• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, May 17, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Art & Kulture

“Nëpërmjet ‘Onufrit’, Bujar Hurdhri ka ndërtuar jo vetëm një institucion botues, por një hapësirë dinjiteti për letërsinë shqipe, pasi…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë

“Bujar Hurdhri mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ në një tempull të…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë
“Bujar Hurdhri mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ në një tempull të…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë
“Bujar Hurdhri mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ në një tempull të…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë
“Përbindëshi’, u publikua dhe më pas u ndalua, në periudhën e stalinizmit kishte shkrimtarë si Bulgakovi Maldestam, Ana Akmatova, që…”/ Intervista e panjohur e Kadaresë në “La Stampa”, maj 2010

Nga Albert Vata

Pjesa e dytë

Memorie.al / Në peizazhin kulturor të pas-viteve ’90-të në Shqipëri, roli i botuesit u shndërrua nga një funksion thjesht teknik, në një mision të mirëfilltë ndërmjetësimi kulturor. Në krye të këtij procesi, Bujar Hudhri dhe shtëpia botuese “Onufri” kanë gdhendur një emër që sot është sinonim i cilësisë, qëndrueshmërisë dhe, mbi të gjitha, dinjitetit të librit shqip. Megjithëse shpesh identifikohet si botuesi besnik i kolosit Ismail Kadare, kontributi i Hudhrit shtrihet shumë përtej një emri të vetëm, duke u kthyer në një institucion që mbron dhe lartëson vlerat letrare kombëtare.          

                                                    Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Bujar Hurdhri mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ në një tempull të…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë

“Thanas Dino nuk ishte nga ata që mund të ‘ngujohej’ brenda fatit të tij, të kthehej thjesht në një kronist manikin, por ai…”/ Historia e gazetarit gjirokastrit që u kritikua nga Enver Hoxha në vitin 1972

Përtej Kadaresë, një shtëpi për letërsinë shqipe

Megjithëse emri i Ismail Kadare mbetet boshti më i madh simbolik i historisë së “Onufrit”, merita e vërtetë e Bujar Hudhrit qëndron në faktin se ai nuk e reduktoi kurrë këtë shtëpi botuese në hijen e një autori, sado i madh të ishte ai. Përkundrazi, “Onufri” u shndërrua në një strehë të gjerë dhe dinjitoze për vetë letërsinë shqipe, një hapësirë ku klasikët dhe bashkëkohësit, tradita dhe risia, përvoja dhe zërat e rinj bashkëjetuan në një dialog të vazhdueshëm kulturor.

Kolana e botimeve të “Onufrit” u pasurua me emra që përfaqësojnë ndër ndërgjegjet më të rëndësishme të letrave shqipe. Në këtë univers botues gjetën vend autorë si Martin Camaj, Robert Shvarc, Amik Kasoruho, Pashko Gjeçi, Anton Pashku, Dritëro Agolli, Fatos Kongoli, Zija Çela, Ben Blushi, Mira Meksi, Visar Zhiti, Bardhyl Londo, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Liridon Mulaj, Ervin Hatibi dhe shumë të tjerë, secili me botën, stilin dhe individualitetin e vet krijues.

Ajo që e bën të veçantë këtë panoramë është fakti se Hudhri arriti të ruajë një ekuilibër të rrallë mes brezave dhe prirjeve estetike. Ai nuk ndërtoi një katalog të orientuar nga moda kalimtare apo nga grupimet letrare, por një mozaik përfaqësues të vetë zhvillimit të letërsisë shqipe. Brenda kësaj hapësire, bashkëjetojnë poetika të ndryshme, përvoja të kundërta, tradita gegë e toske, zëra të Kosovës dhe të Shqipërisë, autorë të afirmuar dhe shkrimtarë që kërkonin ende vendin e tyre në hartën letrare.

Në këtë mënyrë, “Onufri” kontribuoi jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë së letrave shqipe, por edhe në ripërtëritjen e saj. Këta autorë, me veprat dhe individualitetet e tyre, e pasuruan traditën tonë letrare dhe e bënë atë më të denjë për t’u përfaqësuar në kulturat dhe sfidat krijuese të botës bashkëkohore.

Por roli i Bujar Hudhrit nuk u kufizua vetëm te autorët e njohur. Ai u shqua gjithashtu për aftësinë për të zbuluar, promovuar dhe mbështetur talentet e reja. “Onufri” u bë një trampolinë për zëra të rinj të letërsisë shqipe, duke u ofruar atyre jo një botim periferik apo formal, por të njëjtin dinjitet editorial që u jepej autorëve të afirmuar. Për Hudhrin, talenti nuk matej me famën, por me vlerën e brendshme të zërit krijues.

Kjo qasje e bëri “Onufrin” më shumë sesa një shtëpi botuese: e ktheu në një institucion formues të kulturës shqiptare moderne, ku libri nuk shërbente vetëm për të ruajtur kujtesën e së kaluarës, por edhe për të hapur udhë drejt së ardhmes së letërsisë shqipe.

Kujtesa historike si qëllim

Kujtesa historike si qëllim është, dhe duhet të mbetet, një nga misionet më të larta të çdo botuesi që e sheh librin jo thjesht si produkt tregu, por si akt përgjegjësie ndaj kombit dhe kulturës. Sepse një popull nuk jeton vetëm me të tashmen, ai mbijeton dhe ndërton të ardhmen përmes kujtesës që arrin të ruajë për vetveten. Dhe botuesi, kur ka mundësitë, mjetet dhe vullnetin e nevojshëm, bëhet jo vetëm ndërmjetës i dijes, por edhe roje i ndërgjegjes historike të një shoqërie.

Në këtë kuptim, veprimtaria e Bujar Hudhrit dhe e “Onufri” ka pasur një dimension që shkon përtej letërsisë artistike. Ajo ka qenë edhe një përpjekje e vazhdueshme për të rikthyer në vëmendje kujtesën historike dhe identitare të shqiptarëve, përmes botimit të memuaristikës, dokumenteve, dëshmive dhe studimeve albanologjike që ndriçojnë zona të lëna në hije, të heshtura apo të shtrembëruara nga koha dhe ideologjitë.

Hudhri e kuptoi se historia nuk ruhet vetëm në arkiva, por edhe në librat që arrijnë te lexuesi. Për këtë arsye, ai u dha hapësirë botimeve që sjellin kujtime, dëshmi personale, reflektime historike dhe kërkime shkencore mbi fatin e shqiptarëve, kulturën, traditat dhe dramat e tyre kolektive. Nëpërmjet këtyre botimeve, shumë ngjarje, figura dhe përvoja që rrezikonin të mbeteshin në harresë, fituan mundësinë të bëhen pjesë e vetëdijes sonë kombëtare.

Ky angazhim ka një rëndësi të veçantë në një shoqëri si e jona, e cila për dekada ka kaluar përmes censurës, deformimeve ideologjike dhe boshllëqeve të qëllimshme në rrëfimin historik. Duke botuar libra që rikthejnë kujtesën dhe dëshmitë autentike, “Onufri” ka ndihmuar jo vetëm në pasurimin e kulturës sonë, por edhe në rindërtimin e një marrëdhënieje më të ndershme me të kaluarën.

Në këtë mënyrë, libri bëhet më shumë se objekt leximi. Ai shndërrohet në dokument të ndërgjegjes sonë kolektive, në një mjet për të kuptuar se kush kemi qenë, çfarë kemi humbur dhe çfarë duhet të ruajmë. Dhe pikërisht këtu qëndron një nga meritat më të rëndësishme të Bujar Hudhrit: ai e pa botimin si një mënyrë për të mbrojtur identitetin kulturor shqiptar nga harresa, shpërfillja dhe varfërimi shpirtëror.

Sepse kombet nuk humbasin vetëm kur pushtohen apo copëtohen. Ato humbasin edhe kur harrojnë. Dhe libri, në duart e njerëzve me vizion, mbetet një nga format më të fuqishme të rezistencës kundër harresës.

Botuesi si ambasador kulturor

Veprimtaria e Bujar Hudhrit nuk kufizohet brenda mureve të Onufri dhe as vetëm në procesin teknik të botimit të librit. Ai është shndërruar ndër vite në një figurë aktive të jetës kulturore shqiptare, një mbrojtës i përkushtuar i gjuhës shqipe dhe një ambasador i palodhur i librit shqiptar në hapësirat ndërkombëtare të kulturës. Në një kohë kur shumë kultura të vogla rrezikojnë të mbeten periferike përballë globalizimit, Hudhri e kuptoi se libri shqip kishte nevojë jo vetëm të botohej, por edhe të përfaqësohej me dinjitet në botë.

Pjesëmarrja e tij në panairet ndërkombëtare të librit, nga Frankfurt Book Fair deri te Paris Book Festival dhe aktivitete të tjera letrare europiane, nuk ka qenë një prani formale apo protokollare. Përmes kësaj veprimtarie, ai ka kërkuar ta bëjë letërsinë shqipe pjesë të dialogut kulturor ndërkombëtar, duke dëshmuar se gjuha dhe krijimtaria jonë kanë vlera që meritojnë të komunikojnë përtej kufijve kombëtarë.

Në vizionin e Hudhrit, libri shqip nuk është parë kurrë si një produkt lokal i destinuar të qarkullojë vetëm brenda hapësirës shqiptare. Përkundrazi, ai është trajtuar si një pasuri shpirtërore dhe identitare që duhet të gjejë rrugën drejt lexuesit të huaj, drejt kulturave të tjera, drejt një komunikimi universal ku letërsia bëhet përfaqësuese e historisë, ndjeshmërisë dhe vetë shpirtit të një kombi.

Por roli i tij si ambasador kulturor shfaqet edhe në marrëdhënien që ka ditur të krijojë mes autorit dhe lexuesit. Hudhri nuk e ka parë promovimin e librit si një ritual marketingu, por si një ngjarje të mirëfilltë kulturore. Shumë prej promovimeve dhe takimeve letrare të organizuara prej tij janë shndërruar në hapësira debati dhe reflektimi, ku nuk flitet vetëm për librin si objekt, por për vlerën, etikën, kujtesën dhe të ardhmen e letërsisë shqipe.

Ai ka ditur të ndërtojë ura komunikimi mes brezave, mes autorëve dhe publikut, mes kulturës shqiptare dhe botës. Në këtë mënyrë, figura e botuesit tek Bujar Hudhri fiton një dimension më të gjerë, ai nuk mbetet vetëm ndërmjetës i tekstit, por bëhet përfaqësues i kulturës, promovues i identitetit dhe mbrojtës i dinjitetit të gjuhës shqipe në arenën ndërkombëtare.

Sepse, në fund, një komb nuk përfaqësohet vetëm nga politika apo ekonomia e tij. Ai përfaqësohet edhe nga librat që shkruan, nga gjuha që ruan dhe nga njerëzit që kanë kurajën t’ia prezantojnë këto vlera botës me dinjitet dhe besim.

Bujar Hudhri, gazetari që nuk e braktisi pasionin…!

Bujar Hudhri, fillimisht i formuar si gazetar dhe më pas i shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të botimeve shqiptare, mbetet një shembull i rrallë i besnikërisë ndaj një pasioni që nuk u shua as në përplasjen me kohët e vështira të tranzicionit. Rruga e tij, që nga Elbasani drejt Tiranës, nuk ishte thjesht një zhvendosje gjeografike, por një lëvizje e brendshme drejt një ideali: besimi se fjala e shkruar, qoftë si gazetari, qoftë si letërsi, mbetet një formë rezistence ndaj harresës dhe banalitetit.

Në një periudhë kur media e shkruar shqiptare po përjetonte një tkurrje dramatike, gazetat print po mbylleshin njëra pas tjetrës, ndërsa ato që mbijetonin shpesh e bënin këtë duke sakrifikuar cilësinë, thellësinë dhe besueshmërinë e informacionit, Hudhri nuk u tërhoq nga kjo krizë. Përkundrazi, ai iu rikthye gazetarisë si një formë kujtese dhe si një hapësirë ku fjala ende mund të ruante dinjitetin e saj. Në vend që ta shihte zhdukjen e gazetës së shtypur si fund të një epoke, ai e pa si një sfidë për të shpëtuar atë që kishte më shumë vlerë: marrëdhënien e drejtpërdrejtë mes tekstit dhe lexuesit.

Në këtë kontekst lindi e përjavshmja “ExLibris”, një projekt që e ktheu Hudhrin sërish në territorin e gazetarisë së shkruar, por tashmë në një formë të transformuar, jo vetëm si informim, por si kulturë, si kujtesë dhe si promovim i letërsisë. “ExLibris” u bë një hapësirë ku fjala nuk konsumon lajmin e ditës, por ndërton vazhdimësi kulturore, ku autorët, krijuesit dhe studiuesit gjejnë një platformë për të komunikuar me publikun përtej ritmit të shpejtë të mediave digjitale.

Në një kohë kur leximi i gazetës së shtypur është bërë gjithnjë e më i rrallë dhe kur vëmendja publike fragmentohet nga shpejtësia e informacionit, ekzistenca e “ExLibris” merr një domethënie simbolike. Ajo nuk është thjesht një botim periodik; është një akt që sfidon rrjedhën e kohës, një këmbëngulje për të ruajtur një formë komunikimi që i jep hapësirë mendimit, reflektimit dhe thellësisë. Në këtë kuptim, ajo shndërrohet në një nga zërat e paktë që vazhdojnë të mbajnë gjallë traditën e gazetarisë kulturore në Shqipëri.

Përmes këtij projekti, Bujar Hudhri dëshmon se gazetaria nuk është thjesht profesion i së shkuarës së tij, por një komponent i pandarë i identitetit të tij kulturor. Ai nuk e ka braktisur kurrë pasionin për fjalën e shkruar; përkundrazi, e ka rimenduar atë, duke e zhvendosur nga lajmi i menjëhershëm drejt reflektimit kulturor dhe promovimit të letërsisë.

Në këtë mënyrë, “ExLibris” nuk është vetëm rikthimi i një gazetari te origjina e tij, por edhe një dëshmi se edhe në epokën e dominimit digjital, fjala e shtypur mund të mbijetojë, nëse mbështetet mbi vizion, përkushtim dhe besim te vlera e saj shpirtërore.

Bujar Hudhri, që e shndërroi “Onufri”-n në ikonë

Bujar Hudhri nuk është thjesht një botues. Ai është një nga ata njerëz të rrallë që e kanë jetuar librin si mision dhe jo si profesion të zakonshëm. Nëpërmjet “Onufrit”, ai ka ndërtuar jo vetëm një institucion botues, por një hapësirë dinjiteti për letërsinë shqipe, një adresë prestigji ku emri i autorit respektohet dhe ku libri trajtohet si një monument i kulturës kombëtare.

Në një kohë kur tranzicioni i gjatë shqiptar rrezikoi të relativizonte vlerat, të çorientonte lexuesin dhe ta kthente kulturën në konsum të shpejtë, Hudhri zgjodhi rrugën më të vështirë: të mbrojë seriozitetin e librit dhe autoritetin e fjalës së shkruar. Ai krijoi një standard të ri botimi, ku cilësia estetike, korrektesa gjuhësore, përgjegjësia editoriale dhe përzgjedhja e kujdesshme e autorëve u kthyen në parime themelore. Përmes këtij vizioni, “Onufri” u bë më shumë sesa një shtëpi botuese; u bë një institucion kulture dhe kujtese.

Kontributi i tij nuk matet vetëm me titujt e botuar apo me emrat e mëdhenj që mbart katalogu i “Onufrit”. Ai matet me ndikimin që pati në vetë marrëdhënien e shqiptarëve me librin. Hudhri ndihmoi në rikthimin e besimit te letërsia shqipe, në kohë kur lexuesi rrezikonte të largohej prej saj. Ai mbrojti autorët shqiptarë, krijoi hapësirë për talentet e reja, promovoi klasikët, mbështeti studimet albanologjike dhe kontribuoi në ruajtjen e kujtesës sonë kulturore e historike.

Në historinë e letërsisë shqipe të tridhjetë viteve të fundit, figura e tij qëndron si një kolonë mbështetëse, duke na kujtuar se pas çdo libri të rëndësishëm qëndron gjithmonë edhe një botues me vizion, me pasion dhe me integritet të lartë njerëzor. Sepse librat nuk lindin vetëm nga talenti i autorit; ata mbijetojnë dhe marrin jetë publike falë njerëzve që besojnë tek vlera e tyre dhe që janë të gatshëm të sakrifikojnë për t’i sjellë te lexuesi.

Bujar Hudhri ka dëshmuar se të botosh shqip nuk është thjesht një sipërmarrje ekonomike. Është një akt dashurie ndaj gjuhës, ndaj kulturës dhe ndaj vetë kombit. Është një përgjegjësi për të mbrojtur fjalën shqipe nga harresa, banaliteti dhe mediokriteti. Dhe pikërisht për këtë, veprimtaria e tij mbetet një dëshmi e rrallë përkushtimi në jetën kulturore shqiptare.

Në këtë 70-vjetor të lindjes së tij, ne nuk vijmë vetëm me urime dhe fjalë mirësjelljeje. Vijmë me mirënjohje. Me respekt për atë që ai përfaqëson dhe për atë që ka bërë për letërsinë shqipe, për autorët shqiptarë, për librin dhe leximin, për kulturën tonë dhe për vetë dinjitetin e fjalës së bekuar shqipe./ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Më 25 prill 1951, Forcat e Ndjekjes dhe Sigurimi i Shtetit na rrethuan shtëpinë, vranë katër veta, dy miq nga Mnela, babën tim, dhe halla 23 vjeçe, e cila...”/ Dëshmia e rrallë e ish-të përndjekurit politik

Next Post

“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan...”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

Artikuj të ngjashëm

“Bujar Hurdhri mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ në një tempull të…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë
Art & Kulture

“Bujar Hurdhri mori mbi vete rrezikun dhe barrën e një misioni kulturor, ta shndërronte Shtëpinë Botuese ‘Onufri’ në një tempull të…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur, për botuesin e Kadaresë

May 16, 2026
“Librar si Alizoti, nuk kisha parë në të gjithë vendin, kudo ku kisha shëtitur, nga Jugu në Veri, ai kishte lexuar të gjitha librat dhe….”/ Dëshmia e rrallë e ish-redaktorit të “Hosteni”-t
Art & Kulture

“Thanas Dino nuk ishte nga ata që mund të ‘ngujohej’ brenda fatit të tij, të kthehej thjesht në një kronist manikin, por ai…”/ Historia e gazetarit gjirokastrit që u kritikua nga Enver Hoxha në vitin 1972

April 25, 2026
“Po si ju shkon ndërmend o ‘të bekuem’, se me vendime politike të nji komunisti pervers si Enver Hoxha, do të ndërroni identitetin kombëtar shqiptar…”?! / Refleksionet e publicistit të njohur
Art & Kulture

“Të shkruash saktë në gegënishte sot, nuk është thjesht çështje dëshire; është një akt rezistence intelektuale, pasi ata ‘100 veta’ që e mbajnë gjallë atë, janë…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur

April 24, 2026
“I mërzitshmi dhe i padurueshmi R.P., i jep Kadaresë një lajm gati të pabesueshëm; ‘Lasgushi, ka pasur këtë verë, një histori dashurie…”/ Ngjarja e panjohur e dy kolosëve të letrave shqipe
Art & Kulture

“Gjatë bisedës, Lasgushi përmendi vetëm Ismail Kadaren, kuptohet për mirë, si dhe emrat botërorë: Lermontov, Heine dhe Leopard, duke thënë se…”/ Dëshmia e rrallë e aktorit dhe regjisorit të njohur

April 19, 2026
“Zgjedhje të lira dhe Qeveri që buron nga Parlamenti dhe që bazohet mbi të, kjo zgjidhje është formalisht me normale, veç duhet liri shtypi serioze…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, në vitin 1936
Art & Kulture

“Zgjedhje të lira dhe Qeveri që buron nga Parlamenti dhe që bazohet mbi të, kjo zgjidhje është formalisht me normale, veç duhet liri shtypi serioze…”/ Refleksionet e publicistit të njohur, në vitin 1936

April 4, 2026
“Ai ishte jo vetëm i yni, por edhe i disa familjeve të tjera shqiptare, ai ishte një mik i madh i shqiptarëve, për të cilët…”/ Historia e panjohur e Prof. Dr. Robert Baird Shuman, autor i 60 veprave të botuara
Art & Kulture

“Ai ishte jo vetëm i yni, por edhe i disa familjeve të tjera shqiptare, ai ishte një mik i madh i shqiptarëve, për të cilët…”/ Historia e panjohur e Prof. Dr. Robert Baird Shuman, autor i 60 veprave të botuara

March 30, 2026
Next Post
“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan…”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

“Kompozitori i famshëm Shostakoviçi vdiq në 1975-ën dhe në funeralin madhështor që u organizua nga Partia Komuniste, merrnin pjesë ata që e persekutuan...”/ “Libri i ri i gazetarit dhe diplomatit Bashkim Trenova

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme