Nga Avni Alçani
Memorie.al / Selahudin Blloshmi ishte i djali i patriotit të njohur Hajdar Blloshmi (1860-1936). Hajdari kishte qenë profesor i gjuhës frënge në ‘Robert College’ të Stambollit, por për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, ai dëbohet nga Stambolli dhe kthehet në Shqipëri, ku punoi si mësues i frëngjishtes në disa qytete, si në Pogradec, Elbasan, Durrës dhe Tiranë. Në vitin 1909, me hapjen e ‘Normales’ së Elbasanit, ishte mësuesi i parë i saj, së bashku me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Simon Shuteriqin, Ibrahim Dalliun etj.
Në nëntor të vitit 1912, përfaqësuesit e fshatrave të Kazasë së Starovës (Pogradec), Bërzeshtës, Qukësit etj., i dërguan një telegram Hajdar Blloshmit, të cilët e njoftonin se e kishin zgjedhur si përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Vlorës, që do të shpallte Shqipërinë shtet të pavarur (Lef Nosi: Dokumente historike (1912-1918), 2007, faqe 79).
Por Hajdar Blloshmi nuk arriti në datën e 28 nëntorit, për shkak se ushtria serbe kishte pushtuar gati të gjitha qytetet e Shqipërisë së Mesme, përfshirë Durrësin, duke bërë që bërzeshtanaku ta humbiste shansin historik, për të qenë edhe ai firmtar i Deklaratës së Pavarësisë. Në datën 2 dhjetor 1912 mbërrin në Vlorë për t‘i vazhduar punimet e Kuvendit të Madh deri në fund të tij. Ishte deputet në Parlamentin e parë shqiptar, që nga viti 1922 e, deri sa vdiq në vitin 1936.
Selahudini lindi më 21 mars 1892 në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit. Shkollën elementare dhe atë të mesme ushtarake (Shkolla e Kadetëve) i kreu në vitin 1911 në Stamboll. Në vitin 1915, botoi në Sofie një libër me vjersha patriotike, të titulluar “Zan’ i Fronit, Mbretit e Shqiptarëve” (Sofie 1915), kushtuar Princ Vidit (A. Bishqemi: Gazeta “Elbasani”, prill 1999). Gjatë Luftës së Parë Botërore, shërbeu si kapiten në ushtrinë franko-shqiptare të Republikës së Korçës. Në nëntor të vitit 1917, caktohet delegat i Komisionit për të negociuar me palën ushtarake greke, për përcaktimin e kufijve shtetëror midis dy shteteve
Në vitin 1919 mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, si delegat i Korçës, për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare dhe integritetin e kufijve shtetërorë të Shqipërisë (M. Grameno: “Gazeta e Korçës”, Nr. 11 datë 17 dhjetor 1929; S. Vllamasi: Vepër e cituar, faqe 117). Në vitin 1921, dërgohet për dy vjet në Francë, për të vijuar studimet e larta ushtarake në Akademinë Ushtarake Franceze të Sent Sirit në Paris, Kur u kthye në atdhe, shërbeu në Oborrin Mbretit Zogu I-rë, me gradën Nënkolonel.
Selaudin Blloshmi ka qenë deputet i prefekturës së Elbasanit në Parlamentin shqiptar, deri në vitin 1926. U martua me Sarën, mbesën e Ismail Qemalit, një ikonë e bukurisë shqiptare dhe një nga femrat më të emancipuara të kohës. Gjatë viteve 1926-1928, Selahudini shërbeu si ministër fuqiplotë (ambasador) i Shqipërisë në Bukuresht të Rumanisë. Në pranverë të vitit 1928, rikthehet në atdhe dhe emërohet prefekt i Tiranës. Vdes në vitin 1929, nga një atak në zemër. Selahudin Blloshmi është dekoruar nga presidenti francez, me urdhrin “Kalorës i Legjionit të Nderit”.
Para Luftës II-të Botërore, figura e Selahudin Blloshmit ishte vlerësuar për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare. Gjatë luftës, vëllezërit e tij ishin rreshtuar me forcat nacionaliste. Vëllai i Selahudinit, Haki Blloshmi, ishte komandanti i çetës nacionaliste të ‘Ballit Kombëtar’, që ishte kundërshtare politike e PKSh-së. Dy vëllezërit Blloshmi, Hakiu dhe Shefqeti, u kapën nga partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Shehut dhe u pushkatuan.
E gjithë familja e Hajdar Blloshmit u persekutuan nga regjimi komunist. Figura e Selahudinit u njollos me shpifje dhe fyerje nga më të përçudnuarat. Edhe pas rënies së komunizmit, Selahudin Blloshmi më tepër përmendej si bashkëshorti i Sara Blloshmit, se sa si një figurë e rëndësishme me kontribute të jashtëzakonshme në çështjen kombëtare, siç ishte mbrojtja territoriale e Shqipërisë dhe shpëtimi i qytetit të Korçës nga aneksimi i Greqisë.
Selahudin Hajdar Blloshmi meriton t’i ngrihet një monument në qendër të qytetit të Korçës, ashtu siç u ngrit monumenti i presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson (1856-1924) në një nga qendrat e qytetit të Tiranës.
VEPRIMTARIA E SELAHUDIN BLLOSHMIT NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE
Në përfundim të Luftës I-rë Botërore, ushtritë aleate kishin vendosur trupat e tyre gati në të gjithë Shqipërinë. Kështu, Vlora me gjithë bregdetin e saj, Tepelena, Gjirokastra etj., ishin të pushtuara nga Italia. Në vjeshtën e vitit 1916, italianët kishin tentuar të pushtonin edhe Korçën, por u kundërshtuan nga Serbia dhe Greqia, që kërkonte aneksimin e Korçës nga ana e saj. Pas shumë bisedimesh u vendos që Korça me rrethet të pushtohej nga trupat franceze, të cilat konsideroheshin si të pa interesuara në çështjet territoriale në Shqipëri.
Pas vendosjes së tyre, trupat ushtarake franceze lejuan krijimin e një krahine autonome rajonale, e quajtur “Krahina Autonome e Korçës”, e cila ishte e drejtuar nga një Këshill prej 14 anëtarësh, gjysma ishin të krishterë dhe gjysma ishin myslimanë. Ruajtjen e rendit ia besuan një xhandarmërie shqiptare, nën komandën e patriotit të njohur Themistokli Gërmenji. Krahina Autonome e Korçës, shtypi monedhat e saj, pullat postës (ku ajo emërtohej si “Republikë”) etj. Gjuha shqipe u njoh si gjuhë zyrtare, kurse flamur i krahinës autonome do ishte flamuri me shqiponjë dykrenore dhe me shiritat trengjyrësh të flamurit francez.
Gjatë Luftës së Parë (tetor i vitit 1916) kryeministri grek Venizellos, kishte tentuar t’i fuste trupat e ushtrisë së tij në qytetin e Korçës, e cila ende mbahej e pushtuar nga ushtria franceze, por gjenerali Serrail e kishte penguar ushtarinë greke, duke urdhëruar largimin e tyre nga Korça. Me kalimin e kohës, veçanërisht pas mbarimit të Luftës I-rë Botërore, synimet greke për aneksimin e Korçës, sa vinte dhe më shumë po mbizotëronin politikën e saj. Ky pikësynim i vazhdueshëm i tyre po ndikonte edhe në një qëndrimi pro-grek të diplomacisë franceze.
“Në Konferencën e Paqes, – shkruan historian Pëllumb Xhufi, – Ministri i Jashtëm i Francës, S. Pichon, u mundua të kënaqë ambiciet greke, duke sajuar argumente strategjike të paqëndrueshëm. Ai e pranonte se në pikëpamje historike, etnike e gjuhësore Korça ishte padyshim shqiptare. Por në kushtet e një protektorati të Italisë mbi Shqipërinë, interesi e donte që ky qytet dhe rrethinat e tij të bashkoheshin me Greqinë”. (P. Xhufi: Gazeta “Dita”, 20 gusht, 2020).
Diplomacia franceze nuk e miratonte regjimin e vendosur në Korçë, në të cilën ushtria franceze bashkë qeveriste me shqiptarët. “Në 14 qershor 1919, – shkruan Xhufi, – ministri Pichon i ankohej Kryeministrit e Ministrit të Luftës, për sjelljen e autoriteteve ushtarake franceze të pushtimit në Korçë, ku, sipas tij, këto; bëjnë çmos për të theksuar karakterin shqiptar të kësaj krahine dhe tregohen armiqësor ndaj Grekëve… ne nuk kemi asnjë interes ta shohim Korçën të bëhet italiane nën një etiketë shqiptare, prandaj nuk duhet ta përkrahim shqiptarizimin e kësaj krahine”! (P. Xhufi, po aty).
Më 7 korrik 1919, gjenerali de Bourgon, komandant i trupave franceze të Maqedonisë, raportonte se duhet ndryshuar gjendja në favor të grekëve, se duhet të ushtrohet një presion i fortë në favor të Greqisë, se duhen lejuar vetëm shkolla greke dhe ndaluar mësimin e shqipes, duhet zhdukur çdo simbol shqiptar (siç ishte vepruar në mars me ndalimin e flamurit shqiptar) dhe shpërndarë xhandarmeria shqiptare, duke e zëvendësuar atë me xhandarmerinë greke.
“Më 24 korrik, – shkruan P. Xhufi, – Ministri i Jashtëm i Athinës, Politi, i kërkonte homologut të tij francez, që në Korçë të vendosej “regjimi që ekzistonte aty para ardhjes së ushtrisë franceze”, pra të vendoseshin trupat pushtuese greke, e për të realizuar këtë propozonte si fazë fillestare transferimin e atyre oficerëve francezë “përgjegjës” për favorizimin e nacionalizmit shqiptar.
Kërkesa greke gjeti mbështetjen e qeverisë franceze, dhe në 10 gusht, Ministria franceze e Luftës njoftonte Komandantin de Bourgon, se brenda 15 ditësh krahina e Korçës duhej t’i dorëzohej autoriteteve greke. Lajmi duhet të mbahej “në sekretin më absolut” (tenir la nouvelle absolument secrète), për të mos trazuar popullsinë e kazasë dhe për të mos shkaktuar reagimin e saj. (P. Xhufi, po aty).
Trupat franceze urdhëruan që të sulmonin dhe shkatërronin çetat e komitëve shqiptarë, të cilat do të përpiqeshin t’i kundërviheshin ose të pengonin kalimit e qytetit të Korçës në duart grekëve. Ata arrestuan dhe vranë patriotin Themistokli Gërmenji, duke e akuzuar për tradhti, por në fakt ata kishin frikë se ai do të kundërshtonte futjen e trupave greke në Korçë.
Francezët udhëzonin trupat greke se duhet të kishin kujdes kur të futeshin në Korçë, të hynin pa triumfalizëm, pa manifestime dhe pa shprehje gëzimi, pasi çdo përplasje e tyre me shqiptarët, do ta komplikonte zhvillimin me sukses të operacionit të tyre. Më 26 prill 1920, në qytetin e Korçës ishte përhapur lajmi se në qytetin e Follorinës, ushtria greke po përgatitej që të pushtonte Korçën pas largimit të francezëve. Ky lajm kishte alarmuar qytetarët korçarë të cilët ishin grumbulluar me mijëra vetë të armatosur për të mbrojtur qytetin e tyre.
Për të parandaluar pushtimin e Korçës u ngrit një komision i përbërë nga; Jorgi Thashi, Nikolla Zoi, Pandeli Cale, Qani Dishnica dhe kapiten Sealudin Blloshmi, i cili shmangu për momentin rrezikun e pushtimit (E. Vlora, “Kujtime 1883-1925”, Tiranë 2005, faqe 456-458). Fatmirësisht, ky komplot i grekëve, për t’ia kaluar qytetin e Korçës Greqisë, dështoi ende pa u shpallur aneksimi.
ÇFARË KISHTE NDODHUR?
Si ndryshuan ngjarjet dhe kush urdhëroi ndalimin e ushtrisë greke të futej në Korçë? “Gjatë zhvillimeve të punimeve të Konferencës së Paqes në Paris, – shkruan në kujtimet e tij Sejfi Vllamasi: Venizeloja, që ishte një nga diplomatët më të shquar të Greqisë, kishte mundur të merrte, fshehurazi Willsonit, pëlqimin e Klemansoit dhe të Llojd Xhorxhit, që të okuponte Konçën…
Delegacioni shqiptar as që dinte gjë fare se ç’ndodhte në Korçë. Rastësisht, një telegram i nëndrejtorit të policisë së Korçës, Oliver, dërguar shefit të tij në Paris, kapiten Votit, e zgjoi delegacionin shqiptar nga gjumi. Oliveti i telegrafonte se kishin marrë urdhër për të ikur nga Korça dhe për të bërë me këtë rast dorëzimin e qytetit grekëve”! (S. Vllamasi: “Ballafaqime politike në Shqipëri”, botim i dytë, Tiranë 2000, faqe 208-209).
SI RA NË DORË TË SELAHUDIN BLLOSHMIT KY TELEGRAM?
Protagonist i ngjarjes u bë një oficer i ri shqiptar me gradën e kapitenit, i quajtur Selaudin Blloshmi nga fshati Bërzeshtë i Librazhdit, i cili ishte anëtar i delegacionit shqiptar dhe njëkohësisht komandant i ushtrisë shqiptare të Korçës. “Ky telegram, – shkruan S. Vllamasi, – drejtohej për në Klubin Ushtarak, në të cilin vinte shpesh Selahudin Blloshmi dhe telegrami rastësisht bie në dorë të tij, i cili i alarmuar lajmëron Pandeli Evangjelin dhe shokët e tij.
Këta pa humbur kohë kërkojnë një audiencë te presidenti Willson, e vënë atë në dijeni të çështjes dhe i luten që të ndalonte okupimin grek të Korçës”. Willsoni, i cili as që dinte gjë nga intrigat e kolegëve të tij, de-marshoi energjikisht dhe i detyroi të dy shokët e tij të urdhëronin Venizelon që të hiqte dorë nga kjo aventurë! (S. Vllamasi, faqe 209). Më 20 maj 1920 u bë largimi i ushtrisë franceze dhe që nga kjo datë, shkruan Vllamasi, “bashkimi i i Korçës me Tiranën, mori formën zyrtare të prerë” (Vllamasi, faqe 209).
Kjo fitore e rëndësishme e shqiptarëve i dedikohej kapitenit Selahudin Blloshmi. “Ishte një nga kohët më kritike për Korçën, – do të shkruante patrioti Mihal Grameno. – Me të ikur ushtria Franceze, Korça u bashkua me Tiranën: edhe qetësia e plotë mbretëroi nën mbrojtjen e trimit Selahudin”. (M. Grameno: “Gazeta e Korçës”, Nr. 11 (941), datë 17 dhjetor 1929). / Memorie.al














