E pësuan edhe transmetimet televizive të veprimtarive sportive ndërkombëtare në TVSH, duke u nisur nga Botërori i Futbollit i vitit 1974. Gjatë transmetimit të tyre, u hoq zëri i komentatorit italian së bashku me atmosferën e stadiumeve. Teleshikuesit ishin kështu të detyruar të dëgjonin vetëm zërin tim, si të komentoja në një hapësirë të shurdhër dhe funebre nga një planet tjetër. Ndaj teleshikuesit dëgjonin vetëm hyrjen time me kuriozitet që përgatisja për ndeshjet e botërorit dhe kalonin pastaj në kanalet e RAI-t, nga ku merreshin pamjet e këtyre ndeshjeve, tashmë të thata si të vdekura. Ja kështu u katandisën edhe transmetimet e veprimtarive sportive, të marra nga kanalet e huaja dhe të transmetuara nga TVSH-ja në vitet e zymta të diktaturës komuniste.

TRAGJEDI NË OLIMPIADË…!

Për herë të parë në historinë e olimpiadave, që nga lashtësia dhe deri atëherë, më 5 shtator, në ditën e 11-të të Lojërave të XX-ta Olimpike që vazhdonin të zhvilloheshin në Mynih, ndodhi një ngjarje makabre. Një grup terroristësh palestinezë depërtoi në fshatin olimpik, dhe që aty në ndërtesën ku banonin sportistët izraelitë. Pas disa peripecish terroristët nën kërcënimin e armëve, i kapën, vranë dy prej tyre dhe të tjerët i mbajtën peng. Kështu që atë natë dhe të nesërmen, në vend të pamjeve nga terrenet dhe sallat sportive, shihnim plot ankth ç’ndodhte në atë godinë të rrethuar menjëherë nga forca të policisë gjermane.

Terroristët kërkonin që në këmbim të pengjeve, të liroheshin të burgosur arabë në burgjet izraelite. Pas orë bisedimesh të pafrytshme, u vranë të pesë terroristët, por edhe sportistët izraelitë të mbajtur peng, si dhe një polic gjerman. Ky krim  tmerrshëm u dënua nga i tërë opinioni botëror. Madje edhe nga udhëheqja komuniste shqiptare, që zakonisht mbante gjithnjë qëndrim kundër Izraelit, në mbrojtje të interesave të popullit  palestinez. Më 6 shtator, në prani të 80 mijë shikuesve dhe 3 mijë sportistëve të grumbulluar në Stadiumin Olimpik të Mynihut,  u organizua një ceremoni përkujtimore për viktimat e këtij akti të tmerrshëm terrorist, dhe pastaj  garat vazhduan sipas programit. Por kuptohet se sa shumë rëndonte kjo ngjarje tmerrësisht tragjike dhe krejt e papritur në gjendjen shpirtërore të shikuesve dhe të komentatorëve italianë, zërat e të cilëve më tingëllonin me ngashërim nëpërmjet kufjeve.

Transmetimi i Olimpiadës së Mynihut nga TVSH-ja pati jehonë. Më kujtohet se një i afërmi im, kandidat i Komitetit Qendror, dhe ndihmës i një anëtari të Byrosë Politike, më pati thënë se andej… sipër, flasin mirë për këtë ngjarje të madhe sportive, me të cilën për herë të parë po njiheshin edhe sportdashësit tanë, dhe për mua që po i komentoja ato. Veç kësaj, në një mbledhje të organizuar  në tetor të atij, në një nga sallat e Komitetit Qendror, me ne, gazetarët sportivë, Pirro Kondi, pasi vlerësoi  punën tonë, u ndal edhe edhe te transmetimi i kësaj olimpiade dhe, pak a shumë, tha: “Ne në fillim u drojtëm duke menduar se si do të pritej transmetimi i tërë garave të olimpiadës nga televizioni ynë. Por na erdhën lajme se edhe shikues nga  krahina të largëta, i kishin ndjekur ato me interes”.

Pas Plenumit të IV-ët Todi Lubonja dhe Fadil Paçrami u përjashtuan nga Partia dhe u dënuan si armiq të popullit, përkatësit me 15 dhe 17 vjet heqje lirie. Në një mbledhje të Byrosë Politike, Enver Hoxhës iu paraqit një listë me emra personaliteteshs të shquara, që mund të miratoheshin për postin e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së. Por Enver Hoxha, pasi i hodhi një vështrim të shpejtë listës, pa kërkuar mendimin e anëtarëve kukulla të Byrosë,  shënoi në të diagonalisht këto fjalë: “Në Radio të kthente Thanasi. Ngritje profesionale mund të mos kemi, por proçkat e Todit nuk do të bëjë. (Marash Hajati, “Dera e prapme e shtypit”, Viti 1996, faqe 87). Harronte, ose bënte sikur harronte, se me vendim të Byrosë Politike, nënshkruar prej tij, e kishte cilësuar Thanas Nanon konservator. Harronte gjithashtu se kishte theksuar me të madhe, se Partia, (e udhëhequr prej tij), duhej të luftonte me vigjilencë,si konservatorizmin, ashtu dhe liberalizmin”. / /Memorie.al

 (*Shkrimtar, publicist, ish-gazetar dhe komentator sportiv në RTSH, – 1959-1999)

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Edhe pse një vend i harruar, Shqipëria ka një tokë, ku natyra dhe arti janë bashkuar për të prodhuar një kopsht të begatë, ku e ardhmja...”/ Kujtimet e panjohura të gjeneralit amerikan në fillimet e shekullit të kaluar

Artikuj të ngjashëm

“Edhe pse një vend i harruar, Shqipëria ka një tokë, ku natyra dhe arti janë bashkuar për të prodhuar një kopsht të begatë, ku e ardhmja…”/ Kujtimet e panjohura të gjeneralit amerikan në fillimet e shekullit të kaluar
Dossier

“Edhe pse një vend i harruar, Shqipëria ka një tokë, ku natyra dhe arti janë bashkuar për të prodhuar një kopsht të begatë, ku e ardhmja…”/ Kujtimet e panjohura të gjeneralit amerikan në fillimet e shekullit të kaluar

June 26, 2026
“Hitleri i dërgoi një Mercedes-Benz sportive, Musolini katër vazo bronzi, që i përkisnin Napoleonit, një statujë dragoi erdhi nga Mbreti Vittorio Emanuele…”/ Historia e panjohur e dasmës së Mbretit Zog në ‘38-ën
Dossier

“Hitleri i dërgoi një Mercedes-Benz sportive, Musolini katër vazo bronzi, që i përkisnin Napoleonit, një statujë dragoi erdhi nga Mbreti Vittorio Emanuele…”/ Historia e panjohur e dasmës së Mbretit Zog në ‘38-ën

June 26, 2026
“Qeveria vendosi që Pallati i Kulturës të bëhet më i madh, të shtohet e të mos mbetet siç e kishin menduar sovjetikët…”/ Historia e panjohur e projektuesit me “kleçkë” në biografi, që mbeti anonim…?!
Dossier

“Qeveria vendosi që Pallati i Kulturës të bëhet më i madh, të shtohet e të mos mbetet siç e kishin menduar sovjetikët…”/ Historia e panjohur e projektuesit me “kleçkë” në biografi, që mbeti anonim…?!

June 26, 2026
“Muajt e fejesës duhet të kenë qenë si një magji për Mbretin Zog, po aq sa për Geraldinën, dhe pse ata kishin 21 vjet diferencë në moshë, por…”/ Historia e panjohur e dasmës së monarkut shqiptar
Dossier

“Muajt e fejesës duhet të kenë qenë si një magji për Mbretin Zog, po aq sa për Geraldinën, dhe pse ata kishin 21 vjet diferencë në moshë, por…”/ Historia e panjohur e dasmës së monarkut shqiptar

June 25, 2026
“Gogo Nushi, në relacionet drejtuar Enverit, i shkruan: Këtë shpirt terrorist, e pamë në Tiranë, ku ne, vramë 60 vetë…”/ Kur komunistët, realizuan “Natën e Shën Bartolomeut”, në nëntorin e ’44-ës
Dossier

“Ne e konsiderojmë të domosdoshme që Jugosllavia të lidhet ngushtë me Bullgarinë dhe Shqipërinë pasi…”/Zbulohet plani i Titos i janarit 1944, për bashkimin e federatës së tij me Shqipërinë

June 24, 2026
Bunk’Art bashkohet me platformën Memorie.al: një hap i ri në ruajtjen e historisë kombëtare
Dossier

Bunk’Art bashkohet me platformën Memorie.al: një hap i ri në ruajtjen e historisë kombëtare

June 24, 2026

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme