Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzetetre
– NAZIBOLSHEVIZMI – LETËRSIA DHE ARTET –
PARATHËNIE
Memorie.al / Historianë, filozofë politikë, intelektualë të shkollave apo dhe të pozicionimeve të ndryshme, i kanë kushtuar mijëra e mijëra faqe, vëllime të tëra, studime dhe artikuj krahasimit midis nazizmit dhe komunizmit. Përgjithësisht, në botimet dhe studimet e tyre, qëndrohet në kontrollin policor të shoqërisë nga këta diktatura, në rolin e hierarkisë shtetërore diktatoriale, të kreut të shtetit, si mbytës të mendimit të lirë, në vendin e gjithë-pranishëm të propagandës zyrtare në shoqëri, në masakrat masive dhe në rrjetin e kampeve të përqendrimit, në veprimtarinë e policisë, NKVD në BRSS (më pas KGB) dhe të Gestapos në Rajhun e Tretë. Në librin e tij “Le Passé d’une illusion” (E kaluara e një iluzioni) François Furet vëren se nazizmi dhe komunizmi kanë të njëjtën kundërshtim ndaj demokracisë liberale dhe asaj që ata e quajnë “borgjezia kapitaliste”. Të dyja ideologjitë pretendojnë se janë socialiste dhe përdorin imazhin e socializmit. Vendet komuniste janë vetëquajtur “socialiste”. “Nazizëm” është një shkurtim i nacional-socializmit.
FILMI
Muraviovi arrin një fitore madhështore
‘Третий удар’ (‘Goditja e tretë’), realizuar në vitin 1948 nga Igor Savchenko, është një prej filmave të parë sovjetikë të pas Luftës së Dytë Botërore, i cili, duke trajtuar kundërofensivën e Ushtrisë së Kuqe për çlirimin e Krimesë dhe Sevastopolit, thekson rolin e supozuar të Stalinit në planifikimin e çdo detaji të strategjisë. ‘Падение Берлина’ (‘Rënia e Berlinit’) është gjithashtu një film propagandë realizuar në vitin 1949 nga Mihail Tshiaureli. Filmi u shfaq në ekran në vitin 1950. Heroi i tij, Aliosha, rreshtohet në radhët e Ushtrisë së Kuqe, për t’i shërbyer atdheut dhe për të shpëtuar Natashën, gruan të cilën ai e dashuronte dhe që ishte depërtuar nga nazistët në Gjermani.
Falë trimërisë dhe atdhedashurisë së tij, Aliosha arrin të takojë Stalinin, qe drejton operacionet luftarake nga zyra e tij në Kremlin. Filmi pasqyron zhvillimet e betejave ushtarake si rrjedhojë e vendimeve të Stalinit dhe të dy heronjve të rinj Aliosha dhe Natasha, deri në fitoren përfundimtare mbi Gjermaninë naziste dhe arritjen triumfale të Ushtrisë së Kuqe në Berlin. Pas destalinizimit u ndalua shfaqja e filmit në ekranet e kinemave sovjetike. Kjo si pasojë e skenave që paraqesin Stalinin si një teoricien të madh dhe si organizator të fitores.
‘Сталинградская битва’ (‘Beteja e Stalingradit’) i Vladimir Petrovit, është një nga filmat madhorë të kinematografisë sovjetike kushtuar Luftës II-të Botërore, realizuar në vitin 1949. Në ekran shihet Stalini duke analizuar lëvizjet e trupave të Wermahtit dhe që arrin në përfundimin se qëllimi i tyre është të marrin Stalingradin. Nga ana e tij, Hitleri beson se qyteti është kyçi i fitores përfundimtare dhe urdhëron gjeneralët nazistë që ta pushtojnë atë me çdo çmim. Stalini planifikon kundërofensivën. Ushtria gjermane rrethohet.
Hitleri urdhëron gjeneralin e tij Paulus të qëndrojë me çdo çmim. Ky nuk pranon të dorëzohet edhe kur ushtarët e tij vdesin nga uria. Arritja e ushtarëve sovjetikë deri në post-komandën e tij e detyron Paulusin të dorëzohet, së bashku me trupat që i kishin mbetur. Sovjetikët organizojnë një festë madhështore në Sheshin e Kuq me rastin e fitores në Stalingrad, ndërsa Stalini shfaqet duke shikuar një hartë të Berlinit.
‘Летят журавли’ (‘Shtegtimi i krillave’) është një film i Mihail Kalatozovit, i vitit 1957. Një vit më pas filmi fiton Palmën e Artë të Festivalit të Kanës. Ky film është realizuar pas destalinizimit, pas dënimit të kultit të individit në vitet kur në krye të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik gjendej Nikita Hrushovi dhe kur u vu re njëlloj liberalizimi i jetës letraro-artistike në vend. “Shtegtimi i krillave” dhe më pas ‘Баллада o солдате’ (‘Balada e ushtarit’) e Grigori Tchukhrait, realizuar në vitin 1959 dhe ‘Иваново детство’ (‘Fëmijëria e Ivanit’) e vitit 1962, realizuar nga Andrei Tarkovski, këta filma bëjnë një paraqitje të ndryshme të Luftës II-të Botërore.
Nëse më parë lufta ishte e pranishme si një mjedis ku shpërthente shpirti patriotik i heroit në fushën e betejës, këta tre filma e paraqesin atë si një dramë, si një tragjedi e njerëzve të zakonshëm. Më pas, me ardhjen e Brezhnjevit në krye të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, vihet re një periudhë bllokimi dhe madje kthimi pas në jetën politike dhe kulturore. Vendi drejtohej nga një burokraci gjithnjë e më shumë e shkëputur nga brezi i lindur pas revolucionit të 1917-ës dhe nga rinia e lindur pas “Luftës së Madhe Patriotike”. Shoqëria, intelektualët, të pafuqishëm, të mënjanuar, iu nënshtruan situatës.
Publiku ishte i zhgënjyer, i tejngopur me propagandën hipokrite komuniste të barazisë ekonomike dhe të drejtësisë sociale, me temat patriotike dhe konservatore. Në mënyrë të pashmangshme, kinemaja pasqyroi këtë gjendje shpirtërore. Ndër prodhimet kinematografike të dhjetëvjeçarit të parë të kohës së Brezhnievit, mund të citojmë filmat që trajtojnë temën e luftës si: ‘Сильный духом’ (‘Të fortë në shpirt’) realizuar në vitin 1967 nga Viktor Georgievi; ‘Дневные звезды’ (‘Yjet e ditës’) realizuar nga Igor Talankini në vitin 1968; ‘Белорусский вокзал’ (‘Stacioni Bjellorus’) realizuar nga Andrei Smirnovi në vitin 1970; ‘Осень’ (‘Vjeshtë’) realizuar në vitin 1974, po nga Andrei Smirnovi, dhe filmin ‘Подранки’ (‘Jetimët’) e Nikolai Gubenkos, realizuar në vitin (1976).
Gjatë kësaj periudhe janë xhiruar shumë filma që trajtojnë temën e spiunazhit dhe të kundërspiunazhit gjatë luftës si: ‘Вавгусте 44-го’ (‘Në gushtin e vitit 1944’), realizuar nga Mihal Ptashuku në vitin 2000; ‘Путь в Сатурн’ (‘Rruga për në Saturn’) i vitit 1967, realizuar nga Villen Azarovi; ‘Мертвый сезон’ (‘Stina e vdekur’) i vitit 1968, realizuar nga Sava Kulishi; ‘Щит и меч’ (‘Shpata dhe mburoja’) i vitit 1968, realizuar nga Vladimir Basovi; seria televizive me 12 pjesë ‘Семнадцать мгновений весны’ (‘Shtatëmbëdhjetë momente të pranverës’) i vitit 1973, realizuar nga Tatiana Lioznova, etj.
Ndër filmat më të suksesshëm, më të popullarizuar të kësaj periudhe, është ‘Офицеры’ (‘Oficerët’) i regjisorit Vladimir Rogovoi, realizuar në vitin 1971. Ai trajton fatet e dy miqve, Aleksei Trofimovit dhe Ivan Varavasit, përgjatë shumë viteve. Në vitet 1920, dy të rinjtë shërbyen në një postë kufitare dhe luftuan kundër nacionalistëve të Azisë Qendrore. Ata do të kujtojnë deri në fund të jetës fjalët e komandantit të tyre: “Mbrojtja e atdheut është profesion”. Të dy miqtë do të marrin pjesë në Luftën Civile në Spanjë dhe në Luftën e Dytë Botërore. Ata do të takohen sërish, pas luftës, në kohë paqeje, tashmë të dy gjeneralë.
Përveç figurave të historisë së Rusisë, heronjve të Revolucionit dhe të Luftës Civile, atyre të Luftës II-të Botërore, Partia Komuniste, nëpërmjet planifikimit të të gjithë veprimtarisë së jetës në vend, i ka imponuar kinematografisë sovjetike edhe “trinitetin e shenjtë”: njeri i popullit, punëtor dhe fshatar me vullnet të pathyer dhe disi naiv; “armik i popullit”, sabotator i jashtëm ose kulak kundërshtar i regjimit; dhe njeriu i Partisë, shpesh anëtar i shërbimit sekret (NKVD, KGB) që u tregon masave rrugën e drejtë dhe zgjidh problemet, sado të rrezikshme e të ndërlikuara qofshin ato. Sipas kësaj skeme, filmat sovjetikë duhet të kenë gjithnjë një fund të gëzuar, me ndonjë ngjarje që bashkon popullin dhe i thur himne veprës së Partisë dhe kreut të saj.
E “frymëzuar” nga udhëzimet e Partisë, kinematografia trajton kështu lëvizjen stakanoviste, ekzalton kantieret e mëdha të ndërtimit, uzinat, fabrikat, kolkozet dhe kolkozianët, por për t’iu shmangur akuzës zyrtare për “shpifje”, për të është i huaj realiteti dhe problemet që ndeshen në jetën e përditshme, pesimizmi, dyshimi, koha e keqe, gjymtimet, vdekja jo heroike. Arti kinematografik sajon një realizëm të paqenë, abstrakt dhe “akademik”. Vetëm entuziazëm, vrull, vetëm “Partia na thërret!”, “Përpara për vepra të reja!”, “Për Stalinin, urra!”.
Në vitin 1924, sipas kërkesave të bolshevikëve në pushtet, Jakov Protazanovi realizon filmin ‘Аэлита’ (‘Aelita’), kushtuar shoqërisë së re ruso-sovjetike. Filmi tregon se si shoqëria e vjetër borgjeze, nuk ka hequr dorë nga mënyra e saj e jetesës, por tashmë asaj i duhet të maskohet duke përdorur veshje popullore dhe duke u mbledhur në mënyrë të fshehtë. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen në këtë film, janë kantieret e mëdha, që ua ndryshojnë pamjen qyteteve, makineritë e fuqishme që hapin rrugë, barazia midis inxhinierëve dhe punëtorëve, shkurt është ideologjia komuniste në veprim.
Filmi kërkon ta kalojë këtë model sovjetik përtej Tokës, në Mars me krijimin e “Bashkimit të Republikave Socialiste të Marsit”, që duhet të lidhen me BRSS-në. Simbol i Republikës marsiane janë drapri dhe çekani, njëlloj si edhe në Bashkimin Sovjetik. Protazanovi, që njihet për pozicionimet e tij të mëparshme të favorshme ndaj carizmit, mbështet kështu idenë e një revolucioni të kuq tej kufijve të BRSS-së, synimet e hershme të carëve rusë për hapësira të reja, që i trashëguan edhe carët e rinj të Kremlinit.
Ndryshimet e mëdha në Rusinë bolshevike i propagandon edhe filmi i Lev Kuleshkovit, po i vitit 1924, ‘Необычайные приключения мистера Веста в стране большевиков’ (‘Aventurat e jashtëzakonshme të Z.West në vendin e bolshevikëve’). Ky film propagandistik dhe humoristik, paraqet një amerikan, d.m.th. Zotin West, përfaqësues i kapitalizmit liberal, që pasi viziton vendin e sovjetëve, ngre lart meritat e komunizmit dhe vendos një portret të Leninit në zyrën e tij amerikane. Ky universalizëm dhe kjo ambicie për të eksportuar komunizmin, simbolizohen në film edhe nëpërmjet “radios së popullit” dhe transmetuesit të saj gjigant që mbulon botën mbarë.
‘Кружева’ (‘Dantellat’) është filmi i parë i realizuar nga regjisori i njohur Sergei Jutkeviç, në vitin 1928. Nëpërmjet tij propaganda sovjetike synon të tregojë se liria e shprehjes gjallon kudo në vend, në rastin konkret në një manifakturë tekstile. “Dantellat” tregon se ka edhe komunistë të rremë, që për arsye personale dëmtojnë Revolucionin proletar. Personazhi kryesor jepet në film si një i afërt i Trockit, rival i Stalinit në luftën për pushtet dhe i vrarë prej agjentëve të tij disa vite më pas në Meksiko.
Autorët e filmit dhe, së pari, porositësit e tij, përcjellin mesazhin sipas të cilit në Rusinë bolshevike ka liri shprehjeje, por ata që e keqpërdorin atë, që dëmtojnë modelin komunist duhen larguar nga uzina, nga ekrani, duhen dënuar në mënyrë radikale. Duke zhdukur “tradhtarët” nëpërmjet ekranit, autorët e filmit përligjin spastrimet brenda radhëve të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, por edhe jashtë saj.
Në vitin 1929, Stalini planifikon industrializimin e shpejtë të vendit dhe kolektivizimin e sforcuar të bujqësisë. Gjatë viteve që pasuan Bashkimi Sovjetik iu nënshtrua një transformimi masiv social dhe ekonomik. Dukuri dhe pasoja të tij janë besnikëria partiake e shndërruar në obsesion, njësimi i saj me patriotizmin dhe vigjilencën kolektive, eliminimi i kulakëve, demaskimi i “kundërrevolucionarëve”, “tradhtarëve” dhe “diversantëve”, që fshiheshin kudo, në radhët e Partisë, por edhe midis inxhinierëve, shkencëtarëve, artistëve.
Në vitin 1929 Dziga Vertovi realizon filmin ‘Человек с киноаппаратом’ (‘Njeriu me kamera’) që tregon se si ka ndryshuar vendi, qytetet dhe fshatrat, në sajë të komunizmit, si është rritur prodhimi industrial dhe bujqësor si pasojë e punës kolektive, si u emancipua gruaja sovjetike, si shoqëria lufton zakonet e vjetra. Stalini kërkonte një kinema më pranë spektatorit, d.m.th. një propagandë sa më përçuese, të drejtpërdrejtë. Këtë detyrë e kryen me zell ky film i Vertovit.
‘Генеральная линия’ (‘Linja e përgjithshme’), e njohur edhe me nëntitullin ‘Старое и Новое’ (‘E Vjetra dhe e Reja’), është film sovjetik i vitit 1929, realizuar nga Sergei Aizenstaini dhe Grigori Alexandrovi, po në këtë linjë. Ekrani jep pamjet e një fshati të zakonshëm dhe të një fshatareje të varfër, Marfa Lapkina, banore e tij. Kulakët, fshatarë të pasur, nuk pranojnë të ndihmojnë të varfrit. Marfa e sheh komunizmin si shpresën e saj të vetme. Me mbështetjen e të rinjve komunistë dhe të zyrtarëve partiakë, ajo hedh idenë e një kooperative bujqësore, d.m.th. të një kolkozi.
Ngritja e kolkozit dhe arritjet e tij në jetën e fshatarëve janë të dukshme. Kulakët kërkojnë të sabotojnë, por do të dështojnë në përpjekjet e tyre. Kooperativa e Marfës arrin të blejë edhe një traktor dhe disa makineri të tjera bujqësore. Viti 1929 është tepër prodhues për kinematografinë sovjetike. ‘Обломок империи’ (‘Mbetje e një perandorie’) i Fridrikh Ermlerit, u kushtohet shndërrimeve të arritura në Rusi gjatë komunizmit. Ky film përqendrohet në Shën Petersburgun e pas Revolucionit. Ekrani na zbulon një ushtar rus të Luftës I-rë Botërore, që ka humbur kujtesën dhe që zbulon qytetin.
Emri i qytetit ka ndryshuar. Statuja e carit është zëvendësuar me atë të Leninit. Njerëzit duken të lumtur. Qyteti është me një infrastrukturë të denjë dhe me ndërtesa të larta, gjë që i jep atij pamje krejt të ndryshme nga ajo e pararevolucionit. Në uzina vihet re një barazi midis gjinive. Aty bëhet kujdes për shëndetin e punëtorëve dhe mirëqenien e tyre. Ushtari amnezik nuk kupton asgjë nga ky realitet. Ai thërret: “Kush është patroni” këtu? Atij i shpjegohet se tani patron është populli, proletarët, fshatarët. Më pas filmi bën thirrje për të luftuar gjithçka që ka mbetur nga Rusia cariste dhe që mund të pengojë fitoren e komunizmit dhe, për pasojë, lumturinë e popullit.
Edhe në vitet ’30-të e më pas kinemaja është pasqyrim i shoqërisë, ashtu sikurse kërkon ta paraqesë atë pushteti, sikurse dëshiron ta shohë ai, të fuqishme, madhështore, të fortë, të lumtur, të bashkuar, me bollëk. Heroi gjithnjë arrin t’i bindë masat për të përqafuar idetë e tij, t’i mobilizojë ato.
Këtë skemë respektojnë me bindje të verbër filmat ‘Богатая невеста’ (‘Një e fejuar e pasur’) i vitit 1937, ‘Трактористы’ (‘Traktoristët’) i vitit 1939 dhe ‘Кубанские казаки’ (‘Kozakët e Kubanit’) i vitit 1949, realizuar nga Ivan Pirievi; ‘Весёлые ребята’ (‘Djem të gëzuar’) i vitit 1934, ‘Цирк’ (‘Cirk’) i vitit 1936, realizuar nga Grigori Aleksandrovi; ‘Член правительства’ (‘Anëtar i qeverisë’) i vitit 1939 realizuar nga Aleksandër Zarkhi dhe Josif Kheifitsi.
Shumica e historive të trajtuara nga kinematografia sovjetike e kësaj epoke përfundon me një fund të lumtur në të gjitha planet, si profesionale dhe familjare, po ashtu edhe sentimentale. Kjo kinematografi propagandon si realiste një “ëndërr sovjetike” në ndryshim nga “ëndrra amerikane” iluzive!/ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













