• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Friday, November 6, 2026
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Gjatë një vizite në vilën e tij në Tiranë, pak kohë pas vitit ’67 kur feja u ndalua me ligj, kur Haxhi Lleshi e pyeti Sheh Ymerin; si të thërret populli tani, ai…”/ Historia e panjohur e klerikut të Reçit të Dibrës

“Gjatë një vizite në vilën e tij në Tiranë, pak kohë pas vitit ’67 kur feja u ndalua me ligj, kur Haxhi Lleshi e pyeti Sheh Ymerin; si të thërret populli tani, ai…”/ Historia e panjohur e klerikut të Reçit të Dibrës
“Viti i fundit i Islamit në Shqipëri: Kur komunistët mbyllën 1225 faltore dhe arrestuan 1235 klerikë…”! /Si u shndërrua Shqipëria në shtetin e parë ateist, duke i kthyer kishat e xhamitë në depo gruri?!
Zbulohet biseda e Haxhi LLeshit: “Kam luftuar shumë unë, s’pyesja se ka anglezë, amerikanë, as për Titon, Tempon dhe për Mehmetin, që ishte spiun i Fullcit…”/ Takimi me historianin e njohur, korrik ‘82
“Gjatë një vizite në vilën e tij në Tiranë, pak kohë pas vitit ’67 kur feja u ndalua me ligj, kur Haxhi Lleshi e pyeti Sheh Ymerin; si të thërret populli tani, ai…”/ Historia e panjohur e klerikut të Reçit të Dibrës
“Misteri i vrasjes tragjike të Ali Maliqit nga bashkëvuajtësi i tij, në Kampin e Fabrikës së Çimentos në Elbasan, në maj ’67, duke e goditur me levë dhe…”/ Historia tragjike e familjes së njohur dibrane, Agolli

Nga Xhelal Marku

Memorie.al / Emri i Sheh Ymerit, ka hyrë në historinë e krahinës së Reçit e të Dibrës, si një nga figurat më të nderuara e të respektuara të mbarë opinionit vendas, si një personalitet e mjeshtër i Kuvendit të Odave dibrane, si simbol i humanizmit, i drejtësisë, i mençurisë dhe i besimit islam, të cilit iu përkushtua deri në çastet e fundit të jetës së tij. Dhe nuk i thonë pak, por rreth një shekull jetë, e mbushur me plot veprimtari të dendura atdhetare e fetare, që kanë lënë gjurmë e mbresa të pashlyeshme tek njerëzit dhe tek të gjithë ata, që kanë pasur rastin për ta njohur Sheh Ymerin. I lindur në vitin 1907 në fshatin Kraj – Reç të rrethit Dibër, Sheh Ymeri, si fëmija më i vogël dhe i fundit i Sheh Osmanit dhe i nënë Sulltanës, u rrit me përkujdesjen e veçantë të këtyre prindërve shembullorë të krahinës, të cilët që në vogëli të tij, panë tek Ymeri i vogël, një intelekt të lindur, një mençuri të parakohshme dhe një pastërti shpitërore të admirueshme.

Dhe ishin pikërisht këto cilësi të larta humane, që e nxitën Sheh Osmanin, për ta arsimuar të birin, Ymerin, në profesionin e traditës së brezave të shtëpisë së Shehit të Reçit. Deri në atë kohë, ajo derë e njohur e besimit islam, kishte nxjerrë nëntë breza besimtarësh, ku midis tyre spikat me veprimtarinë e tij emri i Sheh Ymerit. Kështu u rrit figura e Sheh Ymerit në vite, duke pasur në krah kujdesin e vazhdueshëm të babait të tij, Sheh Osmanit. Dy vjet të shkollës fillore, ai i mbaroi tek Hafuz Shabani në rrethin e Kukësit dhe dy vjet të tjera, në fshatin Gjegjan, të po këtij rrethi.

Më pas, Sheh Ymeri mundi të nxjerrë një pasaportë, që ruhet edhe sot nga familja e tij, e cila i mundësoi atij studimet në Shkollën Islame të Shkupit, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Pas mbarimit të shkollës, ai kthehet në fshatin e tij të lindjes, në Kraj – Reç, ku përgjatë një jete të tërë, do të ushtronte atributin e nderuar të imamit. Puna e tij konsiderohet jo vetëm si një model i profesionalizmit të lartë në kryerjen e shërbesave fetare ndaj qytetarëve, por edhe si një përkushtim i veçantë njerëzor, i prirë vetëm për drejtësi e ndershmëri. Sheh Ymeri ishte një figurë e kompletuar për nga cilësitë humane, cilësi këto, që ai i reflektonte kudo në marrëdhënie me njerëzit, si qytetar apo dhe si klerik i respektuar i krahinës së Reçit të Dibrës.

Gjithashtu mund të lexoni

“Një nënë me një foshnje pesë muajshe në gji, po të drejtohem ty si prind, si baba fëmijësh, por edhe si baba të Partisë, pasi…”/ Letra e rrallë e të shoqes së Lazër Radit, drejtuar nga internimi Enver Hoxhës

“Në dy udhëtimet që bëri Sartri në SHBA-ës, ishja përkëthenjsi i konferencavet të tija, si në Universitetin t’im në Indiana dhe në…”/ Historia e panjohur e “ballistit” të famshëm, që iku nga Shqipëria në 1944

Gjithmonë i qetë në punën e tij, i matur në ato që thoshte, i dashur e i respektuar me shokë e miq të shumtë që kishte, korrekt e bujar, trim kur ishte rasti, i ndershëm, por dhe shumë i besueshëm për mbarë opinionin e zonës, ku ushtronte veprimtarinë e tij fetare. Ai thoshte shpesh në mexhlise burrash të odave dibrane, se; “…Nuk ka fe pa atdhe. Pra, feja është e duhet të jetë gjithmonë në shërbim të Atdheut…”. Ky parim i lartë atdhetar, do ta udhëhiqte atë në çdo veprim të tij. Ndaj tek portreti i Sheh Ymerit, gërshetoheshin pazgjidhshmërisht dhe dukshëm, qëndrimi atdhetar, me atë fetar. Kjo e rriti dhe më shumë konsideratën dhe besimin e banorëve të komunitetit ku shërbente.

Ndaj, kur fliste Sheh Ymeri, nuk diskutohej më fjala e tij, sepse ajo ishte peshuar në “kandarin” e urtësisë dhe drejtësisë.

Kështu me “pushtetin e drejtësisë” që përfaqësonte, ai kishte ndërhyrë në shuarjen e shumë ngatërresave, sherreve e mërive mes njerëzve, madje jo vetëm në fshatin e lindjes, por kudo që e njihnin atë. Ishte kjo arsye, që një ditë, Sheh Ymerit, reçjanët, krahas detyrës fetare të imamit, do t`i besonin edhe detyrën e Kryetarit të Këshillit Nacional-Çlirimtar për krahinën e Reçit, detyrë të cilën ai e kreu me nder e përkushtim përgjatë tre viteve me radhë, 1942-‘44. Rrallë herë mund të ketë ndodhur një kombinim i tillë detyrash, si me Sheh Ymerin e Reçit, që populli e deshte shumë, por që me kalimin e kohës, i ftohu marrëdhëniet me pushtetin komunist të Enver Hoxhës.

Duke parë autoritetin dhe besimin e madh të reçjanëve tek figura e Sheh Ymerit, pushteti komunist i sapo dalë nga lufta, e përdori këtë emër për interesa të veta, duke e bërë kryetar të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar për krahinën e Reçit. Por, kjo nuk e zbehu aspak reputacionin e tij në popull, pasi Sheh Ymeri, diti t`i bëjë mirë e bukur të dyja punët edhe si fetar i besueshëm edhe si pushtetar shembullor, që për drejtësi sakrifikoi gjithçka, deri dhe dënimin e tij në vitin 1947, ku u dënua nga gjykata ushtarake me gjashtë muaj burg dhe tre vjet arrest shtëpie, për mosbashkëpunim me Komandën e Vendit. Sapo u bë kryetar pushteti në zonë, Sheh Ymeri vendosi itifakun në zonat e Reçit, të Dardhës e të Lurës, për të mbrojtur popullsinë nga konfliktet e armatosura.

Me këtë masë, ai shpëtoi nga pushkatimi shumë jetë njerëzish, që pushteti i atëhershëm komunist i kishte dënuar me pushkatim për mosbashkëpunim me Komandën e tij, si: Selim Lalën, Kadri Tanushin me të birin, Misim Dodën e Zef Skanën, etj., duke e argumentuar se pushkatimi prish itifakun e vendit. Shumë i kërkuar si disident i komunizmit, ishte dhe Sheh Halimi, të cilit Sheh Ymeri i kishte thënë: “…Dil në mal, se do të vrasin…”!

Por, Sheh Halimi, i thotë: “…Nuk dal dot se më nget kolla…”! Në këto kushte, Komanda e kapi dhe e pushkatoi pa gjyq, tek “Përroi i Farkëtarit” të fshatit Kraj-Reç. Sipas të birit të Sheh Ymerit, Abazit, në fshatin Gjurrë-Reç të Dibrës, Këshilli i Madh Antifashist Nacional-Çlirimtar, thërret në mbledhje si kryetar pushteti për zonën Sheh Ymerin dhe i kërkon atij të dorëzojë në Komandën e vendit, Adem Gjurrën dhe Shaban Gjurrën, të cilët ishin deklaruar hapur kundër regjimit komunist.

Sheh Ymeri me maturinë dhe diplomacinë e tij, shkoi dhe i takoi këta të dy persona, pasi ata i besonin besës dhe fjalës së imamit të tyre. Përgjigja e tyre ishte kjo: “…Po na more ti në dorë, ne vijmë e dorëzohemi, ndryshe, jo…”! Sheh Ymeri nuk mund ta merrte këtë përgjegjësi, ndaj u jep një përgjigje negative: “…Nuk mund t`ju mbroj dot…”! Në këto kushte, dy të shumëkërkuarit e regjimit, i shtruan një tjetër alternativë kryetarit të pushtetit vendor, që t`u jepte një afat prej 15 ditësh, që ata të dorëzoheshin. Këtë kërkesë të tyre Sheh Ymeri e pranoi dhe i raportoi Komandës Eprore, që t`i jepte 15 ditë afat, për t`i gjetur dy personat e kërkuar prej saj. Me këtë kusht u ra dakord nga palët, por Adem Gjurra dhe Shaban Gjurra nuk u dorëzuan kurrë, pasi ata u arratisën për në Amerikë.

Pushtetar dhe klerik i nderuar i fshatit

Me këtë tolerim, ku ishin bërë llogaritë mirë nga autorët, Sheh Ymeri shmangu pushkatimin e tyre, por dënoi veten me burg, për mosbashkëpunim me Komandën Eprore të vendit. Kur e pyetën Sheh Ymerin; pse nuk bashkëpunove me Komandën, ai u përgjigj: “…Nuk bashkëpunoj, sepse, kjo komandë nesër do të më kërkojë për të dorëzuar tek ajo edhe djalin tem…”! Kur mbaroi dënimin e dhënë nga gjykata ushtarake e Luftës, Sheh Ymeri vuajti edhe tre vjet arrest shtëpie dhe më pas ushtroi në fshehtësi të plotë shërbesat fetare, ndaj të gjithë besimtarëve të asaj krahine.

Të afërmit e tij, tregojnë edhe për një rast tjetër të guximshëm të Sheh Ymerit, në një takim me Haxhi Lleshin, (Kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë) në shtëpinë e tij në Tiranë, pas vitit 1967, kur ishte i ndaluar me ligj ushtrimi i veprimtarive fetare në vend. Pasi e priti Shehin, Haxhi Lleshi e ftoi atë që të ulej në një nga kolltukët e hollit të shtëpisë.

Për të treguar kushtet komode të shtëpisë, ai e pyet Shehin: “…A u rehatove or Sheh”?

– “Jo”, i thotë Sheh Ymeri.

– “Po, pse”? – e pyet Haxhi Lleshi.

– Shehi i përgjigjet me gjuhën e muhabetit të odave dibrane: “…Se kam le or Haxhi, në samar pa leçe, nuk kam nejtun…”?

– “Si e pin kafen or Sheh” – vazhdoi Haxhiu?

– “Nja mbas nja or Haxhi”.

– “Vazhdo të bësh kafe të tjera” – i thotë Haxhi Lleshi personit që shërbente, sepse Sheh Ymeri pinte kafe shumë.

– “Po duhanin, si e pi or Sheh”?

– “Ndiz e fik e pimë”, u përgjigj Sheh Ymeri.

Më pas biseda me Haxhi Lleshin, vijoi me pyetje të tjera.

– “Si të ka thirrur populli”? – i drejtoi pyetjen Haxhi Lleshi, Sheh Ymerit.

Sheh Ymeri përgjigjet: “…Kur leva, baba më dha emrin Ymer. Më vonë, për rreth 15 vjet, me zor e bana të më thonë: Sheh Ymeri, ndërsa në vitin 1946, ma banë emrin Ymer”.

– “Po tani, si të thërrasin”?

– “Sheh Ymeri më thonë, por tani nuk jam i zoti ta mbajë këtë emër, se më ka rënduar mosha”.

– “A do të vij prapë ajo kohë or Sheh”? – pyet përsëri Haxhi Lleshi.

– “Po”, i përgjigjet me guxim Sheh Ymeri. – Do të vijë prapë”.

Siç del dhe nga biseda, që cituam më lart, Sheh Ymerin e karakterizonte kurajo, guximi dhe trimëria në veprimet e tij, nëpërmjet të cilave ai shprehte hapur edhe optimizmin se një ditë do të vinte çasti i shumëpritur, liria e besimit dhe e demokracisë, që tjetri të mos ndëshkohej pse mendonte ndryshe. Ndaj, Sheh Ymeri thoshte shpesh në biseda me të tjerët: “…Trimëri e mençuri shkojnë bashkë. Trimëria pas lufte, nuk ka vlerë, ashtu siç nuk ka vlerë dhe mençuria pas kuvendit…”!

Goditjen e parë nga ai sistem diktatorial, Sheh Ymeri e mori në vitin 1947, kur u burgos në Elbasan, vetëm për pikëpamjet e tij fetare. Koha e burgimit dhe e izolimit, do të ishte për të, një periudhë qëndrese burrërore, por që ndikoi njëkohësisht edhe në konsolidimin e pikëpamjeve antikomuniste të Sheh Ymerit, për të ardhur më pas në qëndrimin e tij të prerë tek 1967-ta, kur feja u ndalua me ligj dhe objektet e kultit mbyllën përfundimisht. Kjo ishte dhe goditja më e rëndë për Sheh Ymerin, që e detyroi atë të ushtronte veprimtarinë e tij fetare në ilegalitet e, në kushte survejimi dhe izolimi të plotë.

Por, as vitet e diktaturës komuniste nuk e gjunjëzuan dot imamin e nderuar të Reçit, që banorët vendas e dëgjonin dhe e besonin si gjithmonë, në fjalën që thoshte, si përfaqësues i fesë dhe i zotit. Kështu, Sheh Ymeri nuk e ndërpreu për asnjë çast veprimtarinë e tij humane, si klerik i respektuar i zonës. Janë të njohura disa ndërhyrje të tij me autoritetin e besimtarit e të drejtësisë, që përfaqësonte në opinion, për pajtim gjaqesh, për zgjidhje me pleqësi të sherreve e të ngatërresave, si dhe plot veprimtari të tjera, që e rritën më tej emrin dhe personalitetin e Sheh Ymerit, jo vetëm në krahinën e Reçit, por në të gjithë Dibrën.

Sheh Ymeri – “Qytetar Nderi” i Reçit

Jeta dhe puna e Sheh Ymerit është modeli më perfekt i figurës së reçjanit të pastër, të ndershëm, të përkushtuar e shumëplanësh, i cili nuk kurseu asgjë për të mirën e vendlindjes së tij. Ai ishte dhe mbetet fetari dhe atdhetari shembullor i krahinës së Reçit, në formë e në përmbajtje. Me kostumin e tij tipik të malësorit reçjan, që i shkonte aq shumë: tirqe e xhurdi të zi shajaku, xhamadan, brez e kësulë të bardhë si bora, Sheh Ymeri u përfaqësua kudo, në mexhlise e kuvende burrash, në ceremoni fetare e në festa, duke i dhënë më shumë seriozitet e përgjegjësi punës së tij atdhetare e fetare në gjithë krahinën e Reçit e të Dardhës.

Dhe këtë kostum ai e mbajti jo vetëm në tufan e në dëborë, por edhe në mes të korrikut e të vapës përvëluese të verës, ç`ka vërteton dhe karakterin e tij të fortë e të pamposhtur ndaj vështirësive, shpirtin luftarak e të qëndresës. Dhe gjithë qëndresa e tij kishte në themel optimizmin e lartë në çdo punë, që besonte se do t`ia dilte, duke fituar mbi pengesat e vështirësitë e ndeshura. E rëndësishme është se këtë optimizëm, ai diti t`jua transmetojë me shumë besim edhe të gjithë besimtarëve të shumtë, që e rrethonin kudo, duke ju rrënjosur shpresën se do të vinte një ditë më e mirë nga Zoti, siç erdhi Demokracia.

Dhe pikërisht, atëherë, kur nisi të frynte që larg, era e ndryshimit, Sheh Ymeri humbi njeriun e dashur të zemrës, bashkëshorten e tij, Zahide Adem Lami, me të cilën ai lindi dhe rriti shtatë fëmijë: dy djem dhe pesë vajza, (Lutfija, Abazi, Mihania, Sulltana, Huma, Feriti dhe Rukia). Duke e përshkruar atë çast dhimbjeje për humbjen e bashkëshortes, Sheh Ymeri është shprehur në biseda me njerëz të afërm, që e ngushëllonin: “Sot humba gruan, por dhe njeriun që m`i lehtësonte punët në shërbesat fetare ndaj besimtarëve”. I thoshte këto, se Zahidja ishte një bashkëshorte ideale, që rriti dhe edukoi me kujdesin e saj prindëror fëmijët, por punoi gjithashtu për t`i krijuar të gjitha kushtet Sheh Ymerit, për të përmbushur detyrimet e tij fetare ndaj besimtarëve.

Vdekja e parakohshme e bashkëshortes, sigurisht që e rëndoi Shehin e njohur të Reçit, të cilin e la në një moshë tepër të thyer. Por, këtë humbje, ia lehtësoi trashëgimia e tij, fëmijët, nipat e mbesat me dashurinë e tyre të madhe për gjyshin e nderuar, Sheh Ymeri. Dhe nuk janë pak, por sot, barku i Sheh Ymerit, numëron mbi 50 pasardhës. Siç shihet, uratat e besimtarëve e hallexhinjve: “T`u bëftë hysja një katund”, që Sheh Ymeri ishte i prirë t`i ndihmonte gjithnjë, kanë zënë vend tek familja e tij. Ky është Sheh Ymeri i Reçit, i cili tani mban edhe titullin: “Qytetar Nderi” i Reçit. Janë vlerësime e tituj, që ai i ka merituar me kohë në opinionin e reçjanëve, të cilëve gjithë jetën u shërbeu me përkushtim të lartë dhe me shumë dashuri e humanizëm.

Edhe në vitet e demokracisë, megjithëse në një moshë tepër të thyer, rreth 100 vjeçare, Sheh Ymeri e ka shfaqur veten si njeri human e tolerant në marrëdhënie me njerëzit, larg hakmarrjes, duke bërë thirrje e duke u lutur, që ata të jenë për më shumë veprime pajtuese e vëllazërore, të falin gabimet e së kaluarës, që i futi njerëzit në rrugë të gabuar. Jeta në Tiranë, larg vendlindjes, ia shtoi mallin për njerëzit dhe për vendin Sheh Ymerit, që i kishte lënë, për të gjetur një jetë më të mirë. Ndaj në bisedat e tij, dashuria për vendlindjen ishte tema e ditës. Dhe pikërisht atëherë, kur ai po bëhej gati të trokiste në “portën” e shekullit të ri, pleqëria dhe mosha bënë të vetën, Sheh Ymeri ndahet nga jeta, duke lënë pas një emër dhe një histori të ndritur pune e veprimtarie të shquar humane e atdhetare.

Kështu u lidhën përgjatë një shekulli Sheh Ymeri e Reçi me njëri tjetrin dhe prap të lidhur do të jenë, në brezat që do ta kujtojnë atë me respekt. Ndaj, kush përmend Reçin, ka përmendur njëkohësisht edhe të madhin e të paharruarin Sheh Ymeri – bir i shquar dhe i respektuar i krahinës. Pikërisht tek këto lidhje, tek këto vlera, buron edhe mirënjohja e thellë e krahinës për Sheh Ymerin, të cilin e ka nderuar me titullin: “Qytetar Nderi” i Reçit. Ndonëse Sheh Ymeri nuk i jeton më fizikisht midis nesh, emri dhe vepra e tij jeton e do të jetojë në shekuj e përgjithmonë në zemrat dhe mendjet e atyre, që e njohën dhe e deshën si klerik e atdhetar i përkushtuar i shekullit të njëzetë, të cilit i përkiste.

Ai do të kujtohet gjithmonë, si simbol i fetarit të përsosur e fisnik islam, që lindi një herë e një kohë krahina e Reçit. Për këtë madhështi të figurës së Sheh Ymerit, flet edhe ceremonia madhështore e varrimit këtu në Tiranë, ku morën pjesë dhe bënë homazhe qindra e qindra vetë, nga shumë krahina të vendit, si; Dibra, Tirana, Kukësi, Mati, Kurbini, Lezha etj. Me këtë përmallim e respekt për birin e denjë të Reçit, Sheh Ymerin, u ndanë reçjanët në ditën e përcjelljes për në banesën e fundit të tij. / Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Makina e drejtuar nga Luç Turumani, ra në humnerë, vdiqën 5 veta, në rrugën Komanit vdiqën 6 inxhinerë, në Batër u rrëzua...”/ Zbulohen raportet sekrete të Sigurimit, me aksidentet tragjike në vitet ’70 - ‘80-të

Next Post

“Në nëntor ’81, kur Mehmet Shehut po i bëhej ‘gjyqi’ në parti, më thirri Miti Tona, shefi shtypit në Komitetin Qendror, i cili më tha; do të them një sekret...”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeinxhinierit të RTSH-së

Artikuj të ngjashëm

“Një nënë me një foshnje pesë muajshe në gji, po të drejtohem ty si prind, si baba fëmijësh, por edhe si baba të Partisë, pasi…”/ Letra e rrallë e të shoqes së Lazër Radit, drejtuar nga internimi Enver Hoxhës
Personazh

“Një nënë me një foshnje pesë muajshe në gji, po të drejtohem ty si prind, si baba fëmijësh, por edhe si baba të Partisë, pasi…”/ Letra e rrallë e të shoqes së Lazër Radit, drejtuar nga internimi Enver Hoxhës

November 4, 2026
DISA MENDIME TË FILOZOFIT, PROF. ISUF LUZAJ
Personazh

“Në dy udhëtimet që bëri Sartri në SHBA-ës, ishja përkëthenjsi i konferencavet të tija, si në Universitetin t’im në Indiana dhe në…”/ Historia e panjohur e “ballistit” të famshëm, që iku nga Shqipëria në 1944

November 3, 2026
“Më arrestuan bashkë më vëllanë, kapitenin e parë, Gajur Deralla, pasi Prefekti i Tetovës, Mynir Tërshana, me të cilin kisha folur, më spiunoi te gjermanët…”/ Historia e panjohur e familjes nacionaliste nga Tetova
Personazh

“Më arrestuan bashkë më vëllanë, kapitenin e parë, Gajur Deralla, pasi Prefekti i Tetovës, Mynir Tërshana, me të cilin kisha folur, më spiunoi te gjermanët…”/ Historia e panjohur e familjes nacionaliste nga Tetova

November 1, 2026
“Më 5 korrik 1950, Blanche paraqiti një kërkesë për mbrojtje juridike pranë organizatës për refugjatët dhe në formular ajo shkruante se…”/ Historia e panjohur e mbesës së parë të Ismail Qemalit
Personazh

“Më 5 korrik 1950, Blanche paraqiti një kërkesë për mbrojtje juridike pranë organizatës për refugjatët dhe në formular ajo shkruante se…”/ Historia e panjohur e mbesës së parë të Ismail Qemalit

October 30, 2026
“Blanche Paulette Vlora emigroi në vitet ‘50 në SHBA-ës si refugjate, ku punoi në një fabrikë në Nju-Jork, më pas u vendos në Kanada, ku…”/ Historia e panjohur e mbesës së parë të Ismail Qemalit, që vdiq në 2002
Personazh

“Blanche Paulette Vlora emigroi në vitet ‘50 në SHBA-ës si refugjate, ku punoi në një fabrikë në Nju-Jork, më pas u vendos në Kanada, ku…”/ Historia e panjohur e mbesës së parë të Ismail Qemalit, që vdiq në 2002

October 31, 2026
“Me pelerinën hedhur supeve të mëdha e të bardha si pulëbardhat e Riminit, bukuria e saj më verbonte, më e bukura e të gjitha bejlereshave që kam parë…”/ Historia e panjohur e së bijës së Naim Frashërit
Personazh

“Me pelerinën hedhur supeve të mëdha e të bardha si pulëbardhat e Riminit, bukuria e saj më verbonte, më e bukura e të gjitha bejlereshave që kam parë…”/ Historia e panjohur e së bijës së Naim Frashërit

October 18, 2026
Next Post
“Feçori vlerësonte romanin ‘Dimri i vetmisë madhe’ të Kadaresë, duke thënë se autori paraqet me vërtetësi rininë e ‘Rrugës së Dibrës’, e cila është si ajo e Bashkimit Sovjetik…”/ Dëshmia në hetuesi, ish-drejtorit të Albimportit

“Në nëntor ’81, kur Mehmet Shehut po i bëhej ‘gjyqi’ në parti, më thirri Miti Tona, shefi shtypit në Komitetin Qendror, i cili më tha; do të them një sekret...”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryeinxhinierit të RTSH-së

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme