Nga Rudina Llazari
Memorie.al / “Ah, sikur të kish qenë gjallë njeri nga Marubët”. Kështu thuhet të ketë thënë në fillimin e viteve ’90-të, shkodrani hipur majë bustit të Stalinit, teksa lidhte nyjen e kavos në qafën e tij. Fatkeqësisht, në ato momente e gjithë dinastia e Marubëve, dergjej nën dhe, por ata kishin lënë një gjurmë të madhe prej 150 mijë negativësh, çka përbëjnë fondin më të artë të historisë së fotografisë shqiptare. Të gjitha momentet e historisë që nga 1858, kur Pjetër Marubi shkrepi për të paren herë në Shqipëri aparatin e tij e, deri 1944. Figurat madhore shqiptare të gjitha kostumet shqiptare dhe peizazhet e natyrës, janë ulur këmbëkryq, në atë që quhet kryevepër fotografike e dinastisë Marubi.
Ky art në Shqipëri e jo vetëm këtu por përgjithësisht në Ballkan, nxori më pas mjeshtrit e mëdhenj, por fillimin e parë pikërisht tek Marubet, të cilët patën meritën e veçantë të fiksojnë në celuloid e, të vlerësojnë figurat e shqiptarëve dhe historinë e tyre. Në foto-enciklopedinë e vërtetë të botës shqiptare, në harkun kohor të një shekulli, ata ditën se ç’të vendosin. Mbase kjo pikërisht ngjan të jetë misioni i vërtetë historik, i 150 mijë negativeve të tre brezave të Marubëve, që ruhen me fanatizëm në Fototekën “Marubi”. E në tërë këtë enciklopedi, mund të hasësh natyrshëm diversitetin e universit shqiptar. Evenimente historike, etnologjike, folklor, arkitekturë, urbanistikë, pa lënë mënjanë një galeri të tërë kostumografie.
Dinastia e famshme
Nuk është një apo dy, por janë plot katër, ata që formuan mbase të parën dinasti artistike shqiptare të fotografëve. Tre breza, një shekull. Pjetri, Matia, Keli, e deri tek më i fundit, Gega. Të gjithë patën vetëm një synim: të fotografonin e të fotografonin artistikisht, çdo gjë që kishin përpara. Historia nis me Pietron. Sipas një studimi të Ismail Kadaresë, i cili i referohet fakteve historike, Pietro Marubi i lindur në Piaçenza të Italisë më 1834, për arsye politike, i’u desh të ikte nga vendlindja. Idetë politike, aktiviteti garibaldist dhe pjesëmarrja në luftën kundër pushtuesit austro-hungarez të kohës, kanë qenë, sipas Kadaresë, shkaqet kryesore që kanë shtyrë Pietro Marubin, të ikë nga vendlindja e tij.
Veç kësaj, aty rreth vitit 1850, ai ka kërkuar të vendoset pikërisht në Shkodër, duke u përpjekur të sigurojë azil politik, pranë qeverisë osmane të kohës. Arkitekt, skulptor, piktor, Pietro e pat fillimisht artin e fotografisë një hobi, e më pas kjo do të bëhej profesioni i tij, duke hapur kështu të parën studio fotografike në Shqipëri dhe në Ballkan, në vitin 1858. “Qyteti i preferuar i tij, do ta mirësevijë krahëhapur magjistarin e kohës, i cili ndizte flakë ca pluhura e lëngje dhe më pas të jepte në dorë, një copë letër të trashë, ku ishe pikërisht ti”. Pak a shumë kështu thuhej në kronikat e kohës.
Nuk dihet për ç’arsye i pari i Marubëve, zgjodhi pikërisht Shkodrën. Nga njëra anë, qyteti qe pjesë e pandarë e Perandorisë Osmane e, për rrjedhojë, sipas ideve të fesë zyrtare të kohës, konfigurimi i qenieve njerëzore, që rreptësisht tabu. Por, nga ana tjetër qyteti shqiptar në veri të vendit, pranë maleve të larta, qe një krahinë së pari epike, ku këndoheshin epet dhe këngët e kreshnikëve legjendarë. Në një mjedis të tillë, Pietro Marubi, pas disa vitesh qëndrimi në Shkodër, vetëquhet; “Pjetër Marubi, shkodran mes shkodranëve”. Kështu ai nxjerr fotografinë e parë.
Ende nuk dihet data precize!
Merret vesh vetëm viti. 1858, pak a shumë 24 vjeçar, Pjetri vendos aparatin magjik, para luftëtarit shkodran 79 vjeçar, Hamza Kazazi. Ky i fundit pozon i veshur me një kostum feste, me fustanellë dhe një shpatë të gjatë e dy pistoleta jatagan, varur në ije. Ky mësohet të jetë kontakti i parë i fotografit mjeshtër, Marubi, me botën shqiptare dhe që më pas do të pasohet nga disa të tjerë. Fjala merr dhenë; “Një italian ka ardhur në Shkodër dhe bën mrekullira e magjira”. Njerëzit fillimisht e shikonin me frikë e më pas, çdo gjë vjen natyrshëm. Krijohet kështu pra e para atelie, të cilën vetë Marubi e quajti “Dritëshkronja”
Sipas të dhënave dhe dëshmive të kohës, mësohet që atelieja të jetë diçka mes realitetit dhe mitikes, të paktën kështu konsiderohej asokohe. Një dhomë e madhe me sipërfaqe 35 metra katrore, gjysmë prej muri, gjysmë prej xhami. Ana e djathtë e mureve e edhe çatia, ishin të tëra prej xhami, me qëllim që drita të hynte edhe të depërtonte natyrshëm. Klishetë e para bardh e zi qenë të formateve 21 x 27, 26 x 31 dhe 30 x 40. Më pas vijnë e ndryshohen dhe fotografi arrin të bëjë klishe thuajse, të të gjitha formateve të kohës. Të mos harrojmë se jemi në një kohë kur Evropa, veçse pak vite më parë, kish njohur artin mrekulli të fotografisë. Ndërsa për Marubët, reputacioni në pak vite, vjen duke u rritur. Jo vetëm reputacioni, por edhe nami. Organet e ndryshme botërore, revistat dhe gazetat lidhin kontrata. Kështu nuk është e rastit, që fotografitë e kohës të Pietro Marubit, gjenden në shumë gazeta italiane dhe franceze të kohës.
Pietro Marubi, duke pasur gjithë këtë punë merr të parin ndihmës. Një djalosh nga malet diku rrotull Shkodrës, të birin e kopshtarit të shtëpisë së tij, Mati Kodhelin. I lindur më 1862, Matia është i mrekulluar nga puna e mjeshtrit Marubi, e kështu në këtë drejtim, ai kërkon të punësohet pranë mjeshtrit. Ky e dërgon për një kohë specializim, në Trieste. Më pas kthehet në Shkodër, të punojë pranë Pjetër Marubit, por fatkeqësisht jeta për Mati Kodhelin, është shumë e kursyer. Vetëm 21 vjeçar, Mati Kodheli mbyll sytë më 1881, por gjithsesi duke lënë një emër jo të paktë, në atë që do të quhet; “Dinasti e Marubëve”.
Vendi i tij nuk lihet bosh. Pasioni nuk del jashtë familjes Kodheli. Zëvendës i tij, bëhet Kel Kodheli, njeri nga vëllezërit e Matisë dhe ky pasi specializohet për disa kohë në Trieste, punon pranë mjeshtrit Marubi. Është pikërisht në këtë kohë, që Pjetri, modernizon sipas standardeve evropiane, studion e tij. Kështu, studioja do të ketë e më pas dy emra; Pjetër Marubin dhe Kel Kodhelin, i cili punon me të njëjtin pasion, si edhe mjeshtri i tij. Punët e Kel Kodhelit, nisin të kenë të njëjtin sukses.
Kështu, Pjetri përgatit testamentin. Për Kel Kodhelin studion e, edhe mbiemrin. Pas vdekjes së Pjetër Marubit, dinastia do të ketë trashëgimtarë të tjerë, të mbiemrit Marubi. Tashmë, emri i përvetshëm, është Kel Marubi. Për këtë puna, është në veçanti një art dhe fotografimi merr një drejtim tjetër. Çdo shtresë shoqërore ka të drejtën të jetë e fotografuar. Kjo do të jetë motoja e punës së Kel Marubit. Të paktën kështu del nga ajo pjesë e fototekës, që mban vulën e Kel Marubit. Njerëzit e rëndomtë të popullit, të gjithë krahas shtresave të larta. Kasollet krahas salloneve, klerikët krahas katundareve, histori, peizazhe, kostume, mbetën serish të fotografuara.
Fama e tij shumë shpejt kalon kufijtë shqiptare. Në Mal të Zi, e thërrasin herë pas here, dhe Kel Marubi është ndër të parët fotografë që fotografon dhe armikun e shqiptarëve, Kral Nikollën. Pasioni i tij do të transmetohet edhe tek i biri. Gega do të jetë kështu i fundit të dinastisë njëshekullore, brezi i tretë i saj. Në vitet XX-të të shekullit të XX-të, ai ndjek në Paris dhe Lion, një kurs profesional pranë vëllezërve La Lemier, për fotografi dhe për kinema. I pari bie në Ballkan, në qendër të Shkodrës, kinemanë. I pari projekton filmin, që u quajt në një sallë të Shkodrës, kinemaja e saj, aty rreth vitit 1914. Këtë shkodranët me shaka, ironi apo frikë, nisin ta quajnë; “ëndrra në beze”.
Në vitet ‘20-’30-të, krahas fotografisë, kinemaja bëhet pasioni i dytë i Gegës dhe Shkodra, do të jetë qyteti i filmit dhe i kinemave. (Një paradoks kohor në mijëvjeçarin e ri; Shkodra nuk ka asnjë kinema!). Në vitet 1970-të, Gega do t’i jepte i pari fotografisë shqiptare, ngjyrat. Sipas asaj që tregon Tereza Marubi, vajza e Gegës, më 1972-in, me një letër personale të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha, Gega ia dorëzon shtetit, arkivin e gjithë Marubeve. “Ishte diçka që im at e bëri me dhimbje”, thotë Tereza. Mundi dhe djersa e të parëve të tij, pronë private, ndërron pronar. Kalon në duart e shtetit, pronë e gjithkujt dhe e askujt. Kështu, 150 mijë negativët që formojnë enciklopedinë fotografike, marrin për nder të tij, emrin e asaj që u quajt; “Fototeka Marubi”.
Lastrat prej bromuri argjendi të kësaj fototeke, kanë fiksuar pamje dhe fytyra të ndryshme që nga mbretërit deri tek njerëzit e thjeshtë, nga heronjtë legjendarë dhe heronjtë e librave, e deri tek nëpunësit e thjeshtë të postave, apo vilajeteve. Fshatarë që presin në radhë mjekun për t’u vizituar, artizanë që punojnë në pazarin e vjetër të qytetit. Njeri pas tjetrit të gjithë vijnë e rrinë të qetë, përpara aparateve fotografike të dinastisë Marubi. E dinastia e Marubëve, i jep kështu jetë, dinastisë së arteve të fotografisë.
I vlerësuar dhe i pavlerësuar sipas rastit, arti i Marubëve është dhe mbetet unik në Shqipëri. Objekt ilustrimesh për historianët, folkloristët, etnografët, arkitektët dhe urbanistët, ai merr më tepër lëvdata nga të huajt, se sa nga shqiptarët, megjithëse arti dhe objekti i fotografive, është thellësisht shqiptar. Një album në Francë, një në Itali, një gjysmë në Shqipëri. Veç kësaj edhe një fletë-palosje e vogël që i jepet vetëm të huajve, botuar rreth 12 vjet më parë. Gjithçka do të përmblidhet këtu. Shqiptarët, veç faktit që ata ishin fotografë, shumë pak dinë për Marubët. Të huajt mund të na sqarojnë më shumë. Në Mal të Zi aktualisht, po përgatitet të hapet një foto-ekspozitë me punimet e Marubëve, për dhe në këtë vend. Në Cetinë, fotot e tij, ishin ndër më shtrenjtat.
“Bar-Cafe-Krajlin” në qendër të Cetinës, s’kishte asnjë pikturë apo zbukurim në mure, ndërsa këto qenë të mbushura me fotot me përmasa të mëdha, dalë nga negativat e Marubit. Në Itali, në 1998 në Bari, organizohet një ekspozitë. Në pranverën e vitit 2000, në Rimini hapet një tjetër ekspozitë. Sipas Terezës, vajzës së Gegës; “Jam ndjerë krenare për mbiemrin që mbaj më shumë se askund në Bari, në një ekspozitë hapur nga komuna e Barit, ka qenë i ftuar nënkryetari i Bashkisë, juristi i Bashkisë dhe një pjesëtar i familjes Marubi. Të gjitha janë rregulluar nga komuna e Barit. Edhe shpenzimet e vizave dhe të udhëtimit”.
“Ekspozita,- tregon Tereza, – pati sukses të plotë. – Vizitorët e shumtë, shikonin të mrekulluar fotot e shekullit të kaluar. Si sot më kujtohen fjalët e asesorit të kulturës të komunës së Barit. Me një ekzaltim që s’mund të shprehet, ai përpiqej t’i shpjegonte njerëzve. Shikoni dy planet e fotove, kombinimi i dritëhijeve dhe pastërtia e figurave, janë në shkallën më të lartë. Ishte ndalur përpara një fotografie të luftëtarëve të Ded Gjo Lulit të vitit 1909 dhe tregonte veç planit njerëzor, fytyrave dhe portreteve të luftëtarëve edhe planin e dytë, ambientet, malet të cilat ishin realizuar dhe pasqyruar me një forcë të madhe artistike”.
Veç të qenit fotograf, Marubët ishin edhe artistë shqiptarë. Të tjerët që i vlerësojnë, janë sërish të huajt. Një shoqatë franceze, “Eredite Sans Frontiere” (“Trashëgimi pa kufi”) i rivlerëson jashtëzakonisht fotografitë e Marubit. I vetmi aktivitet në Shqipëri, është organizuar pikërisht nga kjo shoqatë, ndërsa herë pas here, dikush kujtohet të organizojë një konkurs të fotografisë shqiptare. Ndërsa nga ana tjetër, fototeka është një institucion i lënë thuajse në harresë, ndërkohë që prej dy vitesh, flitet për institucionalizimin e tij. Kjo do të thotë që fototeka të shndërrohet në Institut Kombëtar të fotografisë, të varet direkt nga Ministria e Kulturës, pa pasur punë me organet e pushtetit lokal të Shkodrës, të cilat ngrenë duart lart, kur vjen puna për ndonjë fond. Sigurisht kjo mund t’i ndryshojë për mirë gjërat.
Në fund të fundit fototeka, do të ketë për më mirë vlerësimin edhe të shqiptarëve dhe një numër të madh fondesh. Mbase kjo do të ndihmonte dhe në ekzekutimin e së drejtës së autorit. “Prej 6 vitesh, – shpjegon Tereza Marubi – kemi bërë gjyqe pas gjyqesh. Përfundimisht është vendosur që të na njihet e drejta e autorit, si pjesëtarë të familjes në vijë të drejtë. Deri më tash asnjë derivat prej kësaj, megjithëse duhet të kishim shumë përfitime materiale”.
Shprehur ndryshe, Marubet ekzistues, ata që jetojnë aktualisht në Shkodër, nuk kanë mbi fototekën, (megjithëse deri vonë ishin pronarë të vetëm të saj), asnjë të drejtë. Muzeumi i Shkodrës, duhej t’i jepte familjes sipas ligjit, pikërisht të drejtën e autorit. Në drejtorinë e muzeut, thonë se ne na duhet shkresë nga Ministria e Kulturës, ndërkohë që kurrë ndonjëherë nuk ka mbërritur një shkresë e tillë. “Tashmë jam lodhur, – thotë Tereza. – Do të desha të paktën të vlerësohen Marubet, për meritat që kanë. Asgjë më tepër”.
Sfilatë kostumesh dhe personazhesh
Qenë italian, pra jo shqiptar, ndër gjërat e para që i bie në sy të parit të Marubëve, Pietros, natyrisht janë kostumet. Kombinimi i ngjyrave, punimi mjeshtëror, prerja fikse, shumëllojshmëria e tyre, e bëjnë atë që të mrekullohej përpara njerëzve, që i kanë të veshura këto kostume. Ndër gjërat e para edhe kur ato janë historike, te fotografuara janë pikërisht kostumet.
Kështu, veç anës mjeshtërore në kombinimin e dritëhijeve, në vendosjen dhe depërtimin e mënyrës së dritës sa dhe si duhet, në nxjerrjen qartë të figurës dhe portretit njerëzor, ku mund të dallosh edhe karakteristikat e njerëzve, në realizimin artistik edhe të planit të dytë të sfondit, Marubi kërkon të nxjerrë në plan të parë edhe kostumet. Shumë shpejt nis t’i dallojë ato. Mëson ndarjen sipas krahinave, sekseve, grupmoshave, kategorive shoqërore dhe rasteve situacionale të veshjes së tyre. Sipas etnologut Agim Bido, Pjetër Marubi kërkoi të fiksojë poli-funksionimin shoqëror dhe historik të kostumeve tradicionale në jetën shqiptare, por sipas mënyrës së tij, duke i dhënë atyre vlerën e dokumenteve historike të përkohshëm ,të epokës me të cilën ata u prezantuan.
Kështu koinçidencë, rastësi apo dashje, por fotografia e parë shqiptarë, që mban vulën e Pjetër Marubit, ajo që paraqet Hamza Kazazin, është pikërisht foto që paraqet nga ana tjetër edhe kostumin tradicional të burrave shqiptarë shkodranë, në një ditë feste. Kështu ndodh në më të shumtën e rasteve, pjesa më e madhe e fotove, paraqet kostume të llojeve nga më të ndryshmet. Në përgjithësi personazhet, apo grupet e personazheve të fotografisë së Marubëve, janë të veshur me kostume kombëtare, paraqesin imazhet e tyre, ashtu siç janë në festa, ceremonira, ambiente familjare, qoftë dhe në ushtrimin e zanateve të tyre artisanal, në pazarin e Shkodrës.
Një pasion të tillë e trashëgon e gjithë dinastia. Matia, Keli edhe Gega. Në mënyra të ndryshme, nisën të japin kostumet duke dhënë kështu edhe evoluimin kohor të kostumografisë shqiptare. Parë kështu, Fototeka “Marubi”, mund të shndërrohet shumë mirë në një muzeun etnografik. Kështu është e lehtë të përcaktosh kohën nisur, nga veshjet e personave të fotografuara. Fotografitë e para kanë personazhe me fustanellë, karakteristike për veshjen burrërore, të mesit të shekullit të XIX-të. Më pas vendin e tyre, do ta zënë tirqet, te cilat përdoren në fund të shekullit të XIX-të. E këto në fillimin e shekullit të XX-të, zëvendësohen me brekushet.
Kështu ndodh edhe për veshjet e grave. Xhubleta e malësoreve, veshja e princeshës mirditore, veshja e gruas katolike shkodrane, apo asaj myslimane, janë pasqyruar më së miri në fotografi. Pas këtyre kostumeve, natyrshëm shihen figurat më të mëdha të historisë së Veriut shqiptar. Patriotët në grupe, të Lezhës, Dukagjinit, Mirditës, Kosovës, të gjithë të veshur me kostume. Krerët, emrat e përvetçshëm në celuloidët e Marubeve, do të mbeten edhe më të njohur dhe do të shndërrohen të njohur edhe në portrete. Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Azem e Shote Galica, Esat Toptani, Filip Shiroka, Haki Stermilli, Hil Mosi, Fan Noli, të gjithë janë fotografuar veçse prej Marubëve.
I fundit i Marubëve
Duke jetuar deri vonë, në 1984-ën, kuptohet se në Shkodër kujtimet më të gjalla dhe respektin më të madh, njerëzit e ruajnë për Geg Marubin, të fundin e dinastisë së fotografëve artistë. “Zotni Gega, qe njeri i madh”, thonë shkodranët, duke i pas atribuar atij gjithmonë epitetin e “zotnisë” edhe atëhere kur duhej të ishe vetëm “shok”. “Prej tij kujtoj rregullin dhe disiplinën”, thotë kështu Muhamet Bushati, fotografi që punoi me të një jete të tërë.
“Vinte në punë në orën shtatë pa çerek, bënte gjithçka gati, solucione, negative, aparate, në mënyrë që në shtatë të fillonte punën. Kishte një kaligrafi për t’u pasur zili. Gjithçka e mbante me tepër rregull”, kujton Bushati. “Kur isha e vogël’,- tregon Tereza, – ‘mbaj mend dhomën në fund të korridorit, ku mua më qe ndaluar rreptësisht të hyja. Shihja nga larg, ishte arkivi prej nga ku doli fototeka. Çdo gjë qe në rregull, perfekt”!
Veç kësaj, Tereza kujton dhe regjistrin e madh; “Ishte një libër i madh, ku qenë shënuar me saktësi datat dhe njerëzit apo, familjet e fotografuara. Kështu rastiste që pas 5, 10, 15, apo 20 vitesh, njerëz të ndryshëm kërkonin tek babai ndonjë foto të tyre, apo të familjes. ‘Zotni Geg’ më duhet kjo foto, e Krajave apo Bushatllinjve’, fjala vjen.
‘Më mjafton viti të paktën’, thoshte babai dhe çdo gjë gjendej në pak sekonda. Më pas hapeshin skedat dhe menjëherë gjendej negativi në arkiv. Më pëlqente pa masë të shihja babanë tek punonte. E pyesja me kureshtje, për dritat e kuqe, përse shërbente ky, apo ai solucion, për sa kohë bëhet stampimi dhe ai me durim më përgjigjej, për imtësitë më të vogla”.
Epilog
Thuhet se dinastia e Marubëve, mbaron me Gegën. Faktikisht pas vdekjes se tij, asnjë nga Marubet nuk e trashëgoi më profesionin, nuk pati më aparatin fotografik, si treguesin e artit apo, të shpirtit të tij. Ndërkohë nga Marubët, nga shkolla e tyre në Shkodër, krijohet një brez i tërë fotografësh, të cilët në një mënyrë apo, tjetër, krijojnë dinastitë e tyre. Jakovajt, Pistullorët, Nënshatët, janë gjithë ata që nisin t’i japin emra të rinj fotografisë shqiptare. Ndërsa vajza e vetme e Geg Marubit, mori drejtim tjetër. Fotografia është vetëm kënaqësi për të. E shijon duke e parë, di t’a vlerësojë siç mund ta bëjë pak kush në Shkodër. Ndërsa profesion, nuk është për të.
Por duket se geni i artistit prej fotografi, është transmetuar në vije të zhdrejte. “Im bir, Tani’ – thotë Tereza Marubi, spontanisht, – ‘i ka të dukshme prirjet e trashëguara. E shoh këtë në mënyrën se si e realizon fotografinë. Dritëhijet janë të përsosura. Fotot dalin të dukshme, të pastra dhe të realizuara në të gjitha drejtimet”.
Tani ka një profesion, që është shumë larg, asaj të të qenit fotograf. Për stomatologun Irtan Mëhilli, mbase do të jetë e afërt dita, që mund të hapë ndonjë ekspozitë, duke nisur kështu brezin e katërt të dinastisë Marubi, pinjollin e pestë të fotografëve të famshëm, që bënë emër të madh, jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por edhe më tej. Memorie.al