Nga Petraq Xhaçka
Pjesa e njëzetë e tre
Memorie.al /Qëllimi i këtij libri, është të bashkojë ndihmesën në përpjekjet që bëhen, për të paraqitur të vërtetat dhe tmerret e diktaturës komuniste në Shqipëri. Qëllimi kryesor i librit, nuk është t’i tregojë popullit tonë e kujtdo tjetër, se ne naftëtarët kemi qenë të pafajshëm, sepse kjo është bërë e njohur nga botime në shtypin tonë, nga televizionet e huaja, si dhe nga takimet direkte me Forumin Ndërkombëtar dhe atij shqiptar të të Drejtave të Njeriut. Dëshira e autorit, është që nëpërmjet kësaj historie, së bashku me tregime të tjera, të luftohet çdo shfaqje në çfarëdo forme, qoftë dhe të moderuar, që ai mund të ketë për të krijuar një shoqëri komuniste. Mendoj se edhe nëpërmjet kësaj historie të hidhur personale, do të shfaqet fytyra mizore e pabesë dhe prepotente e enverizmit, që për një gjysëm shekulli, ja mbajti thikën me majën në gjoks popullit shqiptar, me syrin pishë, duke përgjuar lëvizjet për shpëtim nga jashtë, apo rebelim të vetë popullit, i gatshëm ta shtynte thikën drejt zemrës, në lëvizjen më të parë. Ngjarjet janë vënë në fushat ekonomike ku ajo është shfaqur më me forcë, siç ka qenë industria e naftës dhe e gazit, ku pata fatin të derdh energjitë e mia, për një jetë të tërë dhe të bëhem në ato ngjarje pjesëtar dhe dëshmitar. Të gjitha ngjarjet që shkruhen në këtë libër kujtimesh, janë të vërteta, jo vetëm pa asnjë për zmadhim apo zbukurim të tyre, por ndofta, nuk di sa kam mundur të paraqes forcën tmerruese të ngjarjeve që ndodhnin në atë sistem dekadent të socializmit, ku nuk ekzistonte asnjë ndjenjë humane.
Po dilte edhe emri im. Unë natyrisht nuk i dija këto hollësi, por edhe unë kisha mjaft indikacione të tjera. Ata brenda sallave të hetuesisë, vazhdonin të vuanin tortura gjithë-llojesh, duke i kërkuar që të përzienin dhe Petraqin, e me sa dukej grupi do të ishte i madh. Dhe çfarë të bënte i ziu njeri, brenda katër mureve, pa asnjë mbrojtje, pa asnjë njeri, që t’i jepte kurajë dhe këshilla?! Pas një periudhe të gjatë afro tremujore, hetuesia arriti në pikën e vlimit, që kërkonte skenari i ndërtuar më parë, mbi ekzistencën e “grupit të madh të armiqve të rrezikshëm në industrinë e naftës”.
Dosjet e atyre njerëzve që kishte përgatitur Sigurimi i Shtetit, me kërkesë të udhëheqjes, Hekuran Isaj, i kish mbi tavolinë. Tani hetuesia, duke përdorur si “fill peri”, këta dy specialistë që u shtrënguan të pranonin fajësinë e tyre, hartoi lidhjet me personat e tjerë, të planifikuar më parë.
Kështu u përgatitën arrestimet tona, por edhe ne, siç flitej, nuk ishim të fundit, por kishte të tjerë, bile shumë të tjerë. Partia me organet e saj, kishin përpara vetes plot mullinj të erës dhe ndeshja do të ishte e përgjakshme. Nga fundi i muajit shkurt të vitit 1986, një mëngjes herët, kur unë po përgatitesha për t’u nisur për në punë, troket dera e shtëpisë dhe unë shkova e hapa. Përpara meje pashë inxhinierin e shpimit të puseve, Fatmirin. Ishte i zverdhur në fytyrë dhe trupi, gishtat e duarve, e zëri, i dridheshin në mënyrë shumë të dukshme. Me zë të mekur më thotë: -Petraq, jam shumë i sëmurë nga nervat. Të lutem kam ardhur të më ndihmosh. Ti vuan nga sëmundjet nervore dhe mund të më këshillosh diçka.
Megjithëse kisha patur shumë përplasje pune me të, përsëri më ardhi keq kur e pashë në atë gjendje të mjeruar. E ftova të futej brenda në shtëpi, për t’i dhënë këshilla nga përvoja ime. Iu luta Zhanit, të na bënte të dyve nga një kafe, megjithëse unë kurrë nuk pija kafe në mëngjes. E shpura kolegun e punës në njërën nga dhomat ku të mund të rinim e të bisedonim. A i kishte dhe një çante, të cilën zakonisht e mbante dhe në punë, prandaj dhe nuk më tërhoqi vëmendjen, kur e mori në dhomë, pas vetes.
E dëgjova ankesën e tij për shqetësimet nervore dhe shikoja se ai vazhdonte të dridhej. Të them të drejtën, nuk munda të gjykoj se ishin dridhje që ndoshta ai kishte me të vërtetë nga ndonjë shqetësim i brendshëm nervor, apo ishin dridhje artificiale, që mund t’i realizonte një artist kinemaje, në mënyrë të përsosur: Unë krijova bindjen, se ai nuk ishte mirë nga shëndeti, me streset që mund të kishte patur, që shpesh njerëzve të tjerë nuk ia rrëfejnë dhe prandaj kërkesës së tij, se çfarë lloj ilaçesh përdorja, unë iu përgjigja tërësisht.
Përveç kësaj, e këshillova sa nuk ishte vonë, të shkonte menjëherë, bile qysh atë ditë, në spitalin neurologjik të Tiranës, ku ndodheshin doktorë të mirë dhe ata do t’i jepnin kurën e përshtatshme. Ia bëra të qartë, se dozat e ilaçeve që përdorja unë prej disa vitesh, ishin tepër të forta e ai, nuk duhej t’i merrte ato në të njëjtën mënyrë. Ishte e rëndësishme që ai, të mos e mbante mendjen tek sëmundja, sepse ashtu do të rëndohej më keq.
Ai, papritmas, e la devijimin e këshillave dhe më tha me zë të ulët. – Petraq, unë jam i shqetësuar! Kam frikë se Mynyri, atje në hetuesi, do të ketë thënë ndonjë gjë për ne të dy, që kemi përgjegjësi për puset negative! Më befasoi. Mendova se ndofta edhe ky vuante si shoku ynë, inxhinier Tomi, të cilin sëmundja e persekutimit, e shpuri në vetëvrasje. Nuk më shkoi mendja që ky, të kish qen provokim i sugjeruar nga Sigurimi i Shtetit…!
Unë u zura ngushtë, por mendova t’i jepja një përgjigje formale -Në qoftë se ti, në ndërgjegjen tënde, ndjen që ke bërë ndonjë faj dhe fsheh përgjegjësinë për ndonjë pus, atëhere ajo është puna jote, gjykoje vetë! Sa për mua, Mynyri nuk ka se çfarë të thotë, e jam plotësisht i qetë, sepse gjatë gjithë jetës ime, kam punuar pa u kursyer, e me ndershmëri. Puse negativë ka çdo gjeolog, kam dhe unë. Por kjo është krejtësisht normal, për gjithë gjeologët e botës. Prandaj, nuk ka pse Mynyri të më akuzojë për këtë, në hetuesi.
Me atë njeri më lidh keqardhja, se mendova që ishte sëmurë, por nga hetuesia, qysh në orët e para, mësova se ai ishte dërguar prej tyre. Ishte i instruktuar se çfarë të thoshte dhe ishte i pajisur me magnetofon, të cilin e mbante në çantë, për ta inçizuar provokimin e tij dhe përgjigjen time. Hetuesia paguante pazotësinë e saj, për të gjetur diçka me të hollë, ose gjithë këtë ajo e pat menduar për të krijuar përshtypjen tek specialistët e tjerë, që mua më ndiqnin. Priste ndofta që unë, të shfaqja ndonjë shqetësim. Por unë e zotërova veten.
Në vitet e mëvonshme, ato pas-diktatoriale, mësova se Sigurimi i Shtetit, më kishte vendosur në shtëpi gjatë një viti, aparatura përgjimi, për të ndjekur në çdo çast, fjalët e mia. Dhe kurrë ata nuk gjetën apo dëgjuan gjë, që të lidhej me akuzat apo skenarët që mendonin, se edhe vetë e dinin që më parë, se nuk do të zinin që t’u hynte në punë. Por ky dështim, nuk i largoi nga plani i pabesë, për të më arrestuar. Ata nuk i shqetësonte fakti që nuk zunë ndonjë gjë, që të lidhej me akuzat apo skenarët që mendonin, se edhe vetë e dinin që më pare, se nuk do të zinin. Ama ndonjë pakënaqësi ose mallkim, ishte e natyrshëm që mund të peshkohej, e duke e futur pastaj në nenin e agjitacionit e propagandës, do ta bënin më bindës arrestimin tim.
Po kështu pas daljes nga burgu, pata rastin të takoja dhe inxhinier Fatmirin qe pat ardhur atë mëngjes si i sëmurë në shtëpinë time. – Përse e bërë këtë? – e pyeta. Ai ma tha hapur: -Më thirrën në Degën e Brendshme dhe me detyruan ta bëj atë pisllëk! Të kërkoj falje, Petraq! Pavarësisht se me përgjimin nëpërmjet aparaturave, nuk patën rezultat, pavarësisht se ndjekja hap pas hapi, nuk i shpuri gjëkundi, ata e kishin vendosur dhe e realizuan filmin e tyre të mbrapshtë. Më 6 mars 1986, në orën dhjetë të mëngjesit, arrestuan Enriko Veizin. Pas pesë orësh, krye-hetuesi Rustem Ajazi, u fut në zyrën time dhe më thirri me gisht. -Hajde pak me mua në korridor! Dhe në korridor më hodhi prangat.
Gënjeshtarët janë të lodhur
Gjykova pra, se më e arsyeshme ishte të pranoja ato çka nuk kisha bërë dhe të merrja pjesë në këtë lojë tragjike, ndërtuar sipas skenarit të udhëheqjes së lartë të Partisë, që e kish shkelur me këmbë, e po martirizonte vendin tim të mjerë. I humburi dihej: Unë! Po fundi i lojës, kur? Vetëm të mbaronte sa më shpejt! Pasi kisha marrë këtë vendim, vajta të nesërmen në seancën e paradites, u thashë menjëherë grupit të hetuesve, se do t’i pranoja akuzat dhe do të firmosja. Por vetëm me një kusht: të mos ma internonin familjen, në zona të tjera të thella dhe të mos m’i hiqnin fëmijët nga shkollat.
Ata ranë dakord me kërkesat e mia. Njeriu jeton gjithmonë me shpresë për jetën e tij dhe të njerëzve të dashur. Shpresa është ajo që vdes e fundit. Premtimi i tyre, ishte sa për të kaluar radhën. Fëmijët e mi ishin persekutuar egërsisht, njësoj si të gjithë të dënuarve politikë. Vërtet ata nuk i hoqën nga Fieri, por dyert e shkollave, ua kishin mbyllur në fytyrë. Të gëzuar nga njoftimi që u dhashë, hetuesit shtypën menjëherë në makinë shkrimi një formë protokolli të shkurtër, ku unë pranoja fajësinë time. Ky ishte një nga çastet më të neveritshëm të jetës sime.
Vura firmën, ula kokën mbi atë copë të vogël dërrase që kisha para vetes dhe për herë të parë gjatë procesit hetimor, lotët m’i mbushën gropëzat e syve të mi. Qëndrova ashtu një farë kohe, pastaj ngrita kokën, e nisa të vështroja nga dritarja. Ata nxituan dhe më dhanë për të pirë një cigare, për herë të parë. Dhoma e hetuesisë, ishte e ngrohtë nga soba prej llamarine, ku digjeshin ca drurë shelgu. Kur mbarova cigaren, ata thirrën policët, të cilët më shoqëruan në birucë.
Ndërsa çapitesha në korridor në mes të dy policëve, më shkoi në mend, se ata përsëri mund të më mashtronin. Ata më kishin thënë se; po të pranoja, nuk do të më torturonin më dhe dënimin do ta kisha më të lehtë, por ata ishin të pabesë. Kur vajta në birucë u kthjellova dhe vetëm atëhere u bëra i ndërgjegjshëm, se çfarë akuzash të rënda kisha pranuar. Sa turp! Torturat e padurueshme, vërtet mund të pushonin e trupi im i sfilitur, mund të binte në qetësi, por…! Sa shtrenjtë e kisha blerë atë qetësi!
Torturat pushuan nga jashtë e nisën të më sfilisin nga brenda. Më erdhi një e qarë e fortë, sa nuk pushoja dot. Dënesat më kishin përfshirë nga supet dhe po më shkundnin të tërin. Kurrë nuk më shkonte mendja, se do të vinte një ditë e tillë. Kurrë nuk kisha ëndërruar, të më vinte një çast, që të shfaqja heroizmin tim. Në botë rrojnë miliona, miliona dhe miliarda, që nuk janë heronj dhe askush nuk ua kërkon të bëhen të tillë. A nuk mund të kisha të drejtë dhe unë, të mos isha i tillë? A nuk ka njeriu të drejtë, t’i kërkojë qiellit dhe Zotit, të mos e verë në një provë të tillë kaq të egër, ku kërkohet të jesh ose hero, ose frikacak i poshtëruar?!
Njeriu kur kryen një akt të dënueshëm, është i ndërgjegjshëm dhe për pasojat, se mund të vijë një ditë, që të paguajë. Po kur nuk e ka kryer dhe thotë se e ka kryer dhe firmos për këtë? Nuk e kisha marrë me mend kurrë, se sa e rëndë do të ishte kjo sfilitje e re. Kisha kaluar rreth dy a tri orë, në këtë gjendje depresive në birucë, kur ndjeva përsëri hapat e policëve dhe zhurmën e llozit të derës. Policët më lidhën duart përpara, pasi nga dhimbjet e kyçeve dhe të shpatullave, unë nuk i bashkoja dot më duart prapa. Më shpunë përsëri në vendin e zakonshëm.
Në dhomë tani ishin vetëm tre vetë, të kënaqur që unë tashmë isha dorëzuar. E vura re menjëherë, se isha dorëzuar më kot. Dhe kot kisha firmosur, sepse tashmë, duke mos e pasur idenë e këtyre punëve, unë kisha humbur një avantazh: një ditë më parë të dy palët e dinim, që unë jam i pafajshëm, kurse tani, u kisha dhënë atyre të drejtën, të besonin qoftë edhe formalisht, se unë isha i zhytur në krim. Tani vetëm unë, mund t’i kthehesha pafajësisë sime. Filluan përsëri kërcënimet, ofezat, rrahjet, për të më detyruar të tregoj, tërë veprimtarinë e dëmshme, të konkretizuar që praktikisht, ishte një zero e madhe.
– Ja ku e ke letrën dhe stilolapsin, – më tha Pajtimi. – Tani na shkruaj aty, se si e kur u vure në shërbim të të huajve! Me një klithmë habie, e me një zë që papritmas nga thellësia e shpirtit më doli tepër i lartë, pyeta: – Çfarë?!.. Po ju e dini, që unë pranova të bëj si thoni ju! Unë nuk di çfarë të them më, sepse nuk kam as idenë e këtyre gjërave!
Atëherë ata, që vërtet i dinin mirë gjërat, futen në valle tërë përvojën e tyre kriminale. Më përjashtuan nga bashkësia e “autorëve të skenarit” dhe më lanë në rolin e fajtorit, tamam siç e pata pranuar unë, me firmën time. Ata tani kërkonin t’ua vërtetoja fajin tim. Sa më shumë kundërshtoja unë, aq më të egër bëheshin ata dhe aq më të shpeshtë ishin grushtet dhe shqelmat e tyre. Sidomos Rustem Ajazi dhe Pajtim Lame, nuk linin rast pa u ngritur nga vendi, ku ishin ulur si fitimtarë, me kapnin me forcë për gryke dhe ma përplasnin kokën pas murit. Ishte vërtet e pamundur të vazhdoja ashtu.
– Mirë, – u thashë më në fund. – Ju më thoni dhe unë do t’i shkruaj, ashtu si i doni ju. Më mirë të mos ua kisha thënë këtë. Unë po u fyeja zanatin. E zanati i tyre i përgjakshëm, u diktonte që për asnjë çast këtej e tutje, ata nuk do të pranonin se ishin torturat dhe kërcënimet me fatin e familjes, ato që më kishin shtyrë të pranoja, që isha agjent i të huajve. Paturpësisht ata nuk do ta pranonin këtë. Ata, këtej e tutje, do të thoshin se unë, u rrëfeva pa asnjë ngucje e pa asnjë keqtrajtim. Kjo ishte tradhtia e parë dhe që në themelim të këtij organi, duhet të ketë qenë tradhtia bazë, ku tani unë bëhesha viktima e dhjetëmijtë. Apo e njëqindmijtë?
Në përgjigje të propozimit tim, ata u ngritën të fyer e të revoltuar dhe m’u vërsulën të gjithë në një kohë, me sharje e goditje të të gjitha llojeve. Por, vërtet, unë nuk mund të imagjinoja, se me cilët po i vija minat atdheut të tyre dhe kur, në ç’kohë e deshin ata, vënien e minës së parë? Të zemëroheshin sa të deshin, unë nuk u isha për të tilla sajesa! Por kishte rëndësi që ata më kuptuan, se unë kisha nevojë për ndihmë dhe nëpër sharjet e shfryrjet e tyre, plot urrejtje, si mjeshtra të vërtetë, ata nisën të më ndihmonin, të më udhëzonin e orientonin, se ku duhet të ishin përgjigjet e mia, se ku duhej të ndizej imagjinata e Petraq Xhaçkës, që ta ngarkonte Petraq Xhaçkën, aq sa të mos i bezdiste ata me ato, shprehjet e tij naïve; “unë nuk jam fajtor, por do të bëj si të më thoni ju!”
Mendova të krijoja një skenë, kur isha me shërbim në Perëndim, në periudhën pas ngjarjeve të vitit 1975. Dhe këtë e shkrova me pak fjalë, aty për aty, në një letër. Ata më prisnin, duke pirë duhan apo disa here, duke bërë dhe rrathë nga tymi i cigareve. Flisnin për filmat, për shfaqje televizive që ato ditë kishin lënë përshtypje në tërë vendin, për javën e ardhshme të kampionatit të futbollit, për tema të vockla, që përbënin atë lumturi të vockël por të dashur, jashtë atyre mureve. Përpiqesha të mos i dëgjoja dhe të përqendrohesha sa më shumë, në atë procesin tim të çuditshëm krijues.
Ata ma morën letrën që shkrova dhe pasi e lexuan, panë njëri tjetrin në sy të pakënaqur. Përvoja e tyre, për nënshtrimin e të burgosurve, i kishte mësuar që tashmë e kishin shumë më lehtë, pasi akulli qe thyer. Ata mund të çanin përpara më lehtë tani. Dorë për dore, ne tani do të mbërrinim në atë pikë që kërkohej, që grupet e tjerë pastaj, të vazhdonin seritë e ardhshme të këtij skenari filmi, me anëtarë të Polit-byrosë. – Na fol tani, kur e fillove bashkëpunimin me sovjetikët?
Tani u bë e qartë për mua, se ata deshin që unë të shkruaja për kohën, kur isha vënë në shërbim të rusëve, megjithëse nuk ishte e besueshme, pasi ajo periudhë ishte shumë e shkurtër për mua, afro një vit. Jo vetëm kaq, por të gjithë i dinin kontradiktat e mia me kreun e tyre, në Kombinat. Por logjika ime, ishte pa vend, pasi e vërteta, tani nuk kishte asnjë vlerë. Rëndësi kishte të krijoja e të krijoja vazhdimisht, material tradhtish dhe episode sabotimi. Ganxha me kohën e pranisë së specialistëve ruse, kërkohej që hetuesia të mund të lidhte më lehta, personat e udhëheqjes së lartë të partisë, ish-naftëtarë, që tashmë ajo kish plane, t’i konvertonte në armiq.
Atëhere u kërkova të më linin të mendohesha e “të rifreskoja kujtesën”, për të përdorur një shprehje, që e gjeta me zor, por që atyre u pëlqeu pa masë. Hetuesit pranuan, më dhanë letër e laps, për të shkruar në birucë dhe më lëshuan të kënaqur. Ata tërë jetën, kishin fabrikuar gënjeshtra, por që nga 1945, ishin shumë vite dhe e kishin lodhur fantazinë.
I dërmuar fizikisht e moralisht, u mundova ta përfytyroja veten një skenarist filmi dhe të imagjinoja, se si mund të zhvillohej një ngjarje e tillë, duke patur si orientim tanimë, jo perëndimin, siç e nisa në fillim, por specialistët rusë, që punonin në Kombinatin e Naftës të Kuçovës, në vitin 1960, periudhë në të cilën, u emërova në detyrën e krye-gjeologut. Tashmë nuk kishte rëndësi, se sa mbushamendës ishte skenari, rëndësi kish, vetëm të ndërtoja ngjarje të kësaj veprimtarie.
Me këtë kërkesë ndaj vetes, krijova disa episode takimesh në mensën e inxhinierëve, ku hanin dhe specialistët sovjetikë. Aty vendosa të startoja lidhjen, se si ata më propozuan të punoja për ta, për të rrëzuar Hoxhën dhe se si unë pranova menjëherë. Dhe këtë rekrutim rusët, e bënin aq thjeshtë e aq lehtë, sikur të më propozonin të shkonim së bashku, të shihnim një ndeshje sporti apo shfaqje filmi, gjëra që gjithashtu, nuk i kisha bërë asnjëherë me ta.
Jam i bindur se një profesionist skenarësh apo një hetues i ndershëm, sado fillestar, qysh në fraza të para, do të ma hidhte poshtë atë paçavure, e do ta kuptonte se mënyrat e shtjellimit të ngjarjeve, ishin shumë banale dhe naive. Por kur njeriu nuk ka kryer akte të tilla, nuk bëhet fjalë që ta ndihmojë kujtesa. Këtu duhej të përveshte mëngët imagjinata dhe unë kam turp të them, që atë nuk e kisha të përsosur. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016