Nga Hajro Limaj
Memorie.al / Ishte fundi i gushtit 1987. Ndodhesha me shërbim në Stamboll. Në bregdetin e Bosforit, po bisedonim me konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Ali Ymeri. Kur po mbaronim bisedën, radisti më solli një radiogram tepër sekret, të shifruar. Pasi e deshifrova, rezultoi se; urdhërohesha nga qendra në Tiranë, se me mbërritjen në Konstancë të Rumanisë, duhej t’i bashkohesha operacionit të drejtuar nga Nikollaq Ziu, zëvendës drejtor i Zbulimit Politik në Ministrinë ë Punëve të Jashtme. Se çfarë operacioni ishte, nuk më thuhej asnjë fjalë. Të nesërmen pasdite anija me të cilën udhëtoja, u ankorua në kalatat e portit më të madh të Ballkanit, në Kostancë. Sa për kuriozitet, ky port pothuajse shumicën e kohës, është i mbuluar nga mjegulla.
Me kapitenin e anijes shkuam në agjencinë përkatëse dhe dorëzuam dokumentet e nevojshme. Këtu pinim edhe kafetë e mirëseardhjes, që na ofronin autoritetet portuale. Sapo u kthyem në hyrje të portit, mbërritën dy makinat diplomatike të ambasadës tonë nga Bukureshti. Hipëm të shtrënguar tek makina e dytë.
Kur arritëm tek shkallët e lëvizshme të anijes, nga makina e parë zbriti Nikollaq Ziu, oficeri i repartit special të Ndërhyrjes së Shpejtë, Muharrem Abazi, që kishte ardhur nga Tirana dhe Vullnet Thanasi, i arrestuar, të cilit mbi prangat e duarve, i kishin hedhur xhaketën.
Ndërsa nga makina ku hipëm ne, zbriti bashkëshortja me pranga në duar dhe dy djemtë e Vullnetit. Për sistemimin e tyre, ishin rregulluar dy dhoma te posaçme.
Në njërën u vendos i vetëm Vullneti, ndërsa në tjetrën, bashkëshortja me dy djemtë. Për Vullnetin u morën masa të rrepta sigurie. I arrestuar, me pranga në duar, në kokë helmetë çeliku dhe i shtrirë në krevat, i lidhur më zinxhirë në të dy këmbët dhe të dy duart. Ndërsa bashkëshortja, ishte vetëm me duar të lidhura. Masat ishin tepër të rrepta, sikur kishim të bënim me një grup terrorist me rrezikshmëri të lartë globale.
Gjatë ditës, dy fëmijët e vegjël, shumë shumë të bukur, qëndronin në kuvertë të anijes. Kur u nisëm për t’u rikthyer në atdhe, veçanërisht në ngushticën e Bosforit dhe të Dardaneleve, rritëm në maksimum masat e vrojtimit dhe te sigurisë, mbasi mendohej se ai mund të ishte një agjent kapital dhe do të ndërhynin shërbimet e huaja të zbulimit, për ta shpëtuar.
Te tre ne: Nikollaqi, unë dhe Muharremi, kryenim shërbimin pranë Vullnetit, nga 4 orë pa ndërprerje. Vullnetin, e njihja në një farë mase, kur ishte në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
E dija mjaft mirë që ishte nipi i Hysni Kapos, sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe anëtarit të Byrosë Politike. Zëvendësi i parë i Enver Hoxhës në linjë partie, i cili u nda nga jeta më 23 shtator 1979, nga një sëmundje e rëndë në një klinikë në Paris të Francës. Po kështu e dija që për dy vjet, Vullneti kishte qenë sekretar i parë i ambasadës tonë në Çekosllovaki.
I njihja babain dhe nënën, Xha Thanasin dhe Afërditën, mbasi ishin miq me xhaxhain tim, Xhemil Selamin (Limaj) që kishte qenë këshilltar i Hysni Kapos dhe pastaj diplomat në Turqi dhe Egjipt. Ata ishin edhe komshinj të mirë. Me lot ndër sy dhe i drobitur, Vullneti më tregoi se ç’kishte ndodhur me të.
Me datën 21 gusht 1987, në kufirin midis Austrisë dhe Çekosllovakisë, në doganën e Austrisë, në bagazhin e makinës diplomatike, një doganier i kishin gjetur një sasi stekash me cigare, për të cilat e kishin bllokuar, duke e konsideruar si një veprim kontrabande të asaj kohe.
Ishte njoftuar Ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe ata kishin urdhëruar dy diplomatët tanë në Vjenë, që ta merrnin nga dogana dhe nëpërmjet Austrisë, ta sillnin me avion për në Tiranë.
Rrugës për në Vjenë, ai kishte qëlluar me grusht diplomatin që ngiste makinën, Kujtim Myzyri, mbasi në bisedën që zhvillonte me kolegun e tij, kishte dëgjuar urdhrin e ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai, që; “ta sillnin gjallë a vdekur, me çdo kusht në Shqipëri”.
Pastaj kishte zbritur nga makina, ishte rifutur në Çekosllovaki. Mbas dy ditësh, ishte rikthyer në Pragë, pranë familjes. Këtu kishte patur shumë probleme, sidomos arrestimi dhe largimi nga personeli i ambasadës, operacion që e kishte drejtuar Nikollaq Ziu.
Mbas dy ditësh largimi nga ambasada, kur ai udhëtonte me familjen drejt aeroportit të Pragës, për t’u larguar përfundimisht në Suedi, me ndihmën e policisë çekosllovake, ishte arrestuar në aeroport dhe ua kishin dorëzuar autoriteteve shqiptare.
Kjo ishte tabloja e kësaj ngjarjeje, që u fry dhe u rrit më shumë, nga mënyra se si u komunikua dhe u veprua me të, se sa gabimi i bërë prej tij, i cili sot as që mund të mendohet të trajtohet kështu.
Mbas katër ditë e netësh rrugëtimi detar nëpërmjet Detit të Zi, ngushticës së Bosforit, Marmarasë, Detit Egje, me kthesë në fund të Kretës, hymë në ujërat e Detit Jon.
Kur kishte nevojat personale, thërrisnim Muharremin, oficerin e Forcave Speciale, i cili e çonte në tualet, vetëm duke i liruar duart, por pa i hequr helmetën nga koka.
Kur mbërritëm në kalatat e Durrësit, na priste zëvendës ministri i Brendshëm dhe drejtori i përgjithshëm i Sigurimit të Shtetit Zylyftar Ramizi, si dhe shumë autoritete të tjera të kësaj fushe. Kur e zbritën nga shkallët e anijes në kalatë, Zylyftari e goditi lehtë, mbi helmetën e kokës.
Për këtë “krim” dhe akuzë, gjykata e dënoi Vullnetin me pushkatim, ndërsa Presidiumi i Kuvendit Popullor, i drejtuar nga Ramiz Alia, ia zbriti me 25 vjet burgim. Ndërsa të shoqen me dy fëmijët, i internuan në Burrel. Nëna e tij, Afërdita, motra e Hysni Kapos, pësoi një goditje të rëndë dhe për pak kohë u nda nga jeta.
Vullneti dënimin e vuajti ne burgun e Qaf-Barit, rreth 18 km. larg qytetit të Pukës, i ndërtuar midis grykave të maleve.
“Në këtë burg ishin 500 të burgosur politikë, që ishin dënuar mbi 25 vite burg. Këta të burgosur punonin nëpër galeritë e minierës me tre turne. Kampi ishte i rrethuar me tre rreshta telash me gjemba, me lartësi mbi 4 metra. Rrethimi kishte rreth 20 kulla vrojtimi, në lartësi mbi 8 metra, ku ushtarët ishin të pajisur me të gjithë llojet e armatimit.
Në këtë burg ka qenë Moisi Miraka, djali i ministrit te Zogut Kol Bib Miraka, Viktor Stratoberdha (regjisori i filmit ‘Skënderbeu’), Dilaver Noka, Vullnet Thanasi (nipi i Hysni Kapos), Gaspër Gaspri, këngëtari Sherif Merdani, inxhinierët e grupit armiqësor të naftës të Lipe Nashit etj.”!
Me kaosin e 1997-ës, Vullneti doli nga burgu dhe me familje u largua përfundimisht në Suedi. Ndërsa sot korrupsioni dhe kontrabanda, ka pushtuar shtetin dhe politikën. Asnjë qeveritarë apo politikan, nuk është arrestuar dhe dënuar nga këto veprimtari të kundraligjshme, ndërsa në ato kohëra, Vullneti u ndëshkua aq ashpër. Memorie.al