Nga Thanas L. Gjika
Memorie.al / Në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare në vitin 1992 – ’93, më ra në sy një fytyrë e re. Ishte një burrë trupmadh, me kokë si të skalitur në lis. Kishte tipare të një njeriu me karakter të fortë, që të ngjallte respekt. Ai ulej te tavolina e qoshes së majtë, në rreshtin e fundit, pra kur hyje në sallë, mund ta shikoje po të ktheje kokën nga e majta. Lexonte dhe shkruante me një përqendrim që binte në sy. Ndonëse e kishte sallën të gjithë përpara, ai nuk e ngrinte kokën për të parë kush punonte, kush hynte e delte e, as për t’ua tërhequr vëmendjen atyre që ndalonin e bisedonin në këmbë, gjatë hyrjeve e daljeve. Nuk i afrohej askujt. Asnjëherë nuk e pashë të pinte kafe me dikë. Kuptohej se kishte shumë mendime dhe vepra për të hedhur në letër…!
Një ditë, kur po delja nga salla për të bërë pushim me shokun tim, Iliaz Gogaj, i sugjerova ta ftonim burrin e qoshes për kafe, por Iliazi më bëri me shenjë, se mund ta takonim një herë tjetër. Pastaj gjatë bisedës kur po pinim kafen, më sqaroi se ai burri i qoshes quhej Lazër Radi, një ish-i burgosur politik që kishte kaluar shumë vite nëpër burgje dhe internime. Dinte disa gjuhë, ishte diplomuar në Itali, për Jurisprudencë.
Pas largimit tim në SHBA-ës, më 1996, disa vjet u shkëputa nga shtypi i Tiranës dhe nuk munda të lexoja gjë nga shkrimet e Lazër Radit. Vite më vonë, kur Lazri ishte larguar nga jeta, u njoha përmes internetit me një mikun e tij, me ish të përndjekurin Lek Pervizi, piktorin dhe rapsodin e burgjeve të kohës së diktaturës, i cili publikonte në Bruksel revistën me me titull “Kuq e Zi”. Ky më sugjeroi të publikoja shkrime të mia edhe në revistën simotër Radiandradi. com, që publikonte në Itali Jozef Radi, djali i Lazrit. Në këtë fletore lexova artikuj e pjesë nga veprat e Lazrit, si dhe studimin kronologjik në dy pjesë; “Krejt Jeta si një film”, paraqitur në këtë revistë prej Jozefit me rastin e 100-vjetorit të lindjes së të atit (29 janar 1916 – 29 janar 2016), ku u njoha me bëmat kryesore të Lazër Radit, shoqëruar me shumë fotografi e kopertina ilustruese.
Sot, më vjen keq që e njoha jetën e veprën e këtij prizrenasi madhështor mbas vdekjes. Lufta e tij këmbëngulëse për t’u shkolluar e për të fituar kulturë e dije, fitorja ndaj përndjekjeve që i bëri diktatura komuniste, pasioni atdhetar e demokrat për të shkruar artikuj e vepra, bashkë me krijimin dhe gëzimin e një familjeje të shëndoshë në kushte çnjerëzore, janë frymëzuese për çdo shqiptar të ndershëm.
Këtë shkrim e hartova mbasi e ndjej për detyrë, t’i kërkoj të falur këtij intelektuali e demokrati të vërtetë, këtij krijuesi të përndjekur për faktin, se nuk iu afrova për ta njohur nga afër, në vitet 1992-1995, kur mund të kisha përfituar nga bisedat e drejtpërdrejta me të…?!
* * *
Prizren, 24 dhjetor 1924
Më 24 dhjetor 1924, afër mesnatës, nënë Gonxhja i zgjoi nga gjumi tre djemtë; Antonin, Balton e Lazrin dhe vajzën Gjyliana. Pasi u veshën të gjithë me rrobat më të mira, dolën jashtë shtëpisë. Me babain përpara, u drejtuan drejt Kishës së Madhe në qendër të Prizrenit. Aty do të festohej lindja e Zotit Krisht. Bora kishte mbuluar anë e kënd mbi një metër. Rruga në mes të borës dukej si kanal i thellë, si transhe lufte, këpucët kërcisnin krap-krup, duke shkelur bardhësinë e mielltë. Baca Prend mbante përdore më të voglin, Lazrin gati 9-vjeçar, të cilin po e merrte në një ceremoni të tillë, për të parën herë…!
Kishte disa ditë që ushtarë të shumtë serbë me bajonetat ngritur përpjetë, ecnin andej këtej, sidomos drejt kufirit me Shqipërinë. Shkuan të rrëzonin Qeverinë e Fan Nolit atje, për të nënshtruar pastaj në Kosovë, çetën e Azem e Shote Galicës. Këta me luftimet e tyre e kishin kthyer Drenicën në një zonë jashtë kontrollit. Drenica po quhej Shqipni e Vogël. Besimtarët katolikë po ecnin drejt kishës nga shumë drejtime, në grupe familjare. Kumbimi i kambanave ndihmonte ecjen e tyre. Brenda në kishë sundonte paqja. Dritat e shandanëve e të qirinjve, i jepnin ambientit një shkëlqim që fëmija nuk e kishte parë asnjëherë në atë kishë, gjatë ceremonive të meshës të dielave paradite. Këngët për Jezusin e për të shenjtën Mari, tingëllonin ëmbël. Të gjithë besimtarët e ndjenin praninë e Zotit Krisht, në ajrin e Katedrales. Një ngushëllim i madh, një optimizëm e siguri ndjehej në zemrën e të gjithëve, sidomos te fëmijët. Sytë e tyre shkëlqenin me një dritë më të fortë, se në orët e mësimit.
Lazri do t’i kujtonte emocionet e asaj nate gjatë gjithë jetës. Ato këngë, ata qirinj e shandanë të ndezur, ato këngë e psalme të ëmbla, ajo fryma hyjnore që zotëronte sallën e mbushën me ndjenja mirësie e dashurie. Kujtimi i emocioneve të asaj nate do ta ndihmonin në të ardhmen të bëhej më i sjellshëm, më i dashur me familjarët, shokët e me këdo që do të njihte. Ndikimi moral e shpirtëror i asaj ceremonie, do të ishte ndoshta po aq i madh sa ndikimi i gjithë orëve mësimore që do të merrte gjatë shkollimit të tij dhe leximi i qindra librave, që do të thithte gjatë jetës së ardhshme. Nga shpirti i tij i dëlirë, lindi atë natë lutja: “T’ falem nders’ o Zot, që m’ linde katolik e, ma ndriçon rrugn me msimet e Jezu Krishtit”! – lutje, të cilën ai do ta rithoshte më vonë, sa herë do të ndodhej në situata të gëzuara, ose të vështira. Në vitin 1929, si shumë familje të tjera shqiptare të Kosovës edhe familja e Prend Radit, u shpërngul e u vendos në Shqipëri, në qytetin e Durrësit. Në fund të tetorit, Lazri u regjistrua në shkollë në klasën e tretë. Deri në atë kohë, shkollimi i tij ishte kryer në Prizren, në serbisht. Kishte mësuar pak shkrim e lexim shqip, në kishën shqiptare.
Vitin tjetër shkollor shkoi e vijoi në Tiranë, kurse në vitet 1931-‘38, ai ndoqi mësimet në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ku për disa vite, jetoi në konviktin “Malet Tona”. Aty pati fatin të ishte nxënës i disa mësuesve atdhetarë e intelektualë të përkushtuar, si; Ernest Koliqi, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Simon Rrota, Paul Guzhoni, Filip Llupi, Kolë Kamsi, etj. intelektualë të përkushtuar, të cilët ndikuan në formimin e tij. Përpiqej të ishte ndër nxënësit më të dalluar. Filloi të shkruante në shtypin e kohës me inicialet L.R., ose me pseudonimet “Lara”, “Lapredi”, “Ladi”, etj.
Në vitin 1936, motra e tij Gjuliana, shërbente si mësuese bashkë me Migjenin, në shkollën e Pukës. Për shkak të dimrit të ashpër, shkolla e asaj qyteze, ishte verore. Gjyliana, e ftoi vëllain në verë të atij viti, të shkonte në Pukë e, të njihej me poetin. Pasi shkoi dhe jetoi në ambientet e asaj shkolle gjatë muajve qershor-gusht, ai e njohu nga afër poetin e tij të adhuruar, përjetoi momente të rëndësishme, nga procesi i tij krijues. Për këto ai do të shkruante në të ardhmen artikuj të shumtë, po edhe librin me kujtime, “Një verë me Migjenin”.
Në Shkodër, gjimnazisti Radi në vitet 1934-’37, zuri miqësi me Arshi Pipën, Kolë Ashtën, Pashko Gjeçin, Qemal Draçinin, Gaspër Palin, si dhe me Qemal Stafën, Vasil Llazarin, Xhemal Brojën, Elez Brahën etj, të cilët, nën ndikimin e Zef Malës, filluan të merrnin pjesë në lëvizjen komuniste të atij qyteti. Si njohës i serbishtes, ai u ngarkua me përkthimin në shqip të broshurave propagandistike, që vinin nga Partia Komuniste Jugosllave, dega e Malit të Zi. Djaloshit i pëlqente fryma revolucionare, ideja e çlirimit, e vllazërisë dhe e barazisë midis popujve, ruajtja e konspiracionit të grupit, disa aksione për të ndihmuar qytetarët e Shkodrës nga përmbytjet e Kirit, etj. Mirëpo si prizrenas i ra në sy fakti se agjitatorët malazezë, flisnin me shumë pasion për nevojën e sabotimeve, për vrasjet politike që duhej të kryenin anëtarët e grupit komunist të Shkodrës dhe mbi të gjitha, i tingëlluan shumë keq vargjet e këngës serbe; “O Car Llazar, kurorë e artë e Sërbisë…”, – që komunistët malazezë ia këndonin serbisht, për t’ia lëvduar punën, kur ai u përkthente broshurat, ose fjalimet e tyre. I lindur e i rritur në Kosovë, ai i kishte përjetuar nga afër mizoritë e ushtrisë mbretërore të shtetit Serbo-Kroato-Slloven, ndaj popullit shqiptar të atjeshëm.
Kënga e këtyre komunistëve për Mbretin Llazar dhe shkëlqimi i syve kur flisnin për nevojën e sabotimeve e të vrasjeve që duhej të kryenin komunistët shqiptarë, shkëndijuan në mendjen e idenë që nuk thuhej hapur: “Komunistët serbë e malazese, mbas propagandës për çlirimin e popujve nga shtypja, mbas internacionalizmit proletar, fshihnin synimet e lashta për ekspansion”. Ai pati kurajon dhe ua tha shokëve hapur në mbledhje, se e ndjente veten të huaj në atë grup dhe u largua, pa i bërë keq askujt dhe duke e ruajtur konspiracionin e celulave. Përvoja e tij e fëmijërisë, e ndihmoi të shkëputej prej Grupit Komunist të Shkodrës.
Në Romë te Katedralja e Shën Pjetrit
Në vitin 1938, mbasi mbaroi gjimnazin, Lazri mundi të fitonte, jo prej shtetit shqiptar e as prej Mbretit, por me përpjekjet e veta, një gjysëmbursë, për të ndjekur studimet për Jurisprudencë në Universitetin famoz; ‘La Sapienza’ të Romës. Mbas gëzimit të shpërnguljes nga Kosova në Shqipëri, kjo ishte shpërngulja e dytë edhe më e gëzueshme se e para. Vizitat në qytetin madhështor të Romës, ku gati në çdo rrugë ai sodiste monumente të ndryshëm nga Antikiteti, Mesjeta, ose Rilindja, vizitat në kopshtin zoologjik të qytetit, frekuentimi i pallatit të Operës, ku takonte dhe të rinj të tjerë shqiptarë, e mbushnin Lazrin e ri me gëzim, por dhe me një trishtim, për Shqipërinë e përgjysmuar e të ndarë në dysh, për Shqipërinë e varfër e të shkatërruar, ku pushtuesit osmanë nuk kishin lënë në këmbë asnjë monument të lashtë a mesjetar dhe më e keqja, kishin lënë një mendësi turkoshake.
Në Romë, krahas miqësive të shumta, u afrua e u miqësua me disa vajza të bukura italiane si; Lili Bandini, Claudia Carnavali, etj. I shtoi marrëdhëniet me me njërën prej tyre, me zonjushën Lidia Barberini, dhe më 1941, Lazri u bë për të parën herë baba, me djalin Alfredo. Në gusht të vitit 1941, ndodhi një ngjarje tjetër e gëzueshme: Gjermania, pasi e mposhti shtetin Serbo-Kroato-Slloven, e ndau në disa shtete të pavarur, kurse pjesën jugore të Serbisë, e ndau midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. Shqipërisë iu bashkua një territor prej gati 12.000 km. katrore, me popullsi mbi 820.000 banorë. Shumë shqiptarë, ndonëse atdheu ishte i pushtuar prej ushtrisë fashiste italiane, filluan të ndjeheshin optimistë për të ardhmen. Ata arsyetonin se atdheu, duke pasur tani edhe pjesën më të madhe të Kosovës, disa pjesë shqiptare të Malit të Zi dhe Strugën, Kërçovën, Tetovën, Gostivarin e Dibrën, mund të realizonte në të ardhmen e afërt, çlirimin e tij prej pushtuesit italian.
Lufta e Vlorës e 1920-ës, ishte shembull konkret që e frymëzonte këtë ëndërr për mundësinë e lirisë së ardhshme. Në një situatë të tillë, studenti Lazër Radi, nuk mund të mos ngazëllehej! Ishte realizuar ëndrra e bashkimit kombëtar, të cilën populli shqiptar, nuk mund ta realizonte dot vetë. Ishin ndërprerë masakrat e popullsisë shqiptare prej pushtuesve gjakatarë serbë. Ai fluturoi nga gëzimi, kur mësoi se ish mësuesi i tij, Ernest Koliqi, në funksionin e ministrit të Arsimit, vendosi të hapte shkolla shqipe në trevat e bashkuara, ku pushtuesit serbë nuk kishin lejuar popullin shqiptar, të hapte shkolla në gjuhën amëtare. Ishte gati të shkonte dhe vetë mësues në Prizrenin e dashur, por shumë shpejt mësoi se qeveria shqiptare kishte dërguar shumë mësues anë e mbanë trojeve të bashkuara, prandaj vijoi i qetë studimet…!
Shqiptarët e rinj që ndodheshin në Romë për të kryer shërbimin ushtarak, ose për studime, e kishin bërë zakon që ditën e Pashkëve të Mëdha, që festoheshin në pranverë, kur celebrohej ringjallja e Jezu Krishtit dhe në mbrëmjen e 24 dhjetorit, kur celebrohej lindja e Jezu Krishtit (Krishtlindjet), shkonin në Katedralen madhështore të Shën Pjetrit. Këta shqiptarë nuk kishin përjetuar festa më të bukura se këto, në ambientet aq të këndshëm dhe madhështore. Ndonëse shumica e tyre ishin nga familje myslimane e orthodokse, ata shkonin te Katedralja më shumë për kuriozitet dhe respekt të qeverisë italiane, e cila po sillej edhe më mirë me shqiptarët, pas disfatës që pësoi në luftën Italo-Greke, në tetor-nëntorin e vitit 1940.
Brenda sallës së madhe të Katedrales së mbushur plot e për plot, ndihej vetëm kënga e korit. Llampadarët dhe qirinjtë ishin të panumërt. Në fund secili kryente lutjen e tij në heshtje. Lazri mërmëriste me vete: “T’ falem nderit o Zot, për bashkimin e popullit shqiptar. T’ lutem o Zot ndihmomë ta kryj shkollën sa ma mir e t’ shkoj n’ Shqipni me ndihmu shqiptart”!
Në Tiranën e pasluftës, 24 dhjetor 1944 dhe 24 dhjetor 1953
Pas diplomimit ‘Doctor Juris’, Lazrit iu propozua punë në Universitetin La Sapienza, si asistent i Profesorit Vidar Casarini – Sforza, në Katedrën e Filozofisë e së Drejtës, por ai vendosi të kthehej në atdhe, për t’i shërbyer popullit të tij. Në verë të vitit 1942, Lazri u vendos pranë familjes në Durrës. Aty filloi punën si stazhier, në studion e Avokat Golgothas. Dëshira për të ndihmuar në emancipimin e shoqërisë shqiptare, e shtyu të rifillonte bashkëpunimin me shtypin shqiptar të kohës, me pseudonimet e hershëm dhe me pseudonimet e rinj “Ushtima e Sharrit” dhe “Gjergj Komneni”.
Në dhjetor 1942, nis bashkëpunimi me Dr. Gulielm Dedën, për botimin e gazetës “Balli i Rinisë”, organ i grupit Bashkimi i Rinisë Universitare Fashiste Shqiptare (BRUFSh). Në verën e vitit 1943, pasi kishte kryer divorcin me zonjën italiane, Lazri solli në Shqipëri, djalin 3-vjeçar, Alfredin. Kurse më 21 tetor 1943, u martua me zonjushën Vitore Vushmaqi, me origjinë nga Vermoshi, e cila jetonte në Tiranë. Ajo ndiqte studimet në shkollën e mesme “Nana Mbretneshë”. Në fillim të majit 1944, mori titullin avokat, ndërkohë që punonte si drejtor i Zyrës së Strehimit në Tiranë. Në këtë kohë bashkëpunoi dhe për rregullimin e disa kodeve e ligjeve shqiptare. Në verë të vitit 1944, familjes së tij, iu shtua dhe vajza, Veronika.
Pasi forcat partizane çliruan Tiranën, ende pa u larguar ushtria gjermane, udhëheqja e forcave partizane filloi në kryeqytet një proces arrestimesh, të atyre që mendohej se ishin kundërshtarë të Partisë Komuniste Shqiptare edhe pse ata nuk kishin asnjë aktivitet kundër kësaj partie. Midis tyre, më 23 nëntor 1944, Lazër Radi u ftua prej disa partizanëve të armatosur, “për një punë në komandë…”!, ashtu si u ftuan dhe Bahri Omari, Xhevat Korça, Kol Tromara, Mahmud Përmeti e 60 intelektualë e nacionalistë të tjerë. Këta, pasi u mblodhën në komandë, nuk u lëshuan më. Nga data 1 mars deri 13 prill 1945, për dënimin e tyre, u organizua Gjyqi Special, me kryetar Koçi Xoxen dhe prokuror Bedri Spahiun, si dhe disa gjyqtarë ish-partizanë, shumica të pashkolluar. Pa fakte konkrete për ndonjë punë armiqësore ose kriminale, disa u dënuan me vdekje, disa me burgim të përjetshëm, disa si Lazri me burgim të rëndë: 30 vjet, kurse të tjerë, me 25 vjet burg e disa me më pak…!
Për të krijuar idenë se Partia Komuniste respektonte të drejtat e njeriut, më 24 dhjetor 1944, në Burgun e ri të Tiranës, u dërgua Dom Shtjefën Kurti, për të kryer shërbimin e meshës së Krishtlindjeve. Të burgosurit i mblodhën në sallën e ngrënies të gjithë bashkë: katolikë, orthodoksë e myslimanë. Komanda e burgut dëshironte që burgosurit myslimanët, të mos pranonin, kurse të krishterët othodoksë, të kërkonin priftin e tyre, ose të krijohej zhurmë e rrëmujë, nga mosnjohja e ritit katolik. Me një fjalë komanda dëshironte që mesha të mos mbahej, ose të dështonte, duke u kthyer në një farsë komike. Mirëpo të burgosurit, pavarësisht nga bindjet e ndryshme fetare, u treguan solidarë. Solidariteti i tyre buroi prej urrejtjes që ndjenin ndaj regjimit të ri komunist, që i mblodhi me djallëzi gjoja për një punë në komandë dhe po i mbante për t’i dënuar pa pasur asnjë faj.
Pavarësisht nga qirinjtë e pakët dhe mungesa e korit, serioziteti me të cilin e organizoi ceremoninë Dom Shtjefni, heshtja e të pranishmëve, kënga Lavdi Zotit ndër qiej! Paqe në tokë për njerzit me vullnet të mirë, që nisi të këndohej prej disa zërave të paktë e pastaj u forcua me pjesëmarrjen e shumicës, i dhanë ambientit një frymë shenjtërimi. Zemrat e të pranishmëve u mbushën me dashuri për njeri-tjetrin. Lot ngazëllimi rrodhën deri poshtë mjekrave dhe pikuan në dysheme. Kur mbaroi mesha e të burgosurit u larguan, në dysheme dukeshin njolla lotësh. Dom Shtjefën Kurtin, disa vjet më vonë, diktatura komuniste e burgosi dhe ekzekutoi, por mesha e Krishtlindjeve nuk u përsërit më prej tij sepse ishte e ndaluar dhe Dom Kurtin e ruanin fort. Gjatë një pushimi, në intimitet ai i tha Lazrit: “Vlla Lazr, nuk kam mbajt mesh’ ma emocionale e ma t’ devotshme se mesha e 24 dhjetorit ‘44”.
Lazri iu afrua dhe me zë të ulët, i tregoi se që nga ajo natë, kur shkon te shtrati, i drejtohet Zotit me lutjen: “T’ falem nderit o Zot qi dhe n’ burg, po je me na t’ përvujtnit e na ngushëllon. T’ lutem o Zot, mbroji njerëzit tanë nga tundimet e dreqit! T’ lutem o Zot, zbuti zemrat e komunistëve”!
Dom Shtjefni psherëtiu: “Kto zemnat e komunistëve veç po egërsohen. Zoti na ndimoftë”! Vite më vonë, më 24 dhjetor 1953, kur Lazri punonte në kampin e të burgosurve për ndërtimin e aeroportit të Rinasit, pati rast të merrte pjesë në meshën që organizoi në fshehtësi i burgosuri Padër Pjetër Mëshkalla, në kapanonin e ushqimit. Edhe pse u organizua në fshehtësi e me shumë drojtje, të dënuarit u mbushën gjatë asaj meshe, po ashtu me ngushëllim, shenjtërim e shpresë. Lazri e përsëriti lutjen e tij: “T’falem nderit o Zot qi dhe n’ burg po je me na t’ përvujtnit e na ngushllon. T’ lutem o Zot, mbroji njerzit tanë nga tundimet e dreqit! T’ lutem o Zot, zbuti zemrat e komunistve”!
Besimi tek Zoti dhe bashkë me të edhe shpresa për shëmbjen e atij regjimi nuk vdiqën. Vërtet shumë të burgosur dhanë shpirt gjatë torturave nëpër qelitë e hetuesisë, nëpër burgjet e Burrelit, Spaçit, etj; nëpër kampet e punës në Tepelenë, Maliq, Vloçisht, Turan, etj., apo nëpër fshatra internimi. Mirëpo të përndjekurit e ndërgjegjes, nuk u mbaruan kurrë, sepse ishin të ndërgjegjshëm se një ditë diktatura komuniste do të kapitullonte ashtu si diktaturat fashiste e ajo naziste. Madje të përndjekurit e ndërgjegjes, jo që nuk u mbaruan, por u shtuan dhe dolën fitimtarë, mbi diktaturën komuniste.
Ashtu si pasardhësit e Gjon Marka Gjonit, Abas Kupit, Mustafa Merlika Kruja, Preng Pervizit, etj., edhe familja e Lazër Radit nuk u shua gjatë përndjekjes komuniste. Kur Lazri u lirua prej burgu më 1954, gruan ia kishin burgosur dhe vajza, Veronika, i kishte vdekur, ndërsa djalin Alfredo, e kishte marrë për ta rritur, vëllai i madh. E internuan në fshatin Kuç, më vonë edhe nëpër kampe të tjera, si; Gradishtë, Çermë e, Savër të Lushnjës. Në 12 mars 1956, ia liruan gruan dhe jetuan së bashku në internim, ku rifilluan jetën familjare plot mungesa, por me një bekim prej Zotit.
Vitorja, para se të shkonte për t’u bashkuar me Lazrin, bëri një vizitë tek Vendi i Shenjtë i Shën Ndoit në Laç të Kurbinit. Kisha e lashtë ishte shembur e kthyer në gërmadha, por besimi i popullit në mbrekullitë që mund të bënte shenjti, nuk ishte shuar. Vitorja e ngjiti të përpjetën duke ecur gjunjazi e, duke u lutur Zotit dhe Shenjt Ndoit (Shën Antonit), që mbas bashkimit me Lazrin, t’i falnin një djalë që të mos shuhej familja Radi.
Zoti dhe Shën Ndoi, ia dëgjuan lutjen që kjo grua e përvuajtur ua drejtoi me gjithë shpirt. Ia plotësuan kërkesën, ashtu si dijnë ata, me më shumë sesa u kërkon besimtari i devotshëm…!
Kapitullimi i diktaturës komuniste, i gjeti Lazër e Vitore Radin me familje të përtërirë, me dy djem e një vajzë të martuar dhe me fëmijë, pra me familje të bekuar e të shtuar. Familja Radi u kthyen në Tiranë, me dy djemtë, Jozefin dhe Luçianin dhe vajzën Adriana, si dhe me shtatë nipër e mbesa. Të gjithë të pashëm, vulnetmirë dhe të moralshëm. Nënë Vitorja shumë shpejt shkoi te gërmadhat e Shën Ndoit, ku dhuroi disa sende dhe bëri lutjen e falenderimit, për bekimin që i dha Zoti e Shn Ndoi…!
Bekimi i Lazër Radit, ishte me dy krahë: nga njëra anë familja si koshere e plotë dhe nga ana tjetër, krijimtaria e bollshme letrare e studimore. Ky adhurues dhe pasues i Migjenit, shkruan në një gegnishte të ëmbël, si vetë Migjeni, me fjali të shkurtra, me gjuhë të pasur plot figura letrare, gjithmonë i qartë e pa ekuivoke. Veprat e tij të shkruara gjatë viteve të internimit, i plotësoi e i botoi në Tiranë, në vitet 1993-1998, kur dhe shkroi shumë artikuj e vepra të reja.
Nga ana zyrtare, si për shumicën e krijuesve që bëjnë pjesë në radhët e ish-të përndjekurve të ndërgjegjes, nuk është treguar asnjë interes dhe vlerësim i rëndësishëm. Por disa intelektualë, miq të tij dhe familjarët e tij, në tetor 1996, mbajtën një simpozium shkencor në Muzeu Historik Kombëtar, ku u vunë në dukje vlerat e tij intelektuale, shkencore e morale të njeriut, që nuk u mposht prej diktaturës komuniste. Për të si shkrimtar, kanë dhënë vlerësime dhe njerëz të shquar e të talentuar, si poeti Visar Zhiti, etj. Studiuesi Robert Elsie, në veprën dinjitoze; “Histori e Letërsisë Shqiptare” (Enti Botues ‘DUKAGJINI’ 1997, f. 414-415), është i pari që ka dhënë vlerësime për jetën dhe veprën e tij.
Qeveritë shqiptare të tranzicionit, nuk i krijuan kushte jetese as Lazër Radit e, as pasardhësve të tij, prandaj ata i gjen sot të shpërndarë nëpër botë, sepse Ramiz Alia me klanin e tij, punuan që Shqipërinë dhe pasuritë e saj, t’i trashëgojnë të bijtë dhe pasardhësit e kupolës komuniste, sipas planit “Katovica” të formuluar para se të shpallej kapitullimi i diktaturës komuniste. Sot djali i madh Alfredi (nga martesa e parë) dhe dy djemtë e tjerë, Jozefi e Luçiani, jetojnë në Itali me gjithë familjet e tyre, kurse vajza Adriana, jeton në SHBA-ës, me bashkëshortin dhe vajzat.
Jozefi i ngjan babait, për nga talenti e përkushtimi atdhetar, politik e shoqëror. Ai ka pesë vjet që publikon në Itali revistën internetike “Radiandradi”. Aty ai boton përveç shkrimeve të bashkëpunëtorëve dhe krijime të babait e të vetat. Jeta dhe krijimtaria e Jozefit, meritojnë një shkrim analitik, të cilin mund ta bejmë më vonë. Sivjet ai arriti t’i grumbullojë gjithë shkrimet e babait, në një korpus me 17 vëllime, prej të cilëve këto javë, arriti të botojë dy vëllime; “Mjegullnaja e nji kohe të largët” -I- “Prizreni dhe Ministri i hekurt – Mirash Ivanaj”. Këto dy vëllime të Lazër Radit, u paraqitën në panairin e librit në Prizren, ku intelektualët e atij qyteti, e pritën me dashuri e vlerësime të ngrohta, rikthimin e bashkëqytetarit të tyre.
Nga ana e saj, vajza Adriana, i ngjan nënës, për nga përkushtimi familjar e fetar. Ashtu si Alfredi, Luçiani dhe Jozefi edhe Adriana, kanë ndihmuar dhe ndihmojnë financiarisht për përgatitjen dhe botimin e korpusit të veprave të babait të tyre të talentuar. Jeta dhe vepra e Lazër Radit, do të studiohet e vlerësohet si meriton, pasi të realizohen Vetting-u dhe Reforma në Drejtësi, kur shoqëria jonë të ketë shporrur nga pushteti pushtetarët pseudo-demokratë e pseudosocialistë. Në jetën e veprën e tij, shqiptarët do të gjejnë burrin e qëndresës, të përkushtuarin e madh ndaj çështjes kombëtare dhe shoqërore, atdhetarin, që ia kushtoi gjithë energjitë dhe njohuritë e veta, luftës për emancipimin e popullit shqiptar pa u stepur nga pengesat dhe vuajtjet çnjerëzore të panumërta…! Memorie.al