Nga Afrim Imaj
Memorie.al / Në qelitë e burgjeve të komunizmit, femrat, shpesh shndërroheshin në viktima të dhunës seksuale nga zyrtarët që i mbanin në ruajtje, por jo vetëm. Shfaqja perverse, e sjellë së fundi në vëmendjen e opinionit me dëshminë tronditëse të Alida Hiskut, këngëtares së mirënjohur që guxoi të denoncojë publikisht, ka ngjallur debate të shumta, duke vënë përballë njëri-tjetrit, ata që pranojnë ekzistencën e fenomenit dhe të tjerë që nuk e besojnë. Çuditërisht, në grupin e këtyre të fundit, përveç pinjollëve të regjimit famëkeq, është bashkuar ndonjë ish i përndjekur që ka vuajtur jo pak, në ferrin e burgjeve të komunizmit, i cili garanton se në asnjë rast, marrëzia e diktaturës s’ka arritur deri te përdhunimi. E vërteta që vjen nga arkivat, nuk lë vend për dilemma, rreth ekzistencës së fenomenit monstruoz.
Në librin më të fundit, “Kampet dhe burgjet e komunizmit”, historiani Kastriot Dervishi, ish-drejtor i Arkivit të Ministrisë së Brendshme, sjell një mori faktesh që provojnë sjelljen bastarde të njerëzve të regjimit me gratë dhe vajzat që popullonin vendet e dënimit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai rrëfen me gjuhën e dokumenteve, rastet pa fund, kur femrat binin viktima të dhunës seksuale të hetuesve, gardianëve, prokurorëve, gjykatësve, e deri te drejtuesit e kampeve çnjerëzore.
I habitur me diskutimet pro dhe kundër ekzistencës së fenomenit, Dervishi i kundërvihet pjesës që e përjashton aktin e dhunës seksuale, ndër të tjera, edhe me një raport të qeverisë së SHBA-ve të vitit 1955, ku denoncohen me shembuj konkretë, rastet e përdhunimit, madje edhe nga drejtuesit e kampeve dhe burgjeve të regjimit…!
Zoti Kastriot, në librin tuaj më të fundit, “Kampet dhe burgjet e komunizmit”, zë një vend të veçantë, keqtrajtimi i femrave, duke përfshirë dhe përdhunimin. Fenomeni ka qenë masiv, apo bëhet fjalë për ngjarje sporadike?
Përdhunimi i femrave apo keqtrajtimi i tyre në regjimin komunist, e ka zanafillën qysh në vitet e luftës, si shprehje e urrejtjes ndaj “armikut”. Me përmbysjen e madhe, në fund të vitit ’44, Shqipëria përjetoi zhvillime të jashtëzakonshme sociale. U përmbys raporti midis intelektualëve të shkolluar dhe elementit të pashkolluar.
Pjesa më e madhe e elitës, u përball me inkuizicionin e tmerrshëm, me vrasje e burgosje masive. Në krye të vendit, në poste të rëndësishme, zbarkuan edhe elementë ordinerë, vrasës, vjedhës apo keqbërës. Ata tjetërsuan tërësinë e marrëdhënieve shoqërore, por jo vetëm. Qëndrimi i komunistëve, ardhur rishtas në pushtet, sidomos me pjesën “reaksionare”, ka qenë tipik me sjelljen e një bande. Femrat, për natyrën e tyre të brishtë, ishin viktimat e para të kësaj sjelljeje banditeske.
Përtej këtij konteksti, si është shfaqur fenomeni i përdhunimit te gratë e pambrojtura në burgjet dhe kampet e regjimit?
Po të bënim një kategorizim të rasteve rreth dhunimit të grave, gjithnjë sipas dokumenteve, renditja do të ishte kjo: –
-Përdhunimet e të internuarve në kampet me tela me gjemba.
-Përdhunimet e grave të të burgosurve, të cilat vinin për të takuar burrat e tyre. (Raste në Kampin e Maliqit, Burgun e Burrelit, Spaçit etj.)
-Përdhunime gjatë procesit të hetuesisë.
-Përdhunime gjatë vuajtjes së dënimit në burgjet e prefekturave (dhomat e grave), artizanalin e Tiranës, në repartet 318 në Qytetin “Stalin”, në Kosovë të Elbasanit, etj.
-Përdhunimet e grave të të burgosurve apo të të pandehurve.
-Përdhunimet ndaj grave të huaja, si gjermane, italiane dhe greke.
Kush implikohej në këto histori monstruoze?
Përgjithësisht, punëtorë operativë të Sigurimit, policë të shërbimit të brendshëm të burgjeve, drejtues burgjesh e kampesh, hetues etj.
Pra, në kampet me tela me gjemba, ky fenomen ka qenë masiv…?!
Ato ishin vendet e para të izoluara ku kryheshin përdhunime ndaj grave dhe vajzave të reja. Fillimisht, u hapën në vitin 1945 dhe funksionuan deri në vitin 1953. Në to vuanin dënimin të afërmit e këtyre kategorive: Familjarët e të arratisurve, të dënuarve politikë me vdekje apo me burg, partizanëve dezertorë, etj.
Ishte për këtë arsye që në kampe me tela me gjemba, kishte në shumicë fëmijë të vegjël, adoleshentë dhe gra.
Pikërisht me këtë grup vulnerabël, tregonte çdo ditë trimërinë regjimi. Veçanërisht në kampin e Valiasit, të Cërrikut dhe atë të Tepelenës, përdhunimi i femrave nga personeli i tyre, ka qenë një dukuri masive. Ka tërhequr vëmendjen për këtë edhe qeveria e SHBA-ve.
Ajo, mbështetur në dëshmitë e mbledhura nga shqiptarët e paktë që arratiseshin nga Shqipëria, në shkurt të vitit 1955, i ka paraqitur OKB-së, një raport denoncues, në të cilin referon, si më poshtë, raste konkrete të zyrtarëve që abuzonin me femrat e pambrojtura. “Abedin Zeqiri, që ishte një banues i kampit të përqendrimit, para se të arratisej në Jugosllavi, më 1952, njoftonte se Xhafer P., drejtor i këtij kampi, kapte me zor çdo ditë një nga femrat më të bukura që banonin aty. Policët që shërbenin në kamp, kanë përdorur keq çdo vajzë të bukur në kamp”.
Fakte të tilla gjen me shumicë edhe në dokumentacionin zyrtar të Ministrisë së Brendshme. “Punëtori operativ i kampit, me emrin Mantho, nënvizohet në raportin e datës 7.6.1952, torturonte, plaçkiste dhe vidhte ‘monarko-fashistët’ e dënuar, ndërsa në një rast tjetër, ka tentuar të përdhunonte një grua. Kjo gjatë qëndrimit në kampin nr. 5, në Plug të Lushnjës”.
Një tip i tillë ka qenë “Toger Baba”, bëmat e të cilit dëgjohen ende, sidomos në zonat e Veriut…?!
Kjo është historia e Hodo Habilit, i njohur edhe si “Toger Baba”. Përtej vrasjeve apo torturave, për të cilat shquhej në radhët e banditëve të Sigurimit, ai veçohej ndër ta për sjelljet barbare ndaj femrave.
I ka pranuar këto me gojën e vet, por edhe është denoncuar nga dhjetëra e qindra qytetarë. Në një nga dëshmitë e tij, “Toger Baba”, pohon në vetë të parë: “Para se të bëja vrasjet, kam arrestuar një vajzë në katundin Fishtë. Pasi e arrestova, u thashë partizanëve, ta shtrëngonin. Ata e torturuan. Më pas e thirra në një dhomë dhe detyrova dy gra ta zhvishnin lakuriq. Këto nuk e zhveshën dot, se vajza nuk deshi dhe qante.
Atëherë e detyrova unë që të zhvishej dhe vajza u zhvesh siç e ka bërë nëna. E lashë më se gjysmë ore të zhveshur dhe pastaj e lashë të vishet. Vajzën e panë të zhveshur disa ushtarë dhe disa prej popullit…! Kam zhveshur një grua në katundin Dedaj të Koplikut dhe ashtu e kam futur në dëborë”.
Në listën e grave të përdhunuara, së paku, për aq sa iu faktuan gjatë procesit gjyqësor, rezultojnë edhe dy murgesha. Është rrëqethëse, dëshmia e njërës prej të përdhunuarave. Ja ç’thotë ajo ndër të tjera: “Në shtëpinë e kushëririt tim… ka ardhur “Toger Baba”. E ka lidhur kushëririn dhe i ka nxjerrë të gjithë jashtë. Ka ardhur nga ana e shtëpisë sime dhe pasi i mbylli të gjithë në një dhomë, më pyeti se ku i kisha vëllezërit. Kur unë i thashë jashtë, më tha të siguroja derën.
Unë i thashë se, dera e siguruar ishte, por ai më tha të ngrihesha e ta siguroja, pasi do bënim dashuri. Më tha që nuk e hante këtë gjë e, nuk donte të vinin vëllezërit e mi e ta kapnin. Për këtë mori një hekur për t’ia vënë derës. Erdhi tek unë me automatik në dorë e më tha: ‘Unë ja të shkërdhej ty sot, ja shkërdhej Krishtin tënd’ e filloi më bëri ato që më bëri që nuk mund t’i them dot”.
Në libër, ju thoni se edhe në kampet e punës së detyruar, ka pasur raste përdhunimesh…?!
Raste tipike, kanë qenë ato ndaj grave që vinin për të vizituar të afërmit apo bashkëshortët e tyre, në kampin e Maliqit. Kjo gjë pranohet edhe në dokumente. Në raportin e datës 23.8.1950, të degës së Kampeve dhe Burgjeve në Drejtorinë e Policisë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndër të tjera, thuhej: “Në kampin e Maliqit, prej disa degëve janë dërguar policë me shërbim jo të mirë moral, që si konsekuencë, kanë bërë edhe disa vepra imorale, duke kapur gra të të burgosurve me përdhuni; si dhe disa prej tyre shkojnë në Korçë bëjnë brutalitete me vajza imorale me violencë”.
Në një tjetër raport, atë datës 13.1.1951, të Degës së Kampeve dhe Burgjeve, nënvizohet: “Gjendja disiplinore e kolektivit ka qenë e mire, me përjashtim të rasteve… (flitet për çështje shërbimi – shënim) dhe disa raste imoraliteti. Nga 4 policët e proceduar, 3 veta janë për imoralitet, për kapjen e një gruaje të një të burgosuri në Orman – Pojan, të cilën e çnderuan me forcë”.
A kishte raste të tilla edhe në burgjet e tjera?
Në çdonjërin prej tyre, drejtuesit dhe gardianët kishin të njëjtën sjellje me gratë e burgosura apo njerëzve të tyre.
Për ta bërë më të qartë fenomenin, po jap dy raste që u referohen dokumenteve të kohës. – Toger Ismail M. ishte vetëm 26 vjeç në vitin 1945, kur ishte vendosur komandant i burgut nr.13 të Elbasanit. Ky, duke përfituar nga fakti se një vajzë kishte vëllain e burgosur, i kërkon të hyjë në marrëdhënie seksuale, sepse në të kundërt, vëllai i saj do të kishte pasoja.
Po ashtu, i njëjti komandant burgu, kishte përdhunuar dy të burgosura të burgut të Elbasanit – E.K., gruaja e të dënuarit politik, Jani K., i burgosur në burgun e Burrelit, deklaroi në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm se, drejtori i burgut të Burrelit, bashkë me dy gra të tjera, i kishte pritur në zyrë, kishte filluar të tallej me ta, i kishte fërkuar duart e kishte kërkuar ta puthte.
Grave u kishte kërkuar të futeshin në një dhomë një nga një. Më 3.12.1948, gratë bënë një kallëzim penal, për drejtorin e burgut të Burrelit, Vangjel Rrëmbeci, i cili, përveçse u vidhte pakot që dërgonin familjarët, i provokonte për të hyrë në marrëdhënie intime.
E megjithatë, prokuroria i mbylli hetimet, sepse: “nuk kishte gjetur prova”. Një ngjarje e rëndë e kallëzuar në vitin 1951, e detyroi regjimin komunist të merrte masa, për një bandë që vepronte brenda në Polici. Efektivë të kësaj trupe, shfaqeshin në Tiranë tamam si bandë përdhunuesish.
Më 8.3.1951, Gjykata e Lartë Ushtarake, dënoni 6 prej tyre. Në qendër të grupit ishte 34-vjeçari, togeri M. M., me profesion kasap, i cili ishte bërë efektiv “për merita të veçanta”. Të tjerët, ishin me profesion bujq, minatorë dhe furrxhi.
Ata akuzoheshin për “shkelje të detyrës, dhunim arbitrar banimi dhe shkelje të uniformës dhe të autoritetit të Policisë”.
Në arsyetim të vendimit, thuhej ndër të tjera se ata: “duke qenë në armën e Policisë, me pozita të ndryshme komanduese, kanë kryer një seri aktesh të poshtra dhe armiqësore, duke shkelur detyrën e tyre, duke përdorur ofiqin e tyre, për të mashtruar e violuar femra të ndryshme, kanë kontrolluar ilegalisht familjet dhe kanë krijuar terrenin, që të bien në faje të tilla edhe vartësit e tyre, sidomos duke përdorur femra imorale.
Gjithë orientimi i këtyre të pandehurve, është përdorur drejt dëfrimeve dhe akteve të poshtra imorale…! Veçanërisht, i pandehuri toger M. M., në mënyrë arbitrare, tenton të çnderojë me forcë Lumturi Sh., të cilën e merr me forcë në shtëpi të tij, që e kishte bërë djep korrupsioni.
Njëkohësisht, bashkë me vartësit e tij I.D., R.D., A.D. etj, mashtrojnë Suzana G. gjoja për ta ndihmuar të gjenin shtëpinë e dy shoqeve dhe e drejtojnë jashtë Tiranës, ku e shfrytëzojnë me radhë që të pestë.
Ndërsa i pandehuri nëntoger N.K. tenton të çnderojë vazhdimisht të quajturën Margarita Sh., jashtë vullnetit të saj, duke i violuar shpesh shtëpinë…
I pandehuri F.P., arrin në një degjenerim sa të shfrytëzojë një sasi femrash dhe përdor ofiqin e tij, duke thirrur në zyrë femra të ndryshme, si Lumturi Sh., të cilën tenton ta çnderojë në zyrë. Njëkohësisht, kur gratë e popullit vijnë të kërkojnë të drejtat e tyre, në vend që të kryejë detyrën, përfiton nga rasti dhe u propozon t’i shfrytëzojë, në rast të plotësimit të kërkesës.
I pandehuri nëntoger J.B., shkel detyrën e caktuar për të mos lejuar raste imoraliteti në lulishten e Lidhjes Kulturore me Bashkimin Sovjetik dhe bëhet shembull vetë, duke bërë gjeste imoraliteti, me femra imorale, si Zenepe K. etj.
Një fat të tillë kanë pasur edhe gratë e huaja, nënvizoni ju në libër. Keni ndonjë histori të veçantë?
Më ka bërë përshtypje historia e polakes me emrin Barbara. Në moshën 18-vjeçare, në vitin 1960, ajo vjen në Durrës së bashku me bashkëshortin e saj, me të ciline pat studiuar në Poloni. Më 1964-n, vihet nën presionet e Degës së Brendshme të Durrësit, drejtuesi i së cilës, e ka përdhunuar.
Në vitin 1966, ajo njofton Ambasadën Polake për sa i kishte ndodhur. Në vitin 1969, arrestohet dhe dënohet me 17 vjet burg. Pasi vuan 3 vjet e katër muaj në Kuçovë, shkon në Durrës. Bashkëshorti i pare, e kishte braktisur.
Në këto kushte, pranon një martesë të dytë, ndërsa punon me tri turne në Plastikën e Durrësit. Në vitin 1973, i bën një letër Enver Hoxhës për jetën e saj. Në raportin përmbledhës në lidhje me këtë letër, thuhet: “Pretendon se në tetor 1964, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, K.N., e merr me “Gaz” dhe bashkërisht shkojnë në një vilë në plazhin e Durrësit, ku do të vinin për takim, me të dërguar nga Ministria e Brendshme.
Tha se me të hyrë në vilë, ku nuk kish asnjë njeri, K. N., kyçi derën, vendosi pistoletën mbi tryezë dhe gjysmë i zhveshur tentoi ta nënshtronte, por ajo u mbrojt. U paralajmërua prej tij të mos i thoshte kurrkujt mbi këtë ngjarje”.
Por, po ashtu, në këtë histori, përfshihet edhe emri i Feçor Shehut, të cilin një kuadër tjetër, e akuzonte për stilin e punës, imoralitetin e tij, si dhe për një përdhunim që kishte kryer ndaj Barbaras. Për këtë kuadër, Feçori “ishte feminist, se i lyente flokët si gratë etj.”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016