Nga Dashnor Kaloçi
pjesa e tridhjetepesë
Memorie.al / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota e me faksimilet përkatëse.
Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive ne hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.
Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje.
Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!
Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.
Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë kësaj ngjarje, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
PROCES-VERBALI I MARRJES NË PYETJE TË DIPLOMATIT KUJTIM JAHO, ME PUNË PRANË AMBASADËS SHQIPTARE NË STOKHOLM SUEDI, NGA ANA E HETUESIT TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, LUAN BEGA
PROCES-VERBAL
(I pyetjes së dëshmitarit)
Tiranë, më 23 dhjetor 1982
Unë, Luan Bega, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mora në pyetje me cilësinë e dëshmitarit, Kujtim Jahon, i biri i Pelivanit dhe Hasos, lindur në vitin 1944 në Bolenë të Vlorës, me arsim të lartë ushtarak, anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë, oficer i organeve të Punëve të Brendshme, në Drejtorinë e Tretë të Sigurimit të Shtetit, i padënuar ndonjëherë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, banues Lagjja Nr. 4, Rruga “Mine Peza”, Pallati I, Shkalla 2, Apartamenti 6, Tiranë.
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale që kam, në bazë të nenin 202 të Kodit Penal të RPSSH-së, në rast dëshmi të rreme.
Dëshmitari
Kujtim Jaho
Dëshmitari mbasi u pyet, deklaroi: Nga viti 1975, deri në muajin gusht të vitit 1982, unë kam qenë i dërguar me punë pranë ambasadës së RPSSH-së në Stokholm Suedi, me detyrën e sekretarit të dytë të ambasadës.
Në vitin 1979, nga fundi i muajit gusht, në Stokholm, ka ardhur Skënder Mehmet Shehu, i shoqëruar nga Gani Kodra, ish-punonjës i Drejtorisë së Dytë të Sigurimit. Ganiu, gjatë kohës së qëndrimit në Suedi, për të justifikuar qëndrimin për ruajtjen e Skënder Shehut, konsiderohej sekretar i dytë i ambasadë sonë në Suedi.
Që nga momenti i ardhjes së Skënder Shehut në Suedi, u krijuan kushte të veçanta banimi për të dhe mesa di unë, Skënder Shehu merrte dhe dieta për lëvizjet jashtë Suedisë, në shtetet e Europës. Për Skënder Shehun, u morën me qera apartamente më vete, në një kohë kur studentët e tjerë, pasuniversitarë, të ardhur në Suedi bashkë me të, flinin në konvikte.
Të hollat për shtëpinë ku banonte Skënder Shehu, i paguante ambasada, sikundër dietat dhe shpenzime të tjera, për shkuarjen në koncerte e vende të tjera. Dukej qartë trajtimi i veçantë i Skënder Shehut, edhe me caktimin e një veture në dispozicionin e tij dhe shoferin, pa patur limitit benzine. Të gjitha shpenzimet e tij në masë të konsiderueshme, përballoheshin nga ambasada, si mbas urdhrave të Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Gjatë kohës së qëndrimit në Suedi, Skënder Shehu, kurdoherë, shoqëruar vetëm nga Gani Kodra, ka shkuar në shkollë, ku qëndronte nga ora 9.00 paradite, deri në orën 16.00, pasdreke. Ganiu e shoqëronte Skënderin, deri te shkolla në mëngjes dhe shkonte dhe e merrte, kur vinte mbas dreke. Veç lëvizjeve, brenda përbrenda Suedisë, të cilët në ndonjë rast e kam shoqëruar edhe unë, Skënderi me Ganinë, kanë lëvizur nëpër Europë. Për lëvizjet e tyre në Europë, që bëheshin sipas kërkesave të Skënderit, Ministria e Punëve të Jashtme, dërgonte urdhrat përkatës dhe caktonte dhe personat që do ta shoqëronin.
Unë vetë i kam shoqëruar jashtë Suedisë, Skënderin e Ganinë, në disa vende. Fillimisht në Gjermaninë Lindore, në muajin janar të vitit 1981, ku shkuan për të parë ndeshjen që zhvilloi ekipi i volejbollit të femrave të “Dinamos”, në qytetin Shverin. Nga fundi i muajit shkurt, ose fillimi i muajit mars, të vitit 1981, kur kam shkuar në qytetin Hamburg të Gjermanisë Perëndimore, Skënder Shehu vajti për të blerë motoçikletë të markës “BMV”, si dhe u futëm në lagjen “Sempol” të Hamburgut, që është…! Po ashtu, unë di që Skënder shehu dhe Gani Kodra, gjatë vitit 1980, koha ekzakte nuk më kujtohet, por ishte kohë pushimesh të shkollës të Skënderit, kam shkuar nga Stokholmi në Paris, ku Skënderi do të takonte vëllanë e tij, Bashkimin.
Më datën 7 ose 8 maj të vitit 1981, në Stokholm ka ardhur Fiqrete Shehu, e shoqëruar nga Ymer Berberi, një mjek me emrin Llesh, një person tjetër që quhej Jonuz dhe një grua me emrin Fahrije. Fiqreti në Stokholm ka qëndruar rreth 15 ditë dhe ka banuar në apartamentin e Skënder Shehut. Kujtoj se, në atë rast, janë blerë shumë sende për të kompletuar dhomën, ku do të flinte Fiqreti, duke filluar nga krevati i gjumit e, sende të tjera. Nuk di sa janë shpenzuar…?!
Gjatë qëndrimit të Fiqret Shehut në Suedi, përveç grupit që kishte ardhur me të, Skënder Shehut dhe Gani Kodrës, disa herë ka marrë pjesë në shoqërimin e saj në Stokholm edhe unë e punonjës të tjerë të ambasadës, ambasadori Taqi Lamani, Vahid Boriçi, e shoferi, Vasillaq Sinjari. Në Stokholm, Fiqreti ka vizituar disa vende muze e piktoreske, siç janë; Muzeu Nordik, Bashkia e Stokholmit shëtitje në det dhe Parkun e Madh të Stokholmit, në opera, etj.
Në të gjitha rastet, së bashku me Fiqretin, shkonte grupi që kishte ajo me vete dhe personat e tjerë të ambasadës. Nuk jam në gjendje të përcaktoj, nëse janë shkëputur ndonjëherë Fiqreti e Skënderi, nga grupi i personave që i shoqëronin. Përveç vizitave që përmenda, Fiqret Shehu, ka shkuar në 3-5 herë në spitalin Karolinska të Stokholmit, ku bënte vizita mjekësore dhe analiza.
Në ditët e para të dhjetëditëshit të fundit të muajit maj, Fiqret Shehu, është nisur nga Stokholmi për në Shqipëri, duke caktuar si itinerar udhëtimi; Stokholm-Goteborg-Kopenhagë, ku do të merrte avionin për në Romë. Datën ekzakte nuk e mbaj mënd, por kujtoj mirë, se udhëtimi nga Stokholmi në Goteborg, dhe prej andej në Kopenhagë, është bërë me makinë.
Në qytetin Goteborg të Suedisë, kemi qëndruar një natë dhe mbaj mënd se Fiqret Shehu, grupin që kishte me vete ajo, Skënder Shehu, Gani Kodra dhe ndonjë tjetër, kanë fjetur në hotelin “Europa” të atij qyteti, dhe vendet për të fjetur në atë hotel, i ka rezervuar Skënder Shehu me Gani Kodrën, që nga Stokholmi, sepse ata u morën kryesisht me organizimin e këtij udhëtimi. Pjesa tjetër e shokëve që e shoqëronin nga Stokholmi në Goteborg, kanë fjetur në hotel tjetër.
Të nesërmen e asaj nate, në mëngjes rreth orës 8.00, ose 9.00, siç ishte vendosur më parë, unë kam qenë para hotelit “Europa”, duke pritur të jepej urdhri për t’u nisur. Kujtoj se kam qëndruar në pritje, si edhe gjithë të tjerët, të merrnin pjesë në këtë udhëtim, deri sa tek makinat, erdhi Fiqret Shehu, e cila mesa mbaj mënd, doli nga hoteli me djalin e saj, Skënderin dhe te hyrja e hotelit u ndal, sepse Skënderi, do të kthehej për në Stokholm, bashkë me Gani Kodrën e Spiro Demën. Unë nuk mund të përcaktoj si kohë, sa u vonua Fiqreti, për të dalë nga hoteli, kur personeli që e shoqëronte, e priste jashtë tek makinat, gati për t’u nisur.
Kështu unë e kam shoqëruar Fiqret Shehun, deri në Kopenhagë, ku u ktheva për në Stokholm, së bashku me ambasadorin, Vahid Boriçin, Vasillaq Sinjarin, Thanas Kostën. Me mua është kthyer në Stokholm dhe mjeku Lleshi, i cili, siç tha, do të merrte përgjigje për analizat e Fiqretit. Në hotel “Europa” në Goteborg, kujtoj që Fiqreti, ka fjetur në apartament më vete në hotel.
Gjatë kohës të qëndrimit në Suedi, Skënder Shehu, vazhdimisht qëndronte larg shokëve të ambasadës dhe shoqërohej vetëm me Gani Kodrën e, shoferët Thanas Kosta e Spiro Dema. Deri në momentin që nuk ishte fejuar, ai qëndronte shumë rëndë dhe me zor të përshëndeste. Gani Kodra që i qëndronte pranë, ishte i kënaqur nga sjellja e Skënderit me të dhe kudo shkonin bashkë.
Mbas fejesës dhe prishjes së saj, në muajin shtator, kur erdhën në Suedi, Skënderi me Ganinë, u pa se ndryshoi deri diku, qëndrimi i tyre mospërfillës ndaj shokëve të ambasadës, kujtoj se Ganiu atëhere filloi të shfaqte tek unë, disa ankime ndaj Skënder Shehut. Nga muaji shtator 1981, ambasada jonë në Suedi, ka paguar qiranë e një apartamenti, ku do të banonte Skënder Shehu, por që nuk banoi as ai dhe as njeri tjetër, dhe ky apartament u mbajt bosh rreth pesë muaj.
Në takimin e Skënder Shehut me trajnerin e ekipit të volejbollit të “Dinamos” në Shverin të Gjermanisë Lindore, mbaj mënd se Kreshnik Tartari, i tha atij se kishte porosi që Skënderi të bënte përpjekje për t’u krijuar kushtet për shkëmbim takimesh volejbolli me ndonjë klub suedez dhe Skënderi i premtoi.
Për këtë çështje, Skënder Shehu ka biseduar edhe me mua dhe së bashku jemi interesuar për të lidhur marrëdhënie të tilla me një klub suedez në qytetin e Goteborgut, por Skënderi ishte i interesuar që kërkesa për të shkëmbyer takime të tilla të bëhej nga klubi suedez. Kjo gjë nuk u realizua, sepse klubi suedez, ku u interesua, nuk kishte mundësi financiare.
Sa thashë, janë të vërteta dhe mbasi i lexoj, e janë shkuar drejt, i nënshkruaj. Memorie.al
Dëshmitari Hetuesi
Kujtim Jaho Luan Bega
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016