Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al / Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë data 18 dhjetor e vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës së Enver Hoxhës. Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, Memorie.al, ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota.
Në dosjen në fjalë, gjenden faksimilet përkatëse, akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor, që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, si dhe ekspertin kriminalist të Laburatorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, Xhule Çiraku, Elham Gjika dhe Lahedin Bardhi.
Gjithashtu në dosjen voluminoze në fjalë që po bëjmë publike, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit dhe grupit të tij të shoqërimit, si dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje. Për më shumë rreth kësaj etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
Por, edhe pse kemi të bëjmë vetëm me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur tashmë se si ka funksionuar ai sistem i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga personat që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga hetuesit e kësaj çështje, është bërë e ditur se; ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
DOKUMENTI ARKIVOR, ME PROCES-VERBALIN E MARRJES NË PYETJE TË ISH-MJEKUT PERSONAL TË MEHMET SHEHUT, LLESH TOM RROKU, NGA ANA E HETUESVE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, SOKOL KOLEKA DHE BASHKIM CAKA
PROCES-VERBAL
(I pyetjes së dëshmitarit)
Sot më datën 8.4.1983, në Tiranë.
Ne hetuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sokol Koleka dhe Bashkim Caka, marrim në pyetje si dëshmitar, Llesh Tom Rroku, i datëlindjes 1949, me arsim të lartë mjekësor, me banim në Lagjen “Heronjtë e Vigut”, Apartamenti 34 në Lezhë, mjek në fshatin Balldre në Lezhë, kandidat për anëtar partie, i padënuar!
Hetuesi më paralajmëroi për përgjegjësinë penale të nenit 202 të Kodit Penal, për dëshmi të rreme.
Dëshmitari
Llesh Rroku
Në lidhje me çështjen, mund të them sa më poshtë:
Unë kam shërbyer pranë familjes së tradhtarit Mehmet Shehu, për katër vjet, si mjek kardiolog. Më datën 17 dhjetor 1981, unë kam shkuar së bashku me Mehmet shehun, mbasi ai ka shkuar në mbledhje dhe unë kam qëndruar në dhomën e sekretarit të tij. Gjatë pushimeve të kësaj mbledhje, Mehmet Shehu vinte tek unë që i masja pulsin dhe tensionin.
Gjatë vizitave që i kam bërë në këtë vend, unë kam konstatuar se Mehmet Shehu, pulsin e kishte të lartë, ndërsa tensionin e kishte të lartë nga normalja që e kishte 11, me 11.5. I kam dhënë disa qetësues dhe ai ka shkuar përsëri në mbledhje, e cila me sa mbaj mënd, ka mbaruar rreth orës 14 e 30. Kur kam qenë në këtë vend, paradite, unë kam marrë në telefon mjekun tjetër, Milto Kostaqi, i cili qëndronte në dhomën e punës sonë, pranë grupit të shërbimit dhe i kam thënë në gjuhën frëngjisht, se Mehmet Shehu e ka pulsin dhe tensionin të lartë, prandaj i thashë që edhe ai të mos largohej nga vendi i punës……….!
Mbasi ka mbaru mbledhja, e kam shoqëruar Mehmet Shehun për në shtëpinë e tij, ku tek dera e hyrjes e priste Fiqret Shehu dhe së bashku kanë shkuar në zyrën e katit të parë. Këtu i kam matur Mehmet Shehut përsëri tensionin, të cilin vazhdonte që ta kishte të lartë. I thashë që të pushonte, pasi kishte nevojë. Ai më tha se nuk do pushonte dhe unë jam larguar dhe kam shkuar në vendin e punës time që ndodhet jashtë banesës së Mehmet Shehut……..!
Rreth orës 15.45, Mehmet Shehu, duke qenë në dhomën e tij të gjumit, më ka kërkuar mua përsëri që ta vizitoja. Unë kam shkuar atje dhe pashë që Mehmet Shehu ishte në dhomë, së bashku me Fiqreten, e cila ishte veshur me robdisham, kurse Mehmeti ishte veshur me kostum, që më la të kuptoja, se ai nuk kishte pushuar në drekë. Unë i kam matur Mehmet Shehut pulsin dhe tensionin, të cilat i kishte të larta, por jo sa paradite, kur ishte në mbledhje. Në këtë kohë, Mehmet Shehut i është shpënë kafe dhe fruta. Unë jam larguar nga dhoma e tij dhe po prisja, mbasi mora vesh se mbas dite ai do shkonte në mbledhje.
Kështu mesdite unë e kam shoqëruar Mehmet Shehun në mbledhje, në Komitetin Qendror dhe e kam vizituar edhe njëherë gjatë pushimit të mbledhjes, ku tensionin e kishte të lartë dhe unë i kam dhënë ilaç për uljen e tensionit. Unë kam njoftuar përsëri mjekun Milto Kostaqi, duke i thënë që të më priste mua në vendin e punës, deri sa të ktheheshim nga mbledhja……………….!
Mbasi ka mbarur mbledhja, rreth orës 20.30, unë e shoqërova Mehmet Shehun për në shtëpinë e tij dhe kur ai është futur tek dera e shtëpisë, i ka dalë përsëri përpara Fiqretja, kurse unë jam larguar për në vendin tim të punës, ku i thashë dhe Milto Kostaqit, që atë natë ai të mos shkonte në shtëpi, mbasi Mehmet Shehu pulsin dhe tensionin e kishte të lartë dhe Milto ishte dakord.
Kur unë kam qenë tek dhoma e oficerëve, Mehmet Shehu më ka kërkuar përsëri që ta vizitoja dhe kur shkova e gjeta në zyrën e tij në katin e parë, së bashku me Fiqreten. Unë i mata pulsin dhe tensionin, të cilat e kishte përsëri të larta dhe unë i rekomandova ilaçet për uljen e tensionit. Mehmet Shehu më tha se dua të pi një kafe, unë i thashë që kafen nuk duhet ta pini, pasi ajo rrit tensionin, por ai tha se do ta pinte dhe kërkoi t’i sillnin kafe në këtë dhomë.
Mehmet Shehu më pyeti mua se kush është sonte me shërbim dhe unë i thashë se është oficeri i radhës, më pyeti a është Ali Çeno dhe unë i thashë që këtu është, mbasi kisha mendimin se Ali Çeno, nuk duhet të kishte shkuar në shtëpi. Kur kam shkuar tek dhoma e shërbimit, ku ishte oficer Pëllumb Rusto dhe një shofer i gatishmërisë, nuk e gjeta Ali Çenon aty dhe ose e kam marrë vetë në telefon dhe i kam thënë për bisedën që kam bërë me Mehmet Shehun, ose i kam thënë Pëllumb Rustos, që të njoftojë Aliun. Kështu Aliu ka ardhur më pas me makinë…………….!
Unë Ali Çeno, Dashamir Rama, Pëllumb Rusto, Milto Kostaqi dhe shoferi gatishmërisë, kemi qëndruar në godinën e oficerëve të shërbimit, deri rreth orës 24.00, pastaj kemi fjetur në dhoma të ndryshme, po aty. Në mëngjesin e datës 18.12.1981, rreth orës 7.55, kur kemi qenë tek dhoma e grupit të shërbimit, kemi dëgjuar që Vladimir Shehu, me steriofoni, tha që të vinte Ali Çeno lart, në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Aliu ka ikur me shpejtësi, kurse ne të tjerët kemi qëndruar aty, mbas rreth 4–5 minutash, kemi dëgjuar që Vladimiri me steriofoni njoftoi, që të vinë mjekët urgjent lart. Në këtë moment, unë, Milto Kostaqi dhe ndihmësmjeku Nestor Lezho, me të gjitha mjetet e nevojshme, u ngjitën me shpejtësi në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut.
Derën e gjetëm hapur. Në korridorin para kësaj dere, ishte Vladimiri. Unë dhe Miltoja u futëm në dhomë, pasi Vladimiri na tha; “shiheni, shiheni babanë”, ndërsa ndihmësmjeku qëndroi jashtë në korridor. Sapo u futëm brenda, unë dhe Miltoja u drejtuam nga krevati dhe pamë që Mehmet Shehu ishte shtrirë në krevat me fytyrë nga tavani, i zverdhur, me gjyzlykë, me batanije gjer në grykë.
Miltoja i hoqi batanijen, hoqi dhe një nga jastëkët që kishte në kokë, i vumë dorën në ballë dhe në puls, balli i tij ishte i ftohtë dhe pulsi nuk punonte, në krahun e majtë të zemrës së tij pamë një njollë gjaku. Në krahun e djathtë të trupit të Mehmet Shehut, pothuaj në mes të krevatit, mbi batanije, pashë një pistoletë në mes të krevatit dhe nga të gjitha këto, mora vesh që Mehmet Shehu ishte vetëvrarë dhe nuk kemi bërë asnjë veprim.
Kur u zmbrapsa nga krevati, pashë se rreth një metër larg nga krevati, ishte një gëzhojë, të cilën e mora me dorë dhe e vendosa sipër komodinës së krahut të majtë të krevatit, ku ishte trupi i Mehmet Shehut. Veprime të tjera mbi trupin e Mehmet Shehut dhe krevatin e tij, unë nuk kam bërë, kurse Miltoja e ngriti përsëri pak nga koka, duke i vënë jastëkun që hoqi më parë dhe e mbuloi me batanije.
Kur unë me Milton u futëm në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, vura re që dera e zyrës së tij në katin e dytë që është në vazhdim të kësaj dhome gjumi, ishte hapur dhe tek tavolina e zyrës ishte Ali Çeno, së bashku me Jonuz Luton, ku Ali Çeno po bisedonte në telefon, për të njoftuar si duket për ngjarjen, por se me cilët persona po bisedonte, unë nuk e di. Unë me Milton kemi dalë nga dhoma e gjumit të Mehmet Shehut dhe kemi qëndruar në korridorin e katit të dytë, tek kolltukët. Mbas nesh kanë dalë dhe Ali Çeno e Jonuz Luto, që kanë qëndruar edhe ata në korridorin e këtij kati. Më pas ka ardhur dhe një shok i Ministrisë së Punëve të Brendshme………………………!
Para se të vinte grupi hetimor, siç dëgjova nga të pranishmit, ka ardhur Kadri Hazbiu, i cili është futur në dhomën e gjumit të Mehmet Shehut, i shoqëruar nga Ali Çeno dhe Vladimiri. Kadri Hazbiu ka shkuar tek dhoma e Fiqretes, ku është takuar me Fiqreten……………………………………………..!
Mbasi ka ardhur grupi hetimor, unë nuk kam qëndruar në katin e dytë, por jam ulur në katin e parë. Në katin e dytë, është vendosur Pëllumb Rusta, si roje me armë. Kam vënë re që Elham Gjika, hynte dhe dilte nga dhoma e gjumit e Mehmet Shehut, por se ku shkonte dhe çfarë veprimesh kryente, unë nuk e kam parë……………………………………………..!
Nuk e di nëse në kohën që janë pyetur dëshmitarët, kishin mbaruar apo jo veprimet, në katin e dytë. Dëshmitarët janë pyetur në një dhomë në katin e parë. Këtu jam pyetur edhe unë nga Koço Josifi dhe Elham Gjika, i cili nuk ka qëndruar deri në fund të pyetjes sime, por ka dalë, se ku ka vajtur, unë nuk e di. Me sa më kujtohet, në këtë vend janë pyetur dhe Fiqret Shehu dhe Vladimiri, por unë nuk e di se nga cilët persona konkretisht, janë pyetur secili……………………….!
Ndërsa Fatbardha dhe Milto Kostaqi, nëse janë pyetur aty atë ditë aty, apo jo. Unë nuk e di nëse mbas pyetjes së dëshmitarëve, ata të hetuesisë janë ngjitur përsëri në katin e dytë, mbasi nuk kam parë gjë…………………………..!
Kur është bërë këqyrja e dhomës nga grupi hetimor, unë siç e thashë nuk kam qenë aty dhe nuk e di se çfarë veprimesh janë kryer………………………………………………..!
Sqaroj se veç rastit që më kanë pyetur atë ditë, mua më kanë pyetur edhe njëherë tjetër në zyrën e Elham Gjikës në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku procesi është shtypur me makinë. Në këtë rast ka qenë Koço Josifi me Elham Gjikën. Jam pyetur edhe në një rast tjetër në klinikën e udhëheqjes, nga dy persona të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët unë nuk i njoh…..!
Proces-verbalin pasi e lexova dhe pashë që thëniet e ija janë shkruar drejt, e firmos……………………! Memorie.al
Dëshmitari H e t u e s a t
Llesh Rroku Bashkim Caka Sokol Koleka
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016