Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ Zbulohet dokumenti i vitit 1987 i Ministrit të Financave, Andrea Nako, dërguar Pirro Kondit, për “veprimet e paligjshme” të disa futbollistëve të ekipeve shqiptare që ktheheshin nga aktivitetet ndërkombëtare, ku midis të tjerash thuhet: “Futbollistët e “Flamurtarit” të Vlorës, Kreshnik Çipi dhe Vasil Ruci nuk pranonin të firmosnin dokumentin e mallrave që kishin sjellë, duke arritur të përdorin shprehje të tilla; ‘po na trajtoni si jugosllavë”.
Ashtu siç dihet tashmë, ekipi “Partizani” i Beogradit që luajti në “Elbasan Arena” me “Skënderbeun” e Korçës, ka ardhur në Shqipëri edhe plot 30 vjet të shkuara, në tetorin e vitit 1987, për t’u ndeshur me “Flamurtarin” e Vlorës, një nga ekipet më në zë, të futbollit shqiptar të atyre viteve. Mund të themi se bëri epokë me ato ndeshje të zhvilluara në kuadrin e kupave të Europës, duke bërë një paraqitje mjaft dinjitoze edhe me ekipe të tilla si; “Barcelona”, “Partizani” i Beogradit, “Vismut Aue” Gjermanisë Lindore, “Lech” i Poznanit (Poloni), “Olimpiakos” i Pireut, Greqi etj. Tashmë këto ndeshje, apo dhe ato të ekipeve të tjera, në aktivitetet ndërkombëtare, si: “Partizani”, “17 Nëntori”, “Vllaznia”, janë mjaft të njohura prej sportdashësve shqiptarë të atyre viteve, që mbushnin plot e përplot stadiumet, por ajo që nuk dihet me saktësi, është “shpërblimi” që morën ata futbollistë (që përbënin edhe bërthamën e ekipit kombëtar), nga ana e shtetit shqiptar?! Kjo gjë, pra “shpërblimi” për ato ndeshje që zhvilluan “Ruci, Kushta, Çipi, Ferko, etj, të cilat kanë mbetur ende të freskëta në memorien tonë, behet e ditur nga ky dokument arkivor, i cili botohet për herë të parë ekskluzivisht për Memorie.al. Ministri i Financave të asaj kohe, Andrea Nako, me anë të një raporti, informon sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Tiranës, Pirro Kondi, lidhur me “sjelljen e pahijshme të disa futbollistëve të ekipeve të futbollit, “Partizani”, “Flamurtari” i Vlorës dhe ”Vllaznia” e Shkodrës”. Sipas dokumentit në fjalë, disa futbollistë të ekipit “Flamurtari” i Vlorës, si Petro Ruci, Vasil Ruci, Alfred Ferko, Viktor Daullja, Kreshnik Çipi etj, kishin sjellë nga jashtë (bëhet fjalë pas ndeshjes në Beograd me ekipin “Partizani”), disa radio-magnetofona dhe televizorë, të cilat ua ndaluan nga dogana, pasi ato “ishin sjellë në rrugë të paligjshme, sepse, dieta e tyre ishte vetëm 12 dollarë”. Dhe nisur nga ky fakt, magnetofonat dhe televizorët, që këta futbollistë kishin blerë, duke kursyer nga dietat e tyre minimale, ju sekuestruan dhe ju kaluan në favor të shtetit, pa u dhënë asnjë shpërblim poseduesve të tyre. Madje jo vetëm kaq, por ata duhet të jepnin llogari në mbledhje të veçanta, që do të mbaheshin në klubet e tyre përkatëse “për ato sjellje të pahijshme”…?! Ky ishte “shpërblimi” që u ofronte asokohe, regjimi komunist sportistëve shqiptarë, gjë e cila pasqyrohet edhe nga dokumenti arkivor që publikohet në këtë shkrim.
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
MINISRIA E FINANCAVE
DREJTORIA E DOGANEVE
Nr. 1193
3.10.1987
LENDA: Mbi sendet e sjella në rrugë të kundërligjshmesh nga ekipet e futbollit “Partizani”, “Vllaznia” dhe “Flamurtari”
SEKRETARIT TE PARE TE KOMITETIT TE PARTISE SE RRETHIT
SHOKUT PIRRO KONDI
TIRANE
Ekipeve të futbollit, “Partizani”. “Flamurtari” dhe Vllaznia”, me porosi të kryesisë së Këshillit të Ministrave, dogana ju ka mbajtur sende elektronike, duke ja kaluar shtetit pa shpërblim, mbasi janë siguruar prej tyre në rrugë të kundërligjshmesh, sepse me dietat që kanë, nuk mund të bliheshin.
Flagrante dhe të dënueshme janë sjelljet, të 6 futbollistëve të ekipit “Flamurtari” i Vlorës, kur dietat ishin 12 dollarë klering, ose afërsisht 8.000 dinarë jugosllavë për person, Leonidha Çurri, Viktor Daullja dhe Petro Ruci, sollën nga një radio magnetofon, kurse Sokol Kushta, Kreshnik Çipi dhe Vasil Ruci, sollën nga një televizor.
Ekipet e futbollit të “Flamurtari” i Vlorës dhe “Vllaznisë” së Shkodrës, mbajtën qëndrim të pahijshëm me punonjësit e doganës, Shkodër dhe Gjirokastër, fillimisht ata nuk pranuan që të kalonin në kontrollin doganor.
Futbollistët e “Flamurtarit” të Vlorës, Kreshnik Çipi dhe Vasil Ruci, nuk pranonin të firmosnin dokumentin e mallrave që kishin sjellë, duke arritur të përdorin shprehje të tilla; “po na trajtoni si jugosllavë”,” neve nuk largohemi nga dogana pa marrë radio-magnetofonat dhe televizorët”, veprime të tilla shfaqi dhe futbollisti Alfred Feko.
Ne mendojmë se këto shfaqje të huaja, që janë manifestuar nga futbollistët gjatë kontrollit doganor, si dhe veprimet e kundraligjshme, të kryera prej tyre, për sjelljen e sendeve elektronike, duhen analizuar me kolektivat e sportistëve, për të nxjerrë përgjegjësitë dhe për të marrë masa që këto shfaqje dhe veprime të kundraligjshme të mos përsëriten./Memorie.al
M I N I S T R I
ANDREA NAKO
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016