Nga Prof. Enriketa Papa
Pjesa e parë
Memorie.al / Mustafa Merlika Kruja lindi në vitin 1887 në Krujë, dhe pati mundësinë të studiojë, falë dhe mbështetjes së një bamirësi të pasur si Esad Pasha, në rüştije-n lokale (shkollën e mesme), në Janinë dhe në Mekteb-i Mülkiye (shkollë e mesme) në Stamboll. Pas përfundimit të arsimit të tij në vitin 1910, u kthye në Shqipëri, pasi u emërua mësues në idadinë (shkollë e mesme) e Durrësit dhe më vonë u emërua Drejtor i Arsimit Publik për sanxhakun e Elbasanit. Po ashtu Mustafa Kruja ishte aktiv në kryengritjen shqiptare të vitit 1912 kundër osmanëve dhe në Vlorë, ku si përfaqësues i Krujës ishte ndër firmëtarët e deklaratës së pavarësisë dhe ishte dhe anëtar i senatit të formuar në atë kohë. Më 1914 u emërua këshilltar për arsimin publik në administratën e re të Princ von Wied, duke qenë një nga mbështetësit e tij.
Në vitin 1918, ishte i pranishëm në Kongresin e Durrësit, dhe më pas u emërua Ministër i Postë-Telegrafëve në qeverinë e re pro-italiane. Ai vetë favorizonte një protektorat italian (“Pavarësinë e Shqipërisë së madhe nën mbrojtjen e Italisë”). Për të, vetëm Italia do të mund ta ruante dhe lejonte ndërtimin e një qeverie kombëtare shqiptare, përmes zgjedhjeve të lira, pasi Italia ishte ndër shtetet që mbështeste një Shqipëri të pavarur, pas Luftës së Parë Botërore.
Në vitet 1920, si deputet, i përkiste lëvizjes progresiste që kundërshtonte Ahmet Zogun, dhe ishte mik i afërt me deputetët kosovarë, për çka iu desh të arratisej jashtë vendit për një periudhë të gjatë. Kështu, në vitin 1922, iku në Jugosllavi pas një përpjekjeje për grusht shteti me shqiptarët në rajonin veriperëndimor.
Më pas mori pjesë në të ashtuquajturën “Lëvizja e Qershorit 1924”, një puç kundra pushtetit legjitim. Nën administratën e kryeministrit Fan Noli, u emërua prefekt i Shkodrës. Pas rikthimit të legalitetit të Ahmet Zogut në dhjetor 1924, sërish u detyrua të emigronte në Kroaci, Zvicër dhe Itali.
Në mërgim, Mustafa Kruja ishte anëtar i Komitetit Kombëtar Revolucionar (KONARE), një organizatë politike shqiptare e krahut të majtë, ku ai përfaqësonte krahun e djathtë. Pas disa përplasjeve me fraksionin e majtë për marrëveshjen që KONARE bëri me Bashkimin Sovjetik, si dhe për nënshkrimin e “Manifestit Anti-imperialist” të vitit 1927 nga ish-kryeministri, Peshkop Fan Noli, në emër të KONARE-s, akte të cilat Kruja i kritikoi, ai dhe miqtë e tij themeluan, me mbështetje financiare nga qeveria italiane, Grupin Nacionalist pro-italian të Zarës, në Kroaci.
Nga kjo kohë deri në vitin 1939, Kruja qëndroi në mërgim dhe u përfshi në aktivitetet politike të këtij grupi, ndërkohë që vazhdoi studimet dhe shkrimet e tij mbi shqiptarët, gjuhën dhe historinë e tyre të lashtë, disa prej të cilave u botuan në periodikët e kohës. Pas kthimit të tij në Shqipëri në vitin 1939, kur Italia fashiste pushtoi vendin, Kruja u bë senator dhe kryetar i Institutit Italo-Shqiptar të Studimeve Shqiptare.
Në vitin 1941, u emërua Kryeministër dhe Ministër i Brendshëm. Ai dha dorëheqjen në vitin 1943 dhe pjesën tjetër të jetës e kaloi në mërgim në Austri, Itali, Egjipt dhe në fund në Shtetet e Bashkuara, ku vdiq në vitin 1958, në Niagara Falls, New York.
Gjatë viteve të tij në mërgim, bindjet antikomuniste të Krujës ishin aq të forta, sa që ai bashkëpunoi edhe me kundërshtarin e tij më të madh, Mbretin Zog I-rë. Ky i fundit e ftoi Mustafa Krujën të bashkëpunonte me të në Aleksandri të Egjiptit, ku u takuan disa herë, me synimin për të bashkuar diasporën politike shqiptare, kundër qeverisë komuniste në Shqipëri. Sipas Krujës, Shqipëria komuniste do të ishte vetëm një provincë e vogël e perandorisë sllavo-komuniste, që shtrihej nga Deti i Japonisë, deri në Adriatik.
Pas Luftës së Dytë Botërore, ai e konsideronte Mbretin Zog i I-rë si të vetmin që mund të bashkonte grupet e diasporës shqiptare dhe të vetmin që mund të kishte ndikim mbi shqiptarët në Shqipëri. Mbreti Zog i I-rë kishte fuqinë për të mbështetur, si financiarisht ashtu edhe shpirtërisht, veprimet politike kundër regjimit komunist, si jashtë ashtu edhe brenda Shqipërisë. Vetëm pas rënies së komunistëve në vitin 1992, do të ishte e mundur për shqiptarët që të vendosnin me plebishit mbi regjimin e tyre kushtetues, qoftë një Monarki apo një Republikë demokratike.
Veprimtaria e Mustafa Krujës pas vitit 1939
Në verën e vitit 1941, duke parë se qeveria e Shefqet Bej Verlacit ishte e paaftë të kontrollonte trazirat e brendshme në rritje, veçanërisht në provincat e sapo-pushtuara si Kosova, dhe problematikat e shkaktuara nga Lufta italo-greke, Mëkëmbësi italian Francesco Jacomoni i propozoi Musolinit dhe Galeaco Cianos, Ministër i Punëve të Jashtme, senatorin Mustafa Merlika Kruja, si kryeministrin e ri të Shqipërisë.
Sipas propozimit të tij, megjithëse Mustafa Kruja ishte me origjinë të thjeshtë, ai do të përfaqësonte me sukses elitën intelektuale të vendit. Për italianët, Mustafa Merlika Kruja ishte njeriu i përsosur në momentin e duhur. Rezistenca antifashiste ishte ende në një fazë të hershme, dhe për italianët, qeveria tradicionale e drejtuar nga Verlaci, ishte bërë simbol i paaftësisë për të qeverisur.
Për mëkëmbësin italian Jacomoni, Mustafa Kruja dukej si një nacionalist i zjarrtë. Si i tillë, ai do t’u shërbente mirë italianëve, duke u paraqitur për shqiptarët si antikomunist, intelektual dhe, natyrisht, nacionalist. Nacionalizmi, që Mustafa Kruja e mishëronte në mënyrë të përkryer gjatë gjithë jetës së tij, realizoi një ëndërr të vyer gjatë pushtimit, veçanërisht pas vitit 1941, me krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, pas bashkimit të saj me pjesën më të madhe të Kosovës.
Pas këtij bashkimi, çështja kombëtare shqiptare, sipas italianëve, do të zgjidhej, sepse do të ishte e pamundur që shqiptarët të ngriheshin kundër një kryeministri që e identifikonte veten si nacionalist. Kjo nënkuptonte se ata nuk do të kundërshtonin italianizimin e Shqipërisë dhe as nuk do të bashkoheshin me Lëvizjen Antifashiste.
Sipas Pearson-it, Mustafa Kruja u emërua nga italianët kryeministër, për të tërhequr shqiptarët drejt politikës fashiste, duke luajtur me ndjenjat e tyre nacionaliste përmes një propagande të zgjuar, ndërkohë që shtypte çdo përpjekje për rezistencë.
Qeveria e Mustafa Krujës ishte kështu kabineti i parë kombëtar i Shqipërisë së Madhe. Ndjenjat nacionaliste të Krujës u shfaqën hapur kur ai protestoi ndaj deklaratave të Anthony Eden-it, Cordell Hull-it dhe Molotov-it për Shqipërinë, në dhjetor 1942. Për një kohë të gjatë, Aleatët kishin qenë të heshtur për Shqipërinë. Ishin Shtetet e Bashkuara, që nuk e kishin njohur kurrë aneksimin e Shqipërisë nga Kurora Italiane e Savojës, që e thyen këtë heshtje.
Më 10 dhjetor 1942, Sekretari i Shtetit, Cordell Hull, deklaroi se, mbi bazën e Kartës së Atlantikut, SHBA-ës dëshironte të shihte një Shqipëri të lirë, të vetëqeverisur dhe me të drejta sovrane. Mustafa Kruja reagoi menjëherë. Në fjalimin e tij në Këshillin e Madh Korporativ Fashist më 23 dhjetor 1942, ai kritikoi secilën prej këtyre deklaratave, duke thënë se ato kërcënonin unitetin kombëtar shqiptar (tansin kombëtare).
Deklarata britanike për kufijtë e ardhshëm të Shqipërisë pas luftës ishte më shqetësuesja, pasi ajo do të hapte çështjet kufitare me Greqinë dhe Jugosllavinë. Sipas Mustafa Krujës, ky rrezik provohej nga miratimi i qeverisë greke për qëndrimin e Eden-it, gjë që dëshmonte se pas luftës Britania do të mbështeste fqinjët e Shqipërisë dhe do ta reduktonte territorin e saj në një shtet fantazmë.
Megjithatë, Mustafa Kruja nuk arriti të realizonte aspiratat nacionaliste të vendit të tij. Programi i tij i thjeshtë politik, shfaqi varësinë e tij të madhe politike nga italianët, pasi të gjitha vendimet i nënshtroheshin miratimit të mëkëmbësit italian. Ai pati suksese të kufizuara. Megjithëse përpiqej të mbante kontakte me nacionalistët që e kundërshtonin, ai dështoi të mbante pozicionin e tij përballë antifashistëve të majtë.
Në këtë gjendje të ngarkuar politike, Mustafa Kruja dështoi të merrte masa kundër grupeve të rezistencës antifashiste, veçanërisht kundër komunistëve. Stabiliteti relativ i fazës së parë të aneksimit italian nuk zgjati shumë, kryesisht për shkak të mungesës së efikasitetit administrativ, fushatave të dështuara ushtarake të italianëve kundër Greqisë, gjendjes së përkeqësuar ekonomike dhe forcës në rritje të rezistencës antifashiste.
Në janar 1943, Mustafa Kruja shprehu dëshirën për t’u tërhequr nga jeta politike aktive. Ai nuk bashkëpunoi kurrë me gjermanët, të cilët në përgjithësi shmangnin përfshirjen me elitën tradicionale politike shqiptare, sidomos me italofilët. Megjithatë, ai mori pjesë në disa takime të organizuara nga qarqet nacionaliste dhe monarkiste, pasi si një antikomunist i devotshëm, kishte ende një farë ndikimi mes tyre.
Në shtator 1944, Kruja udhëtoi vetëm në Vjenë, ku një nga djemtë e tij ishte i sëmurë rëndë. Djali i tij vdiq në nëntor 1944, vetëm pak ditë para tërheqjes gjermane nga Shqipëria. Prej asaj kohe deri në vdekjen e tij në vitin 1958, Mustafa Kruja mbeti në mërgim, duke lënë familjen e tij, gruan dhe djemtë në Shqipëri.
Fashizmi vs. komunizmi
Dy arsye mund të shpjegojnë bashkëpunimin e Mustafa Merlika Krujës me fashizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Së pari, ai ishte një nacionalist i shpallur që ishte i gatshëm të bënte një pakt me fuqitë e Boshtit, për të promovuar çështjen nacionaliste shqiptare.
Fashistët italianë e identifikuan Mustafa Krujën me nacionalizmin ekstremist, por e shihnin gjithashtu si të dobishëm për interesat italiane, për të qetësuar rezistencën antifashiste. Politika e Italisë ndaj Shqipërisë shpjegon më së miri, se pse ai besonte se Italia ishte vendi i vetëm, me të cilin Shqipëria mund të bashkëpunonte.
Ndër fuqitë e Boshtit, Italia, sipas tij, ishte mbështetësja kryesore e aspiratave kombëtare shqiptare dhe garantuesja e pavarësisë dhe integritetit kombëtar të saj. Hubert Neuwirth, përmend gjithashtu edhe armiqësinë e Mustafa Krujës ndaj Mbretit Zog i I-rë, si një nga arsyet e bashkëpunimit të tij. Në vitin 1939, pasi Mbreti u largua në mërgim, Mustafa Kruja u kthye në Shqipëri nga Franca.
Ai pranoi propozimin italian për t’u bërë kryeministër, pasi Italia ra dakord të bënte disa koncesione në drejtim të autonomisë shqiptare dhe të hiqte simbolet fashiste të dinastisë Savoja nga flamuri shqiptar, që kishin shkaktuar pakënaqësi publike.
Mustafa Kruja përshëndeti me entuziazëm bashkimin e pjesës më të madhe të Kosovës me Shqipërinë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe. Për më tepër, ai refuzoi dhe kritikoi deklaratat e Aleatëve në vitin 1942, që favorizonin pretendimet territoriale greke dhe jugosllave ndaj territorit shqiptar pas përfundimit të luftës. Qëllimi i tij ishte të mbronte me çdo kusht bashkimin e arritur të Shqipërisë. Kështu, në emër të çështjes kombëtare të vendit, Mustafa Kruja vazhdoi bashkëpunimin me fuqitë e Boshtit.
Së dyti, Kruja ishte një antikomunist i zjarrtë. Siç ka shkruar vetë ai, një nga arsyet që pranoi të bëhej kryeministër dhe bashkëpunoi me Italinë fashiste, ishte kundërshtimi i tij ndaj komunizmit, për të cilin ai besonte fort se do të pengonte lirinë e Shqipërisë. Pas aktivizimit politik të rezistencës së majtë dhe themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare nga komisarët jugosllavë, ai pranoi propozimin e mëkëmbësit për t’u bërë “Kryeministri Kuisling i Shqipërisë”!
Sipas Julian Amery-t, Mustafa Kruja vazhdoi luftën kundër komunistëve, jo vetëm gjatë mandatit të tij si kryeministër, por edhe pas dorëheqjes së tij. Amery argumenton se britanikët në atë kohë ishin të shqetësuar për marrëdhëniet e Abaz Kupit me kolaboracionistët. Megjithatë, Amery shton se, në një vend si Shqipëria, lufta e brendshme midis nacionalistëve dhe komunistëve, me ndihmën e “miqve të armikut”, ishte një formë bashkëpunimi objektiv. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













