• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Sunday, December 28, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Sport

“Pjetër Guraziu nga Shkodra, është rekordmeni i parë të atletikës shqiptare, me rezultatin 6.15 metra, më 11 prill 1925 në Bari të Italisë…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur të sportit shqiptar

“Gjatë vallzimit, shoqja e klasës, Ç. R., më tha; Sigurimi i Shtetit, nëpërmjet U.S., më ka ngarkue për me raportu për bisedat tuja dhe…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryebashkiakut të Shkodrës
“Shqipëria komuniste është i vetmi vend në Europë, e cila ka pushkatuar tre rekordmenë të saj, në sportin e atletikës së lehtë; Biçaku, Guraziu dhe A. Këllezi…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur sportiv
“Ndërsa prisnim të vinte baba në shtëpi, na erdhi një pusullë, ku shkruhej; ‘Pjerin Guraziu, është pushkatuar si armik i popullit dhe i Partisë’…”/ Dëshmia e trishtë e ish-kryebashkiakut të Shkodrës
“Ndërsa prisnim të vinte baba në shtëpi, na erdhi një pusullë, ku shkruhej; ‘Pjerin Guraziu, është pushkatuar si armik i popullit dhe i Partisë’…”/ Dëshmia e trishtë e ish-kryebashkiakut të Shkodrës
“Gjatë vallzimit, shoqja e klasës, Ç. R., më tha; Sigurimi i Shtetit, nëpërmjet U.S., më ka ngarkue për me raportu për bisedat tuja dhe…”/ Dëshmia e rrallë e ish-kryebashkiakut të Shkodrës
“Në dhjetor ’66-të, teksa shkova për stërvitje si zakonisht te këndi ‘Spartak’, trajneri ekipit, më doli para dhe me lot në sy…”/ Dëshmia e trishtë e legjendës së basketbollit shqiptar

Nga BESNIK DIZDARI

Pjesa e tretë

Memorie.al / Për ndokënd ndoshta mund të duket si diçka e habitshme: një martir që është edhe rekordmeni i parë i sportit të një kombi! Në të vërtetë, në këtë titull të këtij shkrimi apo në këto tetë fjalë të tij, gjithçka është sa e natyrshme, po aq dhe e vërtetë. Ndonëse ajo sapo vërtetohet përmes këtij tregimi të herës së parë të këtij viti 2018. E çuditshme është se si ka qenë e mundur që deri më sot, më 2018 pra, kjo e vërtetë ka mbetur e panjohur, e pa ditur, e pa fiksuar. E prapë nuk duhet të çuditemi. Historia në Shqipëri, ajo e sporteve në veçanti, ende ecën tejet ngadalë, si diçka e dorës së dytë, me të pavërteta të pafund, me tregime naive, me shpërndarje afirmimesh, të pamerituara madje. Deri aty, sa një historiani profesionist të ndershëm, i duhet veç të ndreqë pa ndalë sjelljet brutale të shkruesve të pandërgjegjshëm, të cilët për çudi vazhdojnë të mbushin faqet e gazetave.

                                                            Vijon nga numri kaluar

Gjithashtu mund të lexoni

“Shqipëria komuniste është i vetmi vend në Europë, e cila ka pushkatuar tre rekordmenë të saj, në sportin e atletikës së lehtë; Biçaku, Guraziu dhe A. Këllezi…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur sportiv

“Në qershor 1965, Federata e Basketbollit bën një nga padrejtësitë më të mëdha që njihte sporti shqiptar: vendos që finalja ‘Vllaznia’- ’17 Nëntori’ të zhvillohej në…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur sportiv

Kur rekordi botëror ishte 7.76 m. mbajtur prej amerikanit Robert LeGendre. Nuk po mbërrijmë deri në këtë krahasim. Por 6.15 m. prej një shqiptari, kur atletika e lehtë në Shqipëri ende nuk kishte dalë në pistë apo pedanë, sot do konsideruar më se i jashtëzakonshëm. Ky është ishte viti i atletikës së Pjetër Guraziut nga Shkodra e Shqipërisë, i cili në të vërtetë, me tufën e diplomave që zotëron familja Guraziu, të duket se kemi të bëjmë me një atlet të shumëgarëshit. Ai ka diplomë fituesi edhe në kërcimin së larti, në vrapimin e 100 metrave apo dhe në 3000 metra. Shqipëria e vitit 1925 kishte përcaktuar rekordmenin e saj të parë, ende pa mbërritur atletika kampionate në tokën e saj.

Për këtë do të duheshin edhe 4 vjet të tjera. Do të duhej kësisoj, që edhe Shqipëria të mbërrijë te Kampionati i saj i Parë Kombëtar i Atletikës së Lehtë: 2 shtator 1929. Çudia është se jemi një vit para 6 qershorit 1930, të themelimit zyrtar të atij organizimi që do të quhej Enti Kombëtar “Djelmnia Shqiptare”. Është ky Ent, ai që më 20 gusht 1929, nis e organizon me atletikën Kampionatet Kombëtare. Drejtori i Entit, Prof. Giandomenico De Marchis, i cili do të luajë role të dorës së parë në organizimin e kampionateve tona kombëtare të viteve ’30-të, deklaron ndërkaq, se:

“Kemi nderin t’ju njoftojmë se si mbas urdhënit të N.M. së Tij Mbretit të Shqiptarëve Zog I, me dekret, më 2, 3, 4, 5, 6 shtator të këtij viti kanë me u zhvillue këtu në Tiranë, nën ditët e naltshenjueme, të parat Gara të Kampionateve t’Atletikës së Lehtë, t’organizueme nga kjo degë, Garat në fjalë kanë me u zhvillue në fushën e Shallvares”.

Ky ishte njoftimi. Një njoftim i madh historik, sepse ishte fjala për Kampionatin e parë sportiv që organizonte Shqipëria, madje saktësisht një vit para Kampionatit Kombëtar të Futbollit (1930). Atletika e lehtë është pionierja e Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë. Dhe siç kam shkruar me kohë, është një organizim vërtetësish perëndimor për kushtet modeste të shtetit të ri të Shqipërisë, vetëm 17 vjet mbas pavarësisë së saj. Është një Kampionat i Parë Kombëtar i Atletikës së Lehtë, që ka mbushë Tiranën me pllakatin e tij dhe që zhvillohet nën “patronazhin e naltë të Princeshës Myzejen”.

Dhe një tufë shéjash trofe: kupa të rralla dhe elegante për fituesit vetjakë dhe ekiporë, që zbukurojnë publicitetin e shtypit, teksa tregohen para fillimit të Kampionatit. Ministri i Arsimit, Hil Mosi, merret personalisht me këtë Kampionat. Dhjetë vjet më parë, më 1919-ën, ai kishte qenë organizatori kryesor dhe kryetari themelues i asaj që njihet deri sot e kësaj dite, si Shoqnia “Vllaznia” e Shkodrës, prej ku vjen “Vllaznia” e sotme, ajo shoqëri kulturore sportive, e cila më 1920 kishte organizuar garën e parë atletike në Shqipëri, një maratonë e vogël rrugëve të Shkodrës, të fituar prej të quajturit Kol Gjoni.

Pa dyshim, kjo ndjesi atletike e atdhetarit të shquar, tash ministër, ka pasur rol parësor edhe në këtë organizim të Kampionatit Kombëtar të Atletikës së Lehtë. Kështu mbërrihet te 2 shtatori 1929. Në “Shallvaren” e Tiranës. Ceremoni e shkëlqyer për kohën. Rreshtim. Parakalim, Himn Kombëtar. Prani e Princeshës Myzejen, fjala emocionuese e prefektit Rexhep Jella. Shqipëria kishte themeluar jo thjesht Kampionatin e Parë të Atletikës së Lehtë pra, por vetë atë që kemi thënë qysh në krye të këtij tregimi historik: themelimin e Kampionateve Kombëtare të Shqipërisë për gjithë sportet.

Nuk gaboj kur them se është data më historike themeluese në krejt jetën e sporteve në Shqipëri. Dhe ja tek shfaqet kampioni i parë i Kampionatit, si dhe rekordi i parë kombëtar në historinë e Shqipërisë. Kjo ngjet në kërcimin së larti nga i mirënjohuri Prof. Peter Andoni i Elbasanit me 1.68 metra, një sportist i gjithanshëm qysh në “Robert College” të Stambollit. Është pikërisht ky njeri që lidhet në largësi me personazhin tonë Pjetër Guraziu. Andoni është njeriu, i cili thuajse e sundon Kampionatin e parë të Shqipërisë. Kampion në kërcimin së larti, në kërcimin së gjati, por dhe në pesë-garash dhe dhjetë-garash.

Është i vetmi që rrëmben katër medalje të arta të Kampionit të Shqipërisë! Dhe ne që i veçojmë garën e protagonistit “tonë”, atë të kërcimit së gjati. Andoni shpallet Kampion Kombëtar me shifrat 5.97 metra, që deri më sot, mbasi jam lodhur tejet me arkivin, e kemi pranuar edhe si rekordin e parë të kërcimit së gjati. Çka do të thotë plot 18 centimetra më pak nga rekordi i Guraziut (6.15) i Barit të vitit 1925. Tash, na duket sikur sot mbas gati një shekulli, ne po i ftojmë dy rekordmenët në një garë virtuale, që më shumë se në pedanën e kërcimit ajo “zhvillohet” midis dokumenteve e faqeve të shkruara të historisë.

E edhe në largësi kësisoj, midis profesorit të “Robert Cellegge” të Stambollit, Peter Andonit dhe doktorit në ekonomi të Universitetit të Barit, Pjetër Guraziu, vetvetiu dueli i tyre virtual nis dhe mbaron me tregimin tonë, të cilin më poshtë do ta mbyllim pikërisht me rregullimin historik të këtij rekordi të panjohur deri më sot. Nja 4-5 vjet më parë, në një shkrim historik për atletikën e lehtë, kam rreshtuar këto emra:

Llazar Miha, Ragip Lohja, Sabit Çoku, Prof. Peter Andoni, Mehmet Gjakova, Vasil Alarupi, Simon Todoshi, Jorgji Koja, Prof. Taho Shkreli, Prof. Adem Karapici, Qamil Abazi, Irfan Gjinali, Ferid Beshiri, Vladimir Shuteriqi, Irfan Gjinali, Prof. Ibrahim Dizdari, Mitat Aranitasi, Ahmet Karini, Muhamet Agolli, Rexhep Maçi, Qamil Abazi, Ahmet Duhanxhiu, Vladimir Shuteriqi, Hysen Kusi, Prof. Behxhet Jolldashi, Qazim Dervishi, Dr. Bahri Kopliku, Ahmet Taibi, Zeqir Sulejmani, Dr.Isuf Dashi, Andrea Çani, Shaban Ahmeti, Dr. Naim Vreto, Qazim Keçiçi, Prof. Xhevdet Skilja, Dr. Ndoc Gera, Qamil Abazi, Mehmet Gjakova, Ing.Llazar Miha, Aleko Turtulli, Ahmet Duhanxhiu, Taho Shkreli, Rifat Jolldashi, Koço Kaftani, Azbi Tepelena, Fetah Fara, Aleko Turtulli, Rexhep Shpendi, Andon Terova, Petraq Leka, Ndoc Paci, Muharrem Toptani, Shuk Radoja, Kapllan Dervishi, Av.Sandër Kraja, Shadan Toptani, Jorgji Koja, Ymer Sharra, Prof. Elez Maha, Isa Meta, Kristo Isak, Prof. Alush Lleshanaku, Muharrem Musa…

Të gjithë janë pjesëmarrës të Kampionatit të parë të Atletikës së Lehtë 1929, por një pjesë e mirë edhe të atij 1930. Kampionë, nënkampione dhe medalistë “të bronztë”, siç mund t’i quajmë. Por mua më ka shpëtuar një emër: Pjetër Guraziu. Më 1929, ai është ende në Bari, por më 1930, ai është pjesëmarrës i Kampionatit të Dytë Kombëtar të Shqipërisë në Atletikën e Lehtë. Ma zbulon rishikimi i arkivit tim të vjetër. Dhe gara e kërcimit së gjati për këtë Kampionat, thuajse e gjitha është e “markës shkodrane”.

Në të vërtetë është dueli Qazim Dervishi – Pjetër Guraziu. Kampion është universali i themelimeve të sporteve shqiptare, Qazim Dervishi, me 6.04 m., ndërsa nënkampion është Pjetër Guraziu me 5.93 m. Ata lënë në vendin e tretë as më pak e as më shumë, por njeriun me emrin e shquar Selman Stërmasi. Dhe çudia e madhe. Nënkampioni Guraziu shkon dhe merr pjesë në hedhjen e diskut, ku renditet i treti.

Mandej lë për në fund pjesëmarrjen në stafetën 4×100 metra ku së bashku me Luigj Shalën, Luigj Radojën dhe Sandër Krajën, fitojnë titullin e Kampionit të Shqipërisë. Kështu, krejt papritmas mbasi zbulojmë Pjetër Guraziun si rekordmenin e parë të Shqipërisë në kërcimin së gjati, si nënkampionin e Shqipërisë më 1930, po në kërcimin së gjati, gjejmë edhe Pjetër Guraziun si Kampion të Shqipërisë në stafetën 4×100 metra. Një sportist i plotë, rekordmen dhe kampion i vendit të tij. Dhe vitet që bëjnë të tyren. Lë pistën dhe pedanën, por jo veprimtaritë e mjedisit sportiv. Tash në funksione të reja…!

Nga libri që kam shkruar për jetën sportive të jashtëzakonshmit Dr.Vasfi Samimit, shkëpus këto radhë: “… Më 13 gusht 1935 në mbledhjen e përgjithshme të përfaqësuesve të shoqërive sportive e artistike jashtëshkollore, duke u bazuar në nenin 382 të Arsimit, themelohet në Tiranë Federata e Shoqërive Sportive e Artistike me emrin ‘Vllaznija Shqiptare’…! Nën drejtimin e matur e përparimtar të Mirash Ivanajt, Federata ‘Vllaznija Shqiptare’ forcohet tejet dhe roli i saj në përforcimin e kampionateve kombëtare të futbollit, atletikës, notit e çiklizmit, do të vinte bazat e një organizimi sportiv më të përsosur…!

Ndërkaq, Federata Sportive Shqiptare, e mbas saj edhe ‘Vllaznija Shqiptare’, themelojnë Këshillin Teknik Arbitral Shqiptar, i cili ka në duart e tij, gjithë udhëheqjen tekniko – organizative të sportit shqiptar. Nëse do të kërkonim të krahasonim me tipet e organizimeve të sotme të lëvizjes sportive, do të thoshim pa ngurrim se Komiteti Teknik Arbitral Shqiptar (KTASH) ka qenë një lloj Komiteti i Kulturës Fizike të Sporteve, që ka sunduar Shqipërinë e mbas luftës për vite të tana…! I pari KTASH i sapo themeluar përbëhet nga organizatori anglez i xhandarmërisë shqiptare, Nënkolonel Oakley Hill, Luigj Shala, Eqrem Stërmasi, Dr. Pjetër Guraziu, Dr. Vasfi Samimi, Telemak Nushi”…!

Kjo, si të thuash, është jeta e dytë sportive e Dr. Pjetër Guraziut. Edhe në këtë rast, ai është një themelues. Një prej gjashtë themeluesve të drejtimit të sporteve në Shqipëri. Njëri më i shquar se tjetri. Njeri më intelektual se tjetri. Mandej, kur mbërrin te Mbas-lufta, që do t’i merrte jetën në kulmin e pjekurisë, aftësive dhe kontributeve të tij kombëtare, ndonëse më pak, ai do të jetë përsëri në role drejtuese sportive. Lojërat Ballkanike të vitit 1946 – një ndërmarrje europiane mund të themi për Shqipërinë – do të duhej të kishin edhe praninë e tij.

Pjetër Guraziu është në jurinë drejtuese të garave e ndeshjeve pranë figurave të shquara të huaja ballkanike, si Juan, Tucan, Lupan, Hristof, Sherbo, Brancev, Nesku e Fiork, si dhe e kolegëve të tij të shquar shqiptarë. Guraziu pra, por dhe Zajmi, Karapici, Skilja, Hila, Naqi, Lisi, I. Dizdari, Domini, Maha, Rama…! Lojërat Ballkanike duhet të kenë qenë ndarja përfundimtare e Pjetër Guraziut nga jeta e tij sportive në shërbim të atdheut. Do t’i mbeteshin edhe gjashtë vjet për të mbyllur tragjikisht jetën e tij të jashtëzakonshme në shërbim të atdheut të tij.

Tash, duke qenë të bindur se kjo histori e treguar këtu, assesi nuk mund të ketë një fund të gëzuar, kur mendon se në çfarë tragjedie do të përfundonte martiri Pjetër Guraziu, po e mbyllim duke kërkuar disi një lloj qetësimi që na mbart pesha tërheqëse e historisë sportive. Në këtë rast do të vëmë në piedestalin e një historie, për ne të rrallë, emrin e martirit rekordmen Pjetër Guraziu. Dhe gjithçka vjen e bëhet krejt e thjeshtë, ndonëse prapë kufijtë kronologjikë të rekordit kombëtar të Shqipërisë, në një nga garat më spektakolare të atletikës së lehtë, siç është kërcimi së gjati, do t’i përkasin po qytetit që lindi Pjetër Guraziun, Shkodrës.

Qytetit, që ashtu siç i kishte dhuruar Shqipërisë shoqërinë e parë sportive (“Vllaznia” 1919), vrapimin e parë atletik (1920), Rrethin e Parë Çiklistik (1925), i kishte sanksionuar edhe rekordmenin e parë sportiv (Pjetër Guraziun 1925). Historia kronologjike e rekordit shqiptar të kërcimit të së gjati, në të vërtetë është tejet origjinale dhe gjithnjë me kthesa të bujshme.

Një histori që deri më sot kishim menduar se niste me Peter Andonin – 5.97 m., më 1929, por tash falë dokumenteve autentike të sportistit të madh të Shqipërisë Filip Guraziu, birit të martirit Pjetër Guraziu, zbulojmë rekordmenin e parë të atletikës shqiptare, në të vërtetë rekordmenin e parë për krejt sportin shqiptar.

Është 6.15 metra më 11 prill 1925 në Bari të Italisë. Këtu është themeli. Këtu është nisja. “Errata corrige”, do të bëhet duke vendosur rekordmenin e dytë Peter Andonin me 6.16 metra më 1930. Dhe më mbas të tjerët që vazhdojnë me Selman Stërmasin, e duke u pasuar prej një rekordi kulmor për kohën, atë të Sabit Çokut me 6.58 metra. Çka për Shqipërinë sportive duhej të kalonin plot 21 vjet dhe të vinte viti 1956, e bashkë me të nga Shkodra të mbërrinte një djalë 22-vjeçar si Hysni Bebeziqi i “Partizanit”, që ta thyente këtë rekord çerekshekullor. Ai mbërrin në 6.63 metra, pra vetëm me 5 centimetra më tepër.

Ka qenë një ditë e vitit 1956 dhe Shqipëria Komuniste e Sportit kaloi në eufori, sepse më në fund u thye edhe një rekord që mbahej prej një “borgjezi” me emrin Sabit Çoku, i cili përveç të tjerave, ishte vëllai i një “tradhtari” në emigracion, siç e përcaktonin pa mëshirë Prof. Mentor Çokun e nderuar. Të duket se edhe për nderin e rekordmenit të parë Pjetër Guraziut, gara e kërcimit së gjati ka mbërritur te maja e saj për atletikën shqiptare.

Në të vërtetë janë katër maja: rekordi i parë i Pjetër Guraziut, rekordi rezistues i 21 vjetëve i Sabit Çokut, rekordi përmbysës i Hysni Bebeziqit dhe kulmi europian i atletit të sotëm po nga Shkodra, Izmir Smajlaj – Kampion i Europës në salla të mbyllura me shifrat e nivelit botëror 8.08 mtera. Është pikërisht kërcimi së gjati që i dha Shqipërisë Kampionin e parë të Europës në sportin e atletikës së lehtë, qoftë dhe në sallë, një rezultat krejt i afërt edhe me atë 8.03 metra çka ndërkombëtari ynë Smajlaj, ka arritur në pedanën e hapur, aty ku gjithçka nis me rekordmenin e parë, Pjetër Guraziun. Historia është kjo:

Historia kronologjike e Rekordit në Kërcim së gjati 1925 – 2018:
Bari, 11.04.1925

Pjetër GURAZIU 6.15 m.
1930 Peter ANDONI 6.16 m.
1932 Selman STERMASI 6.27 m.
1934 Sabit ÇOKU 6.38 m
1935 Sabit ÇOKU 6.58 m.
1956 Hysni BEBEZIQI 6.58 m.
1956 Hysni BEBEZIQI 6.63 m.
1957 Hysni BEBEZIQI 6.69 m.
1957 Hysni BEBEZIQI 6.89 m.
1959 Hysni BEBEZIQI 6.99 m.
1961 Sabaudin RAMKU 7.04 m.
1964 Sabaudin RAMKU 7.14 m.
1970 Koço MULLA 7.15 m.
1971 Koço MULLA 7.30 m.
1975 Arben PAPULI 7.34 m.
1979 Gjergj RULI 7.64 m.
1984 Gjergj RULI 7.70 m.
2007 Admir BREGU 7.71 m.
2008 Admir BREGU 7.75 m.
2014 Izmir SMAJLAJ 7.75 m.

 

Tiranë. 25.06.2014
Izmir SMAJLAJ 7.78 m.

Elbasan. 21.05.2016
Izmir SMAJLAJ 8.03 m.

Dhe këtu, nën këtë pamje, duket se kulmon edhe kjo histori kronologjike, tash edhe më e pasur se kurrnjiherë. Ajo i bën nder vërtetësisë, ndryshe sanksionimit të vërtetës historike të atletikës shqiptare dhe saktësimit të historisë së sportit shqiptar që fillon me martirin Pjetër Guraziu. E, vetvetiu po më vjen për shtat ta mbyll këtë sagë tragjiko-dramatike, me këtë përcaktim shembullor (emblematik) të të madhit Curzio Malaparte, i cili thotë: “Diktatura është forma më komplekse e xhelozisë”. Ndonëse në rastin e tregimit tonë, ajo ishte dhe forma më e qartë e shtypjes më të pamëshirshme. Për fat, deri në krim!…/ Memorie.al

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Unë isha bërë ‘kontrabandist’ poezie, arrita t’i nxjerr fshehurazi nga burgu, gjatë takimeve me nënën, vëllezërit...”/ Dëshmia e Visar Zhitit në Universitetit Illionis të SHBA-ës, i ftuar te “Klinika e Poezisë”

Artikuj të ngjashëm

“Ndërsa prisnim të vinte baba në shtëpi, na erdhi një pusullë, ku shkruhej; ‘Pjerin Guraziu, është pushkatuar si armik i popullit dhe i Partisë’…”/ Dëshmia e trishtë e ish-kryebashkiakut të Shkodrës
Sport

“Shqipëria komuniste është i vetmi vend në Europë, e cila ka pushkatuar tre rekordmenë të saj, në sportin e atletikës së lehtë; Biçaku, Guraziu dhe A. Këllezi…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur sportiv

December 27, 2025
“Në qershor 1965, Federata e Basketbollit bën një nga padrejtësitë më të mëdha që njihte sporti shqiptar: vendos që finalja ‘Vllaznia’- ’17 Nëntori’ të zhvillohej në…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur sportiv
Sport

“Në qershor 1965, Federata e Basketbollit bën një nga padrejtësitë më të mëdha që njihte sporti shqiptar: vendos që finalja ‘Vllaznia’- ’17 Nëntori’ të zhvillohej në…”/ Refleksionet e gazetarit të njohur sportiv

December 25, 2025
“Golin e Panos me Danimarkën, të Zhegës me Irlandën, gjuajtjen e Gjinalit me R.F. Gjermane, golin e Agim Muratit me Selltikun, atë të Mingës me Belgjikën, doja që…”/ Dëshmia e rrallë e Ismet Bellovës
Sport

“Golin e Panos me Danimarkën, të Zhegës me Irlandën, gjuajtjen e Gjinalit me R.F. Gjermane, golin e Agim Muratit me Selltikun, atë të Mingës me Belgjikën, doja që…”/ Dëshmia e rrallë e Ismet Bellovës

December 22, 2025
“Pas një trasmetimi nga Kavaja, ku thashë se ishim në kushte të vështira atmosferike më takoi ministri Hazbiu dhe më kërcënoi me prangat, pasi komentin tim e kishte dëgjuar Enveri…”/ Dëshmia e rrallë e Ismet Bellovës
Sport

“Pas një trasmetimi nga Kavaja, ku thashë se ishim në kushte të vështira atmosferike më takoi ministri Hazbiu dhe më kërcënoi me prangat, pasi komentin tim e kishte dëgjuar Enveri…”/ Dëshmia e rrallë e Ismet Bellovës

December 21, 2025
“Përveçse një sportist i njohur i ‘Vllaznisë’ e ‘Partizanit’,  ai ishte edhe një artist në pikturë, skulpturë, gdhendje të drurit, arkitekt, mobilier…”/ Historia e Vehbi Ademit, që e nderonte e gjithë Shkodra
Sport

“Përveçse një sportist i njohur i ‘Vllaznisë’ e ‘Partizanit’,  ai ishte edhe një artist në pikturë, skulpturë, gdhendje të drurit, arkitekt, mobilier…”/ Historia e Vehbi Ademit, që e nderonte e gjithë Shkodra

December 13, 2025
“Ai ishte një nga pesë lojtarët më të mirë në Shqipëri, të viteve ’80-të, një nga më të vështirët për t’u markuar,  por edhe njeri model, pasi…”/ Vlersimet e Gaz Çaçit dhe Cukës, për Sokol Kalajn e “Vllaznisë”!
Sport

“Ai ishte një nga pesë lojtarët më të mirë në Shqipëri, të viteve ’80-të, një nga më të vështirët për t’u markuar,  por edhe njeri model, pasi…”/ Vlersimet e Gaz Çaçit dhe Cukës, për Sokol Kalajn e “Vllaznisë”!

October 25, 2025

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme