Memorie.al publikon disa foto të rralla nga vizita në Shqipëri e Princit të Kamboxhias, Samde Norodom Sihanuk dhe bashkëshortes së tij, Monika, të cilët me ftesë zyrtare të sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxha, vizituan pesë herë vendin tonë, në periudhën kohore 1972 – 1985.
Imazhet e panjohura të pritjes pompoze që i’u rezervua nga ana e regjimit komunist të Tiranës, çiftit Sihanuk nga Kamboxhia e largët në vizitën e tyre të parë në vitin 1972, duke filluar nga ceremonia zyrtare në aeroportin e Rinasit ku kishin dalë për ta pritur kryeministri Mehmet Shehu, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi dhe zëvendësi i tij, Shefqet Peçi, pritja në ‘Pallatin e Brigadave’ nga Enver Hoxha dhe Nexhmija, të cilët shikojnë të mahnitur dhuratat e çiftit mbretëror, bisedimet me ‘shokët e udhëheqjes’, si: Mehmet Shehu, Ramiz Alia, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu etj., e deri te banketet për nder të tyre, ku në tavolinën kryesore, krahas kryeministrit Mehmet Shehu që mban fjalën e rastit duke i’u uruar mirëseardhjen miqve nga Azia e largët, ndodhet edhe Adil Çarçani, Fiqret Shehu, Kadri Hazbiu, etj.
Samde Norodom Sihanouk dhe gruaja e tij Monika, ishin të vetmit përfaqësues të lartë të një autoriteti mbretëror, që regjimi komunist i Enver Hoxhës do të priste zyrtarisht, në gati katër dekada e gjysëm të ekzistencës së tij.
Dhe kjo për vetë faktin se çifti mbretëror Sihanouk, në fillimin e viteve 70, do të detyroheshin që të jetonin në azil politik në shtetet si Franca, Kina, Vietnami, dhe Koreja e Veriut. Ata u dëbuan si të padëshiruar nga eksponentët e regjimit kriminal të Kmerëve të Kuq, të udhëhequr nga Pol Poti.
Tirana zyrtare duke qenë nën trysninë e presionit të madh ndërkombëtar si të vendeve të perëndimit ashtu si dhe ato të lindjes të cilat pas gjenocidit që formacionet komuniste të Pol Potit ushtruan mbi popullin kamboxhian, “u detyrua” të pranonte çiftin mbretëror.
Krimet që u ushtruan në Kamboxhia ishin të një përmase kaq të egër saqë dhe vetë Enver Hoxha do ti etiketonte Kmerët e Kuq si një “regjim terrorist i paligjshëm”. Sihanouk-ët do të riktheheshin në Kamboxhia në fillimin e viteve 80./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016