Nga Sokrat Shyti
Pjesa e njëzeteshtatë
Memorie.al /Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
– “Pse s’thua sot qenke këputur, more bir, duke ngritur e zbritur tërë ato plaçka, përveç qe i paske vendosur nëpër vende”!… – më qau hallin nëna.
– “Pa ndihmën e atyre dy djemve të fuqishëm, nuk ia dilja dot në krye, – e qetësova unë. – Që të jem plotësisht i saktë, të gjitha plaçkat i bartën këta nga kasollja në karroceri dhe i shkarkuan nga kamioni në shtëpinë tonë: unë vetëm u tregoja radhën e veprimeve”.
– “Atëherë e paskan hallall një drekë të zgjedhur! – tha nëna duke psherëtirë. – Kur i paske rregulluar këto punë kaq të mëdha, pa na thënë neve asnjë llaf”?!… – shtoi ajo me qortim.
– “E çfarë të thoshte, kur s’dinte gjë prej gjëje? – ndërhyri i zoti i shtëpisë. – Sot Sokratin e thirri nga provat një oficer i Degës së Brendshme dhe të dy shkuan me makinë drejt në Kolonjë. Më tej u zhvilluan ngjarjet siç i tregoi”.
– “Domethënë këtë mirësi kaq të madhe, e paska bërë Dega e Brendshme”?!… – pyeta nëna mjaft e habitur dhe mosbesuese.
– “Këta të Degës janë ndërmjetës. Merita i takon sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë”! – tha me mburrje dhe krenari burri i motrës, duke shprehur hapur kënaqësinë vetjake që me në fund ndodhi një përputhje mes idealit dhe vendosjes së një drejtësie të mohuar, të cilën prej shume kohësh e kishte kërkuar, sidomos gjatë këtyre tre viteve pas dënimit të tmerrshëm të vjehrrës, kunatit e kunatës, pasi i dukej e llahtarshme dhe çnjerëzore të ndëshkohen pjesëtarët e pafajshëm të një familjeje, pse njërit i merr koka erë!
Sapo mbërriti në shtëpi, Arqelini i tregoi mamasë mjaft e ngazëllyer tërë shtjellimin e ngjarjes, pa u shqetësuar nëse kjo do ta dëgjonte me kureshtje, apo me dhimbje koke, dhe ndoshta do të priste e mërzitur që e bija t’i jepte fund këtij rrëfimi të pakuptimtë. Dhe në të vërtete, kur e pa që e bija vazhdonte të dërdëlliste dhe s’kishte ndërmend te pushonte, e ndërpreu me ton të ngritur duke i thënë:
– “Sot të paska ikur fare truri! Edhe sikur ta kishe burrin tënd të gjirit, nuk do harboje nga gëzimi kaq shumë”!
– “Domethënë sipas teje nuk e kam?… Atëherë nuk e paske dëgjuar kur u thashë para të gjithëve, pa druajtje e pa pikë ngurrimi, se përveç Sokratit, nuk vë në brinje burrë tjetër, qoftë ky me pende palloi apo, me yll në ballë”! – ia ktheu e nxehur e bija.
– “Për të thënë e the dhe të gjithë e dëgjuam, por s’ta besoi njeri, sepse e dinim që je e dalldisur nga dashuria. Do të të kujtohen fjalët e mia më vonë, kur të ndeshesh me vështirësitë e jetës. Atëherë do më japësh të drejtë”.
– “Harroje këtë mendim! Dhe flije mendjen, sepse s’ke për të dëgjuar asnjë ankesë nga goja ime! – u zotua Arqelini. – Jo tani që u sistemua me shtëpi të rregullt, por edhe sikur të mbetej në kasolle, s’do ta ndryshoja bindjen”!
– “Atëherë qenke lajthitur fare”!… – tha e habitur nëna.
– “Më quani si të doni, nuk fyhem nga sharjet tuaja, – ia ktheu me zemërim Arqelini. – Por dijeni: kur të vijë i fejuari im këtu, do ndrisë tërë shtëpia, aq sa dhe nuri i ngrysur! kundërshtarëve më të rreptë, do t’u largohet nga fytyra”!
– “Kur të paska ardhur kaq shpejt e vrullshëm goja ty, që gjithnjë ke ndenjur e heshtur”?! … – e qortoi nëna Ulë.
– “Mama, kot lodhesh dhe nxehesh. Ja ku po ta them, me qind për qind siguri: Sokrati im, shumë shpejt do të futet në zemrën tënde”!… – deshi ta zbuste e bija.
– “Hera e parë të dëgjoj që flet me kaq vendosmëri”! – tha nëna Ulë me vështrim qortues.
– “Dhe nuk e kupton nga vjen kjo vendosmëri”?!…
– “Erdhi koha që vajza jote të fejohet me atë djalë, të cilin e dashuron me shumë se veten, ndaj kokëfortësia shpaloset me tëre fuqinë e saj të vërtetë. Ka ndryshim të madh midis fejesave dhe martesave me dashuri, nga çiftimet fare të rëndomta”, – theksoi me mburrje Arqelini.
– “Prandaj dhe me shumë të drejtë thuhet: jo të gjithë çifteve u buzëqesh dashuria…”- shtoi ajo e kënaqur.
– “Domethënë ne, prindërit e tu, që të kemi rritur e veselitur, po rrahim më kot ujë në havan, pasi ti e paske vendosur përfundimisht”?!… – tha e nervozuar nëna Ulë.
– “Mos u nxeh dhe mos u habit, pasi unë nuk e mbajta fshehur, ua tregova që në fillim, – ia ktheu Arqelini. – Edhe sikur të mos hapej muhabeti i fejesës, një dite do ta shprehja kërkesën time të brendshme shpirtërore…”!
– “Nga u bë sebep ky dreq teatri, që takove djalin e Anës dhe re në dashuri me të…”- tha me një ankesë të thekshme nëna Ulë.
– “Ju nuk e keni hallin as tek Ana dhe as tek djali i saj, por tek kushtet politike të familjes së tyre. Ndaj dhe e shihni lidhjen time me Sokratin, përmes kësaj perdeje, pa e kuptuar dhe pa e pranuar të vërtetën. Habitem me ju, pse nuk merrni parasysh të vërtetën: po të mos ndodhnin lëkundjet e tërmetit, që i zhvendosi këta nga Tirana në rrethin e Lushnjes, as neve e, as këtyre, s’do na shkonte mëndja te lidhnim krushqi”.
– “Lëri dënglat dhe përgjigju pyetjes time: me të vërtetë nuk te bën fare përshtypje, që do jetosh në fshat”?
– “Për mua ka rëndësi njeriu, karakteri i burrit që dashuron. Në qoftë se fatin e gruas e ndriçon ylli polar, ajo jeton edhe në majë të malit. Fundja, Kolonja ka pamjen e lagjes së qytetit. Sa herë do më marre malli për ju, i hipi autobusit, përqafohemi dhe puthemi! Nuk po shkoj në kurbetin e largët”.
– “Kurrë s’do ta besoja që vajza ime e dytë, kaq e urtë, e sjellshme, e bindur dhe e dëgjuar, do tregohet kokëngjeshur si mushkë, e për të mbrojtur dashurinë e sajë, do dalë kundër të gjithëve”!… – tha nëna Ulë, duke psherëtirë.
– “Jam unë që habitem me qëndrimin tuaj të padrejte, sidomos të mamasë time. Ne vend të kisha përkrahjen tënde, si nënë, dole kundërshtare! Ma thuaj hapur, nëse keni ndonjë ankesë ndaj Sokratit dhe familjes së tij?! Sigurisht nuk keni. Kudo përmendet ndër familjet më të nderuara, dhe djali i saj gjithnjë ka shkëlqyer! Këtë nuk e them vetëm unë, por e pranojnë të gjitha ata që e njohin. Prandaj le t’i vëmë kapak këtij muhabeti dhe të bisedojmë si nënë e bijë, për fejesën.
Sepse sa më tepër vonohet, kaq më shumë u lemë fushë të lirë pëshpëritjeve dhe thashethemeve lart e poshtë. Të paktën duhet ta kuptoni që, as unë e as ai, nuk jemi murgeshë e murg, dhe si të tillë, nuk na lejohet te shihemi e takohemi. Prandaj bisedoje edhe një herë shtruar me këshillin e familjes, thuaja hapur të gjithë mendimet e mia, pa shtuar nga vetja ndonjë hamendësim apo shpresë, mos më kthehet mendja. Sepse në fund të fundit, sado të kundërshtoni, unë do të fejohem me Sokratin”!
Të nesërmen Arqelini ma shtjelloi hollësisht bashkëbisedimin e nxehtë me të ëmën dhe kërkoi prej meje të gjeja rastin e përshtatshëm, për t’ia shkoqitur nënës Anë, marrëdhënien tonë, për të hequr pengesën e vetme, zakonin parak, sipas të cilit në fillim duhet fejuar motra e, pastaj vëllai.
– “Përveç këtij kushti, nuk besoj të dalin pengesa të tjera… – theksoi ajo me bindje. – Ndërkaq, duhet të kemi parasysh që zvarritja na dëmton, u jep mundësi kundërshtarëve tanë të stisin e kurdisin lloj-lloj marifetesh ngatërrestarësh, sepse patjetër do përdoren goditje tinëzare dhe krahëmarrje, nga më befasueset.
Vetëm duke e bërë fakt të kryer fejesën, ne hedhim në erë synimet e tyre dashakeqëse, prishim rrjetat e merimangave, fitojmë përkrahjen e shoqërisë. Duhet ta përdorim në dobinë tonë mbështetjen e fuqishme të shefit të madh të rrethit.
Arsyetimi i saj m’u duk i drejtë dhe i shprehur në kohën e duhur. Sigurisht, ajo ndodhej në gjendje shumë më të vështirë, krahasuar me mua, sepse tërë familja dhe farefisi, qenë hedhur ne sulm frontal kundër. Arqelini s’kishte asnjë përkrahje: të gjithë kërkonin me ngulm të hiqte dorë nga kjo marrëzi, e cila do t’i shkaktonte pasoja tmerrësisht të rënda, me shpjegimin se pasioni i dashurisë, një ditë shteret dhe jeta e tyre vetvetiu do kthehet në djerrinë të frikshme!
Madje disa i dhanë trembjes përmasa llahtarisht kërcënuese: se fejesa dhe martesa e vajzës së shtëpisë me një djalë të deklasuar, (pavarësisht nga fakti se dikur ka qenë pionier i shkëlqyer, komandant çete në shkollën 7 vjeçare, ndër më të shquarit e Gjimnazit, student i vlerësuar në universitet, dhe ka prejardhje të nderuar familjare), mund ta prekë të fejuarën ose gruan e tij, duke e lëvizur nga puna, ose duke e zbritur nga mësuese, në edukatore kopshti e çerdhe!
Këto pohime nuk ishin thjeshtë hamendje apo trillime boshe. Disa shoke të fëmijërisë më kishin thënë se sekretari i Komitetit të Rinisë të rrethit, thirri veçmas Arqelinin, në zyrë, enkas për t’i bërë presion se, pas fejesës së përfolur, do merren masa kundër saj, së pari do shkarkohet nga detyra si sekretare për të rejat dhe anëtare e byrosë. Por më shqetësuese ishte pandehma se mund ta heqin nga arsimi, gjë që përbënte një pengesë shumë serioze. Nëpërmjet kësaj mase, jo vetëm theksohet paralajmërimi i formës së prerë, se nuk do lejohet të transferohet në fshat si mësuese, sa dhe vihet në pikëpyetje vazhdimësia si arsimtare, në shkollat e qytetit!
Të dy këto mundësi shërbenin si prita të frikshme: “mos e hidhni hapin e fejesës, përndryshe do mbeteni me gisht në gojë, pas asnjë të ardhur ekonomike”! Por këto kundërshti reale, (edhe pse nuk ia përmenda, që të mos fyhej e t’i keqkuptonte si mjet justifikimi, gjë që do t’ia rëndonin psikozën), më vunë në lëvizje: i caktova detyrë vetes, të qartësoja dyshimet tek burimet e sigurta. Ndërkaq i premtova se së shpejti, do bisedoj me nënën, që më pas të përgatitemi për hapin e parë të rëndësishëm, fejesën.
Kisha menduar të takoja ndihmësin e sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë, i vetmi që do t’i saktësonte hamendjet, ose do t’i hidhte poshtë. Prandaj mora guximin dhe ngjita shkallët e ngrehinës së Komitetit të Partisë: i thashë punonjësit të shërbimit, se kisha takim me ndihmësin e shokut Qemal, i bindur që ky do më priste. Dhe kështu doli. Ky u tregua mjaft i sjellshëm e i gatshëm, të sqaronte shqetësimet e mia të parashtruara.
Madje nuk ngurroi ta shtynte takimin për një orë tjetër të përshtatshme, kur të ndodhej vetëm në kabinet, duke patur parasysh se gjatë pranisë së shefit, e ka pothuaj të pamundur ta përqendrojë tërësisht vëmendjen mbi kërkesën e nevojtarit. Pikërisht në këtë çast u hap krejt befas dera ndërmjetëse e kabinetit dhe në kornizë u shfaq shefi i madh, një burrë simpatik, shtatmesatar, i veshur me kostum në ngjyrë çokollatë, me këmishë të bardhë e, kollare bezhë.
– “Qenkeni i zënë”? – i tha ky me mirësjellje ndihmësit të tij, i cili qe ngritur në këmbë dhe po priste urdhrin e shefit.
– “Po qartësoja Sokratin për disa pëshpëritje të pasakta, të cilat me të drejtë e kishin shqetësuar”, – u përgjigj ndihmësi.
– “Bëre mirë që erdhe, – m’u drejtua mua shefi i madh. – I thuaj sekretares të na përgatisë dy kafe, se do shkëmbejmë me Sokratin dy fjalë, për letërsinë dhe artin”.
Ndihmësit i qeshën sytë që shefi i madh u tregua i gatshëm të më përkushtonte disa minuta. Unë u futa në kabinetin luksoz i ngarkuar me emocione, sepse gjendesha krejt i vetmuar me dashamirësin tim, i cili përdori logjikën njerëzore dhe forcën e autoritetit suprem, për të zhvendosur me 360 gradë fatin e familjes, nga kasollja e skëterrshme në një strehë me kushte normale, si shumica e banorëve të fshatit Kolonjë!
– “Dje isha me shërbim në Tiranë dhe fare rastësisht takova në barin e hotel ‘Dajti’-t, mikun tim dhe dashamirësin tënd, shkrimtarin Shevqet Musaraj”, – e nisi bisedën shoku Qemal, pasi u ulëm në këndin e pritjes. – “Ndjej kënaqësi sa herë e shoh dhe bisedoj me këtë burrë fisnik, tepër modest, për çfarë i ka dhënë vendit tonë gjatë Luftës dhe viteve të pasçlirimit! Rrallë gjen intelektualë si ai, që gjithnjë flet për të tjerët dhe asnjëherë për vete”.
– “Më lejoni t’ju përmend një fakt, shoku Qemal”! – guxova ta ndërprisja unë.
– “Me siguri duhet të lidhet me mikun tonë të përbashkët”, – shtoi ai me vështrim pritës.
– “Nuk kam për ta harruar tërë jetën dhe gjithnjë do ta kujtoj sjelljen e tij fisnike: pas tre muajve që banoja në kasollen e lopës, ndaloi makinën në kthesën e Ardenicës dhe kërkoi të më takonte! Këtë skenë, jo vetëm do ta përmend sa të jem gjallë, por nëse mundem, do ta lë në shkrimet e mia”!… (Në fund, fjalët më dolën të drithëruara dhe sytë m’u përlotën!).
– “Ai ka shpirt të madh dhe vizion ylberi! – theksoi me dashuri shoku Qemal. – Shqipëria duhet të ketë sa më shume intelektualë me zemër kaq të ndjeshme, që e shohin të ardhmen përmes prizmit iluminist. Edhe unë mbeta i tronditur nga pohimi i tij, kur më tha: Ndjehem fajtor që nuk e ndihmova dot djaloshin e talentuar! Kurrë s’kam dëgjuar një qortim kaq të ashpër ndaj vetes, si ky! Dhe sidomos më beri shume përshtypje që e shprehu para meje me zgjuarsi! Në vend të thoshte drejtpërdrejt: kije kujdes atë djalë, mbroje nga hienat! Ai fajësoi veten.
Ashtu si ti, nuk e harron dot takimin befasues me Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve, që ndodhi pas tre muajve internim, ndaj t’u duk si ëndërr e bukur, edhe në kujtesën time, do mbetet e pashlyer pendesa e tij brilante. Gati sa nuk më tha: Po munde, përqafoje nga ana ime, meqë shëndeti dhe mundësitë më pengojnë! Ishte ndër takimet e rrallë të mrekullueshëm, që ndodhin një herë në kaq kohë! Pikërisht sot, kisha ndërmend të të thërrisja këtu, për të dhënë dy sihariqe: i pari ishte amaneti i Shevqetit, që dëgjove. Të dytin do ta them pas pak. Atë çast që hapa derën, kisha ndërmend t’i thosha ndihmësit, të të njoftonte për të ardhur këtu!
Po të drejtoj një pyetje konkrete dhe dua një përgjigje të saktë: ç’gjë i ka acaruar marrëdhëniet e tua, me Lidhjen e Shkrimtarëve”?!
Unë u befasova kaq shumë, sa u shtanga dhe nuk dija çfarë te thosha.
– “Për ta bërë më të thjeshtë e të drejtpërdrejtë pyetjen, por e formuloj pak më ndryshe: e ke analizuar në vetvete, pse ka ngjallur xhelozi e ambicie emri yt, në Lidhjen e Shkrimtarëve”? – shtoi shefi i madh, me vështrim kërkues.
Ky qëmtim në pikën më nevralgjike më tronditi, duke prekur palcën e mendimit, dhe bëri të jem mjaft i kujdesshëm, në këtë bashkëbisedim kaq të rëndësishëm.
– “E marr me mend çfarë të shqetëson dhe pse ngurron të shprehësh lirshëm para meje, për një çështje mjaft delikate e thelbësore. Por duhet të çlirohesh prej tyre. Sepse unë tashmë me ndërhyrjen time publike, jam bërë pjesë e hallit tënd personal dhe familjar…” – theksoi me ton dashamirës. Së pari, më lejoni t’ju shpreh…..”!
– “Kjo e ka radhën në fund, – më ndërpreu shefi i madh. – Sigurisht, ndihmësi im të ka njoftuar për atë që do tq korrigjohet. Çfarë kemi në dorë, patjetër do ta ndreqim. Mua më shqetëson zanafilla, ku e ka burimin pikënisja e egër e vendimit të Komisionit Qeveritar të Internim-Dëbimeve?! Në Tiranë bisedova me dy anëtarë të Komisionit, shokët e mi, por nuk mora asnjë përgjigje sqaruese. Ata më thanë vetëm kaq për rastin në fjalë, s’ka patur në vendim asnjë hollësi të veçantë. Në çdo vendim, theksuan këta, shkruhet arsyetimi juridik, (numri i ligjit, nenet) dhe në cilin rreth zbatohet.
Nuk dinin ç’shpjegim të jepnin, pse familja juaj përfundoi në kasollen e lopës së rojtarit të pyjeve, në fshatin Ardenicë, duke patur parasysh që kamioni nuk ndaloi në asnjërën nga pikat e grumbullimit dhe prej këndej, mori urdhrin e çuditshëm për të vazhduar më tej udhëtimin. Pra, nga nisja deri në mbërritje, s’pati asnjë ndalesë. Pikërisht brenda këtij urdhri, duhet të fshihet pa asnjë mëdyshje, egërsia e dikujt me ndikim. Përderisa ky veprim mbetet edhe sot e kësaj dite enigme, pa një shpjegim ligjor, futen vetvetiu në përdorim hamendësimet keqdashëse.
Fakti që ty, si gazetar i thjeshtë në Radio, nuk të ka rastisur të intervistosh ndonjë funksionar të lartë në dikastere të rëndësishme, rrëzon poshtë hamendjen se ke shkelur dikë në kallo. Këtij fakti i shtohet sjellja dhe qëndrimi yt shembullor në punë. Tjetër: duke qenë natyrë e qetë dhe e heshtur, jo shpërthyese, e përjashton pjesëmarrjen tënde në debate të nxehta politike. Këto pohim e vërtetojnë dhe proces-verbalet e gjyqit kundër gazetarëve: në asnjë rresht nuk përmendet emri yt, edhe pse punove në një zyrë me Vangjel Lezhon. Të gjitha këto e nxjerrin figurën tënde krejt të pastër, pa asnjë njollë.
Ndërkaq njohja befasuese me sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve, gatishmëria e tij për të të ndihmuar, (pasi u bind që ju keni aftësinë e një prozatori të shquar, me gjithë moshën e re, dhe këtë e shprehu me një deklaratë zyrtare, drejtuar zëvendësministrit të parë të Arsimit), sidomos treguesi mjaft domethënës, romani satirik ‘Madam Doktoresha’, i shkruar në moshën 21 vjeçare, ka nxitur instinktivisht xhelozi tek një apo disa ambicioze të përkëdhelur, të cilët kanë bërë përpjekje që emri yt, të lihet në harresë të plotë, e më pas të fshihet krejtësisht. Këtë e provon edhe qarkullimi në boshllëk i dorëshkrimit të romanit apo botimi i gjymtuar i tregimit të gjatë ‘Teto Maga’, në revistën ‘Nëntori’, vetëm pjesa e parë, pa shënimin redaktorial”!
Po e dëgjoja me vëmendje të jashtëzakonshme dhe mjaft i habitur. Kurrë s’do ta besoja që shefi i madh i Partisë në rrethin e Lushnjes, kishte shfaqur një interesim kaq të hollësishëm për mua, në të gjitha drejtimet! Së pari, kjo dëshmi provonte pjekurinë dhe maturinë, si drejtues me pikësynime të qarta njerëzore. Ende më dukej si ëndërr qëmtimi dhe thellimi i tij, deri në detajet më të domosdoshme, para marrjes së vendimit tronditës, falë të cilit u zëvendësua forma e egër e hakmarrjes, me një qëndrim disa herë më të zbutur, që mundësoi mbijetesën! Përndryshe, po të vazhdonte ritmi me brejtjen gërryese të përditshme, do sillte pasoja nga më të llahtarshmet dhe shkatërrimtaret! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016