Nga Eugen SHEHU
Memorie.al / Murat Basha ka lindur në fshatin Plan të Bardhë në Mat, në vitin e largët 1900. Bashajt asaj kohe hynin në dyert e mëdha jo vetëm të Matit por krejt viseve shqiptare. Veli Basha gjyshi i Muratit në vitet e lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kishte qenë krahu i djathtë i Xhelal Pashë Zogollit, Iljaz Pashë Dibrës dhe krejt asaj plejade të shkëlqyer prijësish ushtarakë, të cilët me luftën e tyre i treguan Evropës se kufijtë etnike të Shqipërisë, ishte vështirë të shkeleshin.
Madje me aktin e tyre heroik të kërkesës për autonomi, i rrëfyen Portës së Lartë, se dinin jo vetëm të mbroheshin por, edhe të qeverisnin. Veli Basha, në krye të matjanëve trima, ka marrë pjesë dhe ka luftuar në mënyrë të veçantë në trojet shqiptare në Mal të Zi, aty ku rreziku qe më i madh.
Në atë të shekullit të XX-të, babai i Muratit, Hyseni do të lidhej ngushtë me lëvizjen autonomiste shqiptare dhe njëherazi, do të vijonte miqësia dhe besa e pathyer me familjen Zogolli. Në shtëpinë e Bashajve në Plan të Bradhë, do të organizoheshin kuvende të fshehtë, ku do të flitej për Komitetin e Manastirit, ç’pat vendosur ai dhe cilat ishin rrugët që vlente të ndiqeshin për të përhapur në popull idenë e lume të pavarësisë së Shqipërisë. Pikërisht në këtë mjedis, ku burrat kishin rrokur armët, për t’u dalë zot fateve të vendit, kur lumi i Matit nuk rridhte vetëm lugjeve dhe gurëve por edhe legjendave, u rrit dhe u burrërua Murat Basha.
Në shtëpinë e tyre do të shkonte shpesh Said Najdeni, i cili nën petkun e dervishit, do të çonte aty libra shqip dhe do t’i mësonte Muratit – djaloshar, jo vetëm të shkruajë e lexojë gjuhën e bukur shqipe, por historinë e lavdishme të kombit tonë. Njëherazi në rininë e tij, Murat Basha, do të vijonte miqësinë e thellë me familjen Zogolli e, në mënyrë të veçantë me djalin e vetëm të kësaj familjeje, Ahmetin. Por kjo miqësi u ngjiz në mënyrë të veçantë në vitet 1917-1918, atëherë kur ngjarje të reja do të trokisnin jo vetëm në dyert e kullave të Matit, por krejt Shqipërisë.
Siç dihet Kongresi madhor i Lushnjës, i janarit të vitit 1920, zgjodhi qeverinë e re, një varg burrash të shquar për atdhetarizmin e tyre. Pos të tjerave, ky kuvend, me votim unanim, zgjodhi në funksionin e ministrit të Brendshëm të shtetit shqiptar, Ahmet Zogun. Në këtë kohë, Murat Basha në krye të disa dhjetëra luftëtarëve matjanë, së bashku edhe me prijës të tjerë shqiptarë, kishin organizuar mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës, si nga forcat ushtarake italiane, ashtu edhe prej disa taborëve shqiptarësh të gënjyer, të cilët për të marrë shuma me para, ishin gati të luftonin që Shqipëria, të mos kishte shtetin e vet.
Është i njohur tanimë, akti i djaloshit të Matit, ministrit të Brendshëm shqiptar të asaj kohe, Ahmet Zogut, i cili përballë i pati italianët (veçanërisht në Durrës), ku patën zënë pritë për të mos lejuar qeverinë, të shkonte në Tiranë.
Duke marrë përsipër edhe çastin sublim, vdekjen për atdhenë, Ahmet Zogu, doli përballë këmbënguljes së ushtarakëve italianë. Dhe kësisoj rruga e qeverisë u çel, ndërsa në krah të Ahmet Zogut, qëndronte Murat Basha, 20 vjeçari me trup të gjatë si lastari, veshur me kostumin tradicional të Matit, armatosur me një mal dashurie për atdheun e vet. Me të marrë funksionin e rëndësishëm në shtetin shqiptar të atyre viteve, Ahmet Zogu u ndesh me një varg pengesash të mëdha.
Së pari ishte intervencioni jugosllav në Veri të Shqipërisë, ku mijëra ushtarë të rregullt të Beogradit, për të vënë në jetë elaboratet famëkeq serbe ndaj shqiptarëve, patën pushtuar me dhunë, zjarr e hekur kilometra të tërë prej trojeve dhe brenda kufijve politikë të shtetit amë.
Në bashkëpunim edhe me ministrin e luftës, Ahmet Zogu iu kundërpërgjigj këtij intervencioni, me luftë frontale, dhëmbë për dhëmbë, ndërkohë që qeveria shqiptare ndërmerrte dhe hapa të tjerë politikë e diplomatikë. E vërteta është se Ahmet Zogu, ndonëse në funksionin e ministrit të Brendshëm, nuk thirri dhe organizoi taborre për t’u ruajtur vetë, por në krye të trimeve matjanë përkrah Murat Bashës me shokë, luftoi pa u epur derisa i fundit ushtarë serb u largua prej kufirit shtetëror shqiptar.
Murat Basha së bashku me burrat e tjerë të Matit, do të vijonte të ishte nën urdhrat e mikut të vet, Ahmet Zogu, edhe në rastin e luftimeve në Veri të Shqipërisë, kundër forcave malazeze. Në janar të vitit 1923, atëherë kur kryeministri shqiptar, Ahmet Zogu, do të duhej të përballej sërish me forcat jugosllave, kësaj radhe në Dibër e Starovë, ai urdhëroi Murat Bashën dhe disa prijës të tjerë popullorë, që me çetat e tyre të nxirrnin jashtë kufijve shtetëroren ushtarët serb.
“Pas restaurimit të Legalitetit, më 24 dhjetor 1924, Presidenti Zog, i ngarkoi Hysen Selmanit detyrën e vështirë të drejtimit të reformave në Forcat e Armatosura dhe Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, sidomos në krijimin dhe modernizimin e repartit special të Gardës Kombëtare, më vonë Garda Mbretërore. Në këtë detyrë tejet të rëndësishme dhe delikate, kolonel Hysen Selmani kishte në krah major Murat Bashën dhe këtë mision, këta ushtarakë të shkëlqyer e kryen me sukses të plotë. Me urdhër personal të presidentit, major Murat Basha u emërua Komandant i Shkollës së Xhandarmërisë” (Gazeta “Atdheu” Tiranë, 29 qershor 2003).
Jo vetëm në këtë funksion të lartë por edhe në ata që mori më pas, Murat Basha do të bënte ç’ish e mundur që arma e Xhandarmërisë Shqiptare, të modernizohej e forcohej dita-ditës. Jo pa qëllim, Mbreti Zog, thirri specialistë britanikë në këtë armë, me ç’rast përvoja e tyre u shndërrua në një shkollë të paçmueshme jo vetëm për Muratin, por për të gjithë kuadrot e tjerë shqiptarë, të cilët ndërthurnin tanimë dijet e fituara me atdhedashurinë e mëkuar qysh në djep. Njëherazi në këto funksione, major Murat Basha do të shfaqte edhe personalitetin e vet atdhetar. Në mënyrë të veçantë, në vitet 1936-1938, atëherë kur ndërhyrja italiane në Shqipëri po bëhej gjithnjë e më evidente, Murat Basha u bë barrierë e fuqishme ndaj kësaj ndërhyrjeje, në radhët e xhandarmërisë.
Ai u kujdes që kjo armë kaq delikate, të ishte kurdoherë në shërbim të popullit të vet, pa u shndërruar kurrë lodër të klaneve politike, sado të rëndësishëm të ishin këta. Gjatë tërë këtyre viteve, Murat Basha, u nderua me urdhra e medalje nga vetë Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu. 7 prilli i vitit 1939, si në jetën e krejt shqiptarëve, do të sillte ndryshime edhe tek Murati. Tashmë emri i tij ishte tejet i njohur për Romën – fashiste, ndaj ai largohet nga Shqipëria, si dhe qindra atdhetarë të tjerë, me shpresë se sërish do të ngarendin atyre maleve e brigjeve, në kërkim të lirisë së amshuar.
Për rreth një vit, major Murat Basha do të mbahej i izoluar prej serbëve, në një nga garnizonet ushtarake në Gostivar. Më pas ai do të lidhej ne kolonel Hysen Selmanin dhe Abaz Sul Kupin, me ç’rast nisin nga organizimi për t’u kthyer në atdhe, me qëllim që të luftojnë të bashkuar pushtuesin italian.
Në fillim të vitit 1942, në ilegalitet të plotë, Murat Basha nis organizimin e rezistencës antiitaliane në Mat dhe së bashku me Dule Allamanin, Sul Kurtin etj., radhiten në krah të forcave të Abaz Kupit, me ç’rast kryejnë një varg luftimesh të ashpra deri në kapitullimin e Italisë fashiste, në 9 shtator të vitit 1943. Në muajt që vijuan më pas, në mënyrë të veçantë pasi komunistët shqiptarë i kthyen krahët ‘Marrëveshjes së Mukjes’, Abaz Kupi dhe pasuesit e tij, kuptuan përfundimisht se klika e Tiranës i kishte sytë tek komunistët e Beogradit, ndaj u përpoqën me çdo mjet e mënyrë të gjenin të tjera alternativa, për nacionalizmin e ndershëm shqiptar.
Duke shpresuar në një rikthim të mundshëm të mbretit Zog në atdhe, si faktor bashkimi e mobilizimi për gjithë shqiptarët në luftë kundër okupatorit, këta burra formuan në nëntorin e vitit 1943 Partinë e Legalitetit: Në këtë kuvend, Murat Basha, tanimë i sprovuar jo vetëm për aftësitë luftarake por sidomos mençurinë e atdhetarinë e vet, merr detyrën e udhëheqësit të shtabit legalist. Që në ditët e para të krijimit, ky shtab do të përballej me dy armiq. Nga njëra anë forcat gjermane, okupuese dhe nga ana tjetër, aradhet nacionalçlirimtare shqiptare, të cilat shtinë dy pushkë sa për sy e faqe ndaj okupatorit dhe luftuan duke derdhur gjakun rrëke me vëllezërit e tyre, që mendonin ndryshe.
Pa dashur të sjell shumë argumente rreth kësaj ideje, e shoh të udhës të sjellë në këto rreshta një dokument autentik, të vetë historiografisë komuniste të Tiranës bolshevike, lidhur me situatën në atë moment, ku thuhet tekstualisht; “Brigada e Katërt dhe Brigada e Pestë, kishin detyrë luftarake shkatërrimin e forcave të Abaz Kupit. Më 3 korrik komandanti i përgjithshëm i UNÇSH-së, i theksonte edhe një here Shtabit të Divizionit të parë: Ju kemi lajmëruar se duhet të mos e lëni Bazin të grumbullojë forcat e, formojë një front kundër nesh. Mos neglizhoni këtë vërejtje, pse përgjegjësia bie mbi shtabin e Divizionit”. (“Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH”- Tiranë 1976, faqe 466).
Pra shihej në mënyrë pastër të qartë se aradhat partizane si syni kryesor të tyre, kishin goditjen e forcave nacionaliste sipas urdhrave të marra nga Beogradi. Ndërsa krejt ndryshe vepronin forcat nacionaliste.
Major Murat Basha, intuitive, shpesh herë e parandiente rrezikun prej aradhave partizan dhe bënte çmos t’i shmangej sa më shumë luftës vëllavrasëse. Në bashkëpunim të ngushtë edhe me trimin e Krujës, Abaz Kupin, ata bënë çmos të mos luftonin vëlla me vëlla, përkundrazi të takoheshin, të bisedonin, të largonin mëritë duke i dhënë besë burrit, ashtu sikundër kishin vepruar tradicionalisht shqiptarët, atëherë kur pushka e hasmit gjëmonte tek pragu. Në librin e tij “Bijtë e Shqipes”, autori britanik Xhulian Emeri (oficer i lartë i SOE, pranë shtabit të Abaz Kupit), tregon me fakte e ngjarje konkrete, se në mjaft raste, prijësit zogistë e shmangën luftën vëllavrasëse, ndonëse në ndonjë rast edhe jashtë vullnetit të tyre.
Veçanërisht në malet e Krujës, Martaneshit dhe Shpalit, aty ku aradhat nacionalist ishin me djem të pafajshëm 15-16 vjeçar nga jugu i shtetit amë, legalistët assesi nuk pranuan përleshje, Ata u hapnin rrugë këtyre djemve të parritur, ndërsa klika komuniste e Tiranës shpërndante e ngazëllyer fletushka, kinse për arratisje të legalistëve nga sytë këmbët, apo shpartallim të plotë të tyre.
Madje ky nuk harron të përmend faktin se, në verën e vitit 1944, rreth Abaz Kupit mund të grumbulloheshin rreth 10 mijë burra. Në këtë rrafsh, mendoj se nuk ka qenë e vogël edhe ndihmesa e komandantit të shtabit të tij, major Murat Bashës.
Me rënien e qeverisë të drejtuar nga Rexhep Mitrovica, klika komuniste e Tiranës filloi të bënte krime mu në mes të ditës, duke vrarë burra e djem shqiptarë, të cilët ishin lidhur me Lëvizjen Nacionaliste. Më tej, ata vijuan me organizimin e aradhave të tyre dhe në këtë mënyrë terrori i kuq, u shtri në krejt Shqipërinë.
Murat Basha asokohe, qëndronte me shtabin e vet luftarak në rajonin midis Laçit (Kurbinit) dhe Burrelit, por intuitivisht ai e ndjente se lufta vëllavrasëse, po merrte dimensione të papara. Në një takim në ditët e para të gushtit 1944, këtë shqetësim ai, në cilësinë e komandantit të Shtabit të zogistëve, ia paraqet edhe përfaqësuesve britanik Maklinit dhe Emerit.
Sidomos kur me urdhër të Enver Hoxhës dhe të Titos, aradhat partizane nisën inkursionin e tyre në veri, ishin shumë nacionalistë që nuk donin këtë veprim ushtarak, ngase parashihnin lumenjtë e gjakut që do të derdheshin. Këtë plagë të re për shqiptarët, kuptohet do ta hapnin komunistët e Tiranës dhe të Beogradit. Ata dualën kundër vullnetit të popullit të vet, madje historiografia komuniste 50 vjeçare, shkruan tekstualisht: “Pas kalimit të Divizionit të parë në Veri, shumë krerë tradhtarë, si Abaz Kupi, Murat Basha, Ramadan Kaloshi, Seit Kryeziu dhe të tjerë, i kërkuan misionit anglez, që Komanda Aleate e Mesdheut të ushtronte ndikimin e saj, për të ndaluar marshimin e forcave partizane drejt Shqipërisë së mesme dhe asaj të Veriut” (“Historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar” – Tiranë 1989, vëllimi 4, faqe 403).
Por dihet tanimë se klika komuniste e Tiranës, duke u udhëhequr në çdo moment prej përfaqësuesve jugosllav, nuk pranuan as ndërhyrjen britanike në këtë pikë, përkundrazi e nisën inkursionin e tyre në Veri të Shqipërisë, duke kaluar edhe kufijtë politik të shtetit amë, dhe kinse për të luftuar pushtuesit gjermanë, u përleshën për jetë a vdekje me nacionalistët shqiptarë si në vise të Kosovës ashtu edhe në ato të Maqedonisë shqiptare.
Në shtatorin e vitit 1944, kur ushtria gjermane nisi të largohej nga Shqipëria, komunistët vendosën të shtojnë terrorin e tyre jo vetëm kundër çetave të nacionalizmit shqiptar, por sidomos edhe ndjekësve dhe familjeve të tyre. Në këto momente, Major Murat Basha, në bisedime të ngushta edhe me Abaz Kupin, shpërndanë një pjesë të konsiderueshme të forcave luftarake, me qëllim që të shpëtonte sa më shumë prej tyre, nga rreziku i murtajës komuniste.
Ai organizoi vetëm 300-400 luftëtarë të cilët, duke bashkëpunuar edhe me forcat e “Ballit Kombëtar”, mundën të kryejnë disa aksione të suksesshme në rrugën nacionale Krujë-Shkodër, kundër forcave gjermane që tërhiqeshin. Ashtu sikundër edhe komandantët ushtarakë të “Ballit Kombëtar”, Murat Basha me zgjuarsinë që e karakterizonte, këto sulme kundër forcave gjermane i organizonte në terrene shumë larg fshatrave, në këtë mënyrë të mos kishin mundësi (pasi ishin në tërheqje e sipër), të hakmerreshin mbi fshatarë të pafajshëm apo të digjnin shtëpitë e tyre.
Në tetorin e vitit 1944, atëherë kur shtabet luftarake të “Ballit Kombëtar” dhe të “Lëvizjes së Legalitetit”, u përqendruan në fshatin Prezë, disa kilometra në veri të Tiranës, Murat Basha, Abaz Ermenji, Abaz Kupi etj, u përballën edhe me disa sulme sporadike të aradhave nacionalçlirimtare. Në dy-tri raste, këto sulme u thyen menjëherë, madje Murat Basha me dy-tri luftëtarë të tij, i bëri me dije komunistët, se qëllimi i tyre nuk ishte të luftonin kundër vëllezërve të një gjaku.
Kështu në ditët e fundit të tetorit 1944, atëherë kur u pa qartë se Kalaja e Prezës po rrethohej me mijëra forca partizane komuniste, ishin sërish Murat Basha, me komandantët e tjerë nacionalistë, që e lanë vendin pa lëshuar asnjë armë, vetëm e vetëm të mos derdhnin gjakun e pafajshëm, të djemve shqiptarë. Më tej, nëntorin e po këtij viti, qetësisht ai shpërndau Shtabin e vet dhe në takim të fundit me Abaz Kupin, i kumton atij, se në çdo rast, në çdo moment që ta kërkojë Monarkia, Murat Basha do të jetë jo vetëm një ushtarak i saj por edhe një mbretëror i palëkundur, deri në fund të jetës së tij.
Me uzurpimin e Shqipërisë nga klika terroriste komuniste shqiptaro-sllave, më 29 nëntor 1944, nisi njëherazi hakmarrja e madhe e aradhave nacionalçlirimtare, kundër çdokujt që pati shfaqur ide dhe mendime të kundërta me komunizmin. Në këtë valë terrori edhe major Murat Bashën, atë burrë fjalëpakë por trim, e muarën dhe e mbyllën në burgun famëkeq të kryeqytetit.
Këtu, pas farsës së qëllimshme të kinse “demaskimit” të tradhtarëve, xhelatët me në krye Koçi Xoxen dhe Bedri Spahiun, e dënuan major Murat Bashën me vdekje, me pushkatim. Ai e priti qetësisht dënimin dhe një natë përpara se të pushkatohej, ai u kërkoi miqve të vet, një laps e letër dhe shkroi këto radhë, për gruan e tij:
“Ah grue, moj e zeza grue! Tash shtatë vjet që zemra jote qet vetëm vaje, lot dhe vner, domethënë qysh prej 7 prillit 1939, dhe ti moj e bekueme, me gjithë kalamajtë vuejte, u mundove, u dogje dhe u përvlove. Kështu ra qi edhe ti e bane luftën tande. E përse? Për të fituar lirinë! Kurse sot, që pritshim me shiju të drejtën, mundin, djersën dhe gjakun e derdhun përkundrazi, paska qenë kadër për me u ba kurban i mundimeve tona viktimë. Ani ani. Sato e dashun, prap mos u dëshpro, por të lutem si nga hera, banu burrneshë e qëndro, se unë po bahem kurban i Lirisë së shenjtë.
Tan bota e din çështjen teme dhe e çmon fare mirë. Porosi sa vijon; Aman kalamajtë, shumë, shumë, shumë kujdes për fatin dhe edukimin e djemve dhe me ju dhanë ndonji zanat. Mbas shpija asht e juaja, besoj se s’kan me ja u nga, bani si të bani e, Zoti ju ndihmoftë dhe kam besim se miqtë, s’kan me ju leshue doret. Dëshiroj që vorri të mos hupi. Teshat që kisha me vedi në burg, i tregon lista ngjitur.
Rujimi si kujtime ma të shtrenjtë nga ana jeme. Me Metin takojuni, se mund t’u bajë hall për ndihmë. Këto letra ja u nepni të adresuemve. Nuk më vjen keq se po vdes, se po vdes për Liri dhe për çështjen tonë të madhe. Po hallin tuej e të rrethit familjar e kam të madh, se e di se në ç’gjëndje po ju lej, e nuk po mund ta përshkruej dëshprimin tem, po fuqimadhen Perendi, paçi ndihmë. Pra edhe njihere, po ju lutem e po u them ta bani shumë gajret. Po i nap fund, duke ju puth e përqafu gjithmonë Në zemrën tande, Murati. Edhe nji porosi; Vaj e gjamë, mos me ba, vetëm gajret”! (Gazeta “Atdheu” – Tiranë më 29 qershor 2003).
Të nesërmen, 12 burra nacionalistë, të lidhur me zinxhirët e rëndë të burgut, u nxuarën përballë skuadrës së pushkatimit. Midis tyre pati edhe një djalë të vogël, që mesi qëndronte në këmbë. Me zë të lartë, t’i jepte kurajo, major Murat Basha i tha; “Mbahu se je burrë”! Më pas të gjithë të dënuarit me vdekje, ia muarën himnit të flamurit. Të burgosurit e tjerë në biruca, duke marrë krahë nisën po ashtu të këndojnë himnin e madh të shqiptarëve. Pastaj gjëmuan krismat e armëve të kriminelëve, midis krismave u ndje i fuqishëm zëri i major Murat Bashës “Rroftë Shqipnija Etnike! Rroftë Mbreti!”. Kështu mbyllej jeta fizike, e mbretërorit trim./Memorie.al
Bern-Zvicër