Nga Alma N. Liço
Memorie.al / Bummm…bummm…bummm. Si kurrë më parë porta trokiti me forcë. Jo, nuk mund të ishin fqinjët bujarë tiranas, që aq miqësisht vinin çdo ditë ta takonin e ta pyesnin, çfarë i nevojitej. Ata nuk trokisnin kurrë kaq dhunshëm, si të dëshironin ta shkulnin nga vendi atë portë të vjetër prej druri. Dikush tjetër ndodhej pas saj. Dikush, që për nga agresiviteti, nuk premtonte aspak të qe i mirëpritur. Kush vallë po kërcënonte kësisoj?! Cili mund të ishte? A mund t’i ndodhte diçka më e keqe se gjëma e dy muajve të fundit?! Vajzën e saj të vetme, së bashku me të shoqin dhe tre fëmijët e mitur, i kishin degdisur në internim, në një fshat të thellë të zonës së Dumresë. Zemrën e kishte plagë. E mbetur e vetme në atë shtëpi, nuk po mundej të gjente ngushëllim. Motivi i jetës së saj, ishte marrë peng. Ishte syrgjynosur e dënuar të vuante në një kasolle të mjerë, mes kodrash me shkurre e mundimesh pa fund. Persekucion politik…pa faj…pa shpjegim…?!
Ohhh…Kush vallë mund të ishte pas asaj porte?!
U ngrit me mundim nga minderi ku po qëndronte gjysëm e shtrirë duke vrarë kohën, dhe me përtesë iu afrua portës që vazhdonte të trokiste me ngulm. E çorientuar siç ishte, u përplas me njërën nga vazot e oborrit dhe u rrëzua së bashku me të. Ajo u bë copë e çikë, ndërsa kërcejtë e luleve të thara, u hallakatën në oborr. Ndjeu një therje në gjurin e djathtë dhe pa se po i rridhte gjak. Ishte çarë keqas. Një copë e vazos së thyer, e kishte prerë si të ishte thikë.
Por trokitjet frenetike të portës që nuk dinin të ndaleshin, e bënë atë të ngratë të ngrihej vështirësisht dhe të afrohej drejt saj. Duke u dridhur, rrotulloi çelësin në bravë. Tre burra të panjohur, u shfaqën në pragun e saj. Personat që po trokisnin, e shtynë atë grua të moshuar, duke rrezikuar ta rrëzonin sërish. Madje njeri prej tyre, mbante uniformë policie. Pa denjuar që ajo të merrte disi veten dhe t’i pyeste se çfarë kërkonin nga një plakë shtatëdhjetë vjeçare, njeri prej tyre, me ton të prerë, pothuajse ulëriti:
– “Ku është dhoma në të cilën ka banuar jot bijë”?
Pa e kuptuar aspak arsyen e një pyetjeje të tillë, gjyshja mezi shqiptoi:
– “…Pooo…ne jetonim së bashku në këtë shtëpi…nuk kishim gjë të ndarë…por ajo…”!
I nervozuar, ai e ndërpreu dhe vijoi:
– “Ku është dhoma e gjumit të sat bije”!…dhe pa pritur përgjigje e shtyu atë, e bëri përpara. Dy burrat e tjerë e ndoqën nga pas, dhe u futën në oborr. E gjora grua, ende nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte. Burri që po hakërrehej, i shtyu me forcë dyert e dy dhomave të shtëpisë përdhese, tashmë mbetur e shkretë. “EUREKA”…njëra prej tyre ishte vërtet e zbrazur. I lehtësuar për këtë zbulim, u kthye sërish drejt saj, dhe shtoi:
– “E shikon këtë shok? Është invalid, dëmtuar në minierë. Quhet Zenel Disha. Këshilli i Lagjes, ka vendosur ta strehojë në dhomën e sat bije. Ajo nuk jeton më këtu. Dimë gjithçka”!!!
Ai komunikim arrogant nuk linte asnjë hapësirë për kundërshti. Tre burra kundër një të moshuare të mjerë, zemër plagosur. Tre burra, që po e dhunonin në banesën e saj, pronë modeste e familjes.
Mezi ngriti kokën dhe e drejtoi shikimin nga burri që do banonte në atë shtëpi të vogël, së bashku me të. U tmerrua. Ai banor i çuditshëm, ishte rreth të dyzet e pesave. Flokët e rëna, ekspozonin shenjat e të çarave në kokë, që ndoshta qenë shkaktuar nga aksidenti në minierë. Fytyra gjithë vraga dhe sytë e kuq që i ndizeshin flakë, i jepnin atij një pamje të frikshme. Instinktivisht, ajo mori kurajon dhe iu afrua pak. Qelbej erë alkool. Ai qeshi në mënyrë të pakontrolluar e, të neveritshme dhe i zgjati dorën.
– “None, si je? Do jem unë çuni jot tashi…harroje gocën”.
Nuk e kuptoi si arriti të përmbajë veten, pa lëshuar një ofshamë që i mbërriti në grykë dhe që mundi ta gëlltisë.
Pa i dhënë kohë të mblidhte veten, burri me veshje civile iu drejtua sërish:
– “Jepi Zenelit çelësin e dhomës, pasi nesër do sjellë orenditë e tij…dhe mos të të shkojë mendja të trokasësh në ndonjë derë…pasi është marrë vendim i prerë për këtë. Ohhh…çelësi qenka në bravë. Merre Zenel”!
Disa sekonda më pas, tre burrat u larguan në mënyrë triumfale, ashtu siç kishin ardhur, duke tërhequr pas vetes derën e jashtme me forcë. Gjyshja e gjorë u zvarrit deri në kuzhinë, ku pasi pastroi si mundi këmbën e gjakosur, e dezinfektoi me jod të cilin e mbante kurdoherë në shtëpi. Ambulanca e lagjes ishte goxha larg, dhe ajo nuk mund të shkonte për mjekim deri atje, pa e shoqëruar dikush.
Me një copë pëlhurë të vjetër e lidhi e shtrëngoi më pas, si mundi. Dhembja e shpirtit, e bëri të harronte therjet e plagës në gju. Tre burra kundër saj. Madje mes tyre edhe një polic. Po polici përse duhej vallë?! Vërtet mendonin se një e moshuar shtatëdhjetë vjeçare, do të mundej të kundërshtonte e të bënte rezistencë…?! Ohhh…sa mizore…?!
Ishte vendosur tashmë, do ndante shtëpinë me një të marrë. Me një të sëmurë që për vite, kishte qenë i mbyllur në një spital psikiatrik. Si do mundej ta përballonte, për më tepër që ai dukej edhe i alkoolizuar?! Me kë mund ta ndante një të papritur që do të vijonte me një bashkëjetesë kaq traumatike? Zemra po i delte nga kraharori. Ishte në luftë me mundësitë dhe pamundësitë e saj. Por ndërkohë, dëshironte me gjithë shpirt, të ishte e fortë, e dobishme për të bijën e sikterrisur, për nipërit e saj…nëse një ditë do ishin të lirë…! Nëse…përgjërohej me gjithë shpirt, ta gjenin të hapur atë shtëpi…t’i priste me krahë hapur…duhej të rezistonte…!
U shkreh në lot. Askush nuk mund t’i shihte, aq më pak t’ja fshinte ato. Ajo, mësuesja e nderuar, që për dyzet vite kishte rendur fshatrave, për t’u mësuar fëmijëve a.b.c-në, ndjehej tërësisht e pafuqishme, e sulmuar nga ata që mund të kishin qenë nxënësit e saj. Nuk fjeti aspak atë natë. Një shi i rrëmbyer fshikulloi pa mëshirë xhamat e dritareve të vogla, duke bërë ndërkohë, të pikonte çatia e asaj shtëpie të vjetër prej qerpiçi.
Gjyshja numëronte pikat e shiut që gjerbonin mbi një legen, që e vendoste në dysheme sa herë binte shi. Ritmi i tyre krijonte një monotoni acaruese, aq sa i dukej sikur ato pika i përplaseshin mbi kokë. Në kllapi, ato ngatërroheshin, dhe ajo niste sërish nga e para numërimin. Dhe përsëri ngatërroheshin e mbi vendoseshin në mënyrë të pakuptimtë mbi njëra tjetrën. E nesërmja do të sillte një realitet të ri, të frikshëm për zvarritjen e ditëve të saj, edhe ashtu mjaft të trishta.
Rreth orës dhjetë të mëngjesit, një kamion i vogël përshkoi të nesërmen rrugicën e ngushtë me kalldrëm, dhe u ndal me zhurmë para shtëpisë. Me ndihmën e dy djemve të fuqishëm, “anëtari” i ri i familjes, futi në dhomën e prindërve të mi, ato pak orendi që dispononte. Ishin të vjetruara, të ndotura, dhe mbanin erë të rëndë. Më pas, pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, ishte mbyllur brenda saj, dhe nuk kishte lëvizur fare gjatë njëzet e katër orëve në vijim, madje nuk kish dalë as në banjon e përbashkët e të vetme të asaj shtëpie, që si në shumë banesa përdhese të atyre viteve, ndodhej në fund të oborrit.
Kësisoj, filloi për gjyshen përballja befasuese me veprimet e tij të pazakonta. Njëzet e katër orë, asnjë zhurmë, asnjë lëvizje. A ishte mirë…?! Ishte gjallë…?! Ndoshta kishte nevojë për ndihmë…?! Duhej ta mësonte. Pas një hezitimi, gjyshja trokiti në derën e tij. Sërish asgjë nuk pipëtiu. Çfarë i kishte ndodhur?! Mos kishte vdekur…?! Fundja i sëmurë ishte…dhe gjyshja trokiti sërish…!
Kur nuk kishte më shpresë të hapej ajo derë, fqinji i vetëquajtur “çun”, i saj një ditë më parë, u shfaq në derë, i përgjumur, me sy të kuq e të fryrë.
– “Çfarë do none?! – Pse më zgjon”! – iu hakërrye.
E trembur e gjora gjyshe, mezi i tha:
– “Je mirë…?! Ke nevojë për gjë”?
– “Jo… – u përgjigj prerazi ai. Dua të fle. Më lër rehat, Kuptove”? – Psherëtiu, përplasi derën dhe nuk kapërceu pragun e asaj dere edhe për njëzet e katër orë të tjera. Gjyshja përjetoi sërish të njëjtin ankth…por nuk trokiti më. Dy ditë pa dalë nga ajo dhomë…a kishte vallë për të ngrënë…?! Po nevojat personale, ku i kryente?!
Të nesërmen e ditës së dytë, në mëngjes herët ai doli pa zhurmë, duke flakur në oborrin e vogël, dy shishe të boshatisura pijesh alkoolike. U zhduk, për t’u kthyer vetëm në mbrëmje. Provoi të hapte derën e kuzhinës ku qëndronte gjyshja, dhe meqenëse e gjeti të mbyllur, trokiti në të. Pasi hezitoi pak, ajo e hapi atë derë. Duhej të përballej me të keqen, që tashmë do të ishte prezente çdo ditë në jetën e saj. Duhej të përpiqej të mos e kishte armik atë të çmendur. Ai hyri brenda dhe u ul në minderin e gjyshes. Qelbej erë urine dhe alkooli.
Sytë si nuk po i plasnin nga damarët e fryrë e të kuq. Pa pritur që ajo të thoshte diçka, filloi të broçkulliste fraza pa lidhje. Ai përjetonte një delir prej të marri, që e bënte të besonte se shteti komunist, nuk mund të ekzistonte pa atë…! Se ai ishte besniku që e mbronte nga armiqtë…se ai ishte gati të vriste këdo që nuk e donte partinë. E shkreta gjyshe. Pas ndonjë ore të kësaj ligjërate të çakorduar e të pambarimtë, ajo iu lut të shkonte të flinte, pasi edhe ajo ishte shumë e lodhur dhe kish nevojë për pushim.
– “Mirë none…ta prish unë ty? – shi, shi…! Paske vra ene komën…mos e çaj kaptinën se njallet…”!
Dhe pasi përsëriti për të disfatën herë heroizmat e asaj dite, u largua drejt dhomës tashmë të tij. Duke menduar se u sos për momentin tortura në praninë e të marrit, gjyshja mori frymë disi e lehtësuar. Por pesë minuta më pas, ai doli sërish në oborr, dhe filloi të këndonte me zë të çjerrë…: “Enver Hoxha e mprehu shpatën…”!
Pasi mprehu për një orë shpatën, ai hyri më në fund në dhomën e tij, dhe nuk u ndje më. Të nesërmen, përsëri heshtje varri. Nuk pipëtiu asgjë. Ai nuk doli fare nga dhoma.
E shkreta gjyshe, filloi të ambientohej me sjelljen e tij të çuditshme, dhe ta trajtonte atë si një të keqe me të cilën, duhej të bashkëjetonte. Duke e njohur këtë realitet, njëri nga fqinjët shumë të gjindshëm, i vendosi shula të rinj e të sigurt në derën e kuzhinës dhe atë të dhomës së saj të gjumit.
Për të evituar vizitat e tij të frikshme e të padurueshme të mbrëmjes, sapo ndjente kërcitjen e bravës së portës së oborrit, gjyshja fikte dritën dhe qëndronte në qetësi absolute. Donte t’i jepte atij të kuptonte, se e kishte zënë gjumi, dhe se nuk duhej ta shqetësonte. Por ai nuk bindej se ajo mund të flinte në atë orë, dhe trokiste pa pushim në derën e saj të kuzhinës. Sakaq, avujt e alkoolit, depërtonin nëpërmjet hapësirave të saj, dhe gati i merrnin frymën.
Me zemër të ngrirë, gjyshja mezi priste që ai të lodhej e të hiqte dorë nga insistimi i marrë, që ajo t’i hapte derën. Dikur ai tërhiqej, por shkaktonte skandale të pafundme në oborr…herë thyente ndonjë vazo…herë-herë sokëllinte këngën e tij të preferuar…! Ndonjëherë urinonte e kryente nevojat e tij në mes të oborrit. Ndodhte, që pas një nate me shi, ajo fëlliqësirë përhapej në gjithë ambientin e vogël të shtruar me çimento e të plasaritur. E shkreta gjyshe. I duhej të pastronte të nesërmen, duke vjellë e nxjerrë zorrët, nga pështjellimi.
Në mbrëmje të tilla, e ngujuar, ngashërehej pa zë dhe i lutej Zotit t’i jepte forcë e kurajo, për të përballuar këtë situatë absurde. As në makthet e saj më të këqija, nuk kishte imagjinuar kurrë se në atë moshë, do ndante banesën me një të çmendur, e do të vuante gjithë pasojat e kësaj.
Duke ndjerë dështim në invazionin e mbrëmjes, mendja e tij e sëmurë, gjeti një tjetër mënyrë diabolike, që ta detyronte gjyshen t’i hapte derën. Në njërin nga muret e oborrit, ishte vendosur kutia e siguresave të energjisë elektrike. Duke liruar njërën prej tyre, shkaktohej ndërprerja e saj në gjithë shtëpinë.
Disa ditë e duroi gjyshja këtë situatë, duke kaluar gjithë mbrëmjen në errësirë, madje duke mos guxuar, as të ndizte ndonjë qiri, i cili do të qe sinjal se ajo nuk po flinte. Shpresonte e gjora, se ai do të lodhej nga kjo lojë infantile dhe e fëlliqur, e do të hiqte dorë nga ndërprerja çdo natë e energjisë elektrike. Por ai e vazhdoi këtë lloj eksperimenti shantazhues, me të njëjtin zell.
Madje, gajasej me zë të lartë kur gjithçka mbulohej nga errësira. U dorëzua me në fund gjyshja e shkretë. Në këmbim të ndriçimit, duhej të duronte çdo natë për dy orë gjepurat dhe idiotësitë e tij, si dhe erën e rëndë shkaktuar nga mungesa e higjienës. Në krizat e tij delirante, ai fantazonte se politikanët komunistë të “Bllokut” të udhëheqjes, ishin miqtë e tij të ngushtë që i kërkonin atij shërbime të veçanta, të cilat vetëm ai qe i aftë t’i kryente.
Kishte netë kur kthehej i gjakosur nga grushtet apo rrahjet që rëndom ndodhnin ndërmjet pijanecësh ordinerë, dhe në raste të tilla, rrihte gjoksin për trimërinë e tij në përballje me disa armiq, të cilët ai kishte mundur t’i shfaroste. Ngjasonte me një lloj Don Kishoti, që sikurse ai luftonte me mullinjtë e erës. Por në ndryshim nga heroi i Servantesit, “armiqtë” e tij, ishin realë, pasi ai mbulohej me plagë të çara apo mavijosura. Ahh…mungonte edhe Rosinanti?!
Tek e shihte të gjakosur, përveç tmerrit, gjyshja ndjente edhe keqardhje për papërgjegjshmërinë e tij. Butësisht, i lutej që të kërkonte ndihmë mjekësore, gjë që ai e kundërshtonte me kokëfortësi. I shtruar për vite në spitalin psikiatrik, ndoshta kishte tmerr nga mjekët dhe refuzonte çdo kontakt me ta.
Në momentet kur konstatonte të ishte më i qetë, ajo i lutej të shkonte në dhomën e tij, pasi ndjehej e lodhur dhe se kishte nevojë të flinte. Pavarësisht lutjeve të saj të përsëritura, ai largohej, kur t’i thoshte mendja. Vijonte më pas me sorollatje poshtë e lart në oborrin e vogël, duke kënduar këngën e preferuar, ose duke fantazuar me zë të lartë rreth betejave imagjinare.
Gjithsesi, së paku çdo javë ai mjeran mbyllej dy ditë brenda, pa u ndjerë fare. Gjyshja po ambientohej me këtë regjim të çuditshëm, dhe e qetësonte disi veten se kishte forcën ta përballonte atë situatë. Madje, herë pas here ndjente keqardhje për të. Ndodhi një rast, kur ai nuk doli për katër ditë nga dhoma dhe nuk reagoi as kur gjyshja i trokiti disa herë në derë. E alarmuar, ajo i kërkoi një fqinji që të njoftonte autoritetet zyrtare, e të kërkonte ndihmë për një person të mbyllur prej katër ditësh, pa asnjë shenjë jete, se aty ndodhej një person i gjallë.
Disa orë më pas, fqinji erdhi i shoqëruar nga dy policë dhe një infermier, të cilët pas disa thirrjesh, shpërthyen derën. Zhurma e saj e zgjoi atë nga gjumi. Duke mbyllur hundët prej erës së rëndë, ata ju afruan atij, dhe e pyetën si ndjehej. Me sy të zgurdulluar, ngritur përgjysëm në shtrat, u përgjigj se nuk kishte nevojë për asgjë. Vetëm ta linin të qetë të flinte. Për habinë e gjyshes, ai nuk manifestoi asnjë lloj agresiviteti ndaj policëve, që hynë aty me forcë. Ndoshta ushqente ndonjë frikë të fshehur ndaj tyre?! Ndoshta!
Kësisoj, u zvarritën muaj të pafund tmerri për gjyshen. Në letrat që dërgonte, ajo kurrë nuk shkroi për “anëtarin” e çekuilibruar të familjes dhe vuajtjet e shkaktuara prej tij. Përpiqej e gjora të na e kursente këtë hidhërim, për të cilin ishim tërësisht të pafuqishëm ta ndihmonim.
…Dy vite më pas prindërit vendosën të më rikthenin pranë gjyshes. Isha vetëm dymbëdhjetë vjeç. Si e mitur, masa e internimit, nuk ishte bllokuese për mua, ashtu siç ishte për prindërit e mi. Ata më konsideronin tashmë të përgatitur mjaftueshëm, sa për të mos e lënë gjyshen të vetme. Vërtet, vuajtjet e internimit, më kishin maturuar para kohe.
Mbërritja në Tiranë, më përballi edhe mua me këtë të papritur. Kapërceva pragun e shtëpisë, ku kisha lindur e kaluar dhjetë vitet e para të fëmijërisë, dhe hyra paksa e përhumbur në oborrin dikur aq të dashur për mua. Gjithçka më dukej kaq ndryshe. Por në të vërtetë, isha unë që kisha ndryshuar. Dy vitet e internimit, kishin lënë gjurmë të thella në vetëdijen time.
Gjyshja po më priste me padurim. Nëpërmjet një letre, prindërit e kishin njoftuar për mbërritjen time. Nuk di sa minuta qëndruam të përqafuara në oborr, ndërkohë që na rridhnin lotët. Sa shumë ishte plakur e gjora gjyshe, pas internimit tonë. Së fundmi mblodhëm veten. Unë mora valixhen, që e kisha lëshuar mbi dyshemenë e oborrit dhe nxitova drejt dhomës së gjumit. Gjyshja u prish në fytyrë dhe më tha:
– “…Jo aty, mos…”!
– “Pse, – e pyeta, çfarë ka ngjarë”?!
Ajo më ftoi të shkonim në kuzhinë, dhe pasi u ulëm në minder, me zë të mekur, më tregoi atë që kish ndodhur pas syrgjynosjes sonë. U tmerrova. Isha tërësisht e papërgatitur për këtë realitet. E ngrata gjyshe, ishte e detyruar të mos më fshihte asgjë, pasi dhe unë duhej të mbrohesha aq sa ishte e mundur, nga ai individ i çakorduar. Më tregoi me detaje gjithçka kishte hequr. Duke e përqafuar, me lot në sy, i përsërisja se ajo nuk do të vuante aq shumë, pasi nuk do të ishte më vetëm.
Të nesërmen në mëngjes u përballa në oborr me të. Për mua nuk ishte surprizë. Fillimisht ai shtangu, dhe pastaj më pyeti kush isha unë. Me një lloj ngurrimi iu prezantova, dhe çuditërisht pashë një lloj kënaqësie në sytë e tij. Këtej e tutje, do të ishin dy persona në atë shtëpi, të cilëve ai do t’u kërkonte vëmendjen. Sjellje tipike e një njeriu të braktisur e, të vetmuar. Ishte ekzakt si ma kishte përshkruar gjyshja.
Kishte pamje të frikshme me ata sy të përgjakur, me kokë të deformuar nga qepjet, apo shenjat e operacionit. Instinktivisht ndjeva një lloj mëshire për të. Ai ishte fajtor pa faj. Përgjegjës për këtë situatë kaq anormale, ishte shteti bandit diktatorial, që dhunonte edhe të drejtat më elementare, siç ishte privatësia e banesës. Unë u solla saktësisht si më mësoi gjyshja, duke u mbyllur kur mundeshim me shula dhe duke evituar në maksimum, përballjen me të. Pavarësisht gjithçkaje, së paku gjyshja, nuk ishte më njeri pa njeri.
Një vit e gjysëm më pas, një epidemi e rëndë gripi i rrëmbeu jetën gjyshes sime. Dha shpirt në krahët e mi. Nuk mund ta përshkruaj dot dhimbjen e humbjes së saj dhe vështirësitë e atij funerali në mes të dimrit dhe të epidemisë. Bashkë me largimin e saj, perënduan edhe të gjitha ëndrrat e mija, për një jetë ndryshe nga ajo që më impononte internimi.
Çuditërisht, i çekuilibruari u zhduk për katër ditë nga shtëpia, kur gjyshja mbylli sytë. Nuk mund ta di se çfarë ndjeu. Ishte kaq i mjegullt e i pakuptueshëm, raporti i tij, me jetën dhe vdekjen. Keqardhje ndoshta…?! Nuk e di.
Pas një përpjekjeje të dështuar, për të ndjekur shkollën e mesme, dhe përjashtimin pas përfundimit të vitit të parë të saj, u ktheva përfundimisht, pranë familjes sime, në fshatin e internimit.
Ndërsa shtëpia jonë në Tiranë, mbeti në duar të të çmendurit. U rrënua tërësisht. Qëndruam njëzet e tre vite në internim. Vuajtje, dhimbje pa mbarim. Një ditë ky kalvar mori fund, por asgjë nuk mund të kthehej më si më parë. Të marrin e mjerë, nuk e takuam më kurrë. As nuk e mësuam fundin e tij.
Mbetën vetëm kujtimet. Ato na shoqërojnë si bashkudhëtarë të pandashëm në trenin e kohës. Nuk mundet askush të na i rrëmbejë. Memorie.al
P.S.: Dedikuar një periudhe shumë traumatike të jetës së gjyshes sime, Shefikat Sefa. (Narazani). Në nderim të figurës së saj, si një ndër mësueset e para (gra) të rrethit të Elbasanit, sot një rrugë e këtij qyteti mban emrin e saj.