Nga Bedri Blloshmi
Memorie.al / Rexhep Uk Goçi, ka lindur në vitin 1937, në fshatin Çerem të rrethit Tropojë. Rexhepi ka qenë i martuar me Bora Goçaj dhe kanë lindur 7 fëmijë: Perlatin (më i madhi), Esatin, Luanin dhe motrat; Sadete, Valdete, Valbona dhe Servete. Rexhepi kishte arsim fillor dhe ka punuar në ndërmarrjen e Gjeologjisë në Tropojë. Më 14. 2. 1975, arrestohet nga Sigurimi Shtetit, duke u akuzuar; “për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”, parashikuar nga Neni 73/1 KP. Më 30. 5. 1975, Gjykata e Tropojës, e dënon me 10 vjet heqje lirie. Më pas, e dërgojnë për të vuajtur dënimin, në kampin e Spaçit të Mirditës.
Në vitin 1982, në muajin nëntor, qeveria komuniste bëri një amnisti për të burgosurit politikë. Në kamp-burgun e Spaçit, përfitonin 373 apo 375 të dënuar, të cilët u liruan më 15 nëntor 1982. Të nesërmen, më 16 nëntor, Rexhep Goçi, do të jepte shpirt tek hyrja e galerisë 15/1, nga breshëritë e “Kallashnikovit” të ushtarit roje.
Ishte “rregull” i komandës, që mbasi të vrisnin dhe të groposnin, për rastin në fjalë, vend-groposja ishte në Shpal të Mirditës. Pas vitit 1990, familjarët e Rexhepit, interesohen dhe e zbulojnë vend-groposjen, e marrin dhe e varrosin në vendin e lindjes, ku pushon përjetësisht pranë të parëve të tij.
Kujtesë
Rreth viteve 70-të, në kupolën e krimit në Tiranë, diktatori komunist Enver Hoxha, po vazhdonte krimet e radhës. Në burgun e Spaçit, vinin lloj-lloj informacionesh, ndoshta për t’i pasur ne si ushqim, të shpresës.
Në vitin 1981, natën e shtatëmbëdhjetë, duke u gdhirë 18 dhjetori, në televizion u dha një lajm i gëzueshëm për ne: “Nga një krizë nervore, kryeministri i Shqipërisë, shoku Mehmet Shehu, vrau veten”. Të gjithë të burgosurit përfshi dhe unë, u gëzuam shumë.
Bisedonim nga dy e nga tre të gjithë të dënuarit, se komunizmi, po e çonte drejt fundit, ngrënien e pjellës së vet. Qeveria komuniste, shpalli një amnisti për të burgosurit politikë dhe më 15 dhjetor 1982, në burgun e Spaçit, u liruan mbi 370-të të dënuar.
Në bazë të përllogaritjeve, një i dënuar nga rrethi i Tropojës, Rexhep Uk Goçi, nuk përfitonte nga kjo amnisti, sepse kishte njëmbëdhjetë ditë më shumë, sipas përllogaritjes së kartelistit të komandës.
Këta që u liruan, ishin në brigada të ndryshme nga të pesë zonat e minierës, ku nën peshën e kamxhikut dhe torturave të tjera, si; lidhje me hekura pranë shtyllës së betonit dhe shumë herë me duart e lidhura mbrapa, të lidhnin dhe një rrotë vagoni, që peshonte vetëm në duart e lidhura.
Kjo rrotë vagoni, nuk takonte në tokë. Problem i padiskutueshëm, ishte zona e dytë, ku nxirrej minerali i piritit, nën temperaturën 40° – 45° nxehtësi. E plotësuan brigadën, aq sa duheshin për vagonatë e piritit.
Unë në atë kohë punoja në zonën e pestë dhe më kaluan në zonën e dytë, bashkë me disa armatorë (punëtorët e mirëmbajtjes së galerisë, quheshin armatorë). Kështu që midis disa të tjerëve, ishte dhe Rexhep Goçi. Në kohën që do futeshim brenda në galeri dhe saktësisht në galerinë 15/1, e vjetër thërriteshe.
Rexhepi do të punonte në këtë galeri, siç thashë më sipër, armator dhe merr një mjet, që quhej “karro-trupe”, për të marrë disa trupa betoni, jo shumë larg grykës së galerisë 15/1.
Në të djathtë të kësaj galerie, gati 200-300 metra larg, ishte rrethimi dhe një karakoll nga jashtë tre rrethimeve me tela me gjemba, që vegjeton natë-ditë ushtari me automatik në dorë. Duhet të sqaroj një gjë për lexuesin që nuk ka dëgjuar për këto që po rrëfej.
Në qoftë se ushtari vriste një “armik” (të burgosur politik), shpërblimi i parë, ishte pesëmbëdhjetë ditë leje dhe patjetër dhe një dekoratë dhe kur do mbaronte ushtrinë, komanda i vishte police, po në kamp.
Në brendësi të hapësirës nga rrethimet e 20-25 metra larg galerisë, ishin vendosur disa tabela në formë trekëndëshash (prej hekuri), që i dënuari, nuk duhet të kalonte dhe as të afroheshe. Rexhepi, disa metra larg këtyre tabelave, po ngarkonte trupat e betonit, për t’u futur në galeri.
Në këtë kohë, u dëgjua ulërima e automatikut, ne shtangëm të gjithë sa ishim, nga frika. Sapo u dëgjua zhurma vdekjeprurëse, polici doli e i thërret ushtarit: “Ç’bëre more, ndaloje zjarrin”?!
Ndërkohë Rexhepi, ra në një brinjë, me trupin e betonit në prehër dhe me një zë gati në fikje, foli: “Ç’më bëre more ushtar, më vrave, m’i le fëmijët rrugëve, kam një qerre me fëmijë. Oh Zot, pse, pse kështu me mua, mirë që s’më liruat, po pse më vratë…?! Ah, fëmijët…mbetën jetimë”!
Ndërsa gjaku dalëngadalë, po skuqte rrobat e pista nga piriti, ai vari kokën mënjanë dhe nuk u ndje më. Polici qëndronte në këmbë, pranë kufomës, duke na ulëritur neve: “Futuni brenda, futuni brenda”.
Për tetë orë rresht, ndenjëm ulur në cepin e galerisë e pa folur asnjë fjalë me njëri – tjetrin, të ndriçuar nga llamba karbitit, e cila lëshonte një flakë të verdhë, duke lëvizur sa majtas djathtas. Mbas disa orësh, mbërriti prokuroria e Rrëshenit, për të bërë formalitetet e për ta lejuar komandën, të bënte groposjen e radhës, në një buzë përroi që thërriteshe; Shpal.
Aty ku e prisnin shokët, të vrarë e groposur më parë. Ndërsa fëmijët u rritën jetimë, nën praninë e dhimbjes e urisë. U rritën e u martuan e mbas vitit 1990, Perlati dhe gjashtë fëmijët e tjerë, bashkë me fëmijët e tyre (nipërit e mbesat e të ndjerit Rexhep), nisën ashtu me kokë mënjanë, të heshtur drejt luginës së shkretë e, majave të rrjepura nga erozioni, të Spaçit.
Drejt kësaj skëterre që mbante të fshehur në barkun e tokës së djegur, babanë e tyre. Gjithsesi, ata e prisnin të kthehej i gjallë, më i plakur e i thinjur, i dërmuar nga jeta dhe fati që e ndëshkoi aq rëndë. Megjithatë dhe ato pak eshtra që kanë mbetur pa u tretur, po udhëtonin të pushonin në vendlindje. Pushofsh në paqe, o miku im i halleve e vuajtjeve!
Dokumenti arkivor me vendimin e gjyqit, për dënimin e Rexhep Goçit
“NË EMËR TË POPULLIT”
Gjykata e Rrethit të Tropojës,
e përbëre nga:
Shefqet Muçi Kryetar,
Imer Sokoli anëtar,
Kadire Ismailaj anëtar,
me sekretare Vera Doçin
dhe pjesëmarrjen e prokurorit, Kristaq Ngjela, shqyrtoi në seancë të hapur gjyqësore të datës 29 e 30 maj 1975, në Ҫerem, çështjen penale, Nr.69, që u përket të pandehurve;
1– REXHEP GOҪI, i biri i Ukës dhe i Fatimes, i datëlindjes 1937, lindur e banues në Ҫerem, me origjinë shoqërore fshatar i mesëm, dhe me gjendje punëtor, me arsim fillor, pa imunitet, pa parti, i padënuar më parë, i arrestuar më 14.2.1975.
Gjykata, pasi përfundoi hetimin gjyqësor, pasi dëgjoi prokurorin që kërkoi deklarimin e të pandehurve fajtorë, sipas akuzës dhe të dënohet i pandehuri Rexhep Goçi, me 10 vjet heqje të lirisë.
Ndërsa i pandehuri Ҫelë Goçi, me 7 vjet heqje të lirisë, pasi dëgjoi edhe fjalën e mbrojtjes dhe të fundit të të pandehurve, në të cilën kërkuan; i pandehuri Rexhep, të dënohet sipas ligjit dhe i pandehuri, Ҫelë drejtësi.
V ë r e n:
I pandehuri Rexhep Goçi, që në rini të tij, ka ushqyer urrejtje për pushtetin popullor, pasi rrjedh nga një familje me qëndrim të keq politik. I ati është dënuar për krim kundër shtetit tonë të demokracisë popullore.
Këtë urrejtje, i pandehuri Rexhep, ja ka ushqyer e mbajtur të gjallë edhe të kushëririt, të pandehurit Ҫelë Goçi. Të predispozuar, për t’iu kundërvënë fitoreve madhështore të revolucionit socialist në Republikën Popullore të Shqipërisë, vijës marksiste-leniniste, të Partisë sonë.
GJYKATA E RRETHIT TROPOJË
-SHKURTIM VENDIMI-
Me vendimin Nr.65 datë 30.5.1975 të gjykatës rrethit Tropojë, Rexhep Ukë Goçi, është dënuar me 10-dhjetë vjet heqje lirie për krimin e agjitacionit e propagandës, kundër pushtetit popullor.
Telegrami i ngushëllimit i dy bashkëvuajtësve nga burgu i Spaçit, dërguar familjes së Rexhep Goçit
T E L E G R A M
Me lot në sy, me hidhërim në zemër, marrim pjesë në vdekjen e parakohshme te Rexhepit tonë të Dashun. Majuni si burrat, duajeni dhe ndihmoni njeri tjetrin.
Tuajt për jete
Sadri Sokoli Jetulla Gashi
Ky është telegrami i ngushëllimit, që tre ditë më vonë, u bëjnë familjes së Rexhep Goçit, dy miqtë e burgut. Dy vjet më vonë, njëri nga këta dy miq të burgut, Sadri Sokoli, do pësonte të njëjtin fat, në Revoltën e Qafë-Barit, më 22 maj 1984. Memorie.al