Nga Kabil Bushati
Memorie.al / Është bërë zakon nëpër çdo evenimente shkollor që mësuesit e parë të quhen jo pa krenari: “komisarë te dritës”. Ky epitet tashmë ka fituar të drejtën e qytetarisë si reminishencë e së kaluarës diktatoriale. Por, ka një nonsens të madh në këtë togfjalësh, të kushtuar mësuesve tanë. Pra kujtojmë ata që i gjetën gati këto shkroja dhe harrojmë ata që na i sollën këto shkonja, përmes vuajtjesh e privimesh të skajshme. Pikërisht po harrojmë ata mësues dhe mësuese që qindvjetsha më parë, na i sollën dhe na i “mëkuan” këta germa të dashura shqipe. Askush nuk kujtohet për ato mësues, që shkrojtën germat shqip në kohën e perandorisë osmane, at’here kur trekëndëshi i të varurit, u qëndronte mbi kokë si mallkim i shekujve.
Në këtë shkrim nuk kam për qëllim ta çoroditur lexuesin, nga njëra degë në tjetrën, por të flas pak dhe saktë dhe me dokumenta të hulumtuara në Arkivin Qendror të Shtetit, për njërin prej të parëve të mi, që la gjurmë në përhapjen e arsimit në Shkodër. Që në fëminë e hershme mbaj mend, se vëllai i më i madhi, Qazimi, më thoshte se baba më merrte përdore dhe më çonte tek vorret e xhamisë së “Dudasit” dhe aty përpara ngrihej një varr së bashku me ca varre të tjerë, ku shkruhej “Molla Ahmet Bushati”.
Këto katër pesë varre ishin në sheshin përpara xhamisë, për njerëzit më dinjitozë të lagjes. Babai më thoshte se ishte varri i gjyshit të tij. Pikërisht edhe unë po e nisi nga ky varr, që sot nuk ekziston më, bashkë me xhaminë, pasi stuhia e marrë “6 Shkurtit 1967”, i rrafshoi të gjitha.
Ahmet Bushati i parë sipas dokumentacionit që kemi arritë të mbledhim, u lind në Shkodër me 1833, fëmija dhe trashëgimtari i vetëm i Hysen Bushatit. U lind në lagjen “Dudas”, në lagjen e Dasho Shkrelit, që dha jetën në betejën e Shpuzës kundër malazezve, në vitin 1835, duke u shndërruar në hero për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Shkodra kishte akoma në kujtesë sundimin e Bushatlijvet dhe ruante respekt të madh për ta. Kishte pothuaj dy vjet që kishin rënë nga pushteti dhe kishte ikur ne Stamboll, Veziri i fundit Bushatli, Mustafa Pasha Bushatlija, me grua e fëmijë e kushërinj të afërt, duke lënë pas kompleksin e pallateve në Kosmaç, të cilat më pas do t’i merrte Drini, i cili kishte ndryshuar drejtim nga tërmeti.
Kështu shkruan Nasuf Beg Dizdari, në revistën ‘Albania’ të Konicës me 15 korrik 1898. Sipas tregimeve të bashkëkohësve, Ahmeti, figuron si nxënës mejtepi në lagjen “Ndocej”. Kjo shkollë fillore gjendej afër me shtëpinë së tij. Në moshën tetë-vjeçare, e frekuentoi së bashku me shokë të tjerë të lagjes, për dy vite radhazi. Më pas, në biografinë e Ahmetit shënohet se që në vitin 1845, kishte filluar që në moshë të njomë, të mësonte arabishten dhe të merrte mësime të ndryshme teologjie, nga myderrizët e mirënjohur të Medresesë së Pazarit, institucion i themeluar nga Mehmet Pashë Plaku (Bushatliu).
Më pas, ai kreu me sukses Medresene e Pazarit. Nga dora e mësuesve të respektuar, si Salih efendia i Madh, Molla Ahmet Hadri dhe Molla Sylo Fakja, si dhe të myderrizëve të huaj të shquar, që ishin atashuar nëpër institucionet arsimore të Shkodrës, u përgatit një kontingjent klerikësh, që më vonë u afirmuan dhe u bënë të famshëm, duke nderuar veten, institucionin dhe vendin: Jusuf Tabaku, M. Ahmet Kalaja, Hasan Efendi Podgorica, Daut Efendi Boriçi, etj.
Siç del dhe nga dokumentet, stërgjyshi im ka lindur në lagjen “Dudas”, diku nga viti 1833. Shtëpia e tij ka qenë afër asaj të Vorfajvet. E quaj me vend të sqaroj diçka, lidhur me emrin e lagjes, që deri më sot ka pasë një trajtim të gabuar. Le të merremi pak me etimologjinë e fjalës “Dudas”. Shumë studiues profesionistë dhe amator spekulantë të thekur, e bijnë prejardhjen e kësaj fjale, nga emri Dodë, duke e zbutë zanoren në “u”. Shumë konformistë për arsye nga më të ndryshmet, duke ruajt me fanatizëm dhe duke ju përshtatë konjukturave të kohës, nuk e kanë kundërshtuar këtë ide jo të saktë. Ndërsa për mendimin tim, kjo fjalë rrjedh nga turqishtja, “dud”, që të thotë “man”, vend me mana shumë, që do të thotë Dudas. Një fjalë e tillë është kuptimplote, sepse në “Dudas”, ka qenë pyll me mana, që qytetarët i përdornin gjethet e tyre, për të rritur krimbat e mëndafshit. Në atë kohë, qyteti i Shkodrës prodhonte mëndafsh të një cilësie të dobët.
Babai i tij, Hyseni ka ardhë në këtë lagje të Shkodrës, me gjithë familjen e tij, rreth vjetëve 1794-‘95 duke u shpërngulë nga lagja “Tabake”, afër Kalasë. Me rënien e Bushatlijvet, Hyseni mbeti i vetëm në këtë botë, pasi tre vëllezërit e tjerë, ju vranë në betejat e fundit të Mustafa Pashë Bushatliut, në betejat e Tarabulluzit, duke luftuar për nderin e Bushatlijvet. Kjo lagje në ditët e sotme, nuk ekziston më si e tillë.
Ajo ishte e vendosur në fund te kështjellës Rozafat, në breg të djathtë të lumit Drinaz (Drin). Emri i kësaj lagjeje përpara pushtimit turk, nuk dihet. Me ardhjen e osmanëve, lagjet përreth kalasë, morën emrin e personave bamirës, të pozicionit gjeografik, apo të profesionit që ushtrohej ma tepër nga banorët e asaj lagjeje. Konkretisht, emri “Tabake”, rrjedh nga fjala turke, “regjje lëkurash”.
Në këtë lagje merreshin kryesisht me regjie lëkurash, pasi ishte në pozicion në hyrje të qytetit dhe hynte tërë fshatarësia e Nën-Shkodrës. Kjo lagje kishte dy rrugë kryesore: njëra e lidhte me Urën e Bahçallëkut, ndërsa tjetra që nuk gjendet më, ishte rruga tregtare që mbas xhamisë së Plumbit, kalonte nëpër urën e Kirit, duke ndjekur drejtimin nga Vau i Dejës, Pukë, Prizren etj. Lagjja “Tabake”, në periudhën e Bushatlinjve, qe ndër lagjet ma të përmendura dhe të para te Shkodrës. Që në vitin 1846, filloi devijimi i Drinit nga shtrati i vjetër, duke formuar Drinazin e sotëm, së bashku me lumin Kir dhe gradualisht mbushi me zhavor Bunën.
Kjo ishte gjendja e Shkodrës, kur Ahmet Bushati fëmijë, filloi të ndjekë Medresen e Pazarit. Kishte filluar të lëvrinte mësimi i gjuhës shqipe nëpër shkollat e qytetit. Por duhet të theksojmë shkurtimisht, se fillimi i Rilindjes sonë Kombëtare, solli përpjekje të reja e serioze, edhe nga feudalët vendas, për përdorimin e shqipes në administratë. Dokumentet flasin se: “Më 1830, në një mbledhje që organizoi Mustafa Pashë Bushati me parinë, kundër reformave, u ngrit zëri për një administratë të brendshme shqiptare, në gjuhën e vendit, kërkesë që do ta bëjë më vonë të sajën Rilindja Kombëtare”. Kemi një përpjekje të organizuar për mësimin e gjuhës shqipe, sidomos në korrespondencën tregtare, gjë e cila nuk vonoi dhe u vu në jetë, nga administrata e asaj kohe.
Sundimtaret Bushatllinj, nuk qenë njerëz të pashkolluar: me interesimin e tyre të drejtpërdrejtë, u morën nisma kulturore-arsimore që, pavarësisht nga modelet e importuara, u shërbyen proceseve intelektuale dhe ndihmuan që të shpërndahej “smogu” i padijes dhe i amullisë mesjetare. Medresete e bibliotekat që u hapën e funksionuan me kujdesin e vazhdueshëm të Mehmet Pashë Plakut, Karamahmutit e Mustafa Pashës, krahas pikësynimeve fetare, rrezatonin dituri e kulturë të përgjithshme.
Vlen të theksojmë se me sundimin e Bushatlijvet, kontratat që hartonin tregtarët e Shkodrës, ishin të shkruara shqip. Nuk duhet harruar se në këshillat e dijetarëve të pallatit pranë vezirëve, të përbëra prej dijetarësh, teologësh, juristësh, etj., funksiononin edhe rrethet e poetëve, krijuesve, rapsodëve, duke shërbyer jo vetëm si konsulentë me prestigj, ose si argëtues, por edhe për të zhvilluar biseda e debate të sferave të ndryshme të diturisë.
Është e natyrshme të mendohet se e tërë kjo veprimtari, bëhej në gjuhën amtare, ashtu si edhe në medresetë e në mejtepet, pavarësisht nga gjuha e teksteve. Pas vitit 1846, si rrjedhojë e dekretit sulltanor, lejohej hapja e shkollave laike shtetërore, çka i hapte dyert fillimit të lëvizjeve për arsim e kulturë. Duke qenë se për pjesën myslimane lejohej vetëm përdorimi i alfabetit arab, intelektualët myslimanë të kohës, u munduan që përmes këtij alfabeti, të përhapnin mësimin e gjuhës shqipe, qoftë si mjet të ngushtimit të betejës kulturore, qoftë si armë që përballonte asimilimin nga të huajt dhe shkombëtarizimin.
Gjuha e ëmbël shqipe, ndonëse e palëvruar, megjithëse e rrethuar dhe e ndodhur nën ndikimin e gjuhëve të mëdha të përparuara, që tentonin t’i merrnin frymën, si turqishtja, greqishtja, italishtja etj, e ruajti burimin e saj të lashtë amtar, e ruajti tharmin, i mbajti të gjalla lidhjet shoqërore në gjirin e popullsisë, si dhe i zhvilloi ato më tej, duke e pasuruar kështu thesarin e madh të kulturës kombëtare. Me ndihmë të qytetarëve katolikë, por dhe me subvencione dhe shpërblime nga Austro-Hungaria, mbaheshin edhe tri shkolla femërore, ku jepnin mësim tri mësuese shkodrane, që janë; Kushe Micja (1859), Tereza Berdica (1862) dhe Tina Nikë Gjergji (1869). Pra në kushtet kur gjuhës shqipe i ishin vënë thonjtë në fyt, për ta bërë me dhanë shpirt, dolën tri zonja Shkodret dhe i dhanë frymë.
Pasi punoi disa vjet si imam në xhamia të ndryshme të qytetit, me kërkesë të Daut Efendi Boriçit, në atë kohë kryeinspektor arsimit për Vilajetin e Shkodrës, drejtuar Valiut, Ahmet Bushati emërohet mësues pranë mejtepit të xhamisë Ana-liqenit (Mahalla e Re). Të bën përshtypje fakti se, sa korrekte është përgjigja e Valiut, lidhur me procedurat burokratike shkresore që kalon Ahmet Efendi Bushati, me emërimin e tij si mësues. Kjo tregon se ai ishte për kohën një personalitet, njeri i shkolluar, i ditur dhe me reputacion në lagje, i cili gëzonte respektin e komunitetit. Por si gjithnjë, ai ishte i pazëshëm për veten e tij.
Ndër të tjera, Valiu nënvizon për Daut Boriçin: “Meqenëse me shkresën e datës 15 shkurt 1871, na njoftoni se duke filluar nga data 27 shkurt e vitit 1871, si mësues i mejtepit të Ana-liqenit (Mahallës së Re), në vend të Abdullah Efendiut të larguar, është emëruar Ahmet Efendi Bushati, kundrejt rrogës mujore të mësuesit, por deri më sot nuk është kryer ende veprimi i regjistrimit zyrtar të këtij urdhri, nga ana e Këshillit Drejtues të Vilajetit, prej sot urdhërohet kryerja e këtij veprimi, 23 shkurt 1871. Ismail Haki, Vali dhe Komandant i Shkodrës. (Marrë nga Ditari i Daut Boriçit, fleta nr.70, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit).
Elementi mysliman i qytetit, kishte mejtepet si qendra të shkollimit fillestar, ku mësim jepte vetëm një hoxhë, që paguhej prej nxënësve, me përjashtim të ndonjërit nga mësuesit, që paguhej nga shteti. Këtu mësonin fëmijë të vegjël e të rinj, deri në 13-14 vjeç. Këto mejtepe njiheshin me emrat e hoxhëve që jepnin mësim dhe ishin të vendosur në Pazarin e Vjetër, por edhe në qytet. Mejtepe të njohura në Pazar, ishin: Mejtepi i Molla Ferhatit (1830), i Mulla Halil Boriçit, i Mulla Mustafës, i Mulla Kamberit, i Mulla Abdylit, i Mulla Abdullahit të Vogël, i Mulla Hysein Shazit, i Mulla Sylos dhe i Mulla Jakupit. Mbasi kryenin mejtepin për një periudhë katër-pesë vjeçare, disa nga djemtë, ndiqnin mësimin në medrease, e disa bëheshin shegertë pranë ndonjë mjeshtri zanatçi, apo tregtari.
Kur qyteti nisi të përparojë me shkolla fillore të rregullta, mejtepet e Pazarit e humbën rëndësinë dhe që nga viti 1910 e më pas, erdhën duke u mbyllur njeri pas tjetrit. Një varg mejtepesh të këtij lloji, vepronin edhe brenda në qytet, ku më i përmenduri qoftë për nga disiplina, qoftë për nga frekuentimi, ishte ai i Molla Medos (1892) në qendër të qytetit. Ai grumbullonte afro 500 fëmijë, me moshë 6-14 vjeç.
Që në çerekun e fundit të shekullit XIX-të, në lagje të ndryshme të qytetit, u hapën 11 mejtepe. Pra kësaj plejade arsimdashësish të suksesshëm, i përket edhe Molla Ahmed Efendi Bushati. Nuk është rastësi shkresa që i dërgon pas 2 vjetësh Daut Boriçi si drejtor arsimit i vilajetit të Shkodrës, Valiut të Shkodrës, ku kërkohet që Ahmet Efendi Bushati, të çelë për herë të parë mejtepin e lagjes “Dergut”.
Ismail Haki, Vali dhe Komandant i Shkodrës:
“Pas kërkesës së ardhur nga ana e banorëve të lagjes “Dërgut”, me anë të shkresës zyrtare, u kam sqaruar se nuk ka para shtesë për fondin e arsimit dhe kjo situatë nuk përbën ndonjë detyrë të ngutshme, atëhere në lidhje me akordimin e para të kërkuara (nga ana e popullit), si dhe në raste të tjera të ngjashme, por veçanërisht në lidhje më rrogën prej 195 groshësh së mësuesit të mejtepit, që i jepet imamit të asaj lagjeje, Ahmet Efendi Bushatit, nëse është e mundur të të mbulohet nga arka e bashkisë, dhe nga ana e drejtuesve të shtetit, është dhënë leja e kërkuar në lidhje me këtë çështje dhe nga ana e zyrës së bashkisë, me anë të shkresës zyrtare (bujrulldi), është urdhëruar të veprohet në përputhje me urdhrin e marrë, sipas së cilës rroga e caktuar, është përfshirë në buxhetin e bashkisë duke filluar nga mars i vitit 1874, prandaj me anë të kësaj shkrese, i përkujtojmë Këshillit Drejtues të Vilajetit, se kemi për qëllim që ditën e enjte në vijim, të përurohet çelja e mejtepit në fjalë, e cila është parashikuar që të ngrihet me ndihmën financiare të banorëve të lagjes, data 4 mars 1873. (Marrë nga Ditari në osmanisht i Daut Boriçit, fq. 121, që ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit).
Çelja për herë të parë e mejtepit në lagjen “Dërgut”, nga ana e Ahmet Efendi Bushatit, ishte një eveniment i rëndësishëm për tërë komunitetin. Kudo në lagje, ishte festë e vërtetë. Atë ditë u mblodh tërë banorët e lagjes, me fëmijë e katandi dhe mes gëzimit të pa treguar inauguruan mejtepin e tyre. E të gjitha këto i bënte për hir të Zotit, duke sakrifikuar kohën e çmuar, pa marrë parasysh lodhjen e mundimet e jo rrallë, duke përballuar shpenzime shpeshherë edhe të rënda për kuletën e tij, vetëm për të arritë suksesin.
Përkushtimi dhe devotshmëria e tij, e shoqëruar me vullnetin e përpjekjet e shumta e të pareshtura, bënë që dituria e aftësitë në drejtimin e veprimtarive fetare në lagjen ku shërbente, në xhaminë e “Dërgutit”, të lidheshin fort, gjithnjë e më tepër me jetën e popullit, me preokupimet e hallet e tij. E këto halle të jetës shoqërore të përditshme, në raste të caktuara merrnin karakter të theksuar atdhetar e politik, prandaj Ahmet Efendija, edhe pse klerik i devotshëm, u bë një udhëheqës shpirtëror në shumë fusha të veprimtarisë shoqërore, kryesisht të jetës familjare qe kishte të bënte edhe me edukatën atdhetare të fëmijëve të Dërgutit.
Në vitin 1857, ishte anëtar aktiv i Degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, degë e cila drejtohej nga Daut Efendi Boriçi. Ahmeti ishte pjesë e elitës kleriko-politikano-patriotike shkodrane, e cila që më datë 10 qershor 1878, ende pa u krijuar mirë Lidhja e Prizrenit, u pozicionuan drejt dhe u prononcuan shumë shpejt në krahun e Lidhjes së Prizrenit. Në këtë datë u njoftua se Shkodra, bashkohej me Lidhjen dhe se do të dërgonte delegatët e vet, të cilët u nisën me vonesë për shkak të situatës së krijuar në kufirin me Malin e Zi. Aktiviteti i tij politik spikat kudo.
Pas disa viteve punë intensive, Ahmeti transferohet si imam dhe mësues mejtepi, pranë xhamisë së në lagjen “Dudas”, ku punoi pa ndërprerje gjer në fund të jetës. La pas vetëm një djalë, Alushin i cili u martua me Nurijen. Alushi la pas dy djem, Ahmetin (Metin) dhe Rizanë, të cilët e mbushën shtëpinë me djem e vajza Qazimin, Qamilin, Kabilin, Fatmirin, Fitnetin dhe Driten. Djali i madh, sipas adetit shkodran, mori emrin e gjyshit. Në “Dudas”, ishim kojshi me familjen e nderuar të Alo Vorfës. Shtojmë, se nipi i Ahmetit, që është babai i im, ka marrë pjesë së bashku me të rinjtë e lagjes në Luftën e Koplikut, më 1920-ën, por këtë do ta paraqes më gjerë, në historinë e familjes që jam duke shkruar.
Pas një karriere të suksesshme që do ta kishte zili çdo mësues dhe çdo shërbyes fetar, në mesin e vitit 1911, Molla Ahmet Efendi Bushati, mbylli sytë përgjithnjë dhe u nda nga kjo jetë. Funerali i tij u be madhështor, me një pjesëmarrje të gjerë nga tërë Shkodra. U varros para xhamisë së “Dudasit”, së bashku me njerëzit e shquar të kësaj lagjeje. Varr të cilin diktatori do ta prishte bashkë me xhaminë, në vitin 1967, kur Shqipëria u vet shpall; “shteti i vetëm ateist në botë”. Memorie.al