Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të familjes së avokatit dhe publicisti të njohur, Vasil Dilo me origjinë nga Gjirokastra, i cili pasi ishte shkolluar e diplomuar për Drejtësi, në kryeqendrën e Perandorisë Osmane në Stamboll, u kthye në atdhe ku hapi gazetën “Omonia” në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas gazetën tjetër, “Tirana” ku për vite me radhë ato organe shtypi u bënë mbrojtëse të flakta të çështjes shqiptare, kundra synimeve të qarqeve greke për të ashtuquajturin problem i Vorio-Epirit.
Zhvendosja e familjes së Vasil Dilos nga Gjirokastra në Tiranë, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, ku Vasili në fillimin e vitit 1939, i nxitur nga i biri i tij, Koço, pranoi që të ishte avokat në gjyqin e famshëm të Qemal Stafës, etj., duke marrë në mbrojtje Zef Malën, kryetarin e Grupit Komunist të Shkodrës, dhe më pas e bija e tij, Melpomeni, në 6 prillin e 1939-ës, ishte e vetmja femër që shkoi në Sheshin “Skënderbej” ku po niseshin vullnetarët, për të shkuar dhe luftuar në Durrës ndaj agresionit fashist italian. Dëshmitë e rralla të Koço Dilos lidhur me periudhën e pushtimit të vendit, ku ai së bashku me katër motrat: Melpomenin, Ksanthipin, Efgjeninë dhe Elenin, si dhe dy vëllezërit e tjerë, Telemakun dhe Gaqon, u angazhuan me grupet komuniste në qytetin e Tiranës dhe Lëvizjen Antifashiste, si dhe takimi që pati Koço me Enver Hoxhën në vitin 1942, kur miku i tij i ngushtë, Koço Tashko e prezantoi me të tek dyqani “Flora” në fillim të Rrugës së Dibrës.
Zhgënjimi i Koço Dilos nga regjimi komunist që në vitin 1945-së, kur ai u caktua me detyrën e Kryetarit të Komisioni Shtetëror për Zbulimin e Kriminelëve të Luftës, në qytetin e Shkodrës, pasi ai pa me sytë e tij terrorin e pashembullt që ushtronte ai regjim, ndaj atyre që i konsideronte si “armiq të popullit”, gjë e cila bëri që atë ta largonin dhe t’i rikthehej profesionit të avokatit dhe të hidhte kandidaturën për deputet, jashtë radhëve të Frontit Demokratik, ç’ka solli dhe arrestimin e tij dhe të vëllait, Telemakut, të cilët vuajtën për disa kohë, në burgjet politike të atij regjimi, më parë kishin provuar torturat ç’njerëzore në qelitë e hetuesisë. Dalja e Koços nga burgu pas dënimit të Koci Xoxes dhe rikthimi i tij në profesionin e mëparshëm, duke marrë pjesë në disa gjyqe të famshme si avokat Et’hem Çakos apo i Kundër admiralit të Flotës Luftarake Detare, Teme Sejkos, për të ardhur në vitin 1965-së, ku ai do të internohej familjarisht në fshatrat e Lushnjes, pasi më parë Enver Hoxha, kishte suprimuar Ministrinë e Drejtësisë, duke thënë se “S’ka ç’na duhen avokatë si Koço Dilo, pasi drejtësinë tek ne e vendos vetë Partia”!
Babai, Vasili, avokat dhe publicist
Koço Dilo, u lind në qytetin e Gjirokastrës në vitin 1916, në një familje intelektuale, ku babai tij, Vasili, gjyshi dhe një xhaxha, kishin mbaruar studimet e larta, për Jurisprudencë, në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, Stamboll dhe ata njiheshin si avokatët më të mirë të asaj kohe, jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në mbarë vendin. Babai i tij, Vasili, përveç profesionit të avokatit, asokohe ishte bërë tepër i njohur edhe si publicist e atdhetar i madh, duke shkruar me dhjetëra artikuj në shtypin e kohës, ku merrte në mbrojtje të drejtat e shtetit shqiptar, nga lakmitë e shovinistëve grekë, të asaj kohe. Kështu në vitin 1913-të, pas rënies së qeverisë së Vlorës, Vasili pas shumë përpjekjeve, arriti që të hapte një gazetë në qytetin e tij të Gjirokastrës, të cilën e quajti “Omonia”. Në atë gazetë e cila dilte në dy gjuhë, shqip dhe greqisht, në krye të saj ai vinte në çdo numër shprehjen, “Allahu na bëri të lirë dhe ne duhet të jetojmë të lire”. Edhe pse gazeta që nxirrte Vasil Dilo kishte emrin “Omonia”, ajo nuk kishte asnjë lidhje me grekët, por ishte krejt e kundërta. Ajo ishte një ndër organet e shtypit shqiptar, që i luftonte më shumë qarqet shoviniste greke, të cilët ngrinin pretendimet e tyre, për të ashtuquajturin problemin e Voroi-Epirit. Për këtë arsye, autoritetet greke ndërhynë dhe Vasilin e internuan për disa kohë në rrethin e Tepelenës. Në periudhën e Luftës së Vlorës, në 1920-ën, në një shkrim të botuar në gazetën “Omonia”, në mes të tjerash Vasili iu drejtohej grekëve duke iu thënë: “Përse robtoheni për një pëllëmbë vend, që nuk iu përket juve. Rruga për në Athinë kalon nga Vlora. Përse nuk shkoni të luftoni në Vlorë”. Aty nga viti 1920-të, Vasili u shpërngul nga qyteti i tij i Gjirokastrës dhe u vendos në Tiranë, pa hequr dorë nga veprimtaria e tij publicistike, ku hapi gazetën tjetër të quajtur “Tirana”, e cila u bë strehë e shumë patriotëve shqiptarë, që mbanin krahun e politikës dhe ideve më progresive të asaj kohe. Edhe të gjithë fëmijët e Vasilit (Melpomeni, Gaqo, Ksanthipi, Efgjenia, Telemaku, Eleni dhe Koço) i ngjanin babait të tyre, si nga ana e shkollimit e formimit intelektual, ashtu dhe ndjenjave atdhetare. Kështu më 6 prill të vitit 1939, kur në Sheshin “Skënderbej” u mblodhën shumë të rinj vullnetarë, të cilët hipën nëpër kamionë, për të shkuar dhe për të luftuar në Durrës, e vetmja vajzë në mes të tyre, ishte Melpomeni Dilo, e cila punonte si infermiere. Pas mbarimit të Luftës, ajo punoi për ngritjen e Shërbimit Gjinekologjik-Obsertik, në Shqipëri si infermiere dhe kurrë nuk iu dha vendi, që meritonte për ato që kishte dhënë gjatë, Luftës.
Koço diplomohet në Athinë
Pas vendosjes së tij në Tiranë, Vasili, u përpoq që të shkollonte fëmijët e tij, nëpër universitetet e Evropës dhe i pari ndër ta ishte Koço, që në moshë fare të vogël, Vasili e dërgoi Koçon, që të vazhdonte mësimet në një shkollë në ishullin e Korfuzit. Pasi mbaroi gjimnazin në vitet 1932-‘36, ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Athinës, për Jurisprudencë. Pas diplomimit në vitin 1942, Koço u kthye në Tiranë, ku punoi për afro gjashtë muaj si avokat. Më herët, që kur kishte qenë në bankat e universitetit të Athinës, i ndikuar nga profesorët e tij, ai kishte rënë në kontakt me idetë komuniste dhe me t’u kthyer në Shqipëri, rivendosi lidhjet me ish-shokët e tij të ngushtë, si: Zef Mala, Qemal Stafa, Vasil Shanto, Nonda Papuli, Lefter Kristo, etj. Kështu që në vitin 1939-të, kur ky grup doli para gjyqit të Monarkisë së Zogut,të akuzuar për veprimtarinë e tij komuniste, Koço ndikoi tek babai i tij, Vasili, i cili pranoi që të ishte avokat i Zef Malës, kryetar i atij grupi komunist. Duke qenë se në atë kohë, nuk funksiononte shërbimi i avokatisë, Koço u detyrua që të zhvendosej në Tetovë dhe në atë qytet ,ai u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke marrë pjesë aktive, në ngritjen e Këshillit të parë Nacionalçlirimtar për Tetovën, së bashku me Qemal Agollin, Osman Tetovën etj. Për aktivitetin e tij antifashist, ai dëbohet nga Tetova dhe detyrohet që të kthehet përsëri në Tiranë, ku vazhdoi të ushtronte profesionin e tij të avokatit.
Takimi me Enver Hoxhën
Nisur nga angazhimi i gjithë familjes Dilo (të katër motrat dhe tre vëllezërit), me grupet komuniste dhe në Lëvizjen Antifashiste, Koço Dilo, pati rast që të takohej edhe me Enver Hoxhën dhe lidhur me këtë, ai kujtonte: “Kur u ktheva në Tiranë, hyra në kontakt me shokët e mi komunistë, pasi ishin vrarë Qemal Stafa me Vasil Shanton e shumë të tjerë, ishin arrestuar apo internuar. Shtëpia ime në Rrugën e Dibrës u bë një nga bazat e fuqishme të Luftës, ku vinin dhe strehoheshin shumë nga shokët komunistë. Ja këtu në këtë dhomë ku jemi tani, kemi diskutuar me orë të tëra me Koço Tashkon, në lidhje me vrasjen e Qemalit dhe të Vasilit. Një nga miqtë e ngushtë që kam pasur, ka qenë Koço Tashkon, i cili ishte një intelektual i madh dhe demokrat, me kurajo e zëmër shumë të madhe. Në vitin 1942, ishte Koço ai që më prezantoi për herë të parë me Enver Hoxhën. i vetmi gabim dhe faj i madh i tij, ishte se, duke e njohur mirë Enver Hoxhën, si vagabond ordiner, që në kohën kur ishin bashkë në Korçë, ai shkoi dhe e mori atë në mbledhjen e krijimit të Partisë Komuniste Shqiptare, në 8 nëntorin e 1941, në një kohë që Enverin nuk e njihte asnjeri për komunist. Kur e kam takuar për herë të parë Enverin, tek dyqani “Flora”, pasi ma prezantoi Koço, ai më la përshtypjen e një njeriu të rëndomtë dhe e vetmja anë e mirë e tij ishte, paraqitja e jashtme”, kujtonte Koço lidhur me takimin e tij me Enver Hoxhën.
Largimi i Koços nga Shkodra
Pas mbarimit të Luftës, Koço Dilo u caktua që të shkonte në qytetin e Shkodrës, i emëruar si Kryetar i Komisioni Shtetëror, për Zbulimin e Kriminelëve të Luftës. Në këtë detyrë ai qëndroi jo më tepër se 6 muaj, sepse u transferua në qytetin e Beratit. Arsyeja e largimit të Koços nga ajo detyrë ishte, sepse ai duke qenë strikt në zbatimin e ligjeve, po bëhej pengesë në terrorin e madh, që po ushtrohej kundër rezistencës antikomuniste në atë qytet, ku vepronin disa njësi të Divizionit të Mbrojtjes së Popullit, në një operacion të gjerë, që drejtohej nga Mehmet Shehu. Lidhur me këtë, Koço kujton: “Gjatë kohës që isha në Shkodër, Forcat e Ndjekjes arrestuan Padër Anton Harapin dhe e sollën në zyrën time. Unë nuk lashë asnjeri që ta prekte me dorë Padër Antonin, për sa kohë që ai do të qëndronte aty. Ndonëse kishte qenë anëtar i Regjencës, Padër Antoni, ishte një klerik dhe patriot i madh. Gjatë bisedës që pata me të, ai m’u drejtua duke më thënë se: Me goditjen që po bëhej ndaj Klerit Katolik, Shqipëria po humbet dy nga penat e saj më të forta, Dom Lazër Shantojën dhe Dom Ndre Zadejën”.
Deputet i pavarur, arrestohet
Edhe në qytetin e Beratit, gjatë gjithë atyre viteve të qëndrimit atje, Koço mbajti një qëndrim tepër korrekt, duke mos abuzuar në gjyqet politike. Për këtë qëndrim, ai pushohet nga puna si gjyqtar dhe detyrohet të rikthehet tek familja në Tiranë, për të ushtruar përsëri profesionin e avokatit. Lidhur me këtë, Koço kujton “Në ato kohë e kam ndjerë veten tepër të zhgënjyer, sepse nuk ishin ato idealet komuniste, për të cilat u ngritëm dhe luftuam ne. “Pushteti që po mbahej nga shokët tanë të idealit, po degjeneronte në pushtet terrori”. Kështu në vitin 1947, duke parë situatën e krijuar, Koço, mundohet që distancohet nga pushteti komunist dhe vë kandidaturën e tij, si deputet i pavarur. Pas kësaj ndaj tij dhe familjes gjithashtu, nisi një presion i madh dhe terror psikologjik, duke e detyruar atë, që ta tërhiqte kandidaturën. Pas gjashtë muajsh nga dita që tërhoqi kandidaturën, në shtatorin e vitit 1947, Koçon e arrestojnë nën akuzën “për veprimtari armiqësore ndaj pushtetit komunist”. Arsyeja kryesore e arrestimit të tij, ishte vënia e kandidaturës për deputet i pavarur, jashtë “Frontit Demokratik” dhe qëndrimi që kishte mbajtur ai në Shkodër dhe Berat. Mbas një vit e gjysëm në hetuesi, duke iu nënshtruar torturave më ç’njerëzore, Koço Dilo, mundi që të lirohej nga burgu, duke përfituar nga një amnisti që u dha asokohe nga qeveria komuniste e Enver Hoxhës. Kjo gjë u bë e mundur pas eliminimit dhe dënimit me vdekje të Ministrit të Brendshëm Koci Xoxe, ku ndodhi ajo që në Historinë e Partisë së Punës së Shqipërisë, njihet si “Kthesa e Partisë”, ku u liruan rreth 160 intelektualë të ndryshëm, që kishin mbaruar universitetet e Perëndimit dhe mbaheshin të arrestuar si “armiq të popullit” dhe Enver Hoxha,për të gjithë atë gjendje bëri fajtor Koci Xoxen. Por ndërsa Koço Dilo u lirua nga burgu, vëllai i tij, Telemaku, një intelektual gjithashtu, tepër i njohur në atë kohë, që ishte diplomuar jashtë për Histori-Gjeografi dhe që ishte arrestuar që në vitin 1946-të (si shenjë presioni ndaj Koços që kishte dalë si kandidat për deputet jashtë Frontit Demokratik), vazhdonte të vuante dënimin, si i burgosur politik në Kampin e tmerrshëm të Vloçishtit, në fushën e Devollit të Korçës.
Avokat i Teme Sejkos
Pas vitit 1949, me lirimin nga burgu, Koço e ushtroi profesionin e tij të avokatit, deri në vitin 1966, kur regjimi komunist e suprimoi Ministrinë e Drejtësisë. Gjatë atyre viteve, ai morri përsipër mbrojtjen në disa gjyqe, të shumë kundërshtarëve politikë apo viktimave të regjimit komunist të Enver Hoxhës. Kështu në fillimin e viteve ’50-të, ai morri përsipër mbrojtjen e Et’hem Çakos dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, që ishin hedhur me parashutë në Shqipëri, nga ana e Zbulimit Amerikan. Po kështu në vitin 1961, Koço Dilo u caktua dhe pranoi të ishte avokat në gjyqin e famshëm të “Komplotistëve çamë”, ku ai mbrojti kundër-admiralin e Flotës Luftarake Detare, gjeneral-major Teme Seikon. Në atë gjyq politik të montuar, me anë të pyetjeve që i bëri dëshmitarit Kosta Fili, Koço Dilo, indirekt e demaskoi jo vetëm atë, si një mashtrues ordiner, por edhe gjithë atë proces farsë dhe të montuar. Lidhur me këtë ai kujtonte: “Kosta Fili u soll në gjyq, që të dëshmonte gjoja si ndërlidhës i Teme Sejkos me zbulimet e huaja, kryesisht ato greke. Por në fakt ai ishte një njeri me probleme mendore, që kishte jetuar në Greqi dhe një efendiko grek, pranë të cilit ai punonte në Janinë, për ta përzënë, e gënjeu duke i thënë se kishte fshehur, një qyp me flori diku në një vend në Qafën e Muzinës dhe e nisi për në Shqipëri, duke i dhënë edhe një hartë me vete. Kosta si I lehtë që ishte, e besoi vërtet atë gjë dhe gjatë ardhjes në Shqipëri, ai u kap nga forcat e reparteve të Kufirit dhe u detyrua, që të bashkëpunonte me organet e Sigurimit të Shtetit, të cilat e përdorën si deshën, duke e sjellë në atë gjyq. Për ato shërbime që bëri, Kostës ia kursyen jetën dhe nuk e pushkatuan, si pjesa më e madhe e atij të ashtuquajtur “Grup komplotist çam”, por u dënuam me 25 vjet, sa ç’ishte dënimi maksimal asokohe dhe kur doli, vetë shteti komunist e nisi për në Greqi, duke e riatdhesuar, pasi po ta mbante këtu, do habiteshin njerëzit se ai paskësh qenë ndërlidhësi i Teme Sejkos me agjenturat greke”.
Enver Hoxha, s’na duhet më Koço Dilo
Gjatë atyre viteve që Koço punonte si avokat, ai kishte një miqësi të ngushtë me Ministrin e Drejtësisë, Bilbil Klosin, për të cilin shprehej: “Bilbili ishte një njeri i drejtë dhe me të bisedonim, fare lirshëm për probleme delikate. Më kujtohet kur bisedonim për problemin e Prokurorisë. Gjatë viteve të fundit, avokatia shqiptare nuk ishte gjë tjetër, veçse një fasadë dhe maskë nën të cilën, regjimi komunist fshinte fytyrën e vërtetë të tij, kundra disidencës së vërtetë antikomuniste”. Në vitin 1965, gjatë një vizite që bëri në Republikën Popullore të Kinës, një delegacion qeveritar shqiptarë, me në krye ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Aranit Çela, Enver Hoxha, menjëherë thirri në një mbledhje urgjente, Sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byronë Politike. Sipas sugjerimeve të “shokëve kinezë”, që në fillimin e fjalës së tij, Enver Hoxha iu bëri të ditur dhe shpalli suprimimin e Ministrisë së Drejtësisë, sepse drejtësinë në Shqipëri e vendoste vetë Partia. Në mes të tjerash, në fjalën e tij para Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha u shpreh: “S’ka ç’na duhen avokatë si Koço Dilo dhe Suat Asllani”. Vetëm pak ditë pas asaj mbledhje, Koço Dilo u akuzua si “borgjez dhe mbrojtës i armiqve të Shqipërisë” dhe së bashku me familjen e tij u internuan në fshatin Grabjan të Lushnjes. Pas internimit, të dy vëllezërit e tij, që ishin intelektualë të njohur në qytetin e Tiranës, u pushuan nga puna. Në atë kamp internimi, familja Dilo qëndroi për tetë vite dhe Koço u detyrua të punonte në punë të rënda në bujqësi, deri në vitin 1973-in kur i mbaroi afati i dënimit, që ishte dhënë nga Komisioni Qendror i Internim Dëbimeve, me në krye Manush Myftiun.
Ndërron jetë në Tiranë në 1996-ën
Pas mbarimit të internimit, në vitin 1973, Koço së bashku me familjen e tij u rikthye në Tiranë, ku u la pa punë dhe në një gjendje tepër të vështirë ekonomike, pasi e gjithë familja e tij, jetonte vetëm me një pension prej 3.600 lekë të vjetra në muaj. Bashkëshortja e tij, u dërgua të lante makinat në Parkun Automobilistik, duke qenë e vetmja grua në Shqipëri, që bënte këtë punë dhe aty ajo morri një sëmundje të rëndë, nga kushtet e vështira në në të cilat punonte. Pas rënies së regjimit komunist, Koço Dilo, ndonëse në një moshë të thyer, iu rikthye edhe njëherë profesionit të avokatit, më shumë për pasion sesa për përfitime financiare. Ai duke qenë një njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja, gjithashtu u mor shumë edhe me studime e me përkthime të ndryshme, për fushën e Jurisprudencës, të cilat i botoi në shtypin e kohës. Avokati i famshëm Koço Dilo, u nda nga jeta në vitin 1996, pasi arriti që të shijonte në liri edhe njëherë profesionin e tij, që i solli aq shumë peripeci gjatë gjithë jetës. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016