Memorie.al / Prijësi mysliman Mustafa Jusuf Varoshi, lindi më 1898 në Durrës. Edukatën morale, fetare e atdhetare e mori nga i ati, i cili ishte njëri i nderuar dhe Myderiz në qytetin e Durrësit. Duke pasur një vështrim të qartë të vlerave intelektuale edhe në shërbim të çështjes fetare, u mor me kujdes me arsimimin e djalit të tij të vetëm, duke e regjistruar Mustafain në Medresenë e Tiranës, me synim që t’i japë më vonë arsim të plotë fetar. Djaloshi i ri shumë shpejt filloi të dallohet për përgatitjen e gjithanshme në mësime fetare dhe falë dhuntisë natyrore për përvetësimin e gjuhëve të huaja, vuri baza për t’u rritur e formuar si intelektual me dije të gjera, siç do te bëhej i njohur në rrethet intelektuale, brenda dhe jashtë vendit. Pasi mbaroi Medresenë e Tiranës, i vazhdoi studimet e larta në Arabinë Saudite, ku pasi u pajis me kulturë të gjerë fetare dhe laike, ai u kthye në vendlindje.
Në vitin 1924, në moshën 27 vjeçare, emërohet imam në xhaminë Varosh të Durrësit, duke u bërë shpejt i njohur si një predikues bindës e hirplotë. Me pamjen e një burri të pashëm e të shëndetshëm, me zgjuarsinë natyrore, me përgatitjen intelektuale dhe teologjike, ai të imponohej me një logjikë te mprehtë e me sentencat e mësimit fetar, që i shkrinte aq bukur e i ndërthurte me këshillat e moralit e të atdhedashurisë.
I tillë është skalitur në mendjet e qytetareve durrsakë ku figura e tij nga viti në vit merrte përmasa gjithnjë e më të mëdha. Në predikimet e tij, spikaste kurdoherë vlera morale që duhet të ketë njeriu, baza për të qenë një fetar i mirë, një familjar i mirë, një qytetar e një atdhetar i lirë, përkatësisht për çdo besim fetar.
Në një nga kujtimet për figurën e nderuar të Mustafa Varoshit lexojmë: “Ka qenë një klerik i nderuar për të gjithë qytetarët e Durrësit. I dashur, i respektuar nga të gjithë, pavarësisht nga përkatësitë fetare, i shoqërueshëm me të gjithë, myslimanë, ortodoksë e katolikë. Nuk bënte dallime midis të kamurve e të varfërve, për hallet e dertet e njerëzve.
Gjithashtu kishte një edhe një paraqitje të jashtme, ku dukej se rrezatonte një fisnikëri. Përshtypje të bënte ora e predikimit të tij në xhami, ku me një zë të plotë e të ëmbël, bënte vaze (ligjërata) e jepte këshilla të karakterit moral dhe me një elokuencë për t’u pasur zili, kalonte në këshilla për atdhedashurinë. Spikaste tek ai besimi, se një njeri i moralshëm e i virtytshëm, pavarësisht se cilës fe i takon, duhet të mendoje e të përpiqet për vendin e tij”.
Më 1942-in, ai së bashku me Muhamed Xhumrin; shkon në Bolonjë ku zhvilloi edhe një takim me konsullin religjioz të qytetit, i cili u befasua nga kultura e madhe laiko-fetare e këtij kleriku, për tetë gjuhët që zotëronte dhe për tendencat me frymë demokratike që e karakterizonin. Ndoshta kjo qe edhe arsyeja e ftesës që iu bë nga Vatikani, ku në takimin me hierarkinë e lartë fetare, ai la mbresa të mëdha. (Për këtë, dëshmon edhe fakti se në shkurt të vitit 1991, Radio Vatikani e përmendi Mustafa Efendi Varoshin, jo vetëm si demokrat e viktimë të diktaturës komuniste, po edhe si klerik me kapacitet të madh).
Në vitin 1943, u thirr në Tiranë nga Shijaku dhe emërohet Myfti i qytetit të Durrësit. Ai ishte një prijës fetar dhe qytetar shumë aktiv. Fjala e tij buronte nga thellësia e zemrës e nga kthjelltësia e mendjes, duke qenë “balsam” për shërimin e plagëve të njerëzve të vuajtur, me pikësynim për të arritur një paqe sociale, mirëkuptim vëllazëror e fetar. Fjalën nuk e ndante nga vepra, duke qenë vetë, shëmbëlltyrë e tolerancës fetare, si element i domosdoshëm i afrimit midis komuniteteve fetare, që aq harmonishëm ekzistonin në qytetin tonë.
Të moshuarit ruajnë të gjalla në kujtesë ato shëtitje që bënin në rrugët e qytetit, apo në vizitat që shkëmbenin të tre klerikët e nderuar të Durrësit: Myftiu Mustafa efendi Varoshi, Papa Erazem Jorgo dhe Atë Jul Bonati.
Mustafa efendi Varoshi, ishte jo vetëm bashkëkohës me avokat Hysen Myshketën, një personalitet i njohur, intelektual, nacionalist e demokrat, por edhe mik e shok i ngushtë i tij, me pikëpamje të njëjta.
E ndërsa Myshketa shkruante se: Efendi Mustafa Varoshi predikonte hapur e me zjarr të njëjtat mendime, bënte përpjekje të depërtonte sidomos në shpirtin e të rinjve dhe jepte një shembull të përkryer jo vetëm në shoqërimin me klerikët ortodoksë e katolikë, por edhe me përpjekjen e drejtpërdrejte për organizimin e rinisë myslimane durrsake, për të përgatitur një brez te moralshëm e të denjë për familjen, shoqërinë e atdheun.
Ishte pikërisht kjo nismë e rinisë durrsake, që bëri të mundur organizimin e Mevludit Sherif në Tiranë, në prill të vitit 1944. Në fjalën e tij të përshëndetjes, Myftiu i ri u shpreh: “Lus Zotin që për hatër të Muhamedit (a.s.), t’i falë kombit shqiptar paqe, bashkim, vëllazërim, solidaritet, jetë të lumtur morale e materiale, pa dallime feje”.
Mustafa Varoshi, nuk mbyllej vetëm brenda mureve të xhamisë e të merrej vetëm me punët e ritit fetar, përkundrazi, ai bënte një jetë të gjallë qytetare, duke u përpjekur të lehtësoje hallet e njerëzve. Ishte një element pajtues, aty ku kishte grindje e sherre, ishte shume i gjindshëm për t’u ardhur në ndihmë materialisht nevojtarëve.
Edukata morale-fetare, padyshim që e çonte drejt një humanizmi të plotë, aq sa mbështeti nismën e avokatit Myshketa, për krijimin e një Komiteti Bamirës, që me ndihmat e tregtarëve durrsakë, t’u jepej përkrahje familjeve të varfra, të organizohej një mensë popullore falas e, të ndërtoheshin banesa për strehimin e familjeve nevojtare.
Myftiu Mustafa Varoshi, duke qenë i drejtë ishte dhe trim. Ai do të ishte ndër hartuesit e peticionit, drejtuar qeverisë komuniste të Enver Hoxhës, për familjen e Ali Saraçit, e të dy shokëve të tij; mblidhte firmat e qytetarëve durrsakë të shtresave të ndryshme, duke i kërkuar qeverisë komuniste faljen e tyre dhe kur peticioni nuk u mor parasysh e, të tre të rinjtë u pushkatuan, Myftiu foli në xhami, duke dënuar; “aktin e shëmtuar të marrjes së vendimit nga ana e gjykatës ushtarake dhe dënimin e të pafajshmëve”.
Regjimi komunist diktatorial, jo vetëm nuk e la në harresë atë peticion, por u kundërpërgjigj menjëherë, me arrestimin e burgimin e hartuesve të tij, ndër të cilët: Hamdi Kazazi, Ali Cara, Ismail Rama, Ymer Menaholli, etj. Por ndaj Myftiut, fillimisht u tregua “i kujdesshëm” dhe nisi të përgatiste goditjen, me artikullin e gazetës “Bashkimi”, me titull “Nën maskën e mëshirës”, ku bënte këtë kërcënim: “Ky vendim është një paralajmërim për tërë ata që janë munduar ose, do të mundohen të mbrojnë krimet e armiqve të popullit”.
Duke njohur autoritetin që gëzonte në popull, jo vetëm në Durrës, por në një zonë të gjerë të Shqipërisë se mesme, Enver Hoxha, e thirri në Tiranë Mustafa Varoshin dhe u përpoq me dinakëri, ta vinte në shërbim të qëllimeve të ulëta të diktaturës. Një propozim i tillë, binte ndesh plotësisht me edukatën, konceptet dhe shpirtin human e, të gjithë qenien e atij burri, që i ishte kushtuar qëllimeve të tjera të larta, prandaj Mustafa efendi Varoshi, e hodhi poshtë me përbuzje, i vetëdijshëm për pasojat që e pritnin.
Dhe nuk vonoi. Në shtator të vitit 1947, e arrestuan dhe e mbyllën në birucën e bodrumit të Degës së Punëve të Brendshme të qytetit të Durrësit. U sajuan lloj-lloj akuzash, deri agjent i gjermanëve! Dhe pse?! Kur familja e tij, ishte shpërngulur ne Shijak, si shumë familje të tjera, e ku e nderonin shumë, Mustafa Varoshi, kishte guxuar të shkonte në komandën gjermane dhe duke njohur gjuhën, falë urtësisë dhe arsyetimit të tij, ishte lutur, të mos hidhej në erë ura e Shijakut.
Klerikut të ndershëm nuk do t’i shkonte kurrë nëpër mend, se për shkak të gjuhës së huaj që zotëronte e, për një lutje të ndershme në mbrojtje të interesave të një qyteti, do të akuzohej dhe do të dënohej si “armik i popullit”.
Mbas torturash të egra që e shpërfytyruan pamjen e tij hirplotë, gjyqi i diktaturës komuniste enveriste, e dënoi me 20 vjet burg politik. Ja çfarë shkruan Mustafa Xhumri, ish i burgosur së bashku me Myftiun: “Figura e këtij kleriku, na pezmatonte të gjithë neve, që vuanim egërsisht në birucat e këtij burgu dhe na dukej çnjerëzore burgosja e tij e, më vonë edhe e klerikut tjetër te qytetit tonë të fesë katolike, atë Vinçenc Prendushi, të cilët me sa më kujtohet, kishin miqësi të lidhur prej kohësh, midis tyre dhe një respekt për t’u admiruar.
Që të dy, nuk kishin motiv tjetër të bisedave të tyre, veçse dashurinë për atdheun. Më vinte për të qarë, kur e pashë për herë të parë midis nesh, në oborrin e burgut, Myftiun e nderuar që e sollën nga qelia e torturave. Nuk ishte në gjendje të qëndronte në këmbë. Mund të them se ai, nga gjithë ato tortura, qëndroi stoik dhe nuk e tradhtoi idealin e tij të pastër, fetar e qytetar. Torturat e rënda, jeta në birucë dhe sëmundja e diabetit, që iu rëndua edhe më shumë, e çonin drejt vdekjes”.
Mençurinë, drejtësinë, humanizmin, stoicizmin për të përballuar vuajtjet e fatkeqësitë, i kish të gjitha brenda qenies së tij, mbi baza të shëndosha morale, qytetare, fetare e intelektuale, në ndeshje me ata që i morën jetën, të cilët ishin personifikimi i së keqes, i injorancës, i territ, i diktaturës së përgjakur, i meskinitetit, i ligësisë në veprim.
Diktatura, sado e egër që të jetë nuk është e zonja të nënshtroje shpirtrat e njerëzve, mendimin e lirë, madje edhe aty ku ajo e quan veten të plotfuqishme, në qelitë e burgjeve të saj. Kështu ndodhi edhe me figurën e Mustafa Varoshit. Ai vdiq, por ideali dhe kujtimi i tij, mbeti gjallë.
Ai që kishte predikuar gjithë jetën për tolerancën fetare për vëllazërimin fetar, për respektin fetar si bashkëkombës, u ngrys mes torturave, me klerikun e nderuar katolik, të dy përçues të njohjes së Zotit për dashurinë njerëzore, u sakrifikuan të dy si shëmbëlltyra të pastra. Mustafa Varoshi, vdiq ne burg në moshën 51 vjeçare, më 7 mars 1948.
Vdekja e tij qe një humbje e madhe jo vetëm për fenë islame, po edhe për mbarë qytetin e Durrësit, i cili e shprehu qëndrimin e tij, me sfidën që i bëri autoriteteve komuniste të vendit; pa leje, duke lënë në një anë frikën në kulmin e diktaturës, populli i qytetit, e la punën dhe doli për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit, e cila u zhvillua madhështore. Memorie.al