Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e katërt
Memorie.al / Ashtu si të gjitha luftërat, kudo dhe kurdo që kanë ndodhur ato, edhe ajo që njihet tashmë si “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare” në vitet 1939-1944, ka edhe anën e saj të errët. Që nga ajo periudhë kohë e më pas, por kryesisht pas viteve ’90-të me shëmbjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit së tij Ramiz Alia, ka pasur shumë dëshmi, si dhe kanë dalë me qindra dokumente arkivore që hedhin dritë mbi shumë ngjarje të panjohura, ku pjesa më e madhe e tyre përbën atë që konsiderohet tashmë nga shumë studiues e historianë, si anët e errta të “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”! Si p.sh. vrasja e disa prej emrave më të spikatur, personalitete të njohur të Lëvizjes Antifashiste si; Qemal Stafa, Vojo Kushi, Ali Demi, Raqi Qirinxhi, Ramiz Aranitasi, Jorgo Plaku, Mustafa Gjinishi, Fejzo Gjomema, etj., ku pjesa më e madhe e tyre ishin komunistë që mbajnë titullin e lartë “Hero i Popullit”, për të cilat ka shumë kontestime për mënyrën dhe rrethanat në të cilat ata u vranë, apo u zhdukën pa gjurmë. Siç është rasti i “Dëshmorit të Atdheut”, Raqi Qirinxhi, nga qyteti i Korçës, ish-intendent partizan i Shtabit Operativ të Qarkut, që në çastin e zhdukjes, kishte me vete financat (floririn) e njësisë partizane ku bënte pjesë.
Ndërsa vrasja e Qirinxhiut mbetet e mbuluar ende me mister, pothuaj për pjesën më të madhe të emrave të sipërcituar apo dhe për shumë e shumë të tjerë, ka akuza dhe dëshmitë me emra dhe fakte konkrete, si dhe dokumente arkivore të zbuluara pas viteve ’90-të, që hedhin hije dyshimi mbi vrasjet e tyre, si; “larje hesapesh”, “grabitje”, “hakmarrje personale”, “luftë për pushtet” e, deri për “histori rozë”, apo dhe shkaqe të tjera banale nga më të ndryshmet.
Një nga këto vrasje, për të cilat është folur pas viteve ’90-të, është dhe ajo e Sulo Tragjasit me origjinë nga Vlora, (“Dëshmor i Atdheut”), i cili u vra nga Kasem Trebeshina, ish-pjesëtar i njësitit gueril të rrethit të Fierit e, më pas partizan me funksione në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare (zv. komisar i Brigadës së XII-të Sulmuese), i cili pas mbarimit të Luftës, pasi shërbeu disa vjet në radhët e Sigurimit të Shtetit me gradën e Kapitenit, shkoi më studime në Bashkimin Sovjetik dhe pas kthimit në atdhe, punoi për një kohë të gjatë si aktor në Tetarin Popullor dhe më pas si shkrimtar në profesion të lirë, deri sa u arrestua dhe u dënua me burg, në vitin 1954 dhe u lirua në 1955.
Pas lirimit nga burgu, ai u internua për vite me radhë, duke vuajtur shumë fshatrave të largët, deri sa u arrestua përsëri në vitin 1980 dhe u dënua me 8 vjet burg për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Vrasjen e Sulo Tragjasit, shkrimtari i njohur Kasem Trebeshina e ka pranuar vetë, madje e ka trajtuar me detaje në disa nga librat e botuar pas viteve ’90-të, duke dhënë versionin e tij për atë vrasje, që thuhet se e vuajti shumë, madje me një tronditje të rëndë shpirtërore, deri në fund të jetës së tij.
Ndërsa të gjitha këto sa më sipër tashmë janë mjaft të njohura, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit (të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku ndodhen disa dëshmitë të personave nga rrethi i Fierit, ish-pjesëtarë dhe veteranë të Luftës Antifashiste, të dhëna për hetuesit e Sigurimit të Shtetit, në vitet 1982-1983, ku flitet jo vetëm për vrasjen e bërë nga Kasem Trebeshina, por edhe për shumë vrasje dhe atentate të tjera të bërë në rrethin e Fierit në vitet 1942-1944, ku gjithnjë sipas dokumente në fjalë, si urdhërues i tyre, del se ka qenë Myzafer Trebeshina, drejtues politik i atij rrethi në atë kohë, ndërsa pas mbarimit të Luftës e, deri në fillimin e viteve ’80-të, si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë dhe kryetar Komiteti Ekzekutiv në disa rrethe.
Këto dëshmitë të marra asokohe (1982-1983), kur Kasem Trebeshina ndodhej i arrestuar në qelitë e Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit (Burgu 313) në Tiranë, kurse i vëllai Myzafer Trebeshin, në funksionin e Kryetarit të Frontit Demokratik të rrethit të Fierit, përbëjnë një nga tre proceset e vetme hetimore që regjimi komunist i Enver Hoxhës, hapi për ngjarje të periudhës së Luftës, pas asaj të vrasjes së Qemal Stafës dhe Këshilltarëve të Hekalit. Dosje të cilat u mbyllën me vetëm shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës e pasardhësit të tij Ramiz Alia, pa ndonjë rezultat konkret.
Periudha kohore kur zhvillohet procesi hetimor për zbardhjen e vrasjes së “Dëshmorit të Atdheut”, Sulo Tragjasi, është ajo pas ngjarjes së “vetëvrasjes” së kryeministrit Mehmet Shehu dhe akuza ndaj Trebeshinës, apo më saktë hapja e asaj dosje pikërisht në atë kohë, hedh hije dyshimi se ajo bëhet edhe për shkak se ai (Kasemi), ishte kushëri i parë me Fiqret Sanxhaktari Shehun, bashkëshortes së kryeministrit të vdekur, e cila në atë kohë gjithashtu ndodhej e arrestuar në qelitë e hetuesisë (Burgut 313), bashkë me dy djemtë e saj, Skënderin dhe Bashkimin. Ku për ironi të fatit, aty në hetuesinë e Tiranës kur zhvillohej procesi ndaj Kasem Trebeshinës, në atë kohë ishte dhe nipi i tij, Fatos Trebeshina, (i biri i Myzaferit, i cili në atë kohë mbante funksionin e kryetarit të Frontit Demokratik të rrethit të Fierit) dhe pas daljes në gjyq, Kasemi u dërgua të vuante dënimin në burgun e Ballshit.
Por edhe ky version, parqet përsëri dyshime, pasi arrestimi i Kasem Trebeshinës, ishte bërë që në vitin 1980, kur kryeministri Mehmet Shehu ishte në kulmin e pushtetit. Ndërsa lidhur me këto etj., rreth kësaj çështje, ka vend për shumë hulumtime dhe analiza, në këtë shkrim po botojmë dokumentet arkivore në fjalë, ku siç theksuam edhe në krye të këtij shkrimi, hedhin dritë mbi disa nga anët më të errtë të “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al
RAPORTI I AGJENTIT TË SIGURIMIT ME PSEUDONIMIN “MËSUESI”, DHËNË PUNËTORIT OPERATIV ILIR ÇEPANI, LIDHUR ME BISEDAT E BËRA NGA ANA E TIJ ME MYZAFER TREBESHINËN, PËR VRASJEN E DËSHMORIT SULO TRAGJASI, NGA VËLLAI I TIJ KASEM TREBESHINA
S e k r e t
Marrë: P. Operativ Ilir Çepani
Dhënë B. Punëtori “Mësuesi”
R a p o r t
Burimi njofton se në bisedën që ka zhvilluar më datën 20 janar 1983 me Myzafer Trebeshinën, lidhur me disa probleme të Luftës Nacional-Çlirimtare të rrethit të Fierit, Myzaferi i ka shpjeguar në lidhje me vrasjen e Andon Profkës e Rakip Kryeziut, Myzaferi i tha:
“Rakip Kryeziu nuk ka qenë asnjëherë anëtar i njësitit gueril; Rakipi nuk njihte normat dhe vendimet e Partisë, vepronte me kokë të tij dhe futej në qytetin e Fierit kohë e pa kohë, nuk njihte udhëheqjen e Partisë.
Përsa i takon Andon Profkës, – vazhdoi Myzaferi, – ky njeri asnjëherë nuk ka qenë anëtar i njësiteve guerile dhe nuk ka pasur aktivitet, por ne (Partia) në Fier e emëruam komisar të Batalionit “Semani”, mbasi ky ishte myzeqar dhe këtë na e donte puna.
Përsa i takon Llazi Sukut, – vazhdoi Myzaferi, – fillimisht ka qenë me njësitet guerile, por në momentin që u vra Andoni dhe Rakipi, Llazi nuk ka qenë asgjë.
Ndërsa i takon vrasjes së tyre, – vazhdoi Myzaferi, – nuk di pse shkuan në Grecalli dhe se çfarë detyre kishin dhe kush i kishte ngarkuar. Në bisedë Myzafer Trebeshina, i shpjegoj atij problemin e vrasjes së Sulo Xhelilit.
Duke folur për këtë problem, Myzaferi i shpjegoj atij: “Sulua ishte një fshatar nga Vlora që unë nuk e njihja fillimisht, ma solli Bilbil Klosi dhe ma prezantoi si njeri trim dhe konsekuent, e kam njohur si të shpejtë në ecje.
Mbasi qëndroi disa kohë me ne, u miqësua me Petro Ndreun, që më vonë mësuam se ishte agjent i anglezëve. Mbas disa kohësh mësuam se Petro Ndreu dhe Sulo Xhelili, kishin vendosur që të bënin një vjedhje te Sami Vrioni dhe të arratiseshin.
Mblodhëm menjëherë në fshatin Sheqishtë celulën e Partisë ku bënin pjesë dhe Xox Andoni, Tomor Asllani etj., dhe vendosëm që Sulon ta pushkatonim si njeri i armik.
Mbas mbledhjes dualëm në vendin ku ishin partizanët dhe Sulua më drejtoi pushkën për të më vrarë, nuk e pashë vetë, këtë ma tha Xox Andoni, që i bërtiste Sulos se çfarë po bën, Sulua u përgjigj se do të vriste një zog, që ishte në një penë.
Xoxi i tha Sulos; mos qëllo se do na bësh ndonjë alarm e, do na zbulosh. Mbas disa kohësh Sulua kërkoi me këmbëngulje që të shkonte në Fier për një punë personale dhe duke parë këmbënguljen e tij, ne vendosëm ta lejojmë të shkoj, duke e shoqëruar, mbasi dyshonim në të.
Rrugës për në Fier, më thanë, se vetë nuk isha, se Sulon e kishte vrarë Kasem Trebeshina, këtë gjë ma tha Xox Andoni, që ishte me Sulon.
“Mësuesi”
D e t y r ë:
Qëndro afër me Myzaferin dhe në kontakte dhe biseda që do të kesh me të në vazhdim për këto problem, mundohu të mësosh edhe rrethana të tjera për vrasjen e Sulo Tragjasiot e Rakip Kryeziut.
S q a r i m:
Myzafer Trebeshina është A.P., Kryetar i Frontit Demokratik të rrethit, në ngarkim të tij ka materiale të tjera që bëjnë fjalë se dëshmori Sulo Tragjasi është vrarë me urdhrin e tij.
Kasem Trebeshina, vëllai i Myzaferit, është në burg, për agjitacion e propagandë, vuan dënimin në repartin 309 në Ballsh.
V l e r ë s i m:
E dhëna ka interes operativ, sepse në të jepen të dhëna për vrasjen e dëshmorit Sulo Tragjasi e Rakip Kryeziu, dhe se autor i vrasjes së dëshmorit Sulo Tragjasi, është Kasem Trebeshina.
Masë Operative:
- E dhëna të shtypet në dy kopje, nga të cilat njëra t’i kaloi Punëtorit Operativ Gjergji Stefo, për Kasem Trebeshinën.
- Kasem Trebeshina të rimerret në përpunim aktiv 2/A, për krime të kryera gjatë Luftës, deri në fund të muajit shkurt.
- Të pyeten shokët Tajar Asllani, Loni Çuko etj., për të sqaruar rrethanat e vrasjes së Sulo Tragjasit.
- Të aktivizohet B.p. “Gjanica” në drejtim të Myzafer Trebeshinës, për të mësuar reagimin e tij për këto probleme. / Memorie. al
PUNËTORI OPERATIV
Ilir Çepani
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016














