Nga Qerim Pllana
Memorie.al / Një gjenealogji e pasur familjare e farefisnore Gashi Kotorr-Radishevë Shih: “Pema në Gjenealogjinë e Familjes Gashi” fq. 21. në librin: “Mësuesi Rrahim A. Gashi me brezat në trojet arbërore”. Mësuesi i parë në Drenicë, autorë, Fazli Hajrizi dhe Dr. Ibrahim Rrahim Azem Gashi, Tiranë 2010. Familja e njohur Gashi, Kotor-Radishevë K. K. Skenderaj të Drenicës heroike. Në gjenealogjinë e fisit, fillohet me Hajriz Ibrahim Radisheva. Ai bashkon gjenealogjinë e Hajrizajve, Tahirajve, Ahmetajve, Selmanajve, Bekajve dhe Selimajve, tek i pari i kotrupit të përbashkët te Kolë Gashi, nuk i dihet të krishterë apo ortodoks.
Kjo familje me kohë iu bashkua Lëvizjes për çlirimin dhe ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, qysh gjatë viteve 1912-1915 dhe 1924-‘25. Të cilën e udhëhiqnin, Azem e Shotë Galica-Radisheva, Shaqir e Mujë Azem Hajrizi Gashi, dorë e djathtë të Lëvizjes për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në krye me trimat dhe trimin Azem e Shotë Radisheva Galica etj.
Në çetën e Azem Galicës, merrnin pjesë babai Azemi dhe vëllazëritë e Rrahimit, me Rrok Çubrelin, Emin Latin, Mursel Ahmetin, Azem e Shotë Galica, Sadik Myftari, Shaban Prekiqi dhe Beqir Azem Gashi. (Shih foton në librin: Monografi për; “Mësuesin Rrahim Azem Gashi, me brezat në trojet arbërore”, përgatitur nga Fazli Hajrizi dhe dr. Ibrahim Gashi, Tiranë 2010, fq. 45. Ulur, Sadik Prekiqi, Ajet Kushutova, Adem Myftari dhe Sinan Çitaku).
Po kjo familje në Luftën e fundit për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës, shkëputjen e saj nga Serbia okupues, dha dymbëdhjetë dëshmorë nga Radisheva dhe Kotori: Kapllan Ali Ahmetaj, Feriz Ramiz Selimi, Azem Beqir Hajrizi, Beqir Muj Hajrizi, Faik Beqir Hajrizi, Sabit Sadri Ahmetaj, Musa Shyqri Ahmetaj, Alban Muhamet Ahmetaj, Haxhi Imer Ahmetaj, Shyqri Azem Ahmetaj, Miradije Bislim Tahiri, Ramadan Halim Tahiri, dëshmorë të Radishevës Kotorit Mitrovicës etj. 1998.
Kjo është dëshmia për fisin Gashi, nga kjo anë e cili me shekuj është përgjigjur në çdo lufte kundër çdo pushtuesi, që nga koha e Gjergj Kastriot Skënderbeu…! Këtë e dëshmon edhe humbja e dhjeta burrave dhe djemve të Kotorrit e Radishevës, në Tragjedinë makabër të Tivarit, më 1944, nga partizanët-çetnikë serbo-malazez.
Çdo luftë jo sall gjatë zhvillimit ka tragjiken dhe pasojat tragjike të saj. Me shuarjen e Lëvizje dhe vdekjen e Azemit, shumë familje nga Drenica, u detyruan të arratisën në Shqipëri gjatë viteve 1924-‘25. Ndër to dhe familja e Rrahim Gashit, me Shotën, u vendosën në një Strehimore shteti në Durrës, pastaj në Fushë-Krujë, në dhjetor të vitit 1925, krejtësisht të varur dhe në mëshirën e Mbretit Zog…!
Në vitin 1941-‘43, Kosova u okupua dhe u nda; nën protektoratin Italian, Gjerman dhe Bullgar. Gjatë kësaj kohe shumë familje u kthyen në Kosovë. Pas, Luftës së Drenicës në krye me Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, 1945. Drenica u ri-okupua nga aradhet serbo-çetnike. Në Kosovë u shpall shtetrrethimi i hekurt. Pastaj pason Ploja, (tragjedia) e njohur e Tivarit dhe ndjekja e familjeve, që e ndihmuan Luftën, në Drenicë. Me to edhe familja Gashi, u detyruan të arratisën në Shqipëri, meqë mbanin nënshtetësinë shqiptare, nga viti 1925-‘28.
I ndjeri Ibrahim Rr. Gashi me disa të rinj, mbetën për të vazhduar shkollimin në Gjimnazin në Mitrovicë. Pastaj i vazhdon studimet në Fakultetin e Shkencave Matematikë-Fizikë-Astronomi në Beograd. Ai si student në Beograd, në vitin 1955-1959, u burgos dhe u torturua mizorisht, po atë vit, kur për herë të parë u burgos edhe z. Adem Demaçi, me shumë shokë. Ishte sfida e parë të cilën e mbijetoj Ibrahim Gashi, i përcjell në bazë të gjenealogjisë familjare, qysh nga vitet 1912-1915 dhe 1924.
Ai atë botë ishte student me grupin e studentëve nga Kosova: Ibrahim Gashi (në qendër ulur) në Avala 1958, Halil Halilaj, Ejup Hamiti, Idriz Hyseni, Zekria Cana, Latif Berisha, Servete Rudi, Lilana Krueziu, Rifat Osmani, Muhamet Kërveshi, etj. (Shih foton. në fq. 346, librin autobiografik kushtuar: “Mësuesi Rrahim Gashi me brezat në trojet arbërore”, Tiranë 2010, autor Fazli Hajrizi dhe dr. Ibrahim Gashi).
Sakrificat për Ibrahim Rrahim Gashin, për çudi vazhdojnë edhe në Shqipëri! Sakrificën e dytë i ndjeri Ibrahim Rr. Gashi, do ta sfidojë në Fushë-Krujë, duke u ndjekur e survejuar hap pas hapi nga Sigurimi Shtetëror! Pse i ndjeri interesohej për një muze modest, për heroinën Shotë A. Galica dhe për fatin e Drenicës e të Kosovës, nën thundrën titiste-rankoviqiste, për një Shqipëri më demokratike, për kosovar të ikur e të arratisur nga dhuna serbe, dekada me radhë, madje në Shqipërinë socialiste…!
Dr. Ibrahim Gashi, një talent i rrallë i shkencës dhe humanizmit, me 9 maj 2012, u nda nga jeta. Shkojë me dëshirë të flaktë për Drenicën, Kosovën etnike, Shqipërinë dhe ribashkimin e kombit shqiptar. Me dëshirë që eshtrat e heroinë Shotë Galica, të kthehen në vendlindje në Radishevë. Me sy çelë të ligjëronte të paktën disa semestra për studentët e Kosovës, në Universitet e Prishtinës!
Dëshira e fundit për shkaqe burokratike, nuk iu mundësua, as në Kosovën e lirë! Ai la pas 11 veprave, botime tekstesh dhe punime shkencore, familjen mjaft të ngritur, miq, shokë, dashamirës të shumtë në Kosovë, Shqipëri, dhe kudo në Diasporën shqiptare, deri në Amerikë.
Botimet e të ndjerit u takojnë shkencave, astronomi, fizikë dhe matematikë. Evoluimi i veprimtarisë së thukët krijuese te ndjerit, ndodhë atëherë kur ai u zhvendos nga Fushë-Kruja, në Tiranën Universitare. Me të, gati njësoi u veprua si me z. Adem Demaçi dhe shumë intelektualë tjerë, qysh më 1959, në Serbi. Ibrahim Rr. Gashi, kishte punuar në këtë fushë me interes edhe gjatë punës dhe jetës së tij, si profesor i lëndës matematikë-fizikë në Gjimnazin; “Shotë Galica”, në Fushë-Krujë.
Mirëpo, në çfarë kushtesh mund t`i hynte punës me zell në fshehtësitë e shkencës, më një province, pa kushte minimale për punë eksploruese-hulumtuese. Me një kabinet modest fizikë-kimi, dhe atë, duke pajisur ma shumë me vullnetin entuziast të profesorit, para, gjatë dhe pas “Revolucionit Kulturor” 1965-‘66-1972, etj.
Pse këtij shkencëtari nuk iu mundësuan kushtet, që shqiptarët të kenë një shkencëtar më shumë në gjirin akademik, me shkencëtar të rangut të z. Prof. Dr. Rexhep Mejdani, ish-president i Shqipërisë? E di se janë njohur, kanë komunikuar etj., por kjo ka ndodhë shumë vonë, pasi i ndjeri u zhvendos nga Fushë-Kruja, në Tiranë, në vitin 1998. Vdekja e rrëmbeu, në kulmin e veprimtarisë shkencore, më 9 maj 2012.
Athua pse Dr. Ibrahim Gashit, bir i mësuesit të parë të Drenicës, Rrahim A. Gashi, familjes së shkolluar në Kosovë-Shqipëri, të shpërngulur diku rreth vitet 1924, për herë të parë, nga Fush – Kruja, iu pamundësua vendosja në Tiranë!? A ishte i ndjeri Dr. Ibrahim Gashi, i përcjellë nga Sigurimi i Shtetit, për shkaqe interesimi jetësor për Kosovën, në veçanti Drenicën dhe popullin e saj, nën thundrën tiranike titiste-rankoviqiste, raciste, sidomos pas prishjes së “marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi”?
A mbante atë botë Sigurimi ish-jugosllav-serb, lidhje me Sigurimin e Shtetit shqiptar në Tiranë dhe e kundërta?! Gjatë takimeve tona të shumta, qysh me 1972, pata mësuar shumëçka. Për çka flasin faktet, se i ndjeri ishte i përcjellë edhe pas dorëzimit në Shqipëri. Kur sigurimi jugosllav-serb, e burgosi në Beograd më 1959, dhe ndaj studentit absolvent Ibrahim Gashi, dy provime pa i përfunduar në Fakultetin e Shkencave Natyrore-Matematikore, në hetuesi, u sollën në mënyrë katile, Ibrahimin duke sjellë në 35 kg. peshë. Pastaj e dëbojnë për në Shqipëri, në fund të vitit 1959, me pretekst se po merrej me politikë?!
Ibrahim Rr. Gashi, në grupin e studentëve të ardhur nga disa republika dhe vise të ish-Jugosllavisë së atëhershme, ishte një ndër studentet më solid. Ai kishte treguar aftësi të rralla në fushën e lëndëve matematikë, fizikë, algjebër-gjeometri- astronomi, në fakultetin në të cilin studioj (dy lëndë pa i përfunduar u burgos)! Burgosja e studentëve shqiptar Adem Demaçi, Ibrahim Gashi e tjerë, s`ishte rastësi.
Burgosja e të ndjerit, në kohën kur u burgosur edhe z. Adem Demaçi, kurrsesi s`ishin rastësi! Aftësitë e dëshmuara të studentëve shqiptarë, për Sigurimin serbë (UDB), paraqisnin xhelozi të frymës raciste ndaj tyre. Kjo ndodhi edhe me z. Demaçi dhe shumë të tjerë, të cilët do ta pësonin me burgje! Nga torturat, Ibrahim Gashin, e sollën në 35 kilogram, duke torturuar në mënyrë më bizare.
Gjoja se studentët shqiptar në Beograd kishin themeluar një organizatë anti-jugosllave, nga Ibrahim Gashi, kërkonin t`i zbulonte shokët tjerë. Por ai s`u koritë dhe assesi nuk u dorëzua, para OZN-së! Me të dorëzuar Ibrahimin në kufi, OZN-a serbo-sllave, Sigurimit Shtetëror Shqiptar, u kishin sugjeruar: “Keni kujdes, ky person është i rrezikshëm edhe për ju”!
Kur Ibrahim Gashi kishte ndërmarrë nismën për ngritjen e një muzeu modest, kushtuar Shotë Galica, (meqë heroina nga Radisheva, në afërsi ku banonte dhe epte mësim i ndjeri, kishte një lapidar të thjeshtë). Ajo ishte e vend-lindjes nga vinte edhe z. Ibrahim. Njerëz të PPSH-së, dhe të Sigurimit Shtetit shqiptar, të ndjerin e vënë nën survejim rigoroz. Ata do t`ia tërhoqën vërejtjen e parafundit: “Nuk është për një mësues, të merret me ato punë, të cilat i takojnë partisë dhe shtetit”!
Pasi i ndjeri nuk kishte dashur të heq dorë nga nisma patriotike, për heroinën e vend-lindjes, Sigurimi Shtetit e kishte kërcënuar me largim nga puna, madje dhe me burgim! Këtu mbase nuk ishte nisma e bizaritetit. I ndjeri Gashi, ishte përcjellë nga Sigurimi Shtetit, (tani ai shqiptar), qyshkur OZN-a e Beogradit, me ata të Podgoricës, e dorëzuan në kufi, me porosi provokuese, metaforike: “Kujdes nga student, që le fakultetin për politikë”!?
Rrugës për në Shqipëri, Ibrahim Gashit i kishin thënë: “Tash të dorëzojmë në ferrë! Ke për të parë se me mushkë a gomar, kanë për të marrë. Me të mbërri në Tiranë, aty nuk ke se ku të diplomohesh, por drejtë e në burg do të shkosh”! “Unë, – siç më tregonte i ndjeri, – nuk llafosesha me ata të OZN-ës, pos aty-këtu i provokoja, duke menduar se marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, akoma janë në fuqi! Ndërsa ata, provokimet e mia, nuk i kuptonin.
Kur u thash: Edhe sa dete, fusha e male, ka deri në Hanë të Hotit’?! Ata me shanë, kurse grahësi i ‘Gaz’-it, kohë pas kohe, ma shkelte surin…! Për afërsisht kështu kishte ndodhë me Lahun, të vëllain e Ibrahimit, i cili pasi u arratisë me katër shokë të tjerë në Shqipëri, ai u burgos dhe disa kohë u mbajt nëpër burgjet e kohës. I ndjeri, sa e sa herë kishte deklaruar:
“E dua Shqipërinë si gjënë më të shtrenjtë dhe më të shenjtë në botë, por edhe Kosova jonë e robëruar, pjesë e trungut mëmë, është po kaq e dashur dhe e shtrenjtë për mua. Asaj ja fala një pjesë të rinisë sime, por ajo ka nevojë përsëri për punën time, për të arsimuar ‘lulat e vocërr’ dhe për të luftuar barbarët. Dhëntë Zoti, që së shpejti të mund të plotësojë këtë detyrim që ua kam borxh trojeve arbërore”. (Lahi Rr. Gashi)
Dr Ibrahim Gashi, i vëllai i Lahut, ndër tjera theksonte: “Ç`është e vërteta, arratisja nga Kosova në Shqipëri, e njerëzve të çfarëdo lloji moshe profesioni e, sidomos e të rinjve, nxënës etj., nuk ishte pozitive, rrjedhimisht as për t`u përkrahur. Sepse Kosova, kishte nevojë aq të madhe për frymë, mësues, nxënës dhe banorë”, etj.
Gjatë vizitës sonë në Shqipëri, me arsimtarët e Shoqërisë “Fazli Greiçevci” nga Hadja (Minierë e Kosovës) Kastriot, në një ndej kokë me kokë, me të ndjerin Ibrahim Gashi, e biseduam dëshirën time, që unë me bashkëshorten, Zojë Pllana Mjekaj, të mos kthehemi në Kosovë.
I ndjeri më patë thënë; “Bëje një kërkesë me shkrim dhe bisedoje edhe më Nazmie e Muharrem Goci, pale se çdo të propozojnë. Por, mos harro, se për këta shokë, që i ke me vete, e sidomos për familjen në Kosovë, pasojat do të jenë shumë të rrezikshme. Një herë tjetër, mund të shpjegohem se çfarë përgjigje mora, nga organet kompetente shtetërore dhe partiake të Komitetit Qendror të PPSH-së.
Pse i ndjeri Dr. Ibrahim Gashi, u përcoll dhe u pengua si shkencëtar?!
Mirë, pse z, Ibrahim Gashi, nuk u lejua që për nderë të një përvjetori të zbulonte një muze modest me dokumente, foto, shënime e përkujtime të heroinës Shotë A. Galica!? Pse me aq interesim, iu vu Sigurimi Shtetit prapa këtij njeriu patriotë, profesor i matematikës dhe fizikës.
Mësimdhënës në gjimnazin “Shotë Galica”, në Fushë-Krujë dhe e tërë familja e ngritur dhe e dëshmuar për patriotizëm, të shkolluar dhe aq të dashur e të edukuar për rrethin kudo ku u gjendën në Shqipërinë e Mesme, Durrës, Fushë – Krujë, Krujë, Milot, Laç, në Kurbin, etj. Pse njeri me diplomë profesori, u la të punonte më një shkollë të mesme, kur Universiteti në Tiranë, asokohe kishte aq nevojë për kuadro të tilla?!
Pse e pengoi shtetin dhe Partinë e Punës, në veçanti Sigurimin Shtetëror shqiptarë, ardhja e Ibrahimit në Shqipëri!? Pse u pengua prosperiteti, aftësitë dhe përgatitja me mundësit që kishte shteti dhe universiteti, për një shkencëtar si Ibrahim Gashi?! Këto dhe shumë çështje të tjera, krijojnë një serë dyshimesh, se shumë nga kosovarët në Shqipëri, në veçanti një shkencëtar siç ishte i nderuari Ibrahim Rr. Gashi, u penguan me gjithë farë intrigash! Që të arrij atje ku së fundi u dëshmua vërtetë, si shkencëtar me talent të rrallë prej shkencëtari!
Ai pas vete la 11 botime, kryesisht tekste të fushës astronomi, fizikë dhe matematikë. Një opus të rrallë studimesh, vështrimesh dhe artikujsh të pabotuar të shkencave, matematikë fizikë dhe astronomi. Pse këtij intelektuali, nuk iu ofrua të paktën mësimdhënie, në ndonjë Shkollë të Lartë, madje pse jo në fakultetin e shkencave përkatëse?! Ai, ndërrojë jetë me 9 maj të vitit 2012, pa e pritur 100-vjetorin e pavarësisë, dhe pa i shpalos edhe fshehtësi të tjera, në lidhje me demokracinë në Kosovë, Shqipëri dhe në veçanti ngjarjet në Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi!
Ndonëse punoi në diplomaci në ambasadën shqiptare në Lubjanë, i ndjeri nuk dëshironte të “mbytej në politikë”! Por, la një tekst me mjaftë interes politikë dhe diplomatik, për kohën sa qëndrojë në Slloveni: “Shqiptarët, Sllovenia dhe Ballkani i Trazuar”, sipas një diplomati, Tiranë 2007.
Ai prore thoshte: “Politika është si era, mos të raft kah dera, nuk të çel më pranvera! Nuk shkojnë politika dhe diplomacia me (kulturën, artin, shkencën). E kemi provuar, sa për të kuptuar ç`është ajo, prore është pa sedër e, pa moral! Shkenca, arti dhe kultura, pas lënë gjurmë të ndritshme me taban”! I ndjeri me gjithë pengesat, mos ofrimin e asnjë kushti për punë shkencore, nga shtetit dhe ministria përkatëse e kohës, ai përkundrazi, u ndoq, u pengua dhe më asgjë s`u ndihmua!
Me zellin, talentin dhe përkushtimin për shkencë, pas lë një opus tekstesh në fushën e shkencave: Të 11 veprat e botuara dhe një numër studimesh shkencore të botuara dhe tjerat në dorëshkrim, dëshmojnë për veprimtarinë shkencore të z. Ibrahim Rr. Gashi.
Veprat e botuara dhe dy-tri tjera në përgatitje për botim:
- “Probleme të zgjedhura Astronomike”, botues; “Libri Shkollor, Tiranë”, 1972,
- “Nga qielli ynë”, botuar në Lubjanë 1995,
- “Kalendari dhe kronologjia në botë dhe te shqiptarët”, Tiranë, 2000,
- “Ditë-nata dhe kuptime që lidhën me njohurit astronomi-gjeografi”, Tiranë 2002,
- “Kalendari Hixhri Hënor dhe lidhja e tij me kalendarët Julian e Gregorian dhe me ditët Juliane”, Tiranë 2003,
- “Kalendari Mali-Rumi dhe lidhjet e tij me kalendarët hixhri hënor, Julian e Gregorian dhe me ditët Julian”, Tiranë 2003,
- “Bazime Astronomike Për Ritet dhe Festat Fetare Islame”, Tiranë 2005,
- “Shqiptarët, Sllovenia dhe Ballkani i trazuar”, vepër diplomatike. Tiranë, 2007,
- “Bazat e Kalendarit Kadafi dhe lidhje e tij me Kalendarë të Tjerë”, Tiranë, 2007.
- “Kronologjia Shqiptare dhe kalendarët osman”, në botim dhe;
- “Shqiptarët, Sllovenia dhe Ballkani i trazuar”, sipas një diplomati, Tiranë 2007.
- “Njehsimi kohor në kronologjinë shqiptare”; e gatshme për botim, etj.
I ndjeri Ibrahim Rr. Gashi, ishte i përfshirë edhe në Lëvizjen për Çlirimin e Kosovës. Nga familja e tij e gjerë, Gashi, Ahmeti, Hajrizi, etj., ka dhjetëra ushtarë të përfshirë në UÇK dhe në luftën për çlirimin e Kosovës. Po nga kjo familje nga Radisheva, Kotori, Skenderaj, Mitrovica dhe në përgjithësi Drenica, ka disa dëshmorë lufte, ushtarakë dhe civilë të rënë për lirinë, çlirimin dhe ribashkimin e Kosovës. Dr. Ibrahim Rr. Gashi, ishte dhe një humanist që nuk kurseu shëndet, kohë as mund, për ndihma prej më të ndryshmëve, sociale-humanitare.
Ai bashkë me z. A. Demaçi, Ethem Ramadani, e bashkëpunëtorë tjerë, për shumë familje skamnore në Shqipëri, sidomos për të pësuarit në tragjedinë e Gërdecit me rrethinë, mblodhën dhe shpërndanë ndihma, për nevoja të atyre që pësuan në atë, dhe tragjeditë tjera në Shqipëri dhe në Kosovën e rrënuar, të pas Luftës Çlirimtare.
Vdekja, të ndjerin e ndau në hovin krijues dhe bashkues. Në dorëshkrim la një opus të tërë studime dhe analiza shkencore në fushën; matematikë, astronomi dhe fizikë. Këto dhe veprat në dorëshkrim, janë dëshmi më e fuqishme, se kemi të bëjmë me një punëtor të zellshëm shkencorë. Për të cilin, akademitë “shtetërore” shqiptare, të ndjerin Ibrahim Rr. Gashi, duhet vlerësuar si shkencëtar, të përndjekur dhe të penguar nga regjimi komunist në fuqi, në rrugën e tij shkencore në astronomi, fizikë dhe matematikë.
S`është kurrë vonë, vlerësimi i drejtë, moral dhe njerëzor për të ndjerin Gashi! Përgjigja e vërtetë gjendet në krijimtarinë dhe biografinë, akoma pa u thënë e tëra, për të ndjerin Dr. Ibrahim Rrahim Gashi, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, diasporë etj. I ndjeri përherë thoshte: “Ta ruajmë këtë qe e kemi. Sepse, aktualisht Shqipëri, është atje ku ka shqiptarë, ku bukës i thuhet bukë, ujit-ujë, ku flitet dhe këndohet shqip…”!
Dr. Ibrahim Rr. Gashi, një shkencëtar i përndjekur e i penguar, u sfidua nga dy Sigurime të kohës makabër, ai serbo-sllav dhe shqiptar. Iku nga jeta në moshën 77-vjeçare më 9. maj 2012. Pas la një familje të ngritur intelektuale, një opus botimesh e shkrimesh me interes hulumtues shkencorë, gjithë andej miq, shokë dhe dashamirës të shumtë. Të lehtë dheun e atdheut, pastë ndjesë! Memorie.al