Nga Uvil Zajmi
Memorie.al / “Të gjitha votat për kandidatët e Kuvendit Popullor”, “Votat tona, për Frontin Demokratik”, këto ishin disa nga thirrjet paraelektorale gjatë viteve të diktaturës. Dhe ashtu ndodhte: 99.9% e votimeve, shkonin për Frontin Demokratik. E si mund të ndodhte ndryshe, kur ishte i vetmi kandidat në garë? Sot, sigurisht, historia ka ndërruar. Larushi flamujsh valëviten, ditëve para fushatave: të kuq, blu, rozë, violë…! Në këto fushatat e fundit për zgjedhjet parlamentare dhe ato të pushtetit lokal, fatmirësisht muret e pallateve e rrugët, shpëtuan nga posterat e banerat me gjithfarë sloganesh e fytyrash të ngërdheshura, e me dorë në zemër, thua se po dergjen për këtë popull.
Por patetizmi i fushatave është i trashëguar. Banera e fotografi kandidatësh, mbushnin Shqipërinë Socialiste të para ’90-s, edhe pse alternativa nuk kishte. Vetëm ngjyra e kuqe dhe parulla të miratuara nga Komitetit Qendror i PPSh-së. Isa Daja, është një ndër specialistët veteranë të Dekorit të famshëm të Tiranës, që merrej direkt edhe me zbukurimet e dekoret e fushatave elektorale, të Tiranës së para viteve ’90-të.
Ishte fare i ri, 15-16 vjeç, kur nisi punë, në vitin 1971. Nga një punonjës i thjeshtë në ato fillime, për të kaluar vit pas viti, në poste drejtuese dhe ka qëndruar aty deri në vitin 2012, kur u shkëput, për të organizuar aktivitetin e tij privat.
Në harkun e dyzet viteve në atë sektor, Daja kujton gjithçka, duke e sjellë me detaje: Si u transformua dhe u përdor në vite, Xhamia e Dine Hoxhës, si ndërmarrje dekori, si realizohej dekori i kryeqytetit dhe i qyteteve të Shqipërisë, me rastin e votimeve; cilët ishin personat që u besohej zbukurimi festiv, etj.
Nga piktorët, drejtorët, gratë punonjëse, bezja e kuqe, përgatitjet, atmosfera, vrulli, puna pa orar, pagesat e larta dhe kontrolli i vazhdueshëm nga Komiteti Qendror i PPSh-së, për të mbajtur nën vëzhgim situatën e prag votimeve?
Si përgatitej në heshtje qendra rezervë e votimit, ku mund të shkonte Enver Hoxha e, udhëheqës të tjerë të Partisë? Çfarë shkruhej në banerat, frika për të mos gabuar, deri në vështirësitë e parullave, në gjuhën kineze?
Z. Daja, cila është historia e “Dekorit” të Tiranës?
Dekori në përgjithësi dhe ai i Tiranës në veçanti, ka funksionuar nga koha e Mbretit Zog, pra ka traditë të hershme. Pas viteve ‘45, Dekori ishte i përqendruar në disa magazina në qendër të Tiranës, te Karapicët, mbrapa pastiçeri “Agimi”, në fillim të rrugës “Kongresi i Përmetit”, sot “”Rruga e Durrësit.
Pastaj, në fund të viteve ’60-të, me ndalimin e besimit fetar, ai u vendos te xhamia e rrugës “Konferenca Peza”, sot “Rruga e Kavajës”, te Xhamia e Dine Hoxhës. Për shumë dekada, xhamia ka funksionuar dhe ka qenë qendra kryesore e Dekorit të kryeqytetit, i vetmi deri në vitet ’90-të. Aty ishin rreth 20 punonjës, piktorë, marangozë, rrobaqepës, bojaxhinj, etj.
Sa rëndësi kishte shkrimi?
Shkrimi kishte rëndësi shumë të madhe. Duke qenë se në ato vite, kishte mjaft analfabetizëm, ata që kanë punuar në krijimin e fillimet e tij, ishin njerëz të shkolluar. Kujtoj Sedat Ohrin, Niko Bonatin, Pelash Toptanin, Filip Lulin, të gjithë të arsimuar, madje edhe jashtë vendit. Gjithçka kryhej me furçë me bojë vaji dhe kompjuteri i sotëm, ishte një projektor, që aplikohej për të zmadhuar germën.
Ndërsa printer, ishte pistoleta, përdorimi i së cilës filloi më vonë, e që shërbente kryesisht për stampa, parulla, portrete, flamurë, etj. Ato ishin pistoleta italiane, të të gjitha madhësive
Cilët ishin personat më të njohur që kanë punuar aty?
Atë punë nuk e bënte kushdo. Aty kanë punuar njerëz të aftë, të nderuar, që edhe pse me “biografi jo të mirë”, i është besuar dhe janë autorizuar ta ushtronin profesionin e tyre, në një vend pune delikat, si Dekori. Piktorët, nga Sedat Ohri, Niko Bonati, Pelash Toptani, Filip Luli, Hyqmet Hoxha, Ludovik Verra, Adnan Veseli (Halili), Leka Rrulla, Bedri Seferi, etj., kanë dhënë një kontribut kolosal në këtë ndërmarrje.
Kishte raste, që për festa kombëtare, evenimente madhore angazhoheshin edhe piktorë të njohur si Kel Kodheli, Aali Oseku, Edi Hila, Qamil Prizreni, F. Mezini, etj., kryesisht për portretet e udhëheqësve të lartë të PPSH-së, kryesisht atyre të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së.
Besoj periudha e votimeve, ka qenë më e ngarkuara për ju. Si organizohej prag fushata?
Dekori ishte i specializuar, por programi, porositë, orientimet i merrte nga Komiteti i Partisë së Tiranës, (apo Rajoneve) se si do të organizohej e zhvillohej fushata e votimeve. Lyheshin me bojë pallatet, ndërtesat, fasadat, rrugë, etj. Idetë për grafika, pllakatet e mëdha, i hartonte, projektonte dhe i aprovonte një komision, me piktorë profesionistë, si Zamir Mati, Gjergji Marko, e ndonjë tjetër, shumë të njohur në këtë fushë.
Një parullë apo baner, kishte maksimalisht 56 germa dhe një germë kishte vlerën prej 4 lekësh. Pagesat i mbulonte dhe i e kryente Komiteti Ekzekutiv i rrethit dhe buxheti për dekorin, nuk mbaronte asnjëherë. Ndërkohë lagjja, kishte këndin e saj, ku vendoseshin fotografi të udhëheqësve, madje edhe në rrugë kishte kënde të posaçme, për reklamat e kohës, që ndryshonin sipas festave, ngjarjeve, si ato të 1 Majit, 28-29 Nëntorit, etj.
Ka pasur raste që gabohej?
Asnjëherë! Nuk ekzistonte asnjë mundësi të gabohej. Duke qenë se kontrolli, përgjegjësia, frika, kujdesi në çdo germë, ishte e madhe, shmangte çdo mundësi gabimi, apo pakujdesie. Atë ndërmarrje e kanë drejtuar njerëz me shumë autoritet, të njohur e me eksperiencë, pasi këtij sektori, i duhej një gjë e tillë. Drejtorët e përgjegjës të Dekorit, kanë qenë; Hasan Alimerko, Nazif Ruli, Perikli Shomo, Bedri Seferi, Nazmi Hoxha, Burhan Cami, Qemal Podgorica, etj.
Por ka pasur edhe shumë gra, që nga dita e krijimit të tij, deri kur kanë dalë në pension, si: Bardha Pilkati, Lume Toptani, Luiza Panduku, Angjelina Xhori, Premtika Plaku, Bukurije Daja, që kanë kryer funksione të ndryshme, nga piktore, punonjëse të stampës, rrobaqepëse, etj. Pa harruar mjeshtrit M. Cali, L. Caushi, H. Katroshi, etj.
Kishte ndonjë përkujdesje të veçantë për qendrën ku votonte Enver Hoxha?
Gjatë periudhës së votimeve, rëndësi kishte qendra ku do të votonte Enver Hoxha, pastaj Mehmet Shehu e, Ramiz Alia. Për të tjerë udhëheqës, nuk kishte këtë interes, si me tre të parët, e në veçanti me Enver Hoxhën.
Ndonëse dihej që ai votonte te Kopshti 31, afër “Bllokut”, deri kur ai nisej për të votuar, nuk u tregonte se ku do të shkonte, kjo lidhur me sigurinë fizike dhe situatat politike të kohës, pasi mundej që në çastin e fundit, ai ta ndryshonte qendrën e votimit, duke shkuar te Shtëpia ku u Themelua Partia, e cila duhet të ishte gati për gjithçka, siç e kërkonte protokolli, në vendet ku shkonte udhëheqësi kryesor i Partisë, Enver Hoxha. Ne qëndronim gjithë natën në gatishmëri, deri në orën 6 të mëngjesit, për të kompletuar qendrën ku papritur ai mund të shkonte.
Çfarë shkruhej, cilat ishin parullat tipike?
Në përgjithësi, ato ishin standarde dhe nuk i shmangeshin formatit të kohës: “Të gjithë në votime”, “Të gjitha votat për kandidatët e Kuvendit Popullor”, “Votat tona për Frontin Demokratik”, “Një votë e popullit, është një plumb për armikun”, etj.
Me përfundimin e votimeve, materialet, banerat, parullat, etj, sistemoheshin në magazine, për të qenë të gatshme e, për t’i përdorur në votimet e ardhshme. Për këtë aplikohej një libër, në të cilin në mënyrë të koduar, vendoseshin numrat e banerave, që ato të mos humbisnin e ngatërroheshin, për t’u gjetur pa problem, kur të ishte nevoja.
A kishte kontroll nga Partia?
Sigurisht që po. Instruktorë të Komitetit të Partisë, vinin rregullisht në ndërmarrjen tonë të Dekorit dhe shikonin, ndiqnin, udhëzonin për gjithçka, deri edhe që presja të mos ndryshonte. Tekstet vinin të përgatitura prej tyre, e duhej që një javë përpara, gjithçka të ishte gati.
Në dhomë ku do të votohej, detyrimisht duhet të vendosej fotografia e Enver Hoxhës, një baner lidhur me votimin dhe kutia e votimit, me foton e kandidatit, që vishej me beze me ngjyrë të kuqe.
Ndërkohë, në qendrën e votimit nga njerëz të besuar të lagjes, organizohej e kryhej shërbim i vazhdueshëm vullnetar, në 24 orët e fundit. Gjatë procesit të votimit, nuk kishte as vulë, as shenja në gishta, nga ato që përdoren sot.
Kështu veprohej në gjithë Shqipërinë?
Ndërmarrje “Dekori”, kishin të gjitha qytetet dhe për votime, kongrese, manifestime, festa, ardhje delegacionesh etj., mobilizoheshin të gjithë, nga punëtorët, deri te piktorët e drejtuesit.
Kur ishin zgjedhjet për në Kuvendin, pra për kandidatët dhe deputetët e Kuvendit Popullor, dihej në vija të përgjithshme, mënyra e zbukurimit të qyteteve, kryesisht me flamurë dhe me parulla, kompletoheshin kryesisht rrugët kryesore, si “Kinostudio-Kombinat”, rruga “Kongresi Përmetit”, Lapraka, Bulevardi, shkollat, qendra pune, dikastere, deri edhe në stadiume, mjedise sportive.
Montimi, vendosja e tyre, kryhej nga punëtorët e një reparti të ngarkim shkarkimit dhe në vendosjen e tyre, shfrytëzoheshin rreth 100 kulla, të shpërndara në qytete (kështu quheshin vendet që mbanin parullat), ku vendoseshin pllakatet gjigante, të cilët ndryshonin sipas fushatave.
Si organizohej puna?
Puna fillonte një muaj para ditës së votimit. Periudha e fushatës, ishte pa orar, shumë e lodhshme, por edhe pagesat ishin të larta. Në ato kohë, kemi arritur të marrim deri në 24 mijë lekë (të vjetra) në muaj, që do të thoshte 4-5 rroga, nga ajo normale. Si bazë tekstile për banera përdorej një copë e kualitetit të lartë që prodhonte Kombinati i Tekstileve “Stalin” në Tiranë dhe ai “Mao Ce Dun”, në Berat.
Quhej kabot, ishte e ashpër, përballonte çdo ndryshim atmosferik, me ngjyrë të kuqe, por edhe të bardhë, për pllakate. Banerat ishin të gjatësisë, nga 6, deri në 8 metra, për ato që vendoseshin në rrugë dhe me gjerësi deri 90 cm. Në kabotin e kuq, shkruhej me të bardhë, me një solucion që përgatitej me oksid zinku e vinovil, materiale që vinin nga Jugosllavia, pastaj nga Italia.
Si realizohej fotoja gjigante e Hoxhës?
Fotografia e madhe e Enver Hoxhës, (një kompozim i fotografit të njohur Petrit Kumi), stampohej në rripa letre fotografike me ngjyra, në ATSH, (Agjensia Telegrafike Shqiptare). Pastaj bëhej unifikimi i tyre, që realizohej, duke i vendosur ato mbi një dok Berati, ku me shumë kujdes, ngjiteshin me vinovil. Ky bashkim në përmasat 6 x 4 metra, krijonte një telajo të fortë, solide dhe rezistente ndaj kohës, duke u vendosur më pas në fasadat kryesore të qytetit, që kërkonin hapësira të mëdha.
Po në gjuhë të huaj, shkruhej?
Sigurisht, por gjithmonë në rastet kur në Shqipëri vinte një delegacion i huaj, apo në kongrese, ngjarje sportive në stadiumin “Qemal Stafa” e “Dinamo”, apo Pallatin e Sportit “Partizani”, sidomos në kohën e miqësisë shqiptaro-kineze, apo evenimente ku ishin të pranishëm e të ftuar, personalitet nga vende të ndryshme të botës.
Vështirësi kishte, kur përgatiteshin parulla në gjuhën kineze. Përkthimi vinte nga qendra të autorizuara dhe për banerat kineze, duhej treguar shumë kujdes në shkrim, pasi germat ishin të vështira dhe në mjaft raste, punonim duke mos ditur se çfarë thuhej në to.
Nga syri i një specialisti të vjetër, si i vlerëson fushatat elektorale sot?
Fushata, në rastin konkret, për votimet në Parlament, në kohët e sotme ka ndryshuar. Ndonëse organizohet nga KQZ-ja, ajo bëhet nga secila parti, si në aspektin financiar dhe atë organizativ.
Në çdo qytet ka shumë pika dekori të specializuara, madje në Tiranë janë disa të tilla, të gjitha private dhe që u shërbejnë partive në fushatën që ato organizojnë. Sigurisht që nuk ka më banera shabllon, jo vetëm ngjyra të kuqe, por larmi ngjyrash provokuese, të ndezura, ka shumë materiale, mjete, duke filluar nga kutia, banerat, etj.
Nuk ka më vetëm një votim, siç ishte ai për Kuvendin Popullor, që bëhej një herë në katër vjet, por tani votimet kryhen edhe për zgjedhjet vendore. Ka postera, të cilat nuk ekzistonin atëherë, por nuk ka më Dekor, që të varet nga Komiteti i Partisë, ai Ekzekutiv dhe nga Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale.
Zoti Daja, ju falenderojmë për intervistën, për të gjithë këtë informacion që sollët për lexuesit tanë.
Ju falenderoj edhe unë ju, që më krijuat mundësinë, të kujtoj të gjitha ata drejtues dhe punonjës, që shërbyen në Ndërmarrjen e Dekorit të Tiranës, pavarësisht, se ajo punë i shërbente propagandës së atij sistemi, ashtu siç ndodh edhe sot. Memorie.al