Nga Prel Milani
Memorie.al / Deputeti historik i Shkodrës, Profesor Kolë Prela, u flijua 75 vjet më parë për fjalën e lirë. Ndaj vendosa të bëjë këtë kujtesë historike me rastin e 75-vjetorit të pushkatimit. Profesor Kolë Prela është opozitari i parë që kërkoi hapur pluralizmin politik, në Parlamentin famëkeq të 1946–ës, por ai u dënua me vdekje si tradhtar i popullit. Ai ishte doktor i lauruar në Torino, studiues, publicist dhe kritik arti. Ishte antifashist i vjetër, krijues i Këshillit Krahinor të Nacional-Çlirimtar të Shkodrës. Ishte organizatori i Lëvizjes Antifashiste në Rrethin e Dukagjinit dhe i ngritjes së Batalionit “Perlat Rexhepi”.
Vijon nga numri i kaluar
Deklaratën e Profesor Kolë Prelës, si deputet i Dukagjinit për mbrojtjen e Pater Gjon Shllakut, të cilën e cituam në numrin e kaluar (“Pushkatimi i deputetit të parë opozitar Kolë Prela”), e kanë dëshmuar disa nga gazetat e kohës. Gazeta “Koha e re”, më 26 janar 1946, duke iu referuar këtij fakti, shkruan: “Profesor Kolë Prela, deputet në Asamblenë Kushtetuese, mbron At Gjon Shllakun…! Duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit, se; “A keni lexuar “Hyllin e Dritës”? – “Po”, – u përgjigj – “Po shkrimet e tija dhe të tjerëve, çfarë përshtypje u kanë bërë”? – “Nuk ju kuptoj, përse pyesni për gjëra të tilla, që lejoheshin të shtypeshin e të lexoheshin legalisht”?!
– “Çfarë shoqërie ishte ajo Antoniane”? – “Përfaqësuesi i popullit përgjigjet: – Shoqëri fetare”. Në këtë rast populli në sallë filloi me vërshëllye e me rrahë këmbët..! – “Unë, në emër të popullit, – reagon prokurori – një gjë të tillë nuk mund ta pranoj kurrë. – Më vjen keq të atakoj një njeri që quhet i lëvizjes, por di të them se ju, e dini mirë veprimtarinë e Gjon Shllakut”. – “Ju kujtoj, zoti prokuror, – theksoi deputeti, – se jam plotësisht i përgjegjshëm për sa deklarova, prandaj të lutem, mos i bëni asnjë koment thënieve të mia.
Kaq tha dhe doli jashtë gjithë mospërfillje, nga ajo sallë, ku ishin mbledhur fundërrinat e qytetit, e bënin tifo në atë gjyq famëkeq. Prokurori kishte mbetur si bishë e plagosur. Profesori me këtë gjest, kishte demaskue demokracinë e rreme. Deputeti trim i Dukagjinit, doli në shesh e demaskoi luftën sistematike që po u bëhej intelektualëve, nga një bandë mizore që kishin uzurpue pushtetin”. Kjo deklaratë bombë ishte një këmbanë që paralajmëroi fundin fatal të Kolë Prelës, si politikan dhe qytetar i lirë.
KOL PRELA ARRESTOHET ME MANDATIN E POPULLIT NË XHEP
Kol Prela u arrestua më 14 shtator 1946, me këtë aktakuzë: “Ka punue për formimin e një organizate terroriste në Shkodër, lidhur me Komitetin Qendror e organizatës terroriste të Tiranës. Nga të pandehurit, Kolë Prela ka qenë efektiv i Komitetit Qendror të Demokristianes dhe bashkëpunëtor i organizatës terroriste. Kolë Prela, është largue nga detyra e Profesorit, në kohën e okupacionit politik dhe qëndronte në zona nën influencën e Demokristianes dhe për oportunitet politik, diku bashkëpunonte me elementë të Lëvizjes, por më tepër ishte i lidhur me elementë të Demokristianes ose të Legalitetit.
I pandehuri Kolë Prela, konsultohet me Pader Gjoin Shllakun e të tjerë klerik, në se duhesh pranuar kandidatura e vënë prej Frontit në emrin e tij. Dhe më në fund, vendosi të pranohet dhe kontrabandë, pa u njohur nga populli puna e tij reaksionare, zgjidhet përfaqësues i popullit, në Kuvendin Popullor, punë që ishte në interes të reaksionit e sidomos të Demokristianes, ku i pandehuri Kolë Prela, ishte Anëtarë i Komitetit Qendror, sikurse e ka faktuar tradhtari Monsinjor Volaj dhe në ketë mënyrë Demokristianët në Kuvendin Popullor, kishte njerëzit e saj ç’ka i nevojiteshin.
Mbas kësaj kohe i pandehuri Kolë Prela, bashkë me avokatin Paulin Pali e Pater Gjon Shllaku, bëjnë mbledhje të ndryshme të tre së bashku, ku diskutojnë mënyrën se si duhet organizue e veprue kundër pushtetit. Rreth organizatave të tjera reaksionare. I pandehuri Kolë Prela, si anëtarë i Komitetit Qendror të Demokristianes, fillon bashkëpunimin me përfaqësuesit e tjerë reaksionar në Kuvendin Populor, sabotimet e tij, fillimisht me anë parullash e kundërshtimesh dhe ma vonë, duke patur organizimin e tyre, në bashkëpunim me përfaqësuesit e tjerë tradhtarë, si; Riza Dani, Gjergj Kokoshi, etj.
Gjatë kohës që i pandehuri ishte përfaqësues në Kuvendin Popullor, udhëton shpesh herë Tiranë-Shkodër dhe gjithnjë bën takime dhe mbledhje me elementë reaksionarë. Të pandehurit Kolë Prela dhe Paulin Pali, dinin mirë organizatën e “Bashkimit Shqiptar”, se për ketë ishin vënë në dijeni nga Pader Gjon Shllaku dhe me mundësitë e tyre kishin ndihmuar, sidomos me anën e propagandës.
Kur organizata “Bashkimi Shqiptar” u zbulua dhe doli tradhtia e tyre në shesh, i pandehuri Kolë Prela, me qëllim që të mbrojë kuadrot e reaksionit dhe sidomos Pader Gjon Shllakun, që ishte organizatori kryesor i saj, në kohën kur gjykoheshe, i del dëshmitarë mbrojtës, duke dashtë të mbulojë tradhtinë e tij, sado që i pandehuri Kolë Prela, ishte përfaqësues i popullit. Mbas dënimit që mori i pandehuri Pader Gjon Shllaku, i pandehuri Kolë Prela, mban lidhje të rregullta me me Paulin Palin, me të cilin bashkëpunon shumë ngushtë si dhe tradhtarë të tjerë.
I pandehuri, udhëzon elementët reaksionar, si; Gjelosh Luli nga Shoshi, për të punuar kundër pushtetit, si dhe të vëllanë e tij Markun, Pjeter Palin, Luigj Ljarjen, të cilët njëkohësisht kishin lidhje të ngushta me Pader Gjon Shllakun dhe disa nga këta, me udhëzimet e të pandehurit Kolë Prela e Pader Gjon Shllaku, mbanin lidhje edhe me të arratisurit, duke ju dhënë atyre të gjitha informacionet e nevojshme.
Tradhtari Luigj Ljarja, i ka thënë të pandehurit Kolë Prela, se në Pukë ekziston një organizatë klandestine dhe për këtë i pandehuri, megjithëse e dinte se kjo organizatë drejtohej për kundra pushtetit, si përfaqësues i popullit në Kuvendin Popullor, nuk ka marrë as një masë, për denoncimin e saj, përkundrazi i ka dhënë udhëzime se si duheshin të punonin më tepër, se situata do të ndryshonte, do të zbarkojnë anglo-amerikanët, me të cilët kishte lidhje dhe shpresonin në zbarkimin e tyre, si mbas premtimeve që u kishin dhënë.
Të pandehurit, tradhtari Luigj Ljarja i tregoi edhe për lidhjen që ishte krijuar rreth organizatës së Tiranës, nëpërmjet Anton Dukagjinit dhe kriminelëve të arratisur, që edhe vetë Luigji, ishte korrier i tyre. Ai ka qenë për ndërhyrjen e shteteve të huaja imperialiste. Direktivat nga Komitetit Qendror i Tiranës, i ka dhënë Abdyl Kokoshi”.
Pas leximit të akt akuzës, e cila i cilësonte fajtore të gjithë të pandehurit e sipër përmendur, kryetari i trupit gjykues, Kapiten I-rë, Misto Bllaci, jep vendimin përfundimtar. Anëtarët e trupit gjykues, kanë vënë vetëm firmat, jo emrat.
AKUZAT: KOLË PRELA, MBRON NË GJYQ TEZËN E NJË PARTIE OPOZITARE
U pyet i pandehuri Kolë Prela dhe tha: “Në akt-akuzë, ndonjë fjalë është e vërtetë. Gjatë kohës së okupacionit fashist, një vit kam qenë në Itali dhe në 1940, jam kthyer në Shkodër, ku jam emëruar profesor dhe kam qëndruar deri në vitin 1943, pastaj u legalizova në Dukagjin, se kisha marrë pjesë në formimin e Këshillit Nacional Çlirimtar Shkodër.
Qëllimi im, ishte të luftoj fashizmin dhe shokët e Këshillit më thanë të shkoja atje, të punoja dhe mora lidhje me Zija Dibrën dhe Arif Gjylin, etj. Kam pasë kontakt me njerëz të ndryshëm sidomos, Mark Mala më ka shkruar të hiqesha nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare, por unë i kam shkruar të vinte edhe ai me ne.
Ai më shkruante se ‘Blloku’ do të përçahej….! Mua më pëlqente një Demokraci, me partina të shumta dhe kësish demokracie, kishte në Francë dhe Angli. Unë më shumë kam folë për Anglinë dhe Amerikën, me mujtë me afritë ata me popullin. Kam pasë takime edhe me bajraktarë, në favor të lëvizjes NaÇl, ku ka qenë edhe Mark Ndoja, shoku im. Nga Elbasani jam kthyer në nëntor 1945. Vëllai më tha se kish folë me Pader Gjon Shllakun, për një grup për të marrë pjesë në votime, pa i vënë emër.
Pater Gjonin e kam njohur në vitin 1940 dhe nuk di të ketë punue për fashizmin. Çlirimi i Shqipërisë, më ka pëlqyer dhe kam qenë për 2 muaj përgjegjës i Seksionit Ekonomik, pastaj Drejtor i ‘Normalës’ së Elbasanit, ku kam qëndruar 8 muaj, pastaj u transferova Profesor në Liceun e Shkodrës, deri sa u arrestova. Takimi i fundit me Pater Gjon Shllakun, ka qenë mbas zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, kur kemi qenë së bashku me Paulin Palin, por ky takim ka qenë i rastësishëm dhe për Organizatën këtu, nuk u bisedue, vetëm tha se mbas lajmeve të radios, mund të prishet situata në verë dhe mund të ketë ndryshime, por unë i thashë se ti je duke folë kot, i bindur se nuk u dhashë ndonjë rëndësi.
Me të tjerë persona, nuk kam bisedue dhe as që kemi hapë të tilla biseda. Unë Pader Gjonin, e kisha mik personal dhe shkova për të marrë një libër dhe jo i ftuar prej tij. Mbas këtij takimi, më datën 9/1/1946, kam shkue në Tiranë në Asamble. Organizatën ‘Bashkimi Kombëtar’, e mora vesh nga gazeta ‘Bashkimi’ në Tiranë dhe u hap lajmi se u arrestua edhe Pader Gjon Shllaku, por unë nuk kam qenë në atë organizatë. Kur zhvilloheshe gjyqi në Shkodër, kundra organizatës, kanë ardhë e takue me mue Pader Franua dhe Pader Filipi e Aleks Baqali dhe unë u dhashë një deklaratë, për ta paraqitë në gjyq, në favor të Pader Gjonit.
Kur kam pasë takim me Paulin Palin, i thashë se i shkreti Pater Gjoni, u dënue dhe ky më tha. Mos më fol për gjyqin, mbasi dukeshe se i ishte dhimbur dhe atij, por mua më dhimbsej se qe miku im. Gjelosh Lushin e njoh, është prej Shoshit, mbas çlirimit jemi takuar dy herë, një herë në shtator 1945, një herë në prill 1946. Erdhi në shtëpi dhe më pyeti për gazetën dhe unë i lexova fjalimin e Kokoshit, në Gazetën ‘Bashkimi’ dhe i thashë se nuk do të ishte keq, të bëhej një parti tjetër.
Në prill më tha: me sa kam pare, për ty do të arrestojnë, por bën mirë me u ilegalizue. Unë Gjeloshit i thashë se; nuk kam bërë gjë, pastaj më pyeti për gjendjen ndërkombëtare, ndërsa unë i thashë: Situata është e turbullt dhe e ngatërruar, por luftë nuk do të ketë, por bota mund të ndahet në dy blloqe. Unë për sa më tha Gjeloshi, për çështjen e arrestimit, nuk kërkova shpjegime, se ai ma tha si mik, që të ruhesha se do të më arrestonin…! Unë, nuk e kam ngarkue ketë, me punë në Dukagjin.
-Nuk kam qenë anëtar i Partisë Demokristianes dhe as nuk kam shkuar kurrë në Arqipeshkvi. Nuk di gjë për lidhjet me Tiranën as 9 shtatorin. Për Anglo-amerikanët, as nuk di gjë, as nuk njoh ndonjë njeri. Sigurisht unë kam dëshiruar sistemin shumë partiak. Unë jam futur në Front, që të luftojmë së bashku okupatorin e huaj, ndërsa pas çlirimit, kam synuar e luftuar që të krijohet një sistem parlamentar shumë partiak, me parti të majta e të djathta, ku secili njeri të kishte të drejtën të votonte partinë që dëshironte. Qysh në momentin që na u mohua ky premtim, që na ishte thënë që gjatë Luftës, unë kam dalë në opozicion dhe kam luftuar për të krijuar pozitën e re shqiptare”.
PRETENCA E GJYQIT
“Kolë Prela, kërmë, prostitute, që qëndronte në Kuvendin Popullor”!
“I pandehuri Kolë Prela, sado që në dukje tregohesh i lidhur me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare, në realitet ka qenë bashkëpunëtor i Demokristianes dhe qysh në ditët e para të çlirimit, filloi bisedimet me njerëzit e Demokristianes dhe posaçërisht me tradhtarin Pater Gjon Shllaku edhe eksponent, si Riza Dani, njerëz të Klerit Katolik, Paulin Palin dhe të tjerë qelbësira të Qytetit të Shkodrës…!
“I pandehuri, Kolë Prela megjithëse populli i dha besimin dhe votën si përfaqësues në Kuvendin Popullor, ky tradhtar i poshtër, kjo kërmë e ndyrë, nuk e çmoj besimin e popullit dhe në vend që të mendonte për popullin, merr kazmën në dorë, për t’i gërryer themelet atdheut, duke u bërë mish e thua me shoqatën fashiste Demokristiane. Kolë Prela, bënte propagandë të dyanshme, me dy karrige, politik, prostitutë që qëndronte në Kuvendin Popullor për formë, nga ana tjetër, inkurajonte Demokristianët, Paulin Palin, Kel Çobën e të tjerë, për të vepruar kundra pushtetit, për të rrëzuar pushtetin”!
V E N D I M I:
Për të gjithë veprimtarinë e tij tradhtare që u vërtetua nga zhvillimi i gjyqit, në bazë të neneve…..të ligjës nr 372 / I pandehuri Kolë Prela, dënohet me VDEKJE dhe humbjen e përhershme të drejtave civile dhe politike.
Mister i pazbardhur ende, se ku përfundoi trupi i Kolë Prelës pas pushkatimit?!
Kolë Prelën, nuk e pushkatuan në Zallin e Kirit, në atë “ferr” ku përfundonin shpirtrat e mallkuar të “djajve” antikomunist. Për arsye konspiracioni, nga që profesori ishte njeri i politikës (deputet) dhe ish-luftëtar i Frontit, thuhet se e pushkatuan diku larg në Fushën Bunës, të lidhur dorë për dorë me mikun e tij, avokatin e mirënjohur Paulin Pali. Me datën 13.04. 1948, pushkatohet në atë fillim pranverë të zymtë, pa lule. Plot dy muaj e gjysëm, apostulli ynë i parlamentarizmit, provoi ankthin e tmerrshëm të përmasave biblike, duke numëruar minutat, orët dhe agimet, kur do të përballej me plumbin.
Psikologët më të mëdhenj botëror, duke studiuar ankthin e njerëzve që presin të ekzekutohen, kanë arritur në konkluzionin se; pritja është më e tmerrshme se vetë ekzekutimi. Nuk dihet se cili qe vullneti i tyre i fundit…! Dihet se batarja e skuadrës së trupit ekzekutues, shkarkoi mbi ta gjithë plumbat e karikatorëve të mashinës vdekjeprurëse, duke ua shkimatë zërin në buzë. Martirët u rrëzuan përdhe, duke zbutë me gjakun e tyre djaloshar edhe një herë atë tokë, që më gjak është lagë e ushqyer ndër mote. Mas pushkatimit trupat e viktimave, përgjatë gjithë ditës, liheshin ashtu njeri mbi tjetrin, si të ishin thasë plehi.
Nënteksti ishte i qartë: “Shikojini si përfundojnë armiqtë e popullit! O popull, shfry mërinë mbi armiqtë e tu”! Më afrimin e mbrëmjes, ashtu grumbull siç ishin, ngeheshin rrëshqanë dhe hidheshin si ngordhësira në një gropë të përbashkët. Ndoshta Profesor Kolë Prela, qe më me “fat”, pasi duke qenë njeri shumë publik, u gropos me vëmendje, duke mos lënë gjurmë as shenjë vorri. Nuk dihet se ku përfundoi trupi i Kolë Prelës, në Bunë, Liqen, apo në ndonjë gropë apo kanal…?!
Dihet që akoma sot e kësaj dite është i pavarur. Mos vallë as një varr nuk e meritonte ky njeri në “Shqipërinë e lirë”, së cilës i fali gjithë patriotizmin e vet! Prof Kolë Prela ka vendin e merituar në historinë e e parlamentarizmit shqiptar. Shkodra, Profesor Kolë Prelën, e pati një zëdhënës të vërtetë të dëshirave e qëllimeve të saja fisnike, prandaj duhet të ndihet krenarë që e pati djalë, pasi ai ishte drejtësia, vërtetësia, sinqeriteti dhe vetëmohimi. Profesor Kolë Prela, mbetet i gjallë edhe pas vdekjes fizike. Shembulli dhe ideali i tij, vijon të veprojë në dobi të arsimit, demokracisë dhe atdheut. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016